Arkivë për Kategorinë 'Teknologji'

Mbi Mospëlqimin Më të Kompjuterave

nga Paul Boddie                                                                                                              21 Nëntor 2016

Adam Williamson tani së fundi shkroi se nuk i pëlqejnë më vërtet kompjuterat. Kjo nxiti mjaft përgjigje nga njerëz që e keqkuptuan dhe vendosën të japin falas këshilla karriere, përfshi doza të materialit të zakonshëm mbi “ndjekjen e pasionit që dikush ka” ose “ndryshimin e drejtimit të vetes” (i cili zakonisht përfshin shndërrimin në njëfarë lloji “endacaku global”), gjë që më bën të mendohem se në ç’mënyrë e nxjerrin bukën e gojës disa prej këtyre njerëzve. Thua të kenë gra të kamura apo prindër të kamur, ndonjë “trashëgimi”, apo thjesht shtien në dorë kontrata të kripura për ente të rastit, natyra apo identiteti i të cilave mbetet me dashje i errët, për të shmangur të menduarit se nga vjen faktikisht paraja prej kësi punësh? Kjo e fundit do të ishte veçanërisht rruga e ”endacakut global”, siç më duket mua.

Sidoqoftë, Adami duket se e pëlqen punën që ka: thjesht nuk interesohet më për të ndjekur fushën e teknologjisë jashtë orarit të punës. Deri diku, mendoj se të tërë ne e pëlqejmë njëfarësoj si ide. Për ata prej nesh që kanë ide pesimiste të ngjashme mbi punën me kompjuter, ia vlen të radhiten një sërë arsyesh pse mund të mos jemi më dhe aq entuziastë rreth teknologjisë, veçanërisht për ata prej nesh që kanë për zemër edhe përmasat etike, jo thjesht faktin nëse “ia vlen apo jo” teknologjia në vetvete, apo nëse ofron apo jo një sfidë intelektuale të mjaftueshme. Meqë ra fjala, kjo është lista ime: nuk e njoh fare AdaminOrigjinali, I don’t know Adam from, well, Adam! është një lojë fjalësh me emrin Adam të Adamit të shkrimit dhe shprehjes anglishte I don’t know him from Adam.!

Mungesë Përparimi Faktik

Njeriu fillon e plaket dhe vë re se të njëjtat probleme teknologjike vazhdojnë të shfaqen sërish e sërish, duke mos u zgjidhur kurrë, teksa sheh njerëz pa ndjenjë historie të shkaktojnë ndryshime për hir të ndryshimit, jo për hir të përparimit. Pas një farë kohe, ose kur dikush mbërrin në një farë moshe, pret që teknologjia thjesht të funksionojë dhe se njerëzit do ta kenë gjetur se si t’i bëjnë gjërat të komunikojnë me njëra-tjetrën, apo ç’të jetë tjetër, duke krijuar mbi bazën e të kaluarës. Por ja që zakonisht, duket se ajo që ndodh është se një djalosh gjeni, apo jo dhe aq, dëshiron t’ia fillojë nga zeroja zgjidhjes së problemeve të tilla, duke hartuar mjaft veçori të ndritshme, por jo qëndrueshmërinë e rëndomtë që do të donte gjithkush në fakt.

Njerëzve mandej u thuhet se teknologji të tilla të “avancuara” janë detyrimisht të komplikuara. Nëse dikur mund të kapnit telefonin, t’i binit një numri, të merrnit njëfarë përgjigjeje dhe të bënit një bisedë deri diku të hairit, tani duhet të garantoni që pajisja të jetë e lidhur si duhet, deri më një, që krejt formësimet të jenë të sakta, që furnizuesi i Internetit s’është duke jua bërë me hile apo duke provuar të bllokojë trafikun tuaj në rrjet. Dhe mandej t’i bini numrit dhe të mos kapni dot linjën, ose thirrja juaj të ndërpritet në mënyrë misterioze, ose cilësia e zërit të ngjajë si intervistë e një trume macesh në zënkë e sipër, marrë nga fundi i kazanit të plehrave.

Zhvlerësim Kualifikimesh

Njeriu mund të jetë dëshmitar se si një profesion, që kërkon një sasi jo të vogël investimi arsimor — që, falë politikanëve të pazotë/të korruptuar, do të thotë gjithashtu një sasi jo e vogël investimi financiar — të zhvlerësohet deri në atë pikë sa praktikuesit e tij të shihen si mall i shkëmbyeshëm, që mund të detyrohet të punojë për sa më pak të jetë e mundur. Kaq për “ekonominë e dijes”, ku praktikuesit e saj rrezikojnë të përfundojnë të fitojnë më pak se sa njerëzit që bëjnë të ashtuquajturat punë “të rëndomta”, punë për të cilat s’të duhet të kalosh nëpër një periudhë të plotë arsimimi më të lartë apo të ndjekësh një proces të vazhdueshëm vetëpërmirësimi, për të mbetur “i vlefshëm”. (Jo se ka ndonjë gjë të keqe me punët e “rëndomta”: pa njerëzit që bëjnë punë që nuk janë në modë, gjithçka do të ndalej shumë shpejt, ndërkohë që ca pak nga gjërat që kam bërë unë mund të mos kishin ekzistuar fare, kaq pak ndryshim prunë.)

Tani na thuhet se programimi do të jetë vërtet fushë e “inteligjencës artificiale”, këtë radhë. Se në vend të qenieve njerëzore që shkruajnë kod, “high priests”ang. Kokat, krerët e një doktrine, lëvizjeje, rryme. thjesht do të drejtojnë kompjuterat të shkruajnë software-in që u duhet. Sigurisht, gjëra të tilla janë të bukura për revistën Wired dhe në fakt zbavitëse për këdo me çfarëdo përvoje faktike në projekte software-i. Për fat të keq, politikanët (dhe të tjerë “thought leaders”ang. Individ ose një njësi e mirëpranuar si autoritet në një fushë të specializuar, ekspertiza e të cilit shpesh është e vyer dhe e shpërblyer.) i lexojnë gjëra të tilla sot dhe të nesërmen i bien me sëpatë buxhetit. Dhe, për një dhjetëvjeçar, do të vuajmë të njëjtin “debat” mbi mungesën e “talenteve në inxhinieri”, me të njëjtat “ide” nga tufa e zakonshme e lobuesve të patentave dhe interesave.

Ekonomi Fantazish Neoliberale

Njeriu mund të ketë hasur kulturën e “praktikave” ku njerëz sa të mund përpiqen t’i bëjnë programuesit dhe të tjerë në industri të punojnë për hiçgjë, duke i bërë të ndihen se kjo duhet bërë që të mund të provohet se vlejnë për vendin hipotetik të punës ose për të demonstruar se janë vërtet të përkushtuar ndaj ca synimesh të vendosur nga korporata. Njeriu lexon ose dëgjon për njerëz që e përkrahin përfshirjen në “burimin e hapur” jo për të përqafuar katër liritë (të përdorimit, ndarjes me të tjerët, modifikimit dhe shpërndarjes së software-it), por për të bindur të tjerët që të “hyjnë në radarin” e një punëdhënësi, kodi i të cilit është licencuar si Software i Lirë (ose si diçka që pretendon të jetë e tillë), në pjesën më të madhe për t’i bërë njerëzit të punojnë falas për ta.

Tani, mua më pëlqen ideja që punëdhënësit t’i njohin të punësuarit potencialë teksa këta ndërveprojnë me një projekt Software-i të Lirë, por do të duhej të ndodhte vërtet vetëm kur i punësuari potencial është duke u marrë tashmë me diçka që këta duan të bëjnë, ngaqë u intereson atyre dhe është në interes të tyre. Dhe askush nuk duhet shtënë të kryejë punë falas nën premtimin e nënkuptuar mjegulltazi se mund të punësohet, po bëri kështu.

Vullnetarë Njëpërdorimsh

Njeriu mund të ketë parë shfrytëzimin e përpjekjeve vullnetare, ku njerëzit shtyhen drejt krijimit të ndjesive se duhet “të dalin vullnetarë” për të mirën e diçkaje në të cilën besojnë, shpesh duke u kërkuar vullnetarëve të sakrifikojnë kohë dhe para të tyre për të bërë punë të tilla falas, dhe për t’i i parë shpesh këta vullnetarë të nxiten për të dhuruar para drejtpërsëdrejti për kauzën, sikur krejt përpjekjet e tyre të tjera të mos qenkërkëshin në vetvete kontribute me peshë. Teksa rreken të përmirësojnë gjërat në atë pak kohë dhe me ato pak burime që u mbeten nga e përditshmja, vullnetarët shpesh punojnë në kah të kundërt me organizma me xhepa të thellë, punonjësit e të cilëve kanë luksin t’u kundërvihen përpjekjeve të tilla vullnetare nga pozita e punësimit të plotë dhe me një rrogë të ëmbël. Këta njerëz kthehen në shtëpi darkave dhe fundjavave dhe e lënë gjithçka pas shpatullave, po të duan.

Aspak për t’u habitur që vullnetarët mbarojnë, si qirinjtë, ose vendosin që thjesht s’kanë kohë ose s’janë më të motivuar në mënyrë të mjaftueshme. E hidhura këtu është se ca organizma e shpërfillin këtë dukuri, ngaqë ka plot vullnetarë të rinj që duan të “aktivizohen” dhe “të jenë të dukshëm”, ndoshta si një mënyrë për marketing të vetes. Dhe nga ana tjetër, disa bashkësi janë të kënaqura që tëhuajnë përdoruesit ekzistues, nëse mund të tërheqin fluksin mitik “10x” të përdoruesve të rinj që do të zënë vendin e tyre, ndaj, supozoj, kjo s’duhet të na vijë dhe aq e papritur.

Hidhua Fajin të Pafuqishmëve

Njeriu mund t’i jetë ekspozuar kulturës sipas të cilës nëse shqetësoheni për padrejtësitë ose gjërat e gabuara, atëherë e mbani vetë përgjegjësinë për situata të këqija ose të pafata, edhe kur s’keni fare të bëni me krijimin e tyre. Kjo kulturë e përshkon tejpërtej shoqërinë dhe u lejon të fuqishmëve të bëjnë si duan, për t’i bërë mandej krejt të tjerët të ndihen keq për pasojat, dhe për t’i detyruar praktikisht njerëzit thjesht të pranojnë rezultatet, nëse pas një dite të lodhshme s’kanë më fuqi për të përmbushur krejt angaritë e nevojshme për kërkim llogarie të zotëve të punës.

Pra, ata prej nesh me ndonjë fije ndërgjegje, mund të jenë tashmë duke përkrahur njerëz që provojnë të bëjnë gjënë e duhur, fjala vjen të ndihmojnë të tjerët, të kërkojnë llogari, të mbrojnë më të dobëtin, e me radhë. Por në të njëjtën kohë, nuk na mungojnë njerëz – veçanërisht në media dhe në politikë – që na tregojnë se sa keq janë gjërat, me pamjen e dikujt që shpreson se mos e marrim ne përgjegjësinë për diçka të bërë gjoja në emrin tonë, që ka patur pasoja të rënda. (Pushtimi dhe bombardimi i tokave të huaja është një shembull që përsëritet deri në depresion.) Mjerisht, ndjenja e pafuqishmërisë që kanë shumë vetë, teksa i fuqishmi sillet anës duke bërë ç’të ketë qejf, shfrytëzohet nga taktikat e zakonshme cinike “përça dhe sundo” të të tjerë personave të fuqishëm, që nuk lënë t’u shpëtojë mundësia e keqpërdorimit të pushtetit dhe mjerimit që kjo shkakton. Dhe kështu, egoizmi dhe tribalizmi përhapen më shumë, duke shmotivuar cilindo që dëshiron që bota të bëhet një vend më i mirë.

Prapësim i Lirive

Dikush mund t’i ketë rënë në të se teknologjia s’është më thjesht punë krijimi mundësish apo bërjesh më të lehta të gjërave, por gjithnjë e më shumë është punë kontrolli dhe mbikëqyrje e njerëzve dhe bërjes së gjërave të ndërlikuara dhe të vështira. Se qëndrueshmëria dhe vazhdimësia sakrifikohen që kompanitë të mund të kultivojnë mundësi përfitimi të madh dhe ripërsëritës përmes shndërrimit të njerëzve në të varur prej produktesh të vjetruar që duhen zëvendësuar rregullisht. Dhe seë teknologjia i mahis sëmundjet shoqërore, në vend se të ndihmojë në çrrënjosjen e tyre.

Kemi Web-in modern, një sajt i rëndomtë i të cilit duhet të “lidhet” me një numër aktorësh të njëjtë – sajte gjurmimi, rrjete shpërndarjeje lënde (që më shumë furnizojnë reklama), burime shkronjash, burime figurash, burime skriptesh – që të tërë bashkë kontribuojnë për ta bërë raportin “miell – krunde” sa vjen e më të ulët. Ku gjithçka duhet të mbajë një kanal komunikimi me shërbyes kuturu për t’i përditësuar këta me të dhëna se ç’po bën përdoruesi, ku e kalon shumicën e kohës, çfarë pa dhe çfarë klikoi. Dhe tërë kjo lyp qindra megabajte kod programi dhe të dhënash, harxhon kohë procesimi, shpërdoron energji, i bën kompjuterat të ngadaltë dhe pandalshëm të vjetruar, duke i detyruar njerëzit të hedhin gjëra, për të blerë më tepër gjëra, për t’i hedhur edhe këto së shpejti.

Kemi përvojën me ekosistemin e “aplikacioneve”, me kufizime mbi përdorimin, konkurrencën dhe ndërveprueshmërinë, me lëndë të gatitur arbitrarisht: oborre me gardh që Apple dhe Microsoft nuk arritën t’i impononin mbi gjithkënd në agim të “Internetit të konsumatorëve”, por që e bëjnë tani, nën sebepin e leverdisë dhe sigurisë. Kemi perandori rrjetesh sociale që shërbejnë lajme të rreme për sallën e vogël të jehonës së çdo personi, duke shumuar flluska urrejtjeje dhe duke i tërhequr njerëzisë vëmendjen nga ç’po ndodh vërtet në botë dhe ç’do të duhej të kishte vërtet rëndësi. Kemi shërbime “cloud” që shpesh ofrojnë për përdoruesin mundësi mediokre punimi, por që e ofrojnë nga “çfarëdo pajisjeje” ama, me përdoruesit që i pranojnë që të dyja bashkë, leverdinë e të qenit në gjendje të përdorin mesazhet apo lëndë të tyren që nga telefoni, dhe survejimin e sendërtuar në shërbime të tilla për qëllime komerciale dhe për shfrytëzim nga qeveria.

Kemi vjetrimin e planifikuar, të konceptuar qëllimisht, në software dhe hardware, me përdoruesit që detyrohen të blejnë produkte të reja që të mund të vazhdojnë të bëjnë gjërat që duan të bëjnë me këto produkte, dhe për ta bërë këtë në mënyrë relativisht të sigurt. Dhe kemi bateri hileqare të salduara në pajisje, me detyrimin, që me sa duket bie mbi vetë përdoruesit, për t’u kujdesur për sigurinë e tyre dhe – kur produkti mbaron – edhe për ndikimin e atij produkti mbi mjedisin. Duke e rënduar përdoruesin e pashpresë të teknologjisë me kaq shumë klauzola, sa që jeta e tij bëhet e sunduar prej tyre, ato objekte bëhen një lloj tiranie.

Të gjesh Kuptim

Mjaft vetë e kanë të nevojshme të gjejnë kuptim për punën e tyre dhe ta ndjejnë që puna e tyre është në një vijë me përparësitë personale. Disa njerëz mund të jenë në gjendje të bëjnë punë që s’i tërheqin, apo që s’kanë ndonjë interes, dhe interesat dhe synimet e tyre mandej t’i ndjekin në kohën e lirë, por kjo mund të jetë shkurajuese dhe shmotivuese, parë në perspektivë. Kur puna e njerëzve s’është e ndarë nga besimet dhe interesat e tyre, por përkundrazi i dobëson aktivisht ato, përfundimi është kundërproduktiv dhe madje me pasoja për këto besime dhe interesa, dhe për ata që kanë të njëjta.

Për shembull, punësimi për zhvillim software-i pronësor ose shërbimesh pronësore, edhe pse me potencial nxitës nga pikëpamja intelektuale, ka gjasa të sabotojë çfarëdo shkalle realiste përkushtimi të kohës së lirë të dikujt ndaj Software-it të Lirë që realizon po të njëjtat gjëra. Disa njerëz mund t’i japin përparësi një vendi pune stimulues, në vend se gjërave në të cilat besojnë, me përshtypjen se nga puna e tyre të tjerët prapë përfitojnë, në një mënyrë a një tjetër. Të tjerëve mund t’u duket se po i tradhtojnë përdoruesit e Software-it të Lirë, kur i bëjnë njerëzit të varur nga software-i pronësor dhe duke shkaktuar probleme ndërveprueshmërie, kur këta përdorues software-i pronësor zënë dhe e marrin të mirëqenë se gjithçka do të duhej të rrotullohej rreth tyre, mjeteve të tyre, të dhënave të tyre, dhe asaj çka presin.

Edhe pse Adami nuk po e trajtonte këtë ndryshim perspektivash nga pikëpamja e punës apo karrierës së tij, te disa njerëz mund të ketë ndikim në këtë pikëpamje. Unë vetë, ndonjëherë e vras mendjen për ndërveprimin mes përparësive të mia personale dhe karrierës sime. Në fakt, rruga se si Adami mundet me sa duket t’i mbajë brenda caqeve të punës së përditshme përpjekjet e veta teknologjike, duke ia lënë pjesën tjetër të kohës gjërave të tjera, ka qenë një lloj vizioni që kam patur dikur lidhur me studimin dhe ushtrimin e informatikës. Mendoj se ai është me fat që interesat e punëdhënësit të tij dhe të atij vetë janë aq afër sa për ta lejuar ta shohë vendin e punës si një vend për t’i shpënë më tej këto interesa, në mënyrë të mjaftueshme, për të mos iu dashur ta kompensojë diferencën në shtëpi.

Jetojmë në një epokë bollëku fuqie kompjuterike, por ende kaq shumë prej saj përdoret në mënyrë të paefektshme dhe të papërshtatshme. Do të doja të kisha një zgjidhje të saktë të ekuacionit të ndërlikuar që përfshin teknologjinë dhe efektet e saj në cilësinë e jetës sonë, në mos për aplikimin e teknologjisë në shoqëri në përgjithësi, të paktën për individët, dhe po aq për veten time. Ndoshta lypset një artikull i ardhshëm ku të shqyrtohet se ç’duhet të presim nga teknologjia, teksa aplikimi i saj shtrihet gjithnjë e më shumë, në mënyrë që teknologjia që përdorim dhe që ka ndikim mbi ne të mbrojë të drejtat tona, shpresat tona si qenie njerëzore, në vend se t’i dobësojë dhe margjinalizojë ato.

S’është e zorshme të shihet se si mund të përfundojnë të indinjuar prej tyre dhe të mos u pëlqejnë më kompjuterat, ashtu si janë bërë. Madje edhe ata që dikur qenë entuziastë për ta.

 

Copyright (C) 2016 Paul Boddie <paul@boddie.org.uk>

Artikullin në origjinal mund ta lexoni këtu këtu. Falënderoj autorin për lejen dashamirëse për përkthim.

 

Merrjani Dorën Web-it – një seri përkujdesoresh të shkurtra mbi përdorimin e Internetit

E para i kushtohet sigurisë kibernetike dhe e gjeni këtu.

Firefox Hello

hello

Firefox Hello është një aplikacion i ri nga Mozilla, që ju jep mundësinë të bëni thirrje me video në internet edhe pa krijuar llogari diku, pra pa u dhënë hollësi mbi identitetin e personave të përfshirë në thirrje. I bazuar në teknologjinë WebRTC, Firefox Hello-ja përdor shfletuesin për të realizuar dhe zhvilluar thirrjen. Si i tillë do të funksionojë vetëm me shfletues që e mbulojnë WebRTC-në. Firefox-i, Google Chrome dhe Opera janë ata që e mbulojnë deri më sot.

Pra fare thjesht, nëse përdorni një prej shfletuesve të mësipërm, shkoni te faqja e Firefox Hello-së dhe provojeni.

Firefox Hello është tashmë i përkthyer në shqip.

Foto ekrani nga Firefox OS Shqip në tablet

Firefox OS-i është një sistem i ri operativ për celular, i ndërtuar mbi JavaScript-in. Perspektivat e tij janë të shumta, duke qenë se ofron një alternativë të njëmendtë kundrejt platformash të tjera celulari, pronësore dhe kufizuese. Përfitimet e menjëhershme të prekshme do të ishin çmime më të lira për telefona të mençur. Përfitimet afatgjata lidhen me aspekte të konkurrencës ndaj platformave pronësore. Mozilla po përpiqet të bëjë me pajisjet celulare atë që bëri me Firefox-in vite më parë: të ofrojë alternativë të hapur dhe të suksesshme ndaj platformash pronësore.

Sistemi operativ i Mozilla-s për pajisje celulare, Firefox OS mund të përshtatet fare mirë për tablet. Te kjo galeri mund të shihni foto ekrani të bëra me Firefox OS-in në veprim, në shqip, në një tablet.

Veç gjërave të zakonshme që priten nga një sistem operativ për pajisje celulare dhe nga një përkthim në shqip, në disa prej fotove mund të shihet tastiera virtuale e shqipes. Çfarë e bën të dallueshme këtë tastierë është mungesa e dubëlvësë së panevojshme për shqipen, dhe prania e ë-së dhe ç-së, të dukshme dhe me pushtet të barabartë me shkronjat e tjera të alfabetit.

2015-02-28-04-50-12

Kjo është një kopje tjetër nga ajo e depozituar në projekt. Përpjekjet qenë për një tastierë si kjo më sipër. Por, me numërim të thjeshtë “votash” u vendos, nga persona që nuk e njohin shqipen dhe nevojat e saj, dhe në analogji me zgjidhje të tjera të papjekura, për një version tjetër.

Nëse dikush e sheh të arsyeshme sendërtimin e një tastiere si më sipër, i lutem të komentojë te Bugzilla. Po të arrihet një numër më i madh se i kundërshtarëve, mund të kërkohet përmbysja e rezultatit.

Një tjetër hollësi është përdorimi për galerinë e fotove i Mediagoblin-it, paltformës së lirë, të decentralizuar, për publikim figurash, video apo audio.

Privatësi me katër hapa të thjeshtë sipas Mozilla-s

Një minisajt i Mozilla-s mbi privatësinë dhe mbrojtjen e saj.

Pse Shkollat Do të Duhej të Përdornin Vetëm Software të Lirë

nga Richard Stallman

Veprimtaritë arsimore (përfshi funksionimin e shkollave) kanë një detyrim moral të japin mësim vetëm software të lirë.

Krejt përdoruesit e kompjuterit do të duhej të ngulnin këmbë në software-in e lirë: ai u jep përdoruesve lirinë për të kontrolluar kompjuterin e tyre— me software-in pronësor, kompjuteri bën atë çka do pronari ose programuesi i software-it, jo atë çka përdoruesi dëshiron të bëjë. Software-i i Lirë u jep përdoruesve edhe lirinë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të rrojtur një jetë të drejtë. Këto arsye kanë vlerë për shkollat, ashtu si për këdo tjetër. Megjithatë qëllimi i këtij artikulli është të paraqesë arsyet shtesë që prekin posaçërisht arsimin.

Software-i i lirë mund t’i kursejë shkollës para, por ky është vetëm një përfitim dytësor. Kursimi është i mundshëm sepse software-i i lirë u jep shkollave, ashtu si cilitdo përdorues, lirinë për ta kopjuar dhe rishpërndarë software-in; sistemi i shkollës mund t’i japë një kopje çdo shkolle, dhe çdo shkollë mund ta instalojë programin në krejt kompjuterat e saj, pa qenë e detyruar të paguajë për ta bërë këtë.

Ky përfitim është i dobishëm, por ne hedhim poshtë vendosmërisht t’i japim vendin e parë, ngaqë është i cekët, krahasuar me problemet e rëndësishme etike që janë në lojë këtu. Kalimi i shkollave në software-in e lirë është diçka më tepër se sa një rrugë për ta bërë arsimin pakëz “më të mirë”: është çështje e realizimit të një arsimi të mirë, në vend se të një arsimi të lig. Le të shohim, pra, problemet më të thella.

Shkollat kanë një mision shoqëror: t’u mësojë nxënësve të jenë shtetas të një shoqërie të fortë, të aftë, të pavarur, bashkëpunuese dhe të lirë. Përdorimin e software-it të lirë do të duhej ta promovonin njësoj si promovojnë mbrojtjen e natyrës dhe të drejtën e votës. Duke u mësuar nxënësve software-in e lirë, këta mund ta dalin nga bankat e shkollave qytetarë të gatshëm për të jetuar në një shoqëri dixhitale të lirë. Kjo do ta ndihmojë shoqërinë si e tërë t’i ikë mbizotërimit nga megakorporatat.

Përkundrazi, të japësh mësim një program jo të lirë do të thotë të mbjellësh varësi, çka bie ndesh me misionin shoqëror të shkollës. Shkollat nuk do të duhej ta bënin kurrë këtë.

Pse, atëherë, disa programues software-i pronësor u ofrojnë shkollave kopje falas(1) të programeve të tyre jo të lira? Ngaqë duan të përdorin shkollat për të mbjellë varësinë nga produktet e tyre, njësoj si kompanitë e duhanit që u shpërndajnë cigare falas fëmijëve në shkolla(2). Pasi këta nxënës të lënë shkollat, nuk do t’u japë më njeri kopje falas, as atyre, as kompanive ku shkojnë për të punuar.

Software-i i lirë u lejon nxënësve të mësojnë se si funksionon software-i. Disa nxënës, programues të lindur, kur mbërrijnë në moshën e adoleshencës, kanë qejf të mësojnë çdo gjë që mund të njihet rreth kompjuterit dhe software-it. Janë thellësisht kureshtarë të lexojnë kodin burim të programeve që përdorin përditë.

Software-i pronësor e shkelmon etjen e tyre për dije: thotë, “Dija që dëshironi është një e fshehtë—nuk lejohet të mësuarit e saj!” Software-i pronësor është armiku i vetë thelbit të arsimit, ndaj nuk do të duhej toleruar në shkolla, hiq rastet për retroinxhinierim.

Software-i i lirë e nxit këdo të mësojë. Bashkësia e software-it të lirë e hedh tej “idenë e priftërinjve të teknologjisë”, e cila e mban publikun e përgjithshëm në padije lidhur me se si funksionon teknologjia; ne i nxisim nxënësit e cilësdo moshë dhe gjendje të lexojnë kodin burim dhe të mësojnë aq sa duan.

Shkollat që përdorin software të lirë do t’u krijojnë nxënësve me talent në programim mundësinë të përparojnë. Si mësojnë të lindurit për programim të jenë programues të zot? U duhet të lexojnë dhe kuptojnë programe të njëmendta, që njerëzit i përdorin vërtet. Kod të mirë, të pastër mësoni të shkruani duke lexuar plot kod dhe duke shkruar plot kod. Këtë e lejon vetëm software-i i lirë.

Si mësoni të shkruani kod për programe të mëdhenj? Këtë e bëni duke shkruar ndryshime të shumta në programe të mëdhenj ekzistues. Software-i i Lirë ju lejon ta bëni këtë; software-i pronësor këtë e ndalon. Cilado shkollë mund t’u ofrojë nxënësve të vet shansin të përvetësojë zanatin e programimit, por vetëm nëse është shkollë me software të lirë.

Arsyeja më e thellë për përdorimin e software-it të lirë në shkolla lidhet me edukimin moral. Nga shkollat presim që t’u mësojnë nxënësve fakte themelore dhe aftësi të dobishme, por puna e tyre nuk vetëm kaq. Puna më themelore e shkollave është të përgatitin shtetas të mirë, çka përfshin zakonin e ndihmës për të tjerët. Në fushën e kompjuterit, kjo do të thotë t’u mësosh njerëzve të ndajnë software me njëri-tjetrin. Shkollat, duke filluar që nga kopshti, do të duhej t’u thonin nxënësve, “Nëse sillni software në shkollë, duhet ta ndani atë me nxënësit e tjerë. Duhet t’i tregoni klasës kodin burim, për ato raste kur dikush dëshiron të mësojë. Prandaj sjellja në klasë e software-it jo të lirë nuk lejohet, veç në qoftë për punë retroinxhinierimi.”

Sigurisht që shkolla duhet të praktikojë atë që predikon: klasave do të duhej t’u jepte vetëm software të lirë (hiq objekte për retroinxhinierim), dhe të ndajë me nxënësit kopje të tij, përfshi kodin burim, që këta të mund ta marrin në shtëpi dhe ta rishpërndajnë më tej.

T’u mësosh nxënësve përdorimin e software-it të lirë, dhe pjesëmarrjen në bashkësinë e software-it të lirë, përbën mësim praktik qytetarie. U mëson nxënësve gjithashtu modelin e shërbimit publik, në vend se atë të manjatëve. Software të lirë do të duhej të përdornin të gjitha nivelet e shkollave.

Nëse ju lidh diçka me një shkollë — nëse jeni një student, mësues, nëpunës, drejtues, dhurues, ose prind — është përgjegjësia juaj të bëni fushatë që shkolla të migrojë në software i lirë. Nëse një kërkesë private nuk ia arrin qëllimit, ngrijeni çështjen publikisht në këto bashkësi; kjo është rruga për të bërë më tepër njerëz të ndërgjegjshëm rreth çështjes dhe për të gjetur aleatë për fushatën.

  1. Kujdes: një shkolle që pranon një ofertë të tillë, mund t’i duhet të paguajë shtrenjtë përmirësimet e mëvonshme.
  2. RJ Reynolds Tobacco Company u gjobit me 15 milionë dollarë më 2002-n, pse ofroi falas cigare për provë, në veprimtari ku kish të pranishëm fëmijë. Shihni http://www.bbc.co.uk/worldservice/sci_tech/features/health/tobaccotrial/usa.htm.

Të drejta kopjimi © 2003, 2009, 2014 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një licence Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Marrë nga Projekti GNU

Vota e 24 Shkurtit për të ardhmen e Internetit që njohim dhe duam

Një Akt Rregullator i propozuar në mjediset e Parlamentit Europian rrezikon seriozisht hapjen e shtigjeve për krijimin e një interneti me disa “klase udhëtimi”, apo kasta, siç stigmatizohet me të drejtë nga kritikët. Gjë e cila, deri tani, për shkak të vigjilencës mbi asnjanësinë në rrjet, nuk është parë në Internetin që njohim dhe përdorim.

Akti Rregullator i propozuar kërcënon seriozisht lirinë në linjë të njerëzve. Fati i betejës për një Internet të hapur që po zhvillohet pikërisht tani në Bruksel, do të vendoset më 24 Shkurt, kur eurodeputetët të votojnë propozimin. Nëse propozimi miratohet ashtu siç është paraqitur, “shërbimet e specializuara” do të ishin shërbime me pagesë për gjëra që deri më sot ne në Internet i bëjmë pa pagesë shtesë, veç asaj të pajtimit në Internet. Cilësia e pjesës tjetër të Internetit, jo asaj që ka të bëjë me kompanitë shumëmiliardëshe, por e projekteve të ndryshme, të tillë si Wikipedia, për shembull, do të bjerë shumë.

Por përkeqësimi i cilësisë së lëndës që ne konsumojmë në Internet është më e pakta. Akti rrezikon t’u japë pushtet ofruesve të shërbimit internet të vendosin se çfarë mundemi të bëjnë në Internet, dhe çfarë jo. Pra, shndërrimin e tyre potencial në një lloj policie Interneti.

Në kushte të tilla, për shkak të buxhetit kolosal të kompanive shumëmiliardëshe, mbytja prej tyre e konkurrencës do të ishte shumë e lehtë se sot. Dhe shumë më e egër. Për gjithçka risore, klima që mbështet lulëzimin e sotëm do të humbte ose goditej rëndë.

Për një paraqitje më të hollësishme të gjendjes, argumenteve, prognozave (disa prej tyre të faktuara tashmë) shihni te sajti i hartuar enkas.

Çfarë është Asnjanësia në Rrjet?

 

Asnjanësi në rrjet do të thotë trajtim i barabartë i të gjitha të dhënave.  Ja, si këto pakete të dhënash.  Asnjanësia në rrjet do të thotë që përdoruesit si ne të vendosin se cilat pajisje, software, shërbime, dhe sajte web përdoren. Përdorimi i rrjetit duhet të jetë i hapët dhe pa palë të treta që të na thonë se çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Pse duhet t’ju hyjë në xhep?

Sepse është një gjë e mahnitshme prej së cilës përfitoni çdo ditë dhe ngaqë kjo gjë e mahnitshme është në rrezik.

Ose më saktë:

Një rrjet asnjanës nuk shfaq diskriminim kundrejt dërguesit, lëndës, ose marrësit të paketeve të dërguar të të dhënave. Nuk bën ndonjë dallim se sa paguan për shërbimin dërguesi apo marrësi, ç’lloj zbatimi, ose ç’protokoll e dërgon apo e merr paketin.

Ose me fjalë më të thjeshta…

Përfytyrojeni web-in si një rrugë në të cilën lëvizin paketet e të dhënave. Kjo rrugë lidh krejt kompjuterët që janë të lidhur në internet. Në kryqëzimet e këtyre rrugëve gjenden rrugëzuesit, të cilët drejtojnë paketet e të dhënave në rrugën e duhur për në vendmbërritje. Rrugëzuesve nuk u bëhet vonë se kush vjen. As pyesin se si duket, nga erdhi, ku do të vejë, apo se ç’lëndë kanë me vete.

Me këtë mënyrë unë mund të komunikoj drejtpërsëdrejti me miqtë e mi, edhe kur ata gjenden në një kontinent tjetër, paguajnë çmim të ndryshëm nga i imi, ose kanë tjetër ISP nga unë. Mund ta përdor internetin për të vizituar çfarëdo sajti web ose të luaj çfarëdo loje, pavarësisht se kush e ofron ose se ku gjenden shërbyesit që e bëjnë të mundur. Mund të shoh çfarëdo videoje apo të lexoj çfarëdo blogjesh nga e gjithë bota, dhe mund të marr pjesë në nisma dhe projekte me burim të hapur. Të gjitha këto mund t’i bëj pavarësisht se për t’u futur në internet përdor tablet, laptop, PC, ose pajisje celulare.

Për këtë është interneti. Kjo është mënyra se si presim që ai të funksionojë.
Prej këtyre rrjetesh asnjanëse komunikimi përfitojmë të gjithë ne, si bashkësi. Ata garantojnë hyrjen tonë në krejt lëndën e gatshme në web-in mbarëbotëror.

Prej kësaj, ofruesit e rrjeteve kanë fituar miliarda gjatë viteve të fundit. Asnjanësi në rrjet: një ide mahnitëse për të gjithë ne.

Ku fle lepuri?

Ofruesit e telekomunikacioneve tani pretendojnë se këto rrugë të përfytyruara të dhënash mund të jenë pre e mbingarkesës së trafikut. Ata duan ta shfuqizojnë konceptin e asnjanësisë në rrjet. Sigurisht që kjo nuk është e vërtetë, ngaqë rrjetet e të dhënave nuk janë rrugë të njëmendta. Siç e dimë nga prodhuesit e hardware-it të kësaj infrastrukture rrjeti, ka aftësi të pamata të pashfrytëzuara te rrjeti. Pa përmendur pastaj që operatorët e rrjeteve të shpërndarjes së lëndës na tregojnë se trafiku i të dhënave kushton në mënyrë të pabesueshme fare pak.

Atëherë pse i bëjnë këto pretendime kompanitë e telekomunikacionit?

Vite me radhë furnizuesit e lidhjeve kanë vërejtur me xhelozi qendrat e mëdha të fitimeve të IPS-ve: ofrues lënde, motorë kërkimesh, platforma videosh dhe rrjete sociale. Të tërë këta duan pjesën e tyre prej këtyre fitimeve, ndërkohë që epoka dixhitale zvogëlon burimet tradicionale të të ardhurave. Pra, ata duan jo vetëm të transportojnë, por gjithashtu të keni pushtet dhe kontroll mbi çfarëdo që transportohet.

Si duan ta kryejnë këtë?

Për t’ia arritur kësaj, shërbimet e telekomunikacionit kanë menduar t’i ndajnë të dhënat në kategori, ose më mirë të themi kasta. Kasta më e përulur e këtij sistemi do të ishte interneti i zakonshëm, që do të kihej vetëm për një sasi të kufizuar të dhënash, dhe që do t’i duhej të zinte karriget e fundit, pas kastave të larta, gjatë dërgimit të të dhënave nëpër rrjet. Kasta më e lartë përmban lëndë nga mundësuesit e hyrjes në internet, ndarazi nga vetë interneti, dhe do të gëzonte trajtim me hatër dhe përdorim të pakufishëm – kuptohet nëpërmjet tarifash ekstra. Mes këtyre dy skajeve, ka plot variacione të mundshme.

Për shembull, një kastë për të dhënat nga rrjetet sociale që shtojnë një haraç trafiku të dhënash për shërbimin e këtij rrjeti social. Kjo sigurisht do të thotë që përdoruesit të shërbimit do t’i duhet të paguajë një tarifë ekstra për pajtimin në të. Në të njëjtën mënyrë, mund të sendërtohet një shërbim ekstra që ofron lojëra për konsola ose lexim gazetash në linjë. Ata do të ishin ndaras nga interneti dhe mund të zbatohen pagesa si mbi shpërndarjen e shërbimit, ashtu edhe mbi klientët e tij. Ofertat konkurruese mund të kufizohen ose bllokohen fare.

E si bëhet kjo?

Le t’i kthehemi sërish përfytyrimit të rrjeteve të të dhënave si rrugë. Rrugëzuesi, i cili fillimisht drejtonte të dhënat në rrugën e duhur, do të përditësohej me një stacion kalimpagesash që skanon të dhënat dhe i ndan ato sipas kastash. Në varësi të kastës, ata mund të përdorin një rrugë speciale që është veçuar nga rruga kryesore, për ta përdorur këtë rrugë speciale për mbërritje më të shpejtë në destinacion. Nëse paguani kalimpagesë për kastë më të ulët, për to do përdoret rruga më e ngadaltë, e zakonshmja.

Nëse nga dërguesi nuk bëhet pagesë për të dhënat, atyre do t’u caktohet një kastë më e ulët dhe do t’u lejohet vetëm përdorimi i rrugës kur është e zbrazët dhe kur nuk ka shumë pakete të dhënash që kanë kaluar nëpër stacionin e pagesave. Në qofshin prej programesh, shërbimesh, lënde ose dërguesish që nuk pëlqehen nga furnizuesi i telekomunikacionit, mund të ngadalësohen tej mase, të përzgjidhen, dhe mundet edhe të asgjësohen.

Për më tepër, nëse nuk qe e qartë: ne si konsumatorë paguajmë përherë, pavarësisht se një shërbim, në pozicionin e dërguesit, paguan apo jo kalimpagesa. Për pasojë, trafiku ynë i të dhënave mund të kufizohet dhe neve të na duhet të paguajmë më tepër tarifa trafiku të dhënash.

Ç’do të thotë kjo?

Shërbimet jokomerciale dhe projektet nga bashkësi, të tilla si Wikipedia për shembull, mund të mos e arrijnë dot këtë pagesë kaste dhe pasja e tyre të kufizohet, ose të bëhet krejtësisht e pamundur.
Komunikimet e drejtpërdrejta me miq dhe të njohur të filtrohen, ose të bllokohen si rivale të modeleve të shërbimit dhe tregtisë që kanë zënë vend tashmë.
Pasi një infrastrukturë e tillë kontrolli dhe filtrimi të jetë ndërtuar dhe vënë në punë, filtrimi dhe hedhja tej e të dhënave të padëshiruara, të tilla si oferta dhe shërbime konkurruese, mund të bëhet kollaj. Më pas, filtrimi i opinioneve, informacioneve apo pikëpamjeve politike lyp vetëm një ndryshim të vogël në rregullimet e sistemit.

Dhe po i lanë të kryhen cenimet e asnjanësisë së rrjetit?

Një proces i tillë është shumë e vështirë të prapësohet, edhe sikur të qe e mundshme.
Do të humbnim larminë e internetit, shumëllojshmërinë e mundësive përmes të cilave i japin formë atij.
Do të humbnim shumë lëndë, ngaqë furnizuesit nuk do t’ia dalin dot më të paguajnë tarifat e ndërmarrjeve të telekomunikacionit.
Do të humbnim konkurrencën e lirë dhe me këtë shfaqjen e shërbimeve të reja nga kompani më të vogla apo nga projekte bashkësish.

Hyrja e lirë që gëzojmë sot në lëndë dhe informacione do të mbarojë.

Do të kishim një model interneti me dy, tre ose katër klase, ose madje jo thjesht një internet, por disa, dhe në rrjete të ndryshme, do të mund të kihet lëndë e ndryshme. Diçka e ngjashme me një grup kanalesh TV prej një pakete transmetimesh me pagesë, ku përveç programeve bazë, ka programe me pagesë çmimi i të cilave ndryshon në varësi të kanalit.

Do të mund të hynit vetëm atje ku ofruesit duan dhe presin që të jetë me fitim.
Regjimi i operatorëve të rrjetit do të kufizonte keqas lirinë e sotme të informacionit në internet. Dhe këtë humbje do të na duhet ta paguajmë edhe më shumë.

Megjithatë, ofruesit tanë thonë se nuk do ta bënin kurrë këtë; se është thjesht diçka si një rritje çmimi!
Ama, është vërtetuar se ofruesit e telekomunikacioneve na gënjejnë sy për sy lidhur me ligjshmërinë e argumenteve rreth goditjes së asnjanësisë së rrjetit. Për shembull, pretendimi i mospasjes së kapaciteteve, ose se vendet me ligje për asnjanësinë e rrjeti do të shpinin në lidhje më të ngadaltë interneti.
Kur kanë gënjyer deri këtu, çne të na tregonin të vërtetën, kur premtojnë se me paratë shtesë do të ndërtojnë një rrjet më të shpejtë, teksa pretendojnë se nuk do të sitin të dhënat tona, ndërkohë që kjo u duhet për ta vënë në punë sistemin e kastave?
Si mund ta ruajnë pasurinë e internetit dhe konkurrencën me një sistem të tillë?

Prandaj:

Protestoni tok me ne!
Kërkoni dispozita ligjore për asnjanësinë në rrjet në vendin tuaj dhe në BE!
Kërkoni trajtim të barabartë të të dhënave!
Kundërshtoni trajtimin me hatër të të dhënave me pagesë në shkëmbim të një trajtimi më të keq për të dhënat tuaja personale!
Kundërshtoni kyçjet e rrjeti dhe ngadalësimet artificiale!
Luftoni për një rrjet komunikimesh të hapur dhe të lirë, nga i cili përfitojmë të gjithë tok si bashkësi!
Kërkoni trafik të pamanipuluar të dhënash!
Mos pranoni diskriminim ose dhënie përparësish të të dhënave, pavarësisht se për ç’arsye!
Askush nuk ka të drejtë të zhbirojë në trafikun tonë. Asgjë nuk e përligj.
Të gjithë kemi të drejtën për asnjanësi rrjeti, madje edhe në rrjetet e celularëve!

Rrjet të njëmendtë, tani dhe në të ardhmen!

Shënim: Teksti është përkthimi i një videoje që mund ta shihni këtu

Software-i i Lirë Tani Është Edhe Më i Rëndësishëm

nga Richard Stallman

Një version thelbësisht i redaktuar i këtij artikulli u botua në Wired.

U mbushën 30 vjet që prej fillimit të Lëvizjes për Software të Lirë, veprimtaria e të cilës synon që software-i të respektojë lirinë e përdoruesve dhe të bashkësisë. Të tillë software e quajmë “të lirë” dhe “libre” (e përdorim këtë fjalë që të theksojmë aspektin se e kemi fjalën për lirinë, jo çmimin). Disa programe pronësore, të tilla si Photoshop, janë shumë të shtrenjta; të tjera, fjala vjen Flash Player, janë falas—sipas njërës mënyrë, apo tjetrës, ato ua nënshtrojnë përdoruesit pushtetit të të zotit të programit.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej atyre fillimeve: shumica e njerëzve, në vendet e përparuara, tani kanë në zotërim kompjuter (ndonjëherë të quajtur “telefona”) dhe lidhen në Internet përmes tyre. Software-i jo i lirë ende i bën përdoruesit t’ia dorëzojnë dikujt tjetër kontrollin mbi punimin e kompjuterëve, por tani ka edhe një tjetër mënyrë për ta humbur atë: Service as a Software Substitute (Shërbimi si Zëvendësues Software-i) , ose SaaSS, që do të thotë t’ia lësh shërbyesit të dikujt tjetër të kryejë veprimet tuaja kompjuterike.

Si software-i jo i lirë, ashtu edhe SaaSS-i mund të spiunojnë përdoruesin, t’i hedhin vargonj atij, dhe madje edhe ta sulmojnë atë. Abuzimet janë të zakonshme në shërbime dhe produkte software-i pronësor, ngaqë kontrollin nuk e kanë përdoruesit. Ky është dallimi themelor: software-i jo i lirë dhe SaaSS-i kontrollohen nga një njësi tjetër (zakonisht një korporatë ose një shtet), dhe përdoruesit nuk kanë zë në kontroll. Software-i i lirë, përkundrazi, vendos përdoruesit në kontroll.

Pse ka rëndësi ky kontroll? Ngaqë liri do të thotë të keni kontroll mbi jetën tuaj. Nëse përdorni një program që të kryeni veprimtari në jetën tuaj, liria juaj varet nga sa kontroll keni mbi programin. E meritoni të keni kontrollin mbi programet që përdorni, aq më tepër kur ato i përdorni për diçka të rëndësishme në jetën tuaj.

Kontrolli i përdoruesve mbi programin lyp katër liri thelbësore.

(0) Lirinë për ta xhiruar programin si të doni, për çfarëdo qëllimi.

(1) Lirinë për të studiuar “kodin burim” të programit, dhe për ta ndryshuar atë, kështu që programi i kryen përllogaritjet ashtu si doni ju. Programet shkruhen nga programuesit në një gjuhë programimi—diçka si Anglishtja e ndërthurur me algjebrën—dhe ajo formë e programit përbën “kodin burim”. Cilido që di të programojë, dhe ka një program në formën e kodit burim, mund të lexojë kodin burim, të kuptojë funksionimin e tij, dhe ta ndryshojë madje. Kur krejt ajo që ju jepet është forma e ekzekutueshme e programit, një varg numrash që është efikas për ta ekzekutuar kompjuteri, por tejet i vështirë për ta kuptuar një qenie njerëzore, të kuptuarit dhe ndryshimi i programit në atë formë janë aq të vështirë sa thuajse e pamundur.

(2) Lirinë për të krijuar dhe shpërndarë kopje ekzakte, kur të doni. (Nuk bëhet fjalë për një detyrim; e bëni kur doni dhe se doni. Nëse programi është i lirë, kjo nuk do të thotë që dikush e ka detyrim t’ju ofrojë një kopje, ose se keni detyrim t’i ofroni ju dikujt një kopje. Shpërndarja përdoruesve e një programi pa liri është keqtrajtim i tyre; megjithatë, të vendosësh të mos e shpërndash programin—duke e përdorur privatisht—nuk keqtrajton njeri.)

(3) Lirinë për të krijuar dhe shpërndarë kopje të versioneve tuaja të modifikuara, kur doni.

Dy liritë e para duan të thonë që çdo përdorues mund të ushtrojë kontroll individual mbi programin. Me dy liritë e tjera, cilido grup përdoruesish mund të ushtrojë së toku kontroll kolektiv mbi programin. Me krejt katër liritë, përdoruesit e kontrollojnë plotësisht programin. Nëse cilado prej tyre mungon ose nuk është e mjaftueshme, programi është pronësor (jo i lirë), dhe i padrejtë.

Për veprimtari praktike përdoren gjithashtu lloje të tjera veprash, përfshi receta gatimesh, vepra edukative, të tilla si libra shkollorë, vepra referencash, të tilla si fjalorët apo enciklopeditë, llojet e shkronjave për të shfaqur paragrafë teksti, diagrame qarqesh që mund të ndërtohen nga njerëzit, dhe stampa për të krijuar objekte të dobishme (jo thjesht zbukuruese) me një shtypës 3D. Ngaqë këto nuk janë software, lëvizja e software-it të lirë nuk i mbulon ato, në kuptimin e ngushtë të fjalës; por i njëjti arsyetim zbatohet dhe shpie në të njëjtin përfundim: këto vepra duhet të bartin katër liritë.

Një program i lirë ju lejon të luani me të, për ta bërë të bëjë atë që doni (ose të reshtë së bëri diçka që ju nuk e pëlqeni). Të luash me software-in mund të tingëllojë qesharake, nëse jeni mësuar me software-in pronësor si një kuti të vulosur, por në Botën e Lirë është gjë e zakonshme, dhe një rrugë e mirë për të mësuar programim. Madje edhe një nga mënyrat tradicionale amerikane të kalimit të kohës së lirë, futja e duarve në makina, tani e ka rrugën të zënë, ngaqë makinat përmbajnë software jo të lirë.

Padrejtësitë e Pronësorësisë

Nëse përdoruesi nuk e kontrollon programin, programi kontrollon përdoruesit. Me software-in pronësor, gjithmonë ka një njësi, “pronari” i një programi, që kontrollon programin—dhe përmes kësaj, ushtron pushtet mbi përdoruesit e tij. Një program jo i lirë është një kular, një instrument pushteti të padrejtë.

Në raste skandaloze (edhe pse kjo skandalozja është bërë shumë e zakonshme) programet pronësore janë konceptuar të spiunojnë përdoruesit, t’i kufizojnë ata, t’i censurojnë dhe të abuzojnë me ta. Për shembull, sistemi operativ i Apple iThings i bën të gjitha këto, dhe kështu bën edhe Windows-i në pajisje celulare me procesorë ARM. Windows-i, firmware-i i telefonave celularë, dhe Google Chrome për Windows përfshijnë një deriçkë universale që u lejon disa kompanive ta ndryshojnë programin së largëti pa marrë leje. Amazon Kindle ka një deriçkë që mund të përdoret për të fshirë libra.

Me synimin për t’i dhënë fund padrejtësisë së software-it të lirë, lëvizja e software-it të lirë ndërton programe që përdoruesit të çlirojnë veten. E filluam më 1984 me hartimin e sistemit të lirë operativ GNU. Sot, miliona kompjuterë xhirojnë GNU, kryesisht në formën e ndërthurjes GNU/Linux.

T’u shpërndash përdoruesve një program pa liritë, i keqtrajton ata; megjithatë, të zgjedhësh të mos e shpërndash programin, nuk keqtrajton njeri. Nëse shkruani një program dhe e përdorni privatisht, kjo nuk i bën keq njeriu. (Humbisni një rast të bëni mirë, por kjo nuk është e njëjtë me të bërit dëm.) Ndaj, kur themi që krejt software-i duhet të jetë i lirë, nënkuptojmë që çdo kopje duhet të shoqërohet me katër liritë, por nuk nënkuptojmë që dikush e ka për detyrë t’ju ofrojë një kopje.

Software-i Jo i Lirë dhe SaaSS

Software-i jo i lirë qe mënyra e parë që kompanitë të vinin nën kontroll punimin në kompjuter të njerëzve. Sot, ka një mënyrë tjetër, të quajtur Shërbimi si Zëvendësues Software-i, ose SaaSS. Kjo do të thotë t’ia lësh shërbyesit të dikujt të kryejë punët tuaja në kompjuter.

SaaSS nuk do të thotë që programet në shërbyes janë jo të lirë (megjithëqë shpesh janë). Puna është që përdorimi i SaaSS-it shkakton të njëjtat padrejtësi si përdorimi i një programi jo të lirë: janë dy shtigje te i njëjti dreq vendi. Merrni shembullin e një shërbimi SaaSS përkthimesh: Përdoruesi dërgon tekst tek shërbyesi, dhe shërbyesi e përkthen (nga Anglishtja në Spanjisht, të themi) dhe ia dërgon përkthimin mbrapsht përdoruesit. Që prej kësaj, akti i përkthimit është nën kontrollin e operatorit të shërbyesit, në vend se nën atë të përdoruesit.

Nëse përdorni SaaSS, operatori i shërbyesit kontrollon punimin tuaj në kompjuter. Kjo kërkon që t’ia besoni krejt të dhënat tuaja përkatëse operatorit të shërbyesit, të cilin do ta detyrojnë t’ia tregojë ato shtetit po ashtu—kujt i shërben pra ky shërbyes, në fund të fundit?

Padrejtësi të Dorës së Parë dhe të Dytë

Kur përdorni programe pronësore ose SaaSS, së pari i bëni dëm vetes, ngaqë kjo i jep një njësie pushtet të padrejtë mbi ju. Për të mirën tuaj, do të duhej t’i hiqeshit kësaj. U bën gjithashtu dëm të tjerëve, nëse premtoni që të mos ndani gjë me të tjerët. Të mbash një premtim të tillë është gjë e ligë, dhe më pak e ligë ta shkelësh; që të jeni vërtet të drejtë, nuk do të duhej ta bënit fare premtimin.

Ka raste kur përdorimi i software-it jo të lirë ushtron presion mbi të tjerët të bëjnë edhe ata ashtu. Skype-i është një shembull i qartë: kur një person përdor software-in jo të lirë klient të Skype-it, i kërkon një personi tjetër të përdorë po ashtu atë software—e kështu që të dy dorëzojnë lirinë e tyre. (Google Hangouts ka të njëjtin problem.) Është e dëmshme madje edhe t’i këshillosh programe të tilla. Do të duhej që ne të refuzonim t’i përdornim qoftë edhe për pak, qoftë edhe në kompjuterin e dikujt tjetër.

Një tjetër gjë e dëmshme nga përdorimi i programeve jo të lira dhe SaaSS-it është se kështu shpërblehet ai që e bën, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të atij programi ose “shërbimi”, duke sjellë kështu që nën thundrën e një kompanie të bien më tepër njerëz.

Të gjitha format e dëmit të tërthortë zmadhohen edhe më, kur përdoruesi është një ent publik ose një shkollë.

Software-i i Lirë dhe Shteti

Agjencitë publike ekzistojnë për njerëzit, jo për vetveten. Kur punojnë në kompjuter, e bëjnë këtë për njerëzit. E kanë detyrë të ruajnë kontrollin e plotë mbi punimin në kompjuter, për të bërë kështu të mundur që ai të kryhet si duhet për njerëzit. (Kjo përbën sovranitetin kompjuterik të shtetit.) Ata nuk duhet të lejojnë kurrë që kontrolli mbi anën kompjuterike të shtetit të bjerë në duar private.

Ruajtjen e kontrollit mbi punimin në kompjuter të njerëzve, agjencitë publike nuk duhet ta bëjnë me software pronësor (software në kontrollin e një enti tjetër veç shtetit). Dhe nuk duhet t’ia besojnë një shërbimi të programuar dhe xhiruar nga një ent tjetër veç shtetit, ngaqë kjo do të ishte SaaSS.

Software-i pronësor nuk ka asnjë lloj sigurie në një rast kyç — kur përdoret kundër zhvilluesit të tij. Dhe zhvilluesi mund të ndihmojë të tjerët të sulmojnë. Microsoft-i i tregon të meta të Windows-it NSA-së (agjencia qeveritare e spiunazhit dixhital të ShBA-ve) përpara se t’i ndreqë ato. Nuk e dimë nëse kështu bën edhe Apple-i, por edhe ky gjendet nën të njëjtën trysni qeveritare si Microsoft-i. Nëse qeveria e cilitdo vendi tjetër përdor software të tillë, vë në rrezik sigurinë kombëtare. Doni që NSA-ja të fusë hundët në kompjuterët e qeverisë juaj? Shihni rregullat e këshilluara prej nesh për qeveritë për promovomin e software-it të lirë.

Software-i i Lirë dhe Arsimi

Shkollat (dhe këtu përfshihen veprimtaritë edukative) ndikojnë të ardhmen e shoqërisë përmes asaj çka u mësojnë nxënësve. Ato do të duhej të jepnin përjashtimisht mësim software të lirë, duke e ushtruar për të mirën ndikimin e tyre. Të japësh mësim një program pronësor do të thotë të mbjellësh varësi, çka shkon kundër misionit të arsimit. Duke i stërvitur nxënësit në përdorimin e software-it të lirë, shkollat do ta drejtojnë të ardhmen e shoqërisë drejt lirisë, dhe do të ndihmojë programuesit e talentuar të bëhen të zotë.

Ato do t’u mësonin nxënësve zakonin e bashkëpunimit, ndihmës për njëri-tjetrin. Çdo klasë do të duhej të kishte këtë rregull: “Nxënës, kjo klasë është një vend ku ne ndajmë me njëri-tjetrin dijen tonë. Nëse sillni në klasë software, nuk mund ta mbani për veten. Në vend të kësaj, duhet të ndani kopje të tij me gjithë klasën—përfshi kodin e tij burim, në rast se dikush dëshiron të mësojë prej tij. Për këtë arsye, sjellja në klasë e software-it pronësor nuk lejohet, hiq rastet kur kjo bëhet për retroinxhinierim të tij.”

Zhvilluesit pronësorë do të na vinin t’i ndëshkonim nxënësit që janë aq zemërmirë sa të ndajnë software me të tjerët, dhe t’i pengonim ata që janë aq kureshtarë sa të duan ta ndryshojnë atë. Kjo do të thotë arsimim i shtrembër. Shihni http://www.gnu.org/education/ për më tepër diskutime rreth përdorimit të software-it të lirë në shkolla.

Software i Lirë: Më Shumë Se “Avantazhe”

Më kërkojnë shpesh të përshkruaj “avantazhet” e software-it të lirë. Por fjala “avantazhe” është shumë e dobët kur vjen puna te liria. Jeta pa liri është shtypje, dhe kjo vlen edhe për punimin në kompjuter, si për çdo veprimtari tjetër në jetën tonë. Ne duhet të refuzojmë dhënien e kontrollit mbi punimin në kompjuter pronarëve të programeve ose të shërbimeve kompjuterike. Kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë, për arsye egoiste; por jo vetëm për arsye egoiste.

Liria përfshin lirinë për të bashkëpunuar me të tjerët. T’ua mohosh njerëzve atë liri do të thotë t’i mbash ata të përçarë, çka është fillimi i një skeme për t’i shtypur ata. Në bashkësinë e software-it të lirë, jemi shumë të ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e lirisë për të bashkëpunuar me të tjerët, ngaqë puna jonë përfaqëson bashkëpunim të organizuar. Nëse shoku juaj ju viziton dhe sheh që përdorni një program, mund t’ju kërkojë një kopje. Një program që jua ndalon rishpërndarjen e tij, ose që thotë se “nuk është menduar ta bëni”, është anti-shoqëror.

Në lëmin kompjuterik, bashkëveprimi përfshin rishpërndarjen e kopjeve ekzakte të një programi për përdoruesit e tjerë. Përfshin gjithashtu shpërndarjen për ta të versioneve tuaja të ndryshuara. Software-i i lirë i nxit forma të tilla bashkëpunimi, ndërsa software-i pronësor i ndalon ato. E ndalon rishpërndarjen e kopjeve, dhe duke u mohuar përdoruesve kodin burim, i pengon ata të bëjnë ndryshime. SaaSS-i ka të njëjtat efekte: nëse punimi juaj në kompjuter zhvillohet nëpër web, te shërbyesi i dikujt tjetër, nga kopja e dikujt tjetër e një programi, nuk e shihni apo prekni dot software-in që kryen përllogaritjet për ju, ndaj nuk mund ta rishpërndani ose ndryshoni dot.

Përfundim

Ne e meritojmë të kemi kontroll mbi punimin tonë në kompjuter; si mund ta fitojmë këtë kontroll? Duke mos pranuar software jo të lirë në kompjuterët që zotërojmë ose përdorim rregullisht, dhe duke mos pranuar SaaSS-e. Duke zhvilluar software të lirë (ata prej nesh që janë programues). Duke mos pranuar të zhvillojmë ose promovojmë software jo të lirë ose SaaSS-e. Duke i përhapur këto ide te të tjerët.

Ne dhe mijëra përdorues e kemi bërë këtë që prej 1984-s, prej kësaj kemi tani sistemin operativ të lirë GNU/Linux që kushdo—programues ose jo—mund ta përdorë. Bashkojuni kauzës sonë, si programues ose si veprimtar. Le t’i çlirojmë të tërë përdoruesit e kompjuterit.

Të drejta kopjimi © 2013 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Marrë nga Projekti GNU

Sa Përgjim Mund të Përballojë Demokracia?

nga Richard Stallman

Fillimisht një version i këtij artikulli u botua te Wired në Tetor 2013.

Falë atyre që na zbuloi Edward Snowden, e dimë që niveli i sotëm i përgjimit të përgjithshëm në shoqëri është i papërputhshëm me të drejtat e njeriut. Këtë e ripohojnë qartë rëniet në qafë dhe proceset gjyqësore të vazhdueshme ndaj disidentëve, burimeve të informacionit dhe gazetarëve në ShBA. Na duhet ta zvogëlojmë nivelin e përgjimit të përgjithshëm, por deri ku? Ku bie saktësisht niveli maksimum i përgjimit, të cilin duhet të sigurohemi të mos tejkalohet? Është niveli përtej të cilit përgjimi fillon e plekset me funksionimin e demokracisë, pra kur nxjerrësit e sekreteve (të tillë si Snowden-i) ka shumë gjasa të zbulohen.Të përballur me fshehtësinë nga ana e qeverive, ne populli varemi nga nxjerrësit e sekreteve të na rrëfejnë se çfarë po bën shteti. Por përgjimi i sotëm i tremb nxjerrësit potencialë të sekreteve, çka do të thotë se është i tepruar. Për të shëndoshur kontrollin tonë demokratik mbi shtetin, duhet ta zvogëlojmë përgjimin deri në një pikë sa nxjerrësit e sekreteve të jenë të parrezikuar.

Përdorimi i software-it të lirë/libre, siç kam 30 vjet që e kërkoj, është hapi i parë për të marrë kontrollin e jetës sonë dixhitale, dhe kjo përfshin parandalimin e përgjimit. Nuk mund t’i zëmë besë software-it jo të lirë; NSA-ja  përdor madje krijon në software jo të lirë pika të dobëta për nga siguria, me qëllim që të mësyjë kompjuterët dhe rrugëzuesit tanë. Software-i i Lirë na jep kontrollin mbi kompjuterët tanë, por kaq nuk na e mbron privatësinë, sapo vëmë këmbën në Internet.

Në ShBA po hartohet legjislacion dypartiak për të “reduktuar fuqinë e përgjimit të brendshëm”, por duke u mbështetur në kufizimin e përdorimit nga ana e qeverisë të dosjeve tona virtuale. Kjo nuk do të mjaftojë për të mbrojtur nxjerrësit e sekreteve, nëse “kapja e nxjerrësit të sekreteve” është përligjje për të patur akses të mjaftueshëm për identifikimin e tyre. Na duhet të shkojmë më tej.

Kufiri i Sipërm i Përgjimit në një Demokraci

Nëse nxjerrësit e sekreteve nuk guxojnë të bëjnë të njohura krime dhe gënjeshtra, humbasim grimën e fundit të kontrollit të efektshëm mbi qeverinë dhe institucionet tona. Ky është shpjegimi pse përgjimi që i bën të mundur shtetit të gjejë se kush ka folur me një reporter është teprim përgjimi—shumë për ta përballuar demokracia.

Një zyrtar i paemër i qeverisë së ShBA-ve u tha gazetarëve në mënyrë ogurzezë më 2011 se  ShBA-të nuk do të thërrasin reporterë në gjyqe, ngaqë “E dimë se me kë keni folur.” Për ta ditur këtë, ndonjëherë është kërkuar të sillen në gjyq regjistrimet e telefonatave të gazetarëve, por Snowden-i na ka treguar se në fakt këtë e pësojnë krejt thirrjet telefonike të gjithkujt në ShBA, gjithmonë, nga Verizon-i dhe po ashtu nga kompani të tjera.

Veprimtarive opozitare dhe disidente u nevojitet të mbajnë të fshehta, përballë shtetesh që janë gati të luajnë rrengje të ndyta me to. ACLU e ka dëshmuar praktikën sistematike të infiltrimit të grupeve paqësore disidente nga ana e qeverive të ShBA-ve, me pretekstin se mes tyre mund të ketë terroristë. Pika ku përgjimi bëhet i tepruar është pika kur shteti mund të gjejë se kush ka folur me një gazetar të njohur ose me një disident të njohur.

Informacioni, Pasi Mblidhet, Do Të Keqpërdoret

Kur njerëzit e pranojnë se niveli i përgjimit të përgjithshëm është shumë i lartë, përgjigja e parë është të propozojnë kufij për hyrjen në të dhënat e grumbulluara. Kjo duket gjë e mirë, por nuk do ta zgjidhë problemin, as edhe sado pak, madje edhe nëse supozohet se qeveria u bindet rregullave. (NSA-ja i dredhoi gjykatës FISA, e cila u shpreh se nuk qe në gjendje të bënte me efektshmëri fajtore NSA-në.) Dyshimet për një krim do të jenë përligjja për hyrje në të dhënat, prandaj sapo një nxjerrës sekreti të akuzohet për “spiunazh,” gjetja e “spiunit” do të shërbejë si justifikim për hyrje në materialin e grumbulluar.

Ekipi i shtetit për përgjimin do t’i keqpërdorë të dhënat edhe për arsye personale. Disa agjentë të NSA-së i përdorën sistemet e përgjimit në ShBA për të ndjekur të dashurit e tyre—të dikurshëm, të tanishëm, ose të ëndërruar—sipas një praktike të quajtur “LOVEINT.” NSA-ja thotë se raste të tilla janë zbuluar dhe ndëshkuar ca herë; nuk e dimë se sa herë të tjera nuk janë zbuluar. Por ngjarje të tilla nuk duhet të na befasojnë, ngaqë policia prej kohësh e ka përdorur aksesin në regjistrat e lejeve të drejtimit të automjeteve për të gjurmuar dikë tërheqës apo tërheqëse, praktikë e njohur si “running a plate for a date”

Të dhënat e përgjimeve gjithmonë do të përdoren për qëllime të tjera, edhe pse kjo është e ndaluar. Kur të dhënat të jenë grumbulluar dhe shteti e ka mundësinë të hyjë në to, mund t’i keqpërdorë ato të dhëna në mënyra të lemerishme, siç dëshmohet nga shembuj prej  Europës dhe ShBA-ve.

Përgjimi tërësor plus ligje të amullta furnizojnë një të çarë për ekspedita masive peshkimi kudër cilitdo të synuari që të doni. Që gazetaria dhe demokracia të jenë të parrezikuara, duhet të kufizojmë grumbullimin e të dhënave në të cilat shteti futet lehtësisht.

Mbrojtja e Fuqishme Për Privatësinë Duhet Të Jetë Teknike

Electronic Frontier Foundation dhe të tjera organizma propozojnë një grup parimesh ligjore të konceptuara për parandalimin e abuzimeve me përgjimin masiv. Këto parime përfshijnë, pikë kyçe këtu, mbrojtje eksplicite ligjore për nxjerrës të sekretit; si pasojë, ato do të ishin të masës së duhur për mbrojtjen e lirive demokratike—nëse adoptohen tërësisht dhe zbatohen përgjithmonë pa përjashtime.

Por, mbrojtje të tilla ligjore janë pre e synimeve të palëve të ndryshme: siç e tregon historia e kohëve të fundit, ato mund anulohen (si tek FISA Amendments Act), pezullohen, ose shpërfillen.

Ndërkaq, demagogët do të përmendin justifikimet e zakonshme si bazë për përgjim tërësor; çfarëdo sulmi terrorist, madje edhe një i tillë gjatë të cilit vriten vetëm një dorë personash, do t’u japë atyre një mundësi më tepër.

Sikur kufijtë për hyrjen në të dhëna të liheshin mënjanë, do të qe njësoj sikur të mos kishin ekzistuar kurrë: papritmas, dosje të grumbulluara gjatë vitesh të tëra do të ishin në dorë të shtetit dhe agjentëve të tij për keqpërdorim dhe, ato të grumbulluara nga kompani, për keqpërdorim privat po ashtu. Nëse ne ama e ndalim grumbullimin e dosjeve për këdo, këto dosje nuk do të ekzistojnë, dhe nuk do të ketë mënyrë për t’i përpiluar ato në mënyrë prapavepruese. Një regjimi të ri joliberal do t’i duhej ta sendërtonte nga e para përgjimin, dhe do të mblidhte të dhëna duke u nisur nga ajo datë. Sa për pezullimin ose shpërfilljen përkohësisht të këtij ligji, ideja zor se do të kish kuptim.

Së Pari, Mos u Bëni të Marrë

Që të keni privatësi, nuk duhet ta hidhni tej: të parët që duhet ta mbrojnë privatësinë e tyre jeni ju vetë. Mos i rrëfeni një kompanie si Facebook-u gjëra që ju ngurroni t’i botoni në një gazetë. Mos i rrëfeni një kompanie si Facebook-u asgjë mbi miqtë tuaj që ata nuk do të donin ta shihnin të botuar në një gazetë. Akoma më mirë, mos jini fare një prej të përdorurve nga Facebook-u.

Mos i jepni kurrë një sajti web listën e krejt kontakteve tuaja email apo telefonike. Mbajini vetë të dhënat tuaja; mos i depozitoni të dhënat tuaja në shërbyesin “e leverdishëm” të një kompanie. Megjithatë, një kopjeruajtje të të dhënave tuaja është e parrezikshme t’ia besoni një shërbimi komercial, me kusht që të dhënat t’i keni koduar, përfshi këtu emra kartelash, me software të lirë, në kompjuterin tuaj, përpara se t’i ngarkoni.

Për hir të privatësisë, duhet të shmangni software jo të lirë sepse, si pasojë e dhurimit të tjerëve të kontrollit të punimit tuaj në kompjuter, ka shumë gjasa që këta t’ju spiunojnë . Shmangni shërbimet si zëvendësime software-i ; përveç se kjo u jep të tjerëve kontroll mbi punimin tuaj në kompjuter, ju kërkon detyrimisht t’i dorëzoni në shërbyes krejt të dhënat përkatëse.

Sido që të jetë, edhe mbrojtja më rigoroze e vetes është e pamjaftueshme për mbrojtjen e privatësisë suaj në ose nga sisteme që nuk ju përkasin ju. Kur ne komunikojmë me të tjerët ose endemi nëpër qytet, privatësia jonë varet nga praktikat e shoqërisë.

Çdo Sistem Duhet Ta Hartojmë Me Privatësinë Në Mendje

Nëse nuk duam një shoqëri përgjimi tërësor, duhet ta konsiderojmë përgjimin një lloj ndotjeje sociale, dhe ta kufizojmë ndikimin e përgjimit prej çdo sistemi të ri dixhital po njësoj siç kufizojmë ndikimin mjedisor të një konstruksioni fizik.

Për shembull: Matësit e “mençur” të energjisë elektrike i mburrin se i dërgojnë çast pas çasti kompanisë së energjisë të dhëna mbi përdorimin e energjisë nga secili konsumator, përfshi krahasim me përdoruesit në përgjithësi. Kjo punë është sendërtuar duke u bazuar mbi përgjim të përgjithshëm, por nuk kërkon ndonjë përgjim. Për kompaninë e energjisë do të ishte e lehtë të llogariste mesataren e përdorimit në një lagje duke pjesëtuar sasinë e përgjithshme të konsumuar me numrin e pajtimtarëve, dhe këtë t’ua dërgojë matësve. Matësi i çdo konsumatori mund të krahasonte kështu regjistrimin e tij, përgjatë cilësdo periudhe kohore, me mesataren e përdorimit për atë periudhë. I njëjti përfitim, ama pa përgjim!

Na duhet të hartojmë të tillë privatësi në krejt sistemet tona dixhitale.

Kurë për Grumbullimin e të Dhënave: Të Lihen të Hapërdara

Një rrugë për ta bërë mbikëqyrjen të parrezikshme për privatësinë është të  mbahen të dhënat të shpërndara dhe në mënyrë të tillë që hyrja në to të jetë e paleverdishme. Kamerat e dikurshme të sigurisë nuk qenë kërcënim për privatësinë. Regjistrimet depozitoheshin dhe ruheshin me kushtin paraprak: vetëm për disa javë. Ngaqë hyrja në to dhe përdorimi i tyre nuk qe gjë e kollajtë, nuk qe bërë kurrë në shkallë masive; ato hapeshin dhe përdoreshin vetëm në vende ku dikush kish njoftuar për një shkelje. Do të ishte e pamundur të grumbulloheshin fizikisht miliona shirita regjistrimesh çdo ditë dhe të shiheshin apo kopjoheshin.

Sot, kamerat e sigurisë janë bërë kamera përgjimi: ato janë të lidhura në Internet, kështu që regjistrimet mund të grumbullohen në një qendër të dhënash dhe të ruhen përgjithmonë. Kjo është që tani e rrezikshme, por ka për t’u bërë edhe më keq. Përparimi teknik në njohjen e fytyrave mund të sjellë një ditë kur gazetarët e dyshuar të ndiqen rrugës gjithë kohën, për të parë se me kë bisedojnë.

Shpesh vetë kamerat e lidhura me Internetin kanë siguri dixhitale që ta shpif, prandaj  kushdo mund të vëzhgojë atë që sheh syri i kamerës. Që të rikthejmë privatësinë, duhet të ndalojmë përdorimin e kamerave të lidhura me Internetin të fokusuara në vende dhe në raste që pranohet se janë publike, hiq rastin kur ato i kanë njerëzit. Kushdo duhet të jetë i lirë të postojë me raste foto dhe regjistrime video, por grumbullimi sistematik në Internet i të dhënave të tilla duhet të kufizohet.

Kurë për Përgjim Internet Nga Tregtia

Shumica e të dhënave vjen nga veprimtaritë dixhitale të vetë njerëzve. Zakonisht të dhënat grumbullohen së pari nga kompanitë. Por kur vjen fjala për kërcënimin e privatësisë dhe demokracisë, nuk ka dallim mes përgjimit të bërë drejtpërdrejt nga shteti apo të deleguar një biznesi, ngaqë të dhënat që kompanitë mbledhin janë sistematikisht të passhme nga shteti.

NSA-ja, përmes PRISM-it, ka hyrë në bazat e të dhënave të mjaft korporatave të mëdha të Internetit. AT&T-ja ka ruajtur krejt regjistrimet e veta të thirrjeve telefonike që prej 1987-s dhe i jep ato për DEA-n për kërkime kur i është dashur. Nga pikëpamja strikte, qeveria e ShBA-ve nuk i zotëron këto të dhëna, por në terma praktikë i zotëron po njësoj.

Synimi për ta bërë gazetarinë dhe demokracinë të pakërcënuar kërkon atëherë që të reduktojmë të dhënat e grumbulluara rreth njerëzish nga çfarëdo organizëm, jo thjesht nga shteti. Duhet t’i rikonceptojmë sistemet tona dixhitale që të mos grumbullojnë të dhëna rreth përdoruesve të tyre. Nëse u duhen të dhëna dixhitale rreth transaksioneve tona, nuk duhet lejuar që t’i mbajnë ato më gjatë se një interval të shkurtër kohe përtej atij që nevojitet doemos për çka po kryejnë për ne.

Një nga shkaqet e nivelit të tanishëm të përgjimit në Internet është fakti që sajtet financohen përmes reklamave të bazuara në ndjekjen e veprimtarisë dhe prirjeve të përdoruesve. Kjo e shndërron një bezdi të thjeshtë—reklamën, që mund të mësohemi ta shpërfillim—në një sistem përgjimi që na dëmton, pavarësisht se e dimë apo nuk e dimë. Blerjet nëpërmjet Internetit gjithashtu përdoren për të ndjekur përdoruesit e tyre. Dhe ne të gjithë e dimë që “rregullat e privatësisë” janë më tepër justifikime për të shkelur privatësinë, se sa angazhime për ta mbrojtur atë.

Mund t’i ndreqnim të dy problemet duke bërë tonin një sistem pagesash anonime—anonim për atë që paguan, kuptohet. (Nuk duam që ai që paguhet, t’u bëjë bisht taksave.) Bitcoin-i nuk është anonim, edhe pse ka përpjekje për të zhvilluar mënyra që të paguani me Bitcoin në mënyrë anonime. Sido qoftë, teknologjia për paranë dixhitale është zhvilluar së pari në vitet ’80; kemi nevojë vetëm për marrëveshje të përshtatshme mes bizneseve, dhe që shteti të mos i pengojë ato.

Një kërcënim i mëtejshëm nga grumbullimi i të dhënave personale prej sajteve është se cenuesit e sigurisë mund të hyjnë në to, t’i marrin dhe t’i keqpërdorin. Kjo përfshin hollësi kartash krediti të konsumatorëve. Një sistem pagesash anonime do t’i jepte fund këtij rreziku: një e çarë sigurie te sajti nuk do t’ju bënte dëm, nëse sajti nuk di asnjë gjë rreth jush.

Kurë për Përgjimin e Udhëtimeve

Duhet ta shndërrojmë mbledhjen e pagesave dixhitale të lidhura me udhëtimet në mbledhje pagesash anonime (duke përdorur para dixhitale, për shembull). Sistemet e leximit të targave regjistrojnë të tëra targat, dhe të dhënat mund të ruhen përgjithmonë; do të duhej që ligji të kërkonte të dalloheshin dhe të regjistroheshin vetëm ato targa që gjenden në një listë automjetesh që kërkohen me urdhër gjykate. Sipas një alternative më pak të sigurt do të regjistroheshin krejt automjetet, në shkallë vendore, por vetëm për pak ditë, dhe të dhënat e plota të mos jepen nëpërmjet Internet; hyrja në të dhënat do të duhej kufizuar në kërkime për numra sipas një liste me targa që kanë urdhër gjykate.

Lista “no-fly” e ShBA-ve duhet shfuqizuar, sepse përbën ndëshkim pa gjyq.

Është e pranueshme të kihet një listë njerëzish të cilët të kontrollohen me kujdes të veçantë, tok me bagazhet e tyre, dhe pasagjerët anonimë në fluturimet e brendshme mund të trajtohen sikur të ishin në këtë listë. Është gjithashtu e pranueshme të mos lejohen ata që nuk janë shtetas, nëse nuk u është lejuar të hyjnë fare në vend, të hipin në fluturime drejt një vendi. Kjo do të duhej të ishte e mjaftë për krejt qëllimet e ligjshme.

Mjaft sisteme tranziti masiv përdorin për pagesa ndonjë lloj karte të mençur ose RFID. Këto sisteme grumbullojnë të dhëna personale: nëse e bëni vetëm një herë gabimin të paguani me to dhe jo me para klasike, ato e përshoqërojnë përgjithmonë kartën me emrin tuaj. Për më tepër, regjistrojnë gjithçka ka të bëjë me udhëtimet përshoqëruar secilës kartë. Të marra bashkë, bëhen përgjim masiv. Ky grumbullim të dhënash duhet reduktuar.

Shërbimet e orientimit dhe hartave kryejnë përgjim: kompjuteri i përdoruesit i tregon shërbimit të hartave vendin dhe ku dëshiron përdoruesi të mbërrijë; mandej shërbyesi përcakton rrugën dhe ia dërgon kompjuterit të përdoruesit, i cili e shfaq. Sot, ka gjasa që shërbyesi i regjistron vendet e përdoruesve, ngaqë asgjë nuk ia ndalon. Ky përgjim nuk është së brendshmi i domosdoshëm, dhe mund të shmanget përmes rikonceptimit: software-i lirë/libre në kompjuterin e përdoruesit mund të shkarkojë të dhëna harte për zonat që i interesojnë (nëse nuk janë shkarkuar tashmë), të përllogarisë rrugën, dhe ta shfaqë, pa i treguar kujt ndonjëherë se ku gjendet apo ku dëshiron të shkojë përdoruesi.

Sistemet për dhënien e biçikletave me qira, etj., mund të hartohen në mënyrë të tillë që identiteti i qiramarrësit të njihet vetëm brenda stacionit nga u mor objekti me qira. Qiradhënësi do të njoftonte krejt stacionet se objekti është “dhënë,”, që kështu, kur përdoruesi e jep mbrapsht në cilindo stacion (përgjithësisht, një i ndryshëm nga fillestari), ai stacion do ta dijë se ku dhe kur qe marrë me qira objekti. Do të njoftojë stacionin tjetër se objekti nuk është më “i dhënë.” Do të llogarisë gjithashtu faturën e përdoruesit, dhe do t’ia dërgojë (pasi të presë një numër të rastësishëm minutash) qendrës së një vargu stacionesh, në mënyrë që qendra të mos gjejë dot se nga cili stacion erdhi fatura. Pasi të jetë kryer kjo, stacioni ku u dorëzua objekti pas përdorimit do të harronte gjithçka rreth transaksionit. Nëse një objekt mbetet “i dhënë” për një kohë të gjatë, stacioni nga u mor me qira mund të njoftojë qendrën; në këtë rast, mund ta dërgojë identitetin e qiramarrësit menjëherë.

Kurë për Dosjet e Komunikimeve

Mundësuesit e shërbimeve Internet dhe kompanitë telefonike ruajnë të dhëna të zgjeruara mbi kontaktet e përdoruesve të tyre (shfletim, thirrje telefonike, etj). Me telefonat celularë, ata regjistrojnë gjithashtu vendndodhje fizike të përdoruesve. Këto dosje i ruajnë për një kohë të gjatë: mbi 30 vjet, në rastin e AT&T-së. Së shpejti madje do të regjistrojnë veprimtari në trupin e përdoruesit. Duket se NSA-ja i grumbullon të dhënat mbi vendndodhjet e celularëve në stil shumice.

Komunikimi i pambikëqyrur është i pamundur atje ku sistemet krijojnë dosje të tilla. Prandaj do të duhej të ishte e paligjshme të krijohen ose ruhen ato. ISP-të dhe kompanitë telefonike nuk duhet të lejohen të ruajnë informacion të tillë për një kohë të gjatë, në mungesë të një urdhri gjykate për të përgjuar një palë të caktuar.

Kjo zgjidhje nuk është plotësisht e kënaqshme, ngaqë nuk do ta ndalë grumbullimin material nga qeveria të krejt të dhënave sapo të krijohen—që është ajo çka bëjnë ShBA-të me disa ose me të tëra kompanitë telefonike. Do të na duhet të bazohemi në ndalimin me ligj. Sidoqoftë, kaq do të ishte më mirë se sa gjendja e tanishme, ku ligji përkatës (ligji PATRIOT Act) nuk e ndalon qartazi këtë praktikë. Për më tepër, nëse qeveria i kthehet këtij lloj përgjimi, nuk do të merrte të dhëna mbi thirrjet telefonike të gjithkujt të bëra përpara asaj kohe.

Ca Përgjim Ama Është i Nevojshëm

Që shteti të gjejë keqbërësit, lypset të jetë në gjendje të hetojë krime specifike, ose dyshime për krime specifike të planifikuara, me një urdhër gjykate. Me Internetin, aftësia për të përgjuar bashkëbisedimet telefonike do të shtrihej natyrisht te aftësia për të përgjuar lidhjet Internet. Është e lehtë të abuzohet me këtë aftësi për arsye politike, por është edhe e nevojshme. Për fat të mirë, kjo nuk bën të mundur gjetjen e nxjerrësve të sekretit pas faktit të kryer.

Individët me fuqi speciale të akorduar nga shteti, të tillë si policët, e humbasin të drejtën për privatësi dhe duhen mbikëqyrur. (Në fakt, policët kanë term zhargon të tyrin për betim të rremë, “testilying,” ngaqë e bëjnë kaq shpesh, veçanërisht lidhur me protestuesit dhe fotografët.) Një qytet në Kaliforni, që e bëri të detyrueshëm për policët përdorimin e kamerave video në trup gjithë kohën, zbuloi se përdorimi i forcës prej tyre ra me 60%. ACLU është në favor të kësaj.

Korporatat nuk janë njerëz, ndaj as subjekt i të drejtave të njeriut. Është e ligjshme të kërkohet që bizneset të publikojnë hollësi të proceseve që mund t’i shkaktojnë shoqërisë rreziqe kimike, biologjike, bërthamore, fiskale, kompjuterike (p.sh., DRM) ose politike (p.sh., lobimi), në çfarëdo niveli që është i nevojshëm për mirëqenien publike. Rreziku i këtyre operacioneve (sillni në mendje rrjedhjen e naftës nga BP-ja, shpërthimet nga shkrirja e reaktorit në Fukushima, dhe krizën fiskale të 2008-s) e bën më të vogël atë të terrorizmit.

Sido që të jetë, gazetaria duhet të mbrohet nga përgjimi edhe kur kryhet si pjesë e një biznesi.


Teknologjia dixhitale ka sjellë një rritje të tmerrshme të nivelit të përgjimit të lëvizjeve, veprimeve dhe komunikimeve tona. Bëhet fjalë për shumë më tepër se sa patëm provuar në vitet ’90, dhe shumë më tepër se sa patën provuar njerëzit pas Perdes së Hekurt gjatë viteve ’80, dhe prapë do të ishte shumë edhe pas kufijve shtesë ligjorë mbi përdorimin nga ana e shtetit të të dhënave të grumbulluara.

Duhet ta kthejmë mbrapsht këtë rritje, veç në besofshim se vendet tona të lira kanë vuajtur dikur nga deficite të rënda të përgjimit, dhe se duhej të përgjoheshin më shumë se sa qenë përgjuar Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore. Kjo lyp ndaljen e grumbullimit masiv të të dhënave rreth njerëzve.

Të drejta kopjimi © 2013 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Marrë nga Projekti GNU

Faqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.