Teknologjia në shërbim të komunikimeve të drejtpërdrejta
Stephen Fry i uron GNU-së 25 vjetorin (2008), në këtë video të shkurtër që e përkthyem në shqip:
Cilido me dije dhe përvojë, apo thjesht me dëshirën që të fillojë të merret programet FLOSS është i ftuar të marrë pjesë, qoftë ky programues apo krijues site-sh, ekspert kompjuterash apo dikush që ka nevojë të mësojë krijimin e një blogu të thjeshtë. Ideja është që nëpërmjet një takimi miqësor të nxitet dija, shkëmbimi, bashkëpunimi dhe zbavitja në këto fusha.
Takimi është menduar si një veprimtari paraprake që i paraprin konferencave të Shtatorit që pritet të organizohen njëra në Prishtinë, më 25-26 Shtator, dhe tjetra në Vlorë, më 11-12 Shtator. Në fakt, një pikë e rëndësishme e vetë takimit është diskutimi i përgatitjeve për dy konferencat.
Nëse jeni të lirë dhe mundeni të shkoni, shpenzojeni fundjavën e 17-18 Korrikut atje. Dijet dhe përvoja juaj janë të dobishme dhe do të gjeni dikë që t’ju jetë mirënjohës për to.
Për hollësi të mëtejshme hidhini një sy faqes së veprimtarisë.
Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit është një projekt i sapolindur nga Spread Firefox, bashkësia prej nga kanë zënë fill projekte të tjera të suksesshme për përhapjen Firefox-it dhe misionit të Mozilla-s.
Projekti synon të ofrojë një kuadër pune për nxënës dhe studentë që duan të aktivizohen e të ndihmojnë për shtrirjen në shkollë të Firefox-it dhe të Mozilla-s. Cilido i pasionuar me produktet e Mozilla-s dhe që e sheh të rëndësishëm misionin e saj, ka rastin ta ndajë me të tjerët pasionin e vet dhe t’i shndërrojë shokët e klasës në fuqi për Firefox-in.
Nëse software-in me burim të hapur e keni pasion dhe besoni në fuqinë e Web-it të hapur ndaj pjesëmarrjes, keni çka nevojitet për t’u bërë Përfaqësues i Mozilla-s te Nxënësit. Mundet që të jeni marrë edhe më parë me përhapjen e Firefox-it. Atëherë, shkoni më tej. Bëjeni këtë zyrtarisht.
Drejtoni fushata dhe projekte në shkollat e tuaja dhe në bashkësitë tuaja vendore. Duke u treguar njerëzve pse Firefox-i është i fuqishëm, ndihmojini shokët tuaj të shkollës të përfitojnë nga një përvojë më e mirë në Web.
Disa nga fushatat tona më të paharrueshme të marketingut kanë qenë ide risore të vëna në zbatim nga një grup i vogël njerëzish. Dhe nuk keni nevojë për një lëmë që t’u tregoni njerëzve se sa i fuqishëm është Firefox-i. Te site-i i projektit ju shpjegohet si të arrini të bëni gjëra të ngjashme me shokët e shkollës, duke u bërë fillimisht pjesë e projektit.
Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit mund të bëhen vetëm nxënës shkollash ose studentë. Për më të rriturit projekti mund të jetë me interes kur vjen fjala te fëmijët e tyre. Nëpërmjet tij mund të aktivizoni fëmijët tuaj në një fushatë të rëndësishme, jo vetëm nga objekti i saj, por po aq edhe për mundësinë që u jep fëmijve tuaj të edukojnë veten dhe shokët përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në veprimtari të konceptuara si projekte shoqërore.
Një grup nismëtarësh po përpiqet sa mundet të themelojë një shoqatë shqiptare në përkrahje të Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur.
Diskutimet lidhur me hapat fillestare të krijimit dhe vendosjes në baza ligjore të shoqatës po zhvillohen te grupi Google flossal
Siç mund të shihet aty, gjërat janë ende të turbullta. Por ndihma e kujtdo është e mirëpritur, pavarësisht nëse vjen nga mjeshtra të teknologjisë, apo thjesht nga dashamirës të gjuhës shqipe, nga programues të sprovuar apo nga nxënës që mund të shpërndajnë fletëpalosje te dera e shkollës në pushimin e madh. Cilido që ka pak kohë dhe dëshiron të ndihmojë, ka rastin të bëjë diçka. Kjo thirrje është për të gjithë ne që kemi gëzuar frutet e Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur prej kohësh. Le të ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Ujdia mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it, e cekur në këtë shkrim të para ca muajve, pritet të konkretizohet me një “skenë zgjedhjeje” që do t’u paraqitet përdoruesve në një nga përditësimet për Windows. Përmes kësaj skene, përdoruesit do të jenë në gjendje të njohin shkurtimisht dhe të instalojnë një ose disa prej shfletuesve që ofrohen. Skena në fjalë pritet të jetë e ngjashme me atë që mund të shihet këtu. Siç mund të shihet, zgjedhja është e larmishme, me emra të njohur dhe të panjohur. Mozilla përfaqësohet me Firefox-in. Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë që ka zgjedhja e shfletuesit Web sot, dhe si një vend ku mund të diskutohet më imtësisht për këtë temë, Mozilla ka krijuar një mini-site të vetin, opentochoice.org. Letra e hapur e dy drejtuesve të Mozilla-s, shërben më së miri për të përmbledhur thelbin e çështjes.
Shqipëria nuk hyn në vendet që preken nga marrëveshja mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it. Por problemi që trajton është njësoj i rëndësishëm për cilindo. Meqë shumica e përdoruesve në Shqipëri përdorin një kopje Windows-i që e ka origjinën në një prej vendeve të përfshira në ujdi, gjasat janë që skena e zgjedhjes nuk do t’u mungojë. Le të shpresojmë që opentochoice.org do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje të mirë. Këshilla jonë, nëse do të na kërkohej, është Opera ose Firefox-i, të dy produkte të pavarura, pararojë prej kohësh në fushën e tyre, të sigurt, falas, të plotë, me një shkallë personalizimi dhe përshtatje të pakrahasueshme me asnjë tjetër, dhe në Shqip.
Mozilla, një organizëm në dobi të publikut, i përkushtuar nxitjes dhe përhapjes së mundësisë së zgjedhjes dhe risive në Web, sot hodhi në qarkullim Firefox® 3.6-n, një përditësim i shfletuesit Web popullor, të lirë dhe me burim të hapur. Versioni më i ri i Firefox-it sjell veçori të fjalës së fundit, mbulim të një larmie të madhe standardesh Web dhe mundësinë për të pasur më tepër se 6 000 shtesa të lira, të cilat u lejojnë përdoruesve ta personalizojnë shfletuesin e tyre ashtu si duan.
Firefox 3.6-a është mbi 20% më i shpejtë se Firefox 3.5-a dhe mbart ndërhyrje të thelluara nën kapak, për përmirësimin e funksionimit gjatë punësh të përditshme në Web, si email, ngarkim fotosh, pjesëmarrje në rrjete shoqërore, e më tepër. Sjell gjithashtu anë të reja si tema shfletuesi të personalizueshme, të quajtura Persona, një përmirësues shtojcash shumë të përparuar, përmirësim funksionimi të JavaScript-it, dhe thellime te gjëra tashmë familiare, të tilla si Shtylla e Papërmbajtshme, për një punim më të mirë, më personal në Web.
Firefox 3.6-a është krijuar nga bashkësia mbarëbotërore Mozilla pjesëmarrësish të përkushtuar, përfshi mijëra programues të sprovuar, ekspertë sigurie, bashkësi përkthimi dhe asistence, dhe qindra mijëra testuesa aktivë. Më shumë se 350 milionë përdorues anembanë botës shijojnë shfletim të shpejtë dhe të sigurt me Firefox-in, si dhe personalizim të pashoq të tij.
Më poshtë gjenden disa nga veçoritë më joshëse të Firefox 3.6-s:
Personas: Personalizojeni pamjen e Firefox-it duke përzgjedhur tema të reja, të quajtura Personas, me një klik të vetëm dhe pa rinisje
Përditësues Shtojcash: Për t’ju mbajtur të paprekur nga cënueshmëri të mundshme sigurie, Firefox-i tash e tutje do t’i diktojë vetë shtojcat e vjetruara
Përmirësime Qëndrueshmërie: Firefox 3.6 i ka ulur shumë vithisjet e rrjedhura nga software-e palësh të treta – e tëra kjo pa sakrifikuar në ndonjë mënyrë aftësinë për zgjerim dhe thellim të programit
Plotësim Formularësh: Kur plotësohen formularë online, Firefox-i këshillon të dhëna sipas kutizës, bazuar në përgjigjet e zakonshme tuaja në kutiza të ngjashme
Funksionim: Përmirësim i funksionimit të JavaScript-it, ndjeshmërisë së shfletuesit në përgjithësi, dhe kohës së nisjes
Video dhe Audio të Hapura: Me sendërtimin më të mirë në botë për mbulim videoje dhe audioje HTML 5, tani videot mund të shfaqen sa tërë ekrani dhe mbulohen edhe kornizat poster
Mbulim për standardet më të fundit HTML5, përfshi File API për trajtim vendor kartelash
Mbulim shkronjash: Përtej shkronjave OpenType dhe TrueType, 3.6 tani mbulon Formatin e ri Web Open Font (WOFF)
Gradientë CSS: Mbulohen gradientët vijorë dhe rrezorë CSS që krijojnë mundësinë e kalimit më të butë nga ngjyra në ngjyrë
Orientim pajisjeje: Firefox 3.6 lejon njohjen nga faqet Web të drejtimit të laptopit apo pajisjes
Firefox 3.6-a është gati për Windows, Mac OS X, dhe Linux në më shumë se 70 gjuhë – më shumë platforma dhe gjuhë se cilido shfletues tjetër! Firefox 3.6-n, për sistemin operativ që përdorni dhe gjuhën që parapëlqeni, mund ta shkarkoni prej këtej.
Disa statistika të botuara te Peshku Pa Ujë hedhin dritë mbi parapëlqimet e përdoruesve shqiptarë të Interneti lidhur me shfletuesat për Internetin. Për Firefox-in statistika të tilla kanë munguar deri më sot. Edhe pse jo të plota, edhe pse përfundimet që mund të nxirren flasin vetëm në mënyrë të tërthortë, prapëseprapë statistikat janë të kënaqshme dhe premtuese.
Rrjedha e sapo botuar te Peshku Pa Ujë, tregon se 32.4% e vizitorëve të PPU-së gjatë periudhës Gusht – Shtator përdorën Firefox-in për të lexuar faqet e Peshkut, ndërkohë që shifrat përgjegjëse për të njëjtën periudhë të vitit 2008 është 27.27%. Pra brenda një viti përdorimi i shfletuesit që vjen nga Burimi i Hapur është rritur me 5%. Ndërkohë që vizitat te PPU-ja të bëra me IE janë ulur brenda një viti me 10%.
Më konkretisht:

Një vështrim mbi Firefox-in në pesë-vjetorin e tij
Firefox-i Sipas Numrave
Firefox-in e përdorin më tepër se 330 milionë vetë anembanë botës
Firefox-i është software i lirë dhe me burim të hapur, me afërsisht 40% të kodit të tij shkruajtur nga vullnetarë
Përqindja e tregut për Firefox-in është 24.7%% (sipas Net Applications, Tetor 2009)
Përqindja e tregut për Firefox-in në Europë është 34.47% (sipas Net Applications, Tetor 2009)
Deri në Gusht të 2009-s, Firefox-i qe shkarkuar më shumë se 1 miliardë herë
Shfletuesi Global
Firefox-i mund të kihet në më shumë se 70 gjuhë (duke mbuluar kështu më shumë se 97% të popullsisë botërore online)
Gati çdo version jo në Anglisht i Firefox-it është përkthyer nga vullnetarë të bashkësisë
Më tepër se 50% e përdoruesve të Firefox-it në botë përdorin versione jo në Anglisht
Ecuria në Kohë*
9 Nëntor, 2004: qarkullon Mozilla Firefox 1.0
Veçori të reja:
Bllokim Flluskash – ndaloni reklama të bezdisshme në trajtë flluskash
Shfletim me Skeda – shihni më shumë se një faqe në një dritare të vetme
Vetësi dhe Siguri – Firefox e ruan të pastër kompjuterin nga spyware-e dashakeqë
Kërkime Më të Mençura – kërkimi është vendosur drejt e te paneli
Faqerojtësa të Gjallë – integrim i prurjeve RSS
Shkarkim Pa Telashe – kartela të ruajtura vetvetiu në desktopin tuaj
Numër versionesh të përkthyer: 29
Përqindje tregu atë muaj: 1.2% (sipas Net Applications, Nëntor 2004)
29 Nëntor, 2005: qarkullon Mozilla Firefox 1.5
Përditësim i Vetvetishëm
Rirenditje Skedash me Drag and Drop
Numër versionesh të përkthyer: 32
Përqindje tregu atë muaj: 8.5% (sipas Net Applications, Nëntor 2005)
24 Tetor, 2006: qarkullon Mozilla Firefox 2.0
Rifreskim i Anës Pamore – u përditësuan temat dhe ndërfaqja e përdoruesit
Personalizoni Shfletuesin Tuaj – mbi 1000 Shtesa nga të cilat të zgjidhet
Siguri: Mbrojte e brendshme nga karremëzimet
Rikthim Sesioni
Kontroll i Brendshëm Drejtshkrimi
Përqindje tregu atë muaj: 12.9%
Veçori të reja
Shtyllë e Mençur Vendesh
Faqerojtësa me Një Klikim
Etiketa
Shfletuesi Web Më i Sigurt – masa strikte kundër karremëzimeve dhe malware-eve / ID site-i web të atypëratyshme
Prodhimtari – kontroll i brendshëm drejtshkrimi / rikthim sesionesh / full zoom /
Personalizim – më shumë se 5000 Shtesa që t’ju ndihin për personalizim
Numër versionesh të përkthyer: 48
Statistika shkarkimesh
Përqindje tregu atë muaj: 19% (sipas Net Applications, Qershor 2008)
30 Qershor, 2009: qarkullon Firefox 3.5
Veçori të reja
Shfletim Vetjak
Mbulim për HTML5 – video të hapur dhe audio të hapur
Shfletues i Ndjeshëm ndaj Vendit
Skeda të Shqitshme
Shkronja të Shkarkueshme
Numër versionesh të përkthyer: 73
Përqindje tregu atë muaj: 22.43% (sipas Net Applications, Qershor 2009)
31 Tetor , 2009, qarkullon Firefox 3.6 Beta 1
Fuqia e Personalizimive
Mbi 6000 Shtesa Firefox-i falas, të krijuara me kontributin e bashkësisë – më tepër se për cilindo shfletues tjetër
7 milionë shkarkime për Personas me 20 mijë hartime Personas kontribut i 10 mijë artistëve (Gusht 2009)
Kalimi në Celular
Përpjekjet e Mozilla-s drejt celularit, me emrin e koduar Fennec, bazohet në besimin se, pavarësisht se me ç’pajisje hyni në të, ka vetëm një Web
I ngritur mbi të njëjtën teknologji si Firefox-i, Fennec-u ka plot nga veçoritë e fuqishme të versionit desktop
Pse Firefox?
Projekti Firefox fillimisht quhej Phoenix, u ripagëzua për shkak problemesh me shenja tregtare. Emri zëvendues, Firebird, nxiti shqetësime te Firebird,
një projekt i lirë software-i bazash të dhënash. Ndaj, më 9 Shkurt, 2004, Mozilla Firebird u bë Mozilla Firefox.
Rreth Mozilla-s
Mozilla është një organizëm jofitimprurës, në dobi të publikut, me më pak se 250 nëpunës
Mbështetemi nga një bashkësi globale disa-mijëshe e përkushtuar të na ndihmojë të krijojmë një Internet më të mirë
Misioni ynë është ta mbajmë Internetin të hapur dhe të lirë, përmes mbështetjes së lirisë së zgjedhjes, risive dhe mundësive në botën online
Bashkësia Mozilla
Më tepër se 1000 vullnetarë kontribuojnë me kod te Firefox-i
20 mijë vetë shkarkojnë dhe provojnë përditësimet e përditshme të Firefox-it, dhe gati 1 milionë vetë shkarkuan dhe provuan Firefox 3.5 beta
mijëra vetë kontribuojnë te Mozilla përmes sistemit tonë për ndjekjen e projektit Bugzilla
SUMO, site-i i Mozilla-s i mirëmbajtur nga bashkësia, ndihmon mesatarisht 10 mijë përdorues të Firefox-it në javë
Studentë nga më shumë se 600 institucione në 57 vende përhapin Firefox-in nën rolin e Përfaqësuesit të Mozilla Campus-it
Për hedhjen në qarkullim të Nëntorit të 2004, 15 mijë vetë dhuruan shuma parash për të blerë një reklamë mbi Firefox-in te New York Times
*Listë e plotë e shënimeve të versionit: http://www.mozilla.com/en-US/firefox/releases/
* Listë e plotë e versioneve të përkthyera: ftp://ftp.mozilla.org/pub/mozilla.org/firefox/releases/