Arkivë për Kategorinë 'Firefox'

Si ta kuptoj që lidhja ime me një sajt është e sigurt?

Firefox-i ofron një veçori sigurie që ju jep më tepër të dhëna rreth sajteve që vizitoni. Mund të zbuloni shpejt e shpejt nëse sajti që po shihni është i fshehtëzuar, nëse është i verifikuar apo jo, kush është i zoti, dhe kush e ka verifikuar. Kjo do t’ju vinte në ndihmë për shmangien e sajteve dashakeqë që provojnë të shtien në dorë të dhëna tuajat personale.

Butoni i Identitetit të Sajtit gjendet te shtylla e vendeve, në të majtë të adresës web:

site identity

Kur shihni një sajt, Butoni i Identitetit të Sajtit do të jetë në formën e një prej pesë ikonave – një rruzull gri, një trekëndësh sinjalizimi gri, një trekëndësh sinjalizimi portokalli, një dry gri, ose një dry i gjelbër. Secila prej tyre i përgjigjet një gjendjeje të caktuar identiteti të sajtit dhe të lidhjes suaj me të.identity icons toc order

http globe desktopgreen lock 42blocked secure 42orange triangle grey lock 42unblocked mixed content 42

Në varësi të këtyre gjendjeve, mund të vendosni më mirë se si të ndërveproni me një sajt të dhënë, për një veprim që duhet të bëni në të, fjala vjen dhënia e një fjalëkalimi, apo të dhënash të tilla si numra kartash krediti apo identifikues unikë tuajt.
Për një shpjegim më të hollësishëm, shihni artikullin (në shqip) te Asistenca për Firefox-in.

Gjeolokalizimi në Firefox ose Shfletim i Ndjeshëm ndaj Vendit

Firefox mund t’u tregojë site-ve web se ku gjendeni, që kështu të mund të gjeni të dhëna më me peshë dhe më të dobishme. Bëhet fjalë për ta bërë Web-in më të mençur – dhe kjo bëhet duke respektuar plotësisht privatësinë tuaj.

Pyetje të Bëra Shpesh

Çfarë Është Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit?

Site-et Web që përdorin shfletim të ndjeshëm ndaj vendit do t’ju pyesin se ku gjendeni, që të mund t’ju sjellin të dhëna më me peshë, ose për t’ju kursyer kohë gjatë kërkimeve. Le të themi që po kërkoni për një piceri në zonën tuaj. Site-i web do të jetë në gjendje t’ju pyesë të jepni vendin ku ndodheni, në mënyrë që thjesht kërkimi për “pica” do t’ju sjellë përgjigjen që ju duhet… pa qenë nevoja për të dhëna të tjera apo më tepër shkrim në tastierë.

Ose, në rast se po përpiqeni si të gjeni në hartë rrugën për diku, site-i web do e dijë se nga do filloni, e kështu e vetmja gjë që duhet t’i tregoni është ku doni të shkoni.

Ky shërbim është krejtësisht nën dëshirën tuaj – dhe Firefox-i, pa lejen tuaj, nuk e ndan me të tjerët vendin ku gjendeni – dhe e tëra kjo bëhet me respektin më të madh për privatësinë tuaj. Dhe, si tërë elementët e Firefox-it, është sendërtuar duke përdorur standarde të hapura, që të jetë e mundur birësimi nga programuesit Web.

Si funksionon?

Kur vizitoni një site web të ndjeshëm ndaj vendit, Firefox-i do t’ju pyesë nëse doni të jepni vendin ku gjendeni.

Nëse pranoni, Firefox-i grumbullon të dhëna rreth pikash të afërta me hyrje në Internet pa kabllo dhe rreth adresës IP të kompjuterit tuaj. Mandej Firefox-i i dërgon këto të dhëna te mundësuesi parazgjedhje i shërbimit të gjeolokalizimi, Google Location Services, për të pasur një vlerësim mbi vendin tuaj. Ky vlerësim vendi mandej i jepet site-it web që e kërkoi.

Po qe se thoni se nuk pranoni, Firefox-i nuk do të bëjë gjë.

Sa të sakta janë vendet?

Saktësia ndryshon fort nga vendi në vend. Në disa vende, mundësuesit e shërbimit tonë mund të jenë në gjendje të furnizojnë vendndodhje brenda pak metrash. Sidoqoftë, në zona të tjera mund të bëhet fjalë për më shumë se kaq. Të tëra vendet e dhëna si përgjigje nga mundësuesit e shërbimit tonë janë vetëm vlerësime dhe nuk garantojmë saktësinë e tyre. Ju lutemi, mos i përdorni këto të dhëna për urgjenca. Përdorni përherë arsyen.

Ç’të dhëna dërgohen, dhe kujt? Si mbrohet privatësia?

Privatësia juaj është tejet e rëndësishme për ne, dhe Firefox-i nuk i jep kurrë të dhënat tuaja pa leje nga ju. Kur vizitoni një faqe që kërkon të dhëna tuajat, do të pyeteni, përpara se çfarëdo e dhënë të jepet te site-i web që e kërkon dhe te mundësuesi palë e tretë i shërbimit.

Si parazgjedhje, Firefox-i përdor Google Location Services për përcaktimin e vendit tuaj përmes dërgimit të:

  • vendndodhjes IP të kompjuterit tuaj,
  • të dhëna rreth pikash të afërta të hyrjes në Internet pa kabllo, dhe
  • një identifikues të rastësishëm të klientit, i cili caktohet nga Google, që skadon çdo dy javë.

Për një përshkrim të plotë të të dhënave të mbledhura dhe përdorura nga Firefox-i, ju lutemi, shihni Rregulla Privatësie për Firefox-in (në Anglisht).

Google Location Services përgjigjet mandej me vendin tuaj sipas tyre (p.sh., gjerësi dhe gjatësi gjeografike). Për një përshkrim të plotë të të dhënave të mbledhura dhe përdorura nga Google, ju lutemi, shihni Google Geolocation Privacy Policy (në Anglisht).

Të dhënat shkëmbehen përmes një lidhjeje të koduar, për të mbrojtur privatësinë tuaj. Pasi të ketë vendin tuaj, Firefox-i ia kalon atë site-i web që e kërkoi. As emri apo vendi i site-it web që po vizitoni, as ndonjë cookie, nuk jepen kurrë te Google Location Services.

As Mozilla dhe as Google nuk kanë për të përdorur kurrë të dhëna të mbledhura nga Google Location Services për të zbuluar se kush jeni ose për t’ju spiunuar.

Për të dhëna rreth se çfarë bën site-i web që bëri kërkesën me të dhënat mbi vendin tuaj, ju lutemi, shihni rregullat e privatësisë të site-it web.

Për më tepër të dhëna rreth privatësisë suaj, do të duhej të lexonit po ashtu:

A më gjurmojnë ndërkohë që shfletoj në web?

Jo. Firefox-i kërkon për një vend vetëm kur bën kërkesë një site web, dhe e jep vendin tuaj vetëm kur përdoruesi e ka miratuar kërkesën. Firefox-i nuk e ndjek apo e ruan në kujtesë vendin tuaj ndërkohë që ju shfletoni.

Si të tërheq lejen që dhashë për një ?

Po qe se i keni dhënë Firefox-it leje që të japë përherë vendin tuaj te një site dhe më pas ndërroni mendje, mundeni lehtësisht të shfuqizoni atë leje. Ja se si:

  • Shkoni te site të cilit i keni dhënë leje
  • Shkoni te menuja Mjete, mandej përzgjidhni Të dhëna Faqeje
  • Përzgjidhni skedën Leje
  • Ndryshoni rregullimin për Lejo Tregim Vendi

Si ta pastroj “numrin identifikues të rastësishëm të klientit”?

  • Shkoni te menuja Mjete, mandej përzgjidhni Hiq Historikun Së fundmi
  • Klikoni te shigjeta Hollësi
  • Sigurohuni që Cookies janë të përzgjedhura
  • Klikoni te Pastroje Tani

Si ta çaktivizoj Shfletimin e Ndjeshëm ndaj Vendit përgjithmonë?

Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit është përherë me-zgjedhje te Firefox. Asnjë e dhënë vendi nuk jepet pa lejen tuaj. Nëse dëshironi ta çaktivizoni plotësisht këtë veçori, ju lutemi, ndiqni këtë grup hapash:

  • Te shtylla e URL-ve, shtypni about:config
  • Shtypni geo.enabled
  • Dyklikoni te parapëlqimet për geo.enabled
  • Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit tani është i çaktivizuar

Marrë nga Mozilla.org

Shfletoni i Lumtur

Përdorimi i një shfletuesi të vjetruar e bën kompjuterin tuaj të pasigurt. Shfletoni i Lumtur është një mënyrë për të njohur se cilat janë versionet më të reja të shfletuesve më të njohur rreth e qark. Mund të mësoni gjithashtu mbi shfletues alternativë që mund t’ju bëjnë punë madje më mirë se sa ai që përdorni deri sot.

 

Shfletoni i Lumtur

 

Kur një përdorues klikon mbi lidhjen e site-it që nga shfletuesi i vet, kontrollohet versioni aktual i shfletuesit që ai përdor dhe jepen të dhënat përkatëse, tok me sugjerime të rastit.

Manifesti i Mozilla-s

Hyrje

Interneti po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e rëndësishme e jetës sonë.

Projekti Mozilla është një bashkësi mbarëbotërore njerëzish që besojnë se të qenët i hapur, risia, dhe dhënia e mundësive janë kyçet e shëndetit në vazhdimësi të Internetit. Punojmë së bashku që prej 1998, për të bërë të mundur që Interneti të zhvillohet i tillë që prej tij të përfitojnë të gjithë. Jemi më shumë të njohur për krijimin e shfletuesit Web Mozilla Firefox.

Për krijimin e programeve të cilësisë së parë dhe me burim të hapët, si dhe për zhvillimin e llojeve të reja të veprimtarive për bashkëpunim mes njerëzve, projekti Mozilla përdor metodën e punës në bashkësi. Krijojmë bashkësi personash të përfshirë në bërjen e Internetit më të mirë për të gjithë ne.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, kemi përftuar një grup parimesh të cilat besojmë se janë kritike që Interneti të vazhdojë të sjellë përfitime si për të mirën e përbashkët, ashtu edhe për anën komerciale të jetës. Këto parime po i ravijëzojmë më poshtë.

Qëllimet e Manifestit janë:

  1. t’i japë formë përfytyrimit që bashkëpunëtorët e Mozilla-s dëshirojnë të ndiqet nga Mozilla Foundation;
  2. t’u flitet si atyre që kanë, ashtu edhe atyre që nuk kanë njohje teknike;
  3. t’i bëjë pjesëmarrësit te Mozilla krenarë për çka bëjnë dhe t’i nxisë të vazhdojnë kështu; dhe
  4. të furnizojë një kuadër për të tjerë persona që do të shtyjnë më para këtë përfytyrim të Internetit.

Këto parime nuk lulëzojnë vetë. Lypsen njerëz që ta bëjnë Internetin të hapur dhe dashamirës – njerëz që punojnë më vete, që punojnë tok në grupe, dhe që udhëheqin të tjerët. Mozilla Foundation i është përkushtuar shpënies më tej të parimeve të ravijëzuara te Manifesti Mozilla. Ftojmë edhe të tjerët të bashkohen me ne për ta bërë Internetin një vend akoma më të mirë për të tërë.

Parimet

  1. Interneti është pjesë e pandarë e jetës moderne–përbërës kyç në edukim, komunikim, bashkëpunim, biznes, dëfrim dhe në shoqërinë në tërësi.
  2. Interneti është burim i përbashkët mbarëbotëror dhe duhet të mbesë i hapur dhe i shfrytëzueshëm.
  3. Interneti duhet të pasurojë jetën e qenieve njerëzore.
  4. Siguria e individit në Internet është themelore dhe nuk mund të trajtohet si opsionale.
  5. Individit duhet t’i jepet mundësia të ngjizë vetë përvojën e tij në Internet.
  6. Efektshmëria e Internetit si burim i përbashkët varet nga ndërveprimi (protokolle, formate të dhënash, përmbajtje), risia dhe pjesëmarrja e decentralizuar anembanë botës.
  7. Programet e lira dhe me burim të hapët nxisin zhvillimin e Internetit si burim i përbashkët.
  8. Punimi me bazë bashkësinë, dhe i tejdukshëm, nxit pjesëmarrjen, përgjegjshmërinë dhe besimin.
  9. Ndërhyrjet komerciale në zhvillimin e Internetit sjellin mjaft përfitime; një drejtpeshim midis synimeve komerciale dhe të mirës së përbashkët është kritik.
  10. Rritja e anëve të Internetit që lidhen me përfitimin e përbashkët është qëllim me rëndësi, për të ia vlen të harxhohet kohë, kujdes dhe përkushtim.

Shpënia më tej e Manifestit Mozilla

Ka plot rrugë të ndryshme për të shpënë më tej parimet e Manifestit Mozilla. Ne i shohim me sy të mirë një gamë të gjerë veprimtarish, dhe parashikojmë të njëjtën shkallë krijimtarie që bashkëpunëtorët e Mozilla-s kanë treguar edhe në fusha të tjera të projektit. Për persona të papërfshirë thellë në projektin Mozilla, një rrugë themelore dhe tepër e efektshme për të mbështetur Manifestin është të përdoren Mozilla Firefox-i dhe të tjerë produkte në të cilat mishërohen parimet e Manifestit.

Zotimi i Mozilla Foundation-it

Mozilla Foundation zotohet të mbështesë Manifestin e Mozilla-s përgjatë veprimtarive të tij. Në veçanti:

  • do të ndërtojë dhe bëjë të mundura teknologji me burim të hapur dhe bashkësi që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të krijojë dhe shpërndajë produkte të fuqishëm konsumatori, që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të përdorë burimet e Mozilla-s (pronësinë intelektuale, të tilla si të drejtat e autorit dhe shenjat tregtare, infrastrukturën, fondet dhe famën) për ta mbajtur Internetin platformë të hapur;
  • do të nxisë modele krijimi vlerash ekonomike për të mirën publike;
    dhe
  • do të nxisë përhapjen e parimeve të Manifestit Mozilla në diskursin publik dhe brenda vetë industrisë së Internetit.

Disa veprimtari të Mozilla Foundation-it–hëpërhë krijimi, qarkullimi dhe përhapja e produkteve të konsumatorit–drejtohen së pari nga nëndegë në pronësi të plotë të Mozilla Foundation-it, Mozilla Corporation.

Ftesë

Mozilla Foundation fton gjithë të tjerët që mbështesin parimet e Manifestit Mozilla të bashkohen me ne, dhe të gjejmë rrugë të reja për ta bërë realitet këtë përfytyrim të Internetit.

Raporti vjetor “Gjendja e Mozilla-s” për vitin 2011

Mozilla Foundation sapo ka publikuar në rrjet raportin e saj vjetor mbi Gjendjen e Mozilla-s për vitin 2011.

Sipas Mitchell Baker-it, raporti “jep hollësi për synimet dhe nismat tona në të ardhmen, ndikimin tonë gjatë vitit të kaluar, veprimtaritë e Mozilla-s dhe të dhënat financiare të saj për 2011.”

Në Shqip materialin e gjeni këtu.

Firefox Flicks – Konkurs mbarëbotëror videosh që rrëfejnë historinë e Firefox-it

Ju vjen ndoresh për krijim videosh? Mund ta shfrytëzoni pasionin tuaj duke marrë pjesë në këtë konkurs që organizon Mozilla dhe ku mund të fitoni edhe çmime. Thjesht duke marrë pjesë do të shpërbleheni me një paketë çmimi Firefox. Nëse jeni fatlumi që do të fitojë çmimin e madh, ju pret një çmim prej 5 mijë dollarësh dhënë si pajisje videosh ose një e drejtë studimi në një shkollë filmi. Videoja që parashtroni do të merret në shqyrtim nga mjeshtër të njohur të zanatit. Videoja juaj ka shansin, nëse përzgjidhet, të përdoret në ndonjë nga fushatat mbarëbotërore që organizon Mozilla. Pasja e emrit Mozilla në portofolin e projekteve tuaja është një plus.

Filmi juaj do të duhej t’i drejtohet përdoruesve të zakonshëm të Internetit të moshave 25 deri 55 vjeç e të na ndihmojë të shpjegojmë sfidat me të cilat përballet Web-i, me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme prej tyre, t’u përçojmë atyre faktin që Firefox-i është organizëm jofitimprurës e që përpiqet për të mirën e njerëzve kudo qofshin, faktin që Firefox-i si përparësi ka parimet dhe jo fitimet, vendosjen e tyre në kontroll të punës online, që synimi i Firefox-it është e mira publike.

Kategoritë ku mund të merret pjesë janë Reklama Më e Mirë 30-Sekondëshe, Animacioni Më i Mirë, Përdorimi Më i Mirë i Teknologjive të Reja, Njoftimi Më i Mirë i një Shërbimi Publik.

Për hollësi të mëtejshme mbi projektin vizitoni faqen zyrtare të tij, duke klikuar te figura e mësipërme.

Mjete Firefox-i për Zhvillues Web

Versionet më të reja të shfletuesit të njohur Firefox përfshijnë tani mjete që lejojnë shqyrtim të shpejtë të elementëve të një faqeje Web. Në këtë mënyrë u jepet mundësia zhvilluesve të faqeve Web të shohin vetitë e këtyre elementeve, të cilat pastaj mund t’i imitojnë gjatë punës së tyre.

Për një përshkrim përmbledhës të këtyre veçorive të reja shihni videon e shkurtër të mëposhtme:

Firefox-i Shqip për celularë Android

Android

Versioni i Firefox-it për celularë Android është gati për ta testuar praktikisht.
Në Shqip mund ta shkarkoni prej kësaj lidhjeje. Bëhet fjalë për një version nightly. Rrjedhimisht këshillat dhe sugjerimet janë të mirëpritura.
Paketa nuk gjendet te Android Market, sepse është nightly dhe sepse Mozilla nuk ka qartësuar ende se në ç’kanale do të ofrohen versionet e përkthyera.

Përkrahës të Firefox-it – mini-projekt i Mozilla-s

Përhapës i Firefox-it

Përhapës i Firefox-it – një mini-projekt i Mozilla-s që do t’u lejojë gjithë dashamirësve të Firefox-it të shpalosin përkrahjen e tyre dhe ta shtrijnë atë në përdorues të tjerë. Site-i projektit është gati edhe për Shqipen. Klikoni mbi figurën për të shkuar te faqja e projektit.

Prej andej, duke u regjistruar do t’ju jepet mundësia të vendosni butona Përhapësi të Firefox-it – copëza kodi html që i vendosni në site-in tuaj web ose blogun tuaj për të nxitur vizitorët të shkarkojnë Firefox-in. Si ky këtu më poshtë:

Android

Sa herë që një vizitor te site-i juaj klikon mbi një buton dhe shkarkon Firefox-in, ju përfitoni pikë prej atij shkarkimi. Përhapësit që grumbullojnë më shumë shkarkime prej site-eve të tyre do të paraqiten te tabela jonë e nderit dhe do të kenë mundësi të fitojnë gjëra të lezetshme, të tilla si bluza Firefox.

Çfarë është Mozilla?

Në vijim të disa videove të tjera lidhur me Mozilla-n, ja një tjetër që përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes së thjeshtë të shumëkujt:
Çfarë është Mozilla? Disa prej figurave kyçe të projekti, apo lëvizjes, përpiqen ta shpjegojnë në këtë video:

Faqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.