Petka të reja për Firefox-in

nga

Persona është emri që Mozilla ka zgjedhur për tema grafike që mund të zbatohen mbi Firefox-in, pra petka të shumëllojshme, që me një klikim mund t’i provohen instalimit tuaj të Firefox-it e për t’i ndryshuar kështu pamjen brenda pak sekondash. Në mos për gjë tjetër, mund të shërbejë si zbavitje për fëmijët e vegjël. Ose edhe si një truk i lehtë për t’i afruar ata me shfletuesin tuaj të parapëlqyer.

Faqja Hyrëse e Persona-ve

Mjafton të vendoset kursori mbi një Persona dhe pamja e Firefox-it ndërron në çast. Me mbi 57 mijë të tilla, nga ato me subjekt abstrakt te ato që frymëzohen nga kauza shoqërore, nga sporti te muzika, nga moda te natyra, e plot subjekte të tjera, çdo përdorues i Firefox-it mund të gjejë një temë grafike, me motive të dashura, për t’ia ndërruar pamjen shfletuesit.

Krejt Persona-t

Ana funksionale e Firefox-it mund të personalizohet në rrugë të panumërta përmes shtesave për Firefox. Me Persona-t dhe temat grafike, tani atij mund t’i personalizoni fare lehtë edhe pamjen e jashtme.

Shifra 57 mijë Persona flet për një farë suksesi të idesë së Mozilla-s. Ndërkohë, nuk kanë munguar zërat ndryshe ndaj kësaj nisme.

Personas?

Dikush i quajti Ideja më e keqe e 2010-s, e cila shkon ndesh me parimet e përdorimit mbi të cilat duhen ndërtuar ndërfaqet e programeve, të tjerë vënë në dukje që “ndërkohë që Chrome… po e vë theksin te lënda në web dhe jo te skedat, butonat apo panelet, me Persona-t bëhet thjesht e kundërta: kthehet vëmendja te vetë shfletuesi”.

Sido që të jetë, Persona-t janë opsionale. I vetmi që vendos për përdorimin apo shpërfilljen e tyre është vetë përdoruesi.

Shpërndajeni me Mënyra të Tjera:
  • Print
  • del.icio.us
  • Yahoo! Buzz
  • Google Bookmarks
  • Add to favorites
  • email
  • Identi.ca
  • RSS
  • Google Buzz

© 2012-2024 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.