Historia e Mozilla-s me pak fjalë

Një video që ilustron grafikisht dhe hijshëm historinë e derisotshme të Mozilla-s dhe misionit të saj:

Transkriptimi i videos, për nevoja të çfarëdoshme, vijon më poshtë:

Në fillimet e veta web-i qe i thjeshtë, i ndërlidhur, i hapët, i sigurt,  i konceptuar si një forcë e së mirës, por do të shndërrohej në diçka shumë më të madhe, një ekosistem i gjallë, që merr frymë në shërbim të njerëzimit, një burim publik për risi dhe mundësi. Një vend për të vënë në jetë ëndrrat tuaja.

Por në ato fillime, si për çdo ekosistem, web-i kish nevojë për mëkim. Ndërkohë që rritej, përdoruesit u ndeshën me sfida të reja. Flluska. Viruse. Mungesë zgjedhjesh. Ngastra përmbajtjeje pas muresh të lartë. Web-i filloi të të fuste frikën. U bë i ngadaltë, i ndërlikuar, i frikshëm. Përdoruesit zunë të pyesnin: pra, kaq e pati? Apo web-i mund të ishte diçka më e mirë?

Një grup i vogël personash, programuesa, grafistë, idealistë, besonin se mund të bëhej i tillë. Dhe patën një ide të guximshme:  një organizëm i vogël jofitimprurës dhe një bashkësi globale mund të krijonin diçka më të mirë dhe të fusnin në Web ide të reja dhe risi. E quajtën projekti Mozilla. Zunë fill duke krijuar një shfletues Web të një lloji të ri. Atë që sot e njohim si Firefox. Dhe e bënë jofitimprurëse, që njerëzit që përdornin Web-in të viheshin mbi gjithçka. Më shumë se sa një program, qe një platformë që gjithkush mund ta përdorte për të sendërtuar idetë e veta. Bezditë zunë të pakësoheshin. Filluan të shfaqen themelet e Web-it që njohim sot.
Sot Web-i është një vend ku mund të ngrini thuajse çfarëdo gjëje që ju vjen në mend. Mozilla dhe Firefox-i ekzistojnë për të ndihmuar njerëzit ta rrokin këtë mundësi kudo dhe të dalin në ballë të përdoruesve, në një botë ku mundësia e zgjedhjes dhe kontrolli janë të rrezikuara shumë shpesh.
Por, po sikur Firefox të qe vetëm fillimi? Po sikur të qe pjesë e diçkaje më të madhe? Nga privatësia e përdoruesit te Firefox Mobile, te zbatimet dhe identiteti, po i zgjerojmë  çdo ditë kufijtë e web-it Dhe po shkojmë më tej se sa software-et. Po ndihmojmë në formimin e një brezi ndërtuesish web. Besojmë se web-i është një vend ku cilido
mund të vijë të materializojë ëndrrat e veta. Ja pse e krijuam Firefox-in. Ja pse dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë në krijimin e produkteve tona. Ja pse qindra milionë anembanë botës përdorin programet tona. Por më e rëndësishmja — ja pse gjithmonë ju vëmë juve mbi gjithçka, dhe përballemi me ata që nuk e bëjnë këtë.

Miliona vetë na dinë si Mozilla Firefox. Por jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një organizëm jofitimprurës që lufton për mbrojtjen e web-it që të gjithë e duam. Bashkohuni me ne – na duhet përkrahja juaj. Bëni një dhurim.

Shpërndajeni me Mënyra të Tjera:
  • Print
  • del.icio.us
  • Yahoo! Buzz
  • Google Bookmarks
  • Add to favorites
  • email
  • Identi.ca
  • RSS
  • Google Buzz

© 2012-2024 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.