Arkivë për Kategorinë 'Firefox'

Firefox 3 qarkullon zyrtarisht edhe ne Shqip më së fundmi

Shfletuesi i mirënjohur Firefox 3 ka gati një muaj që qarkulloi zyrtarisht, këtë herë edhe me Shqipen si pjesë e bashkësisë së gjuhëve në të cilat ofrohet falas.
Hollësitë rreth tij dhe se si mund të shkarkohet mund t’i gjeni te faqet e Mozilla Europës.
Një paraqitje shumë e përmbledhur për ata që nuk duan të lodhen duke lexuar mund ta shihni në këtë video të shkurtër. Videon mund ta shkarkoni edhe prej këtej, për ta parë me programin tuaj të parapëlqyer.

Ndihmoni që Firefox-i të vendosë rekord Guinness

Firefox 3-shi nuk është shumë larg nga dita e hedhjes zyrtarisht në qarkullim. Për ta bërë më pikante ngjarjen, Spreadfirefox-i mendoi një rrugë më tepër për të ndihmuar në përhapjen e Firefox-it: bërjen e Firefox 3-shit programin që do të vendosë rekord Guinness si programi më i shkarkuar brenda 24 orësh.
Përdoruesit nga Shqipëria, përgjithësisht kanë treguar pak ngazëllim për programin në fjalë. Po për habi, Shqipëria është e para për nga numri i zotimeve deri në këtë minutë. Zotimet mund të shihen duke vizituar lidhjen e fushatës në fjalë. Ndoshta ka diçka që nuk shkon me mënyrën e numërimit të zotimeve sipas vendeve. Sepse nuk ka se si përdoruesit nga Shqipëria të tejkalojnë ata nga Gjermania apo Polonia, vende ku Firefox-i ka një bazë të rëndësishme përdoruesish. Në të kundërt, ky do të ishte lajm i shumëpritur.
Pavarësisht se sa i vërtetë është të qenët e Shqipërisë në krye, nëse Firefox-i është një program i dashur për ju, jepni ndihmesën tuaj me një zotim për shkarkimin e Firefox 3-shit në ditën e shpallur si Dita e Shkarkimeve për të.

Firefox 3 Beta edhe në Shqip

Ka pak ditë që qarkullon Firefox 3 Beta. Këtë herë Shqipja është njëra prej kandidateve, dhe në formë shumë të mirë në krahasim me versionet e mëparshme.

Rikthehet Firefox-i në Shqip

Si fillim, për ata që i duan drutë shkurt, ja lidhja nga ku mund të shkarkohet programi i plotë në Shqip:

Shkarkoni Firefox-in në Shqip

Dy fjalë për rrugën deri këtu:

Versioni i fundit në Shqip pat qenë 1.0.3. Pas këtij versioni, edhe pse shumë afër finalizimit, Shqipja nuk arriti dot të qe pjesë e projektit. Kjo në shumicën e rasteve për shkak të rregullave të ngurta të Mozilla-s, kur vjen puna për parashtrimin dhe përfshirjen e përkthimeve në projektet e saj. Në disa raste të tjera, trenin e humba unë, për shkak mungese kohe për të arritur në stacion kur duhej.

Sidoqoftë, kjo i takon të shkuarës tani, dhe versioni 3 i Firefox-it do ta gjejë Shqipen pjesë të projektit, të barabartë me gjuhët e tjera. Kjo ka qenë edhe nxitja e përhershme.

Nuk ka ndryshime thelbësore në termat më të diskutueshëm, përsa i përket përkthimit të tyre. Por ka shumë përmirësime drejtshkrimi dhe gramatikore. Një hap i rëndësishëm është bërë me shkurtoret e tastierës, që kanë filluar të marrin rrugëzgjidhje. Një pjesë e kësaj mund të shihet që në dritaren kryesore, sapo hapet programi pas instalimit. Pjesën tjetër më duhet ta shqyrtoj në punë e sipër.

Shpresa ime është që ky version të jetë tërheqës dhe të gjejë përkrahje nga përdoruesit shqipfolës. Duke filluar, së pari, me vërejtjet dhe këshillimet për punën e deritanishme, që kështu të përmirësohet më tej.

Problem në Përgjegjësin e Fjalëkalimeve të Firefox-it

Sapo është zbuluar një bug në Përgjegjësin e Fjalëkalimeve të Firefox-it. Bëhet fjalë për një të metë në pjesën e Firefox-it që administron fjalëkalimet që ky ruan për ju, për t’i dhënë në mënyrë automatike kur ju i ktheheni së njëjtës faqe. Kjo ndodh vetëm nëse, te rregullimet e Firefox-it, i kërkohet shprehimisht të funksionojë në këtë mënyrë. Nëse nuk i kërkohet shprehimisht te rregullimet, shfletuesi nuk ruan fjalëkalime që jepni gjatë kohës që vizitoni faqe të ndryshme.
Problemi i tanishëm qëndron në faktin që mekanizmi nuk kontrollon mirëfilltësinë e faqes për të cilën qenë ruajtur të dhëna hyrjeje (login). Kështu që një faqe e dytë brenda të njëjtit shërbyes që shërbeu të parën, e stisur për qëllime vjedhjeje identitetesh, mund të bëjë të mundur vjedhjen e fjalëkalimeve të ruajtur.

Heise ka krijuar dhe një faqe test (në Anglisht) për përdoruesit e thjeshtë, prej nga ku këta mund të shohin nëse shfletuesi i tyre vuan nga kjo e metë apo jo.
Është pranuar ekzistenca për IE7, pra as IE7 nuk i mbron përdoruesit nga e meta e zbuluar. Duket se Opera është në pozicionin më të favorshëm. Nga Mozilla po punohet për një zgjidhje sa më të shpejtë. Deri atëherë, këshillohet çaktivizimi hëpërhë i Përgjegjësit të Fjalëkalimeve.

BlogThis! më i lehtë për t’u përdorur

BlogThis! është një shtojcë Firefox-i, e cila i lejon dikujt që ka një blog të vetin tek Blogger të komentojë tek blogu i vet faqen që është duke shfletuar me Firefox-in. Hyrja tek llogaria Blogger bëhet vetëm me një klik tek ikona përkatëse. Klikimi mbi këtë ikonë hap një faqe Blogger, pjesërisht të gatshme me titull titullin e faqes që po vizitohej, dhe vendndodhjen Internet të saj si lidhje për te ajo.
Ndryshimi me atë çka qenë deri tani është fakti që instalimi është vetëm tërheqja e lidhjes BlogThis! prej faqes BlogThis! tek paneli i lidhjeve vetjake në dritaren kryesore të Firefox-it.
Pas kësaj, kudo që të jeni duke vizituar, klikimi mbi ikonën BlogThis nis një zë të ri blogu.

Elementë grafikë për fushatën SpreadFirefox edhe në Shqip

Tek faqja zyrtare e projektit Spreadfirefox do të gjeni tani e tutje edhe elementë grafikë në Shqip, të cilët mund të përdoren në fushatën për përhapjen e Firefox-it. Punuar dhe dhuruar bujarisht nga Arianiti.

Firefox 1.0.3 mund të kihet edhe në Shqip, zyrtarisht më në fund.

Te faqja zyrtare e shkarkimeve të Firefox-it tani e tutje gjenden edhe versionet Shqip për 1.0.3 versioni më i fundit i Firefox-it.

"Site"-i i Mozilla Europe-s ka tani një version Shqip

Mozilla Europa tani në version Shqip.

Përkthimet në Shqip të Firefox-it, Thunderbird-it dhe Mozilla-s tani kanë një faqe krejt të tyren, pjesë e projektit Mozilla Europe, që përfshin edhe përkthimin e site-it në gjuhët për të cilat produktet e Mozilla-s janë të përkthyer. Shqipja i është afruar shumë këtij kushti. Firefox-i dhe Thunderbird-i i përkthyer janë tashmë në përdorim. Suita e Mozilla-s është në fazën e testimit, dhe qarkullimi i saj nuk do të vonojë.

Vazhdon, pa sukses, gjuetia e dhelprës

Them pa sukses, sepse shifrat nga www.spreadfirefox.com flasin për 24 milionë shkarkime që nga 9 nëntori deri më sot. Pa llogaritur përhapjen përmes kopjesh të shkarkuara tashmë. Nuk besoj që këta janë përdoruesi të rinj me Firefox-in si gjëja e parë që u ra në dorë. Këtë e provon edhe gërryerja e përqindjes që përdor IE për shfletim në Internet.
Ka një postim të pasaktë, apo spekullues, në Forumi Shqiptar – Shletuesi Maxthon (ish MyIE). Sipas postimit, ndryshimi në madhësinë e shkarkimit të Firefox-it për Windows (5MB) dhe Linux (9MB) tregon që Firefox-i përdor kod nga Windows-i. Kjo thuhet si zbulim apo çfarë? Sigurisht që do të përdorë kod nga Windows-i, sepse Windows-i në fund të fundit është sistemi operativ që shërben si platformë për tërë zbatimet, e këta kanë nevojë për një platformë, ndryshe nuk xhirojnë. Nën Windows kjo platformë është Windows-i, nën Linux është Linux-i. Këtu nuk ka asnjë mister apo sekret që ka të bëjë me Firefox-in. Firefox-i, si çdo zbatim tjetër, ka nevojë të përdorë kod nga sistemi operativ. Kjo nuk do të thotë që përdoret kod nga IE-ja. Nëse ka dyshime për këtë, kodi i Firefox-it është i hapur, kushdo mund ta shohë e të bindet se cilat janë të vërtetat dhe cilat jo.
Diferenca në shkarkim ka të bëjë me ndryshimin midis dy platformave, dyorët për Linux janë më të mëdhenj se sa përkatësit për Windows, përpiluesit në dy sistemet janë të ndryshëm, 7zip i përdorur për ngjeshjen e paketës për Windows prodhon ngjeshje më të madhe, pra paketë më të vogël…
Sa për vizatimin e faqeve ndryshe në versionin preview dhe ndryshe në 1.0… këtu përpiqemi t’i faturojmë Firefox-it mëkatet e Microsoft-it. Çudia në këtë rast nuk është ndonjë imitim apo arritje në imitimin e IE-së siç shprehen në postim. Çudia është përpjekja për të mbuluar uzurpimin dhe devijimin e standarteve nga Microsoft-i për qëllimet e veta monopoliste. Ndërsa që

faqet në versionin 1.0 final hapeshin pothuaj njësoj si IE

është një shprehje pakuptim: një faqe duhet të hapet jo pothuaj, por saktësisht njësoj në të të gjithë shfletuesit. Nëse dikush krijon një faqe që të hapet vetëm nga disa shfletues, ky nuk është faji i shfletuesve të tjerë. E as do të jetë më problem i tyre, kur përdoruesit të fillojnë të kuptojnë rrengun që u bëhet me këtë.
A duhet të jetë Firefox-i i thjeshtë apo i përbërë, apo i ndërlikuar, apo shumë i ndërlikuar? Përgjigjja nuk ndihmon në krahasimin e tij me shfletuesit e tjerë, sepse kështu përpiqemi të krahasojmë një mundësi (si do ishte Firefox-i në rast se…) me një realitet (Maxthon apo IE sot). Cilido ka të drejtë të kërkojë apo të pëlqejë një apo ca funksione nga aksh shfletues. Sado të çuditshëm të jenë parapëlqimet në këtë rast. Por kjo nuk mund të shërbejë si bazë për krahasim mes tyre. Sepse është tejet subjektive si bazë.
Së fundi dihet që siguria asnjëherë në këtë botë nuk ka qenë e lidhur së brendshmi me 1 (Njëshin), sekreti po.

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.