Arkivë e Autorit

Pesë-vjetori i Firefox-it

Një vështrim mbi Firefox-in në pesë-vjetorin e tij


Firefox-i Sipas Numrave

  • Firefox-in e përdorin më tepër se 330 milionë vetë anembanë botës

  • Firefox-i është software i lirë dhe me burim të hapur, me afërsisht 40% të kodit të tij shkruajtur nga vullnetarë

  • Përqindja e tregut për Firefox-in është 24.7%% (sipas Net Applications, Tetor 2009)

  • Përqindja e tregut për Firefox-in në Europë është 34.47% (sipas Net Applications, Tetor 2009)

  • Deri në Gusht të 2009-s, Firefox-i qe shkarkuar më shumë se 1 miliardë herë

Shfletuesi Global

  • Firefox-i mund të kihet në më shumë se 70 gjuhë (duke mbuluar kështu më shumë se 97% të popullsisë botërore online)

  • Firefox-i është në përdorim në çdo vend të botës
  • Gati çdo version jo në Anglisht i Firefox-it është përkthyer nga vullnetarë të bashkësisë

  • Më tepër se 50% e përdoruesve të Firefox-it në botë përdorin versione jo në Anglisht

Ecuria në Kohë*

  • 9 Nëntor, 2004: qarkullon Mozilla Firefox 1.0

    • Veçori të reja:

      • Bllokim Flluskash – ndaloni reklama të bezdisshme në trajtë flluskash

      • Shfletim me Skeda – shihni më shumë se një faqe në një dritare të vetme

      • Vetësi dhe Siguri – Firefox e ruan të pastër kompjuterin nga spyware-e dashakeqë

      • Kërkime Më të Mençura – kërkimi është vendosur drejt e te paneli

      • Faqerojtësa të Gjallë – integrim i prurjeve RSS

      • Shkarkim Pa Telashe – kartela të ruajtura vetvetiu në desktopin tuaj

      • Miku Më i Mirë për Zhvilluesit – Firefox-i vjen me një set standard mjetesh zhvilluesi
    • Numër versionesh të përkthyer: 29

    • Përqindje tregu atë muaj: 1.2% (sipas Net Applications, Nëntor 2004)

  • 29 Nëntor, 2005: qarkullon Mozilla Firefox 1.5

    • Veçori të Reja
      • Përditësim i Vetvetishëm

      • Rirenditje Skedash me Drag and Drop

      • Pastrim të Dhënash Vetjake
    • Numër versionesh të përkthyer: 32

    • Përqindje tregu atë muaj: 8.5% (sipas Net Applications, Nëntor 2005)

  • 24 Tetor, 2006: qarkullon Mozilla Firefox 2.0

    • Veçori të reja
      • Rifreskim i Anës Pamore – u përditësuan temat dhe ndërfaqja e përdoruesit

      • Personalizoni Shfletuesin Tuaj – mbi 1000 Shtesa nga të cilat të zgjidhet

      • Siguri: Mbrojte e brendshme nga karremëzimet

      • Rikthim Sesioni

      • Kontroll i Brendshëm Drejtshkrimi

    • Numër versionesh të përkthyer: 37
    • Përqindje tregu atë muaj: 12.9%

  • 17 Qershor, 2008: qarkullon Firefox 3 dhe vendos një Rekord Botëror Guinness me numrin më të madh të shkarkimeve të një software-i brenda 24 orësh
    • Veçori të reja

      • Shtyllë e Mençur Vendesh

      • Faqerojtësa me Një Klikim

      • Etiketa

      • Shfletuesi Web Më i Sigurt – masa strikte kundër karremëzimeve dhe malware-eve / ID site-i web të atypëratyshme

      • Prodhimtari – kontroll i brendshëm drejtshkrimi / rikthim sesionesh / full zoom /

      • Personalizim – më shumë se 5000 Shtesa që t’ju ndihin për personalizim

    • Numër versionesh të përkthyer: 48

    • Statistika shkarkimesh

    • Përqindje tregu atë muaj: 19% (sipas Net Applications, Qershor 2008)

  • 30 Qershor, 2009: qarkullon Firefox 3.5

    • Veçori të reja

      • Shfletim Vetjak

      • Mbulim për HTML5 – video të hapur dhe audio të hapur

      • Shfletues i Ndjeshëm ndaj Vendit

      • Skeda të Shqitshme

      • Shkronja të Shkarkueshme

    • Numër versionesh të përkthyer: 73

    • Përqindje tregu atë muaj: 22.43% (sipas Net Applications, Qershor 2009)

  • 31 Tetor , 2009, qarkullon Firefox 3.6 Beta 1

Fuqia e Personalizimive

  • Mbi 6000 Shtesa Firefox-i falas, të krijuara me kontributin e bashkësisë – më tepër se për cilindo shfletues tjetër

  • 7 milionë shkarkime për Personas me 20 mijë hartime Personas kontribut i 10 mijë artistëve (Gusht 2009)

Kalimi në Celular

  • Përpjekjet e Mozilla-s drejt celularit, me emrin e koduar Fennec, bazohet në besimin se, pavarësisht se me ç’pajisje hyni në të, ka vetëm një Web

  • I ngritur mbi të njëjtën teknologji si Firefox-i, Fennec-u ka plot nga veçoritë e fuqishme të versionit desktop

Pse Firefox?

  • Projekti Firefox fillimisht quhej Phoenix, u ripagëzua për shkak problemesh me shenja tregtare. Emri zëvendues, Firebird, nxiti shqetësime te Firebird,
    një projekt i lirë software-i bazash të dhënash. Ndaj, më 9 Shkurt, 2004, Mozilla Firebird u bë Mozilla Firefox.

Rreth Mozilla-s

  • Mozilla është një organizëm jofitimprurës, në dobi të publikut, me më pak se 250 nëpunës

  • Mbështetemi nga një bashkësi globale disa-mijëshe e përkushtuar të na ndihmojë të krijojmë një Internet më të mirë

  • Misioni ynë është ta mbajmë Internetin të hapur dhe të lirë, përmes mbështetjes së lirisë së zgjedhjes, risive dhe mundësive në botën online

  • Mësoni më tepër rreth Mozilla-s

Bashkësia Mozilla

  • Më tepër se 1000 vullnetarë kontribuojnë me kod te Firefox-i

  • 20 mijë vetë shkarkojnë dhe provojnë përditësimet e përditshme të Firefox-it, dhe gati 1 milionë vetë shkarkuan dhe provuan Firefox 3.5 beta

  • mijëra vetë kontribuojnë te Mozilla përmes sistemit tonë për ndjekjen e projektit Bugzilla

  • SUMO, site-i i Mozilla-s i mirëmbajtur nga bashkësia, ndihmon mesatarisht 10 mijë përdorues të Firefox-it në javë

  • Studentë nga më shumë se 600 institucione në 57 vende përhapin Firefox-in nën rolin e Përfaqësuesit të Mozilla Campus-it

  • Për hedhjen në qarkullim të Nëntorit të 2004, 15 mijë vetë dhuruan shuma parash për të blerë një reklamë mbi Firefox-in te New York Times

*Listë e plotë e shënimeve të versionit: http://www.mozilla.com/en-US/firefox/releases/

* Listë e plotë e versioneve të përkthyera: ftp://ftp.mozilla.org/pub/mozilla.org/firefox/releases/


Java e Shërbimit Mozilla

Java e Shërbimit Mozilla do të jetë një fushatë që Mozilla do të organizojë gjatë 14-21 Shtatorit e që ka për qëllim të afrojë individë apo organizma, të aftë për të ndihmuar, me të tjerë të tillë në nevojë në fushën e Internetit. Fushata është menduar si një veprimtari njëjavore, gjatë së cilës individë të ndryshëm mund të dalin vullnetarë dhe, duke përdorur Web-in, të bëjnë diçka të re, për ta bërë bashkësinë e tyre më të mirë.
Për më tepër:

Java e Shërbimit Mozilla
Blogu për pasqyrimin e J.Sh.M.-së

Hidhet në qarkullim versioni përfundimtar beta i Firefox-it 3.5

Version përfundimtar beta sapo është hedhur në qarkullim. Lidhjet për të shkarkuar përkthimin në Shqip janë si vijon:

për Windows
për Mac
për Linux

Zëvendësimi i sq me en-US te fundi i këtyre lidhjeve do t’ju japë shkarkimin në Anglisht.

WordPress-i në Shqip

WordPress-i është një nga platformat më të njohura për krijim dhe mirëmbajtje blogjesh, i përdorur edhe nga shumë blogistë shqiptarë. Përkthimin e tij në Shqip e kam përfunduar, dhe shumë shpejt do të jetë i passhëm zyrtarisht site-i zyrtar. Deri atëherë, një ide mund ta krijoni nga këto foto ekrani:

Foto nga WordPress-i në Shqip

Firefox 3 qarkullon zyrtarisht edhe ne Shqip më së fundmi

Shfletuesi i mirënjohur Firefox 3 ka gati një muaj që qarkulloi zyrtarisht, këtë herë edhe me Shqipen si pjesë e bashkësisë së gjuhëve në të cilat ofrohet falas.
Hollësitë rreth tij dhe se si mund të shkarkohet mund t’i gjeni te faqet e Mozilla Europës.
Një paraqitje shumë e përmbledhur për ata që nuk duan të lodhen duke lexuar mund ta shihni në këtë video të shkurtër. Videon mund ta shkarkoni edhe prej këtej, për ta parë me programin tuaj të parapëlqyer.

Ndihmoni që Firefox-i të vendosë rekord Guinness

Firefox 3-shi nuk është shumë larg nga dita e hedhjes zyrtarisht në qarkullim. Për ta bërë më pikante ngjarjen, Spreadfirefox-i mendoi një rrugë më tepër për të ndihmuar në përhapjen e Firefox-it: bërjen e Firefox 3-shit programin që do të vendosë rekord Guinness si programi më i shkarkuar brenda 24 orësh.
Përdoruesit nga Shqipëria, përgjithësisht kanë treguar pak ngazëllim për programin në fjalë. Po për habi, Shqipëria është e para për nga numri i zotimeve deri në këtë minutë. Zotimet mund të shihen duke vizituar lidhjen e fushatës në fjalë. Ndoshta ka diçka që nuk shkon me mënyrën e numërimit të zotimeve sipas vendeve. Sepse nuk ka se si përdoruesit nga Shqipëria të tejkalojnë ata nga Gjermania apo Polonia, vende ku Firefox-i ka një bazë të rëndësishme përdoruesish. Në të kundërt, ky do të ishte lajm i shumëpritur.
Pavarësisht se sa i vërtetë është të qenët e Shqipërisë në krye, nëse Firefox-i është një program i dashur për ju, jepni ndihmesën tuaj me një zotim për shkarkimin e Firefox 3-shit në ditën e shpallur si Dita e Shkarkimeve për të.

Firefox 3 Beta edhe në Shqip

Ka pak ditë që qarkullon Firefox 3 Beta. Këtë herë Shqipja është njëra prej kandidateve, dhe në formë shumë të mirë në krahasim me versionet e mëparshme.

Mos Harro Qumështin!

Ky është emri i një programi planifikimesh punësh dhe veprimesh online. Përkthimin e tij sapo e kam përfunduar. Nuk është akoma në funksionim, si mund të shihet lehtë te faqja hyrëse. Por vizitën tjetër do ta gjeni edhe Shqipen si një nga mundësitë për gjuhën e ndërfaqes. Mos Harroni… të Riktheheni!

Rikthehet Firefox-i në Shqip

Si fillim, për ata që i duan drutë shkurt, ja lidhja nga ku mund të shkarkohet programi i plotë në Shqip:

Shkarkoni Firefox-in në Shqip

Dy fjalë për rrugën deri këtu:

Versioni i fundit në Shqip pat qenë 1.0.3. Pas këtij versioni, edhe pse shumë afër finalizimit, Shqipja nuk arriti dot të qe pjesë e projektit. Kjo në shumicën e rasteve për shkak të rregullave të ngurta të Mozilla-s, kur vjen puna për parashtrimin dhe përfshirjen e përkthimeve në projektet e saj. Në disa raste të tjera, trenin e humba unë, për shkak mungese kohe për të arritur në stacion kur duhej.

Sidoqoftë, kjo i takon të shkuarës tani, dhe versioni 3 i Firefox-it do ta gjejë Shqipen pjesë të projektit, të barabartë me gjuhët e tjera. Kjo ka qenë edhe nxitja e përhershme.

Nuk ka ndryshime thelbësore në termat më të diskutueshëm, përsa i përket përkthimit të tyre. Por ka shumë përmirësime drejtshkrimi dhe gramatikore. Një hap i rëndësishëm është bërë me shkurtoret e tastierës, që kanë filluar të marrin rrugëzgjidhje. Një pjesë e kësaj mund të shihet që në dritaren kryesore, sapo hapet programi pas instalimit. Pjesën tjetër më duhet ta shqyrtoj në punë e sipër.

Shpresa ime është që ky version të jetë tërheqës dhe të gjejë përkrahje nga përdoruesit shqipfolës. Duke filluar, së pari, me vërejtjet dhe këshillimet për punën e deritanishme, që kështu të përmirësohet më tej.

Anketim mbi asistencën që Mozilla dhe bashkësia përkatëse e shqipes ofron për produktet Mozilla

Për ata që nuk duan të humbin kohë, ja lidhja për te pyetësori. Në fund të faqes, djathtas, mund të zgjidhni Shqipen dhe të vazhdoni të plotësoni pyetësorin.

Anketimi synon të grumbullojë të dhëna rreth se si bashkësitë e një gjuhe të dhënë (në rastin tonë shqipja) u përgjigjen nevojave të përdoruesve për ndihmë, suport, asistencë lidhur me produktet e Mozilla-s. Është hera e parë që bëhet një anketim i tillë, ndaj do të ishte rast i mirë për të shprehur mendimin rreth gjendjes së projektit në këtë drejtim me rëndësi të veçantë për përdoruesin e zakonshëm.

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.