Arkivë për etiketën 'software i lirë'

Intervistë e Richard Stallman-it dhënë revistës BYTE

Richard Stallman flet me redaktorët e BYTE-it, për sistemin e tij të software-it nën përkatësi publike, të përputhshëm me Unix, (Korrik 1986)

Richard Stallman ka ndërmarë ndoshta projektin më ambicioz në zhvillime software-i të lirë deri më sot, sistemin GNU. Te Manifesti i tij i GNU-së, botuar në numrin e Mars-it të 1985-s të Dr. Dobb’s Journal, Stallman e përshkroi GNU-në si një “sistem software-i të përputhshëm me Unix, të cilin po e shkruaj që të mund t’ia jap lirisht kujtdo që mund ta përdorë… Pasi GNU-ja të jetë shkrojtur, gjithkush do të jetë në gjendje të ketë një sistem software-i lirisht, njësoj si ajrin.” (GNU është shkurtim për GNU’s Not Unix; “G” shqiptohet.)

Stallman njihet gjerësisht si autori i EMACS, një përpunues tekstesh i fuqishëm, të cilin e hartoi në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në MIT. Nuk është rastësi që copa e parë e një software-i prodhuar si pjesë e projektit GNU qe një sendërtim i ri i EMACS. GNU EMACS ka fituar tashmë famën si një prej sendërtimeve më të mira të tanishme për EMACS, për çfarëdo çmimi.

BYTE: Në numrin e Marsit, 1985, të Dr. Dobb’s lexuam nga ju Manifestin e GNU-së. Ç’ka ndodhur që prej atëhere? A qe ky fillimi vërtet, dhe si keni ecur nga andej e tëhu?

Stallman: Botimi te Dr. Dobb’s s’qe fillimi i projektit. Manifestin e GNU-së e shkrojta kur po përgatitesha të nisja projektin, si një ftesë për t’u kërkuar prodhuesve të kompjuterëve financim. Ata nuk deshën të përfshiheshin dhe vendosa që më mirë se sa të harxhoj kohë nga e imja, me përpjekje për sigurim fondesh, më takonte ta harxhoja duke shkruajtur kod. Manifesti u botua rreth një vit e gjysmë pasi e pata shkruajtur, kur sapo kisha filluar të shpërndaja GNU EMACS. Që prej atëherë, veç plotësimit të mëtejshëm të GNU EMACS dhe aftësimit të tij të xhirojë në më shumë lloje kompjuteri, thuajse kam përfunduar optimizimin e përpiluesit C dhe krejt programet e tjera që nevojiten për xhirimin e programeve në C. Kjo përfshin një diagnostikues në nivel burimi, i cili ka mjaft veçori që të tjerë diagnostikuesa në nivel burimi për Unix nuk i kanë. Për shembull, ka ndryshore të leverdishme brenda diagnostikuesit e kështu mund të ruani vlera, dhe ka po ashtu historik të krejt vlerave që keni dërguar në shtypës, duke e bërë tmerrësisht më të kollajtë të gjurmohet përreth strukturash listë.

BYTE: Keni përfunduar një përpunues që tani është shpërndarë gjerësisht dhe jeni duke përfunduar një përpilues.

Stallman: Pres që të ketë përfunduar këtë Tetor.

BYTE: Po për kernelin?

Stallman: Kam në plan tani të filloj me kernelin që qe shkruar në MIT dhe që iu dha publikut së fundi, me idenë se do ta përdorja. Ky kernel quhet TRIX; bazohet në procedura thirrjesh në distancë. Ende më duhet t’i shtoj përputhshmërinë për një numër karakteristikash të Unix-it, të cilat hëpërhë nuk i ka. Nuk kam filluar akoma të merrem me të. Po përfundoj përpiluesin, përpara se të vazhdoj me kernelin. Do të më duhet edhe të rishkruaj sistemin e kartelave. Synoj ta bëj të paprekshëm nga dështimet, thjesht duke e bërë që të shkruajë blloqe në rendin e duhur, që kështu struktura e diskut të jetë përherë konsistente. Mandej dua të shtoj numra versioni. Kam një skemë të ndërlikuar për pajtimin e numrit të versioneve me mënyrën se si e përdorin njerëzit Unix-in. Duhet të jeni në gjendje të tregoni emra kartelash pa numra versionesh, por duhet po ashtu të jeni në gjendje t’i përcaktoni ato me numra versioni shprehimisht, dhe që të dyja duhet të funksionojnë me programet e zakonshëm Unix, ende të pandryshuar në ndonjë mënyrë për të trajtuar këtë veçori. Mendoj se e kam një skemë për ta bërë këtë gjë, dhe vetëm prova do të më tregojë se a e përmbush vërtet qëllimin.

BYTE: A keni një përshkrim për të na dhënë rreth se si GNU, si sistem, ka për të qenë sipëror ndaj sistemeve të tjerë? Dimë që një nga objektivat tuaj është të prodhoni diçka që është e përputhshme me Unix. Por të paktën në fushën e sistemeve të kartelave keni thënë tashmë se do të shkoni tej Unix-it dhe do të prodhoni diçka që është më e mirë.

Stallman: Përpiluesi C do të prodhojë kod më të mirë e që xhiron më shpejt. Diagnostikuesi është më i mirë. Për secilën copë, mund të gjej ose jo një mënyrë për ta përmirësuar. Por nuk ka përgjigje për këtë pyetje. Deri diku po përfitoj nga shansi i risendërtimit, çka i bën shumë sisteme më të mirë. Deri diku kjo vjen ngaqë kam qenë i fushës për një kohë të gjatë dhe kam punuar në mjaft sisteme të tjerë. Kështu që kam plot ide për të shtuar. Një drejtim në të cilin do të jetë më i mirë është fakti që, praktikisht, çdo gjë në sistem do të punojë mbi kartela të çfarëdo madhësie, rreshta të çdo madhësie, me çfarëdo shenjash që përmbajnë këta. Sistemi Unix është mjaft dobët në këtë drejtim. Parimi i krijimit të software-eve, sipas të cilit nuk ka pse të ketë kufij arbitrarë për mundësitë tuaja, nuk është i ri. Por qe thjesht praktika standarde në shkrimin e Unix-it që  vendosi të tillë gjithë kohës, mundet thjesht ngaqë shkruanin për kompjutera shumë të vegjël. Kufiri i vetëm në sistemin GNU është kur programi juaj ka konsumuar krejt kujtesën, ngaqë provoi të punojë mbi më shumë të dhëna se sa mundej, dhe nuk ka vend për t’i mbajtur të tëra.

BYTE: Dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë, po qe se keni kujtesë virtuale. Thjesht zgjidhja mund të vonojë pambarim.

Stallman: Në fakt këto kufizime priren të ndikojnë në një kohë shumë më herët se sa nevojitet për të mbërritur te zgjidhja.

BYTE: A mund të thoni diçka mbi llojet e makinave dhe mjediset për të cilat GNU EMACS është përshtatur të xhirojë veçanërisht? Tani ai xhiron në VAX-e; a ka migruar në ndonjë formë te kompjuterat personalë?

Stallman: Nuk jam i sigurt se çfarë kuptoni me kompjutera personalë. Për shembull, një Sun a është kompjuter personal? GNU EMACS lyp të paktën një megabajt kujtesë në dispozicion, mundësisht edhe më tepër. Përdoret normalisht në makina që kanë kujtesë virtuale. Hiq rastet për disa probleme teknike në pak përpiluesa C, thuajse çfarëdo makine me kujtesë virtuale dhe që xhiron një version deri diku të ri të Unix-it do ta xhirojë GNU EMACS, dhe shumica e tyre vërtet e xhirojnë.

BYTE: Ka provuar ndokush t’i kalojë në Atari apo në Macintosh-a?

Stallman: Atari 1040ST ende nuk ka kujtesë të mjaftueshme. Makina e ardhshme Atari, them, do ta xhirojë. Po ashtu, mendoj se Atari-t e ardhshëm do të kenë ndonjë formë projektimi kujtese. Sigurisht, nuk po e hartoj software-in që të xhirojë në llojet e kompjuterave që janë mbizotërues sot. E dija, që kur e fillova këtë projekt, se do të më merrte ca vite. Ndaj vendosa që të mos e bëja më keq një sistem, duke u ndeshur me sfidën e të bërit të xhirojë në mjediset e sotme të kufizuara. Në vend të kësaj, do ta shkruaj në mënyrën që duket më e natyrshmja dhe më e mira. Kam besim se edhe nja dy vite dhe makinat me madhësi të mjaftueshme kujtese do të jenë mbizotërueset. Në fakt, rritja e madhësisë së kujtesës po ndodh kaq shpejt, sa që më lë gojëhapur fakti se sa ngadalë po ecin shumica e njerëzve me vendosjen e kujtesës virtuale. Mendoj se është krejtësisht thelbësore.

BYTE: Mendoj se njerëzit nuk e shohin si vërtet të nevojshme në makinat për një përdorues.

Stallman: Nuk kuptojnë që një përdorues nuk do të thotë një program i vetëm. E qartë që për çfarëdo sistemi të ngjashëm me Unix është e rëndësishme aftësia e xhirimit të shumë proceseve të ndryshme në të njëjtën kohë, edhe pse për vetëm një nga ju. Mund ta xhironit GNU EMACS në një makinë pa kujtesë virtuale me kujtesë të mjaftueshme, por nuk mund të xhironi dhe aq mirë pjesën tjetër të sistemit GNU në një sistem Unix.

BYTE: Sa LISP është i pranishëm në GNU EMACS? Mu duk se mund të jetë e dobishme të përdoret si një mjet për të mësuar LISP.

Stallman: Sigurisht që mund ta bëni këtë. GNU EMACS përmban një sistem LISP të plotë, edhe pse jo shumë të fuqishëm. Është mjaft i fuqishëm për shkrim urdhrash përpunuesi. Nuk krahasohet me, të themi, një Common LISP System, diçka që do ta përdornit vërtet për programim sistemi, por ka krejt gjërat që duhet të ketë LISP-i.

BYTE: A keni ndonjë parashikim se kur do të ishit në gjendje të shpërndanit një mjedis që funksionon, në të cilin, kur ta vendosnim në makinat apo stacionet tanë të punës, të mund të bënim punë në mënyrë të arsyeshme, pa përdorur gjë tjetër veç kodit që shpërndani?

Stallman: Është vërtet e zorshme të thuhet. Kjo mund të ndodhte për një vit, po sigurisht mund të zgjaste më tepër. Mund edhe të mendohej se mund të zgjaste më pak, por as kjo nuk është edhe aq e mundur tanimë. Mendoj se do ta kem përpiluesin të përfunduar për një muaj a dy. E vetmja pjesë pune tjetër e madhe që më duhet të bëj është tek kerneli. Fillimisht parashikoja që GNU-ja do të merrte diçka si dy vjetë, por kaluan dy vjetë e gjysmë dhe ende nuk kam mbaruar. Një pjesë e shkaqeve të vonesës është fakti që shpenzova goxha kohë duke punuar për një përpilues që doli se qe rrugë pa krye. Mu desh ta rishkruaj plotësisht. Një arsye tjetër është që shpenzova kaq shumë kohë për GNU EMACS. Fillimisht mendova se nuk kisha pse e bëja fare këtë.

BYTE: Na thoni diçka për skemën tuaj të shpërndarjes.

Stallman: Nuk i vendos software-et apo doracakët për ta në përkatësi publike, dhe arsyeja për këtë është se dua që të sigurohet që tërë përdoruesit do të jenë të lirë t’i shpërndajnë. Nuk dua kënd të bëjë një version të përmirësuar të ndonjërit nga programet që kam shkruajtur dhe ta shpërndajë si pronësor. Dua që kjo të mos jetë e mundur. Dua të nxis përmirësimet e lira të këtyre programeve, dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është heqja e çfarëdo tundimi për një person për të bërë përmirësime jo të lira. Po, pak prej tyre do të heqin dorë nga kryerja e përmirësimeve, por përmirësimet do t’i bëjnë shumë të tjerë dhe do t’i bëjnë të lira.

BYTE: Dhe ç’mund të na thoni për garantimin e kësaj?

Stallman: Këtë e bëj duke i vendosur programet nën të drejta kopjimi dhe duke shtuar një shënim me të cilin u jepet njerëzve shprehimisht leja të kopjojnë programet dhe t’i ndryshojnë ato, por vetëm me kusht që t’i shpërndajnë po sipas të njëjtave kushte që përdora, po qe se vjen puna. Nuk e keni detyrim të shpërndani ndryshimet që i bëni ndonjërit prej programeve të mia – mund t’i bëni thjesht për veten, dhe nuk e keni detyrim t’ua jepni apo tregoni ndokujt. Por po ua dhatë ato dikujt tjetër, duhet ta bëni sipas po atyre kushteve që unë përdor.

BYTE: Përfitoni ndonjë të drejtë mbi kod të ekzekutueshëm të rrjedhur nga përpiluesi C?

Stallman: Ligji i të drejtave të kopjimit nuk më jep të drejta kopjimi mbi frutet e marra prej përpiluesit, pra nuk më jep ndonjë rrugë që të më lejojë të them diçka mbi këtë, dhe në fakt as që përpiqem. Nuk kam simpati për njerëz që zhvillojnë produkte pronësore, me çfarëdo përpiluesi qoftë, por nuk duket kushedi e dobishme të provohet të pengohen këta prej zhvillimit me këtë përpilues, ndaj nuk kam për ta bërë.

BYTE: A prekin kufizimet tuaja persona që marrin një copë kodi për të prodhuar gjëra të tjera?

Stallman: Po, nëse trupëzojnë të ndryshuar çfarëdo cope të cilës mund t’i matet madhësia. Po qe se bëhet fjalë për dy rreshta kod, për kaq është e kotë; të drejtat e kopjimit nuk zbatohen mbi këtë rast. Në thelb, këto kushte i kam zgjedhur që së pari të ketë të drejta kopjimi, çka është krejt ajo që përdorin grumbulluesit e software-eve për të penguar këdo të bëjë çfarëdo gjëje, e mandej shtoj një shënim që jep një pjesë të këtyre të drejtave. Pra, kushtet merren vetëm me gjëra për të cilat zbatohen të drejtat e kopjimit. Nuk besoj se arsyeja pse do të duhej t’u bindeshim këtyre kushteve është për shkak të ligjit. Arsyeja pse duhet t’u bindeni është se një person i drejtë kur shpërndan një software nxit të tjerë persona ta ndajnë me të tjerët edhe më tej.

BYTE: Në një farë kuptimi, ju i nxisni njerëzit drejt kësaj mënyre të menduari duke u ofruar tërë këto mjete interesante, që mund t’i përdorin, por vetëm nëse pajtohen me filozofinë tuaj.

Stallman: Po. Mund edhe ta shihni si përdorim të sistemit ligjor që grumbulluesit e software-eve e kanë rregulluar kundër vetes. Unë po e përdor për të mbrojtur publikun prej tyre.

BYTE: Duke parë se prodhuesit nuk kanë dashur ta financojnë projektin, cilët mendoni se do ta përdorin sistemin GNU kur të jetë përfunduar?

Stallman: Nuk ia kam idenë, por nuk është pyetje me rëndësi. Qëllimi im është t’u bëj të mundur njerëzve mospranimin e zinxhirëve që vijnë bashkë me software-et pronësorë. E di që ka njerëz që duan ta bëjnë këtë. Tani, mund të ketë të tjerë që nuk u prishet puna, por unë nuk merrem me ta. Ndjej pak keqardhje për ta dhe për persona që ndikohen prej tyre. Sot për sot, një person që i kap anët e papëlqyeshme të kushteve të software-eve pronësorë e ndjen se ka ngecur dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç të mos përdorë kompjuterin. E pra, do t’i jap një alternativë të përshtatshme.

Persona të tjerë mund ta përdorin sistemin GNU thjesht sepse është teknikisht sipëror. Për shembull, përpiluesi im C prodhon kod po aq të mirë sa kam parë unë prej mjaft përpiluesash të tjerë. Dhe GNU EMACS përgjithësisht shihet si shumë më sipëror se konkurrentët komercialë. Dhe GNU EMACS nuk qe financuar nga dikush tjetër, por gjithkush po e përdor. Ndaj mendoj se mjaft persona të tjerë do të përdorin pjesën tjetër të sistemit GNU për shkak të përparësive të tij teknike. Por do ta bëja një sistem GNU edhe sikur të mos dija se si ta bëja teknikisht më të mirë, sepse dua ta jetë nga ana sociale më i mirë. Projekti GNU është vërtet një projekt social. Përdor mjete teknike për të bërë një ndryshim në shoqëri.

BYTE: Atëherë është jo pak e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë GNU-në. Nuk bëhet fjalë thjesht për një ushtrim akademik për prodhimin e këtij software-i për t’ia dhënë njerëzve. Ju shpresoni se do të ndryshojë mënyrën se si funksionon industria e software-eve.

Stallman: Po. Disa njerëz thonë se nuk ka për ta përdorur kush ndonjëherë, ngaqë nuk ka ndonjë logo tërheqëse korporate në të, të tjerë persona thonë se janë të mendimit që është shumë i rëndësishëm dhe çdokush do të dojë ta përdorë. Nuk kam ndonjë mënyrë të di se çfarë do të ndodhë realisht. Nuk di ndonjë mënyrë tjetër për ndryshimin e shëmtisë së fushës ku gjendem, që ta provoja, ndaj kjo është ajo që duhet të bëj.

BYTE: A mund të na tregoni pasojat? Padyshim që e ndjeni që kjo është deklaratë e rëndësishme politike dhe sociale.

Stallman: Bëhet fjalë për një ndryshim. Po përpiqem të ndryshoj mënyrën se si njerëzit trajtojnë njohuritë dhe informacionin në përgjithësi. Mendoj se përpjekjet që njohuritë të kenë pronar, përpjekjet për të kontrolluar nëse u lejohet a jo njerëzve t’i përdorin, ose përpjekjet për të penguar që njerëzit t’i ndajnë mes tyre, janë sabotazh. Është veprimtari nga e cila përfiton personi që e kryen, në kurriz të varfërimit të krejt shoqërisë. Dikush fiton një dollar duke shkatërruar dy dollarë pasuri. Mendoj se një njeri me ndërgjegje nuk kish për ta bërë këtë gjë, përveç rastit kur përndryshe do i duhej të vdiste. Dhe sigurisht, personat që e bëjnë janë jo pak të kamur; më mbetet vetëm të them se janë të paskrupuj. Do të doja t’i shihja këta persona të shpërbleheshin për shkrim software-esh të lirë dhe për nxitjen e personave të tjerë që t’i përdorin. Nuk dua t’i shoh këta persona të shpërblehen pse shkruajnë software pronësor, sepse kjo nuk është ndonjë kontribut për shoqërinë. Parimi i kapitalizmit është ideja që njerëzit arrijnë të bëjnë para duke prodhuar gjëra, e prandaj nxiten të bëjnë atë çka është e dobishme, vetvetiu, të themi. Por kjo nuk funksionon kur vjen puna te pronësimi i njohurive. Në këtë rast nxiten të bëjnë jo atë që është e dobishme dhe, çfarë është realisht e dobishme, nuk nxitet. Jam i mendimit që është e rëndësishme të thuhet se informacioni është tjetër gjë nga objektet materiale, si automjetet apo bukët, ngaqë njerëzit mund ta kopjojnë dhe ndajnë vetë me njëri tjetrin dhe, po qe se askush nuk përpiqet t’i pengojë, mund ta ndryshojnë e ta bëjnë më të mirë, po për veten e tyre. Kjo është diçka e dobishme. Në rastin e bukës kjo nuk është e vërtetë. Po qe se keni një bukë dhe doni një tjetër, nuk mund ta fusni bukën në një kopjues buke. Nuk mund të bëni një tjetër pa kaluar krejt hapat që u përdorën për të prodhuar të parën. Ndaj është e parëndësishme në u lejohet a jo njerëzve ta kopjojnë – është e pamundur.

Librat, deri tani vonë, shtypeshin vetëm në shtypshkronja. Mundej të bënit një kopje me dorë ju vetë, por kjo nuk qe praktike sepse hante shumë më tepër kohë se sa përdorimi i shtypshkronjave. Dhe nga dora do të dilte diçka shumë më pak tërheqëse sa që, tek e fundit, do të reagonit si të qe e pamundur të prodhosh libra me mënyrë tjetër, hiq prodhimin në masë të tyre. Ndaj të drejtat e kopjimit nuk i hoqën publikut lexues ndonjë të drejtë. Nuk kish gjë që blerësi i librit mund ta bënte dhe që qe e ndaluar nga të drejtat e kopjimit.

Por kjo nuk është e vërtetë për programet e kopmjuterit. Edhe për kasetat nuk është e vërtetë. Është pjesërisht e rreme tani për librat, por ende është e vërtetë që për shumicën e librave është më e kushtueshme dhe sigurisht me më shumë punë për t’u bërë një kopje në Xerox se sa të blesh një kopje, dhe fruti është ende më pak tërheqës. Tani jemi në një periudhë kur gjendja që i bënte të drejtat e kopjimit të padëmshme dhe të pranueshme po ndryshon drejt një gjendje ku të drejtat e kopjimit do të bëhen shkatërruese dhe të patolerueshme. Kështu që personat që përgojohen si “piratë” në fakt janë persona që po përpiqen të bëjnë diçka të dobishme e cila u është mohuar. Ligjet e të drejtave të kopjimit janë hartuar tërësisht për të ndihmuar disa njerëz të arrijnë kontroll të plotë mbi përdorimin e disa informacioneve për interes të tyre. Por nuk janë hartuar për të ndihmuar njerëz që dëshirojnë të sigurohen se informacioni mund të kihet nga publiku dhe të pengohen të tjerët të pengojnë publikun. Mendoj se ligji do të duhej të njihte një klasë veprash që janë në pronësi të publikut, çka është tjetër nga përkatësia publike, në po atë frymë që një park publik është tjetër gjë nga diçka e gjetur në koshat e hedhurinave. Nuk është atje që ta marrë me vete dikush, është atje që ta përdorë kushdo e askush të mos e pengojë përdorimin. Cilido anëtar i publikut që e gjen veten të privuar nga vepra të rrjedhura prej diçkaje në pronësi të publikut, do të duhej të ishte në gjendje të hapte padi rreth kësaj.

BYTE: Por a nuk janë piratët të interesuar të kenë kopje të programeve, ngaqë duan të përdorin këto programe, jo pse duan të përdorin njohuritë për të prodhuar diçka më të mirë?

Stallman: Nuk shoh të ketë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Më tepër persona që përdorin një program do të thotë që programi kontribuon më shumë te shoqëria. Si të kishim një bukë që mund të hahet një herë, ose një milion herë.

BYTE: Disa prej përdoruesve blejnë software komercial që të kenë dhe asistencë për të. Si e furnizon asistencën skema juaj e shpërndarjes?

Stallman: Dyshoj se ata përdorues janë udhëhequr gabim dhe nuk po mendojnë kthjellët. Sigurisht që pasja e asistencës është e dobishme, por kur zënë e mendojnë se ku hyn kjo te shitja e software-eve ose me të qenët e software-it pronësor, në këtë pikë zënë e ngatërrohen. Nuk ka garanci që software-i pronësor do të mbulohet me asistencë të mirë. Vetëm se e thonë shitësit se ofrojnë asistencë, kjo nuk do të thotë se do të jetë e mirë. Biznesi i tyre mundet edhe të mbyllet. Në fakt, njerëzit mendojnë se GNU EMACS ka asistencë më të mirë se sa EMACS-et komercialë. Një nga arsyet është ngaqë jam ndoshta hacker më i mirë se sa personat që shkrojtën EMACS-et e tjera, por arsyeja tjetër është se gjithkush i ka burimet, dhe ka kaq shumë persona të interesuar të mësojnë se si t’i bëjnë gjërat me të, sa nuk keni pse merrni asistencë nga unë. Madje edhe asistenca falas, si ndreqja e të metave që më njoftojnë njerëzit dhe përfshirja e tyre në versionin pasues, u ka dhënë njerëzve një shkallë të mirë asistence. Mund të punësoni kurdo dikë që t’ju zgjidhë një problem dhe, kur software-i është i lirë, keni treg konkurrues për asistencën. Mund të punësoni këdo. Me EMACS unë shpërndaj një listë shërbimesh, një listë me emra personash dhe numra telefonash dhe sa kushton të kesh asistencë prej tyre.

BYTE: A i grumbulloni ndreqjet e tyre për të metat?

Stallman: Ata m’i dërgojnë. U kërkova krejt personave që donin të ishin në listë, të premtonin se kurrë nuk do t’i kërkonin, cilitdo klienti, ta mbante sekret se ç’i thanë ose çfarëdo ndryshimi që u qe dhënë për software GNU si pjesë e kësaj asistence.

BYTE: Por kështu, nuk mund të keni persona që konkurrojnë për dhënie asistence, bazuar në dijen e tyre për zgjidhjen e disa problemeve, të cilat dikush tjetër nuk i di.

Stallman: Jo. Ata mund të konkurrojnë me njëri tjetrin mbi bazën e të qenit më të zgjuar dhe më me gjasa për të gjetur zgjidhjen e problemit tuaj, ose mbi bazën e e njohjes së më shumë nga problemet e zakonshme, ose pse dinë t’ju shpjegojnë më mirë se çfarë duhet të bëni. Këto janë tërë rrugët se si mund të konkurrojnë. Mund të përpiqen të jenë më të mirë, por nuk mund të pengojnë aktivisht konkurrentët e tyre.

BYTE: Pak a shumë si të blije një makinë. Për asistencë ose për mirëmbajtje në vazhdimësi, nuk jeni i detyruar të riktheheni te prodhuesi origjinal.

Stallman: Ose si të blesh një shtëpi—si do të ishte nëse i vetmi person që do t’ju rregullonte problemet me shtëpinë tuaj të ishte ai që e ndërtoi fillimisht? Ky është lloji i detyrimit që prek software-in pronësor. Njerëzit më tregojnë për një problem që ndodh në Unix. Ngaqë prodhuesit shesin versione të përmirësuara të Unix-it, kanë prirjen t’i grumbullojnë ndreqjet dhe t’i japin ato vetëm në trajtë dyore. Përfundimi është që të metat në fakt nuk ndreqen.

BYTE: Po përpiqen të tërë nga dy herë për të ndrequr të meta në rrugë të pavarur.

Stallman: Po. Ja një pikë tjetër që ndihmon të vendoset problemi i informacionit pronësor në optikën sociale. Sillni në mend krizën e pagesave të dëmshpërblimeve nga sigurimet. Që të mund të përfitojë çfarëdo kompensimi prej shoqërisë, një person i dëmtuar duhet të marrë një avokat dhe t’i ndajë paratë me avokatin. Ky është budallallëk dhe një rrugë e paefektshme për të ndihmuar viktimat e aksidenteve. Mendoni pastaj gjithë atë kohë që njerëzit e harxhojnë për t’u marrë punën konkurrentëve. Mendoni stilolapsat që paketohen në kuti të mëdha kartoni që kushtojnë më shumë se stilolapsi—vetëm për t’u siguruar që nuk do vidhet stilolapsi. Nuk do të ishte më mirë të vinim stilolapsa falas në çdo qoshe rruge? Mendoni edhe gjithë pikëpagesat që pengojnë rrjedhën e trafikut. Bëhet fjalë për një dukuri shoqërore gjigande. Njerëzit gjejnë rrugë të bëjnë para duke penguar shoqërinë. Pasi arrijnë të pengojnë shoqërinë, mund të paguhen për t’i lënë njerëzit të qetë. Shpërdorimi i lidhur organikisht me pronësinë mbi informacionin do të bëhet gjithnjë e më me peshë dhe, tek e fundit, do të jetë dallimi midis utopisë, në të cilën askush nuk ka nevojë të punojë që të rrojë, pse gjithçka bëhet nga robotët, dhe botës si e jona, ku gjithkush shpenzon kaq shumë kohë duke përsëritur çfarë është duke bërë tjetri ngjitur.

BYTE: Pak a shumë si shkrimi i shënimeve për të drejta kopjimi te software-i.

Stallman: Më tepër si mbikëqyrja e kujtdo, për t’u siguruar që nuk ka kopje të ndaluara të çfarëdo gjëje dhe ribërjen e gjithë punës që njerëzit e kanë bërë tashmë, ngaqë është pronësore.

BYTE: Një mendje cinike mund të pyesë se si e fitoni jetën.

Stallman: Nga konsulenca. Kur jap konsulencë, gjithmonë ruaj të drejtën të jap çfarë shkrojta përgjatë aktit të konsulencës. Po ashtu, mund të nxjerr shpenzimet e jetës duke postuar kopje të software-it të lirë që shkrojta, apo që kanë shkruar të tjerë persona. Plot vetë dërgojnë $150 për GNU EMACS, por tani këto para shkojnë për Free Software Foundation që themelova. Fondacioni nuk më paguan ndonjë rrogë, sepse do të ishte përplasje interesash. Në vend të kësaj, punëson persona të tjerë të punojnë mbi GNU-në. Për sa kohë që mund të vazhdoj të fitoj jetesën nga konsulenca, mendoj se kjo është rruga më e mirë.

BYTE: Çfarë përfshin tani shiriti me shpërndarjen zyrtare GNU ?

Stallman: Hëpërhë shiriti përmban GNU EMACS (një version për çdo lloj kompjuteri); Bison, një program që zëvendëson YACC; MIT Scheme, që është dialekti super i thjeshtuar i professor Sussman-it për LISP; dhe Hack, një lojë eksplorimi birucash e ngjashme me Rogue.

BYTE: Doracaku i shtypur vjen bashkë me shiritin?

Stallman: Jo. Doracakët e shtypur kushtojnë $15 copa ose kopjojini vetë. Kopjojeni këtë intervistë e ndajeni me të tjerët, po njësoj.

BYTE: Si mund të kihet një kopje e tij?

Stallman: I shkruani Free Software Foundation, 675 Massachusetts Ave., Cambridge, MA 02139.

[Adresa e tanishme (që prej 2005) është:
Free Software Foundation 51 Franklin St, Fifth Floor
Boston, MA 02110-1301, USA
Voice: +1-617-542-5942
Fax: +1-617-542-2652]

BYTE: Çfarë do të bëni kur të keni mbaruar sistemin GNU?

Stallman: S’jam i sigurt. Ndonjëherë mendoj se do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë, në fusha të tjera të software-it.

BYTE: Pra, ky është i pari në një seri të plotë sulmesh mbi industrinë e software-it?

Stallman: Shpresoj të jetë kështu. Por ndoshta ajo çka do të bëj është të rroj një jetë të lehtë, duke punuar për pak kohë, sa për të rrojtur. Nuk kam pse të bëj jetë të shtrenjtë. Pjesën tjetër të kohës mund të gjej persona interesantë për shoqëri, ose të mësoj të bëj gjëra që nuk di t’i bëj.

Intervistuan David Betz dhe Jon Edwards

Copyright © 1999, 2000, 2001, 2002, 2007 Free Software Foundation, Inc.,

51 Franklin St, Fifth Floor, Boston, MA 02110-1301, USA

Lejohet kopjimi fjalë për fjalë dhe shpërndarja e krejt këtij artikulli, me çfarëdo mjeti, pa pagesë, me kusht që ky shënim të ruhet.

Stallman dhe lindja e Software-it të Lirë

Një copëz nga një emision i BBC-së, në të cilën përshkruhet fare shkurtimisht lindja e Software-it të Lirë:

Fedora

Pyetja se cila shpërndarje Linux të zgjidhet është një nga ato me shumë përgjigje. Fedora është njëra prej përgjigjeve. Prej kohësh në qarkullim, mbetet një nga më të mirat, dhe përherë në pararojë të zhvillimeve për desktopin Linux.
Fedora

Çfarë është Fedora, saktësisht?

Fedora është sistem operativ me bazë Linux, një suitë programesh që i mundëson funksionimin kompjuterit. Sistemin operativ Fedora mund ta përdorni për zëvendësimin e, ose ta xhironi në krah të, një sistemi tjetër operativ, të tillë si Microsoft Windows™ ose Mac OS X™. Sistemi operativ Fedora është 100% pa kosto, që ta shijoni dhe t’ua jepni edhe të tjerëve.

Projekti Fedora është emri i një bashkësie mbarëbotërore personash që duan, përdorin dhe krijojnë software të lirë. Që duan të jenë në ballë të krijimit dhe përhapjes së kodit dhe lëndës së lirë, duke punuar tok në një bashkësi. Fedora sponsorizohet nga Red Hat, mundësuesi më i besueshëm në botë për teknologji me burim të hapët. Red Hat investon te Fedora që të nxisë bashkëpunimin dhe të mbajë në inkubacion teknologji të reja risore software-i të lirë.

Çfarë e bën Fedora-n të ndryshme?

Besimi në vlerën e software-it të lirë, dhe përpjekjet për mbrojtjen dhe promuovimin e zgjidhjeve që mund t’i përdorë dhe rishpërndajë kushdo.

Besimi në fuqinë e bashkëpunimit. Zhvilluesit te Fedora punojnë tok me ekipe pararojë projektesh software-i të lirë anembanë botës. Këta krijojnë mjaft nga software-i që gjendet në Fedora. Puna në të njëjtin drejtim me këto ekipe projektesh mund të garantojë që software-i i lirë të funksionojë më mirë dhe të ofrojë punimin më të mirë për përdoruesit.

Besimi në fuqizimin e të tjerëve që të ndjekin përfytyrimin e tyre të një sistemi operativ të lirë. Cilido mund ta bëjë Fedora-n pjesë të një produkti të ri, me një emër të ri. Në fakt, Fedora është tashmë në themel të shpërndarjesh derivative, të tilla si Red Hat Enterprise Linux, One Laptop Per Child XO, dhe të Creative Commons DVD-ve Live Content nga Creative Commons‘.

Cilat janë vlerat bazë të Fedora-s?

Liria

Përdorni dhe rishpërndani software-in dhe lëndën e lirë, alternativat e lira karshi kodit dhe lëndës pronësore. Në këtë mënyrë, cilido mund të përdorë për qëllimet e veta çfarëdo nga vepra jonë, pa pengesa ligjore, për përhapjen e mëtejshme të software-it të lirë.

Miq

Suksesi vjen nga një bashkësi e fuqishme, e përbërë nga njerëz nga e gjithë bota, që punojnë tok. Te Fedora ka vend për këdo që përkrah vlerat tona dhe dëshiron të ndihmojë. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin hapur dhe tejdukshëm, dhe përmes një partneriteti të fuqishëm me sponsorët tanë, mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Veçori

Krijimi i veçorive të reja teknike e bën software-in e lirë më të fuqishëm, më të epshëm, dhe më të dobishëm për miliona persona. Nuk shqetësohemi se po prishim status quo-në, kur kështu mund ta shpiem software-in e lirë përpara më me efekt. Dhe e bëjmë duke bashkëpunuar drejtpërsëdrejti me mjaft bashkësi software-esh, puna e të cilave shpërndahet përmes Fedora-s.

Të parët

Me dy hedhje në qarkullim çdo vit, kurrë nuk do t’ju duhet të prisni gjatë që të shihni fjalën e fundit në software. Besojmë në fuqinë e risisë, ndaj i shfaqim gjërat e reja në qarkullimet tona. Bëjmë gjithmonë përpara me Fedora-n, që kështu të mund të shihni të parët të ardhmen.

In praise of Fedora

Fedora përfaqëson shumë më tepër se një sistem operativ të shkëlqyer:

  • 100% e lirë dhe Me Burim të Hapët – Fedora është 100% falas dhe përbëhet nga software i lirë & me burim të hapët.
  • Mijëra Zbatime të Lira – Me më shumë se 10 000 paketa, Fedora e ka një zbatim edhe për ju.
  • Pa Viruse dhe Spyware – Mjaft me belara antivirusesh dhe spyware-esh. Fedora është me bazë Linux dhe e sigurt.
  • Një Bashkësi Mbarëbotërore – Ndërtuar nga një bashkësi mbarëbotërore pjesëmarrësish, ka edhe për ju një site web në gjuhën tuaj.
  • Një OS Çuditërisht i Fuqishëm – Fedora është baza e Red Hat Enterprise Linux-it, një OS i fuqishëm për nivel ndërmarrjesh.
  • Ndajeni me Miqtë – Fedora mund të shkëmbehet lirisht! Jepuani miqve dhe familjes tuaj, pa problem!
  • Grafikë e Hijshme – Përdoreni kompjuterin me stil, përmes mjaft sfondesh dhe temash të hapura e të hijshme!
  • Miliona Instalime – Fedora është shkarkuar me miliona herë. Bëhet fjalë për t’u bërë pjesë e një bashkësie të madhe!

Sa më sipër dhe të tjera hollësi të këtij lloji mund t’i gjeni më gjerë te ndarja për Shqipen në projektin Fedora.

Përkrahësit e Software-it të Lirë dhe Dijes së Hapur organizohen edhe në Shqipëri

Një grup nismëtarësh po përpiqet sa mundet të themelojë një shoqatë shqiptare në përkrahje të Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur.

projekt-stema e shoqatës

Diskutimet lidhur me hapat fillestare të krijimit dhe vendosjes në baza ligjore të shoqatës po zhvillohen te grupi Google flossal

Siç mund të shihet aty, gjërat janë ende të turbullta. Por ndihma e kujtdo është e mirëpritur, pavarësisht nëse vjen nga mjeshtra të teknologjisë, apo thjesht nga dashamirës të gjuhës shqipe, nga programues të sprovuar apo nga nxënës që mund të shpërndajnë fletëpalosje te dera e shkollës në pushimin e madh. Cilido që ka pak kohë dhe dëshiron të ndihmojë, ka rastin të bëjë diçka. Kjo thirrje është për të gjithë ne që kemi gëzuar frutet e Software-it të Lirë dhe të Dijes së Hapur prej kohësh. Le të ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Si të zgjidhet një shfletues Web

Çfarë është shfletuesi Web?

Shfletuesi është një program kompjuteri që shfaq faqe Web.  Shfletuesi juaj ndikon në rrugë të ndryshme mbi mënyrën se si e përdorni Web-in, përfshi këtu sa shpejt hapet një faqe, sa të sigurt jeni kur lundroni në Internet dhe ç’pjesë e të dhënave tuaja u jepen të tjerëve.

Shfletuesat Web nuk duhen ngatërruar me pjesë të tjera kyçe të punimit tuaj online, të tilla si sistemet operative (p.sh. Windows, Mac ose Linux) ose motorë kërkimi (fjala vjen, Google, Yahoo ose Bing).

Nëse s’e keni vrarë shumë mendjen për shfletuesit më parë, ja disa pika para se të vendosni:


A është shfletuesi juaj i lirë?

Sot, krejt shfletuesat më popullorë dhe të respektuar janë të lirë për përdoruesit.  Nëse hasni një site që ju kërkon pagesë përpara se të mund të shkarkoni një shfletues, bëni shumë kujdes, pse gjasat janë të jetë sajesë.

A do të xhirojë shfletuesi në kompjuterin tim?

Jo çdo shfletues xhiron në çdo sistem operativ kompjuterash, ndaj një nga hapat tuaj të parë do të ishte të siguroheni që i zgjedhuri juaj të mbulojë kompjuterin(at) që përdorni. Nëse ju duhet ndihmë për njohjen e kësaj, te www.opentochoice.org kemi postuar një përmbledhje të shfletuesave kryesorë dhe të sistemeve operativë në të cilët funksionojnë.

Nëse keni një kompjuter të vjetër, duhet të shihni edhe nëse sistemi juaj operativ mbulon shfletuesit e sotëm modernë.

A do t’i shfaqë shfletuesi si duhet të tërë site-et që doni të vizitoni?

Teorikisht, çfarëdo shfletuesi, do të duhej të funksiononte në çfarëdo pjese të Web-it, por në praktikë jo çdo shfletues punon me çdo site. Kur ndodh kjo, faqet Web nuk shfaqen si duhet, ose në to mungon tekst, ose mungojnë funksione.

Shfletuesit më popullorë përgjithësisht punojnë me pjesën më të madhe të site-ve, por për këtë nuk ka asnjëherë garanci. Nëse, pasi të keni bërë zgjedhjen tuaj të shfletuesit, shihni se disa site-e nuk punojnë si duhet, mund të provoni një shfletues tjetër dhe të krahasoni përfundimet.

A e respekton shfletuesi vetësinë tuaj?

Historiku i shfletimeve tuaja përmban një sasi shumë të madhe të dhënash personale mbi ju dhe mbi interesat tuaja. Prej vetë natyrës së Web-it, site-et ku hyni mbajnë një regjistër të vizitës suaj (përmes “vendndodhjes suaj IP”, një numër unik i cili identifikon kompjuterin tuaj në Internet), dhe këto të dhëna depozitohen gjithashtu edhe te shfletuesi juaj.

Shumë shfletuesa kanë mekanizma që ju lejojnë të shfletoni pa u bërë grumbullimi i këtyre të dhënave, ose t’i hiqni më pas, nëse e dëshironi këtë. Por, mundet edhe që prodhuesi i shfletuesit tuaj të ketë hyrje te krejt të dhënat që shfletuesi juaj grumbullon rreth jush. Nëse kjo ka rëndësi për ju, ju këshillojmë me forcë të lexoni rregullat e vetësisë të software-it që po merrni në shqyrtim.

A është shfletuesi juaj i sigurt?

Siguria juaj online është shumë e rëndësishme: sa më shumë që e përdorni Web-in, aq më shumë shtohen mundësitë e ekspozimit kundrejt virusesh, sajesash dhe rreziqesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse e përdorni Web-in për veprime bankare ose shitblerje online dhe jepni e merrni të dhëna personale të tilla si të dhëna kartash krediti.

Disa shfletuesa përmbajnë mekanizma sigurie, për t’ju ndihmuar në identifikimin e sajesave online (“karremëzimeve”), software-eve dashakeq (“malware”) ose të site-eve që janë kompromentuar. Duhet, pa mëdyshje, të familjarizoheni me mundësitë e ofruara nga shfletuesi që keni zgjedhur për sigurinë (zakonisht të paraqitura te site-i Web i shfletuesit).

Po ashtu, duhet të siguroheni përherë se po përdorni versionin më të përditësuar të shfletuesit tuaj, ngaqë prodhuesit e tyre shpesh hedhin në qarkullim versione të rinj, kur bëjnë ndreqje pas rreziqeve më të reja të shfaqura në Internet.

A jeni në gjendje të administroni kollaj të dhënat e shfletimeve tuaja?

Sa më tepër kohë të përdorim online, aq më tepër të dhëna rreth vetes krijojmë dhe shkëmbejmë: faqerojtësa (të quajtur edhe të parapëlqyerit), historik shfletimi, fjalëkalime e me radhë.

Mund të jetë e vështirë të mbahen mend krejt fjalëkalimet ose të rikujtohet vendi i një site-i që e vizituat javë më parë, kështu që mundësia për të administruar të dhëna të tilla dhe madje edhe kalimi i tyre nga një kompjuter në një tjetër është tejet e dobishme. Disa shfletuesa ju lejojnë ta bëni këtë, duke ju dhënë kështu hyrje “kurdo, kudo” në të dhënat tuaja.

A mund ta personalizoni shfletuesin sipas parapëlqimeve tuaja individuale?

Mjaft shfletuesa ofrojnë të paktën një farë shkalle personalizimi, e cila shtrihet nga ndryshimi i pamjes së butonave ose grafika e dritares, deri te mundësia për të ndryshuar më imtësisht mënyrën se si funksionon, për ta përputhur saktësisht me nevojat tuaja. Disa shfletuesa madje ju lejojnë edhe të bllokoni reklamat, ose ta bëni kompjuterin të mos lejojë asnjë site të xhirojë në të programe dashakeqe pa miratimin tuaj.

Nëse ju intereson personalizimi i shfletuesit tuaj, do të duhej të shihni se sa personalizime të tilla (të quajtura shpesh “shtesa” ose “zgjerime”) ka dhe se deri në çfarë pike mundet të personalizohet shfletuesi juaj.

Si del në punim shfletuesi?

Shpejtësia me të cilën ngarkohet një faqe Web është masë e rëndomtë e punimit të shfletuesit. Edhe pse ka mjaft faktorë që ndikojnë në kohën e ngarkimit të faqes, përfshi këtu shpejtësinë e lidhjes suaj Internet, kompjuterin tuaj dhe vetë faqen, shfletuesi juaj, po njësoj, mund të ketë ndikim të madh në të.

Por, punimi është më tepër se sa thjesht shpejtësia e ngarkimit të faqeve. Disa shfletuesa mund të duan më tepër kujtesë nga kompjuteri juaj se sa disa të tjerë (duke ngadalësuar funksione të tjera në punë e sipër), dhe disa mund të vithisen më shpesh se të tjerët.

Ka një numër rrugësh se si të provohet punimi i shfletuesve, por rruga më e mirë për vlerësimin është të vizitohet i njëjti site me shfletuesa të ndryshëm dhe të shihet cili ju duket më mirë.

A mund të kihet shfletuesi në gjuhën tuaj të parapëlqyer?

Nëse këtë po e lexoni në Shqip, përgjigja thuajse me siguri është “po”. Por, nëse parapëlqeni të shfletoni nga një gjuhë tjetër, duhet të shihnit mundësitë për këtë – numri i gjuhëve në të cilat mund të kihet çdo shfletues ndryshon jo pak.

A ka asistencë për të?

Si me çdo program, kohë pas kohë mund të dalin probleme. Ndaj, garancia se shfletuesi juaj ka asistencë falas, në rastet kur do t’ju duhet ndihmë, duhet marrë në shqyrtim.

Po njësoj, për mjaft programe ka bashkësi përdoruesish dhe programuesish që ofrojnë vullnetarisht kohë dhe dije për të ndihmuar të tjerët. Pjesëmarrja në një bashkësi përdoruesish mund të përmirësojë fort përvojën tuaj në shfletim!

Si ndërtohet shfletuesi?

Software-et krijohen sipas një larmie rrugësh. Disa shfletuesa njihen si “me burim të hapur” ose “software i lirë”, që do të thotë se ju jepet e drejta ta ndryshoni dhe përdorni programin si të doni.

Nga ana tjetër, shfletuesa të tjerë konsiderohen si “me burim të mbyllur” ose “jo të lirë.” Instalimi i programeve të tilla zakonisht do të thotë që jeni i kufizuar nga disa kushte, fjala vjen mosndryshimi i tij në një rrugë të caktuar (edhe pse xhiron në kompjuterin tuaj).

A ju pëlqen shfletimi me të?

Së fundi, ia vlen të përsiatet thjesht mbi faktin nëse ju kënaq a jo përdorimi i shfletuesit tuaj. Web-i mund të bëhet një vend i mrekullueshëm, me mundësi thuajse të pakufizuara për të nxënë, për t’u lidhur me të tjerët, për krijimtari, dhe një shfletues i mirë do të duhej ta thellonte mënyrën se si e përjetoni krejt këtë.

* Material i përgatitur nga Mozilla Foundation për fushatën www.opentochoice.org