Arkivë e Autorit

Anketime mbi Bashkësinë Mozilla

Anketimet mbi Bashkësinë Mozilla janë një përpjekje e saponisur, që kanë për synim vjelje të dhënash përmes anketimesh që mund të plotësohen nga cilido i interesuar e në paemërsi të plotë. Provojeni me anketimin e parë. Lidhja e mësipërme ju hap faqen kryesore në Anglisht. Në fund të kësaj faqe djathtas, te kutia Languages mund të përzgjidhni Shqipen si gjuhë të faqes, për të vazhduar mandej edhe me anketimin në Shqip.

7 gjëra e gjysmë që i "duhen" pëlqyer Vista-s…


Artikulli
i shkruar nga Jay Munro, gazetar i ekipit të asistencës për përdoruesit e Windows-it te Microsoft-i, përshkruan, pa lustër këtë radhë, disa nga çfarë MS pretendon se janë të rejat që sjell Vista për përdoruesit e Windows-it. Kjo, sipas Charlie Demerjian-it, është ajo që e bën punën akoma më për të ardhur keq: ndryshe nga herë të tjera, kur MS i lustronte gjërat që kishin lidhje me versione të rinj të sistemit të vet operativ, këtë herë 7 “mrekullitë” e gjysmë të Vista-s duken sheshit dhe komenti për to është i thjeshtë dhe i shpejtë.

Kthetrat e Microsoft-it më së fundi në Shqipëri.

BBC-ja njofton se Qeveria e Shqipërisë dhe shoqëria amerikane Microsoft kanë arritur një marrëveshje për Partneritet Strategjik.
Nënshkrimi i marrëveshjes shihet si një nga përfundimet e nismës qeveritare të keqemërtuar, “Shqipëria në moshën e Internetit”, bërë e njohur ca muaj më parë.
Hollësi rreth marrëveshjes jepen pak. Le të shpresojmë që këto do të bëhen të ditura, ose të passhme për të interesuarit të paktën, prej kanaleve zyrtare të qeverisë shqiptare. Por nga ato pak që lihet të mësohen mund të hamendësohet shumë. Lajmi hapet me sheqerkat e zakonshme të mirënjohura të PR-it të Microsoft-it: 6 mijë kompjutera me çmim simbolik për shkollat dhe programet mësimore në Shqipëri. Ndërkohë që pasi të mbarojë sheqerka, ne do të kujtohemi që bazimi i partneritetit strategjik të qeverisë shqiptare mbi Microsoft-in dhe produktet e tij kanë koston e tyre reale të tanishme dhe një efekt prapaveprues akoma më të kushtueshëm.
Sipas lajmit të BBC-së thuhet se “qeveria shqiptare ka marrë përsipër të respektojë të drejtat e pronësisë intelektuale duke blerë programet e Microsoft-it që përdoren nga administrata publike”. Dhe se këto produkte do të përdoren nga sektori publik për një periudhë tre vjeçare. Kjo do të thotë që qeveria shqiptare, me dije apo me padije, e vë administratën shqiptare nën monopolin e Microsoft-it, ndërkohë që vende të tjera po kërkojnë me ngulm të çlirojnë veten nga ky monopol dhe kostot e papërligjura që rrjedhin prej tij dhe përballohen nga taksapaguesit. Periudha trevjeçare përfundon shpejt, mund të thuhet, dhe pastaj mund t’i kthehemi zgjedhjes për ta përmirësuar. Në fakt, nuk është kështu sepse kthimi i supozuar do të kishte koston e vet, që mund të shmangej nëse bëhej që në fillim zgjedhja e duhur. Pra qeveria shqiptare është dy herë e humbur në këtë rast, e bashkë me të paratë publike. Një herë sepse po blen produkte nga më të shtrenjtat në treg, ndërkohë që ka produkte cilësisht më të mira dhe me kosto shumë më të ulët ose pa kosto fare, (Free Software/Open Source Software). Herën e dytë ngaqë edhe nëse do të dojë ndonjëherë të ndreqë hapin shumë të kushtueshëm të tanishëm, kjo do të ketë kostot e veta.
Microsoft-i është kritikuar vazhdimisht për praktikat monopoliste të paskrupullta. Kompania u ndëshkua me një gjobë jo të vogël, së fundi nga Bashkimi Europian. Më 24 Mars të 2004 Komisioni Europian doli me përfundimin:

Komisioni Europian arriti në përfundimin, pas një hetimi pesëvjeçar, se Microsoft Corporation ka shkelur rregullat e Bashkimit Europian mbi konkurencën duke abuzuar me shkallëzimin e monopolit të vet thuajse të plotë në tregun e sistemeve operativë për PC drejt tregjeve për sisteme opreativë shërbyesash për grupe pune dhe për lojtësa mediash. Për shkak se sjellja e paligjshme vazhdon ende, Komisioni e urdhëroi Microsoft-in të hapë për konkurrentët e vet, brenda 120 ditësh, ndërfaqet e nevojshme për produktet e tyre, që këta të mund të ‘flasin’ me të kudondodhurin Windows OS. Microsoft-it i kërkohet gjithashtu, brenda 90 ditëve, të ofrojë për prodhuesit e PC-ve, (ose kur u shet drejtpërsëdrejti përdoruesave të thjeshtë) një version të Windows OS-it të vet pa Windows Media Player. Veç këtyre, Microsoft-i gjobitet me €497 milionë euro për abuzim me fuqinë e vet të tregut mbi BE-në.

Më 12 Korrik të 2006-s, për mospërmbushje të këtyre detyrimeve të vëna nga Komisioni, Microsoft-i gjobitet sërish me €280 milionë euro. Te lidhja e mësipërme do të gjeni edhe rëndime ditore që shkojnë €1.5 milionë, €2 milionë dhe €3 milionë euro për kushte të ndryshme.
Emri Microsoft-it është i thuajse i paprekshëm në Shqipëri, për arsye monopoliste dhe padije nga ana e publikut të thjeshtë. Kjo ka lehtësuar zgjedhjen e qeverisë për futjen e administratës shqiptare në rrugën më të kushtueshme të modernizimit të saj.

Xfce dhe Xfce.org në Shqip

Xfce-ja është një mjedis desktop për sisteme operativë të llojit *nix. Përkthimi i parë ka qenë për versionin 4.3.2. Ndërsa ky version është 4.4, me diçka më tepër që nuk u përfshi në 4.4 (squeeze në mos gaboj). Përkthimit të Xfce-së si një përmbledhje programesh i shtohet këtë radhë edhe përkthimi i site-it zyrtar, Xfce në Shqip, ku mund të gjenden shumë të dhëna rreth saj. Ndër to përmendim edhe doracakë për përdoruesin.
GNOME dhe KDE janë dy mjediset më të njohur për desktop, mbi përkthimet në shqip të të cilëve punohet vazhdimisht. Përkthimi i Xfce-së shtysën e pati nga ideja për të provuar përkthimin e plotë të një mjedisi desktop duke u bazuar në një grup termash për të cilët nuk ka mirëpranim nga palë të ndryshme që janë marrë me përkthimet. Arsyeja tjetër është fakti që Xfce është më pak kërkues ndaj sistemit, kur vjen puna te fuqia që duhet të ketë një i tillë për të xhiruar këtë apo atë ndërfaqe grafike përsipër bërthamës së sistemit operativ, Linux në rastin tonë. Kështu që përkthimi mund të ishte i dobishëm për kushtet tona, ku kompjuterat e ndjekin me mundim përparimin e teknologjisë.
Qoftë përkthimi i Xfce-së, qoftë ai i site-it kanë nevojë për kontroll dhe ndreqjet e rastit, por janë të përdorshëm që tani.

Universi në desktopin tuaj

Stellarium (në Shqip) është një program i lirë e me burim të hapur që simulon në desktopin tuaj një planetarium. Mund të kihet falas për Linux, për Windows ose për Mac.

Celestia është një tjetër program i lirë dhe që xhiron në shumë sisteme operativë. Disa nga fotot:

Ne jemi diku në anën e prapme të kësaj gjësë, prapa Tokës medemek. Kurse ky mëposhtë është Saturni, me unazat e veta të mërzitshme.

Një tjetër foto nga Celestia, ajo e anijes Voyager2, pranë Neptunit, më 1989 para se të linte përfundimisht Sistemin tonë Diellor:

Çfarë është një planetarium? Një ide mund ta merrni duke vizituar këtë site.
Interesi im për astronominë mbetet i pakët, po lidhjet e këtushme mund të jenë të çmuara për të apasionuarit e astronomisë apo qoftë edhe për nxënësit e zakonshëm. Mbase me ndihmën e tyre do ta pëlqejnë e kuptojnë më shumë se unë astronominë.

Burimi i Hapur (Open Source) si model i zbatuar mbi industrinë e prodhimit të automobilave

Një projekt i ri me burim të hapur, vetëm se këtë herë jo për programe kompjuteri,por për një automobil:

OSCAR – Open Source Car

Diku thuhej, dikur, se çmimi i mallrave, në ditët e sotme është mesatarisht 10 herë më i madh sesa kostoja. Një makinë projektuar me burim të hapur do të kishte një çmim shumë më të lirë se sa ato që zbatohen sot për sot.
Pengesa më e madhe kundër projektit duhet të jetë industria e sotme e automjeteve, bashkë me pjesët e saj anësore që ofrojnë shërbime pas blerjes së një mjeti. Siç thosh dikush, koha jonë është koha e industrisë së automjeteve, diktati i saj shihet kudo, tek reklamat pafund, tek luftrat për zotërimin e tregjeve të naftës, te ëndrrat e pjesës më të madhe të njerëzve të projektuara drejt makinës më të mirë dhe më të shtrenjtë se ajo që ka, etj.
Scooter-i im ka një javë me zorrët përjashta në qiell të hapur. Dy “kirurgët”, kolegë të mij, një polak e një rumun, nuk i dhanë dot dum, me çekanë e kaçavida, të nxjerrin boshtin e timonit e të ndërrojnë mandej një si punë kushinete, pak a shumë. Vida dhe dado atje ku nuk ta pret mendja, nuk bën dot vetë një gjë kaq të thjeshtë sa ndërrimi i një kushinete, …jemi në dorë të industrisë së automjeteve, çmimi i mjetit është i arsyeshëm, por pas tij vijnë shërbimet periodike dhe të papritur që e tejkalojnë çmimin e blerjes. Të keqen e thikës apo hanxharit, një vaj përsipër dhe ther kurbane për 200 vjetë e mos çaj kryet!
Kështu që kur dikush kërkon të ndërtojë një makinë e cila të plotësojë këto kushte, mes të tjerash:

  • E thjeshtë – numër të vogël pjesësh dhe përbërësish mekanikë
  • Mirëmbajtja – E kollajtë

thua: po këta pse nuk ia filluan me motoçikletat më mirë?

Linutop – lodra Linux pa hard disk

Linutop do të jetë një sistem Linux, që për 280 Euro do të ofrojë një sistem pa hard disk, i tëri në një kujtesë ROM, ndaj pritet të jetë i shpejtë, i heshtur dhe me konsum energjie shumë më të ulët se sa makinat e tanishme: vetëm 6W! (Krahasoheni këtë me 450W që kërkon makina ime e sotme.)

Me AbiWord-in si program shkrimi dhe përpunimi tekstesh, Evince PDF si lexues PDF-shë, Firefox-in si shfletues Web, Gaim-in si program fjalosjesh dhe Totem për të luajtur media përbën një alternativë të zgjuar për këdo që nuk e interesojnë lojrat në kompjuter dhe i nevojitet një për në shtëpi.
4 portat USB mjaftojnë që të lidhet me të një hard disk i jashtëm për ta shdërruar në një qendër multimedia, e cila nuk do të kishte zhurmën e kompjuterave të sotëm.

Një vit dhe 48 vetë për një menu fikjeje të MS Vista-s

Moishe Lettvin, një programues që ka punuar për Microsoft-in,
përshkruan rrugën e gjatë dhe burimet njerëzore të përdorura për një menu të MS Vista-s, si humbje kohe, si proces të mbytur nga burokracia që zvarritet një vit për diçka që lyp vetëm pak javë e shumta.
Përfundimi i punës njëvjeçare të 40 e ca vetëve të përfshirë në proces është një menu e kritikuar me të drejtë.
Ja pse Microsoft nuk arrin kurrë të mbajë premtimet as për afatet, dhe as për cilësinë e produkteve të veta.

Testoni faqet web në shfletuesa të ndryshëm

Një projekt i ri ju lejon të keni një ide si duken faqet tuaja web nën shfletuesa të ndryshëm pa i patur të instaluar në makinën (makinat) tuaj.
Kushdo që merret me një faqe web qoftë edhe të thjeshtë e di se sa punë lehtëson kjo.

Problem në Përgjegjësin e Fjalëkalimeve të Firefox-it

Sapo është zbuluar një bug në Përgjegjësin e Fjalëkalimeve të Firefox-it. Bëhet fjalë për një të metë në pjesën e Firefox-it që administron fjalëkalimet që ky ruan për ju, për t’i dhënë në mënyrë automatike kur ju i ktheheni së njëjtës faqe. Kjo ndodh vetëm nëse, te rregullimet e Firefox-it, i kërkohet shprehimisht të funksionojë në këtë mënyrë. Nëse nuk i kërkohet shprehimisht te rregullimet, shfletuesi nuk ruan fjalëkalime që jepni gjatë kohës që vizitoni faqe të ndryshme.
Problemi i tanishëm qëndron në faktin që mekanizmi nuk kontrollon mirëfilltësinë e faqes për të cilën qenë ruajtur të dhëna hyrjeje (login). Kështu që një faqe e dytë brenda të njëjtit shërbyes që shërbeu të parën, e stisur për qëllime vjedhjeje identitetesh, mund të bëjë të mundur vjedhjen e fjalëkalimeve të ruajtur.

Heise ka krijuar dhe një faqe test (në Anglisht) për përdoruesit e thjeshtë, prej nga ku këta mund të shohin nëse shfletuesi i tyre vuan nga kjo e metë apo jo.
Është pranuar ekzistenca për IE7, pra as IE7 nuk i mbron përdoruesit nga e meta e zbuluar. Duket se Opera është në pozicionin më të favorshëm. Nga Mozilla po punohet për një zgjidhje sa më të shpejtë. Deri atëherë, këshillohet çaktivizimi hëpërhë i Përgjegjësit të Fjalëkalimeve.

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.