Sot është njoftuar, përmes një artikulli tek Shekulli, mbi qarkullimin e paketës së programeve për zyra MS Office edhe në Shqip. Lajm që ka gjëra të mira si fillesë, gjuhën shqipe të paktën.
Dyshimet lidhur me temën fillojnë me kujdestarinë e këtij produkti që pretendohet ta ketë dega e Microsoft-it për Europën Juglindore a Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi kanë përfaqësim të tyrin në site-in e Microsoft-it, madje edhe Vietnami, madje madje edhe Luksemburgu! Nëse bëhet fjalë për produkte në Shqip dhe institucionalizim të tregut shqiptar, pse mungojnë ende hollësi të tilla?
Çmimi është i tejkripur. Aq më keq që për MS Office ka sot alternativa nga hambarët e burimit të hapur (OSS/FS), falas krejtësisht e në mënyrë të ligjshme. Po përmendim OpenOffice.org. Alternativa të tilla që kanë tunduar edhe ata që i kanë të shtrirë produktet MS në organizmat e tyre, le më atij që do t’i duhej t’ia niste nga e para.
Pyetja shtrohet, nëse interesi publik është i pari që kërkon përkujdesje, pse qeveria duhet të pranojë krushqi me MS-in me haraçin e USD $750 për një licensë Office-i? (Sa i duhet të blejë vetëm për nevojat e veta?). Kjo nuk është ekonomike, ndërkohë që të njëjtat gjëra mund të bëhen me programe si OpenOffice.org, dhe me kosto të papërfillshme për pajisjen e makinave me këtë alternativë.
Deri këtu marrim parasysh vetëm koston për blerjen e programit, dhe nuk shqyrtojmë aspak kosto të tjera anësore apo hollësi që lidhen me zgjedhjen e bërë (pasja e një formati të hapur dokumentesh që garanton përputhshmëri në të ardhmen, pavarësinë nga një shoqëri që prodhon produkte pronësorë dhe që ka treguar se arsye të të qenit ka fitimin ekonomik, efektshmëria në punim me njërin apo tjetrin program, etj.)
Ka jo pak mjegull në lajmin e botuar te Shekulli. Duhet pritur që disa gjëra të shpalosen, sidomos nëse bëhet fjalë për zotime qeveritare, për premtime ndaj saj.
Ndërkohë që për përkthimin në Shqip nuk mund të thuhet asgjë, ngaqë nuk dihet të jetë diskutuar gjëkundi në publik, pra jashtë zyrave të atyre që e kanë prodhuar.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.