Këmbyes Gjuhe për Firefox

nga

Brenda një muaji që nga hedhja në qarkullim, Firefox 4 është shkarkuar, deri në këtë çast, mbi 97 milionë herë në gjithë botën dhe në gjithë gjuhët që qarkullon. Sipas statistikave të Mozilla-s, në Shqipëri Firefox 4 është shkarkuar deri më sot mbi 69 mijë herë. Në shkarkimet brenda Shqipërisë përqindjen më të madhe e zë versioni në Anglisht. Pas tij vjen versioni në Shqip, ai në Italisht dhe në Greqisht.

Shumica e përdoruesve punojnë me të duke e pasur ndërfaqen në një gjuhë të vetme. Për t’u kujdesur për rastet kur një gjuhë e vetme nuk i plotëson nevojat, fjala vjen, nëse dëshironi që fëmija juaj të përdorë Firefox-in në Frëngjisht apo Esperanto, ka një shtesë të quajtur Quick Locale Switcher që zgjidh punë. Shtesa, e përkthyer në Shqip, mund të përdoret si për ndërrimin e ndërfaqes, ashtu edhe për ndërrim parametrash që lidhen me një gjuhë të caktuar. Si shembull për rastin e dytë, mund të sillet ndryshimi i fjalorit që përdoret për kontroll drejtshkrimi të tekstit të dhënë në fusha tekstesh që nga brenda Firefox-it. Nëse shkruani në një blog Shqip, ju duhet kontrolli për Shqipen. Nëse më pas merrni pjesë në një forum në Gjermanisht, të themi, keni nevojë për kontrollin e Gjermanishtes.


Qoftë ndërrimi i gjuhës së ndërfaqes, qoftë ai i parametrave të lidhur me një gjuhë të dhënë, lypin instalimin jo thjesht të QLS-së, por edhe të fjalorëve dhe paketave gjuhësore për një gjuhë të dhënë. Këtë mund ta bëni kollaj duke zgjedhur prej kësaj liste. Pas instalimit të shtesës, në cepin e poshtëm djathtas do të shihni një ikonë flamuri. Klikimi mbi të do të hapë një menu që ju lejon zgjedhjen e gjuhës që dëshironi, mes atyre që keni të instaluara.

Më tej, mundeni që të përcaktoni cilën gjuhë të përdorë programi kur jeni në një site të dhënë dhe kështu ndërrimi i gjuhës të bëhet vetvetiu pa ndërhyrjen tuaj:

Kombinimet gjuhë ndërfaqeje dhe parametra gjuhe mund të jetë nga më të ndryshmet. Një shembull mund ta shihni më poshtë:

Në një rast si ky më sipër mund të shtoni një koment në Italisht duke bërë kontrollin e tij, pa i ndërruar Firefox-it gjuhën e ndërfaqes që, siç shihet, është ajo Anglisht.

Shpërndajeni me Mënyra të Tjera:
  • Print
  • del.icio.us
  • Yahoo! Buzz
  • Google Bookmarks
  • Add to favorites
  • email
  • Identi.ca
  • RSS
  • Google Buzz

© 2012-2024 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.