Komisioni Europian dhe Microsoft-i bien në ujdi

Komisioni Europian miratoi së fundi një vendim që përbën një ujdi lidhur me padinë kundër Microsoft-it. Marrëveshja parashikon një numër parimesh, sendërtimi i të cilëve do t’i lejojë përdoruesit të zgjedhë shfletuesin web që dëshiron. Po aq me rëndësi është mbrojtja e kësaj zgjedhje më pas, çka marrëveshja e parashikon. Deri më sot shmangia e Internet Explorer-it ka qenë e vështirë. Kjo për shkak mekanizmash të sendërtuara nga Microsoft-i në produktet e veta software, të cilat bëjnë ç’është e mundur t’i largojnë njerëzit nga shfletuesi i zgjedhur dhe t’i rikthejnë te IE-ja. Në marrëveshje i kërkohet Microsoft-it të përfshijë një “Skenë Zgjedhjeje”, përmes së cilës t’i ofrohet përdoruesit mundësia për zgjedhje mes shfletuesash. Pasi përdoruesi të ketë bërë zgjedhjen e vet, IE-ja nuk do të duhej të rishfaqej më vetvetiu.

Sipas Mitchell Baker-it, president i Mozilla Foundation-it, Mozilla është e kënaqur që parimet e saj mbi lirinë e përdoruesit në zgjedhje janë pasqyruar në marrëveshje.

Përfitimet praktike prej marrëveshjes mund të jenë më të pakta dhe/ose më të ngadalta se sa mund të pritet. Vërtet përdoruesi do të ketë mundësi zgjedhjeje, por kjo nuk përkthehet automatikisht si zgjedhje e një shfletuesi web tjetër nga IE-ja. Veç kësaj, këtë liri zgjedhjeje e gëzojnë edhe të ashtuquajturit OEM, pra shoqëritë që montojnë dhe shesin kompjutera. Metodat se si Microsoft-i mund të ushtrojë trysni ndaj këtyre përbën art më vete. Ndaj komentatorët kanë frikë se, nën një trysni të tillë, OEM-ët do të jenë të detyruar të vazhdojnë të funksionojnë duke ruajtur status quo-në e tanishme.

Por marrëveshja hap rrugën që, për përdoruesit që e dëshirojnë, të ketë një mundësi zgjedhje tjetër nga IE-ja. Dhe, sipas Asa Dotzler-it, figurë kyçe e Mozilla-s, ” e mira e kësaj qëndron te mundësia që na jepet për të edukuar përdoruesit lidhur me mospërdorimin e IE-së dhe, po qe se këtë e bëjnë një numër i mjaftueshëm përdoruesish, shitësit që e trupëzojnë IE-në në produktet e tyre, ndoshta do të reshtin së përdoruri këtë praktikë, dhe t’i lidhin produktet e tyre me shfletuesin parazgjedhje.”

Marrëveshja vlen vetëm për vendet që bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Jo se ndryshe do të kishte ndonjë ndikim të madh te përdoruesit në Shqipëri, por po e themi për hir të së vërtetës.

Shpërndajeni me Mënyra të Tjera:
  • Print
  • del.icio.us
  • Yahoo! Buzz
  • Google Bookmarks
  • Add to favorites
  • email
  • Identi.ca
  • RSS
  • Google Buzz

© 2012-2024 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.