Njoftimit të qeverisë gjermane, përfaqësuar nga BSI, lidhur me rreziqet që paraqet për sigurinë përdorimi i shfletuesit Internet Explorer, i janë bashkuar qeveria frënge dhe ajo australiane.
Përmes një njoftimi të vetin, CERTA, Qendra e Ekspertizës Qeveritare për Kundërpërgjigje dhe Trajtim të Sulmeve informatike, i këshillon përdoruesit në Francë të përdorin një shfletues alternativ.
Qeveria australiane po ashtu, nëpërmjet një njoftimi të botuar nga SSO, Nismë Qeveritare Australiane u bënte thirrje përdoruesve të përdorin shfletuesa alternativë.
BSI-ja është Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit dhe ka si objekt pune sigurinë në lëmin IT në Gjermani. BSI është organizmi bazë dhe kryesor që mbulon qeverinë federale me shërbime lidhur me sigurinë IT.
Simotra frënge, CERTA, u krijua për të përforcuar mbrojtjen e rrjeteve të shtetit nga sulmet informatike dhe është e atashuar pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, nën çatinë e Agjensisë Kombëtare të Sigurisë së Sistemeve të Informacionit (ANSSI). Një nga detyrat e saj është zbulimi i cënueshmërive që mund të prekin sigurinë e sistemeve të informacionit.
Shkaku që prodhoi njoftime të tilla ishte një cënueshmëri e panjohur te shfletuesi Internet Explorer, e që prek versionet 6,7 dhe 8, për sisteme Windows XP, Vista dhe Windows 7. Prodhuesi i Internet Explorer-it sapo ka njoftuar dje për ndreqjen e tij.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.