Arkivë për Nëntor, 2004

Faqja për Firefox-in në Shqip

Nëse e keni rregulluar Google-in që të punojë në Shqip, atëherë kjo lidhje do të shfaqë faqen e Firefox-it në Shqip.
Qarkullimi edhe në Shqip i Firefox 1.0 dështoi për një pakujdesi të dyanshme, nga ana ime dhe nga ana e ekipit, që as nuk përbën ndonjë arsye për ta marrë në shqyrtim: ata që tashmë e kanë të instaluar, mund të shohin te faqerojtësit një ndarje me emrin Faqerojtës Të Përzgjedhur nga Ekipi i Firefox-it a diçka e ngjashme. Kjo pjesë nuk duhej të ishte aty pasi ka pretendime rreth paanëshmërisë së disa prej lidhjeve të ruajtura aty (ajo e Amnesty Internationl p.sh…)…dhe prej kësaj na iku treni për këtë radhë…
Pjesa tjetër e tragjikomedisë së vockël është gjysmë-bojkoti apo indiferenca në përgjithësi e atyre pak pranive shqiptare në Internet, jo ndaj përkthimit, por ndaj vetë Firefox-it në përgjithësi. Jo vetëm që prozhektorët nuk u drejtuan nga Firefox-i, më keq akoma: para dhe pas qarkullimit të FF 1.0 këta prozhektorë u kthyen nga Windows Service Pack dhe mIRC.

Zotat nuk e deshën Firefox-in këtej pari duket: të njëjtin dështim patën versionet për italishten dhe greqishten.

11/9 ose Firefox 1.0 zyrtarisht në qarkullim

Firefox-i mbërriti

Versioni i parë i shfletuesit më të mirë Web do të jetë gati për pak orë. Po presim akoma raundin e fundit të përpilimit dhe krijimin e versioneve të përkthyera për gjuhët pjesëmarrëse, para kontrollit të fundit.
Më vjen keq që nuk jam diku në Shqipëri për të organizuar edhe ne një mbrëmje me tifozët shqiptarë të Firefox-it me rastin e qarkullimit të Firefox 1.0-s. Po mbase mund ta bëjmë më vonë.
Më vjen mirë që për një rast nuk jemi të fundit.
Më vjen keq që thirrjes time për ndihmë në një kanal fjalosjeje me emrin #shqiperia e vetmja përgjigjje që i erdhi qe një shkelmim jashtë kanalit nga dikush.
Më vjen mirë që ata pak që morën mundimin ta instalojnë përkthimin Shqip të Firefox-it u treguan të përzemërt.

GËZUAR FIREFOX 1.0-n!

© 2012-2026 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.