Arkivë për etiketën 'Windows'

Software-i i Lirë Tani Është Edhe Më i Rëndësishëm

nga Richard Stallman

Një version thelbësisht i redaktuar i këtij artikulli u botua në Wired.

U mbushën 30 vjet që prej fillimit të Lëvizjes për Software të Lirë, veprimtaria e të cilës synon që software-i të respektojë lirinë e përdoruesve dhe të bashkësisë. Të tillë software e quajmë “të lirë” dhe “libre” (e përdorim këtë fjalë që të theksojmë aspektin se e kemi fjalën për lirinë, jo çmimin). Disa programe pronësore, të tilla si Photoshop, janë shumë të shtrenjta; të tjera, fjala vjen Flash Player, janë falas—sipas njërës mënyrë, apo tjetrës, ato ua nënshtrojnë përdoruesit pushtetit të të zotit të programit.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej atyre fillimeve: shumica e njerëzve, në vendet e përparuara, tani kanë në zotërim kompjuter (ndonjëherë të quajtur “telefona”) dhe lidhen në Internet përmes tyre. Software-i jo i lirë ende i bën përdoruesit t’ia dorëzojnë dikujt tjetër kontrollin mbi punimin e kompjuterëve, por tani ka edhe një tjetër mënyrë për ta humbur atë: Service as a Software Substitute (Shërbimi si Zëvendësues Software-i) , ose SaaSS, që do të thotë t’ia lësh shërbyesit të dikujt tjetër të kryejë veprimet tuaja kompjuterike.

Si software-i jo i lirë, ashtu edhe SaaSS-i mund të spiunojnë përdoruesin, t’i hedhin vargonj atij, dhe madje edhe ta sulmojnë atë. Abuzimet janë të zakonshme në shërbime dhe produkte software-i pronësor, ngaqë kontrollin nuk e kanë përdoruesit. Ky është dallimi themelor: software-i jo i lirë dhe SaaSS-i kontrollohen nga një njësi tjetër (zakonisht një korporatë ose një shtet), dhe përdoruesit nuk kanë zë në kontroll. Software-i i lirë, përkundrazi, vendos përdoruesit në kontroll.

Pse ka rëndësi ky kontroll? Ngaqë liri do të thotë të keni kontroll mbi jetën tuaj. Nëse përdorni një program që të kryeni veprimtari në jetën tuaj, liria juaj varet nga sa kontroll keni mbi programin. E meritoni të keni kontrollin mbi programet që përdorni, aq më tepër kur ato i përdorni për diçka të rëndësishme në jetën tuaj.

Kontrolli i përdoruesve mbi programin lyp katër liri thelbësore.

(0) Lirinë për ta xhiruar programin si të doni, për çfarëdo qëllimi.

(1) Lirinë për të studiuar “kodin burim” të programit, dhe për ta ndryshuar atë, kështu që programi i kryen përllogaritjet ashtu si doni ju. Programet shkruhen nga programuesit në një gjuhë programimi—diçka si Anglishtja e ndërthurur me algjebrën—dhe ajo formë e programit përbën “kodin burim”. Cilido që di të programojë, dhe ka një program në formën e kodit burim, mund të lexojë kodin burim, të kuptojë funksionimin e tij, dhe ta ndryshojë madje. Kur krejt ajo që ju jepet është forma e ekzekutueshme e programit, një varg numrash që është efikas për ta ekzekutuar kompjuteri, por tejet i vështirë për ta kuptuar një qenie njerëzore, të kuptuarit dhe ndryshimi i programit në atë formë janë aq të vështirë sa thuajse e pamundur.

(2) Lirinë për të krijuar dhe shpërndarë kopje ekzakte, kur të doni. (Nuk bëhet fjalë për një detyrim; e bëni kur doni dhe se doni. Nëse programi është i lirë, kjo nuk do të thotë që dikush e ka detyrim t’ju ofrojë një kopje, ose se keni detyrim t’i ofroni ju dikujt një kopje. Shpërndarja përdoruesve e një programi pa liri është keqtrajtim i tyre; megjithatë, të vendosësh të mos e shpërndash programin—duke e përdorur privatisht—nuk keqtrajton njeri.)

(3) Lirinë për të krijuar dhe shpërndarë kopje të versioneve tuaja të modifikuara, kur doni.

Dy liritë e para duan të thonë që çdo përdorues mund të ushtrojë kontroll individual mbi programin. Me dy liritë e tjera, cilido grup përdoruesish mund të ushtrojë së toku kontroll kolektiv mbi programin. Me krejt katër liritë, përdoruesit e kontrollojnë plotësisht programin. Nëse cilado prej tyre mungon ose nuk është e mjaftueshme, programi është pronësor (jo i lirë), dhe i padrejtë.

Për veprimtari praktike përdoren gjithashtu lloje të tjera veprash, përfshi receta gatimesh, vepra edukative, të tilla si libra shkollorë, vepra referencash, të tilla si fjalorët apo enciklopeditë, llojet e shkronjave për të shfaqur paragrafë teksti, diagrame qarqesh që mund të ndërtohen nga njerëzit, dhe stampa për të krijuar objekte të dobishme (jo thjesht zbukuruese) me një shtypës 3D. Ngaqë këto nuk janë software, lëvizja e software-it të lirë nuk i mbulon ato, në kuptimin e ngushtë të fjalës; por i njëjti arsyetim zbatohet dhe shpie në të njëjtin përfundim: këto vepra duhet të bartin katër liritë.

Një program i lirë ju lejon të luani me të, për ta bërë të bëjë atë që doni (ose të reshtë së bëri diçka që ju nuk e pëlqeni). Të luash me software-in mund të tingëllojë qesharake, nëse jeni mësuar me software-in pronësor si një kuti të vulosur, por në Botën e Lirë është gjë e zakonshme, dhe një rrugë e mirë për të mësuar programim. Madje edhe një nga mënyrat tradicionale amerikane të kalimit të kohës së lirë, futja e duarve në makina, tani e ka rrugën të zënë, ngaqë makinat përmbajnë software jo të lirë.

Padrejtësitë e Pronësorësisë

Nëse përdoruesi nuk e kontrollon programin, programi kontrollon përdoruesit. Me software-in pronësor, gjithmonë ka një njësi, “pronari” i një programi, që kontrollon programin—dhe përmes kësaj, ushtron pushtet mbi përdoruesit e tij. Një program jo i lirë është një kular, një instrument pushteti të padrejtë.

Në raste skandaloze (edhe pse kjo skandalozja është bërë shumë e zakonshme) programet pronësore janë konceptuar të spiunojnë përdoruesit, t’i kufizojnë ata, t’i censurojnë dhe të abuzojnë me ta. Për shembull, sistemi operativ i Apple iThings i bën të gjitha këto, dhe kështu bën edhe Windows-i në pajisje celulare me procesorë ARM. Windows-i, firmware-i i telefonave celularë, dhe Google Chrome për Windows përfshijnë një deriçkë universale që u lejon disa kompanive ta ndryshojnë programin së largëti pa marrë leje. Amazon Kindle ka një deriçkë që mund të përdoret për të fshirë libra.

Me synimin për t’i dhënë fund padrejtësisë së software-it të lirë, lëvizja e software-it të lirë ndërton programe që përdoruesit të çlirojnë veten. E filluam më 1984 me hartimin e sistemit të lirë operativ GNU. Sot, miliona kompjuterë xhirojnë GNU, kryesisht në formën e ndërthurjes GNU/Linux.

T’u shpërndash përdoruesve një program pa liritë, i keqtrajton ata; megjithatë, të zgjedhësh të mos e shpërndash programin, nuk keqtrajton njeri. Nëse shkruani një program dhe e përdorni privatisht, kjo nuk i bën keq njeriu. (Humbisni një rast të bëni mirë, por kjo nuk është e njëjtë me të bërit dëm.) Ndaj, kur themi që krejt software-i duhet të jetë i lirë, nënkuptojmë që çdo kopje duhet të shoqërohet me katër liritë, por nuk nënkuptojmë që dikush e ka për detyrë t’ju ofrojë një kopje.

Software-i Jo i Lirë dhe SaaSS

Software-i jo i lirë qe mënyra e parë që kompanitë të vinin nën kontroll punimin në kompjuter të njerëzve. Sot, ka një mënyrë tjetër, të quajtur Shërbimi si Zëvendësues Software-i, ose SaaSS. Kjo do të thotë t’ia lësh shërbyesit të dikujt të kryejë punët tuaja në kompjuter.

SaaSS nuk do të thotë që programet në shërbyes janë jo të lirë (megjithëqë shpesh janë). Puna është që përdorimi i SaaSS-it shkakton të njëjtat padrejtësi si përdorimi i një programi jo të lirë: janë dy shtigje te i njëjti dreq vendi. Merrni shembullin e një shërbimi SaaSS përkthimesh: Përdoruesi dërgon tekst tek shërbyesi, dhe shërbyesi e përkthen (nga Anglishtja në Spanjisht, të themi) dhe ia dërgon përkthimin mbrapsht përdoruesit. Që prej kësaj, akti i përkthimit është nën kontrollin e operatorit të shërbyesit, në vend se nën atë të përdoruesit.

Nëse përdorni SaaSS, operatori i shërbyesit kontrollon punimin tuaj në kompjuter. Kjo kërkon që t’ia besoni krejt të dhënat tuaja përkatëse operatorit të shërbyesit, të cilin do ta detyrojnë t’ia tregojë ato shtetit po ashtu—kujt i shërben pra ky shërbyes, në fund të fundit?

Padrejtësi të Dorës së Parë dhe të Dytë

Kur përdorni programe pronësore ose SaaSS, së pari i bëni dëm vetes, ngaqë kjo i jep një njësie pushtet të padrejtë mbi ju. Për të mirën tuaj, do të duhej t’i hiqeshit kësaj. U bën gjithashtu dëm të tjerëve, nëse premtoni që të mos ndani gjë me të tjerët. Të mbash një premtim të tillë është gjë e ligë, dhe më pak e ligë ta shkelësh; që të jeni vërtet të drejtë, nuk do të duhej ta bënit fare premtimin.

Ka raste kur përdorimi i software-it jo të lirë ushtron presion mbi të tjerët të bëjnë edhe ata ashtu. Skype-i është një shembull i qartë: kur një person përdor software-in jo të lirë klient të Skype-it, i kërkon një personi tjetër të përdorë po ashtu atë software—e kështu që të dy dorëzojnë lirinë e tyre. (Google Hangouts ka të njëjtin problem.) Është e dëmshme madje edhe t’i këshillosh programe të tilla. Do të duhej që ne të refuzonim t’i përdornim qoftë edhe për pak, qoftë edhe në kompjuterin e dikujt tjetër.

Një tjetër gjë e dëmshme nga përdorimi i programeve jo të lira dhe SaaSS-it është se kështu shpërblehet ai që e bën, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të atij programi ose “shërbimi”, duke sjellë kështu që nën thundrën e një kompanie të bien më tepër njerëz.

Të gjitha format e dëmit të tërthortë zmadhohen edhe më, kur përdoruesi është një ent publik ose një shkollë.

Software-i i Lirë dhe Shteti

Agjencitë publike ekzistojnë për njerëzit, jo për vetveten. Kur punojnë në kompjuter, e bëjnë këtë për njerëzit. E kanë detyrë të ruajnë kontrollin e plotë mbi punimin në kompjuter, për të bërë kështu të mundur që ai të kryhet si duhet për njerëzit. (Kjo përbën sovranitetin kompjuterik të shtetit.) Ata nuk duhet të lejojnë kurrë që kontrolli mbi anën kompjuterike të shtetit të bjerë në duar private.

Ruajtjen e kontrollit mbi punimin në kompjuter të njerëzve, agjencitë publike nuk duhet ta bëjnë me software pronësor (software në kontrollin e një enti tjetër veç shtetit). Dhe nuk duhet t’ia besojnë një shërbimi të programuar dhe xhiruar nga një ent tjetër veç shtetit, ngaqë kjo do të ishte SaaSS.

Software-i pronësor nuk ka asnjë lloj sigurie në një rast kyç — kur përdoret kundër zhvilluesit të tij. Dhe zhvilluesi mund të ndihmojë të tjerët të sulmojnë. Microsoft-i i tregon të meta të Windows-it NSA-së (agjencia qeveritare e spiunazhit dixhital të ShBA-ve) përpara se t’i ndreqë ato. Nuk e dimë nëse kështu bën edhe Apple-i, por edhe ky gjendet nën të njëjtën trysni qeveritare si Microsoft-i. Nëse qeveria e cilitdo vendi tjetër përdor software të tillë, vë në rrezik sigurinë kombëtare. Doni që NSA-ja të fusë hundët në kompjuterët e qeverisë juaj? Shihni rregullat e këshilluara prej nesh për qeveritë për promovomin e software-it të lirë.

Software-i i Lirë dhe Arsimi

Shkollat (dhe këtu përfshihen veprimtaritë edukative) ndikojnë të ardhmen e shoqërisë përmes asaj çka u mësojnë nxënësve. Ato do të duhej të jepnin përjashtimisht mësim software të lirë, duke e ushtruar për të mirën ndikimin e tyre. Të japësh mësim një program pronësor do të thotë të mbjellësh varësi, çka shkon kundër misionit të arsimit. Duke i stërvitur nxënësit në përdorimin e software-it të lirë, shkollat do ta drejtojnë të ardhmen e shoqërisë drejt lirisë, dhe do të ndihmojë programuesit e talentuar të bëhen të zotë.

Ato do t’u mësonin nxënësve zakonin e bashkëpunimit, ndihmës për njëri-tjetrin. Çdo klasë do të duhej të kishte këtë rregull: “Nxënës, kjo klasë është një vend ku ne ndajmë me njëri-tjetrin dijen tonë. Nëse sillni në klasë software, nuk mund ta mbani për veten. Në vend të kësaj, duhet të ndani kopje të tij me gjithë klasën—përfshi kodin e tij burim, në rast se dikush dëshiron të mësojë prej tij. Për këtë arsye, sjellja në klasë e software-it pronësor nuk lejohet, hiq rastet kur kjo bëhet për retroinxhinierim të tij.”

Zhvilluesit pronësorë do të na vinin t’i ndëshkonim nxënësit që janë aq zemërmirë sa të ndajnë software me të tjerët, dhe t’i pengonim ata që janë aq kureshtarë sa të duan ta ndryshojnë atë. Kjo do të thotë arsimim i shtrembër. Shihni http://www.gnu.org/education/ për më tepër diskutime rreth përdorimit të software-it të lirë në shkolla.

Software i Lirë: Më Shumë Se “Avantazhe”

Më kërkojnë shpesh të përshkruaj “avantazhet” e software-it të lirë. Por fjala “avantazhe” është shumë e dobët kur vjen puna te liria. Jeta pa liri është shtypje, dhe kjo vlen edhe për punimin në kompjuter, si për çdo veprimtari tjetër në jetën tonë. Ne duhet të refuzojmë dhënien e kontrollit mbi punimin në kompjuter pronarëve të programeve ose të shërbimeve kompjuterike. Kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë, për arsye egoiste; por jo vetëm për arsye egoiste.

Liria përfshin lirinë për të bashkëpunuar me të tjerët. T’ua mohosh njerëzve atë liri do të thotë t’i mbash ata të përçarë, çka është fillimi i një skeme për t’i shtypur ata. Në bashkësinë e software-it të lirë, jemi shumë të ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e lirisë për të bashkëpunuar me të tjerët, ngaqë puna jonë përfaqëson bashkëpunim të organizuar. Nëse shoku juaj ju viziton dhe sheh që përdorni një program, mund t’ju kërkojë një kopje. Një program që jua ndalon rishpërndarjen e tij, ose që thotë se “nuk është menduar ta bëni”, është anti-shoqëror.

Në lëmin kompjuterik, bashkëveprimi përfshin rishpërndarjen e kopjeve ekzakte të një programi për përdoruesit e tjerë. Përfshin gjithashtu shpërndarjen për ta të versioneve tuaja të ndryshuara. Software-i i lirë i nxit forma të tilla bashkëpunimi, ndërsa software-i pronësor i ndalon ato. E ndalon rishpërndarjen e kopjeve, dhe duke u mohuar përdoruesve kodin burim, i pengon ata të bëjnë ndryshime. SaaSS-i ka të njëjtat efekte: nëse punimi juaj në kompjuter zhvillohet nëpër web, te shërbyesi i dikujt tjetër, nga kopja e dikujt tjetër e një programi, nuk e shihni apo prekni dot software-in që kryen përllogaritjet për ju, ndaj nuk mund ta rishpërndani ose ndryshoni dot.

Përfundim

Ne e meritojmë të kemi kontroll mbi punimin tonë në kompjuter; si mund ta fitojmë këtë kontroll? Duke mos pranuar software jo të lirë në kompjuterët që zotërojmë ose përdorim rregullisht, dhe duke mos pranuar SaaSS-e. Duke zhvilluar software të lirë (ata prej nesh që janë programues). Duke mos pranuar të zhvillojmë ose promovojmë software jo të lirë ose SaaSS-e. Duke i përhapur këto ide te të tjerët.

Ne dhe mijëra përdorues e kemi bërë këtë që prej 1984-s, prej kësaj kemi tani sistemin operativ të lirë GNU/Linux që kushdo—programues ose jo—mund ta përdorë. Bashkojuni kauzës sonë, si programues ose si veprimtar. Le t’i çlirojmë të tërë përdoruesit e kompjuterit.

Të drejta kopjimi © 2013 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Marrë nga Projekti GNU

Shfletoni i Lumtur

Përdorimi i një shfletuesi të vjetruar e bën kompjuterin tuaj të pasigurt. Shfletoni i Lumtur është një mënyrë për të njohur se cilat janë versionet më të reja të shfletuesve më të njohur rreth e qark. Mund të mësoni gjithashtu mbi shfletues alternativë që mund t’ju bëjnë punë madje më mirë se sa ai që përdorni deri sot.

 

Shfletoni i Lumtur

 

Kur një përdorues klikon mbi lidhjen e site-it që nga shfletuesi i vet, kontrollohet versioni aktual i shfletuesit që ai përdor dhe jepen të dhënat përkatëse, tok me sugjerime të rastit.

Hidhet në treg tastierë (e vërtetë) për Shqipen

Objekti i këtij postimi nuk hyn në gjërat të cilat trajton blogu, por mu duk i rëndësishëm dhe afër tematikës së tij. Më në fund, në treg është hedhur një tastierë që shkronjat e Shqipes i ka të tëra, edhe ë-në, edhe ç-në. Lehtësitë që priten nga përdorimi i një tastiere të tillë janë të qarta, si për ata që përdornin shkurtore tastiere për shkrimin e këtyre dy shkronjave (Alt + abc), si për ata që përdorin zëvendësimin e w-së me ë në përfundim të shkrimit të një teksti. Gazetat tona, dhe krejt lënda e shkruajtur në Shqip në Internet ka rastin të përmirësohet dukshëm. Dhe vetëm me një investim fare modest.
Nga figura e reklamës shihet që për realizimin është përdorur skema e Microsoft-it për Shqipen. Jo më e mira, por prapëseprapë punën e bën. Nuk e di se sa e lehtë është ta ndryshosh këtë skemë nën Windows. Por në Linux kjo është punë minutash. Kështu në vend të zgjedhjes së Microsoft-it, ë-ja mund t’i përshoqërohet w-së në tastierë, shkronjë e huaj për abc-në e Shqipes, dhe ç-ja t’i përshoqërohet tastit me simbolin e Windows-it, të cilin ende nuk dihet se për çfarë mund të përdoret.

N.B. Nuk kam asnjë marrëdhënie me kompaninë që tregton produktin e mësipërm. Jam shumë i kënaqur me tastierën time të përshtatur, në nivel software, për Shqipen.

Si të zgjidhet një shfletues Web

Çfarë është shfletuesi Web?

Shfletuesi është një program kompjuteri që shfaq faqe Web.  Shfletuesi juaj ndikon në rrugë të ndryshme mbi mënyrën se si e përdorni Web-in, përfshi këtu sa shpejt hapet një faqe, sa të sigurt jeni kur lundroni në Internet dhe ç’pjesë e të dhënave tuaja u jepen të tjerëve.

Shfletuesat Web nuk duhen ngatërruar me pjesë të tjera kyçe të punimit tuaj online, të tilla si sistemet operative (p.sh. Windows, Mac ose Linux) ose motorë kërkimi (fjala vjen, Google, Yahoo ose Bing).

Nëse s’e keni vrarë shumë mendjen për shfletuesit më parë, ja disa pika para se të vendosni:


A është shfletuesi juaj i lirë?

Sot, krejt shfletuesat më popullorë dhe të respektuar janë të lirë për përdoruesit.  Nëse hasni një site që ju kërkon pagesë përpara se të mund të shkarkoni një shfletues, bëni shumë kujdes, pse gjasat janë të jetë sajesë.

A do të xhirojë shfletuesi në kompjuterin tim?

Jo çdo shfletues xhiron në çdo sistem operativ kompjuterash, ndaj një nga hapat tuaj të parë do të ishte të siguroheni që i zgjedhuri juaj të mbulojë kompjuterin(at) që përdorni. Nëse ju duhet ndihmë për njohjen e kësaj, te www.opentochoice.org kemi postuar një përmbledhje të shfletuesave kryesorë dhe të sistemeve operativë në të cilët funksionojnë.

Nëse keni një kompjuter të vjetër, duhet të shihni edhe nëse sistemi juaj operativ mbulon shfletuesit e sotëm modernë.

A do t’i shfaqë shfletuesi si duhet të tërë site-et që doni të vizitoni?

Teorikisht, çfarëdo shfletuesi, do të duhej të funksiononte në çfarëdo pjese të Web-it, por në praktikë jo çdo shfletues punon me çdo site. Kur ndodh kjo, faqet Web nuk shfaqen si duhet, ose në to mungon tekst, ose mungojnë funksione.

Shfletuesit më popullorë përgjithësisht punojnë me pjesën më të madhe të site-ve, por për këtë nuk ka asnjëherë garanci. Nëse, pasi të keni bërë zgjedhjen tuaj të shfletuesit, shihni se disa site-e nuk punojnë si duhet, mund të provoni një shfletues tjetër dhe të krahasoni përfundimet.

A e respekton shfletuesi vetësinë tuaj?

Historiku i shfletimeve tuaja përmban një sasi shumë të madhe të dhënash personale mbi ju dhe mbi interesat tuaja. Prej vetë natyrës së Web-it, site-et ku hyni mbajnë një regjistër të vizitës suaj (përmes “vendndodhjes suaj IP”, një numër unik i cili identifikon kompjuterin tuaj në Internet), dhe këto të dhëna depozitohen gjithashtu edhe te shfletuesi juaj.

Shumë shfletuesa kanë mekanizma që ju lejojnë të shfletoni pa u bërë grumbullimi i këtyre të dhënave, ose t’i hiqni më pas, nëse e dëshironi këtë. Por, mundet edhe që prodhuesi i shfletuesit tuaj të ketë hyrje te krejt të dhënat që shfletuesi juaj grumbullon rreth jush. Nëse kjo ka rëndësi për ju, ju këshillojmë me forcë të lexoni rregullat e vetësisë të software-it që po merrni në shqyrtim.

A është shfletuesi juaj i sigurt?

Siguria juaj online është shumë e rëndësishme: sa më shumë që e përdorni Web-in, aq më shumë shtohen mundësitë e ekspozimit kundrejt virusesh, sajesash dhe rreziqesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse e përdorni Web-in për veprime bankare ose shitblerje online dhe jepni e merrni të dhëna personale të tilla si të dhëna kartash krediti.

Disa shfletuesa përmbajnë mekanizma sigurie, për t’ju ndihmuar në identifikimin e sajesave online (“karremëzimeve”), software-eve dashakeq (“malware”) ose të site-eve që janë kompromentuar. Duhet, pa mëdyshje, të familjarizoheni me mundësitë e ofruara nga shfletuesi që keni zgjedhur për sigurinë (zakonisht të paraqitura te site-i Web i shfletuesit).

Po ashtu, duhet të siguroheni përherë se po përdorni versionin më të përditësuar të shfletuesit tuaj, ngaqë prodhuesit e tyre shpesh hedhin në qarkullim versione të rinj, kur bëjnë ndreqje pas rreziqeve më të reja të shfaqura në Internet.

A jeni në gjendje të administroni kollaj të dhënat e shfletimeve tuaja?

Sa më tepër kohë të përdorim online, aq më tepër të dhëna rreth vetes krijojmë dhe shkëmbejmë: faqerojtësa (të quajtur edhe të parapëlqyerit), historik shfletimi, fjalëkalime e me radhë.

Mund të jetë e vështirë të mbahen mend krejt fjalëkalimet ose të rikujtohet vendi i një site-i që e vizituat javë më parë, kështu që mundësia për të administruar të dhëna të tilla dhe madje edhe kalimi i tyre nga një kompjuter në një tjetër është tejet e dobishme. Disa shfletuesa ju lejojnë ta bëni këtë, duke ju dhënë kështu hyrje “kurdo, kudo” në të dhënat tuaja.

A mund ta personalizoni shfletuesin sipas parapëlqimeve tuaja individuale?

Mjaft shfletuesa ofrojnë të paktën një farë shkalle personalizimi, e cila shtrihet nga ndryshimi i pamjes së butonave ose grafika e dritares, deri te mundësia për të ndryshuar më imtësisht mënyrën se si funksionon, për ta përputhur saktësisht me nevojat tuaja. Disa shfletuesa madje ju lejojnë edhe të bllokoni reklamat, ose ta bëni kompjuterin të mos lejojë asnjë site të xhirojë në të programe dashakeqe pa miratimin tuaj.

Nëse ju intereson personalizimi i shfletuesit tuaj, do të duhej të shihni se sa personalizime të tilla (të quajtura shpesh “shtesa” ose “zgjerime”) ka dhe se deri në çfarë pike mundet të personalizohet shfletuesi juaj.

Si del në punim shfletuesi?

Shpejtësia me të cilën ngarkohet një faqe Web është masë e rëndomtë e punimit të shfletuesit. Edhe pse ka mjaft faktorë që ndikojnë në kohën e ngarkimit të faqes, përfshi këtu shpejtësinë e lidhjes suaj Internet, kompjuterin tuaj dhe vetë faqen, shfletuesi juaj, po njësoj, mund të ketë ndikim të madh në të.

Por, punimi është më tepër se sa thjesht shpejtësia e ngarkimit të faqeve. Disa shfletuesa mund të duan më tepër kujtesë nga kompjuteri juaj se sa disa të tjerë (duke ngadalësuar funksione të tjera në punë e sipër), dhe disa mund të vithisen më shpesh se të tjerët.

Ka një numër rrugësh se si të provohet punimi i shfletuesve, por rruga më e mirë për vlerësimin është të vizitohet i njëjti site me shfletuesa të ndryshëm dhe të shihet cili ju duket më mirë.

A mund të kihet shfletuesi në gjuhën tuaj të parapëlqyer?

Nëse këtë po e lexoni në Shqip, përgjigja thuajse me siguri është “po”. Por, nëse parapëlqeni të shfletoni nga një gjuhë tjetër, duhet të shihnit mundësitë për këtë – numri i gjuhëve në të cilat mund të kihet çdo shfletues ndryshon jo pak.

A ka asistencë për të?

Si me çdo program, kohë pas kohë mund të dalin probleme. Ndaj, garancia se shfletuesi juaj ka asistencë falas, në rastet kur do t’ju duhet ndihmë, duhet marrë në shqyrtim.

Po njësoj, për mjaft programe ka bashkësi përdoruesish dhe programuesish që ofrojnë vullnetarisht kohë dhe dije për të ndihmuar të tjerët. Pjesëmarrja në një bashkësi përdoruesish mund të përmirësojë fort përvojën tuaj në shfletim!

Si ndërtohet shfletuesi?

Software-et krijohen sipas një larmie rrugësh. Disa shfletuesa njihen si “me burim të hapur” ose “software i lirë”, që do të thotë se ju jepet e drejta ta ndryshoni dhe përdorni programin si të doni.

Nga ana tjetër, shfletuesa të tjerë konsiderohen si “me burim të mbyllur” ose “jo të lirë.” Instalimi i programeve të tilla zakonisht do të thotë që jeni i kufizuar nga disa kushte, fjala vjen mosndryshimi i tij në një rrugë të caktuar (edhe pse xhiron në kompjuterin tuaj).

A ju pëlqen shfletimi me të?

Së fundi, ia vlen të përsiatet thjesht mbi faktin nëse ju kënaq a jo përdorimi i shfletuesit tuaj. Web-i mund të bëhet një vend i mrekullueshëm, me mundësi thuajse të pakufizuara për të nxënë, për t’u lidhur me të tjerët, për krijimtari, dhe një shfletues i mirë do të duhej ta thellonte mënyrën se si e përjetoni krejt këtë.

* Material i përgatitur nga Mozilla Foundation për fushatën www.opentochoice.org

opentochoice.org

Ujdia mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it, e cekur në këtë shkrim të para ca muajve, pritet të konkretizohet me një “skenë zgjedhjeje” që do t’u paraqitet përdoruesve në një nga përditësimet për Windows. Përmes kësaj skene, përdoruesit do të jenë në gjendje të njohin shkurtimisht dhe të instalojnë një ose disa prej shfletuesve që ofrohen. Skena në fjalë pritet të jetë e ngjashme me atë që mund të shihet këtu. Siç mund të shihet, zgjedhja është e larmishme, me emra të njohur dhe të panjohur. Mozilla përfaqësohet me Firefox-in. Ndërkohë, për të theksuar rëndësinë që ka zgjedhja e shfletuesit Web sot, dhe si një vend ku mund të diskutohet më imtësisht për këtë temë, Mozilla ka krijuar një mini-site të vetin, opentochoice.org. Letra e hapur e dy drejtuesve të Mozilla-s, shërben më së miri për të përmbledhur thelbin e çështjes.

Shqipëria nuk hyn në vendet që preken nga marrëveshja mes Komisionit Europian dhe Microsoft-it. Por problemi që trajton është njësoj i rëndësishëm për cilindo. Meqë shumica e përdoruesve në Shqipëri përdorin një kopje Windows-i që e ka origjinën në një prej vendeve të përfshira në ujdi, gjasat janë që skena e zgjedhjes nuk do t’u mungojë. Le të shpresojmë që opentochoice.org do t’i ndihmojë të bëjnë një zgjedhje të mirë. Këshilla jonë, nëse do të na kërkohej, është Opera ose Firefox-i, të dy produkte të pavarura, pararojë prej kohësh në fushën e tyre, të sigurt, falas, të plotë, me një shkallë personalizimi dhe përshtatje të pakrahasueshme me asnjë tjetër, dhe në Shqip.

Vazhdon, pa sukses, gjuetia e dhelprës

Them pa sukses, sepse shifrat nga www.spreadfirefox.com flasin për 24 milionë shkarkime që nga 9 nëntori deri më sot. Pa llogaritur përhapjen përmes kopjesh të shkarkuara tashmë. Nuk besoj që këta janë përdoruesi të rinj me Firefox-in si gjëja e parë që u ra në dorë. Këtë e provon edhe gërryerja e përqindjes që përdor IE për shfletim në Internet.
Ka një postim të pasaktë, apo spekullues, në Forumi Shqiptar – Shletuesi Maxthon (ish MyIE). Sipas postimit, ndryshimi në madhësinë e shkarkimit të Firefox-it për Windows (5MB) dhe Linux (9MB) tregon që Firefox-i përdor kod nga Windows-i. Kjo thuhet si zbulim apo çfarë? Sigurisht që do të përdorë kod nga Windows-i, sepse Windows-i në fund të fundit është sistemi operativ që shërben si platformë për tërë zbatimet, e këta kanë nevojë për një platformë, ndryshe nuk xhirojnë. Nën Windows kjo platformë është Windows-i, nën Linux është Linux-i. Këtu nuk ka asnjë mister apo sekret që ka të bëjë me Firefox-in. Firefox-i, si çdo zbatim tjetër, ka nevojë të përdorë kod nga sistemi operativ. Kjo nuk do të thotë që përdoret kod nga IE-ja. Nëse ka dyshime për këtë, kodi i Firefox-it është i hapur, kushdo mund ta shohë e të bindet se cilat janë të vërtetat dhe cilat jo.
Diferenca në shkarkim ka të bëjë me ndryshimin midis dy platformave, dyorët për Linux janë më të mëdhenj se sa përkatësit për Windows, përpiluesit në dy sistemet janë të ndryshëm, 7zip i përdorur për ngjeshjen e paketës për Windows prodhon ngjeshje më të madhe, pra paketë më të vogël…
Sa për vizatimin e faqeve ndryshe në versionin preview dhe ndryshe në 1.0… këtu përpiqemi t’i faturojmë Firefox-it mëkatet e Microsoft-it. Çudia në këtë rast nuk është ndonjë imitim apo arritje në imitimin e IE-së siç shprehen në postim. Çudia është përpjekja për të mbuluar uzurpimin dhe devijimin e standarteve nga Microsoft-i për qëllimet e veta monopoliste. Ndërsa që

faqet në versionin 1.0 final hapeshin pothuaj njësoj si IE

është një shprehje pakuptim: një faqe duhet të hapet jo pothuaj, por saktësisht njësoj në të të gjithë shfletuesit. Nëse dikush krijon një faqe që të hapet vetëm nga disa shfletues, ky nuk është faji i shfletuesve të tjerë. E as do të jetë më problem i tyre, kur përdoruesit të fillojnë të kuptojnë rrengun që u bëhet me këtë.
A duhet të jetë Firefox-i i thjeshtë apo i përbërë, apo i ndërlikuar, apo shumë i ndërlikuar? Përgjigjja nuk ndihmon në krahasimin e tij me shfletuesit e tjerë, sepse kështu përpiqemi të krahasojmë një mundësi (si do ishte Firefox-i në rast se…) me një realitet (Maxthon apo IE sot). Cilido ka të drejtë të kërkojë apo të pëlqejë një apo ca funksione nga aksh shfletues. Sado të çuditshëm të jenë parapëlqimet në këtë rast. Por kjo nuk mund të shërbejë si bazë për krahasim mes tyre. Sepse është tejet subjektive si bazë.
Së fundi dihet që siguria asnjëherë në këtë botë nuk ka qenë e lidhur së brendshmi me 1 (Njëshin), sekreti po.

© 2012-2017 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.