Arkivë për etiketën 'përdorues'

Historia e Mozilla-s me pak fjalë

Një video që ilustron grafikisht dhe hijshëm historinë e derisotshme të Mozilla-s dhe misionit të saj:

Transkriptimi i videos, për nevoja të çfarëdoshme, vijon më poshtë:

Në fillimet e veta web-i qe i thjeshtë, i ndërlidhur, i hapët, i sigurt,  i konceptuar si një forcë e së mirës, por do të shndërrohej në diçka shumë më të madhe, një ekosistem i gjallë, që merr frymë në shërbim të njerëzimit, një burim publik për risi dhe mundësi. Një vend për të vënë në jetë ëndrrat tuaja.

Por në ato fillime, si për çdo ekosistem, web-i kish nevojë për mëkim. Ndërkohë që rritej, përdoruesit u ndeshën me sfida të reja. Flluska. Viruse. Mungesë zgjedhjesh. Ngastra përmbajtjeje pas muresh të lartë. Web-i filloi të të fuste frikën. U bë i ngadaltë, i ndërlikuar, i frikshëm. Përdoruesit zunë të pyesnin: pra, kaq e pati? Apo web-i mund të ishte diçka më e mirë?

Një grup i vogël personash, programuesa, grafistë, idealistë, besonin se mund të bëhej i tillë. Dhe patën një ide të guximshme:  një organizëm i vogël jofitimprurës dhe një bashkësi globale mund të krijonin diçka më të mirë dhe të fusnin në Web ide të reja dhe risi. E quajtën projekti Mozilla. Zunë fill duke krijuar një shfletues Web të një lloji të ri. Atë që sot e njohim si Firefox. Dhe e bënë jofitimprurëse, që njerëzit që përdornin Web-in të viheshin mbi gjithçka. Më shumë se sa një program, qe një platformë që gjithkush mund ta përdorte për të sendërtuar idetë e veta. Bezditë zunë të pakësoheshin. Filluan të shfaqen themelet e Web-it që njohim sot.
Sot Web-i është një vend ku mund të ngrini thuajse çfarëdo gjëje që ju vjen në mend. Mozilla dhe Firefox-i ekzistojnë për të ndihmuar njerëzit ta rrokin këtë mundësi kudo dhe të dalin në ballë të përdoruesve, në një botë ku mundësia e zgjedhjes dhe kontrolli janë të rrezikuara shumë shpesh.
Por, po sikur Firefox të qe vetëm fillimi? Po sikur të qe pjesë e diçkaje më të madhe? Nga privatësia e përdoruesit te Firefox Mobile, te zbatimet dhe identiteti, po i zgjerojmë  çdo ditë kufijtë e web-it Dhe po shkojmë më tej se sa software-et. Po ndihmojmë në formimin e një brezi ndërtuesish web. Besojmë se web-i është një vend ku cilido
mund të vijë të materializojë ëndrrat e veta. Ja pse e krijuam Firefox-in. Ja pse dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë në krijimin e produkteve tona. Ja pse qindra milionë anembanë botës përdorin programet tona. Por më e rëndësishmja — ja pse gjithmonë ju vëmë juve mbi gjithçka, dhe përballemi me ata që nuk e bëjnë këtë.

Miliona vetë na dinë si Mozilla Firefox. Por jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një organizëm jofitimprurës që lufton për mbrojtjen e web-it që të gjithë e duam. Bashkohuni me ne – na duhet përkrahja juaj. Bëni një dhurim.

Prej patentave mbi "software"-e do të vuajnë qytetet europiane

Letër e Hapur e Free Software Foundation Europe për EUROCITIES

EUROCITIES është rrjeti i nja 100 qyteteve të mëdhenj të BE-së, Norvegjisë, Zvicrës, Europës Qendrore dhe Lindore dhe Shteteve të Rinj të Pavarur (NIS). Eurocities është themeluar më 1986, qytetarët e qyteteve anëtarë bëhen më tepër se 100 milionë. Catherine Parmentier është Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive për EUROCITIES

E dashur znj. Parmentier,

Këshilli Europian dhe Komisioni Europian duan të paraqesin një bazë ligjore për patentat mbi software-e në Europë. Çka do t’i linte qytetet europianë zbuluar përballë rreziqesh të pallogaritshme dhe të paparashikueshme kostosh procesesh gjyqësorë mbi patenta software-esh. Ndaj edhe shpresojmë që të bashkoheni me ne të luftojmë këta asgjësues punësimesh dhe risish.

Bashkive nëpër Europë u duhet të kapërcejnë të njëjtat vështirësi: numri i atyre që varen nga asistenca sociale është në rritje, arka është bosh dhe qytetarët presin nga shërbimi publik të ofrojë cilësi më të lartë se kurrë më parë. Këto synime, në dukje kundërthënëse, duhet të arrihen nga shndërrimi i punëve të mundimshme administrative të dikurshme në procedura dhe struktura të automatizuara elektronike — jo vetëm brenda një administrate të vetme, por edhe ndërmjet shërbimeve të ndryshme publike, mes administratës dhe qytetarëve, apo administratës dhe bizneseve.

Emërtimi i mirënjohur i krejt kësaj është eQeverisje.

Strukturat dhe procedurat e standardizuara, të cilat përkufizohen dhe vihen në jetë në formë software-esh që përdoren nëpër struktura dhe administrata vendore, ofrojnë një territor ideal për pretendime mosmarrëveshjesh mbi patenta software-esh: Pretendimet e mundshme shtrihen nga themelet e funksioneve bazë, si rrjetet, baza të dhënash dhe sisteme kartelash, deri mbi metoda abstrakte dhe protokolle që ofrojnë funksione të caktuar.

Ngaqë për patentat nuk kërkon kush vërtetim koncepti ose vënieje në jetë, ai që pretendon për patentë mund t’ia lejojë lehtë vetes të paraqesë metoda abstrakte dhe të vendosë arbitrarisht të japë ose mohojë leje për to.

Për tri shkaqe kryesore, kjo do të bëhet një faktor domethënës kostosh: Si zhvilluesve të software-it, ashtu edhe përdoruesve mund t’u kërkohet pothuajse çfarëdo shume parash që zgjedh mbajtësi i patentës. Mjaft zhvilluesa dhe shoqëri nuk do të jenë në gjendje të paguajnë kërkesa të tilla dhe do të dalin nga loja, duke kthyer kështu taksapaguesë në njerëz që lypin asistencë sociale. Dhe së fundi, çmimet e shoqërive të mbetura të software-eve do të rriten për shkak të nevojës për rifinancim të shpenzimeve për patenta software-esh dhe për shkak të zvogëlimit të konkurrencës.

Zyra e Shteteve të Bashkuara për Patenta dhe Shenja Tregtare ka regjistruar 1185 patenta software-sh [1] që merren me “shërbimin publik” dhe 19 që merren shprehimisht me “bashkitë” [2]. Nuk është e nevojshme të përdoren këta fjalëkyça kur parashtrohet një patentë software-esh, kështu që kjo është vetëm maja e akullmalit dhe parashikohet të rritet me shpejtësi nëse patentat mbi software-et bëhen një realitet.

Me futjen e patentave të software-eve, qytetet europiane do të duhej të hapnin sytë ndaj rritjes dramatike të kostove dhe një situate ligjore gjithnjë e më tepër të vështirë, me rreziqe të mëdha për administratën.

Këshillojmë të lidheni me z. Christian Ude, kryetar i bashkisë së Mynihut, i cili është bërë i ndërgjegjshëm për efektet dëmtuese që patentat mbi software-in kanë mbi shërbimet publike. Nëse keni pyetje të mëtejshme, ose ju nevojitet asistencë shtesë, ju lutemi mos ngurroni të lidheni me ne.

Me përshëndetje të përzemërta

[1]

[2]