Arkivë për etiketën 'kernel'

“Nisje e Sigurt”: Kush do ta kontrollojë kompjuterin tuaj të ardhshëm?

Nga   01-06-2012
Marrë prej FSFE-së

 

Synimi i FSFE-së është të bëjë të mundur që të zotët e pajisjeve TITeknologji Informacioni, dhe vetëm ata, të jenë përherë në kontroll të plotë të tyre. Ky parim themelor tani së fundi është vënë në pikëpyetje.

Me një funksion të quajtur “Nisje e Sigurt”, që do të sendërtohet në kompjutera duke filluar nga 2012, prodhuesit e përbërësve hardware dhe software në TI po rreken të kapin një pozicion prej nga ku të kontrollojnë në mënyrë të përhershme pajisjet TI që prodhojnë. Në këtë frymë, pajisje të tilla do të jenë “të sigurta”, sipas idesë së prodhuesit, por jo domosdoshmërisht edhe sipas asaj të zotëruesit: I zoti mund të trajtohet si palë e kundërt. Duke parandaluar përdorimin e pajisjes për qëllime jashtë atyre të paramenduara nga prodhuesi, ata mund të kontrollojnë dhe kufizojnë krejt për çka mund të përdoret një makinë TI e karakterit të përgjithshëm (p.sh. një PC, laptop, netbook). Në rastin e pajisjeve TI me hyrje në internet, ata mund t’i ndryshojnë në çfarëdo kohe këto kufizime përdorimi, edhe pa e vënë në dijeni të zotin e pajisjes. Si pasojë, prodhuesit TI, sipas qejfit, mund t’u heqin përdoruesve të drejta të rëndomta që zakonisht i gëzojnë.

“Nisja e Sigurt”: Roje para sistemit operativ

Kur ndizen, pajisjet TI përmbushin një proces fillimi të quajtur nisje. Në rastin e kompjuterave ky proces fillimi përfaqësohet nga ekzekutimi i një firmwareNjë radhë urdhrash, e integruar në një përbërës elektronik. Roli i tij është të nisë vetë përbërësin dhe t'i bëjë të mundur të ndërveprojë me përbërës të tjetër hardware. Termi rrjedh nga bashkimi i firm (firmë, ndërmarrje) dhe ware (përbërës), dhe tregon që programi nuk mund të modifikohet nga përdoruesi i fundëm.-i. Ky firmware, nga ana e tij, nis një tjetër program të quajtur ngarkues nisjesh, i cili mandej nis sistemin operativ faktik, mbi të cilën mund të ekzekutohen pastaj zbatimet. Më 2012, kalimi në shkallë industrie i firmware-it të PC-ve, notebook-ve, shërbyesve, dhe kompjuterave të tjerë nga BIOS-i konvencional në UEFI do të jetë thuajse i plotë. Krahasuar me BIOS-in konvencional, UEFI ka disa të mira, fjala vjen, kohë nisjeje më të shpejta, përudhësa të pavarur nga sistemi operativ, dhe një premtim për siguri të zgjeruar.

Pjesa e sigurisë trajtohet nga një funksion i quajtur “Nisje e Sigurt”. Që prej UEFI 2.3.1 (hedhur në qarkullim më 8 Prill, 2011) “Nisja e Sigurt” siguron që gjatë procesit të nisjes të ekzekutohet vetëm software që është në pajtim me nënshkrimet kriptografike të sendërtuara paraprakisht në pajisje. Kjo bëhet për të parandaluar ekzekutimin e software-eve të padëshiruar gjatë nisjes së kompjuterit, përmes verifikimit kriptografik të një nënshkrimi për çdo përbërës software (hapat e ndryshëm të firmware-it UEFI, ngarkuesi i nisjes, kerneli i sistemit operativ, etj.), përpara ekzekutimit të secilit. Prandaj nënshkrimet kriptografike që do të duhej të përdoreshin, duhen vendosur te baza e të dhënave të nënshkrimeve UEFI të secilës pajisje TI të pajisur me “Nisje të Sigurt” UEFI, përpara se një përbërës software i nënshkruar kriptografikisht të mund të fillojë të xhirohet në një makinë të dhënë.

FSFE-ja parashikon që shumica e prodhuesve të kompjuterave do ta sendërtojnë “Nisjen e Sigurt”, ngaqë Microsoft-i ka njoftuar se prodhuesit e kompjuterave duhet të sendërtojnë “Nisjen e Sigurt” UEFI, po qe se duan të përfitojnë certifikim të Windows 8-s për pajisjet që krijojnë, p.sh. që të vendosin në to logon Compatible with Windows 8.

Kompjuteri: makinë për qëllime të rëndomta

Duke evoluar kompjuteri përgjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në një makinë për qëllime të rëndomta, shoqëria jonë ka krijuar një mjet të fuqishëm për kryerjen e lloj-lloj punëve me një makinë të vetme. Tani prodhuesit e TI-së zbuluan se mund të përfitojnë interes ekonomik duke kufizuar arbitrarisht atë që mund të kryhet me këto makina. Me “Nisjen e Sigurt” të zotët e pajisjeve TI nuk do të jenë në gjendje të vendosin në mënyrë të pavarur për përdorimin e makinave të tyre, ngaqë nuk vendosin dot cilin software të xhirojnë.

Njësia që kontrollon në instancë të fundit se cili software mund të ekzekutohet në një pajisje, dhe për këtë arsye përcakton funksionet specifike që mund të përmbushë pajisja, në fund të fundit mund të kontrollojë çfarëdo të dhënash të përpunuara dhe të depozituara nga pajisja. Si pasojë, i zoti i një pajisje TI nuk mund të ketë më në dorën e tij kontrollin e të dhënave të veta.

Për cilat pajisje vlen kjo?

Deri më sot, shumica e njerëzve e bazojnë analizën e tyre të gjendjes së UEFI-t mbi Windows 8 Hardware Certification Requirements, botuar nga Microsoft-i në Dhjetor të 2011-s. Është e kuptueshme pse Microsoft-i nuk bëri, dhe ende nuk bën publik ndonjë version të këtyre domosdoshmërive për certifikimin e hardware-it, ngaqë ato janë baza e një kontrate individuale mes Microsoft-it dhe secilit prej prodhuesve të hardware-it që duan të përfitojnë Windows 8 Certification e Microsoft-it për produktet e tyre kompjuterike. Ndaj Windows 8 Hardware Certification Requirements mund të ndryshojnë në çfarëdo kohe, pa u vënë re nga publiku, ose hollësitë specifike mbi çfarë është e domosdoshme për të pasur logon mund të ndryshojnë nga prodhuesi në prodhues: gjithçka ndodh sipas vullnetit të Microsoft-it dhe në pjesën dërrmuese pas dyersh të mbyllura. Kështu që askush nuk bazohet dot te një version i botuar dhe statik i Windows 8 Hardware Certification Requirements, por i percepton hollësitë e planifikuara për “Nisjen e Sigurt” si një “objektiv gjithnjë në lëvizje”.

Pra, problemi i “Nisjes së Sigurt” nuk kufizohet medoemos te Connected Stand-By SystemsEmërtim i përdorur nga Microsoft për pajisje të lidhura në Internet dhe që në çastin në fjalë gjenden nën gjendjen stand-by (sipas gjasash një përqindje e madhe e tregut të ardhshëm të notebook-ëve, netbook-ëve dhe PC-ve) dhe te kompjutera të ndërtuar me mikroprocesorë ARM (kryesisht tablete dhe telefonë celularë), por mund të zgjerohet në çfarëdo kohe nga Microsoft-i drejt çfarëdo lloji tjetër pajisjesh. Po njësoj, prodhuesit e hardware-it që nuk prodhojnë pajisje për Windows 8 mund ta vënë në punë “Nisjen e Sigurt” UEFI, ose të tjera procese nisjeje të kufizuar me ndihmën e nënshkrimeve kriptografike. TiVo ka një dhjetëvjeçar që e bën këtë, dhe konsola të ndryshme lojërash, nga ato të Sony-it deri te ato të Microsoft-it i përdorin gjithashtu proceset e nisjes të kufizuar kriptografikisht. Të tjerë prodhues mund të përdorin specifikime apo kërkesa të ngjashme me ato të Windows 8 Hardware Certification Requirements, që të kenë mundësi të kufizojnë artificialisht aftësitë e pajisjeve TI.

Kufizime që mund të zgjerohen drejt zbatimeve?

Teksa specifikimet e “Nisjes së Sigurt” UEFI (si edhe ato të Trusted Computing Group që përkufizojnë “Nisjen e Besueshme”) mbulojnë procesin parësor nga nisja deri te futja në lojë e kernelit të sistemit operativ, infrastruktura për ta shtrirë kontrollin përmes nënshkrimesh mbi krejt software-in që xhiron në një kompjuter është e pjekur dhe funksionale në disa sisteme operativë. Por përveç se te Windows 8, deri më sot është e detyrueshme vetëm për përudhësa Windows.

Kërcënim për punën me kompjuter në përgjithësi

Sikur krejt këto masa të ishin thjesht nën kontrollin e të zotit të pajisjeve, kjo do të ishte tërësisht në interesin e tij, pse do ta ndihmonte atë të thellonte sigurinë e procesit të nisjes, i cili sot, në shumicën e rasteve, është i pasigurt. Kjo do të ndodhte nëse nënsistemet e sigurisë të përcaktuar nga forumi UEFI dhe Trusted Computing Group (TCG) të mundeshin të garantonin teknikisht kontrollin e përhershëm, të plotë dhe vetëm nga përdoruesi mbi formësimin dhe administrimin e këtyre nënsistemeve të sigurisë, çka do të përfshinte krijimin, depozitimin, përdorimin dhe fshirjen e kyçeve kriptografikë, dëshmive dhe nënshkrimeve. Por, që nga çasti kur këto nënsisteme sigurie mund të përdoren nga të tjera entitete, jo vetëm nga i zoti i pajisjes, kjo u lë dorë atyre të përjashtojnë përdorime jashtë kuadrit të paramenduar për të cilin janë shitur ose thjesht përdorime të paparashikuara të këtyre pajisjeve TI.

Pra, me sendërtimin e “Nisjes së Sigurt”, mundësia për të pasur kompjutera vërtet për përdorim të rëndomtë dhe nën kontrollin e plotë të të zotit mund të rrudhet shumë. Pajisjet e kufizuara në mënyrë domethënëse nga masa të tilla si “Nisja e Sigurt” nën kontroll kompanish zakonisht quhen pajisje ose kompjuter për qëllime speciale (p.sh. qendra medie, telefona, lexues librash). Ndaj, e pakta, disa prej pajisjeve Windows 8 do të jenë më tepër pajisje Windows se sa kompjuter i personalizuar. Edhe pse mund të ketë treg për pajisje të tilla kompjuterike, FSFE-ja bën thirrje me forcë që këto pajisje TI të etiketohen qartësisht si të kufizuara për të përdorur modele të  parashikuara nga një kompani, me qëllim që blerësi potencial të informohet në kohë.

A është opsion anashkalimi i këtyre kufizimeve?

Njerëz të aftë në TI mund të mendojnë se masa të tilla janë parë edhe më herët, dhe shumica e tyre janë nxjerrë jashtë loje. Kështu ka ndodhur me disa modele konsolash loje PlayStation dhe Xbox, si dhe me mjaft nga telefonat më të rinj celularë. Por cilësia dhe shtrirja e çështjes këtë herë janë më të mëdha:

  • “Nisja e Sigurt” UEFI është konceptuar së pari për PC tradicionalë.
  • Pas saj janë rreshtuar pjesë të mëdha të industrisë TI, shihni p.sh. anëtarët e forumit UEFI Forum.
  • Konceptimi dhe specifikimet e saj janë rezultat i një përpjekjeje kolektive inxhinierësh TI prej kompanish të ndryshme. Ajo shfrytëzon përvojën e një dhjetëvjeçari në procese nisjeje të bazuar në nënshkrime, ndaj edhe shmang shumë nga dobësitë klasike, p.sh. mungesën e firmware-eve të specifikuar qartë dhe të siguruar kriptografikisht (UEFI) të procesit të përditësimit.
  • Prej saj përdoren nënsisteme sigurie të bazuar në hardware, p.sh. siç specifikohet nga TCG (TPM ose MTM, dhe specifikimet shoqëruese): Ndërkohë që specifikimet UEFI nuk kërkojnë detyrimisht një sendërtim specifik “depozitimi të mbrojtur” kyçesh kriptografikë, dëshmish dhe nënshkrimesh, specifikimet së fundi nga TCG (që prej 2011-s) e bëjnë.
  • Në sendërtimet e “Nisjes së Sigurt” (si në gjithë software-et) pritet të ketë të meta sigurie, por ngaqë do të ketë konkurrencë komerciale mes atyre që tregtojnë UEFI, është në interes të tyre të gjejnë zgjidhje për këto të meta sigurie. Përkundrazi, në të shkuarën vetëm prodhues të veçantë sendërtuan procese nisjeje të kufizuar kriptografikisht për pajisje të tyre specifike: TiVo Inc. për TIVO-t e veta, Microsoft-i për breza të ndryshëm Xbox-i, si dhe Sony për Playstation-et e veta.

Më tej, edhe pse kufizime të ngjashme të përdorimit janë nxjerrë jashtë loje në të kaluarën, kjo vetëm dëshmon që sendërtimi i tyre teknik qe me të meta dhe i hapur karshi malware-it, pra duke mos ofruar “sigurinë” për të cilën qenë hartuar. Edhe pse ka gjasa që kjo të vlejë edhe për disa nga sendërtimet e “Nisjes së Sigurt”, zbërthimi dhe nxjerrja jashtë loje e këtyre mekanizmave kurrë nuk mund të jetë zgjidhje për çështjet e lirisë ose për mungesën e kontrollit të zotëruesit mbi pajisjen.

Kërkesat e FSFE-së

Për të ruajtur rritje të qëndrueshme të zhvillimit dhe përdorimit të software-eve, është kyçe pasja gjerësisht e kompjuterave për punë të rëndomtë.

FSFE-ja kërkon që përpara se të blihet një pajisje, blerësit të jenë të informuar saktësisht rreth masave teknike të sendërtuara në pajisjen e dhënë, si edhe për kufizimet specifike të përdorimit dhe pasojat e tyre për përdoruesin.

Më tej, FSFE-ja këshillon me forcë të blihen vetëm pajisje TI që u japin përdoruesve kontroll të plotë, të përhershëm dhe vetëm prej tyre, mbi nënsisteme sigurie (p.sh. kufizime përdorimi me bazë nënshkrimesh), në mënyrë që ruhet aftësia për të instaluar software sipas dëshirës dhe në analizë të fundit të ruhet kontrolli ekskluziv i dikujt mbi të dhënat e veta.

Copyright © 2001-2012 Free Software Foundation Europe. Lejohet kopjimi fjalë për fjalë dhe shpërndarja e tërë këtij artikulli në çfarëdo media, me kusht që të ruhet ky shënim.

Intervistë e Richard Stallman-it dhënë revistës BYTE

Richard Stallman flet me redaktorët e BYTE-it, për sistemin e tij të software-it nën përkatësi publike, të përputhshëm me Unix,

(Korrik 1986)

marrë nga gnu.org

Richard Stallman ka ndërmarë ndoshta projektin më ambicioz në zhvillime software-i të lirë deri më sot, sistemin GNU. Te Manifesti i tij i GNU-së, botuar në numrin e Mars-it të 1985-s të Dr. Dobb’s Journal, Stallman e përshkroi GNU-në si një “sistem software-i të përputhshëm me Unix, të cilin po e shkruaj që të mund t’ia jap lirisht kujtdo që mund ta përdorë… Pasi GNU-ja të jetë shkrojtur, kushdo do të jetë në gjendje të ketë një sistem software-i lirisht, njësoj si ajrin.” (GNU është shkurtim për GNU’s Not Unix; “G”-ja shqiptohet.)

Stallman njihet gjerësisht si autori i EMACS, një përpunues tekstesh i fuqishëm, të cilin e hartoi në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në MIT. Nuk është rastësi që copa e parë e një software-i prodhuar si pjesë e projektit GNU qe një sendërtim i ri i EMACS. GNU EMACS ka fituar tashmë famën si një prej sendërtimeve më të mira të tanishme të passhme për EMACS, pavarësisht çmimit.

BYTE: Në numrin e Marsit, 1985, të Dr. Dobb’s lexuam nga ju Manifestin e GNU-së. Ç’ka ndodhur që prej atëhere? A qe ky fillimi vërtet, dhe si keni ecur nga andej e tëhu?

Stallman: Botimi te Dr. Dobb’s s’qe fillimi i projektit. Manifestin e GNU-së e shkrojta kur po përgatitesha të nisja projektin, si një ftesë për t’u kërkuar prodhuesve të kompjuterëve financim. Ata nuk deshën të  përfshiheshin dhe vendosa që më mirë se sa të harxhoj kohë nga e imja, me përpjekje për sigurim fondesh, më takonte ta harxhoja duke shkruajtur kod. Manifesti u botua rreth një vit e gjysmë pasi e pata shkruajtur, kur sapo kisha filluar të shpërndaja GNU EMACS. Që prej atëherë, veç plotësimit të mëtejshëm të GNU EMACS dhe aftësimit të tij të xhirojë në më shumë lloje kompjuteri, thuajse kam përfunduar optimizimin e përpiluesit C dhe krejt programet e tjera që nevojiten për xhirimin e programeve në C. Kjo përfshin një diagnostikues në nivel burimi, i cili ka mjaft veçori që të tjerë diagnostikues në nivel burimi për Unix nuk i kanë. Për shembull, ka ndryshore të leverdishme brenda diagnostikuesit e kështu mund të ruani vlera, dhe ka po ashtu historik të krejt vlerave që keni dërguar në shtypës, duke e bërë tmerrësisht më të lehtë të gjurmohet përreth strukturash listë.

BYTE: Keni përfunduar një përpunues që tani është shpërndarë gjerësisht dhe jeni duke përfunduar një përpilues.

Stallman: Them se do të ketë përfunduar këtë Tetor.

BYTE: Po për kernelin?

Stallman: Tani kam në plan të filloj me kernelin që qe shkruar në MIT dhe që iu dha publikut së fundi, me idenë se do ta përdorja. Ky kernel quhet TRIX; bazohet në procedura thirrjesh në distancë. Më duhet ende t’i shtoj përputhshmërinë për një numër karakteristikash të Unix-it, të cilat hëpërhë nuk i ka. Nuk kam filluar akoma të merrem me të. Po përfundoj përpiluesin, përpara se të vazhdoj me kernelin. Do të më duhet edhe të rishkruaj sistemin e kartelave. Synoj ta bëj të paprekshëm nga dështimet, thjesht duke e bërë që të shkruajë blloqe në rendin e duhur, që kështu struktura e diskut të jetë përherë konsistente. Mandej dua të shtoj numra versioni. Kam një skemë të ndërlikuar për pajtimin e numrit të versioneve me mënyrën se si e përdorin njerëzit Unix-in. Duhet të jeni në gjendje të tregoni emra kartelash pa numra versionesh, por duhet po ashtu të jeni në gjendje t’i përcaktoni ato me numra versioni shprehimisht, dhe që të dyja duhet të funksionojnë me programet e zakonshëm Unix, ende të pandryshuar në ndonjë mënyrë për të trajtuar këtë veçori. Mendoj se e kam një skemë për ta bërë këtë gjë, dhe vetëm prova do të më tregojë se a e përmbush vërtet qëllimin.

BYTE: A keni një përshkrim që mund të na e jepnit rreth se si GNU, si sistem, ka për të qenë sipëror ndaj sistemeve të tjerë? Dimë që një nga objektivat tuaj është të prodhoni diçka që është e përputhshme me Unix-in. Por të paktën në fushën e sistemeve të kartelave keni thënë tashmë se do të shkoni tej Unix-it dhe do të prodhoni diçka që është më e mirë.

Stallman: Përpiluesi C do të prodhojë kod më të mirë e që xhiron më shpejt. Diagnostikuesi është më i mirë. Për secilën copë, mund të gjej ose jo një mënyrë për ta përmirësuar. Por nuk ka përgjigje për këtë pyetje. Deri diku po përfitoj nga shansi që jep risendërtimi, çka i bën shumë sisteme më të mirë. Deri diku kjo vjen ngaqë kam qenë i fushës për një kohë të gjatë dhe kam punuar në mjaft sisteme të tjerë. Kështu që kam plot ide për të shtuar. Një drejtim në të cilin do të jetë më i mirë është fakti që, praktikisht, çdo gjë në sistem do të punojë mbi kartela të çfarëdo madhësie, rreshta të çfarëdo madhësie, me çfarëdo shenjash që përmbajnë këta. Sistemi Unix është mjaft dobët në këtë drejtim. Parimi i krijimit të software-eve, sipas të cilit nuk ka pse të ketë kufij arbitrarë për mundësitë tuaja, nuk është i ri. Por qe thjesht praktika standarde në shkrimin e Unix-it që vendosi të tillë gjithë kohës, mundet thjesht ngaqë shkruanin për kompjutera shumë të vegjël. Kufiri i vetëm në sistemin GNU është kur programi juaj ka konsumuar krejt kujtesën, ngaqë provoi të punojë mbi më shumë të dhëna se sa mundej, dhe nuk ka vend për t’i mbajtur të tëra.

BYTE: Dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë, po qe se keni kujtesë virtuale. Thjesht zgjidhja mund të vonojë pambarim.

Stallman: Në fakt këto kufizime priren të ndikojnë në një kohë shumë më herët se sa zgjidhja të mund të vonojë pambarim.

BYTE: A mund të thoni diçka mbi llojet e makinave dhe mjediset për të cilat GNU EMACS është përshtatur të xhirojë veçanërisht? Tani ai xhiron në VAX-e; a ka migruar në ndonjë formë te kompjuterët personalë?

Stallman: Nuk jam i sigurt se çfarë kuptoni me kompjutera personalë. Për shembull, një Sun a është kompjuter personal? GNU EMACS lyp të paktën një megabajt kujtesë në dispozicion, mundësisht edhe më tepër. Përdoret normalisht në makina që kanë kujtesë virtuale. Hiq rastet për disa probleme teknike në pak përpilues C, thuajse çfarëdo makine me kujtesë virtuale dhe që xhiron një version deri diku të ri të Unix-it do ta xhirojë GNU EMACS, dhe shumica e tyre vërtet e xhirojnë.

BYTE: Ka provuar ndokush t’i kalojë në Atari apo në Macintosh-a?

Stallman: Atari 1040ST ende nuk ka kujtesë të mjaftueshme. Makina e ardhshme Atari, them, do ta xhirojë. Po ashtu, mendoj se Atari-t e ardhshëm do të kenë ndonjë formë projektimi kujtese. Sigurisht, nuk po e hartoj software-in që të xhirojë në llojet e kompjuterëve që janë mbizotërues sot. E dija, që kur e fillova këtë projekt, se do të më merrte ca vite. Ndaj vendosa që të mos e bëja më keq një sistem, duke u ndeshur me sfidën e të bërit të xhirojë në mjediset e sotme të kufizuara. Në vend të kësaj, do ta shkruaj në mënyrën që duket më e natyrshmja dhe më e mira. Kam besim se edhe nja dy vite dhe makinat me madhësi të mjaftueshme kujtese do të jenë mbizotërueset. Në fakt, rritja e madhësisë së kujtesës po ndodh kaq shpejt, sa që më lë gojëhapur fakti se sa ngadalë po ecin shumica e njerëzve me vendosjen e kujtesës virtuale. Mendoj se është krejtësisht thelbësore.

BYTE: Mendoj se njerëzit nuk e shohin si vërtet të nevojshme në makinat për një përdorues.

Stallman: Nuk kuptojnë që një përdorues nuk do të thotë një program i vetëm. E qartë që për çfarëdo sistemi të ngjashëm me Unix është e rëndësishme aftësia e xhirimit të shumë proceseve të ndryshme në të njëjtën kohë, edhe pse për vetëm një nga ju. Mund ta xhironit GNU EMACS në një makinë pa kujtesë virtuale me kujtesë të mjaftueshme, por nuk mund të xhironi dhe aq mirë pjesën tjetër të sistemit GNU në një sistem Unix.

BYTE: Sa LISP është i pranishëm në GNU EMACS? M’u duk se mund të jetë e dobishme të përdoret si një mjet për të mësuar LISP.

Stallman: Sigurisht që mund ta bëni këtë. GNU EMACS përmban një sistem LISP të plotë, edhe pse jo shumë të fuqishëm. Është mjaft i fuqishëm për shkrim urdhrash përpunuesi. Nuk krahasohet me, të themi, një Common LISP System, diçka që do ta përdornit vërtet për programim sistemi, por ka krejt gjërat që duhet të ketë LISP-i.

BYTE: A keni ndonjë parashikim se kur do të ishit në gjendje të shpërndanit një mjedis që funksionon, në të cilin, kur ta vendosnim në makinat apo stacionet tona të punës, të mund të bënim punë në mënyrë të arsyeshme, pa përdorur gjë tjetër veç kodit që shpërndani?

Stallman: Është vërtet e zorshme të thuhet. Kjo mund të ndodhte për një vit, po sigurisht mund të zgjaste më tepër. Mund edhe të mendohej se mund të zgjaste më pak, por as kjo nuk është edhe aq e mundur tanimë. Mendoj se do ta kem përpiluesin të përfunduar për një muaj a dy. E vetmja pjesë pune tjetër e madhe që më duhet të bëj është tek kerneli. Fillimisht parashikoja që GNU-ja do të merrte diçka si dy vjetë, por kaluan dy vjetë e gjysmë dhe ende nuk kam mbaruar. Një pjesë e shkaqeve të vonesës është fakti që shpenzova goxha kohë duke punuar për një përpilues që doli se qe rrugë pa krye. M’u desh ta rishkruaj plotësisht. Një arsye tjetër është që shpenzova kaq shumë kohë për GNU EMACS. Fillimisht mendova se nuk kisha pse e bëja fare këtë.

BYTE: Na thoni diçka për skemën tuaj të shpërndarjes.

Stallman: Nuk i vendos software-et apo doracakët për ta në përkatësi publike, dhe arsyeja për këtë është se dua që të sigurohet që tërë përdoruesit do të jenë të lirë t’i shpërndajnë. Nuk dua kënd të bëjë një version të përmirësuar të ndonjërit nga programet që kam shkruajtur dhe ta shpërndajë si pronësor. Dua që kjo të mos jetë e mundur. Dua të nxis përmirësimet e lira të këtyre programeve, dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është heqja e çfarëdo tundimi për një person për të bërë përmirësime jo të lira. Po, pak prej tyre do të heqin dorë nga kryerja e përmirësimeve, por shumë të tjerë do t’i bëjnë përmirësimet dhe do t’i bëjnë të lira.

BYTE: Dhe ç’mund të na thoni për garantimin e kësaj?

Stallman: Këtë e bëj duke i vendosur programet nën të drejta kopjimi dhe duke shtuar një shënim me të cilin u jepet njerëzve shprehimisht leja të kopjojnë programet dhe t’i ndryshojnë ato, por vetëm me kusht që t’i shpërndajnë po sipas të njëjtave kushte që përdora, po qe se vjen puna. Nuk e keni detyrim të shpërndani ndryshimet që i bëni ndonjërit prej programeve të mia—mund t’i bëni thjesht për veten, dhe nuk e keni detyrim t’ua jepni apo tregoni ndokujt. Por po ua dhatë ato dikujt tjetër, duhet ta bëni sipas po atyre kushteve që unë përdor.

BYTE: Përfitoni ndonjë të drejtë mbi kod të ekzekutueshëm të rrjedhur nga përpiluesi C?

Stallman: Ligji i të drejtave të kopjimit nuk më jep të drejta kopjimi mbi frytet e marra prej përpiluesit, pra nuk më jep ndonjë rrugë që të më lejojë të them diçka mbi këtë, dhe në fakt as që përpiqem. Nuk kam simpati për njerëz që zhvillojnë produkte pronësore, me çfarëdo përpiluesi qoftë, por nuk duket kushedi e dobishme të provohet të pengohen këta prej zhvillimit me këtë përpilues, ndaj nuk kam për ta bërë.

BYTE: A gjejnë zbatim kufizimet tuaja mbi persona që marrin një copë kodi për të prodhuar gjëra të tjera?

Stallman: Po, nëse trupëzojnë të ndryshuar çfarëdo cope të cilës mund t’i matet madhësia. Po qe se bëhet fjalë për dy rreshta kod, për kaq është e kotë; të drejtat e kopjimit nuk zbatohen mbi këtë rast. Në thelb, këto kushte i kam zgjedhur që së pari të ketë të drejta kopjimi, që janë krejt ajo çka përdorin grumbulluesit e software-eve për të penguar këdo të bëjë çfarëdo gjëje, e mandej shtoj një shënim që jep një pjesë të këtyre të drejtave. Pra, kushtet merren vetëm me gjëra për të cilat zbatohen të drejtat e kopjimit. Nuk besoj se arsyeja pse do të duhej t’u bindeshim këtyre kushteve është për shkak të ligjit. Arsyeja pse duhet t’u bindeni është se një person i ndershëm kur shpërndan një software nxit të tjerë persona ta ndajnë me të tjerët edhe më tej.

BYTE: Në një farë kuptimi, ju i nxisni njerëzit drejt kësaj mënyre të menduari duke u ofruar tërë këto mjete interesante, që mund t’i përdorin, por vetëm nëse pajtohen me filozofinë tuaj.

Stallman: Po. Mund edhe ta shihni si përdorim të sistemit ligjor që kanë grumbulluesit e software-eve, të rregulluar kundër tyre. Unë po e përdor për të mbrojtur publikun prej tyre.

BYTE: Duke parë se prodhuesit nuk kanë dashur ta financojnë projektin, cilët mendoni se do ta përdorin sistemin GNU kur të jetë përfunduar?

Stallman: Nuk ia kam idenë, por nuk është pyetje me rëndësi. Qëllimi im është t’u bëj të mundur njerëzve mospranimin e zinxhirëve që vijnë bashkë me software-et pronësorë. E di që ka njerëz që duan ta bëjnë këtë. Tani, mund të ketë të tjerë që nuk u prishet puna, por unë nuk merrem me ta. Ndjej pak keqardhje për ta dhe për persona që ndikohen prej tyre. Sot për sot, një person që i kap anët e papëlqyeshme të kushteve të software-eve pronësorë e ndjen se ka ngecur dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç të mos përdorë kompjuterin. E pra, do t’i jap një alternativë të përshtatshme.

Persona të tjerë mund ta përdorin sistemin GNU thjesht sepse është teknikisht sipëror. Për shembull, përpiluesi im C prodhon kod po aq të mirë sa kam parë unë prej mjaft përpiluesish të tjerë. Dhe GNU EMACS përgjithësisht shihet si shumë më sipëror se konkurrentët komercialë. Dhe GNU EMACS nuk qe financuar nga dikush tjetër, por gjithkush po e përdor. Ndaj mendoj se mjaft persona të tjerë do të përdorin pjesën tjetër të sistemit GNU për shkak të përparësive të tij teknike. Por do ta bëja një sistem GNU edhe sikur të mos dija se si ta bëja teknikisht më të mirë, sepse dua ta jetë nga ana sociale më i mirë. Projekti GNU është vërtet një projekt social. Përdor mjete teknike për të bërë një ndryshim në shoqëri.

BYTE: Atëher,ë është jo pak e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë GNU-në. Nuk bëhet fjalë thjesht për një ushtrim akademik për prodhimin e këtij software-i për t’ia dhënë njerëzve. Ju shpresoni se kështu do të ndryshohet mënyra se si funksionon industria e software-eve.

Stallman: Po. Disa thonë se nuk ka për ta përdorur kush ndonjëherë, ngaqë nuk ka ndonjë logo tërheqëse korporate në të, të tjerë persona thonë se janë të mendimit që është shumë i rëndësishëm dhe çdokush do të dojë ta përdorë. Nuk kam ndonjë mënyrë të di se çfarë do të ndodhë ndodhë realisht. Nuk di ndonjë mënyrë tjetër për ndryshimin e shëmtisë në fushën ku gjendem, që ta provoja, ndaj kjo është ajo që duhet të bëj.

BYTE: A mund të na tregoni pasojat? Padyshim që e ndjeni që kjo është deklaratë e rëndësishme politike dhe sociale.

Stallman: Bëhet fjalë për një ndryshim. Po përpiqem të ndryshoj mënyrën se si njerëzit trajtojnë njohuritë dhe informacionin në përgjithësi. Mendoj se përpjekjet që njohuritë të kenë pronar, përpjekjet për të kontrolluar nëse u lejohet a jo njerëzve t’i përdorin, ose përpjekjet për të penguar që njerëzit t’i ndajnë mes tyre, janë sabotazh. Është veprimtari nga e cila përfiton personi që e kryen, në kurriz të varfërimit të krejt shoqërisë. Dikush fiton një dollar duke shkatërruar dy dollarë pasuri. Mendoj se një njeri me ndërgjegje nuk kish për ta bërë këtë gjë, përveç rastit kur përndryshe do t’i duhej të vdiste. Dhe sigurisht, personat që e bëjnë, janë jo pak të kamur; më mbetet vetëm të them se janë të paskrupuj. Do të doja t’i shihja këta persona të shpërbleheshin për shkrim software-esh të lirë dhe për nxitjen e personave të tjerë që t’i përdorin. Nuk dua t’i shoh këta persona të shpërblehen pse shkruajnë software pronësor, sepse kjo nuk është ndonjë kontribut për shoqërinë. Parimi i kapitalizmit është ideja që njerëzit arrijnë të bëjnë para duke prodhuar gjëra, e prandaj nxiten të bëjnë atë çka është e dobishme, vetvetiu, të themi. Por kjo nuk funksionon kur vjen puna te pronësimi i njohurive. Në këtë rast nxiten të bëjnë jo atë që është e dobishme dhe, çfarë është realisht e dobishme, nuk nxitet. Jam i mendimit që është e rëndësishme të thuhet se informacioni është tjetër gjë nga objektet materiale, si automjetet apo bukët, ngaqë njerëzit mund ta kopjojnë dhe ndajnë vetë me njëri-tjetrin dhe, po qe se askush nuk përpiqet t’i pengojë, mund ta ndryshojnë e ta bëjnë më të mirë, po për veten e tyre. Kjo është diçka e dobishme. Në rastin e bukës kjo nuk është e vërtetë. Po qe se keni një bukë dhe doni një tjetër, nuk mund ta fusni bukën në një kopjues buke. Nuk mund të bëni një tjetër pa kaluar krejt hapat që u përdorën për të prodhuar të parën. Ndaj është e parëndësishme në u lejohet a jo njerëzve ta kopjojnë—është e pamundur.

Librat, deri tani vonë, shtypeshin vetëm në shtypshkronja. Mundej të bënit një kopje me dorë ju vetë, por kjo nuk qe praktike sepse hante shumë më tepër kohë se sa përdorimi i shtypshkronjave. Dhe nga dora do të dilte diçka shumë më pak tërheqëse sa që, tek e fundit, do të reagonit si të qe e pamundur të prodhosh libra me mënyrë tjetër, hiq prodhimin në masë të tyre. Ndaj të drejtat e kopjimit nuk i hoqën publikut lexues ndonjë të drejtë. Nuk kish ndonjë gjë që blerësi i librit mund ta bënte dhe që qe e ndaluar nga të drejtat e kopjimit.

Por kjo nuk është e vërtetë për programet e kopmjuterit. Edhe për kasetat nuk është e vërtetë. Është pjesërisht e rreme tani për librat, por ende është e vërtetë që për shumicën e librave është më e kushtueshme dhe sigurisht do më shumë punë për të bërë një kopje në Xerox se sa të blesh një kopje, dhe fruti prapë është më pak tërheqës. Tani jemi në një periudhë kur gjendja që i bënte të drejtat e kopjimit të padëmshme dhe të pranueshme po ndryshon drejt një gjendje ku të drejtat e kopjimit do të bëhen shkatërruese dhe të patolerueshme. Kështu që personat që përgojohen si “piratë” në fakt janë persona që po përpiqen të bëjnë diçka të dobishme e cila u është mohuar. Ligjet e të drejtave të kopjimit janë hartuar tërësisht për të ndihmuar disa njerëz të arrijnë kontroll të plotë mbi përdorimin e disa informacioneve për interes të tyre. Por nuk janë hartuar për të ndihmuar njerëz që dëshirojnë të sigurohen se informacioni mund të kihet nga publiku dhe të pengohen të tjerët të pengojnë publikun. Mendoj se ligji do të duhej të njihte një klasë veprash që janë në pronësi të publikut, çka është tjetër nga përkatësia publike, në po atë frymë që një park publik është tjetër gjë nga diçka e gjetur në koshat e hedhurinave. Nuk është atje që ta marrë me vete dikush, është atje që ta përdorë kushdo e askush të mos e pengojë përdorimin. Cilido anëtar i publikut që e gjen veten të privuar nga vepra të rrjedhura prej diçkaje në pronësi të publikut, do të duhej të ishte në gjendje të hapte padi rreth kësaj.

BYTE: Por a nuk janë piratët të interesuar të kenë kopje të programeve, ngaqë duan të përdorin këto programe, jo pse duan të përdorin njohuritë për të prodhuar diçka më të mirë?

Stallman: Nuk shoh të ketë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Më tepër persona që përdorin një program do të thotë që programi kontribuon më shumë te shoqëria. Si të kishim një bukë që mund të hahet një herë, ose një milion herë.

BYTE: Disa prej përdoruesve blejnë software komercial që të kenë për të dhe asistencë. Si e furnizon asistencën skema juaj e shpërndarjes?

Stallman: Dyshoj se ata përdorues janë udhëhequr gabim dhe nuk po mendojnë kthjellët. Sigurisht që pasja e asistencës është e dobishme, por kur zënë e mendojnë se ku hyn kjo te shitja e software-eve ose me të qenët e software-it pronësor, në këtë pikë zënë e ngatërrohen. Nuk ka garanci që software-i pronësor do të mbulohet me asistencë të mirë. Vetëm pse e thonë shitësit se ofrojnë asistencë, kjo nuk do të thotë se do të jetë e mirë. Biznesi i tyre mundet edhe të mbyllet. Në fakt, njerëzit mendojnë se GNU EMACS ka asistencë më të mirë se sa EMACS-et komercialë. Një nga arsyet është ngaqë jam ndoshta hacker më i mirë se sa personat që shkrojtën EMACS-et e tjera, por arsyeja tjetër është se burimet i ka gjithkush, dhe ka kaq shumë persona të interesuar të mësojnë se si t’i bëjnë gjërat me të, sa nuk keni pse merrni asistencë nga unë. Madje edhe asistenca falas, si ndreqja e të metave që më njoftojnë njerëzit dhe përfshirja e tyre në versionin pasues, u ka dhënë njerëzve një shkallë të mirë asistence. Kurdo mund të punësoni dikë që t’ju zgjidhë një problem dhe, kur software-i është i lirë, keni treg konkurrues për asistencën. Mund të punësoni këdo. Me EMACS unë shpërndaj një listë shërbimesh, një listë me emra personash dhe numra telefonash dhe sa kushton të kesh asistencë prej tyre.

BYTE: A i grumbulloni ndreqjet e tyre për të metat?

Stallman: Ata m’i dërgojnë. U kërkova krejt personave që donin të ishin në listë, të premtonin se kurrë nuk do t’i kërkonin, cilitdo klienti, ta mbante sekret se ç’i thanë ose çfarëdo ndryshimi që u qe dhënë për software GNU si pjesë e kësaj asistence.

BYTE: Por kështu, nuk mund t’i bëni personat të konkurrojnë për dhënie asistence, bazuar në njohjen prej tyre të zgjidhjeve për disa probleme, të cilat dikush tjetër nuk i di.

Stallman: Jo. Ata mund të konkurrojnë me njëri-tjetrin mbi bazën e të qenit më të zgjuar dhe më me gjasa për të gjetur zgjidhjen e problemit tuaj, ose mbi bazën e njohjes së më shumë nga problemet e zakonshme, ose pse dinë t’ju shpjegojnë më mirë se çfarë duhet të bëni. Këto janë tërë rrugët se si mund të konkurrojnë. Mund të përpiqen të jenë më të mirë, por nuk mund të pengojnë aktivisht konkurrentët e tyre.

BYTE: Pak a shumë si të blije një makinë. Për asistencë ose për mirëmbajtje në vazhdimësi, nuk jeni i detyruar të riktheheni te prodhuesi origjinal.

Stallman: Ose si të blesh një shtëpi—si do të ishte nëse i vetmi person që do t’ju rregullonte problemet me shtëpinë tuaj të ishte ai që e ndërtoi fillimisht? Ky është lloji i detyrimit që prek software-in pronësor. Njerëzit më tregojnë për një problem që ndodh në Unix. Ngaqë prodhuesit shesin versione të përmirësuara të Unix-it, kanë prirjen t’i grumbullojnë ndreqjet dhe t’i japin ato vetëm në trajtë dyore. Përfundimi është që të metat në fakt nuk ndreqen.

BYTE: Po përpiqen të tërë nga dy herë për të ndrequr të meta në rrugë të pavarur.

Stallman: Po. Ja një pikë tjetër që ndihmon të vendoset problemi i informacionit pronësor në optikën sociale. Sillni në mend krizën e pagesave të dëmshpërblimeve nga sigurimet. Që të mund të përfitojë çfarëdo kompensimi prej shoqërisë, një person i dëmtuar duhet të marrë një avokat dhe t’i ndajë paratë me avokatin. Ky është budallallëk dhe një rrugë e paefektshme për të ndihmuar viktimat e aksidenteve. Mendoni pastaj gjithë atë kohë që njerëzit e harxhojnë për t’u marrë punën konkurrentëve. Mendoni stilolapsat që paketohen në kuti të mëdha kartoni që kushtojnë më shumë se stilolapsi—vetëm për t’u siguruar që nuk do vidhet stilolapsi. Nuk do të ishte më mirë të vinim stilolapsa falas në çdo qoshe rruge? Mendoni edhe gjithë pikëpagesat që pengojnë rrjedhën e trafikut. Bëhet fjalë për një dukuri shoqërore gjigande. Njerëzit gjejnë rrugë të bëjnë para duke penguar shoqërinë. Pasi arrijnë të pengojnë shoqërinë, mund të paguhen për t’i lënë njerëzit të qetë. Shpërdorimi i lidhur organikisht me pronësinë mbi informacionin do të bëhet gjithnjë e më me peshë dhe, tek e fundit, do të jetë dallimi midis utopisë, në të cilën askush nuk ka nevojë të punojë që të rrojë, pse gjithçka bëhet nga robotët, dhe botës si e jona, ku gjithkush shpenzon kaq shumë kohë duke përsëritur çfarë është duke bërë tjetri ngjitur.

BYTE: Pak a shumë si shkrimi i shënimeve për të drejta kopjimi te software-i.

Stallman: Më tepër si mbikëqyrje e kujtdo, për t’u siguruar që nuk ka kopje të ndaluara të çfarëdo gjëje dhe ribërjen e gjithë punës që njerëzit e kanë bërë tashmë, ngaqë është pronësore.

BYTE: Një mendje cinike mund të pyesë se si e fitoni jetën.

Stallman: Nga konsulenca. Kur jap konsulencë, gjithmonë ruaj të drejtën të jap çfarë shkrojta përgjatë aktit të konsulencës. Po ashtu, mund të nxjerr shpenzimet e jetës duke postuar kopje të software-it të lirë që shkrojta, apo që kanë shkruar të tjerë persona. Plot vetë dërgojnë $150 për GNU EMACS, por tani këto para shkojnë për Free Software Foundation që themelova. Fondacioni nuk më paguan ndonjë rrogë, sepse do të ishte përplasje interesash. Në vend të kësaj, punëson persona të tjerë të punojnë mbi GNU-në. Për sa kohë që mund të vazhdoj të fitoj jetesën nga konsulenca, mendoj se kjo është rruga më e mirë.

BYTE: Çfarë përfshin tani shiriti me shpërndarjen zyrtare GNU ?

Stallman: Hëpërhë shiriti përmban GNU EMACS (një version për çdo lloj kompjuteri); Bison, një program që zëvendëson YACC; MIT Scheme, që është dialekti super i thjeshtuar i professor Sussman-it për LISP; dhe Hack, një lojë eksplorimi llogaresh, e ngjashme me Rogue.

BYTE: Doracaku i shtypur vjen bashkë me shiritin?

Stallman: Jo. Doracakët e shtypur kushtojnë $15 copa ose kopjojini vetë. Kopjojeni këtë intervistë e ndajeni me të tjerët, po njësoj.

BYTE: Si mund të kihet një kopje e tij?

Stallman: I shkruani Free Software Foundation, 675 Massachusetts Ave., Cambridge, MA 02139.

[Adresa e tanishme (që prej 2005) është: Free Software Foundation 51
Franklin St, Fifth Floor Boston, MA 02110-1301, USA Voice: +1-617-542-5942
Fax: +1-617-542-2652]

BYTE: Çfarë do të bëni kur të keni mbaruar sistemin GNU?

Stallman: S’jam i sigurt. Ndonjëherë mendoj se do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë në fusha të tjera të software-it.

BYTE: Pra ky është i pari në një seri të plotë sulmesh mbi industrinë e software-it?

Stallman: Shpresoj të jetë kështu. Por, ndoshta, ajo çka do të bëj, është të rroj një jetë të lehtë, duke punuar për pak kohë sa për të rrojtur. Nuk kam pse rroj shtrenjtë. Pjesën tjetër të kohës mund të gjej persona interesantë për shoqëri ose të mësoj të bëj gjëra që nuk di t’i bëj.

Intervistuan David Betz dhe Jon Edwards

Të drejta Kopjimi © 1999, 2000, 2001, 2002, 2007 Free Software
Foundation, Inc.,

51 Franklin St, Fifth Floor, Boston, MA 02110-1301, USA

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Stallman dhe lindja e Software-it të Lirë

Një copëz nga një emision i BBC-së, në të cilën përshkruhet fare shkurtimisht lindja e Software-it të Lirë:

© 2012-2017 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.