Arkivë për etiketën 'teknologji'

Mbi Mospëlqimin Më të Kompjuterave

nga Paul Boddie                                                                                                              21 Nëntor 2016

Adam Williamson tani së fundi shkroi se nuk i pëlqejnë më vërtet kompjuterat. Kjo nxiti mjaft përgjigje nga njerëz që e keqkuptuan dhe vendosën të japin falas këshilla karriere, përfshi doza të materialit të zakonshëm mbi “ndjekjen e pasionit që dikush ka” ose “ndryshimin e drejtimit të vetes” (i cili zakonisht përfshin shndërrimin në njëfarë lloji “endacaku global”), gjë që më bën të mendohem se në ç’mënyrë e nxjerrin bukën e gojës disa prej këtyre njerëzve. Thua të kenë gra të kamura apo prindër të kamur, ndonjë “trashëgimi”, apo thjesht shtien në dorë kontrata të kripura për ente të rastit, natyra apo identiteti i të cilave mbetet me dashje i errët, për të shmangur të menduarit se nga vjen faktikisht paraja prej kësi punësh? Kjo e fundit do të ishte veçanërisht rruga e ”endacakut global”, siç më duket mua.

Sidoqoftë, Adami duket se e pëlqen punën që ka: thjesht nuk interesohet më për të ndjekur fushën e teknologjisë jashtë orarit të punës. Deri diku, mendoj se të tërë ne e pëlqejmë njëfarësoj si ide. Për ata prej nesh që kanë ide pesimiste të ngjashme mbi punën me kompjuter, ia vlen të radhiten një sërë arsyesh pse mund të mos jemi më dhe aq entuziastë rreth teknologjisë, veçanërisht për ata prej nesh që kanë për zemër edhe përmasat etike, jo thjesht faktin nëse “ia vlen apo jo” teknologjia në vetvete, apo nëse ofron apo jo një sfidë intelektuale të mjaftueshme. Meqë ra fjala, kjo është lista ime: nuk e njoh fare AdaminOrigjinali, I don’t know Adam from, well, Adam! është një lojë fjalësh me emrin Adam të Adamit të shkrimit dhe shprehjes anglishte I don’t know him from Adam.!

Mungesë Përparimi Faktik

Njeriu fillon e plaket dhe vë re se të njëjtat probleme teknologjike vazhdojnë të shfaqen sërish e sërish, duke mos u zgjidhur kurrë, teksa sheh njerëz pa ndjenjë historie të shkaktojnë ndryshime për hir të ndryshimit, jo për hir të përparimit. Pas një farë kohe, ose kur dikush mbërrin në një farë moshe, pret që teknologjia thjesht të funksionojë dhe se njerëzit do ta kenë gjetur se si t’i bëjnë gjërat të komunikojnë me njëra-tjetrën, apo ç’të jetë tjetër, duke krijuar mbi bazën e të kaluarës. Por ja që zakonisht, duket se ajo që ndodh është se një djalosh gjeni, apo jo dhe aq, dëshiron t’ia fillojë nga zeroja zgjidhjes së problemeve të tilla, duke hartuar mjaft veçori të ndritshme, por jo qëndrueshmërinë e rëndomtë që do të donte gjithkush në fakt.

Njerëzve mandej u thuhet se teknologji të tilla të “avancuara” janë detyrimisht të komplikuara. Nëse dikur mund të kapnit telefonin, t’i binit një numri, të merrnit njëfarë përgjigjeje dhe të bënit një bisedë deri diku të hairit, tani duhet të garantoni që pajisja të jetë e lidhur si duhet, deri më një, që krejt formësimet të jenë të sakta, që furnizuesi i Internetit s’është duke jua bërë me hile apo duke provuar të bllokojë trafikun tuaj në rrjet. Dhe mandej t’i bini numrit dhe të mos kapni dot linjën, ose thirrja juaj të ndërpritet në mënyrë misterioze, ose cilësia e zërit të ngjajë si intervistë e një trume macesh në zënkë e sipër, marrë nga fundi i kazanit të plehrave.

Zhvlerësim Kualifikimesh

Njeriu mund të jetë dëshmitar se si një profesion, që kërkon një sasi jo të vogël investimi arsimor — që, falë politikanëve të pazotë/të korruptuar, do të thotë gjithashtu një sasi jo e vogël investimi financiar — të zhvlerësohet deri në atë pikë sa praktikuesit e tij të shihen si mall i shkëmbyeshëm, që mund të detyrohet të punojë për sa më pak të jetë e mundur. Kaq për “ekonominë e dijes”, ku praktikuesit e saj rrezikojnë të përfundojnë të fitojnë më pak se sa njerëzit që bëjnë të ashtuquajturat punë “të rëndomta”, punë për të cilat s’të duhet të kalosh nëpër një periudhë të plotë arsimimi më të lartë apo të ndjekësh një proces të vazhdueshëm vetëpërmirësimi, për të mbetur “i vlefshëm”. (Jo se ka ndonjë gjë të keqe me punët e “rëndomta”: pa njerëzit që bëjnë punë që nuk janë në modë, gjithçka do të ndalej shumë shpejt, ndërkohë që ca pak nga gjërat që kam bërë unë mund të mos kishin ekzistuar fare, kaq pak ndryshim prunë.)

Tani na thuhet se programimi do të jetë vërtet fushë e “inteligjencës artificiale”, këtë radhë. Se në vend të qenieve njerëzore që shkruajnë kod, “high priests”ang. Kokat, krerët e një doktrine, lëvizjeje, rryme. thjesht do të drejtojnë kompjuterat të shkruajnë software-in që u duhet. Sigurisht, gjëra të tilla janë të bukura për revistën Wired dhe në fakt zbavitëse për këdo me çfarëdo përvoje faktike në projekte software-i. Për fat të keq, politikanët (dhe të tjerë “thought leaders”ang. Individ ose një njësi e mirëpranuar si autoritet në një fushë të specializuar, ekspertiza e të cilit shpesh është e vyer dhe e shpërblyer.) i lexojnë gjëra të tilla sot dhe të nesërmen i bien me sëpatë buxhetit. Dhe, për një dhjetëvjeçar, do të vuajmë të njëjtin “debat” mbi mungesën e “talenteve në inxhinieri”, me të njëjtat “ide” nga tufa e zakonshme e lobuesve të patentave dhe interesave.

Ekonomi Fantazish Neoliberale

Njeriu mund të ketë hasur kulturën e “praktikave” ku njerëz sa të mund përpiqen t’i bëjnë programuesit dhe të tjerë në industri të punojnë për hiçgjë, duke i bërë të ndihen se kjo duhet bërë që të mund të provohet se vlejnë për vendin hipotetik të punës ose për të demonstruar se janë vërtet të përkushtuar ndaj ca synimesh të vendosur nga korporata. Njeriu lexon ose dëgjon për njerëz që e përkrahin përfshirjen në “burimin e hapur” jo për të përqafuar katër liritë (të përdorimit, ndarjes me të tjerët, modifikimit dhe shpërndarjes së software-it), por për të bindur të tjerët që të “hyjnë në radarin” e një punëdhënësi, kodi i të cilit është licencuar si Software i Lirë (ose si diçka që pretendon të jetë e tillë), në pjesën më të madhe për t’i bërë njerëzit të punojnë falas për ta.

Tani, mua më pëlqen ideja që punëdhënësit t’i njohin të punësuarit potencialë teksa këta ndërveprojnë me një projekt Software-i të Lirë, por do të duhej të ndodhte vërtet vetëm kur i punësuari potencial është duke u marrë tashmë me diçka që këta duan të bëjnë, ngaqë u intereson atyre dhe është në interes të tyre. Dhe askush nuk duhet shtënë të kryejë punë falas nën premtimin e nënkuptuar mjegulltazi se mund të punësohet, po bëri kështu.

Vullnetarë Njëpërdorimsh

Njeriu mund të ketë parë shfrytëzimin e përpjekjeve vullnetare, ku njerëzit shtyhen drejt krijimit të ndjesive se duhet “të dalin vullnetarë” për të mirën e diçkaje në të cilën besojnë, shpesh duke u kërkuar vullnetarëve të sakrifikojnë kohë dhe para të tyre për të bërë punë të tilla falas, dhe për t’i i parë shpesh këta vullnetarë të nxiten për të dhuruar para drejtpërsëdrejti për kauzën, sikur krejt përpjekjet e tyre të tjera të mos qenkërkëshin në vetvete kontribute me peshë. Teksa rreken të përmirësojnë gjërat në atë pak kohë dhe me ato pak burime që u mbeten nga e përditshmja, vullnetarët shpesh punojnë në kah të kundërt me organizma me xhepa të thellë, punonjësit e të cilëve kanë luksin t’u kundërvihen përpjekjeve të tilla vullnetare nga pozita e punësimit të plotë dhe me një rrogë të ëmbël. Këta njerëz kthehen në shtëpi darkave dhe fundjavave dhe e lënë gjithçka pas shpatullave, po të duan.

Aspak për t’u habitur që vullnetarët mbarojnë, si qirinjtë, ose vendosin që thjesht s’kanë kohë ose s’janë më të motivuar në mënyrë të mjaftueshme. E hidhura këtu është se ca organizma e shpërfillin këtë dukuri, ngaqë ka plot vullnetarë të rinj që duan të “aktivizohen” dhe “të jenë të dukshëm”, ndoshta si një mënyrë për marketing të vetes. Dhe nga ana tjetër, disa bashkësi janë të kënaqura që tëhuajnë përdoruesit ekzistues, nëse mund të tërheqin fluksin mitik “10x” të përdoruesve të rinj që do të zënë vendin e tyre, ndaj, supozoj, kjo s’duhet të na vijë dhe aq e papritur.

Hidhua Fajin të Pafuqishmëve

Njeriu mund t’i jetë ekspozuar kulturës sipas të cilës nëse shqetësoheni për padrejtësitë ose gjërat e gabuara, atëherë e mbani vetë përgjegjësinë për situata të këqija ose të pafata, edhe kur s’keni fare të bëni me krijimin e tyre. Kjo kulturë e përshkon tejpërtej shoqërinë dhe u lejon të fuqishmëve të bëjnë si duan, për t’i bërë mandej krejt të tjerët të ndihen keq për pasojat, dhe për t’i detyruar praktikisht njerëzit thjesht të pranojnë rezultatet, nëse pas një dite të lodhshme s’kanë më fuqi për të përmbushur krejt angaritë e nevojshme për kërkim llogarie të zotëve të punës.

Pra, ata prej nesh me ndonjë fije ndërgjegje, mund të jenë tashmë duke përkrahur njerëz që provojnë të bëjnë gjënë e duhur, fjala vjen të ndihmojnë të tjerët, të kërkojnë llogari, të mbrojnë më të dobëtin, e me radhë. Por në të njëjtën kohë, nuk na mungojnë njerëz – veçanërisht në media dhe në politikë – që na tregojnë se sa keq janë gjërat, me pamjen e dikujt që shpreson se mos e marrim ne përgjegjësinë për diçka të bërë gjoja në emrin tonë, që ka patur pasoja të rënda. (Pushtimi dhe bombardimi i tokave të huaja është një shembull që përsëritet deri në depresion.) Mjerisht, ndjenja e pafuqishmërisë që kanë shumë vetë, teksa i fuqishmi sillet anës duke bërë ç’të ketë qejf, shfrytëzohet nga taktikat e zakonshme cinike “përça dhe sundo” të të tjerë personave të fuqishëm, që nuk lënë t’u shpëtojë mundësia e keqpërdorimit të pushtetit dhe mjerimit që kjo shkakton. Dhe kështu, egoizmi dhe tribalizmi përhapen më shumë, duke shmotivuar cilindo që dëshiron që bota të bëhet një vend më i mirë.

Prapësim i Lirive

Dikush mund t’i ketë rënë në të se teknologjia s’është më thjesht punë krijimi mundësish apo bërjesh më të lehta të gjërave, por gjithnjë e më shumë është punë kontrolli dhe mbikëqyrje e njerëzve dhe bërjes së gjërave të ndërlikuara dhe të vështira. Se qëndrueshmëria dhe vazhdimësia sakrifikohen që kompanitë të mund të kultivojnë mundësi përfitimi të madh dhe ripërsëritës përmes shndërrimit të njerëzve në të varur prej produktesh të vjetruar që duhen zëvendësuar rregullisht. Dhe seë teknologjia i mahis sëmundjet shoqërore, në vend se të ndihmojë në çrrënjosjen e tyre.

Kemi Web-in modern, një sajt i rëndomtë i të cilit duhet të “lidhet” me një numër aktorësh të njëjtë – sajte gjurmimi, rrjete shpërndarjeje lënde (që më shumë furnizojnë reklama), burime shkronjash, burime figurash, burime skriptesh – që të tërë bashkë kontribuojnë për ta bërë raportin “miell – krunde” sa vjen e më të ulët. Ku gjithçka duhet të mbajë një kanal komunikimi me shërbyes kuturu për t’i përditësuar këta me të dhëna se ç’po bën përdoruesi, ku e kalon shumicën e kohës, çfarë pa dhe çfarë klikoi. Dhe tërë kjo lyp qindra megabajte kod programi dhe të dhënash, harxhon kohë procesimi, shpërdoron energji, i bën kompjuterat të ngadaltë dhe pandalshëm të vjetruar, duke i detyruar njerëzit të hedhin gjëra, për të blerë më tepër gjëra, për t’i hedhur edhe këto së shpejti.

Kemi përvojën me ekosistemin e “aplikacioneve”, me kufizime mbi përdorimin, konkurrencën dhe ndërveprueshmërinë, me lëndë të gatitur arbitrarisht: oborre me gardh që Apple dhe Microsoft nuk arritën t’i impononin mbi gjithkënd në agim të “Internetit të konsumatorëve”, por që e bëjnë tani, nën sebepin e leverdisë dhe sigurisë. Kemi perandori rrjetesh sociale që shërbejnë lajme të rreme për sallën e vogël të jehonës së çdo personi, duke shumuar flluska urrejtjeje dhe duke i tërhequr njerëzisë vëmendjen nga ç’po ndodh vërtet në botë dhe ç’do të duhej të kishte vërtet rëndësi. Kemi shërbime “cloud” që shpesh ofrojnë për përdoruesin mundësi mediokre punimi, por që e ofrojnë nga “çfarëdo pajisjeje” ama, me përdoruesit që i pranojnë që të dyja bashkë, leverdinë e të qenit në gjendje të përdorin mesazhet apo lëndë të tyren që nga telefoni, dhe survejimin e sendërtuar në shërbime të tilla për qëllime komerciale dhe për shfrytëzim nga qeveria.

Kemi vjetrimin e planifikuar, të konceptuar qëllimisht, në software dhe hardware, me përdoruesit që detyrohen të blejnë produkte të reja që të mund të vazhdojnë të bëjnë gjërat që duan të bëjnë me këto produkte, dhe për ta bërë këtë në mënyrë relativisht të sigurt. Dhe kemi bateri hileqare të salduara në pajisje, me detyrimin, që me sa duket bie mbi vetë përdoruesit, për t’u kujdesur për sigurinë e tyre dhe – kur produkti mbaron – edhe për ndikimin e atij produkti mbi mjedisin. Duke e rënduar përdoruesin e pashpresë të teknologjisë me kaq shumë klauzola, sa që jeta e tij bëhet e sunduar prej tyre, ato objekte bëhen një lloj tiranie.

Të gjesh Kuptim

Mjaft vetë e kanë të nevojshme të gjejnë kuptim për punën e tyre dhe ta ndjejnë që puna e tyre është në një vijë me përparësitë personale. Disa njerëz mund të jenë në gjendje të bëjnë punë që s’i tërheqin, apo që s’kanë ndonjë interes, dhe interesat dhe synimet e tyre mandej t’i ndjekin në kohën e lirë, por kjo mund të jetë shkurajuese dhe shmotivuese, parë në perspektivë. Kur puna e njerëzve s’është e ndarë nga besimet dhe interesat e tyre, por përkundrazi i dobëson aktivisht ato, përfundimi është kundërproduktiv dhe madje me pasoja për këto besime dhe interesa, dhe për ata që kanë të njëjta.

Për shembull, punësimi për zhvillim software-i pronësor ose shërbimesh pronësore, edhe pse me potencial nxitës nga pikëpamja intelektuale, ka gjasa të sabotojë çfarëdo shkalle realiste përkushtimi të kohës së lirë të dikujt ndaj Software-it të Lirë që realizon po të njëjtat gjëra. Disa njerëz mund t’i japin përparësi një vendi pune stimulues, në vend se gjërave në të cilat besojnë, me përshtypjen se nga puna e tyre të tjerët prapë përfitojnë, në një mënyrë a një tjetër. Të tjerëve mund t’u duket se po i tradhtojnë përdoruesit e Software-it të Lirë, kur i bëjnë njerëzit të varur nga software-i pronësor dhe duke shkaktuar probleme ndërveprueshmërie, kur këta përdorues software-i pronësor zënë dhe e marrin të mirëqenë se gjithçka do të duhej të rrotullohej rreth tyre, mjeteve të tyre, të dhënave të tyre, dhe asaj çka presin.

Edhe pse Adami nuk po e trajtonte këtë ndryshim perspektivash nga pikëpamja e punës apo karrierës së tij, te disa njerëz mund të ketë ndikim në këtë pikëpamje. Unë vetë, ndonjëherë e vras mendjen për ndërveprimin mes përparësive të mia personale dhe karrierës sime. Në fakt, rruga se si Adami mundet me sa duket t’i mbajë brenda caqeve të punës së përditshme përpjekjet e veta teknologjike, duke ia lënë pjesën tjetër të kohës gjërave të tjera, ka qenë një lloj vizioni që kam patur dikur lidhur me studimin dhe ushtrimin e informatikës. Mendoj se ai është me fat që interesat e punëdhënësit të tij dhe të atij vetë janë aq afër sa për ta lejuar ta shohë vendin e punës si një vend për t’i shpënë më tej këto interesa, në mënyrë të mjaftueshme, për të mos iu dashur ta kompensojë diferencën në shtëpi.

Jetojmë në një epokë bollëku fuqie kompjuterike, por ende kaq shumë prej saj përdoret në mënyrë të paefektshme dhe të papërshtatshme. Do të doja të kisha një zgjidhje të saktë të ekuacionit të ndërlikuar që përfshin teknologjinë dhe efektet e saj në cilësinë e jetës sonë, në mos për aplikimin e teknologjisë në shoqëri në përgjithësi, të paktën për individët, dhe po aq për veten time. Ndoshta lypset një artikull i ardhshëm ku të shqyrtohet se ç’duhet të presim nga teknologjia, teksa aplikimi i saj shtrihet gjithnjë e më shumë, në mënyrë që teknologjia që përdorim dhe që ka ndikim mbi ne të mbrojë të drejtat tona, shpresat tona si qenie njerëzore, në vend se t’i dobësojë dhe margjinalizojë ato.

S’është e zorshme të shihet se si mund të përfundojnë të indinjuar prej tyre dhe të mos u pëlqejnë më kompjuterat, ashtu si janë bërë. Madje edhe ata që dikur qenë entuziastë për ta.

 

Copyright (C) 2016 Paul Boddie <paul@boddie.org.uk>

Artikullin në origjinal mund ta lexoni këtu këtu. Falënderoj autorin për lejen dashamirëse për përkthim.

 

Firefox Hello

hello

Firefox Hello është një aplikacion i ri nga Mozilla, që ju jep mundësinë të bëni thirrje me video në internet edhe pa krijuar llogari diku, pra pa u dhënë hollësi mbi identitetin e personave të përfshirë në thirrje. I bazuar në teknologjinë WebRTC, Firefox Hello-ja përdor shfletuesin për të realizuar dhe zhvilluar thirrjen. Si i tillë do të funksionojë vetëm me shfletues që e mbulojnë WebRTC-në. Firefox-i, Google Chrome dhe Opera janë ata që e mbulojnë deri më sot.

Pra fare thjesht, nëse përdorni një prej shfletuesve të mësipërm, shkoni te faqja e Firefox Hello-së dhe provojeni.

Firefox Hello është tashmë i përkthyer në shqip.

Vota e 24 Shkurtit për të ardhmen e Internetit që njohim dhe duam

Një Akt Rregullator i propozuar në mjediset e Parlamentit Europian rrezikon seriozisht hapjen e shtigjeve për krijimin e një interneti me disa “klase udhëtimi”, apo kasta, siç stigmatizohet me të drejtë nga kritikët. Gjë e cila, deri tani, për shkak të vigjilencës mbi asnjanësinë në rrjet, nuk është parë në Internetin që njohim dhe përdorim.

Akti Rregullator i propozuar kërcënon seriozisht lirinë në linjë të njerëzve. Fati i betejës për një Internet të hapur që po zhvillohet pikërisht tani në Bruksel, do të vendoset më 24 Shkurt, kur eurodeputetët të votojnë propozimin. Nëse propozimi miratohet ashtu siç është paraqitur, “shërbimet e specializuara” do të ishin shërbime me pagesë për gjëra që deri më sot ne në Internet i bëjmë pa pagesë shtesë, veç asaj të pajtimit në Internet. Cilësia e pjesës tjetër të Internetit, jo asaj që ka të bëjë me kompanitë shumëmiliardëshe, por e projekteve të ndryshme, të tillë si Wikipedia, për shembull, do të bjerë shumë.

Por përkeqësimi i cilësisë së lëndës që ne konsumojmë në Internet është më e pakta. Akti rrezikon t’u japë pushtet ofruesve të shërbimit internet të vendosin se çfarë mundemi të bëjnë në Internet, dhe çfarë jo. Pra, shndërrimin e tyre potencial në një lloj policie Interneti.

Në kushte të tilla, për shkak të buxhetit kolosal të kompanive shumëmiliardëshe, mbytja prej tyre e konkurrencës do të ishte shumë e lehtë se sot. Dhe shumë më e egër. Për gjithçka risore, klima që mbështet lulëzimin e sotëm do të humbte ose goditej rëndë.

Për një paraqitje më të hollësishme të gjendjes, argumenteve, prognozave (disa prej tyre të faktuara tashmë) shihni te sajti i hartuar enkas.

Sa Përgjim Mund të Përballojë Demokracia?

nga Richard Stallman

Fillimisht një version i këtij artikulli u botua te Wired në Tetor 2013.

Falë atyre që na zbuloi Edward Snowden, e dimë që niveli i sotëm i përgjimit të përgjithshëm në shoqëri është i papërputhshëm me të drejtat e njeriut. Këtë e ripohojnë qartë rëniet në qafë dhe proceset gjyqësore të vazhdueshme ndaj disidentëve, burimeve të informacionit dhe gazetarëve në ShBA. Na duhet ta zvogëlojmë nivelin e përgjimit të përgjithshëm, por deri ku? Ku bie saktësisht niveli maksimum i përgjimit, të cilin duhet të sigurohemi të mos tejkalohet? Është niveli përtej të cilit përgjimi fillon e plekset me funksionimin e demokracisë, pra kur nxjerrësit e sekreteve (të tillë si Snowden-i) ka shumë gjasa të zbulohen.Të përballur me fshehtësinë nga ana e qeverive, ne populli varemi nga nxjerrësit e sekreteve të na rrëfejnë se çfarë po bën shteti. Por përgjimi i sotëm i tremb nxjerrësit potencialë të sekreteve, çka do të thotë se është i tepruar. Për të shëndoshur kontrollin tonë demokratik mbi shtetin, duhet ta zvogëlojmë përgjimin deri në një pikë sa nxjerrësit e sekreteve të jenë të parrezikuar.

Përdorimi i software-it të lirë/libre, siç kam 30 vjet që e kërkoj, është hapi i parë për të marrë kontrollin e jetës sonë dixhitale, dhe kjo përfshin parandalimin e përgjimit. Nuk mund t’i zëmë besë software-it jo të lirë; NSA-ja  përdor madje krijon në software jo të lirë pika të dobëta për nga siguria, me qëllim që të mësyjë kompjuterët dhe rrugëzuesit tanë. Software-i i Lirë na jep kontrollin mbi kompjuterët tanë, por kaq nuk na e mbron privatësinë, sapo vëmë këmbën në Internet.

Në ShBA po hartohet legjislacion dypartiak për të “reduktuar fuqinë e përgjimit të brendshëm”, por duke u mbështetur në kufizimin e përdorimit nga ana e qeverisë të dosjeve tona virtuale. Kjo nuk do të mjaftojë për të mbrojtur nxjerrësit e sekreteve, nëse “kapja e nxjerrësit të sekreteve” është përligjje për të patur akses të mjaftueshëm për identifikimin e tyre. Na duhet të shkojmë më tej.

Kufiri i Sipërm i Përgjimit në një Demokraci

Nëse nxjerrësit e sekreteve nuk guxojnë të bëjnë të njohura krime dhe gënjeshtra, humbasim grimën e fundit të kontrollit të efektshëm mbi qeverinë dhe institucionet tona. Ky është shpjegimi pse përgjimi që i bën të mundur shtetit të gjejë se kush ka folur me një reporter është teprim përgjimi—shumë për ta përballuar demokracia.

Një zyrtar i paemër i qeverisë së ShBA-ve u tha gazetarëve në mënyrë ogurzezë më 2011 se  ShBA-të nuk do të thërrasin reporterë në gjyqe, ngaqë “E dimë se me kë keni folur.” Për ta ditur këtë, ndonjëherë është kërkuar të sillen në gjyq regjistrimet e telefonatave të gazetarëve, por Snowden-i na ka treguar se në fakt këtë e pësojnë krejt thirrjet telefonike të gjithkujt në ShBA, gjithmonë, nga Verizon-i dhe po ashtu nga kompani të tjera.

Veprimtarive opozitare dhe disidente u nevojitet të mbajnë të fshehta, përballë shtetesh që janë gati të luajnë rrengje të ndyta me to. ACLU e ka dëshmuar praktikën sistematike të infiltrimit të grupeve paqësore disidente nga ana e qeverive të ShBA-ve, me pretekstin se mes tyre mund të ketë terroristë. Pika ku përgjimi bëhet i tepruar është pika kur shteti mund të gjejë se kush ka folur me një gazetar të njohur ose me një disident të njohur.

Informacioni, Pasi Mblidhet, Do Të Keqpërdoret

Kur njerëzit e pranojnë se niveli i përgjimit të përgjithshëm është shumë i lartë, përgjigja e parë është të propozojnë kufij për hyrjen në të dhënat e grumbulluara. Kjo duket gjë e mirë, por nuk do ta zgjidhë problemin, as edhe sado pak, madje edhe nëse supozohet se qeveria u bindet rregullave. (NSA-ja i dredhoi gjykatës FISA, e cila u shpreh se nuk qe në gjendje të bënte me efektshmëri fajtore NSA-në.) Dyshimet për një krim do të jenë përligjja për hyrje në të dhënat, prandaj sapo një nxjerrës sekreti të akuzohet për “spiunazh,” gjetja e “spiunit” do të shërbejë si justifikim për hyrje në materialin e grumbulluar.

Ekipi i shtetit për përgjimin do t’i keqpërdorë të dhënat edhe për arsye personale. Disa agjentë të NSA-së i përdorën sistemet e përgjimit në ShBA për të ndjekur të dashurit e tyre—të dikurshëm, të tanishëm, ose të ëndërruar—sipas një praktike të quajtur “LOVEINT.” NSA-ja thotë se raste të tilla janë zbuluar dhe ndëshkuar ca herë; nuk e dimë se sa herë të tjera nuk janë zbuluar. Por ngjarje të tilla nuk duhet të na befasojnë, ngaqë policia prej kohësh e ka përdorur aksesin në regjistrat e lejeve të drejtimit të automjeteve për të gjurmuar dikë tërheqës apo tërheqëse, praktikë e njohur si “running a plate for a date”

Të dhënat e përgjimeve gjithmonë do të përdoren për qëllime të tjera, edhe pse kjo është e ndaluar. Kur të dhënat të jenë grumbulluar dhe shteti e ka mundësinë të hyjë në to, mund t’i keqpërdorë ato të dhëna në mënyra të lemerishme, siç dëshmohet nga shembuj prej  Europës dhe ShBA-ve.

Përgjimi tërësor plus ligje të amullta furnizojnë një të çarë për ekspedita masive peshkimi kudër cilitdo të synuari që të doni. Që gazetaria dhe demokracia të jenë të parrezikuara, duhet të kufizojmë grumbullimin e të dhënave në të cilat shteti futet lehtësisht.

Mbrojtja e Fuqishme Për Privatësinë Duhet Të Jetë Teknike

Electronic Frontier Foundation dhe të tjera organizma propozojnë një grup parimesh ligjore të konceptuara për parandalimin e abuzimeve me përgjimin masiv. Këto parime përfshijnë, pikë kyçe këtu, mbrojtje eksplicite ligjore për nxjerrës të sekretit; si pasojë, ato do të ishin të masës së duhur për mbrojtjen e lirive demokratike—nëse adoptohen tërësisht dhe zbatohen përgjithmonë pa përjashtime.

Por, mbrojtje të tilla ligjore janë pre e synimeve të palëve të ndryshme: siç e tregon historia e kohëve të fundit, ato mund anulohen (si tek FISA Amendments Act), pezullohen, ose shpërfillen.

Ndërkaq, demagogët do të përmendin justifikimet e zakonshme si bazë për përgjim tërësor; çfarëdo sulmi terrorist, madje edhe një i tillë gjatë të cilit vriten vetëm një dorë personash, do t’u japë atyre një mundësi më tepër.

Sikur kufijtë për hyrjen në të dhëna të liheshin mënjanë, do të qe njësoj sikur të mos kishin ekzistuar kurrë: papritmas, dosje të grumbulluara gjatë vitesh të tëra do të ishin në dorë të shtetit dhe agjentëve të tij për keqpërdorim dhe, ato të grumbulluara nga kompani, për keqpërdorim privat po ashtu. Nëse ne ama e ndalim grumbullimin e dosjeve për këdo, këto dosje nuk do të ekzistojnë, dhe nuk do të ketë mënyrë për t’i përpiluar ato në mënyrë prapavepruese. Një regjimi të ri joliberal do t’i duhej ta sendërtonte nga e para përgjimin, dhe do të mblidhte të dhëna duke u nisur nga ajo datë. Sa për pezullimin ose shpërfilljen përkohësisht të këtij ligji, ideja zor se do të kish kuptim.

Së Pari, Mos u Bëni të Marrë

Që të keni privatësi, nuk duhet ta hidhni tej: të parët që duhet ta mbrojnë privatësinë e tyre jeni ju vetë. Mos i rrëfeni një kompanie si Facebook-u gjëra që ju ngurroni t’i botoni në një gazetë. Mos i rrëfeni një kompanie si Facebook-u asgjë mbi miqtë tuaj që ata nuk do të donin ta shihnin të botuar në një gazetë. Akoma më mirë, mos jini fare një prej të përdorurve nga Facebook-u.

Mos i jepni kurrë një sajti web listën e krejt kontakteve tuaja email apo telefonike. Mbajini vetë të dhënat tuaja; mos i depozitoni të dhënat tuaja në shërbyesin “e leverdishëm” të një kompanie. Megjithatë, një kopjeruajtje të të dhënave tuaja është e parrezikshme t’ia besoni një shërbimi komercial, me kusht që të dhënat t’i keni koduar, përfshi këtu emra kartelash, me software të lirë, në kompjuterin tuaj, përpara se t’i ngarkoni.

Për hir të privatësisë, duhet të shmangni software jo të lirë sepse, si pasojë e dhurimit të tjerëve të kontrollit të punimit tuaj në kompjuter, ka shumë gjasa që këta t’ju spiunojnë . Shmangni shërbimet si zëvendësime software-i ; përveç se kjo u jep të tjerëve kontroll mbi punimin tuaj në kompjuter, ju kërkon detyrimisht t’i dorëzoni në shërbyes krejt të dhënat përkatëse.

Sido që të jetë, edhe mbrojtja më rigoroze e vetes është e pamjaftueshme për mbrojtjen e privatësisë suaj në ose nga sisteme që nuk ju përkasin ju. Kur ne komunikojmë me të tjerët ose endemi nëpër qytet, privatësia jonë varet nga praktikat e shoqërisë.

Çdo Sistem Duhet Ta Hartojmë Me Privatësinë Në Mendje

Nëse nuk duam një shoqëri përgjimi tërësor, duhet ta konsiderojmë përgjimin një lloj ndotjeje sociale, dhe ta kufizojmë ndikimin e përgjimit prej çdo sistemi të ri dixhital po njësoj siç kufizojmë ndikimin mjedisor të një konstruksioni fizik.

Për shembull: Matësit e “mençur” të energjisë elektrike i mburrin se i dërgojnë çast pas çasti kompanisë së energjisë të dhëna mbi përdorimin e energjisë nga secili konsumator, përfshi krahasim me përdoruesit në përgjithësi. Kjo punë është sendërtuar duke u bazuar mbi përgjim të përgjithshëm, por nuk kërkon ndonjë përgjim. Për kompaninë e energjisë do të ishte e lehtë të llogariste mesataren e përdorimit në një lagje duke pjesëtuar sasinë e përgjithshme të konsumuar me numrin e pajtimtarëve, dhe këtë t’ua dërgojë matësve. Matësi i çdo konsumatori mund të krahasonte kështu regjistrimin e tij, përgjatë cilësdo periudhe kohore, me mesataren e përdorimit për atë periudhë. I njëjti përfitim, ama pa përgjim!

Na duhet të hartojmë të tillë privatësi në krejt sistemet tona dixhitale.

Kurë për Grumbullimin e të Dhënave: Të Lihen të Hapërdara

Një rrugë për ta bërë mbikëqyrjen të parrezikshme për privatësinë është të  mbahen të dhënat të shpërndara dhe në mënyrë të tillë që hyrja në to të jetë e paleverdishme. Kamerat e dikurshme të sigurisë nuk qenë kërcënim për privatësinë. Regjistrimet depozitoheshin dhe ruheshin me kushtin paraprak: vetëm për disa javë. Ngaqë hyrja në to dhe përdorimi i tyre nuk qe gjë e kollajtë, nuk qe bërë kurrë në shkallë masive; ato hapeshin dhe përdoreshin vetëm në vende ku dikush kish njoftuar për një shkelje. Do të ishte e pamundur të grumbulloheshin fizikisht miliona shirita regjistrimesh çdo ditë dhe të shiheshin apo kopjoheshin.

Sot, kamerat e sigurisë janë bërë kamera përgjimi: ato janë të lidhura në Internet, kështu që regjistrimet mund të grumbullohen në një qendër të dhënash dhe të ruhen përgjithmonë. Kjo është që tani e rrezikshme, por ka për t’u bërë edhe më keq. Përparimi teknik në njohjen e fytyrave mund të sjellë një ditë kur gazetarët e dyshuar të ndiqen rrugës gjithë kohën, për të parë se me kë bisedojnë.

Shpesh vetë kamerat e lidhura me Internetin kanë siguri dixhitale që ta shpif, prandaj  kushdo mund të vëzhgojë atë që sheh syri i kamerës. Që të rikthejmë privatësinë, duhet të ndalojmë përdorimin e kamerave të lidhura me Internetin të fokusuara në vende dhe në raste që pranohet se janë publike, hiq rastin kur ato i kanë njerëzit. Kushdo duhet të jetë i lirë të postojë me raste foto dhe regjistrime video, por grumbullimi sistematik në Internet i të dhënave të tilla duhet të kufizohet.

Kurë për Përgjim Internet Nga Tregtia

Shumica e të dhënave vjen nga veprimtaritë dixhitale të vetë njerëzve. Zakonisht të dhënat grumbullohen së pari nga kompanitë. Por kur vjen fjala për kërcënimin e privatësisë dhe demokracisë, nuk ka dallim mes përgjimit të bërë drejtpërdrejt nga shteti apo të deleguar një biznesi, ngaqë të dhënat që kompanitë mbledhin janë sistematikisht të passhme nga shteti.

NSA-ja, përmes PRISM-it, ka hyrë në bazat e të dhënave të mjaft korporatave të mëdha të Internetit. AT&T-ja ka ruajtur krejt regjistrimet e veta të thirrjeve telefonike që prej 1987-s dhe i jep ato për DEA-n për kërkime kur i është dashur. Nga pikëpamja strikte, qeveria e ShBA-ve nuk i zotëron këto të dhëna, por në terma praktikë i zotëron po njësoj.

Synimi për ta bërë gazetarinë dhe demokracinë të pakërcënuar kërkon atëherë që të reduktojmë të dhënat e grumbulluara rreth njerëzish nga çfarëdo organizëm, jo thjesht nga shteti. Duhet t’i rikonceptojmë sistemet tona dixhitale që të mos grumbullojnë të dhëna rreth përdoruesve të tyre. Nëse u duhen të dhëna dixhitale rreth transaksioneve tona, nuk duhet lejuar që t’i mbajnë ato më gjatë se një interval të shkurtër kohe përtej atij që nevojitet doemos për çka po kryejnë për ne.

Një nga shkaqet e nivelit të tanishëm të përgjimit në Internet është fakti që sajtet financohen përmes reklamave të bazuara në ndjekjen e veprimtarisë dhe prirjeve të përdoruesve. Kjo e shndërron një bezdi të thjeshtë—reklamën, që mund të mësohemi ta shpërfillim—në një sistem përgjimi që na dëmton, pavarësisht se e dimë apo nuk e dimë. Blerjet nëpërmjet Internetit gjithashtu përdoren për të ndjekur përdoruesit e tyre. Dhe ne të gjithë e dimë që “rregullat e privatësisë” janë më tepër justifikime për të shkelur privatësinë, se sa angazhime për ta mbrojtur atë.

Mund t’i ndreqnim të dy problemet duke bërë tonin një sistem pagesash anonime—anonim për atë që paguan, kuptohet. (Nuk duam që ai që paguhet, t’u bëjë bisht taksave.) Bitcoin-i nuk është anonim, edhe pse ka përpjekje për të zhvilluar mënyra që të paguani me Bitcoin në mënyrë anonime. Sido qoftë, teknologjia për paranë dixhitale është zhvilluar së pari në vitet ’80; kemi nevojë vetëm për marrëveshje të përshtatshme mes bizneseve, dhe që shteti të mos i pengojë ato.

Një kërcënim i mëtejshëm nga grumbullimi i të dhënave personale prej sajteve është se cenuesit e sigurisë mund të hyjnë në to, t’i marrin dhe t’i keqpërdorin. Kjo përfshin hollësi kartash krediti të konsumatorëve. Një sistem pagesash anonime do t’i jepte fund këtij rreziku: një e çarë sigurie te sajti nuk do t’ju bënte dëm, nëse sajti nuk di asnjë gjë rreth jush.

Kurë për Përgjimin e Udhëtimeve

Duhet ta shndërrojmë mbledhjen e pagesave dixhitale të lidhura me udhëtimet në mbledhje pagesash anonime (duke përdorur para dixhitale, për shembull). Sistemet e leximit të targave regjistrojnë të tëra targat, dhe të dhënat mund të ruhen përgjithmonë; do të duhej që ligji të kërkonte të dalloheshin dhe të regjistroheshin vetëm ato targa që gjenden në një listë automjetesh që kërkohen me urdhër gjykate. Sipas një alternative më pak të sigurt do të regjistroheshin krejt automjetet, në shkallë vendore, por vetëm për pak ditë, dhe të dhënat e plota të mos jepen nëpërmjet Internet; hyrja në të dhënat do të duhej kufizuar në kërkime për numra sipas një liste me targa që kanë urdhër gjykate.

Lista “no-fly” e ShBA-ve duhet shfuqizuar, sepse përbën ndëshkim pa gjyq.

Është e pranueshme të kihet një listë njerëzish të cilët të kontrollohen me kujdes të veçantë, tok me bagazhet e tyre, dhe pasagjerët anonimë në fluturimet e brendshme mund të trajtohen sikur të ishin në këtë listë. Është gjithashtu e pranueshme të mos lejohen ata që nuk janë shtetas, nëse nuk u është lejuar të hyjnë fare në vend, të hipin në fluturime drejt një vendi. Kjo do të duhej të ishte e mjaftë për krejt qëllimet e ligjshme.

Mjaft sisteme tranziti masiv përdorin për pagesa ndonjë lloj karte të mençur ose RFID. Këto sisteme grumbullojnë të dhëna personale: nëse e bëni vetëm një herë gabimin të paguani me to dhe jo me para klasike, ato e përshoqërojnë përgjithmonë kartën me emrin tuaj. Për më tepër, regjistrojnë gjithçka ka të bëjë me udhëtimet përshoqëruar secilës kartë. Të marra bashkë, bëhen përgjim masiv. Ky grumbullim të dhënash duhet reduktuar.

Shërbimet e orientimit dhe hartave kryejnë përgjim: kompjuteri i përdoruesit i tregon shërbimit të hartave vendin dhe ku dëshiron përdoruesi të mbërrijë; mandej shërbyesi përcakton rrugën dhe ia dërgon kompjuterit të përdoruesit, i cili e shfaq. Sot, ka gjasa që shërbyesi i regjistron vendet e përdoruesve, ngaqë asgjë nuk ia ndalon. Ky përgjim nuk është së brendshmi i domosdoshëm, dhe mund të shmanget përmes rikonceptimit: software-i lirë/libre në kompjuterin e përdoruesit mund të shkarkojë të dhëna harte për zonat që i interesojnë (nëse nuk janë shkarkuar tashmë), të përllogarisë rrugën, dhe ta shfaqë, pa i treguar kujt ndonjëherë se ku gjendet apo ku dëshiron të shkojë përdoruesi.

Sistemet për dhënien e biçikletave me qira, etj., mund të hartohen në mënyrë të tillë që identiteti i qiramarrësit të njihet vetëm brenda stacionit nga u mor objekti me qira. Qiradhënësi do të njoftonte krejt stacionet se objekti është “dhënë,”, që kështu, kur përdoruesi e jep mbrapsht në cilindo stacion (përgjithësisht, një i ndryshëm nga fillestari), ai stacion do ta dijë se ku dhe kur qe marrë me qira objekti. Do të njoftojë stacionin tjetër se objekti nuk është më “i dhënë.” Do të llogarisë gjithashtu faturën e përdoruesit, dhe do t’ia dërgojë (pasi të presë një numër të rastësishëm minutash) qendrës së një vargu stacionesh, në mënyrë që qendra të mos gjejë dot se nga cili stacion erdhi fatura. Pasi të jetë kryer kjo, stacioni ku u dorëzua objekti pas përdorimit do të harronte gjithçka rreth transaksionit. Nëse një objekt mbetet “i dhënë” për një kohë të gjatë, stacioni nga u mor me qira mund të njoftojë qendrën; në këtë rast, mund ta dërgojë identitetin e qiramarrësit menjëherë.

Kurë për Dosjet e Komunikimeve

Mundësuesit e shërbimeve Internet dhe kompanitë telefonike ruajnë të dhëna të zgjeruara mbi kontaktet e përdoruesve të tyre (shfletim, thirrje telefonike, etj). Me telefonat celularë, ata regjistrojnë gjithashtu vendndodhje fizike të përdoruesve. Këto dosje i ruajnë për një kohë të gjatë: mbi 30 vjet, në rastin e AT&T-së. Së shpejti madje do të regjistrojnë veprimtari në trupin e përdoruesit. Duket se NSA-ja i grumbullon të dhënat mbi vendndodhjet e celularëve në stil shumice.

Komunikimi i pambikëqyrur është i pamundur atje ku sistemet krijojnë dosje të tilla. Prandaj do të duhej të ishte e paligjshme të krijohen ose ruhen ato. ISP-të dhe kompanitë telefonike nuk duhet të lejohen të ruajnë informacion të tillë për një kohë të gjatë, në mungesë të një urdhri gjykate për të përgjuar një palë të caktuar.

Kjo zgjidhje nuk është plotësisht e kënaqshme, ngaqë nuk do ta ndalë grumbullimin material nga qeveria të krejt të dhënave sapo të krijohen—që është ajo çka bëjnë ShBA-të me disa ose me të tëra kompanitë telefonike. Do të na duhet të bazohemi në ndalimin me ligj. Sidoqoftë, kaq do të ishte më mirë se sa gjendja e tanishme, ku ligji përkatës (ligji PATRIOT Act) nuk e ndalon qartazi këtë praktikë. Për më tepër, nëse qeveria i kthehet këtij lloj përgjimi, nuk do të merrte të dhëna mbi thirrjet telefonike të gjithkujt të bëra përpara asaj kohe.

Ca Përgjim Ama Është i Nevojshëm

Që shteti të gjejë keqbërësit, lypset të jetë në gjendje të hetojë krime specifike, ose dyshime për krime specifike të planifikuara, me një urdhër gjykate. Me Internetin, aftësia për të përgjuar bashkëbisedimet telefonike do të shtrihej natyrisht te aftësia për të përgjuar lidhjet Internet. Është e lehtë të abuzohet me këtë aftësi për arsye politike, por është edhe e nevojshme. Për fat të mirë, kjo nuk bën të mundur gjetjen e nxjerrësve të sekretit pas faktit të kryer.

Individët me fuqi speciale të akorduar nga shteti, të tillë si policët, e humbasin të drejtën për privatësi dhe duhen mbikëqyrur. (Në fakt, policët kanë term zhargon të tyrin për betim të rremë, “testilying,” ngaqë e bëjnë kaq shpesh, veçanërisht lidhur me protestuesit dhe fotografët.) Një qytet në Kaliforni, që e bëri të detyrueshëm për policët përdorimin e kamerave video në trup gjithë kohën, zbuloi se përdorimi i forcës prej tyre ra me 60%. ACLU është në favor të kësaj.

Korporatat nuk janë njerëz, ndaj as subjekt i të drejtave të njeriut. Është e ligjshme të kërkohet që bizneset të publikojnë hollësi të proceseve që mund t’i shkaktojnë shoqërisë rreziqe kimike, biologjike, bërthamore, fiskale, kompjuterike (p.sh., DRM) ose politike (p.sh., lobimi), në çfarëdo niveli që është i nevojshëm për mirëqenien publike. Rreziku i këtyre operacioneve (sillni në mendje rrjedhjen e naftës nga BP-ja, shpërthimet nga shkrirja e reaktorit në Fukushima, dhe krizën fiskale të 2008-s) e bën më të vogël atë të terrorizmit.

Sido që të jetë, gazetaria duhet të mbrohet nga përgjimi edhe kur kryhet si pjesë e një biznesi.


Teknologjia dixhitale ka sjellë një rritje të tmerrshme të nivelit të përgjimit të lëvizjeve, veprimeve dhe komunikimeve tona. Bëhet fjalë për shumë më tepër se sa patëm provuar në vitet ’90, dhe shumë më tepër se sa patën provuar njerëzit pas Perdes së Hekurt gjatë viteve ’80, dhe prapë do të ishte shumë edhe pas kufijve shtesë ligjorë mbi përdorimin nga ana e shtetit të të dhënave të grumbulluara.

Duhet ta kthejmë mbrapsht këtë rritje, veç në besofshim se vendet tona të lira kanë vuajtur dikur nga deficite të rënda të përgjimit, dhe se duhej të përgjoheshin më shumë se sa qenë përgjuar Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore. Kjo lyp ndaljen e grumbullimit masiv të të dhënave rreth njerëzve.

Të drejta kopjimi © 2013 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Marrë nga Projekti GNU

Gjithçka rreth Flash-it

Marrë nga documentfreedom.org

Çfarë është saktësisht Flash-i?

Flash-i është një grup teknologjish për dërgim audioje dhe videoje përmes Internetit. 99% e kompjuterëve desktop me lidhje në Internet e kanë të instaluar Flash-in, dhe ai përdoret thellësisht nga mjaft site-e web popullorë, përfshi Facebook-un dhe YouTube-in. Nëse përdorni Flash-in, site-et web me Flash i dërgojnë shfletuesit tuaj web zbatime të ruajtur në formate specialë (të emërtuar me zgjatimin .swf dhe .flv), kur vizitoni faqe që funksionojnë me Flash. Që shfletuesi juaj të jetë në gjendje të xhirojë zbatimin dhe të shfaqë median që ai përmban, duhet të ketë të instaluar tashmë një shtojcë (fjala vjen, shtojca Adobe Flash për Firefox-in). Site-et web që përmbajnë lëndë Flash lypin një software të veçantë shërbyesi që të mund ta trajtojnë këtë lëndë, dhe zakonisht përdorin Adobe Flash Media Server.

Pra, “Flash”-i nuk është vërtet një gjë e vetme, por një sistem që përfshin disa përbërës:

  1. Një format kartelash zbatimi (.flv ose .swf)
  2. Një shtojcë shfletuesi web
  3. Një shërbyes mediash Flash

Një pikë për konfuzion shtesë është ajo që terma në dukje emra të rëndomtë përshkrues, të tillë si “Flash Plug-in” ose “Flash Media Server”, i referohen në fakt një produkti specifik pronë dhe shenjë tregtare e Adobe-it.

Ç’të keqe ka Flash-i?

Nuk është Standard i Hapur

Teknologjia Flash është pronë dhe kontrollohet nga një kompani e vetme (Adobe) në mënyrë përjashtuese për përfitime të tyre, dhe nuk përdor Standarde të Hapura. Ata kontrollojnë madje edhe fjalët që përdorim për t’iu referuar Flash-it – në mjaft raste nuk mundet madje as të flasim për Flash-in ose kartelat Flash pa kërkuar leje fillimisht. Se si funksionojnë kartelat Flash vendoset nga Adobe, dhe, edhe pse kanë botuar një shpjegim se si funksionojnë kartelat Flash, ky informacion prapë mbetet i kontrolluar rreptësisht dhe përdorimi i tij i kufizuar.

Lyp Software pronësor

Për fat të keq, me qëllim që një përdorues të lexojë si duhet kartela Flash, lypset shtojca pronësore Flash Plug-in. Ekzistojnë disa alternativa Software i Lirë, por ato (ende) nuk funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme për shumicën e rasteve. Ngaqë shtojca e Adobe-es është pronësore, se si funksionon është e fshehtë, ndaj nuk mund të përshtatet, përmirësohet, ose ndahet me këdo tjetër. Përdoruesit nuk kanë zgjedhje tjetër, veç të shpresojnë që software-i do të jetë i ndershëm dhe i besueshëm, ngaqë ata nuk kanë mënyra për të kontrolluar se çfarë bën në kompjuterin e tyre apo se si funksionon.

Prodhon kyçje nga ana e tregtuesit

Shtojca për Flash e shfletuesit duhet të shkarkohet prej Adobe-it, dhe përdoruesit nuk mund të zgjedhin përdorimin e një shtojce alternative nga një tjetër kompani apo organizëm. Në këtë mënyrë Adobe ruan monopolin mbi një nga teknologjitë e kompjuterit më të përdorura në botë, dhe ka pak shtysa për ta përmirësuar Flash-in sipas nevojave të përdoruesit. Edhe pse për Flash-in nuk ka pagesë për ta përdorur vizitorët e site-eve web, monopoli i Adobe-it shpesh përkthehet në kosto të stërmëdha për organizmat që krijojnë dhe shpërndajnë media në format Flash, përfshi ato qeveritare ose bamirëse. Mjaft organizma kanë ndjesinë se nuk kanë zgjedhje tjetër veç të përdorin Flash-in për video dhe media tjetër online, për shkak të popullaritetit të tij, dhe si rrjedhojë të blejnë për krijim dhe publikim Flash-i software tjetër Adobe të kushtueshëm.

Kërcënënon privatësinë

Shtojca Adobe Flash merr kontrollin e drejtpërdrejtë të videokamerës dhe mikrofonit të përdoruesit, dhe i bën ato të përdorshme nga ana e site-eve web. Site-et web e kanë shfrytëzuar këtë në të kaluarën dhe kanë spiunuar vizitorët pa dijeni e tyre, për qëllime dërgimi mesazhesh hedhurinë dhe vjedhjeje identiteti për qëllime kriminale.
Flash-i ka një historik problemesh për privatësinë, veçanërisht ato lidhur me përdorimin e cookie-ve nga ana e tij. Pasi një shtojcë Flash instalohet bëhet pjesë e shfletuesit web, ka hyrje në të dhënat se çfarë site-sh web janë vizituar dhe për çfarë janë përdorur. Ngaqë është software pronësor, përdoruesit nuk e dinë se si përdoren këto të dhëna.

Është jo i sigurt

Shtojcat dhe skriptet Adobe Flash janë të famshme për të qenët jo të sigurt, dhe shumë ekspertë këshillojnë çaktivizimin e tyre plotësisht, për shkak të cënueshmërive të sigurisë që paraqesin. Ngaqë janë pronësore, vetëm punonjësit e Adobe-it mund t’i ndreqin problemet, madje edhe me vonesë prej një viti pasi ato janë zbuluar, dhe vetëm Adobe-i di se si funksionon faktikisht software-i i tyre.

Një alternativë e hapur

Html 5 është një Standard i ri i Hapur dhe i fuqishëm që mund të përdoret për të zëvendësuar mjaft nga përdorimet e Adobe Flash-it. Ai përmban një familje teknologjish, përfshi standarde për audio dhe video, dhe një për grafikë të avancuar 2D dhe 3D. Site-et web për ndarje videosh me të tjerët, për shembull, mund të kalojnë tërësisht në HTML, për sa i takon luajtjes së videove dhe, duke bërë kështu, të ofrojnë luajtje videosh më gjerësisht të përputhshme, të mundshme dhe të paanshme.

Cilët po përdorin HTML 5-n?

Edhe para finalizimit të standardeve HTML 5, më 2011 34 nga 100 site-et Web kryesuese në botë po e përdornin. Shembuj site-esh web që përdorin HTML 5-n për audio dhe video:
  • Grooveshark
  • Youtube
  • Vimeo
  • Daily Motion
  • BBC (për celular)

Është zëvendësim i plotë?

Edhe pse Flash-i dhe HTML 5-a përpiqen të arrijnë gjëra të ngjashme, janë teknologji shumë të ndryshme, dhe nuk kanë karakteristika identike. HTML 5-a është shumë e përshtatshme për transmetim videosh dhe audio në rrjet, por disa përdorime të tjera hëpërhë janë të vështira ose të pamundura. Megjithatë, vazhdimisht po hidhen në qarkullim librari të reja për lojëra dhe për komunikim të atëçastshëm (përfshi konferenca video dhe aftësitë e tyre po shtohen.

Si mund ta përdor HTML5 në site-in tim web?

Si mund të shmang Flash-in online?

Që të parandaloni plotësisht media në shfletuesin tuaj web, thjesht çaktivizoni ose çinstaloni shtojcën për Flash (ose mos e instaloni, nëse nuk e keni instaluar tashmë). Se si bëhet kjo, varet nga shfletuesi. Një mënyrë tjetër është instalimi i një shtese shfletuesish si ‘Flashblock’, që zëvendëson media Flash me një buton të volitshëm “zhbllokimi”, për të dhënë kontroll më të madh mbi përdorimin nga ana juaj të Flash-it.
Të drejta Kopjimi 2008-2013 FSFE. Burimi
Hiq rastet kur deklarohet ndryshe, lënda licencohet sipas një licence Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.

Standarde të Hapura

Marrë nga documentfreedom.org

Standardet e Hapura janë thelbësore për ndërveprueshmërinë dhe lirinë e zgjedhjes të bazuar në meritat e secilit zbatim software. Ato ofrojnë liri nga kyçja e të dhënave dhe kyçjet nga ana e shitësve që pasojnë ato. Kjo i bën Standardet e Hapura thelbësore për qeveritë, kompanitë, organizmat dhe përdoruesi individualë të teknologjive të informacionit.

Përkufizim

Për qëllimet e Ditës së Lirisë së Dokumenteve, kuptimi që përdorim ne për “Standarde të Hapura” është që standardi duhet të jetë:

  1. subjekt i vlerësimit të plotë publik dhe përdorimit pa pengesa në mënyrë të barabartë për të gjitha palët;
  2. pa ndonjë përbërës apo zgjerim që varet nga formate ose protokolle të cilat vetë nuk pajtohen me përkufizimin e Standardit të Hapur;
  3. i lirë nga klauzola ligjore ose teknike të cilat i kufizojnë përdorimin nga çfarëdo pale ose në çfarëdo modeli biznesi;
  4. i administruar dhe i zhvilluar më tej në mënyrë të pavarur nga çfarëdo tregtuesi nën një proces të hapur për pjesëmarrjen e barasvlershme të konkurrentëve dhe palëve të treta;
  5. i passhëm në sendërtime të plota të shumta nga tregtues konkurrentë, ose si një sendërtim i plotë i passhëm njësoj nga krejt palët.

Me një periudhë garancie për “standarde të rinj” për pikën e pestë.

Ç’duan të thonë Standardet e Hapura për ju

Efekte të dukshëm të Standardeve të Hapura janë që ju mundeni:

  • Të zgjidhni çfarëdo sistemi operativ apo zbatimi dhe prapë të jeni në gjendje të lexoni ose përpunoni krejt dokumentet tuaj të dikurshëm.
  • Të bashkëpunoni me të tjerët pavarësisht se çfarë software-i përdorin ata.
  • Të përdorni çfarëdo software-i të zgjedhur prej jush për ndërveprim me qeverinë tuaj.

Efektet më pak të dukshëm të Standardeve të Hapura janë ato që shpien në më tepër konkurrencë te software-et, dhe në zgjidhje TI qeveritare më të efektshme, që shmangin kosto të rrjedhura nga kyçjet.

Më tepër informacion mbi Standardet e Hapura

Gjeolokalizimi në Firefox ose Shfletim i Ndjeshëm ndaj Vendit

Firefox mund t’u tregojë site-ve web se ku gjendeni, që kështu të mund të gjeni të dhëna më me peshë dhe më të dobishme. Bëhet fjalë për ta bërë Web-in më të mençur – dhe kjo bëhet duke respektuar plotësisht privatësinë tuaj.

Pyetje të Bëra Shpesh

Çfarë Është Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit?

Site-et Web që përdorin shfletim të ndjeshëm ndaj vendit do t’ju pyesin se ku gjendeni, që të mund t’ju sjellin të dhëna më me peshë, ose për t’ju kursyer kohë gjatë kërkimeve. Le të themi që po kërkoni për një piceri në zonën tuaj. Site-i web do të jetë në gjendje t’ju pyesë të jepni vendin ku ndodheni, në mënyrë që thjesht kërkimi për “pica” do t’ju sjellë përgjigjen që ju duhet… pa qenë nevoja për të dhëna të tjera apo më tepër shkrim në tastierë.

Ose, në rast se po përpiqeni si të gjeni në hartë rrugën për diku, site-i web do e dijë se nga do filloni, e kështu e vetmja gjë që duhet t’i tregoni është ku doni të shkoni.

Ky shërbim është krejtësisht nën dëshirën tuaj – dhe Firefox-i, pa lejen tuaj, nuk e ndan me të tjerët vendin ku gjendeni – dhe e tëra kjo bëhet me respektin më të madh për privatësinë tuaj. Dhe, si tërë elementët e Firefox-it, është sendërtuar duke përdorur standarde të hapura, që të jetë e mundur birësimi nga programuesit Web.

Si funksionon?

Kur vizitoni një site web të ndjeshëm ndaj vendit, Firefox-i do t’ju pyesë nëse doni të jepni vendin ku gjendeni.

Nëse pranoni, Firefox-i grumbullon të dhëna rreth pikash të afërta me hyrje në Internet pa kabllo dhe rreth adresës IP të kompjuterit tuaj. Mandej Firefox-i i dërgon këto të dhëna te mundësuesi parazgjedhje i shërbimit të gjeolokalizimi, Google Location Services, për të pasur një vlerësim mbi vendin tuaj. Ky vlerësim vendi mandej i jepet site-it web që e kërkoi.

Po qe se thoni se nuk pranoni, Firefox-i nuk do të bëjë gjë.

Sa të sakta janë vendet?

Saktësia ndryshon fort nga vendi në vend. Në disa vende, mundësuesit e shërbimit tonë mund të jenë në gjendje të furnizojnë vendndodhje brenda pak metrash. Sidoqoftë, në zona të tjera mund të bëhet fjalë për më shumë se kaq. Të tëra vendet e dhëna si përgjigje nga mundësuesit e shërbimit tonë janë vetëm vlerësime dhe nuk garantojmë saktësinë e tyre. Ju lutemi, mos i përdorni këto të dhëna për urgjenca. Përdorni përherë arsyen.

Ç’të dhëna dërgohen, dhe kujt? Si mbrohet privatësia?

Privatësia juaj është tejet e rëndësishme për ne, dhe Firefox-i nuk i jep kurrë të dhënat tuaja pa leje nga ju. Kur vizitoni një faqe që kërkon të dhëna tuajat, do të pyeteni, përpara se çfarëdo e dhënë të jepet te site-i web që e kërkon dhe te mundësuesi palë e tretë i shërbimit.

Si parazgjedhje, Firefox-i përdor Google Location Services për përcaktimin e vendit tuaj përmes dërgimit të:

  • vendndodhjes IP të kompjuterit tuaj,
  • të dhëna rreth pikash të afërta të hyrjes në Internet pa kabllo, dhe
  • një identifikues të rastësishëm të klientit, i cili caktohet nga Google, që skadon çdo dy javë.

Për një përshkrim të plotë të të dhënave të mbledhura dhe përdorura nga Firefox-i, ju lutemi, shihni Rregulla Privatësie për Firefox-in (në Anglisht).

Google Location Services përgjigjet mandej me vendin tuaj sipas tyre (p.sh., gjerësi dhe gjatësi gjeografike). Për një përshkrim të plotë të të dhënave të mbledhura dhe përdorura nga Google, ju lutemi, shihni Google Geolocation Privacy Policy (në Anglisht).

Të dhënat shkëmbehen përmes një lidhjeje të koduar, për të mbrojtur privatësinë tuaj. Pasi të ketë vendin tuaj, Firefox-i ia kalon atë site-i web që e kërkoi. As emri apo vendi i site-it web që po vizitoni, as ndonjë cookie, nuk jepen kurrë te Google Location Services.

As Mozilla dhe as Google nuk kanë për të përdorur kurrë të dhëna të mbledhura nga Google Location Services për të zbuluar se kush jeni ose për t’ju spiunuar.

Për të dhëna rreth se çfarë bën site-i web që bëri kërkesën me të dhënat mbi vendin tuaj, ju lutemi, shihni rregullat e privatësisë të site-it web.

Për më tepër të dhëna rreth privatësisë suaj, do të duhej të lexonit po ashtu:

A më gjurmojnë ndërkohë që shfletoj në web?

Jo. Firefox-i kërkon për një vend vetëm kur bën kërkesë një site web, dhe e jep vendin tuaj vetëm kur përdoruesi e ka miratuar kërkesën. Firefox-i nuk e ndjek apo e ruan në kujtesë vendin tuaj ndërkohë që ju shfletoni.

Si të tërheq lejen që dhashë për një ?

Po qe se i keni dhënë Firefox-it leje që të japë përherë vendin tuaj te një site dhe më pas ndërroni mendje, mundeni lehtësisht të shfuqizoni atë leje. Ja se si:

  • Shkoni te site të cilit i keni dhënë leje
  • Shkoni te menuja Mjete, mandej përzgjidhni Të dhëna Faqeje
  • Përzgjidhni skedën Leje
  • Ndryshoni rregullimin për Lejo Tregim Vendi

Si ta pastroj “numrin identifikues të rastësishëm të klientit”?

  • Shkoni te menuja Mjete, mandej përzgjidhni Hiq Historikun Së fundmi
  • Klikoni te shigjeta Hollësi
  • Sigurohuni që Cookies janë të përzgjedhura
  • Klikoni te Pastroje Tani

Si ta çaktivizoj Shfletimin e Ndjeshëm ndaj Vendit përgjithmonë?

Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit është përherë me-zgjedhje te Firefox. Asnjë e dhënë vendi nuk jepet pa lejen tuaj. Nëse dëshironi ta çaktivizoni plotësisht këtë veçori, ju lutemi, ndiqni këtë grup hapash:

  • Te shtylla e URL-ve, shtypni about:config
  • Shtypni geo.enabled
  • Dyklikoni te parapëlqimet për geo.enabled
  • Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit tani është i çaktivizuar

Marrë nga Mozilla.org

Teknologjia në shërbim të komunikimeve të drejtpërdrejta

Freedom Box – pajisja që do të vigjëlojë mbi privatësinë tonë

Firefox-i – Shfletuesi ndryshe

Çfarë e bën ndryshe nga të tjerët në llojin e vet shfletuesin pararojë të Mozilla-s?

Transkripti (për nevoja të çfarëdoshme):

Jemi jo pak të kënaqur që jemi shfletuesi i çuditshëm. Nuk kemi iniciale aksionesh për t’ia dhënë shtypit bashkë me emrin tonë. Nuk kemi fitime. Nuk kemi yje roku që i vëmë mbi të tjerët. Nuk bëjmë po ato pazare, nuk nënshkruajmë po ato kontrata, apo shtrëngojmë po ato duar, si gjithkush tjetër. Dhe ndjehemi mirë me tërë këtë. Jemi një grup njerëzish me frymëzim të pavarur, thellësisht jokonvencionalë që gjërat i bëjnë pakëz ndryshe. Atje ku një shoqëri tjetër do të çmonte fitimin ne çmojmë… vlerat. Kur konkurrenti vret mendjen se si ta bëjë diçka pronësore, ne luftojmë ta lëmë të lirë. Dhe teksa shumica e produkteve dhe teknologjive zhvillohen pas dyersh të mbyllura, tonat kultivohen nën qiell të hapur, mund t’i shohë gjithkush. Nuk na duhet të përgjigjemi para aksionerësh. Përgjigjemi vetëm para jush. Dhe nuk veprojmë kështu se na duket zbavitëse, edhe pse është tejet zbavitëse. Veprojmë në këtë mënyrë ngaqë besojmë se është gjëja e duhur për t’u bërë. Besojmë në parimet e jo te fitimet. Besojmë se ndershmëria fiton mbi sekretin, dhe bashkësia mbi interesat e korporatave. Besojmë se është më mirë të përkujdesesh për web-in se sa ta kesh pronë, ta shohësh si burim që do mbrojtur se sa si mall për shitje. Dhe besojmë fort në risitë që e vënë përdoruesin në ballë dhe në timon. Por më e rëndësishmja, besojmë te ju. Besojmë se shfletuesi më i mirë i botës u bë i mundur nga inxhinierë, programues, grafistë, dhe njerëz si ju, që japin kohë nga e tyrja, talent, energji dhe përkrahje për kauzën. Dhe besojmë se tok, me këtë kauzë në mendje, mund të vazhdojmë me risi në përfitim të individit, dhe përmirësimit të web-it. Që kështu, përherë e përgjithmonë, t’i shërbehet të mirës së përgjithshme. Jemi të tërë Mozilla Firefox. Nuk jemi thjesht një shfletues ndryshe. Jemi një shfletues që sjell ndryshim.

Faqja Pasuese »

© 2012-2017 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.