Po e filloj nga këtu. Kjo është një tabelë e shkruar me dorë dhe u duk para ca vitesh në një furrë të zakonshme bukësh në lagjen time në Brooklyn. Dyqani kishte një nga ato makinat me të cilat mund të shtypësh mbi shtresa sheqeri. Kalamajtë mund të sillnin vizatime dhe dyqani ua shtypte mbi një shtresë sheqeri për ta vënë sipër tortës së ditëlindjes.
Mjerisht, vizatimet që u pëlqenin kalamajve qenë personazhet e filmave vizatimorë. U pëlqente Borëbardha, Pinoku u pëlqenin shtatë xhuxhët, Micky Mouse-i. Por ja që qenka e paligjshme të shtypësh vizatimin e Micky Mouse-it nga një fëmijë mbi një shtresë sheqeri. Dhe përbën shkelje të të drejtave të kopjimit. Dhe rregullat lidhur me kësi shkeljesh për tortat e ditëlindjeve të fëmijëve qenë kaq të ngatërruara sa që të zotët e furrës thanë, “Më mirë nuk po merremi fare me këtë punë. Po qe se vini si amator, nuk do ta përdorni më makinën tonë. Nëse doni figura mbi tortën e ditëlindjes, duhet të përdorni një nga figurat tona të gatshme — vetëm për profesionistët.”
Sot në Kongres kemi dy projektligje. Njëri quhet SOPA, tjetri quhet PIPA. SOPA do të thotë Akti mbi Ndalimin e Piraterisë Online. Dhe vjen prej Senatit. PIPA është shkurtim për PROTECTIP, që nga ana e vet është shkurtim për Parandalim Rreziqesh Realë Online ndaj Krijimtarisë Ekonomike dhe Vjedhjes së Pronësisë Intelektuale — ngaqë ndihmësit e Kongresit që u vënë emrin këtyre gjërave kanë kohë plot. Dhe ajo çka duan të kryejnë SOPA dhe PIPA është pikërisht kjo. Duan të rrisin koston e respektimit të të drejtave të kopjimit në atë pikë sa njerëzit thjesht të heqin dorë nga ofrimi i tij si një mundësi për amatorët.
Rruga që propozojnë për këtë është identifikimi i site-eve që cënojnë të drejta kopjimi — edhe pse qysh identifikohen këta site-e nuk specifikohet aspak në projektligje — e mandej duan t’i heqin nga sistemi i emrave të përkatësive. Duan t’i qërojnë nga sistemi i emrave të përkatësive. Sistemi i emrave të përkatësive është ai që shndërron emrat e kuptueshëm nga njerëzit, bie fjala Google.com, në një lloj adrese të përdorshme nga kompjuterët — 74.125.226.212.
Problemi tani me këtë model censure, identifikim i një site-i e mandej përpjekja për ta hequr nga sistemi i emrave të përkatësive, është se nuk ka për të funksionuar. Ju do të mendonit që kjo do të ishte shumë problem për një ligj, por duket se Kongresi nuk ua ka vënë dhe aq shumë theksin te kjo. Tani, arsyeja pse nuk do të funksionojë është se ju prapë mund të shtypni 74.125.226.212 te shfletuesi ose mund ta shndërroni në një lidhje të klikueshme dhe të hyni në të përmes Google-it. Kështu, te ligji, kërcënim i njëmendtë bëhet pjesa ndëshkimore lidhur me problemin.
E që të kuptoni si arriti Kongresi të hartonte një projektligj që nuk do të përmbushë synimet e deklaruara, por që do të prodhojë mjaft efekte anësore rrënuese, duhet të njiheni pakëz me historinë pas tij. Dhe historia pas tij është kjo: SOPA dhe PIPA, si legjislacion, qenë hartuar kryesisht nga kompani mediesh të themeluara në shekullin e 20-të. Shekulli i 20-të ishte i artë për të qenë kompani mediesh, ngaqë për ju punonte skarciteti. Nëse bënit një emision televiziv, s’kish nevojë të ishte më i mirë se krejt emisionet e bërë deri atëherë; duhej të ishte më i mirë se dy emisionet e tjera që jepeshin në të njëjtën kohë — e ky është standard shumë i ulët për vështirësinë në konkurrim. Që do të thoshte se nëse ofronit lëndë mesatare, kishit falas një të tretën e publikut të ShBA-ve — dhjetra milionë përdorues thjesht vetëm pse bëtë diçka që nuk qe krejtësisht e shpifur. Kjo është njësoj si të kishit licencë për të shtypur para dhe një fuçi me bojë falas.
Por teknologjia eci përpara, ashtu si bën teknologjia. Dhe dalëngadalë, në fund të shekullit të 20-të, atë skarcitet zuri ta hajë erozioni — dhe nuk e kam fjalën për teknologjinë dixhitale; E kam fjalën për teknologjinë analoge. Kasetat, regjistruesit me videokaseta, deri edhe makina e përunjur Xerox na krijuan mundësi të reja që të veprojmë me mënyra që e lanë me gojë hapur biznesin e medies. Sepse doli që nuk ishim vërtet sehirxhinj. Se nuk na pëlqen vetëm të konsumojmë. Na pëlqen të konsumojmë, por sa herë që mbërrinte një nga këto mjetet e reja, tregonim se na pëlqen edhe të prodhojmë dhe na pëlqen t’i ndajmë me të tjerët. Dhe kjo u kalli datën bizneseve të medies — çdo herë që ndodhi. Jack ValentiPër 38 vjetë president i Shoqatës Amerikane të Filmit, i konsideruar si një nga lobuesit pro të drejtave të kopjimit më me ndikim në botë
, që qe kryelobuesi për MPAA – Shoqata Amerikane e Filmit, dikur e krahasoi videoregjistruesin e pamëshirshëm me Jack the Ripper dhe Hollivudin e shkretë e të pambrojtur si një grua e vetme në shtëpi. Ky qe niveli i retorikës.
Ndaj industria e medies iu lut, insistoi, kërkoi që Kongresi të bënte diçka. Dhe Kongresi diç bëri. Në fillim të viteve ’90, Kongresi miratoi ligjin që ndryshoi gjithçka. Ai ligj quhej Ligji Mbi Regjistrimet Në Shtëpi i 1992-shit. Ligji Mbi Regjistrimet Në Shtëpi i 1992-shit thosh se, nëse njerëzit regjistrojnë diçka nga radioja dhe mandej krijojnë kaseta të përziera për miqtë, ky nuk është krim. Kështu jemi në rregull. Për incizimin, rimiksimin dhe ndarjen me miqtë nuk ka problem. Nëse prodhoni kopje me cilësi të lartë dhe i shisni, kështu nuk jemi në rregull. Por vetëm incizime të thjeshta…, pa problem, lëruani. Dhe menduan se me kaq u sqarua çështja, meqë vunë një kufi të qartë mes kopjimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm.
Por bizneset e medies nuk donin këtë. Ata donin që Kongresi ta bënte krejtësisht të paligjshëm kopjimin. Ndaj kur u miratua Ligji Mbi Regjistrimet Në Shtëpi i 1992-shit, bizneset e medies hoqën dorë prej idesë së dallimit mes kopjimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm ngaqë qe e qartë që nëse Kongresi vepronte brenda atij kuadri, kështu mund të shtoheshin të drejtat e qytetarëve për pjesëmarrje në hullinë tonë të medieve. Ndaj iu vunë planit B. Iu desh ca kohë të formulonin planin B.
Plani B, në trajtën e tij të plotë u pa më 1998-n — diçka e quajtur Digital Millennium Copyright Act. Që qe akt i ndërlikuar legjislacioni, me plot pjesë të pakapshme. Por goditja kryesore e DMCA-së qe shpallja si e ligjshme e shitjes së materialeve dixhitale të pakopjueshme — vetëm se materiale dixhitale të pakopjueshme nuk ka pa! Se kësaj i thonë, siç tha dikur Ed Feltoni në mënyrë të paharrueshme, “Si të të japin ujë që s’është i njomë.” Bitet janë të kopjueshëm. Kompjuterët këtë bëjnë. Kjo është efekt anësor i funksionimit të tyre bazë.
E kështu, që të bënte gjasme se po ju mundësonte shitjen e biteve të pakopjueshëm, DMCA-ja ligjëroi gjithashtu detyrimin tuaj për përdorim sistemesh që nxirrnin jashtë loje funksionin e kopjimit në pajisjet tuaja. Çdo pajisje DVD ose lojërash apo televizor, apo kompjuter që futnit në shtëpi — pavarësisht se ç’kujtonit se po merrnit kur e bletë — mund të ndryshohej nga industritë e medies, po qe se donin ta vinin këtë si kusht për t’ju shitur prodhime media. Dhe për t’u siguruar që nuk e morët vesh, ose që nuk do t’i përdornit aftësitë e tyre si pajisje të zakonshme kompjuterike, jua bënë të paligjshme provat për të rikthyer mundësinë e kopjimit të lëndës media. DMCA-ja shënon çastin kur industritë e medias hoqën dorë nga sistemi ligjor i dallimit mes kopjimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm dhe thjesht provuan që kopjimin ta parandalojnë përmes mjetesh mekanike.
DMCA pati, dhe vazhdon të ketë, plot efekte të ndërlikuara, por në një nga fushat, në atë të kufizimit të ndarjes me të tjerët, thuajse nuk ka funksionuar. Dhe arsyeja kryesore pse nuk ka funksionuar është se Interneti doli shumë më popullor dhe më i fuqishëm se sa e mendoi kush. Kasetat e dikurshme dhe buletinet e fansave, nuk janë asgjë përballë asaj çka shohim sot me Internetin. Jetojmë në një botë ku shumica e qytetarëve amerikanë mbi moshën 12 vjeç shkëmbejnë gjëra me njëri-tjetrin online. Me të tjerët ndajmë shkrime, figura, ndajmë audio dhe video. Ca nga këto janë gjëra të krijuara prej nesh. Ca janë gjëra që i gjejmë diku. Ca nga gjërat që ndajmë janë gjëra që i krijuam nga gjëra që gjetëm, dhe e tëra kjo u kall datën atyre industrive.
Pra PIPA dhe SOPA janë raundi i dytë. Por ndërsa ndërhyrjet e DMCA-së qenë kirurgjike — duam të mbërrijmë deri te kompjuteri juaj, te televizori juaj, te makina juaj e lojërave, dhe ta pengojmë të bëjë atë që thoshin në dyqan se bën — PIPA dhe SOPA janë si bomba atomike dhe thonë që, duam të shkojmë kudo në botë dhe të censurojmë lëndën. Mekanizmi për ta bërë këtë, siç e thashë, është që nevojitet të hiqet gjithçka që shpie në këto adresa IP. Lypset t’i hiqni ato prej motorëve të kërkimit, lypset t’i hiqni prej listave online, lypset t’i hiqni nga listat e përdoruesve. Dhe meqë prodhuesit më të mëdhenj të lëndës në Internet nuk janë Google dhe Yahoo, ata jemi ne, jemi ne ata që do të ndiqemi. Ngaqë në fund fare, kërcënimi i njëmendtë që shpuri te PIPA dhe SOPA është aftësia jonë për të ndarë gjëra me njëri-tjetrin.
Pra ajo që rrezikon të bëjë PIPA dhe SOPA është marrja e konceptit ligjor shumëshekullor, i pafajshëm deri sa të ta provojnë fajësinë, dhe ta kthejë së prapthi — fajtor deri sa të të nxjerrin të pafajshëm. Nuk mund ta ndani me të tjerët pa na treguar se nuk po ndani diçka që nuk na pëlqen neve. Papritmas, pesha e vërtetimit të të ligjshmes kundrejt të paligjshmes bie pa hezitim mbi ne dhe mbi shërbimet që mund të na ofrojnë neve aftësitë të reja. Edhe pse survejimi i një përdoruesi kushton vetëm disa qindarka, prej kësaj do të shkatërrohej një shërbim me miliona përdorues.
Pra ky është Interneti që kanë ata në mendje. Përfytyrojeni këtë shenjë ngado — vetëm se në vend të College Bakery, përfytyroni që lexohet YouTube apo Facebook, apo Twitter. Përfytyroni se shkruan TED, ngaqë komentet nuk vihen dot në brazdë me ndonjë kosto të pranueshme. Efektet e njëmendta të SOPA-s dhe PIPA-s kanë për të qenë tjetër nga efektet e propozuara. Kërcënimi në fakt është te përmbysja e pikës se kujt i takon të provojë pafajësinë, pas të cilës të gjithë ne papritmas trajtohemi si të ishim hajdutë sa herë që na jepet liria të krijojmë, të prodhojmë dhe të ndajmë me të tjerët. Dhe njerëzve që na mundësojnë këto aftësi — ata të YouTube-it, Facebook-ut, Twitter-it dhe TED-it — u duhet tani të mos na i ndajnë sytë, ose të jenë edhe ata në valle për favorizim shkeljesh të ligjit.
Që të ndihmoni të ndalet kjo mund të bëni dy gjëra — një të thjeshtë dhe një të ndërlikuar, një gjë të lehtë dhe një të vështirë. Gjëja e thjeshtë, e lehta, është kjo: nëse jeni shtetas amerikan, telefonojini përfaqësuesit tuaj, senatorit tuaj. Po të shihni personat që kanë nënshkruar projektligjin SOPA, ata që kanë nënshkruar PIPA-n, do të shihni se të tërë tok kanë marrë miliona e miliona dollarë nga industritë tradicionale të medies. Ju nuk keni miliona e miliona dollarë, por mund t’u telefononi përfaqësuesve tuaj, dhe t’u kujtoni që ju votoni, dhe mund të kërkoni që të mos trajtoheni si vjedhës, dhe mund t’u sugjeroni që do të parapëlqenit që Internetit të mos i viheshin minat.
Nëse nuk jeni qytetar amerikan, mund të lidheni me qytetarë amerikanë që njihni dhe t’i nxisni të bëjnë të njëjtën gjë. Ngaqë kjo duket sikur është çështje kombëtare, por ja që s’është. Këto industri nuk do të kënaqen me minimin e Internetit tonë. Nëse e shkatërrojnë, do ta shkatërrojnë për të gjithë. Kjo qe gjëja e lehtë. Kjo qe gjëja e thjeshtë.
Gjëja e vështirë është: përgatituni, ngaqë të tjera po vijnë. SOPA është thjesht një rikthim i COICA-s, i cili qe paraqitur vitin e shkuar, dhe që nuk u miratua. Dhe krejt kjo lidhet me dështimin e dikurshëm të DMCA-së për moslejimin e ndarjes me të tjerët në rrugë teknike. Dhe DMCA-ja lidhet me Ligjin Mbi Regjistrimet Në Shtëpi, që u kalli datën këtyre industrive. Ngaqë krejt meseleja e të sugjeruarit se dikush po cënon ligjin e mandej mbledhjes së fakteve dhe provimit të kësaj, del se është vërtet e sikletshme. “Do të donim që të mos e bënim,” shprehen industritë e medies. Dhe ajo çka duan është të mos u duhet të bëjnë kështu. Nuk duan dallime ligjore mes ndarjes së ligjshme dhe të paligjshme me të tjerët. Duan thjesht që ndarja me të tjerët të zhduket.
PIPA dhe SOPA nuk janë çudira, nuk janë anomalira, nuk janë ngjarje. Janë shtrëngimi i radhës i kësaj vidhe të veçantë, që shtrëngohet e shtrëngohet këtu e 20 vjetë. Edhe po i mposhtëm këto, siç shpresoj, të tjera do të vijnë. Sepse deri kur ta bindim Kongresin se rruga për t’u marrë me cënimin e të drejtave të kopjimit është rruga që u ndoq për këtë punë me Napster-in, me YouTube-in, që është gjyqi me krej provat e paraqitura dhe përcaktimi i fakteve dhe i zgjidhjeve siç bëhet në shoqëritë demokratike. Kjo është rruga për ta zgjidhur këtë.
Ndërkohë, gjëja e zorshme është të jemi gati. Sepse ky është mesazhi i njëmendtë i PIPA-s dhe SOPA-s. Time Warner foli dhe na duan prapë të gjithëve në divan, thjesht për të konsumuar — jo të krijojmë, jo të ndajmë me të tjerët — dhe duhet t’i themi “Jo.”
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.