Arkivë për etiketën 'Red Hat Enterprise Linux'

Fedora

Pyetja se cila shpërndarje Linux të zgjidhet është një nga ato me shumë përgjigje. Fedora është njëra prej përgjigjeve. Prej kohësh në qarkullim, mbetet një nga më të mirat, dhe përherë në pararojë të zhvillimeve për desktopin Linux.
Fedora

Çfarë është Fedora, saktësisht?

Fedora është sistem operativ me bazë Linux, një suitë programesh që i mundëson funksionimin kompjuterit. Sistemin operativ Fedora mund ta përdorni për zëvendësimin e, ose ta xhironi në krah të, një sistemi tjetër operativ, të tillë si Microsoft Windows™ ose Mac OS X™. Sistemi operativ Fedora është 100% pa kosto, që ta shijoni dhe t’ua jepni edhe të tjerëve.

Projekti Fedora është emri i një bashkësie mbarëbotërore personash që duan, përdorin dhe krijojnë software të lirë. Që duan të jenë në ballë të krijimit dhe përhapjes së kodit dhe lëndës së lirë, duke punuar tok në një bashkësi. Fedora sponsorizohet nga Red Hat, mundësuesi më i besueshëm në botë për teknologji me burim të hapët. Red Hat investon te Fedora që të nxisë bashkëpunimin dhe të mbajë në inkubacion teknologji të reja risore software-i të lirë.

Çfarë e bën Fedora-n të ndryshme?

Besimi në vlerën e software-it të lirë, dhe përpjekjet për mbrojtjen dhe promuovimin e zgjidhjeve që mund t’i përdorë dhe rishpërndajë kushdo.

Besimi në fuqinë e bashkëpunimit. Zhvilluesit te Fedora punojnë tok me ekipe pararojë projektesh software-i të lirë anembanë botës. Këta krijojnë mjaft nga software-i që gjendet në Fedora. Puna në të njëjtin drejtim me këto ekipe projektesh mund të garantojë që software-i i lirë të funksionojë më mirë dhe të ofrojë punimin më të mirë për përdoruesit.

Besimi në fuqizimin e të tjerëve që të ndjekin përfytyrimin e tyre të një sistemi operativ të lirë. Cilido mund ta bëjë Fedora-n pjesë të një produkti të ri, me një emër të ri. Në fakt, Fedora është tashmë në themel të shpërndarjesh derivative, të tilla si Red Hat Enterprise Linux, One Laptop Per Child XO, dhe të Creative Commons DVD-ve Live Content nga Creative Commons‘.

Cilat janë vlerat bazë të Fedora-s?

Liria

Përdorni dhe rishpërndani software-in dhe lëndën e lirë, alternativat e lira karshi kodit dhe lëndës pronësore. Në këtë mënyrë, cilido mund të përdorë për qëllimet e veta çfarëdo nga vepra jonë, pa pengesa ligjore, për përhapjen e mëtejshme të software-it të lirë.

Miq

Suksesi vjen nga një bashkësi e fuqishme, e përbërë nga njerëz nga e gjithë bota, që punojnë tok. Te Fedora ka vend për këdo që përkrah vlerat tona dhe dëshiron të ndihmojë. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin hapur dhe tejdukshëm, dhe përmes një partneriteti të fuqishëm me sponsorët tanë, mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Veçori

Krijimi i veçorive të reja teknike e bën software-in e lirë më të fuqishëm, më të epshëm, dhe më të dobishëm për miliona persona. Nuk shqetësohemi se po prishim status quo-në, kur kështu mund ta shpiem software-in e lirë përpara më me efekt. Dhe e bëjmë duke bashkëpunuar drejtpërsëdrejti me mjaft bashkësi software-esh, puna e të cilave shpërndahet përmes Fedora-s.

Të parët

Me dy hedhje në qarkullim çdo vit, kurrë nuk do t’ju duhet të prisni gjatë që të shihni fjalën e fundit në software. Besojmë në fuqinë e risisë, ndaj i shfaqim gjërat e reja në qarkullimet tona. Bëjmë gjithmonë përpara me Fedora-n, që kështu të mund të shihni të parët të ardhmen.

In praise of Fedora

Fedora përfaqëson shumë më tepër se një sistem operativ të shkëlqyer:

  • 100% e lirë dhe Me Burim të Hapët – Fedora është 100% falas dhe përbëhet nga software i lirë & me burim të hapët.
  • Mijëra Zbatime të Lira – Me më shumë se 10 000 paketa, Fedora e ka një zbatim edhe për ju.
  • Pa Viruse dhe Spyware – Mjaft me belara antivirusesh dhe spyware-esh. Fedora është me bazë Linux dhe e sigurt.
  • Një Bashkësi Mbarëbotërore – Ndërtuar nga një bashkësi mbarëbotërore pjesëmarrësish, ka edhe për ju një site web në gjuhën tuaj.
  • Një OS Çuditërisht i Fuqishëm – Fedora është baza e Red Hat Enterprise Linux-it, një OS i fuqishëm për nivel ndërmarrjesh.
  • Ndajeni me Miqtë – Fedora mund të shkëmbehet lirisht! Jepuani miqve dhe familjes tuaj, pa problem!
  • Grafikë e Hijshme – Përdoreni kompjuterin me stil, përmes mjaft sfondesh dhe temash të hapura e të hijshme!
  • Miliona Instalime – Fedora është shkarkuar me miliona herë. Bëhet fjalë për t’u bërë pjesë e një bashkësie të madhe!

Sa më sipër dhe të tjera hollësi të këtij lloji mund t’i gjeni më gjerë te ndarja për Shqipen në projektin Fedora.

© 2012-2017 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.