Përshëndetje,
dhe faleminderit nga ana ime për provat që keni bërë me Firefox-in. Falënderime edhe për gatishmërinë për të ndihmuar në përmirësimin e përkthimit. Kërkoj ndjesë që nuk po i përgjigjem secilit më vete. Kjo ndoshta edhe për faktin që interesohem për çfarë ka thënë dhe jo kush e ka thënë.
Atëherë po i marr me radhë çështjet që unë i mendoj se kanë nevojë për kthjellim.
I. Përshtypja se përkthimi vjen erë Italishteje është vetjake, mbetet për mua një përshtypje, thjesht një përshtypje e parë. Dhe duhet gjykuar pasi të dihet se sa është në gjendje autori i asaj përshtypjeje të krahasojë Italishten (gjuha e pretenduar), Anglishten (gjuha e origjinalit) dhe Shqipen (gjuha e përdorur për përkthimin). Mund t’ju siguroj që nuk kam pasur asnjë dëshirë që përkthimi të frymëzohej nga Italishtja, që kam punuar me versionin origjinal dhe që nuk jam këshilluar as edhe një herë të vetme me përkthimin në Italisht të Firefox-it. Shembull për këtë është mospërdorimi i termave të tillë si:
File – të cilin italianët nuk e përkthejnë. (Punë e tyre pse.)
Faqeshënues – i cili do ishte një imitim i Segnalibro, ose më mirë një shartim i Bookmark & Segnalibro & Faqerojtës
(Më vjen keq që përgjigjem me shembujt që duhet të provonin të kundërtën, pra të provonin që përkthimi është “përkthim taljonçe“…)
II. Frika se përkthimi mund të jetë i rrezikshëm vjen nga mosnjohja e procesit të pranimit të një përkthimi: (Akoma më tepër në rastin e programeve që qarkullojnë nga Mozilla Foundation), përkthimi është i shkëputur nga programi. Përkthimi parashtrohet në trajtën e një grupi kartelash teksti të thjeshtë, të cilat kontrollohen të jenë të njëvlefshmet e origjinalit për nga struktura, dhe më pas, krijimi i .exe-s së përkthyer bëhet nga Mozilla Foundation, dhe garantohet prej tyre. Ndryshe nuk do të ishte i passhëm, i shkarkueshëm, prej shërbyesave të Mozilla-s. (Të vihet re që lidhja për shkarkimin e FF-it në Shqip, nuk është faqe vetjake e dikujt!)
III. Përkthimi i termit File me Kartelë është bërë duke pasur në mendje një ngrehinë të qëndrueshme përkthimesh, jo duke pasur në mendje një program të vetëm. Të përkthyerit e tij si Skedë, bllokon, në rastin e FF, përkthimin e Tab. Skedë është përkthim i një përkthimi, dhe dihet që sa më shumë përkthime të përkthimit të përkthimit…të ketë, aq më shumë i largohesh origjinalit. (Për ata që mund të mos ta dinë ende, Skedë është përkthimi në Shqip i termit frëng Fiche, dhe Skedar i atij Fichier. Edhe këtu, punë e tyre pse e përkthyen kështu, e pse nuk menduan që do t’u hapnin punë shqiptarëve më vonë…)
IV. Faqerojtës është një krijesë e re, dhe si at i krijesës kam liri të plotë ta krijoj mashkullore apo femërore. Por edhe në këtë rast ka një arsye: ka një fjalë në Shqip, fillërojtës-i, që mund të ndihmonte për birësimin e termit Faqerojtës; fillërojtësi është një term relativisht i vjetër i Shqipes, dhe këta ishin përjashtimisht meshkuj, nuk kishte fillërojtese. Tjetër, bëhet fjalë për një objekt, që si objekt material është mashkullor (objekt – objekt-i). Kështu që karakterizimi korrekte – (fjalë jo Shqipe!) – për faqeruajtësja nuk qëndron. Nuk mnd ta shohësh një term për herë të parë në jetën tënde e pastaj të thuash që nuk është i sakti, i sakti është ky që them unë… Nuk bëhet fjalë për për një term, bëhet fjalë për një program, për diçka më shumë se një fjalë të vetme. Për atë objektin prej kartoni Shqipja nuk kishte fjalë, edhe pse botime të dikurshëm me një farë prestigji kishin një fill mëndafshi në rolin e Bookmark-ut. Të ruash, në Shqip, jo përherë nënkupton mbrojtje nga ndonjë agresion, ka plot herë kur nënkuptohet ruajtja në një gjendje të caktuar, në mungesë të plotë të ndonjë sulmi (që do të ishte rasti i mbrojtjes).
V. Favorite, e para, është huazim në Shqip, e dyta është term i përdorur në Internet Explorer dhe qëllimisht i papërdorur në FF.
VI. Tani të kalojmë te mbikqyrja e përkthimeve, nga një organizëm shtetëror apo jo kjo ka pak rëndësi. Kjo dëshirë është e pakuptimtë: përkthimi deri më sot ka qenë i lirë, asnjë përkthyesi nuk i thuhet: “Përktheje kështu apo ashtu“, sepse mund të të përgjigjet fare lehtë; You do it!. Për më tepër, edhe sikur të pranohej si një rrugë e logjikshme, do të ishte e pamundur, sepse mungojnë referencat që një organizëm i tillë do të duhej të përdorte. I ngritur për mbikëqyrjen e fjalëve të reja të përdorura në përkthime termash të rinj…ky është rreth i mbyllur, pa rrugëdalje. Nuk do të prodhonte gjë tjetër veç vënien nën ombrellë të përkthimeve dhe mbytjen e tyre. Unë, për veten time, nuk do të pranoja vënien e përkthimit nën mbikëqyrjen e ndonjë organizmi të ngritur për këtë punë. Ato para që do të harxhoheshin për burokratë e burokraci të panevojshme, mund të shpenzoheshin fare mirë për përhapjen e përkthimeve ose nxitjen e tyre. Kjo mania e insitucioneve nuk është prodhimtare, por zor ta shmangim pasi është një sëmundje europiane…
VII. Ideja e një fjalori nuk ka asgjë të keqe në vetvete. Është diskutuar edhe herë të tjera, dhe unë po i përgjigjem edhe kësaj here: harrohet thelbi i një fjalori, mbledhja dhe sistematizimi i fjalëve. Duhet fillimisht këto fjalë të jenë e pastaj të grumbullohen, nuk mund të grumbullohet diçka që ende nuk ka lindur. Foldoc ka bërë pikërisht këtë, jo të kundërtën. Nuk i shpiku Foldoc-u termat, ai vetëm i mblodhi e i sistemoi. Për më tepër, edhe sikur një fjalor i tillë i çuditshëm të vihej në jetë, nuk do të ishte veç se një material konsultues për përkthyesin dhe jo një kular për përkthimin… Shpesh kërkesa për një fjalor apo dhe ank(ërk)esa të tjera të këtij lloji janë një përligjje e dembelllëkut. Në kuptimin që sikur të kishte një fjalor, do të gjendej diçka tjetër që do mungonte e kështu në vazhdim.
VIII. Unë nuk e kuptoj se ç’punë kanë albanologët në këtë mes? Përkthime teknike ka pasur prej dhjetëvjeçarësh, por nuk di t’u jenë lutur albanologëve për të ndërhyrë në ta. Pse u dashka tani? Ne jemi në fazën e krijimit, jo në fazën e studimit. Albanologët, apo çdo lloj diçkalogu vjen pas krijimit. E shumta që mund të bëjnë albanologët është të gdhendin në shkëmb datën se kur u përkthye fjala e parë nga terminologjia e Internetit, që pas disa shekujsh të mos dalë dikush e të thotë që filan kombësi e pat përkthyer e përdorur Firefox-in pesë shekuj para shqiptarëve. Dhe nuk mund të pajtohem me këtë qarje që fatkeqësisht Shqipja dhe zhvillimi i shkencës/teknikës janë shumë larg njëra tjetrës. Të paktën jo në rastin e fushës që po diskutojmë.
Për vërejtje ndaj përkthimit të GNOME-s, pse nuk provoni t’i paraqisni ato tek grupi përkatës? Kjo do të ishte një ndihmë.
Së fundi, një ndihmë e vogël:
- Definicion – Përkufizim, përcaktim
- Pseudonim – Emër përdoruesi (Pseudonim në greqisht do të thotë emër i rremë.)
- Forum Index – Tregues i Forumit
- Gjuhët programuese – Gjuhë programimi
- Verzion – Version
- Korrekte – I/e saktë
- Stabilitet – Qëndrueshmëri
- Consistent – Vazhdues, që ka vazhdimësi
- Momentalisht – Hëpërhë
P.S. Qe e vështirë të postohej tek forumi juaj, ndaj po e postoj këtu derisa dikush, (ka lejen time që tashti), ta kopjojë aty.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.