Arkivë për etiketën 'Shqipëria'

Përkrahësit e Software-it të Lirë dhe Dijes së Hapur organizohen edhe në Shqipëri

Një grup nismëtarësh po përpiqet sa mundet të themelojë një shoqatë shqiptare në përkrahje të Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur.

projekt-stema e shoqatës

Diskutimet lidhur me hapat fillestare të krijimit dhe vendosjes në baza ligjore të shoqatës po zhvillohen te grupi Google flossal

Siç mund të shihet aty, gjërat janë ende të turbullta. Por ndihma e kujtdo është e mirëpritur, pavarësisht nëse vjen nga mjeshtra të teknologjisë, apo thjesht nga dashamirës të gjuhës shqipe, nga programues të sprovuar apo nga nxënës që mund të shpërndajnë fletëpalosje te dera e shkollës në pushimin e madh. Cilido që ka pak kohë dhe dëshiron të ndihmojë, ka rastin të bëjë diçka. Kjo thirrje është për të gjithë ne që kemi gëzuar frytet e Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur prej kohësh. Le të ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

opentochoice.org

Ujdia mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it, e cekur në këtë shkrim të para ca muajve, pritet të konkretizohet me një “skenë zgjedhjeje” që do t’u paraqitet përdoruesve në një nga përditësimet për Windows. Përmes kësaj skene, përdoruesit do të jenë në gjendje të njohin shkurtimisht dhe të instalojnë një ose disa prej shfletuesve që ofrohen. Skena në fjalë pritet të jetë e ngjashme me atë që mund të shihet këtu. Siç mund të shihet, zgjedhja është e larmishme, me emra të njohur dhe të panjohur. Mozilla përfaqësohet me Firefox-in. Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë që ka zgjedhja e shfletuesit Web sot, dhe si një vend ku mund të diskutohet më imtësisht për këtë temë, Mozilla ka krijuar një mini-site të vetin, opentochoice.org. Letra e hapur e dy drejtuesve të Mozilla-s, shërben më së miri për të përmbledhur thelbin e çështjes.

Shqipëria nuk hyn në vendet që preken nga marrëveshja mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it. Por problemi që trajton është njësoj i rëndësishëm për cilindo. Meqë shumica e përdoruesve në Shqipëri përdorin një kopje Windows-i që e ka origjinën në një prej vendeve të përfshira në ujdi, gjasat janë që skena e zgjedhjes nuk do t’u mungojë. Le të shpresojmë që opentochoice.org do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje të mirë. Këshilla jonë, nëse do të na kërkohej, është Opera ose Firefox-i, të dy produkte të pavarura, pararojë prej kohësh në fushën e tyre, të sigurt, falas, të plotë, me një shkallë personalizimi dhe përshtatje të pakrahasueshme me asnjë tjetër, dhe në Shqip.

Ndihmoni që Firefox-i të vendosë rekord Guinness

Firefox 3-shi nuk është shumë larg nga dita e hedhjes zyrtarisht në qarkullim. Për ta bërë më pikante ngjarjen, Spreadfirefox-i mendoi një rrugë më tepër për të ndihmuar në përhapjen e Firefox-it: bërjen e Firefox 3-shit programin që do të vendosë rekord Guinness si programi më i shkarkuar brenda 24 orësh.
Përdoruesit nga Shqipëria, përgjithësisht kanë treguar pak ngazëllim për programin në fjalë. Po për habi, Shqipëria është e para për nga numri i zotimeve deri në këtë minutë. Zotimet mund të shihen duke vizituar lidhjen e fushatës në fjalë. Ndoshta ka diçka që nuk shkon me mënyrën e numërimit të zotimeve sipas vendeve. Sepse nuk ka se si përdoruesit nga Shqipëria të tejkalojnë ata nga Gjermania apo Polonia, vende ku Firefox-i ka një bazë të rëndësishme përdoruesish. Në të kundërt, ky do të ishte lajm i shumëpritur.
Pavarësisht se sa i vërtetë është të qenët e Shqipërisë në krye, nëse Firefox-i është një program i dashur për ju, jepni ndihmesën tuaj me një zotim për shkarkimin e Firefox 3-shit në ditën e shpallur si Dita e Shkarkimeve për të.

© 2012-2017 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.