Arkivë për Kategorinë 'Web'

Historia e Mozilla-s me pak fjalë

Një video që ilustron grafikisht dhe hijshëm historinë e derisotshme të Mozilla-s dhe misionit të saj:

Transkriptimi i videos, për nevoja të çfarëdoshme, vijon më poshtë:

Në fillimet e veta web-i qe i thjeshtë, i ndërlidhur, i hapët, i sigurt,  i konceptuar si një forcë e së mirës, por do të shndërrohej në diçka shumë më të madhe, një ekosistem i gjallë, që merr frymë në shërbim të njerëzimit, një burim publik për risi dhe mundësi. Një vend për të vënë në jetë ëndrrat tuaja.

Por në ato fillime, si për çdo ekosistem, web-i kish nevojë për mëkim. Ndërkohë që rritej, përdoruesit u ndeshën me sfida të reja. Flluska. Viruse. Mungesë zgjedhjesh. Ngastra përmbajtjeje pas muresh të lartë. Web-i filloi të të fuste frikën. U bë i ngadaltë, i ndërlikuar, i frikshëm. Përdoruesit zunë të pyesnin: pra, kaq e pati? Apo web-i mund të ishte diçka më e mirë?

Një grup i vogël personash, programuesa, grafistë, idealistë, besonin se mund të bëhej i tillë. Dhe patën një ide të guximshme:  një organizëm i vogël jofitimprurës dhe një bashkësi globale mund të krijonin diçka më të mirë dhe të fusnin në Web ide të reja dhe risi. E quajtën projekti Mozilla. Zunë fill duke krijuar një shfletues Web të një lloji të ri. Atë që sot e njohim si Firefox. Dhe e bënë jofitimprurëse, që njerëzit që përdornin Web-in të viheshin mbi gjithçka. Më shumë se sa një program, qe një platformë që gjithkush mund ta përdorte për të sendërtuar idetë e veta. Bezditë zunë të pakësoheshin. Filluan të shfaqen themelet e Web-it që njohim sot.
Sot Web-i është një vend ku mund të ngrini thuajse çfarëdo gjëje që ju vjen në mend. Mozilla dhe Firefox-i ekzistojnë për të ndihmuar njerëzit ta rrokin këtë mundësi kudo dhe të dalin në ballë të përdoruesve, në një botë ku mundësia e zgjedhjes dhe kontrolli janë të rrezikuara shumë shpesh.
Por, po sikur Firefox të qe vetëm fillimi? Po sikur të qe pjesë e diçkaje më të madhe? Nga privatësia e përdoruesit te Firefox Mobile, te zbatimet dhe identiteti, po i zgjerojmë  çdo ditë kufijtë e web-it Dhe po shkojmë më tej se sa software-et. Po ndihmojmë në formimin e një brezi ndërtuesish web. Besojmë se web-i është një vend ku cilido
mund të vijë të materializojë ëndrrat e veta. Ja pse e krijuam Firefox-in. Ja pse dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë në krijimin e produkteve tona. Ja pse qindra milionë anembanë botës përdorin programet tona. Por më e rëndësishmja — ja pse gjithmonë ju vëmë juve mbi gjithçka, dhe përballemi me ata që nuk e bëjnë këtë.

Miliona vetë na dinë si Mozilla Firefox. Por jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një organizëm jofitimprurës që lufton për mbrojtjen e web-it që të gjithë e duam. Bashkohuni me ne – na duhet përkrahja juaj. Bëni një dhurim.

Mirazhi i Sigurisë sipas Bruce Shcneier-it

Ndjesia jonë dhe realiteti i sigurisë jo gjithmonë përputhen, shprehet eksperti i sigurisë Bruce Shcneier. Në TEDxPSU, ai shpjegon pse shpenzojmë miliarda për t’u marrë me rreziqet që tregohen në lajme, të tilla si “teatri me sigurinë” që po luhet tani në aeroportet tona, ndërkohë që lihen pas dore rreziqe më me probabilitet — dhe se si mund ta heqim këtë huq.

Bruce Schneier përsiat fort rreth sigurisë — si guru i sigurisë në kompjutera, dhe si filozof i një nocioni më të gjerë mbi shndërrimin e botës në më të sigurt

Bruce Schneier është profesionist dhe autor i mirënjohur në shkallë ndërkombëtare në fushën e sigurisë. I karakterizuar nga The Economist si “guru i sigurisë,” njihet më tepër si zë kritik dhe komentues i kthjellët dhe i ndritshëm për temat e sigurisë. Kur njerëzit duan vërtet të dinë se si funksionon siguria, ata i kthehen Schneier-it.

Suksesi i i tij i parë, Kriptografi e Zbatuar, shpjegonte se si funksionon faktikisht shkenca e mistershme e kodeve sekrete, dhe u përshkrua nga Wired si “libri që Agjencia Kombëtare e Sigurisë nuk donte të botohej kurrë.” Libri i tij mbi sigurinë në kompjutera dhe rrjete, Sekrete dhe Gënjeshtra, u quajt nga Fortune “[një] kuti xhevahiresh surprizash të vockla që mund t’i përdorni.” Përtej Frikës merret me problemet e sigurisë, të vogla dhe të mëdha: siguria personale, krimi, siguria në shkallë korporate, siguria kombëtare. Libri i tij i fundit, Schneier-i mbi Sigurinë, ofron opinione mbi gjithçka, nga rreziku i vjedhjes së identitetit (gjerësisht i mbivlerësuar) te rreziku me shtrirje të gjerë i sigurisë nga fuqitë e pakontrolluara të presidentit, dhe mbi një rrugë çuditërisht të thjeshtë për zgjedhje të pamanipulueshme.

Schneier boton një buletin mujor falas, Crypto-Gram, me mbi 150 000 lexues. Gjatë dhjetë viteve të botimit të rregullt, Crypto-Gram është shndërruar në një nga forumet e lexuara më tepër për diskutimet e lirshme, kritikat e mprehta dhe debatet serioze lidhur me sigurinë. Dollibash kokëshkretë i sofrës, Schneier-i shpjegon, zbërthen dhe nxjerr mësime nga historitë që lajmet peshkojnë mbi sigurinë.

 

 

Simbol i butë dhe leshator

Emri i shfletuesit të famshëm vjen prej këtij lloji dhelpre, këlyshë të së cilës mund t’i shihni drejpërsëdrejti në ndarjen e tyre në parkun zoologjik të Knoxville-it. Të vegjëlve patjetër qo do t’ju pëlqejë pamja. Kurse të rriturit do të fillojnë kështu miqësimin e tyre me Firefox-in.

Raporti Vjetor Mbi Gjendjen e Mozilla-s

Një mini-site i ri që përmban raportin vjetor mbi Gjendjen e Mozilla-s për 2010. Një lloj hyrje në botën Mozilla për ata që pak dinë, ose aspak, për misionin dhe veprimtaritë e bashkësisë Mozilla

Fjala e shkurtër e presidentes së Mozilla-s mund të shihet në Shqip duke përzgjedhur Shqipen te menuja që hapet me videon prej kësaj lidhjeje.

Shfaqni përkrahjen tuaj për një Web të hapur

Mozilla Firefox Mark Up është një projekt i Mozilla-s i konceptuar për t’u dhënë mundësi përdoruesve të Internetit të shprehin në mënyrë grafike përkrahjen e tyre për një Web të hapët.

Web-i është krijesë e jona. Dhe Mark Up është një ftesë e hapët për të treguar përkrahjen tuaj për mbajtjen e Web-it të hapët dhe të mundshëm për këdo. Lini dhe ju shenjën tuaj.

Markup-i në punë e sipër

Markup-i në punë e sipër

Bashkësia Mozilla beson në ndarjen me të tjerët të frymës krijuese. Beson se gjithçka në Web do të duhej të ishte e përdorshme nga njerëzit që kontribuojnë në të.

Ja si shprehet Lawrence Lessig, mbrojtësi i respektuar i Web-it të hapët:

Një Rrjet i hapët e përfshin kulturën e lirë. Kjo nuk do të thotë mosrespektim i të drejtave të kopjimit të të tjerëve. Përkundrazi, do të thotë krijimi i mundësive për të tjerët të shkëmbejnë dhe krijojnë vepra që të pëlqehen në Rrjet. Vini në jetë lirinë që prisni prej të tjerëve, duke dhënë leje mbi veprën tuaj aq lirisht sa mundeni.

Web-i është pjesë e pandarë e jetës moderne. Është një mësues, një përçues, një argëtues, një frymëzues, një bashkëpunim i krejt përpjekjeve tona krijuese. Ndez lëvizje dhe na lejon të shkëmbejmë idetë tona, mendimet tona, ëndrrat tona. Web-i është krijesë e jona. Të gjithë jemi pjesëmarrës, jemi ne ata që e përdorin Web-in çdo ditë. Krejt komentet dhe ngarkimet që bëjmë shtojnë diçka në një gjë më të madhe. Kjo është arsyeja pse besojmë që Web-i duhet të mbetet i hapët dhe i mundshëm për këdo. Mark Up është një kremtim i kësaj lirie. Shenja e çdo personi është shprehje individuale në një vijë të vazhduar që simbolizon solidaritetin. Është një deklarim dhe një shans që të shfaqni mbështetjen tuaj për Web-in e popullit.

Web-i na takon të gjithëve ne. Lini shenjën tuaj dhe shpalosni përkrahjen tuaj për burimin publik më të madh të botës.

Mark Up do të lejojë krijimin e një koleksioni shenjash individuale në Web, për të festuar ekzistencën e burimit më të madh publik në botë, duke i dalë zot pronësisë së Web-it.

Larry Lessig dhe krijimtaria në epokën digjitale

Larry Lessig, një nga figurat qendrore të debateve për çështje ligjore që prekin përdorimin e Internetit, diskuton shkurt në këtë video mbi ligjet e të drejtave të kopjimit dhe ndikimin e tyre në krijimtarinë e sotme që shfrytëzon përparimet teknologjike. Lessig flet kundër përshtatjes së shoqërisë me faktin që duke kopjuar majtas djathtas pa fre, përdoruesit e sotëm janë të vetëdijshëm se janë kundra-vajtje. Problemi është, shprehet Lessig-u, se kjo vetëdije është tejet gërryese për individin dhe për shoqërinë. Ndaj kemi nevojë të ngutshme që ligji të përshtatet me situatën e re dhe të ndihmojë kundër gërryerjes së shoqërisë.

Provoni të Ardhmen e Web-it përmes Web O’ Wonder

Në prag të hedhjes në qarkullim të Firefox 4, Mozilla ju fton të shihni një galeri demonstrimesh të krijuara me fjalën e fundit të teknologjive për Web, tek Web O’ Wonder. Shembujt e paraqitur tani janë vetëm fillimi. Ato ilustrojnë veçoritë e reja teknike të Firefox 4-s, të tilla si HTML5, CSS3, WebGL, SVG.

Web O' Wonder

Përveç demonstrimeve, te Web O’ Wonder mund të njiheni me mënyrën se si funksionon secila, çfarë teknologjish përdor dhe të shihni edhe intervista video me krijuesit e tyre. Kodi burim i demonstrimeve gjendet në Github, e kështu cilido i interesuar mund ta përdorë si pikënisje për eksperimente të ngjashme.

Teknologjitë e ilustruara nga këto demostrime janë me burim të hapur, ndaj edhe i takojnë të ardhmes së site-eve Web, jo thjesht Firefox-it. Me to programuesit për Web kanë në dorë mjete për t’ia ndryshuar pamjen internetit. Ca shembuj i gjeni te kjo galeri, shembuj që do t’ju lejojnë të shihni shfletuesin të bëjë gjëra mahnitëse pa përdorur shtojca.

Për t’i parë demonstrimet ashtu siç janë menduar për t’u dukur, shfletuesi juaj duhet t’i mbulojë këto teknologji të reja. Deri më sot Firefox 4 Beta+ dhe Chrome 9+ mund t’i shfaqin si duhet. Shfletuesit e tjerë do të munden kur të kenë ofruar mbulim për to. Gjithashtu, demonstrimet përdorin WebGL (teknologji e përdorur për të krijuar grafikë 3D) e që funksionon  vetëm në hardware modern. Nëse hasni vështirësi, provoni të përditësoni përudhësit e kartës grafike. Nëse kjo nuk jep rezultat, klikoni mbi “Shihni Videon” që të shihni një video të demonstrimit.

Video mbi përshpejtimin hardware te Firefox 4 Beta

Në këtë video të shkurtër, pak më tepër se 4 minuta, Tristan Nitot, president i Mozilla Europe-s, shpjegon thjesht se çfarë është dhe çfarë sjell përshpejtimi hardware te Firefox 4 Beta:

Stallman dhe lindja e Software-it të Lirë

Një copëz nga një emision i BBC-së, në të cilën përshkruhet fare shkurtimisht lindja e Software-it të Lirë:

Firefox 4 Beta 7 – Njihuni me Firefox-in e Ri

Firefox 4 Beta vjen me një ndërfaqe të përditësuar, për të gjitha platformat, më elegante dhe më e lehtë për t’u përdorur.  Me vendosjen e tyre të re, skedave iu është dhënë përparësia kryesore në anën pamore, për një shfletim më intuitiv dhe të efektshëm. Grupimi dhe, më gjerë, administrimi në përgjithësi i skedave është bërë më i kollajtë, duke e vënë theksin te përbërësja pamore e këtij akti.

Të rejat te Firefox 4

Tanimë me Firefox Sync mund të njëkohësoni rregullimet, fjalëkalimet, faqerojtësit, historikun, skedat që kishit hapur para se të dilnit, dhe të tjera personalizime të këtij lloji, mes instalimeve të Firefox-it në pajisje të ndryshme (kompjuter, telefona celular, iPad, etj). Kështu do ta keni me vete Firefox-in tuaj,  kudo që të gjendeni.

njëkohësuesi

Firefox 4 Beta sjell përmirësime të mëdha në performancë, përfshi një motor të ri për JavaScript, JägerMonkey-in e Mozilla-s . Ndryshimin do ta vini re menjëherë te koha më e shkurtër e nisjes, apo te koha që i duhet për të paraqitur grafikë, dhe në përgjithësi në shpejtësi më të madhe gjatë ngarkimit të faqeve.

Në pararojë të zbatimit të standardeve HTML5 për videot, Firefox-i mbulon formatin WebM, që kështu të mund të shihni video në cilësi HD. Veç kësaj, mbulimi i HTML5-s e bën Firefox 4 të jetë gati të xhirojë zbatimet web më të mira të sotme dhe të nesërme.

Mbulimi i karakteristikave të reja CSS3, të tilla si Transitions dhe Transformations e bën të lehtë të shtohen animacione elegante në faqet Web.

Figurat SVG, që tani mbulohen nga Firefox-i, mund të përdoren për të prodhuar faqe web mahnitëse dhe që nuk shkojnë ndesh me performancën e site-it.

JetPack SDK lejon tashmë instalimin e shtesave Firefox pa qenë nevoja të riniset shfletuesi.

Firefox-i mundëson shfletim të pandërprerë në Windows, Linux, tani edhe Mac, edhe kur bllokohet shtojca Adobe Flash, Apple Quicktime ose Microsoft Silverlight. Nëse një nga këto shtojca të përdorura rëndom vithiset ose bllokohet, pjesa tjetër e Firefox-it nuk do të preket. Thjesht mund të ringarkoni faqen që të riniset shtojca dhe të riprovoni.

Firefox-i tani pranon urdhra nga ana e një site-i për kalim vetvetiu në lidhje të sigurt (https), në rast se kapen sulme mbi të dhëna të rezervuara ndërkohë që vizitohet site-i.

Disa video përshkruese të veçorive të reja që do të gjeni te Firefox 4 mund t’i shihni (në Anglisht) prej këtej. (Shihni për rrethin me një trekëndësh brenda – shenja që duhet klikuar për secilën video.)

Për ta shkarkuar mjafton të klikoni këtu. Pas kësaj mos harroni të jepni përshtypjet tuaja duke përdorur mekanizmin që ofron vetë programi. Vlerësimin tuaj do shihni të shfaqet te kjo faqe.

« Faqja e MëparshmeFaqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.