Të Marrësh Pjesë te Mozilla
Në vijim të disa videove të tjera lidhur me Mozilla-n, ja një tjetër që përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes së thjeshtë të shumëkujt:
Çfarë është Mozilla? Disa prej figurave kyçe të projekti, apo lëvizjes, përpiqen ta shpjegojnë në këtë video:
Çfarë e bën ndryshe nga të tjerët në llojin e vet shfletuesin pararojë të Mozilla-s?
Transkripti (për nevoja të çfarëdoshme):
Jemi jo pak të kënaqur që jemi shfletuesi i çuditshëm. Nuk kemi iniciale aksionesh për t’ia dhënë shtypit bashkë me emrin tonë. Nuk kemi fitime. Nuk kemi yje roku që i vëmë mbi të tjerët. Nuk bëjmë po ato pazare, nuk nënshkruajmë po ato kontrata, apo shtrëngojmë po ato duar, si gjithkush tjetër. Dhe ndjehemi mirë me tërë këtë. Jemi një grup njerëzish me frymëzim të pavarur, thellësisht jokonvencionalë që gjërat i bëjnë pakëz ndryshe. Atje ku një shoqëri tjetër do të çmonte fitimin ne çmojmë… vlerat. Kur konkurrenti vret mendjen se si ta bëjë diçka pronësore, ne luftojmë ta lëmë të lirë. Dhe teksa shumica e produkteve dhe teknologjive zhvillohen pas dyersh të mbyllura, tonat kultivohen nën qiell të hapur, mund t’i shohë gjithkush. Nuk na duhet të përgjigjemi para aksionerësh. Përgjigjemi vetëm para jush. Dhe nuk veprojmë kështu se na duket zbavitëse, edhe pse është tejet zbavitëse. Veprojmë në këtë mënyrë ngaqë besojmë se është gjëja e duhur për t’u bërë. Besojmë në parimet e jo te fitimet. Besojmë se ndershmëria fiton mbi sekretin, dhe bashkësia mbi interesat e korporatave. Besojmë se është më mirë të përkujdesesh për web-in se sa ta kesh pronë, ta shohësh si burim që do mbrojtur se sa si mall për shitje. Dhe besojmë fort në risitë që e vënë përdoruesin në ballë dhe në timon. Por më e rëndësishmja, besojmë te ju. Besojmë se shfletuesi më i mirë i botës u bë i mundur nga inxhinierë, programues, grafistë, dhe njerëz si ju, që japin kohë nga e tyrja, talent, energji dhe përkrahje për kauzën. Dhe besojmë se tok, me këtë kauzë në mendje, mund të vazhdojmë me risi në përfitim të individit, dhe përmirësimit të web-it. Që kështu, përherë e përgjithmonë, t’i shërbehet të mirës së përgjithshme. Jemi të tërë Mozilla Firefox. Nuk jemi thjesht një shfletues ndryshe. Jemi një shfletues që sjell ndryshim.
Një video që ilustron grafikisht dhe hijshëm historinë e derisotshme të Mozilla-s dhe misionit të saj:
Transkriptimi i videos, për nevoja të çfarëdoshme, vijon më poshtë:
Në fillimet e veta web-i qe i thjeshtë, i ndërlidhur, i hapët, i sigurt, i konceptuar si një forcë e së mirës, por do të shndërrohej në diçka shumë më të madhe, një ekosistem i gjallë, që merr frymë në shërbim të njerëzimit, një burim publik për risi dhe mundësi. Një vend për të vënë në jetë ëndrrat tuaja.
Por në ato fillime, si për çdo ekosistem, web-i kish nevojë për mëkim. Ndërkohë që rritej, përdoruesit u ndeshën me sfida të reja. Flluska. Viruse. Mungesë zgjedhjesh. Ngastra përmbajtjeje pas muresh të lartë. Web-i filloi të të fuste frikën. U bë i ngadaltë, i ndërlikuar, i frikshëm. Përdoruesit zunë të pyesnin: pra, kaq e pati? Apo web-i mund të ishte diçka më e mirë?
Një grup i vogël personash, programuesa, grafistë, idealistë, besonin se mund të bëhej i tillë. Dhe patën një ide të guximshme: një organizëm i vogël jofitimprurës dhe një bashkësi globale mund të krijonin diçka më të mirë dhe të fusnin në Web ide të reja dhe risi. E quajtën projekti Mozilla. Zunë fill duke krijuar një shfletues Web të një lloji të ri. Atë që sot e njohim si Firefox. Dhe e bënë jofitimprurëse, që njerëzit që përdornin Web-in të viheshin mbi gjithçka. Më shumë se sa një program, qe një platformë që gjithkush mund ta përdorte për të sendërtuar idetë e veta. Bezditë zunë të pakësoheshin. Filluan të shfaqen themelet e Web-it që njohim sot.
Sot Web-i është një vend ku mund të ngrini thuajse çfarëdo gjëje që ju vjen në mend. Mozilla dhe Firefox-i ekzistojnë për të ndihmuar njerëzit ta rrokin këtë mundësi kudo dhe të dalin në ballë të përdoruesve, në një botë ku mundësia e zgjedhjes dhe kontrolli janë të rrezikuara shumë shpesh.
Por, po sikur Firefox të qe vetëm fillimi? Po sikur të qe pjesë e diçkaje më të madhe? Nga privatësia e përdoruesit te Firefox Mobile, te zbatimet dhe identiteti, po i zgjerojmë çdo ditë kufijtë e web-it Dhe po shkojmë më tej se sa software-et. Po ndihmojmë në formimin e një brezi ndërtuesish web. Besojmë se web-i është një vend ku cilido
mund të vijë të materializojë ëndrrat e veta. Ja pse e krijuam Firefox-in. Ja pse dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë në krijimin e produkteve tona. Ja pse qindra milionë anembanë botës përdorin programet tona. Por më e rëndësishmja — ja pse gjithmonë ju vëmë juve mbi gjithçka, dhe përballemi me ata që nuk e bëjnë këtë.
Miliona vetë na dinë si Mozilla Firefox. Por jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një organizëm jofitimprurës që lufton për mbrojtjen e web-it që të gjithë e duam. Bashkohuni me ne – na duhet përkrahja juaj. Bëni një dhurim.
Në këtë video të shkurtër, pak më tepër se 4 minuta, Tristan Nitot, president i Mozilla Europe-s, shpjegon thjesht se çfarë është dhe çfarë sjell përshpejtimi hardware te Firefox 4 Beta:
Shtysa për postimin që vijon erdhi prej një artikulli në Shekullin e para disa ditëve, Sëmundja Foshnjore Powerpoint. Përmbledhtas, ajo që ka interes për tematikën e blogut të këtushëm është përdorimi i disa termave në trajtë të papërkthyer. Apo ndoshta është më mirë të flitet për trajta, sa kohë që nuk ka një të tillë të vetme, por disa, secila ende e pakanonizuar.
Në artikull përdoret për herë të parë një term i ri, bulletizim, që nuk përfaqëson gjë tjetër veç analizë ose listë me pika (kyçe u thoshin dikur, apo përmbledhëse?). Për ata që nuk e kanë ndeshur deri më sot, grafikisht do të ishte diçka e tillë:
Nuk jam i bindur se sa i nevojshëm është ky term i ri, ose çfarë nevojash do të përmbushte, të cilat nocioni i vjetër i listës me pika nuk i përmbush më. Megjithatë, le ta mbajmë shënim hëpërhë. Por le të vëmë njësoj në dukje që vetë autori, përgjatë artikullit, flet për lista të bulletizuara, që nuk janë gjë tjetër veç një formë grafike paraqitjeje e listave, njëlloj me një të tillë të numëruar, ose ku elementet radhiten njëri mbi tjetrin dhe tregohen grafikisht me një simbol tjetër, * të themi:
* Element
* Element
* Element
* Element
Tjetër përdorim që duhet shënuar është ai i termave të ndryshëm për diapozitivat. Përgjatë artikullit ato emërtohen edhe si kartela/slides/pamje rrëshqitëse/diapozitiva. Sajt (sic) është një tjetër rast që duhet nxjerrë në pah. Ky përdorim u shtohet atyre të site, sit, web-faqe, apo thjesht faqe. Së fundi, do hasni në artikull terma të tillë si shabllone resumé-sh, sondazhe opinioni, programe interaktive.
Disa prej termave të mësipërm mund të jenë ndeshur edhe më parë, përdorur nga autorë të ndryshëm. Po rasti i tanishëm ndryshon paksa, meqë përdorimi i tyre vjen nga dikush i njohur në punë të gjuhës. Përfshirja e hershme dhe e thellë e autorit në çështje të shqipes së sotme lyp padyshim vëmendje për raste të tilla, kur opinioni shpërfaqet në përdorimet e termave përkatës. Opinione të tilla, nga kolegë të tij, mbeten ende të rralla, e kjo vetëm e vështirëson orientimin këtu.
Është e vërtetë që pas kanonizimit hipotetik të njërës trajtë, hedhja e saj në përdorim është teknikisht e lehtë, për sa i takon programeve. Fjala vjen, le të mendojmë për një çast se vendoset që të përdoret trajta sajt. Zëvendësimi i çfarëdo trajte tjetër me të kanonizuarën, te përkthimi i një programi, është punë minutash. Por nuk dihet nëse kjo do të sillte birësimin vetvetiu të trajtës së kanonizuar në përdorimin praktik. Nuk ka ende shembuj të qartë që mund të ilustronin procesin. Gjendemi në një fushë krejt të mjegullt, ndaj edhe zërat nga profesionistët janë kaq të nevojshëm.
Pyetja se cila shpërndarje Linux të zgjidhet është një nga ato me shumë përgjigje. Fedora është njëra prej përgjigjeve. Prej kohësh në qarkullim, mbetet një nga më të mirat, dhe përherë në pararojë të zhvillimeve për desktopin Linux.

Fedora është sistem operativ me bazë Linux, një suitë programesh që i mundëson funksionimin kompjuterit. Sistemin operativ Fedora mund ta përdorni për zëvendësimin e, ose ta xhironi në krah të, një sistemi tjetër operativ, të tillë si Microsoft Windows™ ose Mac OS X™. Sistemi operativ Fedora është 100% pa kosto, që ta shijoni dhe t’ua jepni edhe të tjerëve.
Projekti Fedora është emri i një bashkësie mbarëbotërore personash që duan, përdorin dhe krijojnë software të lirë. Që duan të jenë në ballë të krijimit dhe përhapjes së kodit dhe lëndës së lirë, duke punuar tok në një bashkësi. Fedora sponsorizohet nga Red Hat, mundësuesi më i besueshëm në botë për teknologji me burim të hapët. Red Hat investon te Fedora që të nxisë bashkëpunimin dhe të mbajë në inkubacion teknologji të reja risore software-i të lirë.
Besimi në vlerën e software-it të lirë, dhe përpjekjet për mbrojtjen dhe promuovimin e zgjidhjeve që mund t’i përdorë dhe rishpërndajë kushdo.
Besimi në fuqinë e bashkëpunimit. Zhvilluesit te Fedora punojnë tok me ekipe pararojë projektesh software-i të lirë anembanë botës. Këta krijojnë mjaft nga software-i që gjendet në Fedora. Puna në të njëjtin drejtim me këto ekipe projektesh mund të garantojë që software-i i lirë të funksionojë më mirë dhe të ofrojë punimin më të mirë për përdoruesit.
Besimi në fuqizimin e të tjerëve që të ndjekin përfytyrimin e tyre të një sistemi operativ të lirë. Cilido mund ta bëjë Fedora-n pjesë të një produkti të ri, me një emër të ri. Në fakt, Fedora është tashmë në themel të shpërndarjesh derivative, të tilla si Red Hat Enterprise Linux, One Laptop Per Child XO, dhe të Creative Commons DVD-ve Live Content nga Creative Commons‘.
Përdorni dhe rishpërndani software-in dhe lëndën e lirë, alternativat e lira karshi kodit dhe lëndës pronësore. Në këtë mënyrë, cilido mund të përdorë për qëllimet e veta çfarëdo nga vepra jonë, pa pengesa ligjore, për përhapjen e mëtejshme të software-it të lirë.
Suksesi vjen nga një bashkësi e fuqishme, e përbërë nga njerëz nga e gjithë bota, që punojnë tok. Te Fedora ka vend për këdo që përkrah vlerat tona dhe dëshiron të ndihmojë. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin hapur dhe tejdukshëm, dhe përmes një partneriteti të fuqishëm me sponsorët tanë, mund të bëjmë gjëra të mëdha.
Krijimi i veçorive të reja teknike e bën software-in e lirë më të fuqishëm, më të epshëm, dhe më të dobishëm për miliona persona. Nuk shqetësohemi se po prishim status quo-në, kur kështu mund ta shpiem software-in e lirë përpara më me efekt. Dhe e bëjmë duke bashkëpunuar drejtpërsëdrejti me mjaft bashkësi software-esh, puna e të cilave shpërndahet përmes Fedora-s.
Me dy hedhje në qarkullim çdo vit, kurrë nuk do t’ju duhet të prisni gjatë që të shihni fjalën e fundit në software. Besojmë në fuqinë e risisë, ndaj i shfaqim gjërat e reja në qarkullimet tona. Bëjmë gjithmonë përpara me Fedora-n, që kështu të mund të shihni të parët të ardhmen.
Fedora përfaqëson shumë më tepër se një sistem operativ të shkëlqyer:
Sa më sipër dhe të tjera hollësi të këtij lloji mund t’i gjeni më gjerë te ndarja për Shqipen në projektin Fedora.
Firefox 4 Beta vjen me një ndërfaqe të përditësuar, për të gjitha platformat, më elegante dhe më e lehtë për t’u përdorur. Me vendosjen e tyre të re, skedave iu është dhënë përparësia kryesore në anën pamore, për një shfletim më intuitiv dhe të efektshëm. Grupimi dhe, më gjerë, administrimi në përgjithësi i skedave është bërë më i kollajtë, duke e vënë theksin te përbërësja pamore e këtij akti.
Tanimë me Firefox Sync mund të njëkohësoni rregullimet, fjalëkalimet, faqerojtësit, historikun, skedat që kishit hapur para se të dilnit, dhe të tjera personalizime të këtij lloji, mes instalimeve të Firefox-it në pajisje të ndryshme (kompjuter, telefona celular, iPad, etj). Kështu do ta keni me vete Firefox-in tuaj, kudo që të gjendeni.
Firefox 4 Beta sjell përmirësime të mëdha në performancë, përfshi një motor të ri për JavaScript, JägerMonkey-in e Mozilla-s . Ndryshimin do ta vini re menjëherë te koha më e shkurtër e nisjes, apo te koha që i duhet për të paraqitur grafikë, dhe në përgjithësi në shpejtësi më të madhe gjatë ngarkimit të faqeve.
Në pararojë të zbatimit të standardeve HTML5 për videot, Firefox-i mbulon formatin WebM, që kështu të mund të shihni video në cilësi HD. Veç kësaj, mbulimi i HTML5-s e bën Firefox 4 të jetë gati të xhirojë zbatimet web më të mira të sotme dhe të nesërme.
Mbulimi i karakteristikave të reja CSS3, të tilla si Transitions dhe Transformations e bën të lehtë të shtohen animacione elegante në faqet Web.
Figurat SVG, që tani mbulohen nga Firefox-i, mund të përdoren për të prodhuar faqe web mahnitëse dhe që nuk shkojnë ndesh me performancën e site-it.
JetPack SDK lejon tashmë instalimin e shtesave Firefox pa qenë nevoja të riniset shfletuesi.
Firefox-i mundëson shfletim të pandërprerë në Windows, Linux, tani edhe Mac, edhe kur bllokohet shtojca Adobe Flash, Apple Quicktime ose Microsoft Silverlight. Nëse një nga këto shtojca të përdorura rëndom vithiset ose bllokohet, pjesa tjetër e Firefox-it nuk do të preket. Thjesht mund të ringarkoni faqen që të riniset shtojca dhe të riprovoni.
Firefox-i tani pranon urdhra nga ana e një site-i për kalim vetvetiu në lidhje të sigurt (https), në rast se kapen sulme mbi të dhëna të rezervuara ndërkohë që vizitohet site-i.
Disa video përshkruese të veçorive të reja që do të gjeni te Firefox 4 mund t’i shihni (në Anglisht) prej këtej. (Shihni për rrethin me një trekëndësh brenda – shenja që duhet klikuar për secilën video.)
Për ta shkarkuar mjafton të klikoni këtu. Pas kësaj mos harroni të jepni përshtypjet tuaja duke përdorur mekanizmin që ofron vetë programi. Vlerësimin tuaj do shihni të shfaqet te kjo faqe.
Kushdo që përdor kompjuterat, është i pambrojtur nga paditë e mundshme për shkelje të një apo më shumë patentash në këtë fushë. Kur vjen puna për ata që e shfrytëzojnë për të kryer biznes, apo një pjesë të tij, hipotezat bëhen më të frikshme. Sipas një shembulli të përmendur nga End Software Patents:
Nëse shisni online, sipas llogarisë më të freskët ka 4319 patenta që mund t’i keni shkelur. Nëse në plan keni edhe reklama, pagesa dhe planifikim dërgimi mallrash, lypset ta keni mendjen te rreth gati 11000 patenta.
Peticionin në Shqip mund ta lexoni dhe firmosni këtu.
Mozilla, një organizëm në dobi të publikut, i përkushtuar nxitjes dhe përhapjes së mundësisë së zgjedhjes dhe risive në Web, sot hodhi në qarkullim Firefox® 3.6-n, një përditësim i shfletuesit Web popullor, të lirë dhe me burim të hapur. Versioni më i ri i Firefox-it sjell veçori të fjalës së fundit, mbulim të një larmie të madhe standardesh Web dhe mundësinë për të pasur më tepër se 6 000 shtesa të lira, të cilat u lejojnë përdoruesve ta personalizojnë shfletuesin e tyre ashtu si duan.
Firefox 3.6-a është mbi 20% më i shpejtë se Firefox 3.5-a dhe mbart ndërhyrje të thelluara nën kapak, për përmirësimin e funksionimit gjatë punësh të përditshme në Web, si email, ngarkim fotosh, pjesëmarrje në rrjete shoqërore, e më tepër. Sjell gjithashtu anë të reja si tema shfletuesi të personalizueshme, të quajtura Persona, një përmirësues shtojcash shumë të përparuar, përmirësim funksionimi të JavaScript-it, dhe thellime te gjëra tashmë familiare, të tilla si Shtylla e Papërmbajtshme, për një punim më të mirë, më personal në Web.
Firefox 3.6-a është krijuar nga bashkësia mbarëbotërore Mozilla pjesëmarrësish të përkushtuar, përfshi mijëra programues të sprovuar, ekspertë sigurie, bashkësi përkthimi dhe asistence, dhe qindra mijëra testuesa aktivë. Më shumë se 350 milionë përdorues anembanë botës shijojnë shfletim të shpejtë dhe të sigurt me Firefox-in, si dhe personalizim të pashoq të tij.
Më poshtë gjenden disa nga veçoritë më joshëse të Firefox 3.6-s:
Personas: Personalizojeni pamjen e Firefox-it duke përzgjedhur tema të reja, të quajtura Personas, me një klik të vetëm dhe pa rinisje
Përditësues Shtojcash: Për t’ju mbajtur të paprekur nga cënueshmëri të mundshme sigurie, Firefox-i tash e tutje do t’i diktojë vetë shtojcat e vjetruara
Përmirësime Qëndrueshmërie: Firefox 3.6 i ka ulur shumë vithisjet e rrjedhura nga software-e palësh të treta – e tëra kjo pa sakrifikuar në ndonjë mënyrë aftësinë për zgjerim dhe thellim të programit
Plotësim Formularësh: Kur plotësohen formularë online, Firefox-i këshillon të dhëna sipas kutizës, bazuar në përgjigjet e zakonshme tuaja në kutiza të ngjashme
Funksionim: Përmirësim i funksionimit të JavaScript-it, ndjeshmërisë së shfletuesit në përgjithësi, dhe kohës së nisjes
Video dhe Audio të Hapura: Me sendërtimin më të mirë në botë për mbulim videoje dhe audioje HTML 5, tani videot mund të shfaqen sa tërë ekrani dhe mbulohen edhe kornizat poster
Mbulim për standardet më të fundit HTML5, përfshi File API për trajtim vendor kartelash
Mbulim shkronjash: Përtej shkronjave OpenType dhe TrueType, 3.6 tani mbulon Formatin e ri Web Open Font (WOFF)
Gradientë CSS: Mbulohen gradientët vijorë dhe rrezorë CSS që krijojnë mundësinë e kalimit më të butë nga ngjyra në ngjyrë
Orientim pajisjeje: Firefox 3.6 lejon njohjen nga faqet Web të drejtimit të laptopit apo pajisjes
Firefox 3.6-a është gati për Windows, Mac OS X, dhe Linux në më shumë se 70 gjuhë – më shumë platforma dhe gjuhë se cilido shfletues tjetër! Firefox 3.6-n, për sistemin operativ që përdorni dhe gjuhën që parapëlqeni, mund ta shkarkoni prej këtej.