Arkivë për Kategorinë 'Open Source'

Freedom Box – pajisja që do të vigjëlojë mbi privatësinë tonë

Hidhet në qarkullim WordPress 3.3

Platforma e mirënjohur CMS WordPress qarkullon tani në versionin 3.3.

Ç’ka të Re në këtë version? Disa prej veçorive të reja të këtij versioni mund t’i shihni më poshtë:

Ngarkim më i kollajshëm i kartelave të ndryshme në një postim blogu

Tani lloji i kartelës zbulohet vetvetiu pasi e ngarkoni. Sipas llojit të kartelës do të shfaqen edhe fushat përkatëse ku mund të jepen të dhënat rreth saj.

Ngarkues Media Merr-dhe-Vër

Shtimi i fotove apo i kartelave të tjera te postimet dhe faqet është thjeshtuar edhe më. Kartelat që doni të ngarkoni mund t’i tërhiqni nga desktopi apo një dritare e tij dhe t’i lëshoni te ngarkuesi.Mundeni të shtoni një kartelë në herë, ose disa njëherësh.

Më Tepër Formate Kartelash

Te lista e llojeve të lejuar të kartelave për ngarkuesin janë shtuar formatet .rar dhe .7z.

Menu Hapmbyll

Pulti është bërë më i hajthshëm, përmes nënmenush të reja hapmbyll. Teksa kaloni kursorin sipër secilit zë të menusë, nënmenuja shfaqet vetvetiu, duke ju lejuar hyrje te cilado skenë e pultit thjesht me një klikim.

Konceptim i Rrjedhshëm

Disa skena të pultit janë përditësuar për t’u dukur më mirë nën madhësi të ndryshme, përfshi mbulim më të mirë për iPad/tablet.

Skeda Ndihme

Një operacion plastik për skedat e ndihmës që gjenden në cepin e sipërm të skenave të Pultit. Lënda në to është ndarë në pjesë më të vogla, për përdorim më të kollajtë, me lidhjet për te dokumentimi përkatës dhe forumet e asistencës përherë të dukshme.

Sinjalizuesa Veçorish të Reja

Kur shtohen veçori të reja, ndryshohet mënyra e lëvizjeve, apo çfarëdo gjëje tjetër që mund t’’ju kapë në befasi kur përditësoni site-in tuaj WordPress site, do t’ju bëhet e ditur me shpjegime veçorish të reja rreth ndryshimit.

Bashkë-përpunim Më i Mirë

Ju ka rastisur të përpunoni një postim pasi dikush tjetër pat mbaruar me të, dhe të shihni një njoftim që ju thotë se personi tjetër po e përpunon ende postimin? Tani e tutje, njoftim të tillë do të keni vetëm nëse personi tjetër gjendet te skena e përpunimeve — nuk ka më mospërputhje në kohë.

Importues Tumblr-i

Doni të importoni lëndë nga Tumblr në WordPress? Pa problem! Shkoni te Mjete → Import që të merrni Importuesin e ri për Tumblr, i cili i kalon postimet tuaja nga Tumblog në formate postimesh WordPress. Ndihmëz: Që të përfitoni maksimumin nga importuesi, zgjidhni një temë të hartuar që të shfaqë formate postimesh.

Përmirësime “Widget”-esh

Ndryshimi i temës shpesh lyp riformësim “widget”-esh me bazë numrin dhe pozicionin e tyre te panelet. Tani e tutje, nëse i riktheheni një teme të dikurshme, “widget”-et do të kthehen atje si i kishit sistemuar te ajo temë. Shënim: nëse keni shtuar “widget”-e që nga ndryshimi i fundit, do t’ju duhet t’i risillni prej zonës Widget-e Joaktive.

 

Të Marrësh Pjesë te Mozilla

Çfarë është Mozilla?

Në vijim të disa videove të tjera lidhur me Mozilla-n, ja një tjetër që përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes së thjeshtë të shumëkujt:
Çfarë është Mozilla? Disa prej figurave kyçe të projekti, apo lëvizjes, përpiqen ta shpjegojnë në këtë video:

Provoni të Ardhmen e Web-it përmes Web O’ Wonder

Në prag të hedhjes në qarkullim të Firefox 4, Mozilla ju fton të shihni një galeri demonstrimesh të krijuara me fjalën e fundit të teknologjive për Web, tek Web O’ Wonder. Shembujt e paraqitur tani janë vetëm fillimi. Ato ilustrojnë veçoritë e reja teknike të Firefox 4-s, të tilla si HTML5, CSS3, WebGL, SVG.

Web O' Wonder

Përveç demonstrimeve, te Web O’ Wonder mund të njiheni me mënyrën se si funksionon secila, çfarë teknologjish përdor dhe të shihni edhe intervista video me krijuesit e tyre. Kodi burim i demonstrimeve gjendet në Github, e kështu cilido i interesuar mund ta përdorë si pikënisje për eksperimente të ngjashme.

Teknologjitë e ilustruara nga këto demostrime janë me burim të hapur, ndaj edhe i takojnë të ardhmes së site-eve Web, jo thjesht Firefox-it. Me to programuesit për Web kanë në dorë mjete për t’ia ndryshuar pamjen internetit. Ca shembuj i gjeni te kjo galeri, shembuj që do t’ju lejojnë të shihni shfletuesin të bëjë gjëra mahnitëse pa përdorur shtojca.

Për t’i parë demonstrimet ashtu siç janë menduar për t’u dukur, shfletuesi juaj duhet t’i mbulojë këto teknologji të reja. Deri më sot Firefox 4 Beta+ dhe Chrome 9+ mund t’i shfaqin si duhet. Shfletuesit e tjerë do të munden kur të kenë ofruar mbulim për to. Gjithashtu, demonstrimet përdorin WebGL (teknologji e përdorur për të krijuar grafikë 3D) e që funksionon  vetëm në hardware modern. Nëse hasni vështirësi, provoni të përditësoni përudhësit e kartës grafike. Nëse kjo nuk jep rezultat, klikoni mbi “Shihni Videon” që të shihni një video të demonstrimit.

Sintel – Blender, Linux dhe kinematografi

Për shumë kohë bota e medias zanore dhe pamore ka qenë nga fortesat më të zorshme për t’u çarë nga programet e lira e me burim të hapët. Platforma Mac dhe programet e shkruar për të janë të parapëlqyerit, deri më sot, nga artistët e fushës. Por përparimet edhe në këtë drejtim janë të mëdha, siç e dëshmon fort Sintel, një film i shkurtër i animuar në 3D, realizuar krejtësisht me programe të lira e me burim të hapët: Blender, GIMP, Inkscape, MyPaint, Krita, OpenEXR, Python, SVN.

Skenë nga filmi

(C) Blender Foundation – www.sintel.org

Për filmin punuan në kompjuter, në studion e Amsterdam Blender Institute, gjatë më shumë se një viti, një ekip ndërkombëtar krijuesish 3D. Ky produksion i pavarur u financua nga bashkësia online e përdoruesve të programit të lirë Blender, me mbështetjen e Netherlands Film Fund, CineGrid Amsterdam, dhe sponsorizime nga kompani ndërkombëtare. Studioja e Amsterdamit, me një buxhet gati 400 mijë euro dhe me 14 vetë personel të plotë pati mbështetjen online përmes Internetit nga anembanë bota. Jo vetëm kaq, por koncepti i Filmit të Hapur, u lejon kineastëve të studiojnë dhe riprodhojnë çdo hollësi të procesit të krijimit. DVD-të ku dokumentohet krejt procesi krijues sendërtojnë në praktikë konceptet Burim i Hapët dhe Lëndë e Hapët.

Filmi qarkullon nën lejen Creative Commons dhe mund ta shkarkoni në cilësi të lartë prej faqes zyrtare, ose ta shihni drejt e nga kanali zyrtar i Blenderit në Youtube.

Titrat në shqip mund t’i shkarkoni prej këtu.

Stallman dhe lindja e Software-it të Lirë

Një copëz nga një emision i BBC-së, në të cilën përshkruhet fare shkurtimisht lindja e Software-it të Lirë:

Fedora

Pyetja se cila shpërndarje Linux të zgjidhet është një nga ato me shumë përgjigje. Fedora është njëra prej përgjigjeve. Prej kohësh në qarkullim, mbetet një nga më të mirat, dhe përherë në pararojë të zhvillimeve për desktopin Linux.
Fedora

Çfarë është Fedora, saktësisht?

Fedora është sistem operativ me bazë Linux, një suitë programesh që i mundëson funksionimin kompjuterit. Sistemin operativ Fedora mund ta përdorni për zëvendësimin e, ose ta xhironi në krah të, një sistemi tjetër operativ, të tillë si Microsoft Windows™ ose Mac OS X™. Sistemi operativ Fedora është 100% pa kosto, që ta shijoni dhe t’ua jepni edhe të tjerëve.

Projekti Fedora është emri i një bashkësie mbarëbotërore personash që duan, përdorin dhe krijojnë software të lirë. Që duan të jenë në ballë të krijimit dhe përhapjes së kodit dhe lëndës së lirë, duke punuar tok në një bashkësi. Fedora sponsorizohet nga Red Hat, mundësuesi më i besueshëm në botë për teknologji me burim të hapët. Red Hat investon te Fedora që të nxisë bashkëpunimin dhe të mbajë në inkubacion teknologji të reja risore software-i të lirë.

Çfarë e bën Fedora-n të ndryshme?

Besimi në vlerën e software-it të lirë, dhe përpjekjet për mbrojtjen dhe promuovimin e zgjidhjeve që mund t’i përdorë dhe rishpërndajë kushdo.

Besimi në fuqinë e bashkëpunimit. Zhvilluesit te Fedora punojnë tok me ekipe pararojë projektesh software-i të lirë anembanë botës. Këta krijojnë mjaft nga software-i që gjendet në Fedora. Puna në të njëjtin drejtim me këto ekipe projektesh mund të garantojë që software-i i lirë të funksionojë më mirë dhe të ofrojë punimin më të mirë për përdoruesit.

Besimi në fuqizimin e të tjerëve që të ndjekin përfytyrimin e tyre të një sistemi operativ të lirë. Cilido mund ta bëjë Fedora-n pjesë të një produkti të ri, me një emër të ri. Në fakt, Fedora është tashmë në themel të shpërndarjesh derivative, të tilla si Red Hat Enterprise Linux, One Laptop Per Child XO, dhe të Creative Commons DVD-ve Live Content nga Creative Commons‘.

Cilat janë vlerat bazë të Fedora-s?

Liria

Përdorni dhe rishpërndani software-in dhe lëndën e lirë, alternativat e lira karshi kodit dhe lëndës pronësore. Në këtë mënyrë, cilido mund të përdorë për qëllimet e veta çfarëdo nga vepra jonë, pa pengesa ligjore, për përhapjen e mëtejshme të software-it të lirë.

Miq

Suksesi vjen nga një bashkësi e fuqishme, e përbërë nga njerëz nga e gjithë bota, që punojnë tok. Te Fedora ka vend për këdo që përkrah vlerat tona dhe dëshiron të ndihmojë. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin hapur dhe tejdukshëm, dhe përmes një partneriteti të fuqishëm me sponsorët tanë, mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Veçori

Krijimi i veçorive të reja teknike e bën software-in e lirë më të fuqishëm, më të epshëm, dhe më të dobishëm për miliona persona. Nuk shqetësohemi se po prishim status quo-në, kur kështu mund ta shpiem software-in e lirë përpara më me efekt. Dhe e bëjmë duke bashkëpunuar drejtpërsëdrejti me mjaft bashkësi software-esh, puna e të cilave shpërndahet përmes Fedora-s.

Të parët

Me dy hedhje në qarkullim çdo vit, kurrë nuk do t’ju duhet të prisni gjatë që të shihni fjalën e fundit në software. Besojmë në fuqinë e risisë, ndaj i shfaqim gjërat e reja në qarkullimet tona. Bëjmë gjithmonë përpara me Fedora-n, që kështu të mund të shihni të parët të ardhmen.

In praise of Fedora

Fedora përfaqëson shumë më tepër se një sistem operativ të shkëlqyer:

  • 100% e lirë dhe Me Burim të Hapët – Fedora është 100% falas dhe përbëhet nga software i lirë & me burim të hapët.
  • Mijëra Zbatime të Lira – Me më shumë se 10 000 paketa, Fedora e ka një zbatim edhe për ju.
  • Pa Viruse dhe Spyware – Mjaft me belara antivirusesh dhe spyware-esh. Fedora është me bazë Linux dhe e sigurt.
  • Një Bashkësi Mbarëbotërore – Ndërtuar nga një bashkësi mbarëbotërore pjesëmarrësish, ka edhe për ju një site web në gjuhën tuaj.
  • Një OS Çuditërisht i Fuqishëm – Fedora është baza e Red Hat Enterprise Linux-it, një OS i fuqishëm për nivel ndërmarrjesh.
  • Ndajeni me Miqtë – Fedora mund të shkëmbehet lirisht! Jepuani miqve dhe familjes tuaj, pa problem!
  • Grafikë e Hijshme – Përdoreni kompjuterin me stil, përmes mjaft sfondesh dhe temash të hapura e të hijshme!
  • Miliona Instalime – Fedora është shkarkuar me miliona herë. Bëhet fjalë për t’u bërë pjesë e një bashkësie të madhe!

Sa më sipër dhe të tjera hollësi të këtij lloji mund t’i gjeni më gjerë te ndarja për Shqipen në projektin Fedora.

Shëngjin Kickoff Hackathon Camp

Më 17 dhe 18 Korrik një grup dashamirësish të Software-it të Lirë dhe atij me Burim të Hapur (FLOSS) do të organizojnë në Shëngjin një takim pune dhe zbavitjeje, kushtuar programeve të lira dhe atyre me burim të hapur.
Linux në plazh

Cilido me dije dhe përvojë, apo thjesht me dëshirën që të fillojë të merret programet FLOSS është i ftuar të marrë pjesë, qoftë ky programues apo krijues site-sh, ekspert kompjuterash apo dikush që ka nevojë të mësojë krijimin e një blogu të thjeshtë. Ideja është që nëpërmjet një takimi miqësor të nxitet dija, shkëmbimi, bashkëpunimi dhe zbavitja në këto fusha.

Takimi është menduar si një veprimtari paraprake që i paraprin konferencave të Shtatorit që pritet të organizohen njëra në Prishtinë, më 25-26 Shtator, dhe tjetra në Vlorë, më 11-12 Shtator. Në fakt, një pikë e rëndësishme e vetë takimit është diskutimi i përgatitjeve për dy konferencat.

Nëse jeni të lirë dhe mundeni të shkoni, shpenzojeni fundjavën e 17-18 Korrikut atje. Dijet dhe përvoja juaj janë të dobishme dhe do të gjeni dikë që t’ju jetë mirënjohës për to.

Për hollësi të mëtejshme hidhini një sy faqes së veprimtarisë.

Përkrahësit e Software-it të Lirë dhe Dijes së Hapur organizohen edhe në Shqipëri

Një grup nismëtarësh po përpiqet sa mundet të themelojë një shoqatë shqiptare në përkrahje të Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur.

projekt-stema e shoqatës

Diskutimet lidhur me hapat fillestare të krijimit dhe vendosjes në baza ligjore të shoqatës po zhvillohen te grupi Google flossal

Siç mund të shihet aty, gjërat janë ende të turbullta. Por ndihma e kujtdo është e mirëpritur, pavarësisht nëse vjen nga mjeshtra të teknologjisë, apo thjesht nga dashamirës të gjuhës shqipe, nga programues të sprovuar apo nga nxënës që mund të shpërndajnë fletëpalosje te dera e shkollës në pushimin e madh. Cilido që ka pak kohë dhe dëshiron të ndihmojë, ka rastin të bëjë diçka. Kjo thirrje është për të gjithë ne që kemi gëzuar frytet e Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur prej kohësh. Le të ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »

© 2012-2017 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.