Sapo është zbuluar një bug në Përgjegjësin e Fjalëkalimeve të Firefox-it. Bëhet fjalë për një të metë në pjesën e Firefox-it që administron fjalëkalimet që ky ruan për ju, për t’i dhënë në mënyrë automatike kur ju i ktheheni së njëjtës faqe. Kjo ndodh vetëm nëse, te rregullimet e Firefox-it, i kërkohet shprehimisht të funksionojë në këtë mënyrë. Nëse nuk i kërkohet shprehimisht te rregullimet, shfletuesi nuk ruan fjalëkalime që jepni gjatë kohës që vizitoni faqe të ndryshme.
Problemi i tanishëm qëndron në faktin që mekanizmi nuk kontrollon mirëfilltësinë e faqes për të cilën qenë ruajtur të dhëna hyrjeje (login). Kështu që një faqe e dytë brenda të njëjtit shërbyes që shërbeu të parën, e stisur për qëllime vjedhjeje identitetesh, mund të bëjë të mundur vjedhjen e fjalëkalimeve të ruajtur.
Heise ka krijuar dhe një faqe test (në Anglisht) për përdoruesit e thjeshtë, prej nga ku këta mund të shohin nëse shfletuesi i tyre vuan nga kjo e metë apo jo.
Është pranuar ekzistenca për IE7, pra as IE7 nuk i mbron përdoruesit nga e meta e zbuluar. Duket se Opera është në pozicionin më të favorshëm. Nga Mozilla po punohet për një zgjidhje sa më të shpejtë. Deri atëherë, këshillohet çaktivizimi hëpërhë i Përgjegjësit të Fjalëkalimeve.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.