Arkivë për Kategorinë 'Web'

Rrjeti i Zhvilluesve Mozilla

Rrjeti i i Zhvilluesve Mozilla është një bashkësi e hapur programuesish që krijojnë burime për një web më të mirë, pavarësisht markave, shfletuesve ose platformave. Në të mund të kontribuojë kushdo që ndihmon të shtyhen përpara risitë në Web në shërbim të së mirës së përgjithshme. Dëshironi të mësoni si të ndërtoni një site-e Web? Dëshironi të mësoni përdorimin e teknologjive mbi të cilat xhiron Web-i? Te site-i i MDN-së do të gjeni të grumbulluar një koleksion të vlefshëm burimesh me të cilat mund të fillonit. Këto janë burime të krijuara nga kompani dhe programues web që mendojnë për të ardhmen, që kanë përqafuar standardet e hapura dhe praktikat më të mira të programimit web. Këto burime Mozilla dëshiron t’i ndajë me bashkësinë e vet ndërkombëtare.

Dokumentim më i mirë i Web-it në MDN për një Web më të mirë

Hidhini një sy Mozilla Demo Studios, ku zhvillues si ju mund të zhvillojnë, ndajnë me të tjerët, demonstrojnë dhe të mësojnë gjithçka rreth teknologjive Web. Eksplorojeni dhe shihni se ç’mund të arrihet duke përdorur HTML-në, CSS-në, dhe JavaScript-in. Shqyrtoni kodin burim të këtyre demove, që të shihni se si funksionojnë. Lexoni dokumentimin për to që të mësoni rreth standardeve të hapura dhe teknologjive që mbajnë në këmbë Web-in.

Ja pak shembuj të hijshëm:

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Te site-i, nën ndarjen Demo, do të gjeni plot shembuj të tillë. Filloni krijoni një të tuajin dhe parashtrojeni në garat mujore Dev Derby.

“Nisje e Sigurt”: Kush do ta kontrollojë kompjuterin tuaj të ardhshëm?

Nga   01-06-2012
Marrë prej FSFE-së

 

Synimi i FSFE-së është të bëjë të mundur që të zotët e pajisjeve TITeknologji Informacioni, dhe vetëm ata, të jenë përherë në kontroll të plotë të tyre. Ky parim themelor tani së fundi është vënë në pikëpyetje.

Me një funksion të quajtur “Nisje e Sigurt”, që do të sendërtohet në kompjutera duke filluar nga 2012, prodhuesit e përbërësve hardware dhe software në TI po rreken të kapin një pozicion prej nga ku të kontrollojnë në mënyrë të përhershme pajisjet TI që prodhojnë. Në këtë frymë, pajisje të tilla do të jenë “të sigurta”, sipas idesë së prodhuesit, por jo domosdoshmërisht edhe sipas asaj të zotëruesit: I zoti mund të trajtohet si palë e kundërt. Duke parandaluar përdorimin e pajisjes për qëllime jashtë atyre të paramenduara nga prodhuesi, ata mund të kontrollojnë dhe kufizojnë krejt për çka mund të përdoret një makinë TI e karakterit të përgjithshëm (p.sh. një PC, laptop, netbook). Në rastin e pajisjeve TI me hyrje në internet, ata mund t’i ndryshojnë në çfarëdo kohe këto kufizime përdorimi, edhe pa e vënë në dijeni të zotin e pajisjes. Si pasojë, prodhuesit TI, sipas qejfit, mund t’u heqin përdoruesve të drejta të rëndomta që zakonisht i gëzojnë.

“Nisja e Sigurt”: Roje para sistemit operativ

Kur ndizen, pajisjet TI përmbushin një proces fillimi të quajtur nisje. Në rastin e kompjuterave ky proces fillimi përfaqësohet nga ekzekutimi i një firmwareNjë radhë urdhrash, e integruar në një përbërës elektronik. Roli i tij është të nisë vetë përbërësin dhe t'i bëjë të mundur të ndërveprojë me përbërës të tjetër hardware. Termi rrjedh nga bashkimi i firm (firmë, ndërmarrje) dhe ware (përbërës), dhe tregon që programi nuk mund të modifikohet nga përdoruesi i fundëm.-i. Ky firmware, nga ana e tij, nis një tjetër program të quajtur ngarkues nisjesh, i cili mandej nis sistemin operativ faktik, mbi të cilën mund të ekzekutohen pastaj zbatimet. Më 2012, kalimi në shkallë industrie i firmware-it të PC-ve, notebook-ve, shërbyesve, dhe kompjuterave të tjerë nga BIOS-i konvencional në UEFI do të jetë thuajse i plotë. Krahasuar me BIOS-in konvencional, UEFI ka disa të mira, fjala vjen, kohë nisjeje më të shpejta, përudhësa të pavarur nga sistemi operativ, dhe një premtim për siguri të zgjeruar.

Pjesa e sigurisë trajtohet nga një funksion i quajtur “Nisje e Sigurt”. Që prej UEFI 2.3.1 (hedhur në qarkullim më 8 Prill, 2011) “Nisja e Sigurt” siguron që gjatë procesit të nisjes të ekzekutohet vetëm software që është në pajtim me nënshkrimet kriptografike të sendërtuara paraprakisht në pajisje. Kjo bëhet për të parandaluar ekzekutimin e software-eve të padëshiruar gjatë nisjes së kompjuterit, përmes verifikimit kriptografik të një nënshkrimi për çdo përbërës software (hapat e ndryshëm të firmware-it UEFI, ngarkuesi i nisjes, kerneli i sistemit operativ, etj.), përpara ekzekutimit të secilit. Prandaj nënshkrimet kriptografike që do të duhej të përdoreshin, duhen vendosur te baza e të dhënave të nënshkrimeve UEFI të secilës pajisje TI të pajisur me “Nisje të Sigurt” UEFI, përpara se një përbërës software i nënshkruar kriptografikisht të mund të fillojë të xhirohet në një makinë të dhënë.

FSFE-ja parashikon që shumica e prodhuesve të kompjuterave do ta sendërtojnë “Nisjen e Sigurt”, ngaqë Microsoft-i ka njoftuar se prodhuesit e kompjuterave duhet të sendërtojnë “Nisjen e Sigurt” UEFI, po qe se duan të përfitojnë certifikim të Windows 8-s për pajisjet që krijojnë, p.sh. që të vendosin në to logon Compatible with Windows 8.

Kompjuteri: makinë për qëllime të rëndomta

Duke evoluar kompjuteri përgjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në një makinë për qëllime të rëndomta, shoqëria jonë ka krijuar një mjet të fuqishëm për kryerjen e lloj-lloj punëve me një makinë të vetme. Tani prodhuesit e TI-së zbuluan se mund të përfitojnë interes ekonomik duke kufizuar arbitrarisht atë që mund të kryhet me këto makina. Me “Nisjen e Sigurt” të zotët e pajisjeve TI nuk do të jenë në gjendje të vendosin në mënyrë të pavarur për përdorimin e makinave të tyre, ngaqë nuk vendosin dot cilin software të xhirojnë.

Njësia që kontrollon në instancë të fundit se cili software mund të ekzekutohet në një pajisje, dhe për këtë arsye përcakton funksionet specifike që mund të përmbushë pajisja, në fund të fundit mund të kontrollojë çfarëdo të dhënash të përpunuara dhe të depozituara nga pajisja. Si pasojë, i zoti i një pajisje TI nuk mund të ketë më në dorën e tij kontrollin e të dhënave të veta.

Për cilat pajisje vlen kjo?

Deri më sot, shumica e njerëzve e bazojnë analizën e tyre të gjendjes së UEFI-t mbi Windows 8 Hardware Certification Requirements, botuar nga Microsoft-i në Dhjetor të 2011-s. Është e kuptueshme pse Microsoft-i nuk bëri, dhe ende nuk bën publik ndonjë version të këtyre domosdoshmërive për certifikimin e hardware-it, ngaqë ato janë baza e një kontrate individuale mes Microsoft-it dhe secilit prej prodhuesve të hardware-it që duan të përfitojnë Windows 8 Certification e Microsoft-it për produktet e tyre kompjuterike. Ndaj Windows 8 Hardware Certification Requirements mund të ndryshojnë në çfarëdo kohe, pa u vënë re nga publiku, ose hollësitë specifike mbi çfarë është e domosdoshme për të pasur logon mund të ndryshojnë nga prodhuesi në prodhues: gjithçka ndodh sipas vullnetit të Microsoft-it dhe në pjesën dërrmuese pas dyersh të mbyllura. Kështu që askush nuk bazohet dot te një version i botuar dhe statik i Windows 8 Hardware Certification Requirements, por i percepton hollësitë e planifikuara për “Nisjen e Sigurt” si një “objektiv gjithnjë në lëvizje”.

Pra, problemi i “Nisjes së Sigurt” nuk kufizohet medoemos te Connected Stand-By SystemsEmërtim i përdorur nga Microsoft për pajisje të lidhura në Internet dhe që në çastin në fjalë gjenden nën gjendjen stand-by (sipas gjasash një përqindje e madhe e tregut të ardhshëm të notebook-ëve, netbook-ëve dhe PC-ve) dhe te kompjutera të ndërtuar me mikroprocesorë ARM (kryesisht tablete dhe telefonë celularë), por mund të zgjerohet në çfarëdo kohe nga Microsoft-i drejt çfarëdo lloji tjetër pajisjesh. Po njësoj, prodhuesit e hardware-it që nuk prodhojnë pajisje për Windows 8 mund ta vënë në punë “Nisjen e Sigurt” UEFI, ose të tjera procese nisjeje të kufizuar me ndihmën e nënshkrimeve kriptografike. TiVo ka një dhjetëvjeçar që e bën këtë, dhe konsola të ndryshme lojërash, nga ato të Sony-it deri te ato të Microsoft-it i përdorin gjithashtu proceset e nisjes të kufizuar kriptografikisht. Të tjerë prodhues mund të përdorin specifikime apo kërkesa të ngjashme me ato të Windows 8 Hardware Certification Requirements, që të kenë mundësi të kufizojnë artificialisht aftësitë e pajisjeve TI.

Kufizime që mund të zgjerohen drejt zbatimeve?

Teksa specifikimet e “Nisjes së Sigurt” UEFI (si edhe ato të Trusted Computing Group që përkufizojnë “Nisjen e Besueshme”) mbulojnë procesin parësor nga nisja deri te futja në lojë e kernelit të sistemit operativ, infrastruktura për ta shtrirë kontrollin përmes nënshkrimesh mbi krejt software-in që xhiron në një kompjuter është e pjekur dhe funksionale në disa sisteme operativë. Por përveç se te Windows 8, deri më sot është e detyrueshme vetëm për përudhësa Windows.

Kërcënim për punën me kompjuter në përgjithësi

Sikur krejt këto masa të ishin thjesht nën kontrollin e të zotit të pajisjeve, kjo do të ishte tërësisht në interesin e tij, pse do ta ndihmonte atë të thellonte sigurinë e procesit të nisjes, i cili sot, në shumicën e rasteve, është i pasigurt. Kjo do të ndodhte nëse nënsistemet e sigurisë të përcaktuar nga forumi UEFI dhe Trusted Computing Group (TCG) të mundeshin të garantonin teknikisht kontrollin e përhershëm, të plotë dhe vetëm nga përdoruesi mbi formësimin dhe administrimin e këtyre nënsistemeve të sigurisë, çka do të përfshinte krijimin, depozitimin, përdorimin dhe fshirjen e kyçeve kriptografikë, dëshmive dhe nënshkrimeve. Por, që nga çasti kur këto nënsisteme sigurie mund të përdoren nga të tjera entitete, jo vetëm nga i zoti i pajisjes, kjo u lë dorë atyre të përjashtojnë përdorime jashtë kuadrit të paramenduar për të cilin janë shitur ose thjesht përdorime të paparashikuara të këtyre pajisjeve TI.

Pra, me sendërtimin e “Nisjes së Sigurt”, mundësia për të pasur kompjutera vërtet për përdorim të rëndomtë dhe nën kontrollin e plotë të të zotit mund të rrudhet shumë. Pajisjet e kufizuara në mënyrë domethënëse nga masa të tilla si “Nisja e Sigurt” nën kontroll kompanish zakonisht quhen pajisje ose kompjuter për qëllime speciale (p.sh. qendra medie, telefona, lexues librash). Ndaj, e pakta, disa prej pajisjeve Windows 8 do të jenë më tepër pajisje Windows se sa kompjuter i personalizuar. Edhe pse mund të ketë treg për pajisje të tilla kompjuterike, FSFE-ja bën thirrje me forcë që këto pajisje TI të etiketohen qartësisht si të kufizuara për të përdorur modele të  parashikuara nga një kompani, me qëllim që blerësi potencial të informohet në kohë.

A është opsion anashkalimi i këtyre kufizimeve?

Njerëz të aftë në TI mund të mendojnë se masa të tilla janë parë edhe më herët, dhe shumica e tyre janë nxjerrë jashtë loje. Kështu ka ndodhur me disa modele konsolash loje PlayStation dhe Xbox, si dhe me mjaft nga telefonat më të rinj celularë. Por cilësia dhe shtrirja e çështjes këtë herë janë më të mëdha:

  • “Nisja e Sigurt” UEFI është konceptuar së pari për PC tradicionalë.
  • Pas saj janë rreshtuar pjesë të mëdha të industrisë TI, shihni p.sh. anëtarët e forumit UEFI Forum.
  • Konceptimi dhe specifikimet e saj janë rezultat i një përpjekjeje kolektive inxhinierësh TI prej kompanish të ndryshme. Ajo shfrytëzon përvojën e një dhjetëvjeçari në procese nisjeje të bazuar në nënshkrime, ndaj edhe shmang shumë nga dobësitë klasike, p.sh. mungesën e firmware-eve të specifikuar qartë dhe të siguruar kriptografikisht (UEFI) të procesit të përditësimit.
  • Prej saj përdoren nënsisteme sigurie të bazuar në hardware, p.sh. siç specifikohet nga TCG (TPM ose MTM, dhe specifikimet shoqëruese): Ndërkohë që specifikimet UEFI nuk kërkojnë detyrimisht një sendërtim specifik “depozitimi të mbrojtur” kyçesh kriptografikë, dëshmish dhe nënshkrimesh, specifikimet së fundi nga TCG (që prej 2011-s) e bëjnë.
  • Në sendërtimet e “Nisjes së Sigurt” (si në gjithë software-et) pritet të ketë të meta sigurie, por ngaqë do të ketë konkurrencë komerciale mes atyre që tregtojnë UEFI, është në interes të tyre të gjejnë zgjidhje për këto të meta sigurie. Përkundrazi, në të shkuarën vetëm prodhues të veçantë sendërtuan procese nisjeje të kufizuar kriptografikisht për pajisje të tyre specifike: TiVo Inc. për TIVO-t e veta, Microsoft-i për breza të ndryshëm Xbox-i, si dhe Sony për Playstation-et e veta.

Më tej, edhe pse kufizime të ngjashme të përdorimit janë nxjerrë jashtë loje në të kaluarën, kjo vetëm dëshmon që sendërtimi i tyre teknik qe me të meta dhe i hapur karshi malware-it, pra duke mos ofruar “sigurinë” për të cilën qenë hartuar. Edhe pse ka gjasa që kjo të vlejë edhe për disa nga sendërtimet e “Nisjes së Sigurt”, zbërthimi dhe nxjerrja jashtë loje e këtyre mekanizmave kurrë nuk mund të jetë zgjidhje për çështjet e lirisë ose për mungesën e kontrollit të zotëruesit mbi pajisjen.

Kërkesat e FSFE-së

Për të ruajtur rritje të qëndrueshme të zhvillimit dhe përdorimit të software-eve, është kyçe pasja gjerësisht e kompjuterave për punë të rëndomtë.

FSFE-ja kërkon që përpara se të blihet një pajisje, blerësit të jenë të informuar saktësisht rreth masave teknike të sendërtuara në pajisjen e dhënë, si edhe për kufizimet specifike të përdorimit dhe pasojat e tyre për përdoruesin.

Më tej, FSFE-ja këshillon me forcë të blihen vetëm pajisje TI që u japin përdoruesve kontroll të plotë, të përhershëm dhe vetëm prej tyre, mbi nënsisteme sigurie (p.sh. kufizime përdorimi me bazë nënshkrimesh), në mënyrë që ruhet aftësia për të instaluar software sipas dëshirës dhe në analizë të fundit të ruhet kontrolli ekskluziv i dikujt mbi të dhënat e veta.

Copyright © 2001-2012 Free Software Foundation Europe. Lejohet kopjimi fjalë për fjalë dhe shpërndarja e tërë këtij artikulli në çfarëdo media, me kusht që të ruhet ky shënim.

Hidhet në qarkullim WordPress 3.5

Versioni më ri i WordPress-it, 3.5, publikuar para pak ditësh, është më i latuar dhe më i kënaqshëm se kurrë më parë. Ç’ka të Re?

Përgjegjës i Ri Mediash

Ndërfaqe e Hijshme

Shtimi i mediave është bërë edhe më i rrjedhshëm përmes një funksionimi krejt të ri, çka e bën ngarkimin e kartelave dhe vendosjen e tyre te postimet tuaja një grimë.

Galeri Piktoreske

Krijimi i galerive të pamjeve është më i shpejtë me rirenditje merr-dhe-vër, përpunim brendazi titrash, dhe kontrolle të thjeshtuar për skemën.

Temë e re Parazgjedhje

Twenty Twelve

Tema më e re parazgjedhje për WordPress-in është e thjeshtë, e epshme dhe elegante.

Ato që e bëjnë të rrezatojë vërtet janë hollësitë e dizajnit, të tilla si lloji i mrekullueshëm Open Sans i shkronjave dhe një hartim që i përgjigjet plotësisht ndërveprimit të përdoruesit dhe që duket hijshëm në çfarëdo pajisje.

Pa dyshim, Twenty Twelve mbulon krejt veçoritë që keni njohur dhe dashuruar në një temë, por është hartuar për të qenë e shkëlyer për një site web, ashtu siç është për një blog.

Gati për Retinën

Kaq Pastër Sa Nuk Shihni Dot Pikselat

Pulti i WordPress-it tani duket i hijshëm në ekranë të cilësisë së lartë si ata që gjenden në iPad, Kindle Fire HD, Nexus 10, dhe MacBook Pro me Retina Display. Ikonat dhe të tjerë elemente pamorë janë të pastër si kristali dhe plot hollësi.

Punim Më i Rrjedhshëm

Përdorshmëri Më e Mirë

WordPress-i mbulon më tepër mënyra përdorimi se kurrë më parë. Lexues ekrani, pajisje me prekje, dhe punim pa mi, për të tëra është përmirësuar lehtësia në përdorim.

Më Tepër Latime

Janë përimtësuar një numër skenash dhe kontrollesh. Për shembull, një pikatore e re ngjyrash jua bën më të lehtë zgjedhjen e nuancës së përsosur të grisë.

Nën Kapak

Shtesa te Kërkesa Media

Klasat WP_Comment_Query dhe WP_User_Query tani mbulojnë kërkesa meta njësoj si WP_Query. Kërkesat meta tani mbulojnë kërkim për objekte pa ndonjë kyç të veçantë meta.

Objekte Postimi

Objektet e postimit tani janë pjesë e klasës WP_Post, çka përmirëson funksionimin duke ngarkuar, kur kërkohet, veti të përzgjedhura.

API Përpunimi Figurash

The WP_Image_Editor class abstracts image editing functionality such as cropping and scaling, and uses ImageMagick when available.

Përmirësime për Multisite-in

switch_to_blog() tani është në mënyrë domethënëse më i shpejtë dhe më i qëndrueshëm.

API XML-RPC

API për WordPress-in tani është përherë i aktivizuar, dhe mbulon sjellje përdoruesish, përpunim profilesh, administrim rishikimesh postimi, dhe kërkime në postime.

Librari të Jashtme

WordPress-i tani përfshin libraritë JavaScript Underscore dhe Backbone. TinyMCE, jQuery, jQuery UI, dhe SimplePie janë përditësuar edhe këto me versionet më të reja.

 

 

Jetpack për WordPress në Shqip

 

Për përdoruesit e blogjeve të strehuar në WordPress.com Jetpack-u është një paketë e njohur shtojcash që shtojnë veçori mjaft të dobishme si për administrimin e blogut, ashtu edhe për përdoruesit. Versioni 2.0.4 i shtojcës është versioni më i ri. Ky version përmban edhe një version Shqip të plotë.

Jetpack

Pas instalimit të tij në blogun tuaj, gjëja e parë që do t’ju kërkohet për ta bërë të mundur shfrytëzimin e Jetpack-ut është lidhja e blogut tuaj me llogarinë tuaj në WordPress.com. Nëse nuk keni një të tillë, do t’ju ofrohet mundësia për krijimin e një llogarie WordPress.com.Jetpack_thuajse_gati

Mekanizmat e ofruara nga Jetpack-u janë të shumta. Pasi të krijohet lidhja e blogut tuaj me llogarinë tuaj në WordPress.com, do t’ju paraqiten thjesht dhe bukur të gjitha, së bashku me lidhje për t’u njohur më thellë me secilën dhe për formësimin e secilës në përputhje me blogun tuaj dhe sipas funksioneve që dëshironi për secilën. Aktivizimi dhe aktivizimi i secilës bëhet në mënyrë individuale, po në atë skenë.pjesët

Më poshtë mund të shihni, sa për të ilustruar idenë, pjesën e Jetpack-ut që administron përdorimin e postimeve të blogut tuaj në rrjete shoqërore të njohur. Mund të zgjidhni rrjetin, ose rrjetet që dëshironi.

Publicize

Jetpack është kryesisht i menduar për ata që blogjet e tyre i kanë në WordPress.com. Por mund të përdoret edhe nga blogje që nuk ruhen në të, por që janë ndërtuar me WordPress. Për rastet që përfshihen në këtë kategori të dytë, përpara se të vendoset po ose jo, është mirë të merret në konsideratë fakti që blogu juaj, pra lënda dhe funksione të tjerë të tij do të lidhen për këtë me shërbyesit e një pale të tretë, WordPress.com. Kjo, si gjithmonë në raste të tilla, kërkon peshimin me kujdes të hapit: a preket privatësia e blogut tuaj prej një hapi të tillë? Dëshironi që palë të treta të njohin dhe administrojnë pjesë të lëndës së blogut tuaj? A kryhet prej këtyre palëve të treta vetëm sa thuhet, apo ka gjëra të tjera që nuk duken në pamje të parë.

Përtej këtyre gjërave që kërkojnë sqarim për secilin rast, Jetpack-u mbetet megjithatë një mjet i vyer për blogje WordPress.

 

 

Shfletoni i Lumtur

Përdorimi i një shfletuesi të vjetruar e bën kompjuterin tuaj të pasigurt. Shfletoni i Lumtur është një mënyrë për të njohur se cilat janë versionet më të reja të shfletuesve më të njohur rreth e qark. Mund të mësoni gjithashtu mbi shfletues alternativë që mund t’ju bëjnë punë madje më mirë se sa ai që përdorni deri sot.

 

Shfletoni i Lumtur

 

Kur një përdorues klikon mbi lidhjen e site-it që nga shfletuesi i vet, kontrollohet versioni aktual i shfletuesit që ai përdor dhe jepen të dhënat përkatëse, tok me sugjerime të rastit.

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe online

 

Një fjalor i Shqipes me rreth 40000 fjalë gjendet tani online këtu dhe mund të përdoret falas nga kushdo. Fjalori online është vepër e projektit Shkenca.org.

Përdorimi është fare i thjeshtë: fusni një fjalë te fusha e kërkimit që duket te faqja e fjalorit dhe do t’ju paraqiten krejt përfundimet që kanë përputhje me termin e kërkuar.

Manifesti i Mozilla-s

Hyrje

Interneti po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e rëndësishme e jetës sonë.

Projekti Mozilla është një bashkësi mbarëbotërore njerëzish që besojnë se të qenët i hapur, risia, dhe dhënia e mundësive janë kyçet e shëndetit në vazhdimësi të Internetit. Punojmë së bashku që prej 1998, për të bërë të mundur që Interneti të zhvillohet i tillë që prej tij të përfitojnë të gjithë. Jemi më shumë të njohur për krijimin e shfletuesit Web Mozilla Firefox.

Për krijimin e programeve të cilësisë së parë dhe me burim të hapët, si dhe për zhvillimin e llojeve të reja të veprimtarive për bashkëpunim mes njerëzve, projekti Mozilla përdor metodën e punës në bashkësi. Krijojmë bashkësi personash të përfshirë në bërjen e Internetit më të mirë për të gjithë ne.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, kemi përftuar një grup parimesh të cilat besojmë se janë kritike që Interneti të vazhdojë të sjellë përfitime si për të mirën e përbashkët, ashtu edhe për anën komerciale të jetës. Këto parime po i ravijëzojmë më poshtë.

Qëllimet e Manifestit janë:

  1. t’i japë formë përfytyrimit që bashkëpunëtorët e Mozilla-s dëshirojnë të ndiqet nga Mozilla Foundation;
  2. t’u flitet si atyre që kanë, ashtu edhe atyre që nuk kanë njohje teknike;
  3. t’i bëjë pjesëmarrësit te Mozilla krenarë për çka bëjnë dhe t’i nxisë të vazhdojnë kështu; dhe
  4. të furnizojë një kuadër për të tjerë persona që do të shtyjnë më para këtë përfytyrim të Internetit.

Këto parime nuk lulëzojnë vetë. Lypsen njerëz që ta bëjnë Internetin të hapur dhe dashamirës – njerëz që punojnë më vete, që punojnë tok në grupe, dhe që udhëheqin të tjerët. Mozilla Foundation i është përkushtuar shpënies më tej të parimeve të ravijëzuara te Manifesti Mozilla. Ftojmë edhe të tjerët të bashkohen me ne për ta bërë Internetin një vend akoma më të mirë për të tërë.

Parimet

  1. Interneti është pjesë e pandarë e jetës moderne–përbërës kyç në edukim, komunikim, bashkëpunim, biznes, dëfrim dhe në shoqërinë në tërësi.
  2. Interneti është burim i përbashkët mbarëbotëror dhe duhet të mbesë i hapur dhe i shfrytëzueshëm.
  3. Interneti duhet të pasurojë jetën e qenieve njerëzore.
  4. Siguria e individit në Internet është themelore dhe nuk mund të trajtohet si opsionale.
  5. Individit duhet t’i jepet mundësia të ngjizë vetë përvojën e tij në Internet.
  6. Efektshmëria e Internetit si burim i përbashkët varet nga ndërveprimi (protokolle, formate të dhënash, përmbajtje), risia dhe pjesëmarrja e decentralizuar anembanë botës.
  7. Programet e lira dhe me burim të hapët nxisin zhvillimin e Internetit si burim i përbashkët.
  8. Punimi me bazë bashkësinë, dhe i tejdukshëm, nxit pjesëmarrjen, përgjegjshmërinë dhe besimin.
  9. Ndërhyrjet komerciale në zhvillimin e Internetit sjellin mjaft përfitime; një drejtpeshim midis synimeve komerciale dhe të mirës së përbashkët është kritik.
  10. Rritja e anëve të Internetit që lidhen me përfitimin e përbashkët është qëllim me rëndësi, për të ia vlen të harxhohet kohë, kujdes dhe përkushtim.

Shpënia më tej e Manifestit Mozilla

Ka plot rrugë të ndryshme për të shpënë më tej parimet e Manifestit Mozilla. Ne i shohim me sy të mirë një gamë të gjerë veprimtarish, dhe parashikojmë të njëjtën shkallë krijimtarie që bashkëpunëtorët e Mozilla-s kanë treguar edhe në fusha të tjera të projektit. Për persona të papërfshirë thellë në projektin Mozilla, një rrugë themelore dhe tepër e efektshme për të mbështetur Manifestin është të përdoren Mozilla Firefox-i dhe të tjerë produkte në të cilat mishërohen parimet e Manifestit.

Zotimi i Mozilla Foundation-it

Mozilla Foundation zotohet të mbështesë Manifestin e Mozilla-s përgjatë veprimtarive të tij. Në veçanti:

  • do të ndërtojë dhe bëjë të mundura teknologji me burim të hapur dhe bashkësi që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të krijojë dhe shpërndajë produkte të fuqishëm konsumatori, që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të përdorë burimet e Mozilla-s (pronësinë intelektuale, të tilla si të drejtat e autorit dhe shenjat tregtare, infrastrukturën, fondet dhe famën) për ta mbajtur Internetin platformë të hapur;
  • do të nxisë modele krijimi vlerash ekonomike për të mirën publike;
    dhe
  • do të nxisë përhapjen e parimeve të Manifestit Mozilla në diskursin publik dhe brenda vetë industrisë së Internetit.

Disa veprimtari të Mozilla Foundation-it–hëpërhë krijimi, qarkullimi dhe përhapja e produkteve të konsumatorit–drejtohen së pari nga nëndegë në pronësi të plotë të Mozilla Foundation-it, Mozilla Corporation.

Ftesë

Mozilla Foundation fton gjithë të tjerët që mbështesin parimet e Manifestit Mozilla të bashkohen me ne, dhe të gjejmë rrugë të reja për ta bërë realitet këtë përfytyrim të Internetit.

Raporti vjetor “Gjendja e Mozilla-s” për vitin 2011

Mozilla Foundation sapo ka publikuar në rrjet raportin e saj vjetor mbi Gjendjen e Mozilla-s për vitin 2011.

Sipas Mitchell Baker-it, raporti “jep hollësi për synimet dhe nismat tona në të ardhmen, ndikimin tonë gjatë vitit të kaluar, veprimtaritë e Mozilla-s dhe të dhënat financiare të saj për 2011.”

Në Shqip materialin e gjeni këtu.

Clay Shirky sqaron pse PIPA dhe SOPA janë ide të dëmshme

Po e filloj nga këtu. Kjo është një tabelë e shkruar me dorë dhe u duk para ca vitesh në një furrë të zakonshme bukësh në lagjen time në Brooklyn. Dyqani kishte një nga ato makinat me të cilat mund të shtypësh mbi shtresa sheqeri. Kalamajtë mund të sillnin vizatime dhe dyqani ua shtypte mbi një shtresë sheqeri për ta vënë sipër tortës së ditëlindjes.

Mjerisht, vizatimet që u pëlqenin kalamajve qenë personazhet e filmave vizatimorë. U pëlqente Borëbardha, Pinoku u pëlqenin shtatë xhuxhët, Micky Mouse-i. Por ja që qenka e paligjshme të shtypësh vizatimin e Micky Mouse-it nga një fëmijë mbi një shtresë sheqeri. Dhe përbën shkelje të të drejtave të kopjimit. Dhe rregullat lidhur me kësi shkeljesh për tortat e ditëlindjeve të fëmijëve qenë kaq të ngatërruara sa që të zotët e furrës thanë, “Më mirë nuk po merremi fare me këtë punë. Po qe se vini si amator, nuk do ta përdorni më makinën tonë. Nëse doni figura mbi tortën e ditëlindjes, duhet të përdorni një nga figurat tona të gatshme — vetëm për profesionistët.”

Sot në Kongres kemi dy projektligje. Njëri quhet SOPA, tjetri quhet PIPA. SOPA do të thotë Akti mbi Ndalimin e Piraterisë Online. Dhe vjen prej Senatit. PIPA është shkurtim për PROTECTIP, që nga ana e vet është shkurtim për Parandalim Rreziqesh Realë Online ndaj Krijimtarisë Ekonomike dhe Vjedhjes së Pronësisë Intelektuale — ngaqë ndihmësit e Kongresit që u vënë emrin këtyre gjërave kanë kohë plot. Dhe ajo çka duan të kryejnë SOPA dhe PIPA është pikërisht kjo. Duan të rrisin koston e respektimit të të drejtave të kopjimit në atë pikë sa njerëzit thjesht të heqin dorë nga ofrimi i tij si një mundësi për amatorët.

Rruga që propozojnë për këtë është identifikimi i site-eve që cënojnë të drejta kopjimi — edhe pse qysh identifikohen këta site-e nuk specifikohet aspak në projektligje — e mandej duan t’i heqin nga sistemi i emrave të përkatësive. Duan t’i qërojnë nga sistemi i emrave të përkatësive. Sistemi i emrave të përkatësive është ai që shndërron emrat e kuptueshëm nga njerëzit, bie fjala Google.com, në një lloj adrese të përdorshme nga kompjuterët — 74.125.226.212.

Problemi tani me këtë model censure, identifikim i një site-i e mandej përpjekja për ta hequr nga sistemi i emrave të përkatësive, është se nuk ka për të funksionuar. Ju do të mendonit që kjo do të ishte shumë problem për një ligj, por duket se Kongresi nuk ua ka vënë dhe aq shumë theksin te kjo. Tani, arsyeja pse nuk do të funksionojë është se ju prapë mund të shtypni 74.125.226.212 te shfletuesi ose mund ta shndërroni në një lidhje të klikueshme dhe të hyni në të përmes Google-it. Kështu, te ligji, kërcënim i njëmendtë bëhet pjesa ndëshkimore lidhur me problemin.

E që të kuptoni si arriti Kongresi të hartonte një projektligj që nuk do të përmbushë synimet e deklaruara, por që do të prodhojë mjaft efekte anësore rrënuese, duhet të njiheni pakëz me historinë pas tij. Dhe historia pas tij është kjo: SOPA dhe PIPA, si legjislacion, qenë hartuar kryesisht nga kompani mediesh të themeluara në shekullin e 20-të. Shekulli i 20-të ishte i artë për të qenë kompani mediesh, ngaqë për ju punonte skarciteti. Nëse bënit një emision televiziv, s’kish nevojë të ishte më i mirë se krejt emisionet e bërë deri atëherë; duhej të ishte më i mirë se dy emisionet e tjera që jepeshin në të njëjtën kohë — e ky është standard shumë i ulët për vështirësinë në konkurrim. Që do të thoshte se nëse ofronit lëndë mesatare, kishit falas një të tretën e publikut të ShBA-ve — dhjetra milionë përdorues thjesht vetëm pse bëtë diçka që nuk qe krejtësisht e shpifur. Kjo është njësoj si të kishit licencë për të shtypur para dhe një fuçi me bojë falas.

Por teknologjia eci përpara, ashtu si bën teknologjia. Dhe dalëngadalë, në fund të shekullit të 20-të, atë skarcitet zuri ta hajë erozioni — dhe nuk e kam fjalën për teknologjinë dixhitale; E kam fjalën për teknologjinë analoge. Kasetat, regjistruesit me videokaseta, deri edhe makina e përunjur Xerox na krijuan mundësi të reja që të veprojmë me mënyra që e lanë me gojë hapur biznesin e medies. Sepse doli që nuk ishim vërtet sehirxhinj. Se nuk na pëlqen vetëm të konsumojmë. Na pëlqen të konsumojmë, por sa herë që mbërrinte një nga këto mjetet e reja, tregonim se na pëlqen edhe të prodhojmë dhe na pëlqen t’i ndajmë me të tjerët. Dhe kjo u kalli datën bizneseve të medies — çdo herë që ndodhi. Jack ValentiPër 38 vjetë president i Shoqatës Amerikane të Filmit, i konsideruar si një nga lobuesit pro të drejtave të kopjimit më me ndikim në botë
, që qe kryelobuesi për MPAA – Shoqata Amerikane e Filmit, dikur e krahasoi videoregjistruesin e pamëshirshëm me Jack the Ripper dhe Hollivudin e shkretë e të pambrojtur si një grua e vetme në shtëpi. Ky qe niveli i retorikës.

Ndaj industria e medies iu lut, insistoi, kërkoi që Kongresi të bënte diçka. Dhe Kongresi diç bëri. Në fillim të viteve ’90, Kongresi miratoi ligjin që ndryshoi gjithçka. Ai ligj quhej Ligji Mbi Regjistrimet Në Shtëpi i 1992-shit. Ligji Mbi Regjistrimet Në Shtëpi i 1992-shit thosh se, nëse njerëzit regjistrojnë diçka nga radioja dhe mandej krijojnë kaseta të përziera për miqtë, ky nuk është krim. Kështu jemi në rregull. Për incizimin, rimiksimin dhe ndarjen me miqtë nuk ka problem. Nëse prodhoni kopje me cilësi të lartë dhe i shisni, kështu nuk jemi në rregull. Por vetëm incizime të thjeshta…, pa problem, lëruani. Dhe menduan se me kaq u sqarua çështja, meqë vunë një kufi të qartë mes kopjimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm.

Por bizneset e medies nuk donin këtë. Ata donin që Kongresi ta bënte krejtësisht të paligjshëm kopjimin. Ndaj kur u miratua Ligji Mbi Regjistrimet Në Shtëpi i 1992-shit, bizneset e medies hoqën dorë prej idesë së dallimit mes kopjimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm ngaqë qe e qartë që nëse Kongresi vepronte brenda atij kuadri, kështu mund të shtoheshin të drejtat e qytetarëve për pjesëmarrje në hullinë tonë të medieve. Ndaj iu vunë planit B. Iu desh ca kohë të formulonin planin B.

Plani B, në trajtën e tij të plotë u pa më 1998-n — diçka e quajtur Digital Millennium Copyright Act. Që qe akt i ndërlikuar legjislacioni, me plot pjesë të pakapshme. Por goditja kryesore e DMCA-së qe shpallja si e ligjshme e shitjes së materialeve dixhitale të pakopjueshme — vetëm se materiale dixhitale të pakopjueshme nuk ka pa! Se kësaj i thonë, siç tha dikur Ed Feltoni në mënyrë të paharrueshme, “Si të të japin ujë që s’është i njomë.” Bitet janë të kopjueshëm. Kompjuterët këtë bëjnë. Kjo është efekt anësor i funksionimit të tyre bazë.

E kështu, që të bënte gjasme se po ju mundësonte shitjen e biteve të pakopjueshëm, DMCA-ja ligjëroi gjithashtu detyrimin tuaj për përdorim sistemesh që nxirrnin jashtë loje funksionin e kopjimit në pajisjet tuaja. Çdo pajisje DVD ose lojërash apo televizor, apo kompjuter që futnit në shtëpi — pavarësisht se ç’kujtonit se po merrnit kur e bletë — mund të ndryshohej nga industritë e medies, po qe se donin ta vinin këtë si kusht për t’ju shitur prodhime media. Dhe për t’u siguruar që nuk e morët vesh, ose që nuk do t’i përdornit aftësitë e tyre si pajisje të zakonshme kompjuterike, jua bënë të paligjshme provat për të rikthyer mundësinë e kopjimit të lëndës media. DMCA-ja shënon çastin kur industritë e medias hoqën dorë nga sistemi ligjor i dallimit mes kopjimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm dhe thjesht provuan që kopjimin ta parandalojnë përmes mjetesh mekanike.

DMCA pati, dhe vazhdon të ketë, plot efekte të ndërlikuara, por në një nga fushat, në atë të kufizimit të ndarjes me të tjerët, thuajse nuk ka funksionuar. Dhe arsyeja kryesore pse nuk ka funksionuar është se Interneti doli shumë më popullor dhe më i fuqishëm se sa e mendoi kush. Kasetat e dikurshme dhe buletinet e fansave, nuk janë asgjë përballë asaj çka shohim sot me Internetin. Jetojmë në një botë ku shumica e qytetarëve amerikanë mbi moshën 12 vjeç shkëmbejnë gjëra me njëri-tjetrin online. Me të tjerët ndajmë shkrime, figura, ndajmë audio dhe video. Ca nga këto janë gjëra të krijuara prej nesh. Ca janë gjëra që i gjejmë diku. Ca nga gjërat që ndajmë janë gjëra që i krijuam nga gjëra që gjetëm, dhe e tëra kjo u kall datën atyre industrive.

Pra PIPA dhe SOPA janë raundi i dytë. Por ndërsa ndërhyrjet e DMCA-së qenë kirurgjike — duam të mbërrijmë deri te kompjuteri juaj, te televizori juaj, te makina juaj e lojërave, dhe ta pengojmë të bëjë atë që thoshin në dyqan se bën — PIPA dhe SOPA janë si bomba atomike dhe thonë që, duam të shkojmë kudo në botë dhe të censurojmë lëndën. Mekanizmi për ta bërë këtë, siç e thashë, është që nevojitet të hiqet gjithçka që shpie në këto adresa IP. Lypset t’i hiqni ato prej motorëve të kërkimit, lypset t’i hiqni prej listave online, lypset t’i hiqni nga listat e përdoruesve. Dhe meqë prodhuesit më të mëdhenj të lëndës në Internet nuk janë Google dhe Yahoo, ata jemi ne, jemi ne ata që do të ndiqemi. Ngaqë në fund fare, kërcënimi i njëmendtë që shpuri te PIPA dhe SOPA është aftësia jonë për të ndarë gjëra me njëri-tjetrin.

Pra ajo që rrezikon të bëjë PIPA dhe SOPA është marrja e konceptit ligjor shumëshekullor, i pafajshëm deri sa të ta provojnë fajësinë, dhe ta kthejë së prapthi — fajtor deri sa të të nxjerrin të pafajshëm. Nuk mund ta ndani me të tjerët pa na treguar se nuk po ndani diçka që nuk na pëlqen neve. Papritmas, pesha e vërtetimit të të ligjshmes kundrejt të paligjshmes bie pa hezitim mbi ne dhe mbi shërbimet që mund të na ofrojnë neve aftësitë të reja. Edhe pse survejimi i një përdoruesi kushton vetëm disa qindarka, prej kësaj do të shkatërrohej një shërbim me miliona përdorues.

Pra ky është Interneti që kanë ata në mendje. Përfytyrojeni këtë shenjë ngado — vetëm se në vend të College Bakery, përfytyroni që lexohet YouTube apo Facebook, apo Twitter. Përfytyroni se shkruan TED, ngaqë komentet nuk vihen dot në brazdë me ndonjë kosto të pranueshme. Efektet e njëmendta të SOPA-s dhe PIPA-s kanë për të qenë tjetër nga efektet e propozuara. Kërcënimi në fakt është te përmbysja e pikës se kujt i takon të provojë pafajësinë, pas të cilës të gjithë ne papritmas trajtohemi si të ishim hajdutë sa herë që na jepet liria të krijojmë, të prodhojmë dhe të ndajmë me të tjerët. Dhe njerëzve që na mundësojnë këto aftësi — ata të YouTube-it, Facebook-ut, Twitter-it dhe TED-it — u duhet tani të mos na i ndajnë sytë, ose të jenë edhe ata në valle për favorizim shkeljesh të ligjit.

Që të ndihmoni të ndalet kjo mund të bëni dy gjëra — një të thjeshtë dhe një të ndërlikuar, një gjë të lehtë dhe një të vështirë. Gjëja e thjeshtë, e lehta, është kjo: nëse jeni shtetas amerikan, telefonojini përfaqësuesit tuaj, senatorit tuaj. Po të shihni personat që kanë nënshkruar projektligjin SOPA, ata që kanë nënshkruar PIPA-n, do të shihni se të tërë tok kanë marrë miliona e miliona dollarë nga industritë tradicionale të medies. Ju nuk keni miliona e miliona dollarë, por mund t’u telefononi përfaqësuesve tuaj, dhe t’u kujtoni që ju votoni, dhe mund të kërkoni që të mos trajtoheni si vjedhës, dhe mund t’u sugjeroni që do të parapëlqenit që Internetit të mos i viheshin minat.

Nëse nuk jeni qytetar amerikan, mund të lidheni me qytetarë amerikanë që njihni dhe t’i nxisni të bëjnë të njëjtën gjë. Ngaqë kjo duket sikur është çështje kombëtare, por ja që s’është. Këto industri nuk do të kënaqen me minimin e Internetit tonë. Nëse e shkatërrojnë, do ta shkatërrojnë për të gjithë. Kjo qe gjëja e lehtë. Kjo qe gjëja e thjeshtë.

Gjëja e vështirë është: përgatituni, ngaqë të tjera po vijnë. SOPA është thjesht një rikthim i COICA-s, i cili qe paraqitur vitin e shkuar, dhe që nuk u miratua. Dhe krejt kjo lidhet me dështimin e dikurshëm të DMCA-së për moslejimin e ndarjes me të tjerët në rrugë teknike. Dhe DMCA-ja lidhet me Ligjin Mbi Regjistrimet Në Shtëpi, që u kalli datën këtyre industrive. Ngaqë krejt meseleja e të sugjeruarit se dikush po cënon ligjin e mandej mbledhjes së fakteve dhe provimit të kësaj, del se është vërtet e sikletshme. “Do të donim që të mos e bënim,” shprehen industritë e medies. Dhe ajo çka duan është të mos u duhet të bëjnë kështu. Nuk duan dallime ligjore mes ndarjes së ligjshme dhe të paligjshme me të tjerët. Duan thjesht që ndarja me të tjerët të zhduket.

PIPA dhe SOPA nuk janë çudira, nuk janë anomalira, nuk janë ngjarje. Janë shtrëngimi i radhës i kësaj vidhe të veçantë, që shtrëngohet e shtrëngohet këtu e 20 vjetë. Edhe po i mposhtëm këto, siç shpresoj, të tjera do të vijnë. Sepse deri kur ta bindim Kongresin se rruga për t’u marrë me cënimin e të drejtave të kopjimit është rruga që u ndoq për këtë punë me Napster-in, me YouTube-in, që është gjyqi me krej provat e paraqitura dhe përcaktimi i fakteve dhe i zgjidhjeve siç bëhet në shoqëritë demokratike. Kjo është rruga për ta zgjidhur këtë.

Ndërkohë, gjëja e zorshme është të jemi gati. Sepse ky është mesazhi i njëmendtë i PIPA-s dhe SOPA-s. Time Warner foli dhe na duan prapë të gjithëve në divan, thjesht për të konsumuar — jo të krijojmë, jo të ndajmë me të tjerët — dhe duhet t’i themi “Jo.”

Mjete Firefox-i për Zhvillues Web

Versionet më të reja të shfletuesit të njohur Firefox përfshijnë tani mjete që lejojnë shqyrtim të shpejtë të elementëve të një faqeje Web. Në këtë mënyrë u jepet mundësia zhvilluesve të faqeve Web të shohin vetitë e këtyre elementeve, të cilat pastaj mund t’i imitojnë gjatë punës së tyre.

Për një përshkrim përmbledhës të këtyre veçorive të reja shihni videon e shkurtër të mëposhtme:

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.