Arkivë për Janar, 2010

Peticion për ndalimin e patentave për software në Evropë

alt="stopsoftwarepatents.eu petition banner" width="362" height="60"

Kushdo që përdor kompjuterat, është i pambrojtur nga paditë e mundshme për shkelje të një apo më shumë patentash në këtë fushë. Kur vjen puna për ata që e shfrytëzojnë për të kryer biznes, apo një pjesë të tij, hipotezat bëhen më të frikshme. Sipas një shembulli të përmendur nga End Software Patents:

Nëse shisni online, sipas llogarisë më të freskët ka 4319 patenta që mund t’i keni shkelur. Nëse në plan keni edhe reklama, pagesa dhe planifikim dërgimi mallrash, lypset ta keni mendjen te rreth gati 11000 patenta.

Peticionin në Shqip mund ta lexoni dhe firmosni këtu.

“Stop Internet Explorer-it”, nga tre qeveri

Njoftimit të qeverisë gjermane, përfaqësuar nga BSI, lidhur me rreziqet që paraqet për sigurinë përdorimi i shfletuesit Internet Explorer, i janë bashkuar qeveria frënge dhe ajo australiane.

Përmes një njoftimi të vetin, CERTA, Qendra e Ekspertizës Qeveritare për Kundërpërgjigje dhe Trajtim të Sulmeve informatike, i këshillon përdoruesit në Francë të përdorin një shfletues alternativ.

Qeveria australiane po ashtu, nëpërmjet një njoftimi të botuar nga SSO, Nismë Qeveritare Australiane u bënte thirrje përdoruesve të përdorin shfletuesa alternativë.

BSI-ja është Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit dhe ka si objekt pune sigurinë në lëmin IT në Gjermani. BSI është organizmi bazë dhe kryesor që mbulon qeverinë federale me shërbime lidhur me sigurinë IT.

Simotra frënge, CERTA, u krijua për të përforcuar mbrojtjen e rrjeteve të shtetit nga sulmet informatike dhe është e atashuar pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, nën çatinë e Agjensisë Kombëtare të Sigurisë së Sistemeve të Informacionit (ANSSI). Një nga detyrat e saj është zbulimi i cënueshmërive që mund të prekin sigurinë e sistemeve të informacionit.

Shkaku që prodhoi njoftime të tilla ishte një cënueshmëri e panjohur te shfletuesi Internet Explorer, e që prek versionet 6,7 dhe 8, për sisteme Windows XP, Vista dhe Windows 7. Prodhuesi i Internet Explorer-it sapo ka njoftuar dje për ndreqjen e tij.

Mozilla u Jep Miliona Përdoruesve Firefox 3.6-n

Hidhet në qarkullim versioni i ri i Firefox-it, 3.6

Mozilla, një organizëm në dobi të publikut, i përkushtuar nxitjes dhe përhapjes së mundësisë së zgjedhjes dhe risive në Web, sot hodhi në qarkullim Firefox® 3.6-n, një përditësim i shfletuesit Web popullor, të lirë dhe me burim të hapur. Versioni më i ri i Firefox-it sjell veçori të fjalës së fundit, mbulim të një larmie të madhe standardesh Web dhe mundësinë për të pasur më tepër se 6 000 shtesa të lira, të cilat u lejojnë përdoruesve ta personalizojnë shfletuesin e tyre ashtu si duan.

Firefox 3.6-a është mbi 20% më i shpejtë se Firefox 3.5-a dhe mbart ndërhyrje të thelluara nën kapak, për përmirësimin e funksionimit gjatë punësh të përditshme në Web, si email, ngarkim fotosh, pjesëmarrje në rrjete shoqërore, e më tepër. Sjell gjithashtu anë të reja si tema shfletuesi të personalizueshme, të quajtura Persona, një përmirësues shtojcash shumë të përparuar, përmirësim funksionimi të JavaScript-it, dhe thellime te gjëra tashmë familiare, të tilla si Shtylla e Papërmbajtshme, për një punim më të mirë, më personal në Web.

Firefox 3.6-a është krijuar nga bashkësia mbarëbotërore Mozilla pjesëmarrësish të përkushtuar, përfshi mijëra programues të sprovuar, ekspertë sigurie, bashkësi përkthimi dhe asistence, dhe qindra mijëra testuesa aktivë. Më shumë se 350 milionë përdorues anembanë botës shijojnë shfletim të shpejtë dhe të sigurt me Firefox-in, si dhe personalizim të pashoq të tij.

Ç’ka të re te Firefox 3.6-a?

Më poshtë gjenden disa nga veçoritë më joshëse të Firefox 3.6-s:

Personas: Personalizojeni pamjen e Firefox-it duke përzgjedhur tema të reja, të quajtura Personas, me një klik të vetëm dhe pa rinisje
Përditësues Shtojcash: Për t’ju mbajtur të paprekur nga cënueshmëri të mundshme sigurie, Firefox-i tash e tutje do t’i diktojë vetë shtojcat e vjetruara
Përmirësime Qëndrueshmërie: Firefox 3.6 i ka ulur shumë vithisjet e rrjedhura nga software-e palësh të treta – e tëra kjo pa sakrifikuar në ndonjë mënyrë aftësinë për zgjerim dhe thellim të programit
Plotësim Formularësh: Kur plotësohen formularë online, Firefox-i këshillon të dhëna sipas kutizës, bazuar në përgjigjet e zakonshme tuaja në kutiza të ngjashme
Funksionim: Përmirësim i funksionimit të JavaScript-it, ndjeshmërisë së shfletuesit në përgjithësi, dhe kohës së nisjes
Video dhe Audio të Hapura: Me sendërtimin më të mirë në botë për mbulim videoje dhe audioje HTML 5, tani videot mund të shfaqen sa tërë ekrani dhe mbulohen edhe kornizat poster

Ç’ka të re, nën kapak, për zhvilluesit?

Mbulim për standardet më të fundit HTML5, përfshi File API për trajtim vendor kartelash
Mbulim shkronjash: Përtej shkronjave OpenType dhe TrueType, 3.6 tani mbulon Formatin e ri Web Open Font (WOFF)
Gradientë CSS: Mbulohen gradientët vijorë dhe rrezorë CSS që krijojnë mundësinë e kalimit më të butë nga ngjyra në ngjyrë
Orientim pajisjeje: Firefox 3.6 lejon njohjen nga faqet Web të drejtimit të laptopit apo pajisjes

Si të kihet Mozilla Firefox 3.6?

Firefox 3.6-a është gati për Windows, Mac OS X, dhe Linux në më shumë se 70 gjuhë – më shumë platforma dhe gjuhë se cilido shfletues tjetër! Firefox 3.6-n, për sistemin operativ që përdorni dhe gjuhën që parapëlqeni, mund ta shkarkoni prej këtej.

© 2012-2026 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.