Shtysa për postimin që vijon erdhi prej një artikulli në Shekullin e para disa ditëve, Sëmundja Foshnjore Powerpoint. Përmbledhtas, ajo që ka interes për tematikën e blogut të këtushëm është përdorimi i disa termave në trajtë të papërkthyer. Apo ndoshta është më mirë të flitet për trajta, sa kohë që nuk ka një të tillë të vetme, por disa, secila ende e pakanonizuar.
Në artikull përdoret për herë të parë një term i ri, bulletizim, që nuk përfaqëson gjë tjetër veç analizë ose listë me pika (kyçe u thoshin dikur, apo përmbledhëse?). Për ata që nuk e kanë ndeshur deri më sot, grafikisht do të ishte diçka e tillë:
- pika I e diskutimit
- pika II e diskutimit
- pika II e diskutimit
- …………………….
- pika n e diskutimit
Nuk jam i bindur se sa i nevojshëm është ky term i ri, ose çfarë nevojash do të përmbushte, të cilat nocioni i vjetër i listës me pika nuk i përmbush më. Megjithatë, le ta mbajmë shënim hëpërhë. Por le të vëmë njësoj në dukje që vetë autori, përgjatë artikullit, flet për lista të bulletizuara, që nuk janë gjë tjetër veç një formë grafike paraqitjeje e listave, njëlloj me një të tillë të numëruar, ose ku elementet radhiten njëri mbi tjetrin dhe tregohen grafikisht me një simbol tjetër, * të themi:
* Element
* Element
* Element
* Element
Tjetër përdorim që duhet shënuar është ai i termave të ndryshëm për diapozitivat. Përgjatë artikullit ato emërtohen edhe si kartela/slides/pamje rrëshqitëse/diapozitiva. Sajt (sic) është një tjetër rast që duhet nxjerrë në pah. Ky përdorim u shtohet atyre të site, sit, web-faqe, apo thjesht faqe. Së fundi, do hasni në artikull terma të tillë si shabllone resumé-sh, sondazhe opinioni, programe interaktive.
Disa prej termave të mësipërm mund të jenë ndeshur edhe më parë, përdorur nga autorë të ndryshëm. Po rasti i tanishëm ndryshon paksa, meqë përdorimi i tyre vjen nga dikush i njohur në punë të gjuhës. Përfshirja e hershme dhe e thellë e autorit në çështje të shqipes së sotme lyp padyshim vëmendje për raste të tilla, kur opinioni shpërfaqet në përdorimet e termave përkatës. Opinione të tilla, nga kolegë të tij, mbeten ende të rralla, e kjo vetëm e vështirëson orientimin këtu.
Teorikisht, pas kanonizimit hipotetik të njërës trajtë, hedhja e saj në përdorim është teknikisht e lehtë, për sa i takon programeve. Fjala vjen, le të mendojmë për një çast se vendoset që të përdoret trajta sajt. Zëvendësimi i çfarëdo trajte tjetër me të kanonizuarën, te përkthimi i një programi, është punë minutash. Por nuk dihet nëse kjo do të sillte birësimin vetvetiu në përdorimin praktik të trajtës së kanonizuar. Nuk ka ende shembuj të qartë që mund të ilustronin procesin. Gjendemi në një fushë krejt të mjegullt, ndaj edhe zërat nga profesionistët janë kaq të nevojshëm.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.