Arkivë për etiketën 'Firefox'

Mbërrin Firefox 4

Shkarkoni versionin Shqip dhe provoni vetë krejt veçoritë e reja të shfletuesit më të ri prodhuar nga Mozilla.

Po zhvillohet një mbrëmje Twitter për Firefox 4 dhe mund të merrni pjesë përmes kësaj faqeje, për ta parë avatarin tuaj bashkë me atë të dashamirësve të tjerë të Firefox-it nga anembanë bota në mozaikun që po krijohet me këtë rast:

Tek Glow mund të shihni grafikisht statistika interesante mbi shkarkimet e deritanishme të Firefox 4.

Video mbi përshpejtimin hardware te Firefox 4 Beta

Në këtë video të shkurtër, pak më tepër se 4 minuta, Tristan Nitot, president i Mozilla Europe-s, shpjegon thjesht se çfarë është dhe çfarë sjell përshpejtimi hardware te Firefox 4 Beta:

Firefox 4 Beta 7 – Njihuni me Firefox-in e Ri

Firefox 4 Beta vjen me një ndërfaqe të përditësuar, për të gjitha platformat, më elegante dhe më e lehtë për t’u përdorur.  Me vendosjen e tyre të re, skedave iu është dhënë përparësia kryesore në anën pamore, për një shfletim më intuitiv dhe të efektshëm. Grupimi dhe, më gjerë, administrimi në përgjithësi i skedave është bërë më i kollajtë, duke e vënë theksin te përbërësja pamore e këtij akti.

Të rejat te Firefox 4

Tanimë me Firefox Sync mund të njëkohësoni rregullimet, fjalëkalimet, faqerojtësit, historikun, skedat që kishit hapur para se të dilnit, dhe të tjera personalizime të këtij lloji, mes instalimeve të Firefox-it në pajisje të ndryshme (kompjuter, telefona celular, iPad, etj). Kështu do ta keni me vete Firefox-in tuaj,  kudo që të gjendeni.

njëkohësuesi

Firefox 4 Beta sjell përmirësime të mëdha në performancë, përfshi një motor të ri për JavaScript, JägerMonkey-in e Mozilla-s . Ndryshimin do ta vini re menjëherë te koha më e shkurtër e nisjes, apo te koha që i duhet për të paraqitur grafikë, dhe në përgjithësi në shpejtësi më të madhe gjatë ngarkimit të faqeve.

Në pararojë të zbatimit të standardeve HTML5 për videot, Firefox-i mbulon formatin WebM, që kështu të mund të shihni video në cilësi HD. Veç kësaj, mbulimi i HTML5-s e bën Firefox 4 të jetë gati të xhirojë zbatimet web më të mira të sotme dhe të nesërme.

Mbulimi i karakteristikave të reja CSS3, të tilla si Transitions dhe Transformations e bën të lehtë të shtohen animacione elegante në faqet Web.

Figurat SVG, që tani mbulohen nga Firefox-i, mund të përdoren për të prodhuar faqe web mahnitëse dhe që nuk shkojnë ndesh me performancën e site-it.

JetPack SDK lejon tashmë instalimin e shtesave Firefox pa qenë nevoja të riniset shfletuesi.

Firefox-i mundëson shfletim të pandërprerë në Windows, Linux, tani edhe Mac, edhe kur bllokohet shtojca Adobe Flash, Apple Quicktime ose Microsoft Silverlight. Nëse një nga këto shtojca të përdorura rëndom vithiset ose bllokohet, pjesa tjetër e Firefox-it nuk do të preket. Thjesht mund të ringarkoni faqen që të riniset shtojca dhe të riprovoni.

Firefox-i tani pranon urdhra nga ana e një site-i për kalim vetvetiu në lidhje të sigurt (https), në rast se kapen sulme mbi të dhëna të rezervuara ndërkohë që vizitohet site-i.

Disa video përshkruese të veçorive të reja që do të gjeni te Firefox 4 mund t’i shihni (në Anglisht) prej këtej. (Shihni për rrethin me një trekëndësh brenda – shenja që duhet klikuar për secilën video.)

Për ta shkarkuar mjafton të klikoni këtu. Pas kësaj mos harroni të jepni përshtypjet tuaja duke përdorur mekanizmin që ofron vetë programi. Vlerësimin tuaj do shihni të shfaqet te kjo faqe.

Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit

Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit është një projekt i sapolindur nga Spread Firefox, bashkësia prej nga kanë zënë fill projekte të tjera të suksesshme për përhapjen Firefox-it dhe misionit të Mozilla-s.

përfaqësues të Mozilla-s në shkolla

Edhe unë, edhe unë...

Projekti synon të ofrojë një kuadër pune për nxënës dhe studentë që duan të aktivizohen e të ndihmojnë për shtrirjen në shkollë të Firefox-it dhe të Mozilla-s. Cilido i pasionuar me produktet e Mozilla-s dhe që e sheh të rëndësishëm misionin e saj, ka rastin ta ndajë me të tjerët pasionin e vet dhe t’i shndërrojë shokët e klasës në fuqi për Firefox-in.

Nëse software-in me burim të hapur e keni pasion dhe besoni në fuqinë e Web-it të hapur ndaj pjesëmarrjes, keni çka nevojitet për t’u bërë Përfaqësues i Mozilla-s te Nxënësit. Mundet që të jeni marrë edhe më parë me përhapjen e Firefox-it. Atëherë, shkoni më tej. Bëjeni këtë zyrtarisht.

Drejtoni fushata dhe projekte në shkollat e tuaja dhe në bashkësitë tuaja vendore. Duke u treguar njerëzve pse Firefox-i është i fuqishëm, ndihmojini shokët tuaj të shkollës të përfitojnë nga një përvojë më e mirë në Web.

Atëherë...

Disa nga fushatat tona më të paharrueshme të marketingut kanë qenë ide risore të vëna në zbatim nga një grup i vogël njerëzish. Dhe nuk keni nevojë për një lëmë që t’u tregoni njerëzve se sa i fuqishëm është Firefox-i. Te site-i i projektit ju shpjegohet si të arrini të bëni gjëra të ngjashme me shokët e shkollës, duke u bërë fillimisht pjesë e projektit.

titull shpotitës 2

T’u bëfsha...!

Përfaqësues të Mozilla-s te Nxënësit mund të bëhen vetëm nxënës shkollash ose studentë. Për më të rriturit projekti mund të jetë me interes kur vjen fjala te fëmijët e tyre. Nëpërmjet tij mund të aktivizoni fëmijët tuaj në një fushatë të rëndësishme, jo vetëm nga objekti i saj, por po aq edhe për mundësinë që u jep fëmijve tuaj të edukojnë veten dhe shokët përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në veprimtari të konceptuara si projekte shoqërore.

Petka të reja për Firefox-in

Persona është emri që Mozilla ka zgjedhur për tema grafike që mund të zbatohen mbi Firefox-in, pra petka të shumëllojshme, që me një klikim mund t’i provohen instalimit tuaj të Firefox-it e për t’i ndryshuar kështu pamjen brenda pak sekondash. Në mos për gjë tjetër, mund të shërbejë si zbavitje për fëmijët e vegjël. Ose edhe si një truk i lehtë për t’i afruar ata me shfletuesin tuaj të parapëlqyer.

Faqja Hyrëse e Persona-ve

Mjafton të vendoset kursori mbi një Persona dhe pamja e Firefox-it ndërron në çast. Me mbi 57 mijë të tilla, nga ato me subjekt abstrakt te ato që frymëzohen nga kauza shoqërore, nga sporti te muzika, nga moda te natyra, e plot subjekte të tjera, çdo përdorues i Firefox-it mund të gjejë një temë grafike, me motive të dashura, për t’ia ndërruar pamjen shfletuesit.

Krejt Persona-t

Ana funksionale e Firefox-it mund të personalizohet në rrugë të panumërta përmes shtesave për Firefox. Me Persona-t dhe temat grafike, tani atij mund t’i personalizoni fare lehtë edhe pamjen e jashtme.

Shifra 57 mijë Persona flet për një farë suksesi të idesë së Mozilla-s. Ndërkohë, nuk kanë munguar zërat ndryshe ndaj kësaj nisme.

Personas?

Dikush i quajti Ideja më e keqe e 2010-s, e cila shkon ndesh me parimet e përdorimit mbi të cilat duhen ndërtuar ndërfaqet e programeve, të tjerë vënë në dukje që “ndërkohë që Chrome… po e vë theksin te lënda në web dhe jo te skedat, butonat apo panelet, me Persona-t bëhet thjesht e kundërta: kthehet vëmendja te vetë shfletuesi”.

Sido që të jetë, Persona-t janë opsionale. I vetmi që vendos për përdorimin apo shpërfilljen e tyre është vetë përdoruesi.

opentochoice.org

Ujdia mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it, e cekur në këtë shkrim të para ca muajve, pritet të konkretizohet me një “skenë zgjedhjeje” që do t’u paraqitet përdoruesve në një nga përditësimet për Windows. Përmes kësaj skene, përdoruesit do të jenë në gjendje të njohin shkurtimisht dhe të instalojnë një ose disa prej shfletuesve që ofrohen. Skena në fjalë pritet të jetë e ngjashme me atë që mund të shihet këtu. Siç mund të shihet, zgjedhja është e larmishme, me emra të njohur dhe të panjohur. Mozilla përfaqësohet me Firefox-in. Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë që ka zgjedhja e shfletuesit Web sot, dhe si një vend ku mund të diskutohet më imtësisht për këtë temë, Mozilla ka krijuar një mini-site të vetin, opentochoice.org. Letra e hapur e dy drejtuesve të Mozilla-s, shërben më së miri për të përmbledhur thelbin e çështjes.

Shqipëria nuk hyn në vendet që preken nga marrëveshja mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it. Por problemi që trajton është njësoj i rëndësishëm për cilindo. Meqë shumica e përdoruesve në Shqipëri përdorin një kopje Windows-i që e ka origjinën në një prej vendeve të përfshira në ujdi, gjasat janë që skena e zgjedhjes nuk do t’u mungojë. Le të shpresojmë që opentochoice.org do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje të mirë. Këshilla jonë, nëse do të na kërkohej, është Opera ose Firefox-i, të dy produkte të pavarura, pararojë prej kohësh në fushën e tyre, të sigurt, falas, të plotë, me një shkallë personalizimi dhe përshtatje të pakrahasueshme me asnjë tjetër, dhe në Shqip.

Mozilla u Jep Miliona Përdoruesve Firefox 3.6-n

Hidhet në qarkullim versioni i ri i Firefox-it, 3.6

Mozilla, një organizëm në dobi të publikut, i përkushtuar nxitjes dhe përhapjes së mundësisë së zgjedhjes dhe risive në Web, sot hodhi në qarkullim Firefox® 3.6-n, një përditësim i shfletuesit Web popullor, të lirë dhe me burim të hapur. Versioni më i ri i Firefox-it sjell veçori të fjalës së fundit, mbulim të një larmie të madhe standardesh Web dhe mundësinë për të pasur më tepër se 6 000 shtesa të lira, të cilat u lejojnë përdoruesve ta personalizojnë shfletuesin e tyre ashtu si duan.

Firefox 3.6-a është mbi 20% më i shpejtë se Firefox 3.5-a dhe mbart ndërhyrje të thelluara nën kapak, për përmirësimin e funksionimit gjatë punësh të përditshme në Web, si email, ngarkim fotosh, pjesëmarrje në rrjete shoqërore, e më tepër. Sjell gjithashtu anë të reja si tema shfletuesi të personalizueshme, të quajtura Persona, një përmirësues shtojcash shumë të përparuar, përmirësim funksionimi të JavaScript-it, dhe thellime te gjëra tashmë familiare, të tilla si Shtylla e Papërmbajtshme, për një punim më të mirë, më personal në Web.

Firefox 3.6-a është krijuar nga bashkësia mbarëbotërore Mozilla pjesëmarrësish të përkushtuar, përfshi mijëra programues të sprovuar, ekspertë sigurie, bashkësi përkthimi dhe asistence, dhe qindra mijëra testuesa aktivë. Më shumë se 350 milionë përdorues anembanë botës shijojnë shfletim të shpejtë dhe të sigurt me Firefox-in, si dhe personalizim të pashoq të tij.

Ç’ka të re te Firefox 3.6-a?

Më poshtë gjenden disa nga veçoritë më joshëse të Firefox 3.6-s:

Personas: Personalizojeni pamjen e Firefox-it duke përzgjedhur tema të reja, të quajtura Personas, me një klik të vetëm dhe pa rinisje
Përditësues Shtojcash: Për t’ju mbajtur të paprekur nga cënueshmëri të mundshme sigurie, Firefox-i tash e tutje do t’i diktojë vetë shtojcat e vjetruara
Përmirësime Qëndrueshmërie: Firefox 3.6 i ka ulur shumë vithisjet e rrjedhura nga software-e palësh të treta – e tëra kjo pa sakrifikuar në ndonjë mënyrë aftësinë për zgjerim dhe thellim të programit
Plotësim Formularësh: Kur plotësohen formularë online, Firefox-i këshillon të dhëna sipas kutizës, bazuar në përgjigjet e zakonshme tuaja në kutiza të ngjashme
Funksionim: Përmirësim i funksionimit të JavaScript-it, ndjeshmërisë së shfletuesit në përgjithësi, dhe kohës së nisjes
Video dhe Audio të Hapura: Me sendërtimin më të mirë në botë për mbulim videoje dhe audioje HTML 5, tani videot mund të shfaqen sa tërë ekrani dhe mbulohen edhe kornizat poster

Ç’ka të re, nën kapak, për zhvilluesit?

Mbulim për standardet më të fundit HTML5, përfshi File API për trajtim vendor kartelash
Mbulim shkronjash: Përtej shkronjave OpenType dhe TrueType, 3.6 tani mbulon Formatin e ri Web Open Font (WOFF)
Gradientë CSS: Mbulohen gradientët vijorë dhe rrezorë CSS që krijojnë mundësinë e kalimit më të butë nga ngjyra në ngjyrë
Orientim pajisjeje: Firefox 3.6 lejon njohjen nga faqet Web të drejtimit të laptopit apo pajisjes

Si të kihet Mozilla Firefox 3.6?

Firefox 3.6-a është gati për Windows, Mac OS X, dhe Linux në më shumë se 70 gjuhë – më shumë platforma dhe gjuhë se cilido shfletues tjetër! Firefox 3.6-n, për sistemin operativ që përdorni dhe gjuhën që parapëlqeni, mund ta shkarkoni prej këtej.

Firefox-i Më i Shpejtë ose Firefox Fun

Shiheni vetë: Firefox-i Më i Shpejtë

Pesë Vjetët e Firefox-it festohen me një site të ri

Hyrja

Versioni 1 i Firefox-it u hodh në qarkullim pesë vjetë më parë. Për të festuar datëlindjen, bashkësia Mozilla krijoi një faqe, versionin shqip të së cilës mund ta shihni këtu. Mos lini pa parë videon zbavitëse që përmbledh në pak hapa kontributin e Firefox-it në jetën online të përdoruesve dhe në përmirësimin e Internetit.

Burimi i Hapur përhapet ngado

Vetëm në pesë vjetëNriçoni botën me Firefox-in

Firefox-i përparon edhe ndër shqiptarët

Disa statistika të botuara te Peshku Pa Ujë hedhin dritë mbi parapëlqimet e përdoruesve shqiptarë të Interneti lidhur me shfletuesat për Internetin. Për Firefox-in statistika të tilla kanë munguar deri më sot. Edhe pse jo të plota, edhe pse përfundimet që mund të nxirren flasin vetëm në mënyrë të tërthortë, prapëseprapë statistikat janë të kënaqshme dhe premtuese.
Rrjedha e sapo botuar te Peshku Pa Ujë, tregon se 32.4% e vizitorëve të PPU-së gjatë periudhës Gusht – Shtator përdorën Firefox-in për të lexuar faqet e Peshkut, ndërkohë që shifrat përgjegjëse për të njëjtën periudhë të vitit 2008 është 27.27%. Pra brenda një viti përdorimi i shfletuesit që vjen nga Burimi i Hapur është rritur me 5%. Ndërkohë që vizitat te PPU-ja të bëra me IE janë ulur brenda një viti me 10%.

Më konkretisht:

rritja e Firefox-it karshi rënies së IE

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »