Arkivë për Korrik, 2010

Shëngjin Kickoff Hackathon Camp

Më 17 dhe 18 Korrik një grup dashamirësish të Software-it të Lirë dhe atij me Burim të Hapur (FLOSS) do të organizojnë në Shëngjin një takim pune dhe zbavitjeje, kushtuar programeve të lira dhe atyre me burim të hapur.
Linux në plazh

Cilido me dije dhe përvojë, apo thjesht me dëshirën që të fillojë të merret programet FLOSS është i ftuar të marrë pjesë, qoftë ky programues apo krijues site-sh, ekspert kompjuterash apo dikush që ka nevojë të mësojë krijimin e një blogu të thjeshtë. Ideja është që nëpërmjet një takimi miqësor të nxitet dija, shkëmbimi, bashkëpunimi dhe zbavitja në këto fusha.

Takimi është menduar si një veprimtari paraprake që i paraprin konferencave të Shtatorit që pritet të organizohen njëra në Prishtinë, më 25-26 Shtator, dhe tjetra në Vlorë, më 11-12 Shtator. Në fakt, një pikë e rëndësishme e vetë takimit është diskutimi i përgatitjeve për dy konferencat.

Nëse jeni të lirë dhe mundeni të shkoni, shpenzojeni fundjavën e 17-18 Korrikut atje. Dijet dhe përvoja juaj janë të dobishme dhe do të gjeni dikë që t’ju jetë mirënjohës për to.

Për hollësi të mëtejshme hidhini një sy faqes së veprimtarisë.

Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit

Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit është një projekt i sapolindur nga Spread Firefox, bashkësia prej nga kanë zënë fill projekte të tjera të suksesshme për përhapjen Firefox-it dhe misionit të Mozilla-s.

përfaqësues të Mozilla-s në shkolla

Edhe unë, edhe unë…

Projekti synon të ofrojë një kuadër pune për nxënës dhe studentë që duan të aktivizohen e të ndihmojnë për shtrirjen në shkollë të Firefox-it dhe të Mozilla-s. Cilido i pasionuar me produktet e Mozilla-s dhe që e sheh të rëndësishëm misionin e saj, ka rastin ta ndajë me të tjerët pasionin e vet dhe t’i shndërrojë shokët e klasës në fuqi për Firefox-in.

Nëse software-in me burim të hapur e keni pasion dhe besoni në fuqinë e Web-it të hapur ndaj pjesëmarrjes, keni çka nevojitet për t’u bërë Përfaqësues i Mozilla-s te Nxënësit. Mundet që të jeni marrë edhe më parë me përhapjen e Firefox-it. Atëherë, shkoni më tej. Bëjeni këtë zyrtarisht.

Drejtoni fushata dhe projekte në shkollat e tuaja dhe në bashkësitë tuaja vendore. Duke u treguar njerëzve pse Firefox-i është i fuqishëm, ndihmojini shokët tuaj të shkollës të përfitojnë nga një përvojë më e mirë në Web.

Atëherë…

Disa nga fushatat tona më të paharrueshme të marketingut kanë qenë ide risore të vëna në zbatim nga një grup i vogël njerëzish. Dhe nuk keni nevojë për një lëmë që t’u tregoni njerëzve se sa i fuqishëm është Firefox-i. Te site-i i projektit ju shpjegohet si të arrini të bëni gjëra të ngjashme me shokët e shkollës, duke u bërë fillimisht pjesë e projektit.

titull shpotitës 2

T’u bëfsha…!

Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit mund të bëhen vetëm nxënës shkollash ose studentë. Për më të rriturit projekti mund të jetë me interes kur vjen fjala te fëmijët e tyre. Nëpërmjet tij mund të aktivizoni fëmijët tuaj në një fushatë të rëndësishme, jo vetëm nga objekti i saj, por po aq edhe për mundësinë që u jep fëmijve tuaj të edukojnë veten dhe shokët përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në veprimtari të konceptuara si projekte shoqërore.

© 2012-2026 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.