Arkivë për etiketën 'motorë kërkimi'

SOPA dhe PIPA shpjeguar në gjuhë të thjeshtë

Interneti është një nga industritë më të fuqishme dhe më me rritje në Shtetet e Bashkuara Ai u lejon miliarda njerëzve komunikim të lirë dhe të hapur, dhe ka qenë frymëmarrja e protestave anembanë botës. Por një projekt-ligj i ri propozon që industrisë së dëfrimit t’i lihet dorë e lirë të censurojë Internetin. Mban emrin PROTECT IP, dhe ja se si do të funksiononte:

Korporata private duan të jenë të lira të mbyllin site-e të paautorizuar ku njerëzit shkarkojnë filma, shfaqje televizive dhe muzikë. Ngaqë shumica e këtyre site-eve ndodhen jashtë juridiksionit të SHBA-ve, PROTECT IP përdor ca taktika të tjera nga ato brenda kufijve të Amerikës. Së pari, i jep qeverisë fuqinë të detyrojë mundësuesit e Internetit në SHBA të bllokojnë hyrjen për te emra përkatësish të shkelësve. Po njësoj mund të padisin motorë kërkimi me bazë në SHBA, lista, madje edhe blogje dhe forume me synim heqjen prej tyre të lidhjeve për te këto site-e. Së dyti, PROTECT IP u jep korporatave dhe qeverisë aftësinë e ndërprerjes së financimeve për site-et web shkelëse përmes anulimit të llogarive të tyre te reklamues dhe shërbime pagesash me bazë SHBA-të. Përmbledhtas, kjo është ajo që PROTECT IP do të provojë të bëjë.

Por sipas të gjitha gjasave, bashkë me të do të bëjë edhe diç tjetër. Si për fillim, nuk ka për t’u vënë fre atyre që shkarkojnë. Prapë do të jeni në gjendje të hyni te një site i bllokuar, thjesht duke dhënë adresën e tij IP në vend të emrit. Ajo çka PROTECT IP do të bëjë është gjymtimi i sipërmarrjeve të reja ngaqë u lejon gjithashtu kompanive të padisin cilindo site që mendojnë se nuk po bën filtrim të kënaqshëm. Këto procese gjyqësore do të çonin kollaj në falimentim motorë të rinj kërkimi dhe site mediash shoqërore. Dhe teksti i PROTECT IP-së është aq i dykuptimtë saqë site-e të rëndësishëm mediash shoqërore mund të shndërrohen në objektiv goditjeje. Shumë site-e web novatore mund të duken si pirateri në sytë e gjykatësit jo të duhur: Tumblr, SoundCloud, dhe YouTube-i në fillimet e veta. Kudo që njerëzit shprehen, bëjnë art, transmetojnë lajme, ose organizojnë protesta ka të përziera shumë xhirime TV-je, copëza filmash, dhe muzikë nën të drejta autori. Dhe edhe sikur t’i besoni qeverisë së SHBA-ve se nuk do të abuzojë me fuqinë e re për censurim të Net-it, po vendet që do ndiqnin shembullin tonë dhe do të hartonin ligje të tilla? Njerëzit nëpër botë do të kishin kështu Internete shumë të ndryshëm, dhe qeveri të paskrupullta do të kishin mjete të fuqishme për të shtypur shprehjen e lirë.

Por ndoshta gjëja më e rrezikshme do të qe se PROTECT IP do të përziehej me funksionimin e brendshëm të Net-it. Ekspertët besojnë se duke futur hundët te regjistrat Web të emrave të përkatësive përfundimi do të ish më pak siguri dhe qëndrueshmëri. Shkurt, PROTECT IP nuk do ta ndalë piraterinë, por do të hapë rrugën për potenciale të mëdha censure dhe abuzimi, për ta bërë Web-in më pak të sigurt dhe të besueshëm.
Ky është Internet-i për të cilin flasim. Një mjet vital dhe plot gjallëri, dhe qeveria jonë po fut hundët në strukturën bazë të tij se ndoshta kështu njerëzit do të blejnë më tepër filma Hollivudi. Por me filmat e Hollivudit nuk zgjidhen kandidatë nga baza, nuk përmbysen regjime të korruptuar, dhe krejt industria e dëfrimit nuk kontribuon kushedi çë në ekonominë tonë. Këto të gjitha bëhen me Internet, këto e të tjera. Korporatat i kanë tashmë mjetet që të luftojnë piraterinë. E kanë mundësinë të ndalin qarkullim lënde të caktuar, të padisin për mbyllje kompanitë e software-it peer-to-peer, dhe të padisin gazetarë thjesht se kanë folur se si të kopjohet një DVD. Janë plot me bëma ushtrimi dhe abuzimi të fuqisë së tyre. Ato u përpoqën të hiqnin nga YouTube-i një video për një bebe, vetëm për muzikën që luhej në sfond. Dënimet që jepen për pirateri komerciale në shkallë të gjerë i kanë përdorur kundër familjesh dhe fëmijësh. Janë po këto që hapën padi për ndalimin e VCR-së dhe të pajisjeve të para MP3.

Ndaj pyetja është, deri ku do të shkojnë me këtë punë? Përgjigja në këtë pikë është e qartë. Deri atje ku do t’i lejojmë ne. Që kur krijuam këtë video, PROTECT IP është përkeqësuar dhe po përgatiten për miratim të shpejtë. Tani qeveria dhe korporatat mund të bllokojnë çfarëdo site-i, të brendshëm ose të jashtëm, thjesht për një lidhje që do të shkelte ligjin. Site-eve si YouTube, Twitter, dhe Facebook do t’u duhej të censuronin përdoruesit e vet ose të mbyllen, ngaqë bëhen përgjegjëse për gjithçka që përdoruesit e tyre postojnë. Përdoruesi i rëndomtë mund të përfundojë me burg 5 vjetë për postim të çfarëdo gjëje nën të drejta autori– madje edhe thjesht nga të kënduarit e një kënge.

Si të zgjidhet një shfletues Web

Çfarë është shfletuesi Web?

Shfletuesi është një program kompjuteri që shfaq faqe Web.  Shfletuesi juaj ndikon në rrugë të ndryshme mbi mënyrën se si e përdorni Web-in, përfshi këtu sa shpejt hapet një faqe, sa të sigurt jeni kur lundroni në Internet dhe ç’pjesë e të dhënave tuaja u jepen të tjerëve.

Shfletuesat Web nuk duhen ngatërruar me pjesë të tjera kyçe të punimit tuaj online, të tilla si sistemet operative (p.sh. Windows, Mac ose Linux) ose motorë kërkimi (fjala vjen, Google, Yahoo ose Bing).

Nëse s’e keni vrarë shumë mendjen për shfletuesit më parë, ja disa pika para se të vendosni:


A është shfletuesi juaj i lirë?

Sot, krejt shfletuesat më popullorë dhe të respektuar janë të lirë për përdoruesit.  Nëse hasni një site që ju kërkon pagesë përpara se të mund të shkarkoni një shfletues, bëni shumë kujdes, pse gjasat janë të jetë sajesë.

A do të xhirojë shfletuesi në kompjuterin tim?

Jo çdo shfletues xhiron në çdo sistem operativ kompjuterash, ndaj një nga hapat tuaj të parë do të ishte të siguroheni që i zgjedhuri juaj të mbulojë kompjuterin(at) që përdorni. Nëse ju duhet ndihmë për njohjen e kësaj, te www.opentochoice.org kemi postuar një përmbledhje të shfletuesave kryesorë dhe të sistemeve operativë në të cilët funksionojnë.

Nëse keni një kompjuter të vjetër, duhet të shihni edhe nëse sistemi juaj operativ mbulon shfletuesit e sotëm modernë.

A do t’i shfaqë shfletuesi si duhet të tërë site-et që doni të vizitoni?

Teorikisht, çfarëdo shfletuesi, do të duhej të funksiononte në çfarëdo pjese të Web-it, por në praktikë jo çdo shfletues punon me çdo site. Kur ndodh kjo, faqet Web nuk shfaqen si duhet, ose në to mungon tekst, ose mungojnë funksione.

Shfletuesit më popullorë përgjithësisht punojnë me pjesën më të madhe të site-ve, por për këtë nuk ka asnjëherë garanci. Nëse, pasi të keni bërë zgjedhjen tuaj të shfletuesit, shihni se disa site-e nuk punojnë si duhet, mund të provoni një shfletues tjetër dhe të krahasoni përfundimet.

A e respekton shfletuesi vetësinë tuaj?

Historiku i shfletimeve tuaja përmban një sasi shumë të madhe të dhënash personale mbi ju dhe mbi interesat tuaja. Prej vetë natyrës së Web-it, site-et ku hyni mbajnë një regjistër të vizitës suaj (përmes “vendndodhjes suaj IP”, një numër unik i cili identifikon kompjuterin tuaj në Internet), dhe këto të dhëna depozitohen gjithashtu edhe te shfletuesi juaj.

Shumë shfletuesa kanë mekanizma që ju lejojnë të shfletoni pa u bërë grumbullimi i këtyre të dhënave, ose t’i hiqni më pas, nëse e dëshironi këtë. Por, mundet edhe që prodhuesi i shfletuesit tuaj të ketë hyrje te krejt të dhënat që shfletuesi juaj grumbullon rreth jush. Nëse kjo ka rëndësi për ju, ju këshillojmë me forcë të lexoni rregullat e vetësisë të software-it që po merrni në shqyrtim.

A është shfletuesi juaj i sigurt?

Siguria juaj online është shumë e rëndësishme: sa më shumë që e përdorni Web-in, aq më shumë shtohen mundësitë e ekspozimit kundrejt virusesh, sajesash dhe rreziqesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse e përdorni Web-in për veprime bankare ose shitblerje online dhe jepni e merrni të dhëna personale të tilla si të dhëna kartash krediti.

Disa shfletuesa përmbajnë mekanizma sigurie, për t’ju ndihmuar në identifikimin e sajesave online (“karremëzimeve”), software-eve dashakeq (“malware”) ose të site-eve që janë kompromentuar. Duhet, pa mëdyshje, të familjarizoheni me mundësitë e ofruara nga shfletuesi që keni zgjedhur për sigurinë (zakonisht të paraqitura te site-i Web i shfletuesit).

Po ashtu, duhet të siguroheni përherë se po përdorni versionin më të përditësuar të shfletuesit tuaj, ngaqë prodhuesit e tyre shpesh hedhin në qarkullim versione të rinj, kur bëjnë ndreqje pas rreziqeve më të reja të shfaqura në Internet.

A jeni në gjendje të administroni kollaj të dhënat e shfletimeve tuaja?

Sa më tepër kohë të përdorim online, aq më tepër të dhëna rreth vetes krijojmë dhe shkëmbejmë: faqerojtësa (të quajtur edhe të parapëlqyerit), historik shfletimi, fjalëkalime e me radhë.

Mund të jetë e vështirë të mbahen mend krejt fjalëkalimet ose të rikujtohet vendi i një site-i që e vizituat javë më parë, kështu që mundësia për të administruar të dhëna të tilla dhe madje edhe kalimi i tyre nga një kompjuter në një tjetër është tejet e dobishme. Disa shfletuesa ju lejojnë ta bëni këtë, duke ju dhënë kështu hyrje “kurdo, kudo” në të dhënat tuaja.

A mund ta personalizoni shfletuesin sipas parapëlqimeve tuaja individuale?

Mjaft shfletuesa ofrojnë të paktën një farë shkalle personalizimi, e cila shtrihet nga ndryshimi i pamjes së butonave ose grafika e dritares, deri te mundësia për të ndryshuar më imtësisht mënyrën se si funksionon, për ta përputhur saktësisht me nevojat tuaja. Disa shfletuesa madje ju lejojnë edhe të bllokoni reklamat, ose ta bëni kompjuterin të mos lejojë asnjë site të xhirojë në të programe dashakeqe pa miratimin tuaj.

Nëse ju intereson personalizimi i shfletuesit tuaj, do të duhej të shihni se sa personalizime të tilla (të quajtura shpesh “shtesa” ose “zgjerime”) ka dhe se deri në çfarë pike mundet të personalizohet shfletuesi juaj.

Si del në punim shfletuesi?

Shpejtësia me të cilën ngarkohet një faqe Web është masë e rëndomtë e punimit të shfletuesit. Edhe pse ka mjaft faktorë që ndikojnë në kohën e ngarkimit të faqes, përfshi këtu shpejtësinë e lidhjes suaj Internet, kompjuterin tuaj dhe vetë faqen, shfletuesi juaj, po njësoj, mund të ketë ndikim të madh në të.

Por, punimi është më tepër se sa thjesht shpejtësia e ngarkimit të faqeve. Disa shfletuesa mund të duan më tepër kujtesë nga kompjuteri juaj se sa disa të tjerë (duke ngadalësuar funksione të tjera në punë e sipër), dhe disa mund të vithisen më shpesh se të tjerët.

Ka një numër rrugësh se si të provohet punimi i shfletuesve, por rruga më e mirë për vlerësimin është të vizitohet i njëjti site me shfletuesa të ndryshëm dhe të shihet cili ju duket më mirë.

A mund të kihet shfletuesi në gjuhën tuaj të parapëlqyer?

Nëse këtë po e lexoni në Shqip, përgjigja thuajse me siguri është “po”. Por, nëse parapëlqeni të shfletoni nga një gjuhë tjetër, duhet të shihnit mundësitë për këtë – numri i gjuhëve në të cilat mund të kihet çdo shfletues ndryshon jo pak.

A ka asistencë për të?

Si me çdo program, kohë pas kohë mund të dalin probleme. Ndaj, garancia se shfletuesi juaj ka asistencë falas, në rastet kur do t’ju duhet ndihmë, duhet marrë në shqyrtim.

Po njësoj, për mjaft programe ka bashkësi përdoruesish dhe programuesish që ofrojnë vullnetarisht kohë dhe dije për të ndihmuar të tjerët. Pjesëmarrja në një bashkësi përdoruesish mund të përmirësojë fort përvojën tuaj në shfletim!

Si ndërtohet shfletuesi?

Software-et krijohen sipas një larmie rrugësh. Disa shfletuesa njihen si “me burim të hapur” ose “software i lirë”, që do të thotë se ju jepet e drejta ta ndryshoni dhe përdorni programin si të doni.

Nga ana tjetër, shfletuesa të tjerë konsiderohen si “me burim të mbyllur” ose “jo të lirë.” Instalimi i programeve të tilla zakonisht do të thotë që jeni i kufizuar nga disa kushte, fjala vjen mosndryshimi i tij në një rrugë të caktuar (edhe pse xhiron në kompjuterin tuaj).

A ju pëlqen shfletimi me të?

Së fundi, ia vlen të përsiatet thjesht mbi faktin nëse ju kënaq a jo përdorimi i shfletuesit tuaj. Web-i mund të bëhet një vend i mrekullueshëm, me mundësi thuajse të pakufizuara për të nxënë, për t’u lidhur me të tjerët, për krijimtari, dhe një shfletues i mirë do të duhej ta thellonte mënyrën se si e përjetoni krejt këtë.

* Material i përgatitur nga Mozilla Foundation për fushatën www.opentochoice.org

Statistika me Piwik mbi vizitat në site-in tuaj

Të dhënat statistikore mbi vizitat në site-in apo faqet tuaja Web  janë një mjet me interes për të zotin. Sisteme të ndryshëm për administrim lënde përdorin mekanizma të ndryshëm për këtë qëllim. Google Analytics është i pari që vjen në mend.  E meta e këtyre sistemeve është fakti që u takojnë shoqërive të cilat ofrojnë edhe shërbimin e strehimit të site-it ose blogut të dikujt, duke hequr kështu, teorikisht,  çdo mundësi kontrolli të plotë dhe administrim të pavarur të statistikave. Aksh biznes duhet të sjellë në mendje konkurrentët, në çdo hap që ka të bëjë me aktivitetin e biznesit. Dhe statistikat janë pjesë e këtyre hapave. Por edhe në rastin kur nuk ka arsye për të pasur frikë nga konkurrentët, si i bëhet në rastet kur ai që të ofron statistikat zhduket një ditë të bukur apo biznesi i tij falimenton? Ose  le të themi ai biznesi ndërron duart? Ç’ndodh me statistikat tuaja?

Për të dalë nga dilema të tilla, si në raste të tjera të ngjashme, projektet me burim të hapur janë alternativë më e mirë. Një i tillë është Piwik-u:

Piwik-u është një program statistikash web, me burim të hapur, që qarkullon nën lejen GPL dhe që mund ta shkarkoni e përdorni në shërbyesin tuaj web. Ju furnizon raporte të hollësishme në kohë reale rreth vizitorëve të faqeve tuaja web: motorët e kërkimit dhe fjalëkyçat që ata përdorën, gjuhën që flasin, faqet tuaja më popullore… e plot të tjera.

sipas autorëve të projektit.

Një demostrim të përkthimit në Shqip të Piwik-ut mund ta shihni te kjo lidhje. Majtas sipër mund të zgjidhni Shqipen për të parë se si duket Piwik-u në Shqip, në funksionim e sipër.

Instalimi i programit është i thjeshtë, me pak hapa dhe thuajse bëhet vetvetiu:

Pas instalimit, instalimi juaj i Piwik-ut është gati të vjelë të dhënat e para dhe të krijojë për to statistika të hollësishme, të dobishme dhe të këndshme për syrin.