Arkivë për Kategorinë 'Internet'

Me të tillë miq …

Facebook-u ka 59 milionë përdorues – dhe çdo javë i shtohen 2 milionë përdorues të rinj. Por Tom Hodgkinson-in nuk do ta kapni dot duke dhënë vullnetarisht të dhëna të tijat personale – jo më, tani që i njeh synimet e personave pas site-it të rrjetit shoqëror

Tom Hodgkinson
The Guardian, 14 Janar 2008
Historiku i artikullit

Saktësimi vijues u botua te ndarja Corrections and clarifications e The Guardian-it, të Mërkurën, 16 Janar 2008

Artikulli më poshtë e lidhte gabimisht në kohë entuziazmin e bashkësisë së shërbimeve të zbulimit të SHBA-ve për risitë hi-tech pas 11 Shtatorit me krijimin i In-Q-Tel-it, fondit të saj për kapital spekulativ më 1999. Meqë 11 Shtatori ngjau më 2001, nuk mund të kushtëzonte krijimin e In-Q-Tel-it dy vjetë më parë.


The Independent Guide to Facebook

E përbuz Facebook-un. Ky biznes amerikan, jashtë mase i suksesshëm, e përshkruan vetveten si “një shërbim shoqëror që ju lidh me njerëzit rreth e qark”. Pa dale, njëherë. Për atë Zot, pse m’u dashka kompjuter për t’u lidhur me njerëzit që kam rreth e qark? Pse u dashka që marrëdhëniet e mia të ndërmjetësohen sipas përfytyrimit të një grushti supergeek-ësh në Kaliforni? Ç’të keqe kish kafeneja?

Dhe a i lidh vërtet njerëzit Facebook-u? Vallë a nuk na shkëput nga njëri-tjetri në të vërtetë, meqë, në vend që të bëj diçka të pëlqyeshme, fjala vjen të bisedoj, të ha e pi e të hedh valle me miqtë e mi, thjesht dërgoj në rrjet shënime të shkurtra, shkruar shkel e shko, dhe foto zbavitëse, ndërsa mbetem i gozhduar në tavolinën time? Një miku im më tregoi tani vonë se e kish kaluar krejt mbrëmjen e së shtunës në shtëpi, vetëm me Facebook-un, duke pirë në tryezën e punës. Ç’tablo e zymtë. Në vend që të na lidhë mes nesh, Facebook-u në fakt na veçon, duke na mbajtur lidhur pas kompjuterëve.

Facebook-u, po ashtu, ndjell te ne një lloj mburrjeje dhe vetëvlerësimi. Nëse unë afishoj një foto mikluese timen, tok me një listë gjërash që parapëlqej, mund të ndërtoj një përfaqësim artificial të asaj çka jam, me qëllim që gjej një partner për seks ose miratim nga dikush a për diçka. (“Më pëlqen Facebook-u,” më tha një mik tjetër. “Prej andej zura një dashnore.”) Veç kësaj, ai nxit një konkurrencë shqetësuese ndaj miqësisë: duket se në miqësitë e sotme cilësia nuk vlen një grosh, kurse sasia mbretëron. Sa më shumë miq të kesh, aq më mirë për ty. Bëhesh “popullor”, sipas kuptimit aq të dashur që i japin kësaj në shkollat e mesme amerikane. Mjaft të shihni titullin e revistës së re për Facebook-un nga Dennis Publishing-u: “Si të Dyfishosh Listën e Miqve.”

Duket, ama, se nuk po gjej dot aleatë në këtë armiqësi timen. Tani që shkruaj, Facebook-u bën fjalë për 59 milionë përdorues aktivë, përfshi 7 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, e treta për nga numri i përdoruesve në Facebook, pas SHBA-ve dhe Kanadasë. Pra 59 milionë syleshë, të cilët, të gjithë vullnetarisht, i kanë dorëzuar një biznesi amerikan të dhëna identitare dhe mbi shijet e tyre si konsumatorë, një biznesi amerikan për të cilin nuk dinë kurrgjë. Tani për tani, çdo javë regjistrohen 2 milionë anëtarë të rinj. Me ritmin e tanishëm të rritjes, si sot një vit, Facebook-u do të ketë më shumë se 200 milionë përdoruesa aktivë. Dhe do të mund të parashikoja se ritmi i rritjes vetëm se do të shtohet në muajt e ardhshëm. Siç shprehet zëdhënësi Chris Hughes: “Është shtrirë dhe integruar kaq shumë, sa nuk e heq dot qafe.”

Krejt kjo më sipër do më kish mjaftuar për ta hedhur tej përgjithmonë Facebook-un. Por ka më tepër arsye për ta urryer. Shumë më tepër.

Facebook screen grab

Facebook-u është një projekt i financuar paq, dhe personat që kanë dhënë paratë, një grup kapitali spekulativ në Silicon Valley, kanë një ideologji të menduar qartë, të cilën shpresojnë ta përhapin anembanë globit. Facebook-u është një nga shfaqjet e kësaj ideologjie. Si edhe me PayPal-in para tij, bëhet fjalë për një eksperiment shoqëror, shprehje e një lloji të veçantë libertarianizmi neokonservator. Në Facebook, jeni i lirë të jeni ai që doni të jeni, sa kohë që nuk ju bëhet vonë në bombardoheni me reklama nga markat më të mëdha të botës. Si edhe me PayPal-in, kufijtë mes shteteve përfundojnë në relike nga e kaluara.

Edhe pse projekti fillimisht u konceptua nga ylli i dashur i mediave, Mark Zuckerberg, fytyra e njëmendtë pas Facebook-ut është dyzetvjeçari Peter Thiel – kapitalist spekulativ dhe filozof futurist në Silicon Valley. Bordi i Facebook-ut ka vetëm tre anëtarë: Thiel, Zuckerberg dhe një investues i tretë, Jim Breyer i Accel Partners, një firmë kapitali spekulativ (më tepër rreth tij pak më poshtë). Thiel-i investoi në Facebook 500 mijë dollarë, kur studentët e Harvard-it Zuckerberg, Chris Hughes dhe Dustin Moskowitz shkuan ta takojnë në San Francisko në Qershor të 2004-s, kur sapo e kishin hedhur në qarkullim site-in. Thuhet se Thiel-i tani zotëron 7% të Facebook-ut, që me vlerën e sotme prej 15 miliardë dollarësh të Facebook-ut, do të ishte më shumë se 1 miliardë dollarë. Ka shumë debat rreth çështjes se cilët qenë vërtet bashkëthemeluesit fillestarë të Facebook-ut, por cilëtdo të kenë qenë, Zuckerberg është i vetmi që ka mbetur në bord, edhe pse Hughes dhe Moskowitz ende punojnë për firmën.

Në Silicon Valley dhe në qarqet e kapitalit spekulativ në SHBA, Thiel-i shihet gjerësisht si gjeni libertarian. Ai është bashkëthemeluesi dhe drejtori administrativ (CEO) i sistemit bankar virtual PayPal, të cilin ia shiti eBay-it për 1,5 miliardë dollarë, duke marrë për vete 55 milionë. Drejton gjithashtu Clarium Capital Management, një hedge fund që vlen 3 miliardë lira stërlina; dhe një fond kapitali spekulativ të quajtur Founders Fund. Revista Bloomberg Markets e quajti së fundmi “një nga administratorët më të suksesshëm të hedge funds në vend”. Ka bërë para duke vënë bast për rritjen e çmimit të naftës dhe duke parashikuar saktë se dollari do të binte. Ai dhe shokët e tij në Silicon Valley, marrëzisht pasanikë, janë etiketuar së fundmi nga revista Fortune si “Mafia e PayPal-it”, reporteri i së cilës vinte gjithashtu në dukje se Thiel-i ka kryeshërbëtor me uniformë dhe nget një superveturë McLaren 500 mijë dollarëshe. Thiel-i është gjithashtu mjeshtër shahu dhe lojtar thellësisht ambicioz. Njihet edhe si njeri që s’e ka për gjë të përmbysë kutinë e shahut, në inat e sipër nga humbja. Dhe që nuk kërkon ndjesë për këtë ambicie të tepruar, kur thotë: “Po u munde, je humbës, sado i zoti qofsh.”

Facebook

Por Thiel-i është më shumë se një kapitalist i zgjuar dhe i pangopur. Është edhe filozof futurist dhe aktivist neokonservator. I diplomuar për filozofi në Stanford, më 1998 shkroi me bashkëautor një libër të titulluar Miti i Larmisë, një sulm i hollësishëm mbi liberalizmin dhe ideologjinë multikulturaliste që mbizotëronin në Stanford. Sipas tij, “multikultura” solli tkurrjen e lirive individuale. Ende student në Stanford, Thiel-i themeloi një gazetë të djathtë, që vazhdon të botohet, The Stanford Review – me moton: Fiat Lux (“U bëftë Dritë”). Thiel-i është gjithashtu anëtar i TheVanguard.Org, një grup presioni neokonservator, me bazë në Internet, që u krijua si kundërvënie ndaj MoveOn.org, një grup presioni liberal, që e ushtron veprimtarinë e vet po në web. Thiel-i e quan veten “libertarian të flaktë”.

TheVanguard drejtohet nga njëfarë Rod D Martin, një kapitalist-filozof të cilin Thiel-i e admiron së tepërmi. Në site, Thiel-i shprehet: “Rodi është një nga mendjet udhëheqëse të kombit tonë, që krijon ide të reja e të nevojshme për politikat publike. Ai zotëron një të kuptuar të Amerikës më të plotë se sa kanë shumica e drejtuesve për bizneset e tyre.”

Kjo copëz nga site-i i tyre web jep një ide mbi përfytyrimin e tyre për botën: “TheVanguard.Org është një bashkësi online amerikanësh që besojnë në vlerat konservatore, tregun e lirë dhe qeverinë e kufizuar, si mjetet më të përshtatshme për të sjellë shpresë dhe mundësi gjithnjë në rritje për këdo, veçanërisht për më të varfrit mes nesh.” Synimi i tyre është të mbështesin politika që “do t’i japin trajtë të re Amerikës dhe globit”. TheVanguard i përshkruan politikat e veta si “Reganiane/Theçeriane”. Mesazhi i presidentit thotë: “Sot do t’i japim MoveOn-it [site-it web liberal], Hillary-t dhe medias së majtë ca mësime që nuk u kanë shkuar kurrë në mend.”

Kështu pra, lidhur me politikat e Thiel-it nuk ka mëdyshje. Po për filozofinë e tij? Dëgjova një podcast të një fjalimi që Thiel-i mbajti lidhur me idetë e tij mbi të ardhmen. Filozofia e tij, me pak fjalë, është kjo: që nga shekulli i XVII-të, disa mendimtarë të ndriçuar po e largojnë botën nga të jetuarit e dikurshëm, të stilit të vjetër, të rrënjosur në natyrë – dhe këtu ai përmend thënien e famshme të Thomas Hobbes-it për jetën si “e ndytë, shtazarake dhe e pakët” – për ta shpënë atë drejt një bote të re virtuale, në të cilën njeriu ka triumfuar mbi natyrën. Tani vlera mishërohet në sende imagjinare. Thiel-i thotë se nxitjen për PayPal-in e pati nga kjo bindje: vlera gjendet jo në sendet e njëmendta, të fabrikuara, por në marrëdhëniet mes qenieve njerëzore. PayPal-i është një rrugë për të lëvizur paranë pa kufizime, rreth e rrotull botës. Bloomberg Markets e karakterizon kështu: “Për Thiel-in, PayPal-i ishte para së gjithash çështje lirie: ai do t’u mundësonte njerëzve të anashkalonin kontrollin mbi monedhat dhe të lëviznin paranë anembanë globit.”

Qartazi, Facebook-u është një tjetër eksperiment hiper-kapitalist: a mund të bëhen para nga miqësia? A mund të krijohen bashkësi të lira nga kufijtë mes shteteve – dhe mandej t’u shitet atyre Coca-Cola? Facebook-u është thellësisht jo krijues. Nuk prodhon asgjë. Thjesht ndërmjetëson në marrëdhënie që kryheshin edhe pa të.

Coca-Cola

Foto: Tim Boyle/Getty

Frymëzuesi filozofik i Thiel-it është njëfarë René Girard në Universitetin e Stanford-it, flamurtar i një teorie të sjelljes njerëzore të quajtur dëshira imituese. Girard-i mendon se njerëzit, në thelb, janë si delet dhe do të kopjonin njëri-tjetrin pa e vrarë shumë mendjen. Këtë teori duket se e provon bota virtuale e Thiel-it: objekti i dëshiruar nuk ngre peshë; gjithë ç’duhet pasur parasysh është që qeniet njerëzore do të priren të sillen si kope. Që këtej vijnë flluskat financiare. Që këtej edhe popullariteti i pamasë i Facebook-ut. Girard-i merr pjesë rregullisht në mbrëmjet intelektuale të Thiel-it. Ajo që nuk dëgjohet te filozofia e Thiel-it, me që ra fjala, janë konceptet tradicionale, që i referohen botës reale, si arti, bukuria, dashuria, kënaqësia dhe e vërteta.

Për neokonservatorë si Thiel-i interneti është tejet joshës, ngaqë premton, në marrëdhëniet njerëzore dhe në biznes, çlirimin nga ligjet kombëtare bezdisëse, kufijtë shtetërorë dhe të tjera kufizime kësisoj. Interneti shpalos një botë tregtie të lirë dhe ekspansioni laissez-faire. Thiel-i duket se i miraton parajsat fiskale offshore, dhe thotë se 40% e pasurisë botërore prehet në vende të tilla si Vanuatu, Ishujt Cayman, Monaco dhe Barbados. Për mendimin tim, nuk është gabim të thuhet se Thiel-i, ashtu si Rupert Murdoch-u, është kundër taksave. Atij i pëlqen gjithashtu globalizmi i kulturës digjitale, sepse ky e bën të vështirë t’i sulmosh kryezotët e bankave: “Bankën nuk mund ta shtiesh dot në dorë me revolucion proletar, kur banka është në Vanuatu,” thotë Thiel-i.

Nëse jeta, në të kaluarën, ishte e ndytë, shtazarake dhe e pakët, atëherë në të ardhmen Thiel-i dëshiron ta zgjatë ndjeshëm, dhe për këtë qëllim ka investuar gjithashtu në një firmë që po eksploron teknologji për zgjatjen e jetës. I ka premtuar 3,5 milionë lira stërlina një gjerontologu në Kembrixh të quajtur Aubrey de Grey, i cili po kërkon kyçin e pavdekësisë. Thiel-i gjendet po ashtu në bordin e këshilltarëve të diçkaje me emrin Instituti i Singularitetit për Inteligjencën Artificiale. Sipas site-it mahnitës të këtij të fundit: “Singulariteti është krijimi teknologjik i një inteligjence më të lartë se njerëzorja. Ka disa teknologji … që po çojnë atje … Inteligjenca Artificiale … ndërfaqet e drejtpërdrejta tru-kompjuter … inxhinieria gjenetike … teknologji të ndryshme të cilat, nëse arrijnë një nivel të mjaftueshëm sofistikimi, do të mundësonin krijimin e një inteligjence më të lartë se njerëzorja.”

Pra, siç e pranon edhe vetë, Thiel-i po përpiqet të shkatërrojë botën reale, që e quan edhe “natyrë”, dhe të instalojë në vend të saj një botë virtuale, e në këtë kontekst duhet parë edhe fuqizimi i Facebook-ut. Facebook-u është një eksperiment i paramenduar manipulimi global, dhe Thiel-i është një yll i ri i ndritur në panteonin neokonservator, i prirur ndaj fantazish tekno-utopike të skajshme. Jo dikush që do të doja ta ndihmoja të bëhej edhe më i pasur.

Anëtari i tretë i bordit të Facebook-ut është Jim Breyer. Ky është partner në firmën e kapitalit spekulativ Accel Partners, që investoi 12,7 milionë dollarë në Facebook në Prill të 2005-s. Anëtar bordesh në gjigandë të tillë amerikanë si Wal-Mart dhe Marvel Entertainment, ky ka qenë dikur edhe president i National Venture Capital Association (NVCA). Janë pikërisht njerëz si ky që luajnë fijet e Amerikës, ngaqë investojnë në talente të reja, si Zuckerberg-u me shokë. Raundi më i fundit në financimin e Facebook-ut drejtohej nga një shoqëri e quajtur Greylock Venture Capital, që investoi atje shumën 27,5 milionë dollarë. Një nga partnerët senior të Greylock-ut quhet Howard Cox, edhe ai dikur president i NVCA-së, dhe tani anëtar i bordit të In-Q-Tel-it. Po çfarë është In-Q-Tel-i? Është krahu kapitalist spekulativ i CIA-s, sado e pabesueshme të duket kjo (por shiheni vetë te site-i i tyre në web). Pas 11 Shtatorit, bashkësia e zbulimeve të SHBA-ve u ngazëllye kaq shumë nga mundësitë e ofruara prej teknologjive të reja dhe risive në sektorin privat, sa që më 1999 i dha jetë një fondi të vetit për kapital spekulativ, In-Q-Tel, i cili “gjen dhe bëhet partner me shoqëri që zhvillojnë teknologji pararojë, për të ndihmuar që këto zgjidhje t’i vihen në dispozicion Agjensisë Qendrore të Zbulimit (CIA) dhe bashkësisë më të gjerë të shërbimeve informative në SHBA, në mbështetje të misionit të tyre”.

Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve dhe CIA e kanë për zemër teknologjinë, se kjo e bën më të lehtë spiunimin. “Na duhet të gjejmë rrugë të reja për të parandaluar kundërshtarë të rinj,” u shpreh sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, në 2003. “Na duhet të kryejmë hopin drejt epokës së informacionit, çka është themeli kritik i përpjekjeve tona për transformim.” Presidenti i parë i In-Q-Tel-it qe Gilman Louie, që pat punuar në bordin e NVCA-së me Breyer-in. Një tjetër figurë kyçe në ekipin In-Q-Tel-it është Anita K Jones, ish-drejtoreshë e kërkimeve dhe inxhinierisë së mbrojtjes në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve, dhe – tok me Breyer-in – anëtare e bordit të BBN Technologies. Kur ajo la departamentin e mbrojtjes së SHBA-ve, senatori Chuck Robb u shpreh rreth saj: “Ajo bëri tok bashkësinë e teknologjisë me atë të veprimeve ushtarake, për të hartuar plane të hollësishme me synim ruajtjen e mbizotërimit të SHBA-ve në fushëbetejat e shekullit të ardhshëm.”

Stars and stripes

Edhe kush nuk pranon të besojë se Facebook-u është një lloj zgjatimi i programit imperialist amerikan, i ndërthurur me një aparat gjigand grumbullimi të dhënash, nuk do ta mohojë dot që, si biznes, ky është krijim gjenish. Disa ekspertë rrjeti kanë sugjeruar se vlera e tij prej 15 miliardë dollarësh është e tepruar, por unë do të thosha se ndoshta, në të kundërtën, kaq mund të jetë shumë modeste. Shtrirja e tij është vërtet marramendëse, dhe mundësia e tij për t’u rritur është praktikisht e pakufishme. “Duam që gjithkush të jetë në gjendje ta përdorë Facebook-un,” thotë zëri anonim i Vëllait të Madh në site-in web. Doemos. Potenciali i pamasë i Facebook-ut e bëri Microsoft-in të blejë 1,6% të tij për 240 milionë dollarë. Sipas ca thashethemeve të fundit, investitori aziatik Lee Ka-Shing, i njohur si i nënti në njerëzit më të pasur të botës, ka blerë 0,4% të Facebook-ut për 60 milionë dollarë.

Krijuesve të site-it u mbetet të bëjnë fare pak gjë me programin. Kryesisht, të ulen e shohin se si miliona të droguarit me Facebook ngarkojnë vullnetarisht në Internet të dhëna identifikuese të tyret, fotografi dhe lista të sendeve të konsumit që u pëlqejnë. Pasi ta ketë magazinuar këtë bazë të gjerë të dhënash qeniesh njerëzore, Facebook-ut mandej thjesht i mbetet t’ia shesë këto të dhëna industrisë së reklamave, ose, siç shkrojti Zuckerberg-u në një postim blogu së fundmi, “të provojë t’u ndihë njerëzve të shkëmbejnë me miq e shokë të dhëna rreth gjërave që bëjnë në web”. Dhe vërtet, kjo është pikërisht ajo që po ndodh. Më 6 Nëntor të vitit të shkuar, Facebook-u njoftoi se pjesë e bordit ishin bërë 12 marka globale. Mes tyre renditeshin Coca-Cola, Blockbuster, Verizon, Sony Pictures dhe Condé Nast. Të stërvitur mirë për profka marketingu të kategorisë së parë, përfaqësuesit e tyre bënë komente ngazëllyese, të llojit:

“Me Facebook Ads, markat tona marrin pjesë në mënyrën me të cilën përdoruesit komunikojnë dhe ndërveprojnë në Facebook,” u shpreh Carol Kruse, zv.presidente për marketingun global ndërveprues tek Coca-Cola Company.

“E shohim këtë si një rrugë risore për të kultivuar marrëdhëniet me milionat e përdoruesve të Facebook-ut, duke u krijuar atyre mundësinë të ndërveprojnë me Blockbuster-in në rrugë të leverdishme, domethënëse dhe zbavitëse,” u shpreh Jim Keyes, president dhe CEO i Blockbuster-it. “Këtu bëhet fjalë për gjëra tej krijimit të mbresave nga reklamat. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Blockbuster-it në bashkësinë e konsumatorëve në mënyrë që, nga ana e tyre, konsumatorët të nxiten për të ndarë me miqtë e tyre përfitimet nga marka jonë.”

“Të ndash me të tjerët” është zhargoni i Facebook-ut për “të reklamosh”. Sapo të regjistrohesh në Facebook, do të shndërrohesh në reklamë të gjallë e falas për Blockbuster-in ose Coke-n, që u mburr vlerat e këtyre markave miqve të tu. Marrëdhëniet njerëzore vijnë e shndërrohen në mall, miqësia vjen e përfton vlerë kapitali.

Ndërkohë, në krahasim me Facebook-un, gazetat, për shembull, duken dëshpërimisht të kapërcyera si model biznesi. Një gazetë u shet hapësirë reklame bizneseve që duan t’u shesin mallra lexuesve të saj. Por ky sistem është shumë më pak i sofistikuar se sa Facebook-u, për dy arsye. Njëra është se gazetave u duhet të përballojnë shpenzimet e bezdisshme për rroga dhe honorare gazetarësh që furnizojnë shkrimet për të. Facebook-ut lënda i vjen falas. Tjetra është se Facebook-u mund të fokusohet dhe reklamojë me përpikëri shumë më të madhe se sa një gazetë. Deklaroni në Facebook se filmi juaj i parapëlqyer është This Is Spinal Tap, dhe të jeni të bindur se, sapo të dalë një film i ngjashëm, do t’ju dërgojnë reklama për të.

Mark Zuckerberg, founder of Facebook

Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg (Foto: Paul Sakuma/AP)

Është e vërtetë që Facebook-u pati telashe me programin e vet të reklamave, Beacon. Përdoruesve iu njoftua se një syresh diç kish blerë në një shitore online; 46 000 përdorues qenë të mendimit se kjo rrugë reklame ishte futje hundësh në mall të tjetrit dhe, për ta kundërshtuar, nënshkruan një peticion të titulluar “Facebook! Stop invading my privacy!” (“Facebook, mos ma dhuno më privatësinë!”). Zuckerberg-u kërkoi ndjesë te blogu i firmës së tij. Shkroi se tani e kanë ndërruar sistemin nga “opt-out” në “opt-in“. Por kam frikë se ky rebelim i vockël kundër shndërrimit të pamëshirshëm në mall ka për t’u harruar shpejt: tek e fundit, protesta kombëtare në mbrojtje të të drejtave qytetare pati edhe kur u hodh ideja për një forcë policore në Mbretërinë e Bashkuar, në mesin e shekullit të XIX-të.

Më tej, i keni lexuar ndonjëherë, ju përdoruesit e Facebook-ut, rregullat e tij të privatësisë? Atje thuhet se nuk keni shumë privatësi. Facebook-u hiqet se është në krah të lirisë, por a nuk ngjan më tepër si një regjim totalitar virtual, ideologjikisht i motivuar, mbi një popullsi që shumë shpejt do t’ia kalojë në numër asaj të Mbretërisë së Bashkuar? Thiel-i me të vetët kanë krijuar një shtet të tyrin, një shtet konsumatorësh.

Tani, mundet që ky eksperiment shoqëror t’ju duket tejet eksitues, sikurse Thiel-it dhe të tjerë zotave të rinj të cyberverse-it. A nuk është ky shteti iluminist, aq i dëshiruar qëkur puritanët e shekullit të XVII-të lundruan drejt Amerikës së Veriut, një botë ku gjithkush është i lirë të shprehet si t’i pëlqejë, po t’u besosh vëzhguesve dashamirës. Kufijtë shtetërorë i përkasin tani së kaluarës, teksa të gjithë mund të hazdisen në hapësirën virtuale. Natyra është mposhtur falë mprehtësisë së pakufishme të njeriut. Po, madje mund ta ndani mendjen t’i dërgoni investuesit gjenial Thiel gjithë paratë tuaja, teksa të prisni me padurim ditën kur të fillojnë të tregtohen në bursë aksionet e Facebook-ut të pandalshëm.

Ose ju mund të arrini në përfundimin se nuk doni të bëheni vërtet pjesë e këtij programi të financuar fort për të krijuar një republikë globale virtuale të shkretë, ku ju vetë dhe marrëdhëniet tuaja me miq e shokë të shndërrohen në mallra tregu që u shiten markave gjigande mbarëbotërore. Mund të vendosni, me fjalë të tjera, të mos bëheni pjesë e këtij tenderi për zotërimin e botës.

Për veten time, unë po tërhiqem nga kjo punë, që t’i rri Internetit sa më larg që të mundem dhe orët e kursyera nga mos-pjesëmarrja në Facebook t’i kaloj me diçka të dobishme, fjala vjen me libra. E ç’më duhet të humb kohë në Facebook kur ende nuk kam lexuar Endimionin e Keats-it? Dhe kur kam diçka për të mbjellë në kopshtin tim? Nuk dua të heq dorë nga natyra, dua të lidhem me të sërish. Në djall vaftë kondicioneri! Dhe nëse dua të lidhem me njerëzit rreth meje, do t’i kthehem një teknologjie të vjetër e të sprovuar. Është falas, është e kollajtë dhe sjell ndjesi të veçanta kur e përdor për të ndarë informacion me të tjerët: bisedë quhet.

Rregullat e privatësisë së Facebook-ut

Thjesht për humor, kurdo që të hasni ‘Facebook‘ provoni ta zëvendësoni me ‘Vëllai i Madh’

1 Do t’ju dërgojmë reklama

“Kur përdorni Facebook-un, mund të ndërtoni profilin tuaj personal, të krijoni marrëdhënie, të dërgoni mesazhe, të kryeni kërkime dhe hulumtime, të formoni grupe, të organizoni veprimtari, të shtoni aplikacione, dhe të përcillni të dhëna përmes kanalesh të ndryshme. Ne i grumbullojmë këto informacione që të mund t’ju shërbejmë në mënyrë të personalizuar.”

2 Nuk mund të fshini asgjë

“Kur përditësoni informacione, zakonisht ruajmë një kopje të versionit të mëparshëm, për një periudhë kohore të arsyeshme, për të bërë të mundur rikthimin te versioni i mëparshëm i atij informacioni.”

3 Kushdo mund t’i lexojë rrëfimet tuaja intime

“… nuk mundemi dhe nuk garantojmë dot që materialet e përdoruesit që afishoni te site-i nuk do të shihen nga persona të paautorizuar. Nuk mbajmë përgjegjësi për anashkalime të çfarëdo opsionesh privatësie apo masash sigurie që përmban site-i. E kuptoni dhe pranoni që, edhe pas heqjes, kopje të materialeve të përdoruesit mund të mbeten të vizitueshme në faqe të arkivuara ose të ruajtura në fshehtinë site-esh, ose nëse përdorues të tjerë kanë kopjuar ose ruajtur materiale tuajat.”

4 Profili juaj i marketingut, hartuar prej nesh, do të jetë i paarritshëm

Facebook-u mund edhe të grumbullojë të dhëna rreth jush nga burime të tjera, të tilla si gazetat, blogjet, shërbimet e shkëmbimit të atypëratyshëm të mesazheve, dhe nga përdorues të tjerë të shërbimit Facebook përmes funksionimit të shërbimit (fjala vjen, nga etiketa fotosh) me qëllim që t’ju ofrojë të dhëna më të dobishme dhe punim më të personalizuar.”

5 Opting out nuk nënkupton opting out

Facebook-u ruan të drejtën t’ju dërgojë njoftime njoftime rreth llogarisë suaj edhe kur zgjidhni opt out për krejt njoftimet opsionale email.”

6 CIA mund të rrëmojë në materialet tuaja kur t’i teket

“Përmes përdorimit të Facebook-ut, jepni njëkohësisht miratimin tuaj që të dhënat tuaja personale të transferohen dhe përpunohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës … Mund të jetë e domosdoshme për ne të japim të dhëna përdoruesi, në vijim kërkesash ligjore, të tilla si thirrje në gjykatë ose vendime gjykatash, ose në pajtim me ligjet në fuqi. Nuk japim të dhëna pa pasur besim të përligjur se një kërkesë për të dhëna, e bërë në zbatim të ligjit apo nga palët e një konflikti privat, pajtohet me standardet ligjore në fuqi. Veç kësaj, mund të ndajmë me të tjerët të dhëna llogarish përdoruesish apo informacione të tjera, nëse besojmë se është e domosdoshme për t’u pajtuar me ligjin, për mbrojtjen e interesave ose pronësisë sonë, për parandalim mashtrimesh ose të tjera veprimtarish të paligjshme, të kryera përmes shërbimit Facebook ose duke përdorur emrin e Facebook-ut, ose për të penguar lëndime fizike përndryshe të pashmangshme. Kjo mund të përfshijë shkëmbim të dhënash me firma të tjera, juristë, agjentë ose agjenci qeveritare.”

Përkthimi: admin
Redaktimi: Xha Xhai

Përkrahësit e Software-it të Lirë dhe Dijes së Hapur organizohen edhe në Shqipëri

Një grup nismëtarësh po përpiqet sa mundet të themelojë një shoqatë shqiptare në përkrahje të Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur.

projekt-stema e shoqatës

Diskutimet lidhur me hapat fillestare të krijimit dhe vendosjes në baza ligjore të shoqatës po zhvillohen te grupi Google flossal

Siç mund të shihet aty, gjërat janë ende të turbullta. Por ndihma e kujtdo është e mirëpritur, pavarësisht nëse vjen nga mjeshtra të teknologjisë, apo thjesht nga dashamirës të gjuhës shqipe, nga programues të sprovuar apo nga nxënës që mund të shpërndajnë fletëpalosje te dera e shkollës në pushimin e madh. Cilido që ka pak kohë dhe dëshiron të ndihmojë, ka rastin të bëjë diçka. Kjo thirrje është për të gjithë ne që kemi gëzuar frutet e Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur prej kohësh. Le të ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Si të zgjidhet një shfletues Web

Çfarë është shfletuesi Web?

Shfletuesi është një program kompjuteri që shfaq faqe Web.  Shfletuesi juaj ndikon në rrugë të ndryshme mbi mënyrën se si e përdorni Web-in, përfshi këtu sa shpejt hapet një faqe, sa të sigurt jeni kur lundroni në Internet dhe ç’pjesë e të dhënave tuaja u jepen të tjerëve.

Shfletuesat Web nuk duhen ngatërruar me pjesë të tjera kyçe të punimit tuaj online, të tilla si sistemet operative (p.sh. Windows, Mac ose Linux) ose motorë kërkimi (fjala vjen, Google, Yahoo ose Bing).

Nëse s’e keni vrarë shumë mendjen për shfletuesit më parë, ja disa pika para se të vendosni:


A është shfletuesi juaj i lirë?

Sot, krejt shfletuesat më popullorë dhe të respektuar janë të lirë për përdoruesit.  Nëse hasni një site që ju kërkon pagesë përpara se të mund të shkarkoni një shfletues, bëni shumë kujdes, pse gjasat janë të jetë sajesë.

A do të xhirojë shfletuesi në kompjuterin tim?

Jo çdo shfletues xhiron në çdo sistem operativ kompjuterash, ndaj një nga hapat tuaj të parë do të ishte të siguroheni që i zgjedhuri juaj të mbulojë kompjuterin(at) që përdorni. Nëse ju duhet ndihmë për njohjen e kësaj, te www.opentochoice.org kemi postuar një përmbledhje të shfletuesave kryesorë dhe të sistemeve operativë në të cilët funksionojnë.

Nëse keni një kompjuter të vjetër, duhet të shihni edhe nëse sistemi juaj operativ mbulon shfletuesit e sotëm modernë.

A do t’i shfaqë shfletuesi si duhet të tërë site-et që doni të vizitoni?

Teorikisht, çfarëdo shfletuesi, do të duhej të funksiononte në çfarëdo pjese të Web-it, por në praktikë jo çdo shfletues punon me çdo site. Kur ndodh kjo, faqet Web nuk shfaqen si duhet, ose në to mungon tekst, ose mungojnë funksione.

Shfletuesit më popullorë përgjithësisht punojnë me pjesën më të madhe të site-ve, por për këtë nuk ka asnjëherë garanci. Nëse, pasi të keni bërë zgjedhjen tuaj të shfletuesit, shihni se disa site-e nuk punojnë si duhet, mund të provoni një shfletues tjetër dhe të krahasoni përfundimet.

A e respekton shfletuesi vetësinë tuaj?

Historiku i shfletimeve tuaja përmban një sasi shumë të madhe të dhënash personale mbi ju dhe mbi interesat tuaja. Prej vetë natyrës së Web-it, site-et ku hyni mbajnë një regjistër të vizitës suaj (përmes “vendndodhjes suaj IP”, një numër unik i cili identifikon kompjuterin tuaj në Internet), dhe këto të dhëna depozitohen gjithashtu edhe te shfletuesi juaj.

Shumë shfletuesa kanë mekanizma që ju lejojnë të shfletoni pa u bërë grumbullimi i këtyre të dhënave, ose t’i hiqni më pas, nëse e dëshironi këtë. Por, mundet edhe që prodhuesi i shfletuesit tuaj të ketë hyrje te krejt të dhënat që shfletuesi juaj grumbullon rreth jush. Nëse kjo ka rëndësi për ju, ju këshillojmë me forcë të lexoni rregullat e vetësisë të software-it që po merrni në shqyrtim.

A është shfletuesi juaj i sigurt?

Siguria juaj online është shumë e rëndësishme: sa më shumë që e përdorni Web-in, aq më shumë shtohen mundësitë e ekspozimit kundrejt virusesh, sajesash dhe rreziqesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse e përdorni Web-in për veprime bankare ose shitblerje online dhe jepni e merrni të dhëna personale të tilla si të dhëna kartash krediti.

Disa shfletuesa përmbajnë mekanizma sigurie, për t’ju ndihmuar në identifikimin e sajesave online (“karremëzimeve”), software-eve dashakeq (“malware”) ose të site-eve që janë kompromentuar. Duhet, pa mëdyshje, të familjarizoheni me mundësitë e ofruara nga shfletuesi që keni zgjedhur për sigurinë (zakonisht të paraqitura te site-i Web i shfletuesit).

Po ashtu, duhet të siguroheni përherë se po përdorni versionin më të përditësuar të shfletuesit tuaj, ngaqë prodhuesit e tyre shpesh hedhin në qarkullim versione të rinj, kur bëjnë ndreqje pas rreziqeve më të reja të shfaqura në Internet.

A jeni në gjendje të administroni kollaj të dhënat e shfletimeve tuaja?

Sa më tepër kohë të përdorim online, aq më tepër të dhëna rreth vetes krijojmë dhe shkëmbejmë: faqerojtësa (të quajtur edhe të parapëlqyerit), historik shfletimi, fjalëkalime e me radhë.

Mund të jetë e vështirë të mbahen mend krejt fjalëkalimet ose të rikujtohet vendi i një site-i që e vizituat javë më parë, kështu që mundësia për të administruar të dhëna të tilla dhe madje edhe kalimi i tyre nga një kompjuter në një tjetër është tejet e dobishme. Disa shfletuesa ju lejojnë ta bëni këtë, duke ju dhënë kështu hyrje “kurdo, kudo” në të dhënat tuaja.

A mund ta personalizoni shfletuesin sipas parapëlqimeve tuaja individuale?

Mjaft shfletuesa ofrojnë të paktën një farë shkalle personalizimi, e cila shtrihet nga ndryshimi i pamjes së butonave ose grafika e dritares, deri te mundësia për të ndryshuar më imtësisht mënyrën se si funksionon, për ta përputhur saktësisht me nevojat tuaja. Disa shfletuesa madje ju lejojnë edhe të bllokoni reklamat, ose ta bëni kompjuterin të mos lejojë asnjë site të xhirojë në të programe dashakeqe pa miratimin tuaj.

Nëse ju intereson personalizimi i shfletuesit tuaj, do të duhej të shihni se sa personalizime të tilla (të quajtura shpesh “shtesa” ose “zgjerime”) ka dhe se deri në çfarë pike mundet të personalizohet shfletuesi juaj.

Si del në punim shfletuesi?

Shpejtësia me të cilën ngarkohet një faqe Web është masë e rëndomtë e punimit të shfletuesit. Edhe pse ka mjaft faktorë që ndikojnë në kohën e ngarkimit të faqes, përfshi këtu shpejtësinë e lidhjes suaj Internet, kompjuterin tuaj dhe vetë faqen, shfletuesi juaj, po njësoj, mund të ketë ndikim të madh në të.

Por, punimi është më tepër se sa thjesht shpejtësia e ngarkimit të faqeve. Disa shfletuesa mund të duan më tepër kujtesë nga kompjuteri juaj se sa disa të tjerë (duke ngadalësuar funksione të tjera në punë e sipër), dhe disa mund të vithisen më shpesh se të tjerët.

Ka një numër rrugësh se si të provohet punimi i shfletuesve, por rruga më e mirë për vlerësimin është të vizitohet i njëjti site me shfletuesa të ndryshëm dhe të shihet cili ju duket më mirë.

A mund të kihet shfletuesi në gjuhën tuaj të parapëlqyer?

Nëse këtë po e lexoni në Shqip, përgjigja thuajse me siguri është “po”. Por, nëse parapëlqeni të shfletoni nga një gjuhë tjetër, duhet të shihnit mundësitë për këtë – numri i gjuhëve në të cilat mund të kihet çdo shfletues ndryshon jo pak.

A ka asistencë për të?

Si me çdo program, kohë pas kohë mund të dalin probleme. Ndaj, garancia se shfletuesi juaj ka asistencë falas, në rastet kur do t’ju duhet ndihmë, duhet marrë në shqyrtim.

Po njësoj, për mjaft programe ka bashkësi përdoruesish dhe programuesish që ofrojnë vullnetarisht kohë dhe dije për të ndihmuar të tjerët. Pjesëmarrja në një bashkësi përdoruesish mund të përmirësojë fort përvojën tuaj në shfletim!

Si ndërtohet shfletuesi?

Software-et krijohen sipas një larmie rrugësh. Disa shfletuesa njihen si “me burim të hapur” ose “software i lirë”, që do të thotë se ju jepet e drejta ta ndryshoni dhe përdorni programin si të doni.

Nga ana tjetër, shfletuesa të tjerë konsiderohen si “me burim të mbyllur” ose “jo të lirë.” Instalimi i programeve të tilla zakonisht do të thotë që jeni i kufizuar nga disa kushte, fjala vjen mosndryshimi i tij në një rrugë të caktuar (edhe pse xhiron në kompjuterin tuaj).

A ju pëlqen shfletimi me të?

Së fundi, ia vlen të përsiatet thjesht mbi faktin nëse ju kënaq a jo përdorimi i shfletuesit tuaj. Web-i mund të bëhet një vend i mrekullueshëm, me mundësi thuajse të pakufizuara për të nxënë, për t’u lidhur me të tjerët, për krijimtari, dhe një shfletues i mirë do të duhej ta thellonte mënyrën se si e përjetoni krejt këtë.

* Material i përgatitur nga Mozilla Foundation për fushatën www.opentochoice.org

opentochoice.org

Ujdia mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it, e cekur në këtë shkrim të para ca muajve, pritet të konkretizohet me një “skenë zgjedhjeje” që do t’u paraqitet përdoruesve në një nga përditësimet për Windows. Përmes kësaj skene, përdoruesit do të jenë në gjendje të njohin shkurtimisht dhe të instalojnë një ose disa prej shfletuesve që ofrohen. Skena në fjalë pritet të jetë e ngjashme me atë që mund të shihet këtu. Siç mund të shihet, zgjedhja është e larmishme, me emra të njohur dhe të panjohur. Mozilla përfaqësohet me Firefox-in. Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë që ka zgjedhja e shfletuesit Web sot, dhe si një vend ku mund të diskutohet më imtësisht për këtë temë, Mozilla ka krijuar një mini-site të vetin, opentochoice.org. Letra e hapur e dy drejtuesve të Mozilla-s, shërben më së miri për të përmbledhur thelbin e çështjes.

Shqipëria nuk hyn në vendet që preken nga marrëveshja mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it. Por problemi që trajton është njësoj i rëndësishëm për cilindo. Meqë shumica e përdoruesve në Shqipëri përdorin një kopje Windows-i që e ka origjinën në një prej vendeve të përfshira në ujdi, gjasat janë që skena e zgjedhjes nuk do t’u mungojë. Le të shpresojmë që opentochoice.org do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje të mirë. Këshilla jonë, nëse do të na kërkohej, është Opera ose Firefox-i, të dy produkte të pavarura, pararojë prej kohësh në fushën e tyre, të sigurt, falas, të plotë, me një shkallë personalizimi dhe përshtatje të pakrahasueshme me asnjë tjetër, dhe në Shqip.

Jetë online, vetëvrasje në rrjet social dhe “shkishërim” nga Facebook-u

Facebook Inc. “shkishëron” WORM-in për shkak të Web 2.0 Suicide Machine

Duke llogaritur vetëm Facebook-un, të ashtuquajturat jetë online e kalojnë numrin e 400 milionëve. Shifra të të njëjtit rend madhësie duhen pritur edhe për rrjetet e tjera sociale të përhapura ngado. Përhapja e tillë dëshmon për përdorues që e vlerësojnë çka ofrohet nga këto rrjete sociale të Internetit. Kur kjo “ofertë” është, në dukje, e dlirë dhe bamirëse, nuk ka ç’pritet ndryshe. Nëse kësaj pune i hyhet më thellë, tabloja ndërron ca. Përdoruesit ngjajnë më shumë me delet që ndjekin njëra tjetrën, bamirësia mbulon një projekt të financuar rëndshëm nga kapitalistë të rinj e të vjetër. Te ky projekt ndërthuren nxjerrja e fitimeve nga një marrëdhënie e tillë si miqësia me minimin e privacy-s së përdoruesve, përdorimin e tyre nga bizneset e mëdha (pa miratimin e përdoruesit), izolimin e tyre, ekzaltimin e anës vanitoze në ta. Këto dhe të tjera hije të Facebook Inc., përshkruheshin qartë në një artikull të dikurshëm të Tom Hodgkinson-itThe Guardian. Përdoruesve që lirinë e tyre e çmojnë më tepër se shënimet pa gramatikë dhe fotot zbavitëse, iu shfaqet kështu një tjetër tablo.

Për ata që nuk pajtoheshin e nuk pajtohen më me këtë trajtim, Web 2.0 Suicide Machine ofron (ofronte?) një mënyrë të veçantë të mbylljes së llogarisë në një nga rrjetet e mirënjohura Facebook, MySpace, LinkedIn dhe Twitter. Asgjë më shumë se:

Çlirojini shokët tuaj të rinj me një vetëvrasje Web2.0! Kjo makinë ju lejon të fshini krejt profilet tuaj në rrjete sociale që ju pijnë energjitë, të asgjësoni miqtë tuaj virtualë të rremë dhe të ndaheni plotësisht me alter ego-n tuaj Web2.0. Makina është thjesht një metaforë për site-in web që strehohet nga moddr_ ; barku i bishës ku mbahen programthet për vetëvrasje web2.0.

Mirëpo të zotët e Facebook-ut janë kundër një procedimi të tillë. Edhe pse llogaria ime në një rrjet shoqëror është e imja. Dhe duhet të jem i lirë të mbyll plotësisht dhe pa asnjë gjurmë llogarinë time në një rrjet shoqëror në Internet. Apo jo? Sipas avokatëve të Facebook Inc., jo. Në një kërkesë të tyre, bërë më 6 Janar të 2010, kërkohej mbyllja e menjëhershme e site-it!!!

Web 2.0 Suicide Machine është deri më sot online. Por Facebook Inc. ka vendosur të mbyllë grupin WORM në Facebook, pra grupin e prodhuesve të Web 2.0 Suicide Machine. Dhe ka kërcënuar që nëse site-i nuk e heq Facebook-un nga objektet e tij, atëherë do të ndërmerren hapa të tjerë ligjorë. Në pusullën e tyre para “vetëvrasjes” thuhet:

Ideja pas Web 2.0 Suicide Machine ishte të krijohej mundësia për t’u ‘çmiqësuar’ në mënyrë të automatizuar dhe për t’i bërë përdoruesit e rrjeteve shoqërore të ndërgjegjshëm që ata duhet të jenë përherë në kontroll të të dhënave të tyre. Facebook-u nuk ka për ta lejuar këtë kontroll dhe as nuk ka dëshirë të hyjë në këtë debat. Për ne kjo ka mbaruar dhe nuk na mbetet zgjedhje tjetër veç të kryejmë vetë ne vetëvrasje online.

‘Shkishërimi’ ilustron faktin që liria mbi të dhënat dhe neutraliteti në rrjet për përdoruesit janë thjesht një iluzion në mjaft nga rrjetet sociale në Internet. Njerëzve jo vetëm që nuk ju lejohet të çmiqësohen (në një mënyrë të automatizuar), por shoqëritë kanë edhe pushtetin të përzënë përdoruesa që atyre nuk u pëlqejnë. Facebook-u tregon që një përdorues ka aq të drejta sa lejon Facebook-u. Krejt të drejtat i ka në dorë Facebook-u. WORM-i nuk dëshiron të jetojë një botë të tillë 2.0. E kjo është arsyeja që u themi lamtumirë tërë miqve tanë. Ju urojmë gjithë të mirat.
Pa kurora, pa fjalime.

Deri në këtë çast Web 2.0 Suicide Machine u përdor 3109 herë.

Mozilla u Jep Miliona Përdoruesve Firefox 3.6-n

Hidhet në qarkullim versioni i ri i Firefox-it, 3.6

Mozilla, një organizëm në dobi të publikut, i përkushtuar nxitjes dhe përhapjes së mundësisë së zgjedhjes dhe risive në Web, sot hodhi në qarkullim Firefox® 3.6-n, një përditësim i shfletuesit Web popullor, të lirë dhe me burim të hapur. Versioni më i ri i Firefox-it sjell veçori të fjalës së fundit, mbulim të një larmie të madhe standardesh Web dhe mundësinë për të pasur më tepër se 6 000 shtesa të lira, të cilat u lejojnë përdoruesve ta personalizojnë shfletuesin e tyre ashtu si duan.

Firefox 3.6-a është mbi 20% më i shpejtë se Firefox 3.5-a dhe mbart ndërhyrje të thelluara nën kapak, për përmirësimin e funksionimit gjatë punësh të përditshme në Web, si email, ngarkim fotosh, pjesëmarrje në rrjete shoqërore, e më tepër. Sjell gjithashtu anë të reja si tema shfletuesi të personalizueshme, të quajtura Persona, një përmirësues shtojcash shumë të përparuar, përmirësim funksionimi të JavaScript-it, dhe thellime te gjëra tashmë familiare, të tilla si Shtylla e Papërmbajtshme, për një punim më të mirë, më personal në Web.

Firefox 3.6-a është krijuar nga bashkësia mbarëbotërore Mozilla pjesëmarrësish të përkushtuar, përfshi mijëra programues të sprovuar, ekspertë sigurie, bashkësi përkthimi dhe asistence, dhe qindra mijëra testuesa aktivë. Më shumë se 350 milionë përdorues anembanë botës shijojnë shfletim të shpejtë dhe të sigurt me Firefox-in, si dhe personalizim të pashoq të tij.

Ç’ka të re te Firefox 3.6-a?

Më poshtë gjenden disa nga veçoritë më joshëse të Firefox 3.6-s:

Personas: Personalizojeni pamjen e Firefox-it duke përzgjedhur tema të reja, të quajtura Personas, me një klik të vetëm dhe pa rinisje
Përditësues Shtojcash: Për t’ju mbajtur të paprekur nga cënueshmëri të mundshme sigurie, Firefox-i tash e tutje do t’i diktojë vetë shtojcat e vjetruara
Përmirësime Qëndrueshmërie: Firefox 3.6 i ka ulur shumë vithisjet e rrjedhura nga software-e palësh të treta – e tëra kjo pa sakrifikuar në ndonjë mënyrë aftësinë për zgjerim dhe thellim të programit
Plotësim Formularësh: Kur plotësohen formularë online, Firefox-i këshillon të dhëna sipas kutizës, bazuar në përgjigjet e zakonshme tuaja në kutiza të ngjashme
Funksionim: Përmirësim i funksionimit të JavaScript-it, ndjeshmërisë së shfletuesit në përgjithësi, dhe kohës së nisjes
Video dhe Audio të Hapura: Me sendërtimin më të mirë në botë për mbulim videoje dhe audioje HTML 5, tani videot mund të shfaqen sa tërë ekrani dhe mbulohen edhe kornizat poster

Ç’ka të re, nën kapak, për zhvilluesit?

Mbulim për standardet më të fundit HTML5, përfshi File API për trajtim vendor kartelash
Mbulim shkronjash: Përtej shkronjave OpenType dhe TrueType, 3.6 tani mbulon Formatin e ri Web Open Font (WOFF)
Gradientë CSS: Mbulohen gradientët vijorë dhe rrezorë CSS që krijojnë mundësinë e kalimit më të butë nga ngjyra në ngjyrë
Orientim pajisjeje: Firefox 3.6 lejon njohjen nga faqet Web të drejtimit të laptopit apo pajisjes

Si të kihet Mozilla Firefox 3.6?

Firefox 3.6-a është gati për Windows, Mac OS X, dhe Linux në më shumë se 70 gjuhë – më shumë platforma dhe gjuhë se cilido shfletues tjetër! Firefox 3.6-n, për sistemin operativ që përdorni dhe gjuhën që parapëlqeni, mund ta shkarkoni prej këtej.

Shkarkimet e versionit Shqip të WordPress-it dhe pak interpretime për gjendjen e blogosferës shqiptare

Versionet Shqip të WordPress-it, (pas një versioni të hershëm, të hedhur në qarkullim ca vite më parë), kanë pak kohë që qarkullojnë. Dhe nuk ka pasur shifra rreth interesit të treguar ndaj tyre nga përdoruesit. Së fundi, te një lidhje e WordPress.org, mund të shihet ecuria e versioneve Shqip. Numrat janë ende shumë të vegjël, për disa arsye. Arsye që kanë të bëjnë kryesisht me blogosferën e shqipes. Lidhja te WordPress.org na vjen sërish në ndihmë për të parë me ndihmën e shifrave se sa mbrapa është blogosfera e shqipes. (Versioni në Anglisht nuk është më i përshtatshmi për të bërë krahasimet, por po e sjellim pasi ilustron shtrirjen e WordPress-it në botë. Të dhënat mbi shkarkimin e versionit 2.8.6 i referohen kohës deri në shkrimin e këtij postimi.)

VERSION SHKARKIME MOSHË (në ditë) SHPEJTËSI (shkarkime/ditë)
2.8.6 945241 24 39385
2.8.5 988449 23 42976
2.8.4 2061054 69 29870
2.8.3 436342 9 48482
2.8.2 609048 14 43503
2.8.1 506989 11 46090
2.8 973657 28 34773

Të dhënat për Anglishten

VERSION SHKARKIME MOSHË (në ditë) SHPEJTËSI (shkarkime/ditë)
2.8.6 60 23 3
2.8.5 77 20 4
2.8.4 30 8 4
2.8 48 40 1

Të dhënat për Shqipen

Për ditët që është në qarkullim versioni më i ri i WordPress-it shkarkimet për disa nga gjuhët, për krahasim me Shqipen, paraqiten më poshtë:

shkarkimet deri më 6 Dhjetor, për versionet shqip, greqisht dhe serbisht të 2.8.6

shkarkimet deri më 6 Dhjetor, për versionet shqip, greqisht dhe serbisht të 2.8.6

Duket qartë se përdorimi i shqipes ka shumë rrugë për të bërë për t’u afruar me përdorimin që kanë gjuhë e tjera. Në grafikun më sipër nuk janë paraqitur gjuhët e tjera, ato që quhen “gjuhë të mëdha” e gjuhë popujsh që janë më të shumtë në numër se sa shqiptarët. Grafiku do të shformohej krejtësisht. Ndaj e kufizova vetëm me gjuhët fqinje. Ja një ilustrim që mund të nxirret nga grafikë të tillë: Greqia ka përafërsisht trefishin e popullsisë sonë, por greqishtja ka 26 herë më shumë shkarkime se sa shqipja. Dhe kjo na sjell te kleçka se sa përdorues interneti ka ndër shqiptarët e sa për vendet e tjera. Sipas vlerësimeve të Wikipedias, përhapja e Internetit për disa nga vendet e mësipërme është si vijon, deri në maj të 2009:

VENDI PËRDORUESA PËRQINDJE (% e popullsisë) DATË
Shqipëri 750000 20.6 2009
Kosovë 377000 20.9 2009
Greqi 4932495 45.9 2006
Serbi 3300000 44.7 2009

Përdoruesa Interneti për disa nga vendet e rajonit

Sipas një vlerësimi nga Statistika Botërore për Internetin, ecuria e përhapjes së përdorimit të Internetit në Shqipëri për periudhën nga 2000 – 2008 është si vijon:

VITI PËRDORUESA POPULLSIA (gjithsej) PËRQINDJE (% e popullsisë)
2002 2500 3083300 0.1
2006 75000 3087159 2.4
2007 471200 3087159 15.3
2008 580000 3619778 16

Ecuri kohore e shtrirjes së Internetit në Shqipëri

Siç mund të shihet lehtë:

greqishtja (el) ka afërsisht 4.37 herë më tepër përdoruesa Interneti se sa shqipja (përdoruesa në Shqipëri dhe në Kosovë, marrë së bashku),  por ka 20 herë më shumë përdoruesa të WordPress-it.

serbishtja (sr) ka afërsisht 2.93 herë më tepër përdoruesa Interneti se sa shqipja (përdoruesa në Shqipëri dhe në Kosovë, marrë së bashku),  por ka 13 herë më shumë përdoruesa të WordPress-it.

Shumë nga arsyet që mund të përdoreshin për përligjjen e prapambetjes së blogosferës shqipe, vlejnë edhe për gjuhët e tjera. P.sh., fare lehtë mund të thuhet që shqiptarët përdorin gjuhë të huaja, por po kështu bëjnë edhe të tjerët. Mund të shtohet se shqiptarët përdorin sisteme të tjera, por po njësoj ndërhyn ky koeficient edhe te gjuhët e tjera. Kështu që difekti kryesor duhet parë te pasiviteti i përdoruesve shqiptarë të Internetit, me atmosferën mbytëse të konformizmit dhe dhunës verbale lart e poshtë forumeve shqiptare të Internetit dhe medias në shqip si një nga shkaqet kryesore. Fatmirësisht, platformat e shumta CMS e ulin në minimum ndikimin e faktorëve të tillë, duke i lejuar përdoruesit të shprehet ai vetë, dhe të administrojë pjesëmarrjen e të tjerëve në kontribute të tijat, me lehtësi dhe në përputhje me synimet e tij. Ndoshta kjo anë e platformës në fjalë, apo edhe e platformave të tjera të ngjashme CMS njihet pak nga përdoruesit shqiptarë, çka mund të shpjegonte edhe varfërinë e tanishme të blogosferës shqipe.