Arkivë për etiketën 'shfletues'

opentochoice.org

Ujdia mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it, e cekur në këtë shkrim të para ca muajve, pritet të konkretizohet me një “skenë zgjedhjeje” që do t’u paraqitet përdoruesve në një nga përditësimet për Windows. Përmes kësaj skene, përdoruesit do të jenë në gjendje të njohin shkurtimisht dhe të instalojnë një ose disa prej shfletuesve që ofrohen. Skena në fjalë pritet të jetë e ngjashme me atë që mund të shihet këtu. Siç mund të shihet, zgjedhja është e larmishme, me emra të njohur dhe të panjohur. Mozilla përfaqësohet me Firefox-in. Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë që ka zgjedhja e shfletuesit Web sot, dhe si një vend ku mund të diskutohet më imtësisht për këtë temë, Mozilla ka krijuar një mini-site të vetin, opentochoice.org. Letra e hapur e dy drejtuesve të Mozilla-s, shërben më së miri për të përmbledhur thelbin e çështjes.

Shqipëria nuk hyn në vendet që preken nga marrëveshja mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it. Por problemi që trajton është njësoj i rëndësishëm për cilindo. Meqë shumica e përdoruesve në Shqipëri përdorin një kopje Windows-i që e ka origjinën në një prej vendeve të përfshira në ujdi, gjasat janë që skena e zgjedhjes nuk do t’u mungojë. Le të shpresojmë që opentochoice.org do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje të mirë. Këshilla jonë, nëse do të na kërkohej, është Opera ose Firefox-i, të dy produkte të pavarura, pararojë prej kohësh në fushën e tyre, të sigurt, falas, të plotë, me një shkallë personalizimi dhe përshtatje të pakrahasueshme me asnjë tjetër, dhe në Shqip.

“Stop Internet Explorer-it”, nga tre qeveri

Njoftimit të qeverisë gjermane, përfaqësuar nga BSI, lidhur me rreziqet që paraqet për sigurinë përdorimi i shfletuesit Internet Explorer, i janë bashkuar qeveria frënge dhe ajo australiane.

Përmes një njoftimi të vetin, CERTA, Qendra e Ekspertizës Qeveritare për Kundërpërgjigje dhe Trajtim të Sulmeve informatike, i këshillon përdoruesit në Francë të përdorin një shfletues alternativ.

Qeveria australiane po ashtu, nëpërmjet një njoftimi të botuar nga SSO, Nismë Qeveritare Australiane u bënte thirrje përdoruesve të përdorin shfletuesa alternativë.

BSI-ja është Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit dhe ka si objekt pune sigurinë në lëmin IT në Gjermani. BSI është organizmi bazë dhe kryesor që mbulon qeverinë federale me shërbime lidhur me sigurinë IT.

Simotra frënge, CERTA, u krijua për të përforcuar mbrojtjen e rrjeteve të shtetit nga sulmet informatike dhe është e atashuar pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, nën çatinë e Agjensisë Kombëtare të Sigurisë së Sistemeve të Informacionit (ANSSI). Një nga detyrat e saj është zbulimi i cënueshmërive që mund të prekin sigurinë e sistemeve të informacionit.

Shkaku që prodhoi njoftime të tilla ishte një cënueshmëri e panjohur te shfletuesi Internet Explorer, e që prek versionet 6,7 dhe 8, për sisteme Windows XP, Vista dhe Windows 7. Prodhuesi i Internet Explorer-it sapo ka njoftuar dje për ndreqjen e tij.

Mozilla u Jep Miliona Përdoruesve Firefox 3.6-n

Hidhet në qarkullim versioni i ri i Firefox-it, 3.6

Mozilla, një organizëm në dobi të publikut, i përkushtuar nxitjes dhe përhapjes së mundësisë së zgjedhjes dhe risive në Web, sot hodhi në qarkullim Firefox® 3.6-n, një përditësim i shfletuesit Web popullor, të lirë dhe me burim të hapur. Versioni më i ri i Firefox-it sjell veçori të fjalës së fundit, mbulim të një larmie të madhe standardesh Web dhe mundësinë për të pasur më tepër se 6 000 shtesa të lira, të cilat u lejojnë përdoruesve ta personalizojnë shfletuesin e tyre ashtu si duan.

Firefox 3.6-a është mbi 20% më i shpejtë se Firefox 3.5-a dhe mbart ndërhyrje të thelluara nën kapak, për përmirësimin e funksionimit gjatë punësh të përditshme në Web, si email, ngarkim fotosh, pjesëmarrje në rrjete shoqërore, e më tepër. Sjell gjithashtu anë të reja si tema shfletuesi të personalizueshme, të quajtura Persona, një përmirësues shtojcash shumë të përparuar, përmirësim funksionimi të JavaScript-it, dhe thellime te gjëra tashmë familiare, të tilla si Shtylla e Papërmbajtshme, për një punim më të mirë, më personal në Web.

Firefox 3.6-a është krijuar nga bashkësia mbarëbotërore Mozilla pjesëmarrësish të përkushtuar, përfshi mijëra programues të sprovuar, ekspertë sigurie, bashkësi përkthimi dhe asistence, dhe qindra mijëra testuesa aktivë. Më shumë se 350 milionë përdorues anembanë botës shijojnë shfletim të shpejtë dhe të sigurt me Firefox-in, si dhe personalizim të pashoq të tij.

Ç’ka të re te Firefox 3.6-a?

Më poshtë gjenden disa nga veçoritë më joshëse të Firefox 3.6-s:

Personas: Personalizojeni pamjen e Firefox-it duke përzgjedhur tema të reja, të quajtura Personas, me një klik të vetëm dhe pa rinisje
Përditësues Shtojcash: Për t’ju mbajtur të paprekur nga cënueshmëri të mundshme sigurie, Firefox-i tash e tutje do t’i diktojë vetë shtojcat e vjetruara
Përmirësime Qëndrueshmërie: Firefox 3.6 i ka ulur shumë vithisjet e rrjedhura nga software-e palësh të treta – e tëra kjo pa sakrifikuar në ndonjë mënyrë aftësinë për zgjerim dhe thellim të programit
Plotësim Formularësh: Kur plotësohen formularë online, Firefox-i këshillon të dhëna sipas kutizës, bazuar në përgjigjet e zakonshme tuaja në kutiza të ngjashme
Funksionim: Përmirësim i funksionimit të JavaScript-it, ndjeshmërisë së shfletuesit në përgjithësi, dhe kohës së nisjes
Video dhe Audio të Hapura: Me sendërtimin më të mirë në botë për mbulim videoje dhe audioje HTML 5, tani videot mund të shfaqen sa tërë ekrani dhe mbulohen edhe kornizat poster

Ç’ka të re, nën kapak, për zhvilluesit?

Mbulim për standardet më të fundit HTML5, përfshi File API për trajtim vendor kartelash
Mbulim shkronjash: Përtej shkronjave OpenType dhe TrueType, 3.6 tani mbulon Formatin e ri Web Open Font (WOFF)
Gradientë CSS: Mbulohen gradientët vijorë dhe rrezorë CSS që krijojnë mundësinë e kalimit më të butë nga ngjyra në ngjyrë
Orientim pajisjeje: Firefox 3.6 lejon njohjen nga faqet Web të drejtimit të laptopit apo pajisjes

Si të kihet Mozilla Firefox 3.6?

Firefox 3.6-a është gati për Windows, Mac OS X, dhe Linux në më shumë se 70 gjuhë – më shumë platforma dhe gjuhë se cilido shfletues tjetër! Firefox 3.6-n, për sistemin operativ që përdorni dhe gjuhën që parapëlqeni, mund ta shkarkoni prej këtej.

Komisioni Europian dhe Microsoft-i bien në ujdi

Komisioni Europian miratoi së fundi një vendim që përbën një ujdi lidhur me padinë kundër Microsoft-it. Marrëveshja parashikon një numër parimesh, sendërtimi i të cilëve do t’i lejojë përdoruesit të zgjedhë shfletuesin web që dëshiron. Po aq me rëndësi është mbrojtja e kësaj zgjedhje më pas, çka marrëveshja e parashikon. Deri më sot shmangia e Internet Explorer-it ka qenë e vështirë. Kjo për shkak mekanizmash të sendërtuara nga Microsoft-i në produktet e veta software, të cilat bëjnë ç’është e mundur t’i largojnë njerëzit nga shfletuesi i zgjedhur dhe t’i rikthejnë te IE-ja. Në marrëveshje i kërkohet Microsoft-it të përfshijë një “Skenë Zgjedhjeje”, përmes së cilës t’i ofrohet përdoruesit mundësia për zgjedhje mes shfletuesash. Pasi përdoruesi të ketë bërë zgjedhjen e vet, IE-ja nuk do të duhej të rishfaqej më vetvetiu.

Sipas Mitchell Baker-it, president i Mozilla Foundation-it, Mozilla është e kënaqur që parimet e saj mbi lirinë e përdoruesit në zgjedhje janë pasqyruar në marrëveshje.

Përfitimet praktike prej marrëveshjes mund të jenë më të pakta dhe/ose më të ngadalta se sa mund të pritet. Vërtet përdoruesi do të ketë mundësi zgjedhjeje, por kjo nuk përkthehet automatikisht si zgjedhje e një shfletuesi web tjetër nga IE-ja. Veç kësaj, këtë liri zgjedhjeje e gëzojnë edhe të ashtuquajturit OEM, pra shoqëritë që montojnë dhe shesin kompjutera. Metodat se si Microsoft-i mund të ushtrojë trysni ndaj këtyre përbën art më vete. Ndaj komentatorët kanë frikë se, nën një trysni të tillë, OEM-ët do të jenë të detyruar të vazhdojnë të funksionojnë duke ruajtur status quo-në e tanishme.

Por marrëveshja hap rrugën që, për përdoruesit që e dëshirojnë, të ketë një mundësi zgjedhje tjetër nga IE-ja. Dhe, sipas Asa Dotzler-it, figurë kyçe e Mozilla-s, ” e mira e kësaj qëndron te mundësia që na jepet për të edukuar përdoruesit lidhur me mospërdorimin e IE-së dhe, po qe se këtë e bëjnë një numër i mjaftueshëm përdoruesish, shitësit që e trupëzojnë IE-në në produktet e tyre, ndoshta do të reshtin së përdoruri këtë praktikë, dhe t’i lidhin produktet e tyre me shfletuesin parazgjedhje.”

Marrëveshja vlen vetëm për vendet që bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Jo se ndryshe do të kishte ndonjë ndikim të madh te përdoruesit në Shqipëri, por po e themi për hir të së vërtetës.

Firefox-i përparon edhe ndër shqiptarët

Disa statistika të botuara te Peshku Pa Ujë hedhin dritë mbi parapëlqimet e përdoruesve shqiptarë të Interneti lidhur me shfletuesat për Internetin. Për Firefox-in statistika të tilla kanë munguar deri më sot. Edhe pse jo të plota, edhe pse përfundimet që mund të nxirren flasin vetëm në mënyrë të tërthortë, prapëseprapë statistikat janë të kënaqshme dhe premtuese.
Rrjedha e sapo botuar te Peshku Pa Ujë, tregon se 32.4% e vizitorëve të PPU-së gjatë periudhës Gusht – Shtator përdorën Firefox-in për të lexuar faqet e Peshkut, ndërkohë që shifrat përgjegjëse për të njëjtën periudhë të vitit 2008 është 27.27%. Pra brenda një viti përdorimi i shfletuesit që vjen nga Burimi i Hapur është rritur me 5%. Ndërkohë që vizitat te PPU-ja të bëra me IE janë ulur brenda një viti me 10%.

Më konkretisht:

rritja e Firefox-it karshi rënies së IE

Pesë-vjetori i Firefox-it

Një vështrim mbi Firefox-in në pesë-vjetorin e tij


Firefox-i Sipas Numrave

  • Firefox-in e përdorin më tepër se 330 milionë vetë anembanë botës

  • Firefox-i është software i lirë dhe me burim të hapur, me afërsisht 40% të kodit të tij shkruajtur nga vullnetarë

  • Përqindja e tregut për Firefox-in është 24.7%% (sipas Net Applications, Tetor 2009)

  • Përqindja e tregut për Firefox-in në Europë është 34.47% (sipas Net Applications, Tetor 2009)

  • Deri në Gusht të 2009-s, Firefox-i qe shkarkuar më shumë se 1 miliardë herë

Shfletuesi Global

  • Firefox-i mund të kihet në më shumë se 70 gjuhë (duke mbuluar kështu më shumë se 97% të popullsisë botërore online)

  • Firefox-i është në përdorim në çdo vend të botës
  • Gati çdo version jo në Anglisht i Firefox-it është përkthyer nga vullnetarë të bashkësisë

  • Më tepër se 50% e përdoruesve të Firefox-it në botë përdorin versione jo në Anglisht

Ecuria në Kohë*

  • 9 Nëntor, 2004: qarkullon Mozilla Firefox 1.0

    • Veçori të reja:

      • Bllokim Flluskash – ndaloni reklama të bezdisshme në trajtë flluskash

      • Shfletim me Skeda – shihni më shumë se një faqe në një dritare të vetme

      • Vetësi dhe Siguri – Firefox e ruan të pastër kompjuterin nga spyware-e dashakeqë

      • Kërkime Më të Mençura – kërkimi është vendosur drejt e te paneli

      • Faqerojtësa të Gjallë – integrim i prurjeve RSS

      • Shkarkim Pa Telashe – kartela të ruajtura vetvetiu në desktopin tuaj

      • Miku Më i Mirë për Zhvilluesit – Firefox-i vjen me një set standard mjetesh zhvilluesi
    • Numër versionesh të përkthyer: 29

    • Përqindje tregu atë muaj: 1.2% (sipas Net Applications, Nëntor 2004)

  • 29 Nëntor, 2005: qarkullon Mozilla Firefox 1.5

    • Veçori të Reja
      • Përditësim i Vetvetishëm

      • Rirenditje Skedash me Drag and Drop

      • Pastrim të Dhënash Vetjake
    • Numër versionesh të përkthyer: 32

    • Përqindje tregu atë muaj: 8.5% (sipas Net Applications, Nëntor 2005)

  • 24 Tetor, 2006: qarkullon Mozilla Firefox 2.0

    • Veçori të reja
      • Rifreskim i Anës Pamore – u përditësuan temat dhe ndërfaqja e përdoruesit

      • Personalizoni Shfletuesin Tuaj – mbi 1000 Shtesa nga të cilat të zgjidhet

      • Siguri: Mbrojte e brendshme nga karremëzimet

      • Rikthim Sesioni

      • Kontroll i Brendshëm Drejtshkrimi

    • Numër versionesh të përkthyer: 37
    • Përqindje tregu atë muaj: 12.9%

  • 17 Qershor, 2008: qarkullon Firefox 3 dhe vendos një Rekord Botëror Guinness me numrin më të madh të shkarkimeve të një software-i brenda 24 orësh
    • Veçori të reja

      • Shtyllë e Mençur Vendesh

      • Faqerojtësa me Një Klikim

      • Etiketa

      • Shfletuesi Web Më i Sigurt – masa strikte kundër karremëzimeve dhe malware-eve / ID site-i web të atypëratyshme

      • Prodhimtari – kontroll i brendshëm drejtshkrimi / rikthim sesionesh / full zoom /

      • Personalizim – më shumë se 5000 Shtesa që t’ju ndihin për personalizim

    • Numër versionesh të përkthyer: 48

    • Statistika shkarkimesh

    • Përqindje tregu atë muaj: 19% (sipas Net Applications, Qershor 2008)

  • 30 Qershor, 2009: qarkullon Firefox 3.5

    • Veçori të reja

      • Shfletim Vetjak

      • Mbulim për HTML5 – video të hapur dhe audio të hapur

      • Shfletues i Ndjeshëm ndaj Vendit

      • Skeda të Shqitshme

      • Shkronja të Shkarkueshme

    • Numër versionesh të përkthyer: 73

    • Përqindje tregu atë muaj: 22.43% (sipas Net Applications, Qershor 2009)

  • 31 Tetor , 2009, qarkullon Firefox 3.6 Beta 1

Fuqia e Personalizimive

  • Mbi 6000 Shtesa Firefox-i falas, të krijuara me kontributin e bashkësisë – më tepër se për cilindo shfletues tjetër

  • 7 milionë shkarkime për Personas me 20 mijë hartime Personas kontribut i 10 mijë artistëve (Gusht 2009)

Kalimi në Celular

  • Përpjekjet e Mozilla-s drejt celularit, me emrin e koduar Fennec, bazohet në besimin se, pavarësisht se me ç’pajisje hyni në të, ka vetëm një Web

  • I ngritur mbi të njëjtën teknologji si Firefox-i, Fennec-u ka plot nga veçoritë e fuqishme të versionit desktop

Pse Firefox?

  • Projekti Firefox fillimisht quhej Phoenix, u ripagëzua për shkak problemesh me shenja tregtare. Emri zëvendues, Firebird, nxiti shqetësime te Firebird,
    një projekt i lirë software-i bazash të dhënash. Ndaj, më 9 Shkurt, 2004, Mozilla Firebird u bë Mozilla Firefox.

Rreth Mozilla-s

  • Mozilla është një organizëm jofitimprurës, në dobi të publikut, me më pak se 250 nëpunës

  • Mbështetemi nga një bashkësi globale disa-mijëshe e përkushtuar të na ndihmojë të krijojmë një Internet më të mirë

  • Misioni ynë është ta mbajmë Internetin të hapur dhe të lirë, përmes mbështetjes së lirisë së zgjedhjes, risive dhe mundësive në botën online

  • Mësoni më tepër rreth Mozilla-s

Bashkësia Mozilla

  • Më tepër se 1000 vullnetarë kontribuojnë me kod te Firefox-i

  • 20 mijë vetë shkarkojnë dhe provojnë përditësimet e përditshme të Firefox-it, dhe gati 1 milionë vetë shkarkuan dhe provuan Firefox 3.5 beta

  • mijëra vetë kontribuojnë te Mozilla përmes sistemit tonë për ndjekjen e projektit Bugzilla

  • SUMO, site-i i Mozilla-s i mirëmbajtur nga bashkësia, ndihmon mesatarisht 10 mijë përdorues të Firefox-it në javë

  • Studentë nga më shumë se 600 institucione në 57 vende përhapin Firefox-in nën rolin e Përfaqësuesit të Mozilla Campus-it

  • Për hedhjen në qarkullim të Nëntorit të 2004, 15 mijë vetë dhuruan shuma parash për të blerë një reklamë mbi Firefox-in te New York Times

*Listë e plotë e shënimeve të versionit: http://www.mozilla.com/en-US/firefox/releases/

* Listë e plotë e versioneve të përkthyera: ftp://ftp.mozilla.org/pub/mozilla.org/firefox/releases/


Linutop – lodra Linux pa hard disk

Linutop do të jetë një sistem Linux, që për 280 Euro do të ofrojë një sistem pa hard disk, i tëri në një kujtesë ROM, ndaj pritet të jetë i shpejtë, i heshtur dhe me konsum energjie shumë më të ulët se sa makinat e tanishme: vetëm 6W! (Krahasoheni këtë me 450W që kërkon makina ime e sotme.)

Me AbiWord-in si program shkrimi dhe përpunimi tekstesh, Evince PDF si lexues PDF-shë, Firefox-in si shfletues Web, Gaim-in si program fjalosjesh dhe Totem për të luajtur media përbën një alternativë të zgjuar për këdo që nuk e interesojnë lojrat në kompjuter dhe i nevojitet një për në shtëpi.
4 portat USB mjaftojnë që të lidhet me të një hard disk i jashtëm për ta shdërruar në një qendër multimedia, e cila nuk do të kishte zhurmën e kompjuterave të sotëm.

Testoni faqet web në shfletuesa të ndryshëm

Një projekt i ri ju lejon të keni një ide si duken faqet tuaja web nën shfletuesa të ndryshëm pa i patur të instaluar në makinën (makinat) tuaj.
Kushdo që merret me një faqe web qoftë edhe të thjeshtë e di se sa punë lehtëson kjo.

Shfletues apo Lundrues?

Te Forumi Shqiptar – Cilin shfletues (browser) preferoni?, propozohet përkthimi i termit browser si lundrues, në dëm të alternativës shfletues. Argumenti është një citim nga Oxford Dictionary. Vërtet, për përshkrimin e zhvendosjeve brenda WWW, termi lundroj është më i përshtatshëm, por kur bëhet fjalë për eksplorim të përmbajtjes që haset gjatë këtyre lundrimesh, termi lundrim nuk shpreh më thelbin e veprimit. Kjo është arsyeja që lindi nevoja e një termi tjetër dhe u përdor shfletimi, duke pasur fare të kapshme analogjinë me median e shkruar (flitet për faqe interneti pjesën më të madhe të kohës). Fakti që marrja e një libri në duar dhe/apo shfletimi i tij është një veprim kaq i njohur dhe familjar për këdo, (ose për pjesën më të madhe të gjindjes), e bën shumë më të lehtë të kuptuarit dhe, për pasojë, edhe përdorimin, në dobi të rrënjosjen pa vonesë e të shëndetshme të termit. Një kërkim me Google për dy rastet, lundrues Interneti dhe shfletues Internet jep 42 përfundime për Lundrues dhe 56 për Shfletues.
Për më tepër, shprehja që përdoret më shpesh, e pasaktë logjikisht, por me nuanca figurative kaq të dashura për të dashuruarit marrëzisht pas zhargonesh dhe eufemizmash, është surfing. Dhe surfing nuk është aspak i barasvlefshëm me lundrim. I rikthehemi Google-it për një çast:

surfing Internet: 4 420 000 përfundime
browsing Internet: 3 820 000 përfundime
navigating Internet: 399 000 përfundime

Pra, ndoshta është e arsyeshme të zgjidhet për t’u përkthyer një nga dy termat: surfing ose browsing. I pari nuk njihet fare në Shqip, i dyti mund të përshtat fare lehtë duke i dhënë një kuptim të ri një fjale tashmë të pranuar në Shqip prej një shekulli. Duke u shfaqur si zgidhja më ekonomike, më e lehtë, më e sigurtë, pa cënuar përmbajtjen, qëllimin e përkthimit.

« Faqja e Mëparshme