Firefox 4 Beta 7 – Njihuni me Firefox-in e Ri

Firefox 4 Beta vjen me një ndërfaqe të përditësuar, për të gjitha platformat, më elegante dhe më e lehtë për t’u përdorur.  Me vendosjen e tyre të re, skedave iu është dhënë përparësia kryesore në anën pamore, për një shfletim më intuitiv dhe të efektshëm. Grupimi dhe, më gjerë, administrimi në përgjithësi i skedave është bërë më i kollajtë, duke e vënë theksin te përbërësja pamore e këtij akti.

Të rejat te Firefox 4

Tanimë me Firefox Sync mund të njëkohësoni rregullimet, fjalëkalimet, faqerojtësit, historikun, skedat që kishit hapur para se të dilnit, dhe të tjera personalizime të këtij lloji, mes instalimeve të Firefox-it në pajisje të ndryshme (kompjuter, telefona celular, iPad, etj). Kështu do ta keni me vete Firefox-in tuaj,  kudo që të gjendeni.

njëkohësuesi

Firefox 4 Beta sjell përmirësime të mëdha në performancë, përfshi një motor të ri për JavaScript, JägerMonkey-in e Mozilla-s . Ndryshimin do ta vini re menjëherë te koha më e shkurtër e nisjes, apo te koha që i duhet për të paraqitur grafikë, dhe në përgjithësi në shpejtësi më të madhe gjatë ngarkimit të faqeve.

Në pararojë të zbatimit të standardeve HTML5 për videot, Firefox-i mbulon formatin WebM, që kështu të mund të shihni video në cilësi HD. Veç kësaj, mbulimi i HTML5-s e bën Firefox 4 të jetë gati të xhirojë zbatimet web më të mira të sotme dhe të nesërme.

Mbulimi i karakteristikave të reja CSS3, të tilla si Transitions dhe Transformations e bën të lehtë të shtohen animacione elegante në faqet Web.

Figurat SVG, që tani mbulohen nga Firefox-i, mund të përdoren për të prodhuar faqe web mahnitëse dhe që nuk shkojnë ndesh me performancën e site-it.

JetPack SDK lejon tashmë instalimin e shtesave Firefox pa qenë nevoja të riniset shfletuesi.

Firefox-i mundëson shfletim të pandërprerë në Windows, Linux, tani edhe Mac, edhe kur bllokohet shtojca Adobe Flash, Apple Quicktime ose Microsoft Silverlight. Nëse një nga këto shtojca të përdorura rëndom vithiset ose bllokohet, pjesa tjetër e Firefox-it nuk do të preket. Thjesht mund të ringarkoni faqen që të riniset shtojca dhe të riprovoni.

Firefox-i tani pranon urdhra nga ana e një site-i për kalim vetvetiu në lidhje të sigurt (https), në rast se kapen sulme mbi të dhëna të rezervuara ndërkohë që vizitohet site-i.

Disa video përshkruese të veçorive të reja që do të gjeni te Firefox 4 mund t’i shihni (në Anglisht) prej këtej. (Shihni për rrethin me një trekëndësh brenda – shenja që duhet klikuar për secilën video.)

Për ta shkarkuar mjafton të klikoni këtu. Pas kësaj mos harroni të jepni përshtypjet tuaja duke përdorur mekanizmin që ofron vetë programi. Vlerësimin tuaj do shihni të shfaqet te kjo faqe.

Shpërndajeni me Mënyra të Tjera:
  • Print
  • del.icio.us
  • Yahoo! Buzz
  • Google Bookmarks
  • Add to favorites
  • email
  • Identi.ca
  • RSS
  • Google Buzz

Komente

Lini një Përgjigje

© 2012-2024 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.