Marrë nga documentfreedom.org
Është dita për festimin dhe shtimin e ndërgjegjësimit mbi Standardet e Hapura dhe formatet e hapura, që festohet të mërkurën e fundit të Marsit të çdo viti. Në këtë ditë, persona që besojnë se teknologjitë e komunikacionit duhet të jenë njësoj të përdorshme nga të gjithë, u mësojnë të tjerëve, prezantojnë dhe demonstrojnë gjëra të lidhura me temën.
Ç’është ‘Liria e Dokumenteve’?
Dokumentet që janë të lira, mund të përdoren në cilëndo mënyrë që ka si qëllim autori. Ato mund të lexohen, transmetohen, përpunohen, dhe transformohen duke përdorur një larmi mjetesh. Dokumentet që nuk janë të lira, janë të kyçura nga një produkt ose kompani e dhënë. Autori nuk mund të zgjedhë se si të përdoren ato, ngaqë kjo kontrollohet përmes kufizimesh teknike, njësoj si një automjet i fuqishëm që është i kufizuar deri në 50km/orë.
A ndodh kjo vetëm me dokumentet?
Jo! Liria për të pasur kontrollin e punëve tuaja krijuese ka të bëjë me më shumë se thjesht ese dhe fletëllogaritje – Liria e Dokumenteve ka të bëjë me krejt format e të dhënave, përfshi grafikën, partitura dhe regjistrime muzikore, email-e, dhe statistika. Këto mund të depozitohen sipas mënyrash që e fuqizojnë përdoruesin, por mundet edhe të ruhen në formate që na e bëjnë të vështirë dhe na manipulojnë, me kosto të stërmëdha për ne.
Pse përputhshmëria është e rëndësishme?
Ju kujtohet kur ju dërguan një kartelë të rëndësishme të cilën kompjuteri juaj nuk e hapte dot si duhej? E mbani mend kur ju desh të blini ose të shkarkoni një zbatim të ri vetëm që të mund të hapnit një bashkangjitje që ju duhej për punë? Papërputhshmëritë si këto zakonisht shkaktohen nga mënyra të ruajtjes së informacionit, të cilat janë të fshehta (‘të mbyllura’), dhe në pronësi private (‘pronësore’). Ato shkaktojnë probleme shumë të mëdha për njerëzit, kompanitë dhe qeveritë, dhe kjo i koston shoqërisë jashtë mase nga ana e frymës krijuese, prodhimshmërisë dhe efektshmërisë. Standardet e papërputhshme përdoren për të manipuluar tregjet dhe për t’u lejuar kompanive t’i bëjnë njerëzit të paguajnë çmime shumë të larta thjesht për privilegjin e hyrjes dhe përdorimit të vetë të dhënave të tyre. Standardet e mbyllura janë gjithashtu në themel të monopoleve teknologjike më të këqija në botë.
Shembull: Zbatimi juaj i zakonshëm për përpunim tekstesh nuk mund të hapë një kartelë të krijuar nga njëri prej kolegëve tuaj. Duhet tani të blini ose të shkarkoni një fjalëpërpunues të ri, të krijuar nga e njëjta kompani që ka prodhuar të tyren, që të mund ta hapni kartelën, edhe pse keni tashmë një të tillë që ju pëlqen.
Po protokollet?
Standardet duhet të jenë të Hapura si për shpërnguljen, ashtu edhe për depozitimin, dhe ndërfaqet dhe protokollet janë po aq të rëndësishme këtu sa dhe vetë formatet e ruajtjes së të dhënave. Sillni në mend një letër – ajo nuk mund të plotësojë funksionin e vet po qe se adresa nuk është e lexueshme, dhe nëse zarfi është i pahapshëm nga marrësi. Po njësoj, një mesazh i dërguar online mund të lexohet vetëm nëse përdor një protokoll të mirëpranuar (adresa) dhe përmban të dhëna që mund të lexohen (zarfi). Shpesh kompanitë përdorin format të Standardit të Hapur për dërgim të dhënash në format të mbyllur, të tillë si Adobe Flash për transmetim videosh nën formatin pronësor Flash Video përmes protokollit web Open HTTP. Por ja që Liria lyp që të dyja aspektet të jenë të Hapura.
Çfarë janë Standardet e Hapura?
Janë formate që gjithkush mund t’i përdorë pa pagesë dhe pa kufizime. Ata ofrohen me përputhshmërinë “të trupëzuar” – mënyra se si funksionojnë ndahet publikisht me të tjerët dhe cilido individ apo organizëm mund t’i përdorë në produktet dhe shërbimet e tyre pa kërkuar leje diku. Standardet e Hapura janë themelet e bashkëpunimit dhe shoqërisë moderne: hekurudhat, prizat e korrentit, gjuha natyrale janë të tëra shembuj specifikimesh mbi të cilat bazohemi dhe i marrin të mirëqena. Përfytyroni sikur për të folurit në Shqip të lypej leje diku dhe të duhej të paguhej një çmim – shoqëria do të ishte e prapambetur dhe kaotike. Lexoni më tepër rreth Standardeve të Hapura dhe se si përkufizohen ato.
Aktivizohuni
Mund të merrni pjesë duke organizuar veprimtari në qytetin tuaj, duke shpërndarë fletëpalosje, duke organizuar biseda, duke shtuar një stemë te blogu juaj, duke dhuruar para, dhe me shumë mënyra të tjera. Aktivizohuni!
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.