Arkivë për Shkurt, 2005

"Site"-i i Mozilla Europe-s ka tani një version Shqip

Mozilla Europa tani në version Shqip.

Përkthimet në Shqip të Firefox-it, Thunderbird-it dhe Mozilla-s tani kanë një faqe krejt të tyren, pjesë e projektit Mozilla Europe, që përfshin edhe përkthimin e site-it në gjuhët për të cilat produktet e Mozilla-s janë të përkthyer. Shqipja i është afruar shumë këtij kushti. Firefox-i dhe Thunderbird-i i përkthyer janë tashmë në përdorim. Suita e Mozilla-s është në fazën e testimit, dhe qarkullimi i saj nuk do të vonojë.

Microsoft: Bjenani Patenta Software-esh ose ua hoqëm nga Danimarka 800 vende pune

Sipas FFFI-së, Bill Gates ka kërcënuar qeverinë daneze se do të tërheqë vende pune nga Danimarka në US, nëse Danimarka vazhdon të kundërshtojë direktivën mbi patenta software-sh.
Ja një nga përgjigjet e shumta, në një temë tek GrokLaw:

E tija është, mund të bëjë ç’të dojë me të! POR, me një kërcënim të tillë duhej t’i thoshin “Epo, mirë, do hidhemi nga MS Office te OpenOffice në organizmat qeveritare. Faleminderit!”

Michael S. Malone: Linux-i dhe Firefox-i kanë mbërthyer përfytyrimin e botës sot, jo Windows-i dhe Explorer-i

Malone te kjo sheh humbjen e interesit ndaj Microsoft-it dhe shenjat e para që tregojnë, sipas tij, se MS është duke hyrë në fazën e rrënimit. Artikulli, ABC News: Silicon Insider: R.I.P. Microsoft?, tregon se si nuhatja nuk i ka dalë huq në disa raste të bujshëm.

Vazhdon, pa sukses, gjuetia e dhelprës

Them pa sukses, sepse shifrat nga www.spreadfirefox.com flasin për 24 milionë shkarkime që nga 9 nëntori deri më sot. Pa llogaritur përhapjen përmes kopjesh të shkarkuara tashmë. Nuk besoj që këta janë përdoruesi të rinj me Firefox-in si gjëja e parë që u ra në dorë. Këtë e provon edhe gërryerja e përqindjes që përdor IE për shfletim në Internet.
Ka një postim të pasaktë, apo spekullues, në Forumi Shqiptar – Shletuesi Maxthon (ish MyIE). Sipas postimit, ndryshimi në madhësinë e shkarkimit të Firefox-it për Windows (5MB) dhe Linux (9MB) tregon që Firefox-i përdor kod nga Windows-i. Kjo thuhet si zbulim apo çfarë? Sigurisht që do të përdorë kod nga Windows-i, sepse Windows-i në fund të fundit është sistemi operativ që shërben si platformë për tërë zbatimet, e këta kanë nevojë për një platformë, ndryshe nuk xhirojnë. Nën Windows kjo platformë është Windows-i, nën Linux është Linux-i. Këtu nuk ka asnjë mister apo sekret që ka të bëjë me Firefox-in. Firefox-i, si çdo zbatim tjetër, ka nevojë të përdorë kod nga sistemi operativ. Kjo nuk do të thotë që përdoret kod nga IE-ja. Nëse ka dyshime për këtë, kodi i Firefox-it është i hapur, kushdo mund ta shohë e të bindet se cilat janë të vërtetat dhe cilat jo.
Diferenca në shkarkim ka të bëjë me ndryshimin midis dy platformave, dyorët për Linux janë më të mëdhenj se sa përkatësit për Windows, përpiluesit në dy sistemet janë të ndryshëm, 7zip i përdorur për ngjeshjen e paketës për Windows prodhon ngjeshje më të madhe, pra paketë më të vogël…
Sa për vizatimin e faqeve ndryshe në versionin preview dhe ndryshe në 1.0… këtu përpiqemi t’i faturojmë Firefox-it mëkatet e Microsoft-it. Çudia në këtë rast nuk është ndonjë imitim apo arritje në imitimin e IE-së siç shprehen në postim. Çudia është përpjekja për të mbuluar uzurpimin dhe devijimin e standarteve nga Microsoft-i për qëllimet e veta monopoliste. Ndërsa që

faqet në versionin 1.0 final hapeshin pothuaj njësoj si IE

është një shprehje pakuptim: një faqe duhet të hapet jo pothuaj, por saktësisht njësoj në të të gjithë shfletuesit. Nëse dikush krijon një faqe që të hapet vetëm nga disa shfletues, ky nuk është faji i shfletuesve të tjerë. E as do të jetë më problem i tyre, kur përdoruesit të fillojnë të kuptojnë rrengun që u bëhet me këtë.
A duhet të jetë Firefox-i i thjeshtë apo i përbërë, apo i ndërlikuar, apo shumë i ndërlikuar? Përgjigjja nuk ndihmon në krahasimin e tij me shfletuesit e tjerë, sepse kështu përpiqemi të krahasojmë një mundësi (si do ishte Firefox-i në rast se…) me një realitet (Maxthon apo IE sot). Cilido ka të drejtë të kërkojë apo të pëlqejë një apo ca funksione nga aksh shfletues. Sado të çuditshëm të jenë parapëlqimet në këtë rast. Por kjo nuk mund të shërbejë si bazë për krahasim mes tyre. Sepse është tejet subjektive si bazë.
Së fundi dihet që siguria asnjëherë në këtë botë nuk ka qenë e lidhur së brendshmi me 1 (Njëshin), sekreti po.

Edhe një herë – Kthim te Leximi i parë


Bashkojuni demonstratave të 17 Shkurtit në Bruksel

Dhe jo vetëm atje. Çështja e patentave mbi software-et nuk është mbyllur. Nga njoftimi i FFII-së:

Demonstratë kundër vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për të futur në planin e mbledhjes për financat të datës 17-02-2005 vulosjen e një projektligji mbi patentat e software-eve, ndërkohë që parlamente dhe qeveri shtetesh anëtare e kanë bërë të qartë tashmë kundërshtimin e tyre ndaj kësaj marrëveshjeje, dhe ndërkohë që Parlamenti Europian i ka kërkuar Komisionit një rinisje të procedurës. Duam të mbështesim kërkesën e Parlamentit, që të bëhet e mundur që Këshilli të rishohë “marrëveshjen” e vet dhe që patentat mbi software të mos ligjërohen në Europë.

Në krejt kulturën e konsumatorit, kjo dukuri nuk ka të dytë

Jo gjithkush e sheh botën me optikën e Gates-it, për fat të mirë: Why Does Windows Still Suck? / Why do PC users put up with so many viruses and worms? Why isn’t everyone on a Mac?

Projekti i Microsoft-i për sigurinë në Internet dhe spërdredhjet alla Microsoft

Vizita e Gates-it në Europë ditët e fundit kish patjetër të bënte me ecurinë në zyrat e Brukselit të çështjes së patentave mbi programet. Pazaret e fshehta nuk mësohen dot, as do të merren vesh këtë radhë. Por një rrugë e dy punë, edhe pse Gates-i nuk ka nevojë fundja të punojë. Nga një intervistë dhënë Spiegel-it, përdoruesit e dëshpëruar të Windows-it mund të mësojnë se Microsoft-i po punon për sigurinë në Internet. Vetëm se pyetjes së intervistuesit se pse tani kjo nismë, Gates-i i përgjigjet diplomatikisht se po punohet që ca çështje vërtet serioze të mos bëhen asnjëherë problem. Zor ta besojë këtë një përdorues i paanshëm, pas orësh të tëra të humbura duke pastruar kompjuterin nga viruse që nuk pushojnë kurrë. Mjafton të vizitohen pak forume dhe pjesët më të bollshme të diskutimeve janë se si të qërohet kompjuteri prej X apo Y virusi, se si të hiqet ky apo ai spyware, se si të rikthehet Windowsi në gjendje pune… Dhe kjo nuk quhet problem, por çështje serioze që nuk duhet lejuar të kthehet në problem. I cili, pavarësisht nga emri, tret kohën e përdoruesve. Dikush tha një fjalë të mençur: përdoruesit e Windows-it sot, pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke u përpjekur të kenë makinat e tyre në gjendje pune, jo për të bërë punë faktike me to. Përgjigjja e Microsoft-it për krejt këtë janë përditësimet e programeve, duke filluar nga Windows-i, ose me fjalë të tjera përjetësimi i varësisë së përdoruesit nga Microsoft-i dhe rrethi vicioz i tanishëm.
Intervista ka plot të pavërteta: ngadalësia e bashkësisë Linux për të kundërvepruar ndaj të metash, (kur dihet që Windows-i mund të marrë edhe muaj të tërë për një arnim); maskimi i strategjive monopoliste si gjasme në përfitim të përdoruesit; pretendimi për risi në produktet e Microsoft-it; etj, etj.

© 2012-2026 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.