Projekti i Microsoft-i për sigurinë në Internet dhe spërdredhjet alla Microsoft

nga

Vizita e Gates-it në Europë ditët e fundit kish patjetër të bënte me ecurinë në zyrat e Brukselit të çështjes së patentave mbi programet. Pazaret e fshehta nuk mësohen dot, as do të merren vesh këtë radhë. Por një rrugë e dy punë, edhe pse Gates-i nuk ka nevojë fundja të punojë. Nga një intervistë dhënë Spiegel-it, përdoruesit e dëshpëruar të Windows-it mund të mësojnë se Microsoft-i po punon për sigurinë në Internet. Vetëm se pyetjes së intervistuesit se pse tani kjo nismë, Gates-i i përgjigjet diplomatikisht se po punohet që ca çështje vërtet serioze të mos bëhen asnjëherë problem. Zor ta besojë këtë një përdorues i paanshëm, pas orësh të tëra të humbura duke pastruar kompjuterin nga viruse që nuk pushojnë kurrë. Mjafton të vizitohen pak forume dhe pjesët më të bollshme të diskutimeve janë se si të qërohet kompjuteri prej X apo Y virusi, se si të hiqet ky apo ai spyware, se si të rikthehet Windowsi në gjendje pune… Dhe kjo nuk quhet problem, por çështje serioze që nuk duhet lejuar të kthehet në problem. I cili, pavarësisht nga emri, tret kohën e përdoruesve. Dikush tha një fjalë të mençur: përdoruesit e Windows-it sot, pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke u përpjekur të kenë makinat e tyre në gjendje pune, jo për të bërë punë faktike me to. Përgjigjja e Microsoft-it për krejt këtë janë përditësimet e programeve, duke filluar nga Windows-i, ose me fjalë të tjera përjetësimi i varësisë së përdoruesit nga Microsoft-i dhe rrethi vicioz i tanishëm.
Intervista ka plot të pavërteta: ngadalësia e bashkësisë Linux për të kundërvepruar ndaj të metash, (kur dihet që Windows-i mund të marrë edhe muaj të tërë për një arnim); maskimi i strategjive monopoliste si gjasme në përfitim të përdoruesit; pretendimi për risi në produktet e Microsoft-it; etj, etj.

Shpërndajeni me Mënyra të Tjera:
  • Print
  • del.icio.us
  • Yahoo! Buzz
  • Google Bookmarks
  • Add to favorites
  • email
  • Identi.ca
  • RSS
  • Google Buzz

© 2012-2024 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.