Arkivë për etiketën 'bashkësi'

Merrjani Dorën Web-it – një seri përkujdesoresh të shkurtra mbi përdorimin e Internetit

E para i kushtohet sigurisë kibernetike dhe e gjeni këtu.

Vota e 24 Shkurtit për të ardhmen e Internetit që njohim dhe duam

Një Akt Rregullator i propozuar në mjediset e Parlamentit Europian rrezikon seriozisht hapjen e shtigjeve për krijimin e një interneti me disa “klase udhëtimi”, apo kasta, siç stigmatizohet me të drejtë nga kritikët. Gjë e cila, deri tani, për shkak të vigjilencës mbi asnjanësinë në rrjet, nuk është parë në Internetin që njohim dhe përdorim.

Akti Rregullator i propozuar kërcënon seriozisht lirinë në linjë të njerëzve. Fati i betejës për një Internet të hapur që po zhvillohet pikërisht tani në Bruksel, do të vendoset më 24 Shkurt, kur eurodeputetët të votojnë propozimin. Nëse propozimi miratohet ashtu siç është paraqitur, “shërbimet e specializuara” do të ishin shërbime me pagesë për gjëra që deri më sot ne në Internet i bëjmë pa pagesë shtesë, veç asaj të pajtimit në Internet. Cilësia e pjesës tjetër të Internetit, jo asaj që ka të bëjë me kompanitë shumëmiliardëshe, por e projekteve të ndryshme, të tillë si Wikipedia, për shembull, do të bjerë shumë.

Por përkeqësimi i cilësisë së lëndës që ne konsumojmë në Internet është më e pakta. Akti rrezikon t’u japë pushtet ofruesve të shërbimit internet të vendosin se çfarë mundemi të bëjnë në Internet, dhe çfarë jo. Pra, shndërrimin e tyre potencial në një lloj policie Interneti.

Në kushte të tilla, për shkak të buxhetit kolosal të kompanive shumëmiliardëshe, mbytja prej tyre e konkurrencës do të ishte shumë e lehtë se sot. Dhe shumë më e egër. Për gjithçka risore, klima që mbështet lulëzimin e sotëm do të humbte ose goditej rëndë.

Për një paraqitje më të hollësishme të gjendjes, argumenteve, prognozave (disa prej tyre të faktuara tashmë) shihni te sajti i hartuar enkas.

Çfarë është Asnjanësia në Rrjet?

 

Asnjanësi në rrjet do të thotë trajtim i barabartë i të gjitha të dhënave.  Ja, si këto pakete të dhënash.  Asnjanësia në rrjet do të thotë që përdoruesit si ne të vendosin se cilat pajisje, software, shërbime, dhe sajte web përdoren. Përdorimi i rrjetit duhet të jetë i hapët dhe pa palë të treta që të na thonë se çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Pse duhet t’ju hyjë në xhep?

Sepse është një gjë e mahnitshme prej së cilës përfitoni çdo ditë dhe ngaqë kjo gjë e mahnitshme është në rrezik.

Ose më saktë:

Një rrjet asnjanës nuk shfaq diskriminim kundrejt dërguesit, lëndës, ose marrësit të paketeve të dërguar të të dhënave. Nuk bën ndonjë dallim se sa paguan për shërbimin dërguesi apo marrësi, ç’lloj zbatimi, ose ç’protokoll e dërgon apo e merr paketin.

Ose me fjalë më të thjeshta…

Përfytyrojeni web-in si një rrugë në të cilën lëvizin paketet e të dhënave. Kjo rrugë lidh krejt kompjuterët që janë të lidhur në internet. Në kryqëzimet e këtyre rrugëve gjenden rrugëzuesit, të cilët drejtojnë paketet e të dhënave në rrugën e duhur për në vendmbërritje. Rrugëzuesve nuk u bëhet vonë se kush vjen. As pyesin se si duket, nga erdhi, ku do të vejë, apo se ç’lëndë kanë me vete.

Me këtë mënyrë unë mund të komunikoj drejtpërsëdrejti me miqtë e mi, edhe kur ata gjenden në një kontinent tjetër, paguajnë çmim të ndryshëm nga i imi, ose kanë tjetër ISP nga unë. Mund ta përdor internetin për të vizituar çfarëdo sajti web ose të luaj çfarëdo loje, pavarësisht se kush e ofron ose se ku gjenden shërbyesit që e bëjnë të mundur. Mund të shoh çfarëdo videoje apo të lexoj çfarëdo blogjesh nga e gjithë bota, dhe mund të marr pjesë në nisma dhe projekte me burim të hapur. Të gjitha këto mund t’i bëj pavarësisht se për t’u futur në internet përdor tablet, laptop, PC, ose pajisje celulare.

Për këtë është interneti. Kjo është mënyra se si presim që ai të funksionojë.
Prej këtyre rrjetesh asnjanëse komunikimi përfitojmë të gjithë ne, si bashkësi. Ata garantojnë hyrjen tonë në krejt lëndën e gatshme në web-in mbarëbotëror.

Prej kësaj, ofruesit e rrjeteve kanë fituar miliarda gjatë viteve të fundit. Asnjanësi në rrjet: një ide mahnitëse për të gjithë ne.

Ku fle lepuri?

Ofruesit e telekomunikacioneve tani pretendojnë se këto rrugë të përfytyruara të dhënash mund të jenë pre e mbingarkesës së trafikut. Ata duan ta shfuqizojnë konceptin e asnjanësisë në rrjet. Sigurisht që kjo nuk është e vërtetë, ngaqë rrjetet e të dhënave nuk janë rrugë të njëmendta. Siç e dimë nga prodhuesit e hardware-it të kësaj infrastrukture rrjeti, ka aftësi të pamata të pashfrytëzuara te rrjeti. Pa përmendur pastaj që operatorët e rrjeteve të shpërndarjes së lëndës na tregojnë se trafiku i të dhënave kushton në mënyrë të pabesueshme fare pak.

Atëherë pse i bëjnë këto pretendime kompanitë e telekomunikacionit?

Vite me radhë furnizuesit e lidhjeve kanë vërejtur me xhelozi qendrat e mëdha të fitimeve të IPS-ve: ofrues lënde, motorë kërkimesh, platforma videosh dhe rrjete sociale. Të tërë këta duan pjesën e tyre prej këtyre fitimeve, ndërkohë që epoka dixhitale zvogëlon burimet tradicionale të të ardhurave. Pra, ata duan jo vetëm të transportojnë, por gjithashtu të keni pushtet dhe kontroll mbi çfarëdo që transportohet.

Si duan ta kryejnë këtë?

Për t’ia arritur kësaj, shërbimet e telekomunikacionit kanë menduar t’i ndajnë të dhënat në kategori, ose më mirë të themi kasta. Kasta më e përulur e këtij sistemi do të ishte interneti i zakonshëm, që do të kihej vetëm për një sasi të kufizuar të dhënash, dhe që do t’i duhej të zinte karriget e fundit, pas kastave të larta, gjatë dërgimit të të dhënave nëpër rrjet. Kasta më e lartë përmban lëndë nga mundësuesit e hyrjes në internet, ndarazi nga vetë interneti, dhe do të gëzonte trajtim me hatër dhe përdorim të pakufishëm – kuptohet nëpërmjet tarifash ekstra. Mes këtyre dy skajeve, ka plot variacione të mundshme.

Për shembull, një kastë për të dhënat nga rrjetet sociale që shtojnë një haraç trafiku të dhënash për shërbimin e këtij rrjeti social. Kjo sigurisht do të thotë që përdoruesit të shërbimit do t’i duhet të paguajë një tarifë ekstra për pajtimin në të. Në të njëjtën mënyrë, mund të sendërtohet një shërbim ekstra që ofron lojëra për konsola ose lexim gazetash në linjë. Ata do të ishin ndaras nga interneti dhe mund të zbatohen pagesa si mbi shpërndarjen e shërbimit, ashtu edhe mbi klientët e tij. Ofertat konkurruese mund të kufizohen ose bllokohen fare.

E si bëhet kjo?

Le t’i kthehemi sërish përfytyrimit të rrjeteve të të dhënave si rrugë. Rrugëzuesi, i cili fillimisht drejtonte të dhënat në rrugën e duhur, do të përditësohej me një stacion kalimpagesash që skanon të dhënat dhe i ndan ato sipas kastash. Në varësi të kastës, ata mund të përdorin një rrugë speciale që është veçuar nga rruga kryesore, për ta përdorur këtë rrugë speciale për mbërritje më të shpejtë në destinacion. Nëse paguani kalimpagesë për kastë më të ulët, për to do përdoret rruga më e ngadaltë, e zakonshmja.

Nëse nga dërguesi nuk bëhet pagesë për të dhënat, atyre do t’u caktohet një kastë më e ulët dhe do t’u lejohet vetëm përdorimi i rrugës kur është e zbrazët dhe kur nuk ka shumë pakete të dhënash që kanë kaluar nëpër stacionin e pagesave. Në qofshin prej programesh, shërbimesh, lënde ose dërguesish që nuk pëlqehen nga furnizuesi i telekomunikacionit, mund të ngadalësohen tej mase, të përzgjidhen, dhe mundet edhe të asgjësohen.

Për më tepër, nëse nuk qe e qartë: ne si konsumatorë paguajmë përherë, pavarësisht se një shërbim, në pozicionin e dërguesit, paguan apo jo kalimpagesa. Për pasojë, trafiku ynë i të dhënave mund të kufizohet dhe neve të na duhet të paguajmë më tepër tarifa trafiku të dhënash.

Ç’do të thotë kjo?

Shërbimet jokomerciale dhe projektet nga bashkësi, të tilla si Wikipedia për shembull, mund të mos e arrijnë dot këtë pagesë kaste dhe pasja e tyre të kufizohet, ose të bëhet krejtësisht e pamundur.
Komunikimet e drejtpërdrejta me miq dhe të njohur të filtrohen, ose të bllokohen si rivale të modeleve të shërbimit dhe tregtisë që kanë zënë vend tashmë.
Pasi një infrastrukturë e tillë kontrolli dhe filtrimi të jetë ndërtuar dhe vënë në punë, filtrimi dhe hedhja tej e të dhënave të padëshiruara, të tilla si oferta dhe shërbime konkurruese, mund të bëhet kollaj. Më pas, filtrimi i opinioneve, informacioneve apo pikëpamjeve politike lyp vetëm një ndryshim të vogël në rregullimet e sistemit.

Dhe po i lanë të kryhen cenimet e asnjanësisë së rrjetit?

Një proces i tillë është shumë e vështirë të prapësohet, edhe sikur të qe e mundshme.
Do të humbnim larminë e internetit, shumëllojshmërinë e mundësive përmes të cilave i japin formë atij.
Do të humbnim shumë lëndë, ngaqë furnizuesit nuk do t’ia dalin dot më të paguajnë tarifat e ndërmarrjeve të telekomunikacionit.
Do të humbnim konkurrencën e lirë dhe me këtë shfaqjen e shërbimeve të reja nga kompani më të vogla apo nga projekte bashkësish.

Hyrja e lirë që gëzojmë sot në lëndë dhe informacione do të mbarojë.

Do të kishim një model interneti me dy, tre ose katër klase, ose madje jo thjesht një internet, por disa, dhe në rrjete të ndryshme, do të mund të kihet lëndë e ndryshme. Diçka e ngjashme me një grup kanalesh TV prej një pakete transmetimesh me pagesë, ku përveç programeve bazë, ka programe me pagesë çmimi i të cilave ndryshon në varësi të kanalit.

Do të mund të hynit vetëm atje ku ofruesit duan dhe presin që të jetë me fitim.
Regjimi i operatorëve të rrjetit do të kufizonte keqas lirinë e sotme të informacionit në internet. Dhe këtë humbje do të na duhet ta paguajmë edhe më shumë.

Megjithatë, ofruesit tanë thonë se nuk do ta bënin kurrë këtë; se është thjesht diçka si një rritje çmimi!
Ama, është vërtetuar se ofruesit e telekomunikacioneve na gënjejnë sy për sy lidhur me ligjshmërinë e argumenteve rreth goditjes së asnjanësisë së rrjetit. Për shembull, pretendimi i mospasjes së kapaciteteve, ose se vendet me ligje për asnjanësinë e rrjeti do të shpinin në lidhje më të ngadaltë interneti.
Kur kanë gënjyer deri këtu, çne të na tregonin të vërtetën, kur premtojnë se me paratë shtesë do të ndërtojnë një rrjet më të shpejtë, teksa pretendojnë se nuk do të sitin të dhënat tona, ndërkohë që kjo u duhet për ta vënë në punë sistemin e kastave?
Si mund ta ruajnë pasurinë e internetit dhe konkurrencën me një sistem të tillë?

Prandaj:

Protestoni tok me ne!
Kërkoni dispozita ligjore për asnjanësinë në rrjet në vendin tuaj dhe në BE!
Kërkoni trajtim të barabartë të të dhënave!
Kundërshtoni trajtimin me hatër të të dhënave me pagesë në shkëmbim të një trajtimi më të keq për të dhënat tuaja personale!
Kundërshtoni kyçjet e rrjeti dhe ngadalësimet artificiale!
Luftoni për një rrjet komunikimesh të hapur dhe të lirë, nga i cili përfitojmë të gjithë tok si bashkësi!
Kërkoni trafik të pamanipuluar të dhënash!
Mos pranoni diskriminim ose dhënie përparësish të të dhënave, pavarësisht se për ç’arsye!
Askush nuk ka të drejtë të zhbirojë në trafikun tonë. Asgjë nuk e përligj.
Të gjithë kemi të drejtën për asnjanësi rrjeti, madje edhe në rrjetet e celularëve!

Rrjet të njëmendtë, tani dhe në të ardhmen!

Shënim: Teksti është përkthimi i një videoje që mund ta shihni këtu

Software-i i Lirë Tani Është Edhe Më i Rëndësishëm

nga Richard Stallman

Një version thelbësisht i redaktuar i këtij artikulli u botua në Wired.

U mbushën 30 vjet që prej fillimit të Lëvizjes për Software të Lirë, veprimtaria e të cilës synon që software-i të respektojë lirinë e përdoruesve dhe të bashkësisë. Të tillë software e quajmë “të lirë” dhe “libre” (e përdorim këtë fjalë që të theksojmë aspektin se e kemi fjalën për lirinë, jo çmimin). Disa programe pronësore, të tilla si Photoshop, janë shumë të shtrenjta; të tjera, fjala vjen Flash Player, janë falas—sipas njërës mënyrë, apo tjetrës, ato ua nënshtrojnë përdoruesit pushtetit të të zotit të programit.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej atyre fillimeve: shumica e njerëzve, në vendet e përparuara, tani kanë në zotërim kompjuter (ndonjëherë të quajtur “telefona”) dhe lidhen në Internet përmes tyre. Software-i jo i lirë ende i bën përdoruesit t’ia dorëzojnë dikujt tjetër kontrollin mbi punimin e kompjuterëve, por tani ka edhe një tjetër mënyrë për ta humbur atë: Service as a Software Substitute (Shërbimi si Zëvendësues Software-i) , ose SaaSS, që do të thotë t’ia lësh shërbyesit të dikujt tjetër të kryejë veprimet tuaja kompjuterike.

Si software-i jo i lirë, ashtu edhe SaaSS-i mund të spiunojnë përdoruesin, t’i hedhin vargonj atij, dhe madje edhe ta sulmojnë atë. Abuzimet janë të zakonshme në shërbime dhe produkte software-i pronësor, ngaqë kontrollin nuk e kanë përdoruesit. Ky është dallimi themelor: software-i jo i lirë dhe SaaSS-i kontrollohen nga një njësi tjetër (zakonisht një korporatë ose një shtet), dhe përdoruesit nuk kanë zë në kontroll. Software-i i lirë, përkundrazi, vendos përdoruesit në kontroll.

Pse ka rëndësi ky kontroll? Ngaqë liri do të thotë të keni kontroll mbi jetën tuaj. Nëse përdorni një program që të kryeni veprimtari në jetën tuaj, liria juaj varet nga sa kontroll keni mbi programin. E meritoni të keni kontrollin mbi programet që përdorni, aq më tepër kur ato i përdorni për diçka të rëndësishme në jetën tuaj.

Kontrolli i përdoruesve mbi programin lyp katër liri thelbësore.

(0) Lirinë për ta xhiruar programin si të doni, për çfarëdo qëllimi.

(1) Lirinë për të studiuar “kodin burim” të programit, dhe për ta ndryshuar atë, kështu që programi i kryen përllogaritjet ashtu si doni ju. Programet shkruhen nga programuesit në një gjuhë programimi—diçka si Anglishtja e ndërthurur me algjebrën—dhe ajo formë e programit përbën “kodin burim”. Cilido që di të programojë, dhe ka një program në formën e kodit burim, mund të lexojë kodin burim, të kuptojë funksionimin e tij, dhe ta ndryshojë madje. Kur krejt ajo që ju jepet është forma e ekzekutueshme e programit, një varg numrash që është efikas për ta ekzekutuar kompjuteri, por tejet i vështirë për ta kuptuar një qenie njerëzore, të kuptuarit dhe ndryshimi i programit në atë formë janë aq të vështirë sa thuajse e pamundur.

(2) Lirinë për të krijuar dhe shpërndarë kopje ekzakte, kur të doni. (Nuk bëhet fjalë për një detyrim; e bëni kur doni dhe se doni. Nëse programi është i lirë, kjo nuk do të thotë që dikush e ka detyrim t’ju ofrojë një kopje, ose se keni detyrim t’i ofroni ju dikujt një kopje. Shpërndarja përdoruesve e një programi pa liri është keqtrajtim i tyre; megjithatë, të vendosësh të mos e shpërndash programin—duke e përdorur privatisht—nuk keqtrajton njeri.)

(3) Lirinë për të krijuar dhe shpërndarë kopje të versioneve tuaja të modifikuara, kur doni.

Dy liritë e para duan të thonë që çdo përdorues mund të ushtrojë kontroll individual mbi programin. Me dy liritë e tjera, cilido grup përdoruesish mund të ushtrojë së toku kontroll kolektiv mbi programin. Me krejt katër liritë, përdoruesit e kontrollojnë plotësisht programin. Nëse cilado prej tyre mungon ose nuk është e mjaftueshme, programi është pronësor (jo i lirë), dhe i padrejtë.

Për veprimtari praktike përdoren gjithashtu lloje të tjera veprash, përfshi receta gatimesh, vepra edukative, të tilla si libra shkollorë, vepra referencash, të tilla si fjalorët apo enciklopeditë, llojet e shkronjave për të shfaqur paragrafë teksti, diagrame qarqesh që mund të ndërtohen nga njerëzit, dhe stampa për të krijuar objekte të dobishme (jo thjesht zbukuruese) me një shtypës 3D. Ngaqë këto nuk janë software, lëvizja e software-it të lirë nuk i mbulon ato, në kuptimin e ngushtë të fjalës; por i njëjti arsyetim zbatohet dhe shpie në të njëjtin përfundim: këto vepra duhet të bartin katër liritë.

Një program i lirë ju lejon të luani me të, për ta bërë të bëjë atë që doni (ose të reshtë së bëri diçka që ju nuk e pëlqeni). Të luash me software-in mund të tingëllojë qesharake, nëse jeni mësuar me software-in pronësor si një kuti të vulosur, por në Botën e Lirë është gjë e zakonshme, dhe një rrugë e mirë për të mësuar programim. Madje edhe një nga mënyrat tradicionale amerikane të kalimit të kohës së lirë, futja e duarve në makina, tani e ka rrugën të zënë, ngaqë makinat përmbajnë software jo të lirë.

Padrejtësitë e Pronësorësisë

Nëse përdoruesi nuk e kontrollon programin, programi kontrollon përdoruesit. Me software-in pronësor, gjithmonë ka një njësi, “pronari” i një programi, që kontrollon programin—dhe përmes kësaj, ushtron pushtet mbi përdoruesit e tij. Një program jo i lirë është një kular, një instrument pushteti të padrejtë.

Në raste skandaloze (edhe pse kjo skandalozja është bërë shumë e zakonshme) programet pronësore janë konceptuar të spiunojnë përdoruesit, t’i kufizojnë ata, t’i censurojnë dhe të abuzojnë me ta. Për shembull, sistemi operativ i Apple iThings i bën të gjitha këto, dhe kështu bën edhe Windows-i në pajisje celulare me procesorë ARM. Windows-i, firmware-i i telefonave celularë, dhe Google Chrome për Windows përfshijnë një deriçkë universale që u lejon disa kompanive ta ndryshojnë programin së largëti pa marrë leje. Amazon Kindle ka një deriçkë që mund të përdoret për të fshirë libra.

Me synimin për t’i dhënë fund padrejtësisë së software-it të lirë, lëvizja e software-it të lirë ndërton programe që përdoruesit të çlirojnë veten. E filluam më 1984 me hartimin e sistemit të lirë operativ GNU. Sot, miliona kompjuterë xhirojnë GNU, kryesisht në formën e ndërthurjes GNU/Linux.

T’u shpërndash përdoruesve një program pa liritë, i keqtrajton ata; megjithatë, të zgjedhësh të mos e shpërndash programin, nuk keqtrajton njeri. Nëse shkruani një program dhe e përdorni privatisht, kjo nuk i bën keq njeriu. (Humbisni një rast të bëni mirë, por kjo nuk është e njëjtë me të bërit dëm.) Ndaj, kur themi që krejt software-i duhet të jetë i lirë, nënkuptojmë që çdo kopje duhet të shoqërohet me katër liritë, por nuk nënkuptojmë që dikush e ka për detyrë t’ju ofrojë një kopje.

Software-i Jo i Lirë dhe SaaSS

Software-i jo i lirë qe mënyra e parë që kompanitë të vinin nën kontroll punimin në kompjuter të njerëzve. Sot, ka një mënyrë tjetër, të quajtur Shërbimi si Zëvendësues Software-i, ose SaaSS. Kjo do të thotë t’ia lësh shërbyesit të dikujt të kryejë punët tuaja në kompjuter.

SaaSS nuk do të thotë që programet në shërbyes janë jo të lirë (megjithëqë shpesh janë). Puna është që përdorimi i SaaSS-it shkakton të njëjtat padrejtësi si përdorimi i një programi jo të lirë: janë dy shtigje te i njëjti dreq vendi. Merrni shembullin e një shërbimi SaaSS përkthimesh: Përdoruesi dërgon tekst tek shërbyesi, dhe shërbyesi e përkthen (nga Anglishtja në Spanjisht, të themi) dhe ia dërgon përkthimin mbrapsht përdoruesit. Që prej kësaj, akti i përkthimit është nën kontrollin e operatorit të shërbyesit, në vend se nën atë të përdoruesit.

Nëse përdorni SaaSS, operatori i shërbyesit kontrollon punimin tuaj në kompjuter. Kjo kërkon që t’ia besoni krejt të dhënat tuaja përkatëse operatorit të shërbyesit, të cilin do ta detyrojnë t’ia tregojë ato shtetit po ashtu—kujt i shërben pra ky shërbyes, në fund të fundit?

Padrejtësi të Dorës së Parë dhe të Dytë

Kur përdorni programe pronësore ose SaaSS, së pari i bëni dëm vetes, ngaqë kjo i jep një njësie pushtet të padrejtë mbi ju. Për të mirën tuaj, do të duhej t’i hiqeshit kësaj. U bën gjithashtu dëm të tjerëve, nëse premtoni që të mos ndani gjë me të tjerët. Të mbash një premtim të tillë është gjë e ligë, dhe më pak e ligë ta shkelësh; që të jeni vërtet të drejtë, nuk do të duhej ta bënit fare premtimin.

Ka raste kur përdorimi i software-it jo të lirë ushtron presion mbi të tjerët të bëjnë edhe ata ashtu. Skype-i është një shembull i qartë: kur një person përdor software-in jo të lirë klient të Skype-it, i kërkon një personi tjetër të përdorë po ashtu atë software—e kështu që të dy dorëzojnë lirinë e tyre. (Google Hangouts ka të njëjtin problem.) Është e dëmshme madje edhe t’i këshillosh programe të tilla. Do të duhej që ne të refuzonim t’i përdornim qoftë edhe për pak, qoftë edhe në kompjuterin e dikujt tjetër.

Një tjetër gjë e dëmshme nga përdorimi i programeve jo të lira dhe SaaSS-it është se kështu shpërblehet ai që e bën, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të atij programi ose “shërbimi”, duke sjellë kështu që nën thundrën e një kompanie të bien më tepër njerëz.

Të gjitha format e dëmit të tërthortë zmadhohen edhe më, kur përdoruesi është një ent publik ose një shkollë.

Software-i i Lirë dhe Shteti

Agjencitë publike ekzistojnë për njerëzit, jo për vetveten. Kur punojnë në kompjuter, e bëjnë këtë për njerëzit. E kanë detyrë të ruajnë kontrollin e plotë mbi punimin në kompjuter, për të bërë kështu të mundur që ai të kryhet si duhet për njerëzit. (Kjo përbën sovranitetin kompjuterik të shtetit.) Ata nuk duhet të lejojnë kurrë që kontrolli mbi anën kompjuterike të shtetit të bjerë në duar private.

Ruajtjen e kontrollit mbi punimin në kompjuter të njerëzve, agjencitë publike nuk duhet ta bëjnë me software pronësor (software në kontrollin e një enti tjetër veç shtetit). Dhe nuk duhet t’ia besojnë një shërbimi të programuar dhe xhiruar nga një ent tjetër veç shtetit, ngaqë kjo do të ishte SaaSS.

Software-i pronësor nuk ka asnjë lloj sigurie në një rast kyç — kur përdoret kundër zhvilluesit të tij. Dhe zhvilluesi mund të ndihmojë të tjerët të sulmojnë. Microsoft-i i tregon të meta të Windows-it NSA-së (agjencia qeveritare e spiunazhit dixhital të ShBA-ve) përpara se t’i ndreqë ato. Nuk e dimë nëse kështu bën edhe Apple-i, por edhe ky gjendet nën të njëjtën trysni qeveritare si Microsoft-i. Nëse qeveria e cilitdo vendi tjetër përdor software të tillë, vë në rrezik sigurinë kombëtare. Doni që NSA-ja të fusë hundët në kompjuterët e qeverisë juaj? Shihni rregullat e këshilluara prej nesh për qeveritë për promovomin e software-it të lirë.

Software-i i Lirë dhe Arsimi

Shkollat (dhe këtu përfshihen veprimtaritë edukative) ndikojnë të ardhmen e shoqërisë përmes asaj çka u mësojnë nxënësve. Ato do të duhej të jepnin përjashtimisht mësim software të lirë, duke e ushtruar për të mirën ndikimin e tyre. Të japësh mësim një program pronësor do të thotë të mbjellësh varësi, çka shkon kundër misionit të arsimit. Duke i stërvitur nxënësit në përdorimin e software-it të lirë, shkollat do ta drejtojnë të ardhmen e shoqërisë drejt lirisë, dhe do të ndihmojë programuesit e talentuar të bëhen të zotë.

Ato do t’u mësonin nxënësve zakonin e bashkëpunimit, ndihmës për njëri-tjetrin. Çdo klasë do të duhej të kishte këtë rregull: “Nxënës, kjo klasë është një vend ku ne ndajmë me njëri-tjetrin dijen tonë. Nëse sillni në klasë software, nuk mund ta mbani për veten. Në vend të kësaj, duhet të ndani kopje të tij me gjithë klasën—përfshi kodin e tij burim, në rast se dikush dëshiron të mësojë prej tij. Për këtë arsye, sjellja në klasë e software-it pronësor nuk lejohet, hiq rastet kur kjo bëhet për retroinxhinierim të tij.”

Zhvilluesit pronësorë do të na vinin t’i ndëshkonim nxënësit që janë aq zemërmirë sa të ndajnë software me të tjerët, dhe t’i pengonim ata që janë aq kureshtarë sa të duan ta ndryshojnë atë. Kjo do të thotë arsimim i shtrembër. Shihni http://www.gnu.org/education/ për më tepër diskutime rreth përdorimit të software-it të lirë në shkolla.

Software i Lirë: Më Shumë Se “Avantazhe”

Më kërkojnë shpesh të përshkruaj “avantazhet” e software-it të lirë. Por fjala “avantazhe” është shumë e dobët kur vjen puna te liria. Jeta pa liri është shtypje, dhe kjo vlen edhe për punimin në kompjuter, si për çdo veprimtari tjetër në jetën tonë. Ne duhet të refuzojmë dhënien e kontrollit mbi punimin në kompjuter pronarëve të programeve ose të shërbimeve kompjuterike. Kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë, për arsye egoiste; por jo vetëm për arsye egoiste.

Liria përfshin lirinë për të bashkëpunuar me të tjerët. T’ua mohosh njerëzve atë liri do të thotë t’i mbash ata të përçarë, çka është fillimi i një skeme për t’i shtypur ata. Në bashkësinë e software-it të lirë, jemi shumë të ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e lirisë për të bashkëpunuar me të tjerët, ngaqë puna jonë përfaqëson bashkëpunim të organizuar. Nëse shoku juaj ju viziton dhe sheh që përdorni një program, mund t’ju kërkojë një kopje. Një program që jua ndalon rishpërndarjen e tij, ose që thotë se “nuk është menduar ta bëni”, është anti-shoqëror.

Në lëmin kompjuterik, bashkëveprimi përfshin rishpërndarjen e kopjeve ekzakte të një programi për përdoruesit e tjerë. Përfshin gjithashtu shpërndarjen për ta të versioneve tuaja të ndryshuara. Software-i i lirë i nxit forma të tilla bashkëpunimi, ndërsa software-i pronësor i ndalon ato. E ndalon rishpërndarjen e kopjeve, dhe duke u mohuar përdoruesve kodin burim, i pengon ata të bëjnë ndryshime. SaaSS-i ka të njëjtat efekte: nëse punimi juaj në kompjuter zhvillohet nëpër web, te shërbyesi i dikujt tjetër, nga kopja e dikujt tjetër e një programi, nuk e shihni apo prekni dot software-in që kryen përllogaritjet për ju, ndaj nuk mund ta rishpërndani ose ndryshoni dot.

Përfundim

Ne e meritojmë të kemi kontroll mbi punimin tonë në kompjuter; si mund ta fitojmë këtë kontroll? Duke mos pranuar software jo të lirë në kompjuterët që zotërojmë ose përdorim rregullisht, dhe duke mos pranuar SaaSS-e. Duke zhvilluar software të lirë (ata prej nesh që janë programues). Duke mos pranuar të zhvillojmë ose promovojmë software jo të lirë ose SaaSS-e. Duke i përhapur këto ide te të tjerët.

Ne dhe mijëra përdorues e kemi bërë këtë që prej 1984-s, prej kësaj kemi tani sistemin operativ të lirë GNU/Linux që kushdo—programues ose jo—mund ta përdorë. Bashkojuni kauzës sonë, si programues ose si veprimtar. Le t’i çlirojmë të tërë përdoruesit e kompjuterit.

Të drejta kopjimi © 2013 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Marrë nga Projekti GNU

RMS mbi arsimin

nga Richard Stallman

Marrë nga www.gnu.org

Ky është transkriptimi i një videoje të Richard Stallman-it mbi Softet e Lira dhe Arsimin :

Jam Richard Stallman-i.

25 vjetë më parë [më 1983] themelova lëvizjen për Software të Lirë. Software i Lirë është software-i që respekton lirinë e përdoruesve dhe solidaritetin shoqëror në bashkësinë e tyre. Programe jo të lira janë software pronësorë.  Kjo do të thotë që u heqin lirinë përdoruesve, i mbajnë ata të përçarë dhe pa mbështetje.

Të përçarë sepse u ndalohet të ndajnë me të tjerët programin dhe pa mbështetje ngaqë përdoruesi nuk e kanë kodin burim të programit. Që do të thotë, nuk mund ta ndryshojnë dot, madje as mund të shohin se çfarë bën vërtet programi, dhe mund të bëjë gjëra shumë të liga.

Software-i i Lirë nënkupton që përdoruesi ka 4 liri thelbësore:

  • Liria 0 është liria për ta xhiruar programin për çfarëdo qëllimi.
  • Liria 1 është liria për studimin e kodit burim të programit dhe ndryshimit të tij për ta bërë të bëjë çka doni ju.
  • Liria 2 është lira për të ndihmuar fqinjin tuaj; domethënë, liria për të bërë dhe shpërndarë kopje të përpikta të programit kurdo që doni.
  • Dhe liria 3 është liria për të kontribuar te bashkësia juaj; që do të thotë, liria për të bërë dhe shpërndarë kopje të versioneve tuaja të modifikuara të programit.

Me këto katër liri një program është Software i Lirë, ngaqë sistemi shoqëror i përdorimit dhe shpërndarjes së tij është një sistem etik që respekton lirinë e gjithkujt dhe lirinë e bashkësisë së përdoruesve.

Software-i duhet të jetë i Lirë sepse lirinë e meritojmë të gjithë, të tërë e meritojmë të na lejohet të marrim pjesë në një bashkësi të lirë.

Prandaj, në shkolla do të duhej të mësohej vetëm Software i Lirë. Ka katër arsye pse duhet bërë kështu.

Arsyeja më e cekët është për të kursyer para. Shkollat nuk kanë para të mjaftueshme, ndaj nuk do të duhej t’i shpërdoronin paratë e tyre duke paguar për leje përdorimi software-esh pronësorë. Kjo është një arsye e qartë, por disa kompani software-i pronësor zakonisht e asgjësojnë këtë arsye të cekët duke dhuruar kopje të programeve të tyre pronësore për shkolla, pa pagesë ose me çmime të ulëta.
Arsyeja pse e bëjnë këtë është që nxënësit të krijojnë varësi. Është plan dashakeq. Është plan për t’i përdorur shkollat si mjete për të imponuar një varësi të përhershme te nxënësit.
Nëse në një shkollë mësohet si të përdoret një program pronësor, nxënësi do të jetë i varur nga ai program, dhe pasi diplomohet do t’i duhet të paguajë që të përdorë atë program. Ka gjasa që do të punojë për një kompani që nuk merr kopje falas të programit.
Prandaj, zhvilluesit e programeve pronësore përdorin shkollat që të imponojnë varësinë e përhershme të krejt shoqërisë. Shkollat duhet të refuzojnë të marrin pjesë në një plan të tillë dashakeq ngaqë shkollat kanë një mision shoqëror, arsimimin e brezit të ardhshëm për të qenë qytetarë të mirë të një shoqërie të aftë, të fortë, të pavarur, bashkëpunuese dhe të lirë. Kjo mund të arrihet vetëm duke u mësuar Software-in e Lirë. Shkollat duhet të eliminojnë, të fshijnë software-et pronësore dhe të instalojnë Software të Lirë.

Por ka një arsye më të thellë: formimi i programuesve të zotë, sepse që të mund të mësohen aftësi të mira programimi nxënësit kanë nevojë të lexojnë shumë kod dhe të shkruajnë shumë kod. Që të mësojnë të shkruajnë kod të zot për programe të mëdha nxënësit kanë nevojë të shkruajnë ndryshime të vogla në kodin e programeve të mëdha. Krejt kjo është e mundshme vetëm me Software-in e Lirë. Vetëm Software-i i Lirë lejon edukim me teknologjinë e informacionit.

Por ka një arsye edhe më të thellë: edukimi me qytetari të mirë, pasi shkollat kanë mision të japin mësim jo vetëm fakte dhe aftësi teknike, por mbi gjithçka frymën e vullnetit të mirë, zakonin e të ndihmuarit të të tjerëve. Prandaj, çdo klasë do të duhej të kishte këtë rregull: “nxënës, po prutë një program në klasë, s’mund ta mbani për vete, duhet ta ndani me krejt klasën.”
Shkolla duhet të praktikojë atë çka predikon, do të duhej të paraqiste në klasa vetëm Software të lirë.

Krejt shkollat do të duhej të kalonin në Software-in e Lirë dhe të japin mësim vetëm Software të Lirë, sepse çdo shkollë do të duhej të merrte pjesë në shpënien e shoqërisë drejt lirisë dhe solidaritetit shoqëror.

Faleminderit.

 

Të drejta Kopjimi © 2007, 2010, 2012 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Pse Burimi i Hapur Nuk e Rrok Thelbin e Software-it të Lirë

nga Richard Stallman

Marrë nga www.gnu.org

Kur e cilësojmë një software si “të lirë”, e kemi fjalën që ai respekton liritë thelbësore të përdoruesit: lirinë për ta xhiruar, studiuar, dhe rishpërndarë kopje të tij me ose pa ndryshime. Kjo është çështje lirie, jo çmimi, pra mendojeni si tek “fjala e lirë”, jo si te “birrë falas”.

Këto liri kanë rëndësi jetike. Ato janë thelbësore, jo thjesht për hir të përdoruesit individual, por për hir të shoqërisë si e tërë, pasi promovuojnë solidaritetin shoqëror – pra, ndarjen e gjërave me të tjerët dhe bashkëpunimin. Edhe më të rëndësishme bëhen teksa kultura dhe veprimtaritë tona të përditshme sa vijnë e bëhen më dixhitale. Në një botë tingujsh, figurash, dhe fjalësh dixhitale, software-i i lirë sa vjen e bëhet më thelbësor për lirinë në përgjithësi.

Dhjetëra miliona njerëz anembanë botës përdorin tani software të lirë; shkollat publike në disa rajone të Indisë dhe Spanjës tani u thonë nxënësve të përdorin sistemin e lirë operativ GNU/Linux. Megjithatë, shumica e këtyre përdoruesve nuk kanë dëgjuar kurrë rreth arsyeve etike për të cilat e krijuam këtë sistem dhe ngritëm bashkësinë e software-it të lirë, ngaqë sot, ky sistem dhe bashkësia, më shpesh shihen si të “burimit të hapur”, duke iu atribuuar një tjetër filozofi, tek e cila këto liri me zor përmenden.

Lëvizja e software-it të lirë ka dalë në mbrojtje të lirisë së përdoruesit që më 1983-shin. Më 1984-n filluam zhvillimin e sistemit operativ të lirë GNU, që të mund të shmangeshin sistemet operativë jo të lirë, të cilët u mohojnë përdoruesve këto liri. Gjatë viteve ’80, zhvilluam shumicën e përbërësve thelbësorë të sistemit dhe hartuam lejen GNU General Public License (GNU GPL) nën të cilën do të hidheshin në qarkullim – një leje e hartuar posaçërisht për mbrojtjen e lirisë për të gjithë përdoruesit e një programi.

Jo të gjithë përdoruesit dhe zhvilluesit e software-it të lirë u pajtuan me synimet e lëvizjes së software-it të lirë. Më 1998-n, një pjesë e bashkësisë së software-it të lirë doli veç dhe filloi fushatë në emër të “burimit të hapur”. Termi fillimisht u propozua për shmangien e një keqkuptimi të mundshëm të termit “software i lirë”, por shpejt filloi t’u përshoqërohej ideve filozofike mjaft të ndryshme nga ato të lëvizjes së software-it të lirë.

Disa nga përkrahësit e burimit të hapur e konsideronin termin si një “fushatë marketingu për software-in e lirë”, çka do të joshte drejtues biznesesh përmes nxjerrjes në pah të përfitimeve praktike, pa ngritur ndërkohë çështje të së mirës dhe të gabuarës për të cilat ata nuk do të donin t’ia dinin. Të tjerë përkrahës i hodhën kategorikisht poshtë vlerat etike dhe sociale të lëvizjes së software-it të lirë. Cilatdo qofshin pikëpamjet e tyre, kur trajtonin burimin e hapur, asnjë prej palëve as i përmendin, as mbronin këto vlera. Termi “burim i hapur” shpejt filloi të përshoqërohej me ide dhe argumente të bazuar vetëm në vlera praktike, të tilla si krijimi ose pasja e software-eve të fuqishëm, të qëndrueshëm. Prej asokohe, shumica e përkrahësve të burimit të hapur janë rreshtuar pas tij, dhe bëjnë të njëjtin përshoqërim.

Dy termat përshkruajnë pothuajse të njëjtën kategori software-i, por mbrojnë pikëpamje të bazuara thelbësisht mbi vlera të ndryshme. Burimi i hapur është një metodologji programimi; software-i i lirë është një lëvizje shoqërore. Për lëvizjen e software-it të lirë, software-i lirë është një imperativ etik, pasi vetëm software-i i lirë respekton lirinë e përdoruesve. Në kontrast me të, filozofia e burimit të hapur i sheh çështjet sipas optikës se si të bëhet software-i “më i mirë” – vetëm nga pikëpamja praktike. Sipas saj, software-et jo të lira janë një zgjidhje inferiore për një problem praktik të dhënë. Ndërsa për lëvizjen e software-it të lirë, software-i jo i lirë është një problem shoqëror, dhe zgjidhja është të reshtet përdorimi i tij dhe të kalohet te software-i i lirë.

“Software i lirë.” “Burim i hapur.” Nëse bëhet fjalë për të njëjtin program (ose pothuajse), ka rëndësi cilin emër përdorni? Po, ngaqë fjalë të ndryshme përcjellin ide të ndryshme. Edhe pse një program i lirë, me çfarëdo emri tjetër, sot do t’ju jepte po atë liri, forcimi i pozitave të lirisë në një rrugë të qëndrueshme varet mbi të gjitha nga të mësuarit e njerëzve të çmojnë lirinë. Nëse doni të ndihmoni për këtë, është thelbësore të flitet për “software të lirë.”

Ne të lëvizjes së software-it të lirë nuk e shohim kampin e burimit të hapur si një armik; armiku është software-i pronësor (jo i lirë) . Por duam që njerëzit ta dinë se ne jemi për lirinë, ndaj nuk e pranojmë të etiketohemi gabimisht si përkrahës të burimit të hapur.

Dallime Praktike mes Software-it të Lirë dhe Burimit të Hapur

Në praktikë, burimi i hapur mishëron një kriter paksa më të dobët se sa ato të software-it të lirë. Me aq sa di, krejt software-et e lirë mund të kualifikohen si me burim të hapur. Thuajse krejt software-et me burim të hapur janë software i lirë, por ka disa përjashtime. Së pari, disa licenca burimi të hapur janë shumë kufizuese, ndaj nuk kualifikohen dot si licenca të lira. Për fat, këto licenca i përdorin pak programe.

Së dyti, dhe ç’është më e rëndësishmja, shumë produkte që përmbajnë kompjutera (përfshi mjaft pajisje Android) shiten me programe të ekzekutueshme që rrjedhin prej kodi burim software-i të lirë, por pajisjet nuk i lejojnë përdoruesit të instalojë versione të modifikuara të këtyre të ekzekutueshmëve; vetëm një kompani e caktuar gëzon të drejtën t’i modifikojë ata. Këto pajisje i quajmë “tiranike”, dhe praktika është quajtur “tivoizim”, sipas produktit te i cili e vumë re për herë të parë. Këta të ekzekutueshëm nuk janë software i lirë edhe pse kodi i tyre burim është software i lirë. Kriteret e burimit të hapur këtu nuk shohin problem; ata merakosen vetëm për licencimin e kodit burim.

Moskuptime të Rëndomta të “Software-it të Lirë” dhe “Burimit të Hapur”

Termi “software i lirë” është pre e keqinterpretimeve: një kuptim i pasynuar prej nesh, “software që mund ta keni me çmim zero,” mund t’i jepet termit po njësoj si kuptimi i synuar prej nesh, “software që i jep përdoruesit disa liri.” Për këtë problem kujdesemi duke bërë publik përkufizimin e software-it të lirë, dhe duke thënë “Mendojeni si te ‘liria e fjalës,’ jo si te ‘birrë falas.’” Kjo zgjidhje nuk është e përsosur; nuk mund ta eliminojë plotësisht problemin. Do të ishte më mirë një term i saktë dhe jo i dykuptimtë, sikur kjo të mos paraqiste probleme të tjera.

Mjerisht, të gjitha alternativat në Anglisht kanë probleme të tyret. Kemi shqyrtuar mjaft nga sugjerimet e njerëzve, por asnjë nuk është kaq qartazi “i drejtë” saqë kalimi në të të qe ide e mirë. (Për shembull, në disa kontekste fjalët Frëngjisht dhe Spanjisht “libre” funksionojnë bukur, por njerëzit në Indi nuk e pranojnë fare këtë.) Cilido zëvendësim i propozuar për “software-in e lirë” ka ndonjë lloj problemi semantik – dhe kjo ndodh edhe me “software-in me burim të hapur.”

Përkufizimi zyrtar i “software-it me burim të hapur” (që është botuar nga Open Source Initiative dhe është shumë i gjatë për ta përfshirë këtu) është derivuar tërthorazi prej kriterit tonë të software-eve të lira. Nuk është i njëjti; është ca më dorëlëshuar në disa këndvështrime. Megjithatë, përkufizimi i tyre pajtohet me përkufizimin tonë në shumicën e rasteve.

Sido që të jetë, kuptimi i afërmendshëm për shprehjen “software me burim të hapur” – dhe ai që shumica e njerëzve duket se mendojnë që shpreh – është që “Mund t’i shihni kodin burim.” Ky kriter është shumë më i dobët se sa përkufizimi i software-it të lirë, shumë më i dobët gjithashtu se sa përkufizimi zyrtar i burimit të hapur. Me të përfshihen mjaft programe që nuk janë as të lirë dhe as me burim të hapur.

Ngaqë kuptimi i afërmendshëm për “burimin e hapur” nuk është kuptimi që mbrojtësit e tij kanë në mendje, përfundimi është që shumica e njerëzve të kenë keqkuptime të termit. Sipas Neal Stephenson-it, “Linux-i është software me ‘burim të hapur’ që do të thotë, thjesht, se cilido mund të ketë kopje të kartelave të kodit të tij burim.” Nuk mendoj se ka kërkuar me dashje të hidhte tej ose të vinte në diskutim përkufizimin zyrtar. Jam i mendimit që ai thjesht zbatoi konvencionet e Anglishtes për të nxjerrë një kuptim të termit. Shteti i Kansasit publikoi një përkufizim të ngjashëm: “Përdorni software me burim të hapur (OSS). OSS është software për të cilin kodi burim është i passhëm lirisht dhe publikisht, por marrëveshjet specifike për licencimin e tij variojnë lidhur me atë se ç’i lejohet dikujt të bëjë me atë kod.”

New York Times pati një artikull që e tepron me domethënien e termit duke ia referuar testimeve beta nga ana e përdoruesve – lejimi i pak përdoruesve që të vënë në provë një version paraprak të një programi dhe të japin përshtypje konfidenciale lidhur me të – çka programuesit e software-eve pronësore e kanë praktikuar prej dhjetëra vjetësh.

Përkrahësit e burimit të hapur përpiqen të merren me këtë çështje duke treguar me gisht përkufizimin e tyre zyrtar, por kjo rrugë ndreqjeje është më pak e efektshme për ta, se sa është për ne. Termi “software i lirë” ka dy domethënie natyrale, njëra është domethënia e synuar, ndaj dikush që e ka rrokur idenë “si te fjala e lirë, jo si te birrë falas” nuk do të gabojë sërish. Por termi “burim i hapur” ka vetëm një domethënie natyrale, që është e ndryshme prej domethënies së synuar prej përkrahësve të tij. Pra nuk ka një rrugë për të shpjeguar shkurtimisht dhe përligjur përkufizimin e tij zyrtar. Kjo e përkeqëson edhe më konfuzionin.

Një tjetër keqkuptim i “burimit të hapur” është ideja që me të nënkuptohet “mospërdorimi i lejes GNU GPL.” Ky priret të shoqërojë një tjetër keqkuptim sipas të cilit “software-i i lirë” do të thotë “software nën GPL-në.” Që të dyja janë gabim, sa kohë që GNU GPL-ja i plotëson kushtet për të qenë leje burimi të hapur dhe shumica e lejeve të burimit të hapur i plotësojnë kushtet për të qenë leje software-i të lirë. Ka mjaft licenca software-i të lirë përtej GNU GPL-së.

Termi “burim i hapur” është sforcuar më tej nga zbatimi i tij mbi veprimtari të tjera, të tilla si qeverisja, arsimi, shkenca, te të cilat nuk ka gjë të tillë si kodi burim, dhe ku kriteri lidhur me licencimin e software-eve thjesht nuk ka punë fare. E vetmja gjë e përbashkët që kanë këto veprimtari është se, në një farë mënyre, i ftojnë njerëzit të marrin pjesë në diçka. Ato e sforcojnë termin deri atje sa me të nënkuptohet vetëm “pjesëmarrës”.

Vlera të Ndryshme Mund të Shpien Në Përfundime të Ngjashme… Por Jo Gjithmonë

Grupet radikale të viteve ’60 kanë reputacionin e fraksionizmave: disa organizata u ndanë për shkak të mospajtimeve për hollësira strategjie, dhe dy grupet bij e trajtonin njëri-tjetrin si armiq, edhe pse kishin synime dhe vlera themelore të ngjashme. E djathta i dha shumë rëndësi kësaj dhe e përdori për të kritikuar krejt të majtën.

Ka gojë që përpiqen të njollosin lëvizjen për software të lirë duke e krahasuar mospajtimin tonë me burimin e hapur me mospajtimet e këtyre grupeve radikale. E shohin së prapthi. Ne nuk pajtohemi me kampin e burimit të hapur lidhur me synimet dhe vlerat themelore, por pikëpamjet e tyre dhe tonat shpien në shumë raste te e njëjta sjellje praktike – fjala vjen zhvillimi i software-eve të lirë.

Për pasojë, njerëz nga lëvizja e software-it të lirë shpesh punojnë bashkë me kampin e burimit të hapur në projekte praktike, të tilla si zhvillimi i software-eve. Të bie në sy që pikëpamje kaq të ndryshme filozofike mund të motivojnë kaq shpesh persona të ndryshëm të marrin pjesë në të njëjtat projekte. Sido qoftë, ka situata ku këto pikëpamje thelbësisht të ndryshme shpien në veprime shumë të ndryshme.

Ideja e burimit të hapur është që lejimi i përdoruesve të ndryshojnë dhe rishpërndajnë software-in do ta bëjë këtë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm. Por kjo nuk është e garantuar. Zhvilluesit e software-eve pronësorë nuk janë medoemos të paaftë. Ka raste që ata prodhojnë programe që janë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, edhe pse ato nuk respektojnë lirinë e përdoruesve. Aktivistët e software-it të lirë dhe përkrahësit e burimit të hapur do të reagojnë në mënyra shumë të ndryshme ndaj këtij fakti.

Një përkrahës puro i burimit të hapur, një që nuk është fare i ndikuar nga idealet e software-it të lirë, do të thoshte, “Çuditem që qetë në gjendje ta bëni programin të punojë kaq mirë pa përdorur modelin tonë të zhvillimit, por ja që e bëtë. Si mund të kem një kopje?” Ky qëndrim do të shpërblejë skema që heqin liri, duke shpënë te humbja e saj.

Aktivisti i software-it të lirë do të thoshte, “Programi juaj është shumë tërheqës, por unë çmoj më tepër lirinë. Ndaj nuk e pranoj programin tuaj. Në vend të tij do të përkrah një projekt për zhvillimin e një zëvendësimi të lirë për të.” Nëse çmojmë lirinë tonë, mund të veprojmë për ta pasur dhe mbrojtur atë.

Software-i i Fuqishëm, i Qëndrueshëm Mund të Jetë i Keq

Ideja se duam që software-i të jetë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm vjen prej supozimit se software-i është hartuar për t’u shërbyes përdoruesve të tyre. Nëse është i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, kjo do të thotë që u shërben më mirë atyre.

Por mund të thuhet që software-i u shërben përdoruesve vetëm nëse respekton lirinë e tyre. Po kur software-i është hartuar për t’u hedhur vargonj përdoruesve të tij? Në këtë rast të qenët i fuqishëm do të thotë që vargonjtë janë më shtrëngues, dhe të qenët i qëndrueshëm do të thotë që është më e vështirë për t’i hequr këta vargonj. Veçori keqdashëse, të tilla si spiunimi i përdoruesve, kufizimi i përdoruesve, dyer të pasme, dhe përmirësime të detyrueshme janë të rëndomta në software-et pronësore, dhe disa përkrahës të burimit të hapur duan t’i sendërtojnë ato në programe me burim të hapur.

Nën trysninë e kompanive të filmit dhe regjistrimit të muzikës, software-et për përdorim nga individët po hartohen gjithnjë e më shumë për t’i kufizuar ata. Kjo veçori dashakeqe njihet si Administrim Dixhital i Kufizimeve (DRM – Digital Restrictions Management) (shihni DefectiveByDesign.org) dhe është krejt e kundërta e frymës së lirisë që software-i i lirë synon të ofrojë. Dhe jo vetëm e frymës: ngaqë synimi i DRM-së është të shkelë me këmbë lirinë tuaj, zhvilluesit e DRM-së përpiqen t’jua bëjnë të vështirë, të pamundur, ose madje edhe të paligjshme ndryshimin e software-it që sendërton në praktikë DRM-në.

Megjithatë disa përkrahës të burimit të hapur kanë propozuar software “DRM me burim të hapur”. Ideja e tyre është që, duke bërë publik kodin burim të programeve të hartuara për të kufizuar hyrjen tuaj në media të koduara dhe duke u lejuar të tjerëve ta ndryshojnë atë, do të prodhonin software më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm për kufizimin e përdoruesve si ju. Software-i mandej do të dërgohej për ju te pajisje që nuk ju lejojnë ta ndryshoni.

Ky software mund të jetë me burim të hapur dhe të përdorë modelin e zhvillimit me burim të hapur, por nuk ka për të qenë software i lirë, sa kohë që nuk do të respektojë lirinë e përdoruesve që e xhirojnë faktikisht atë. Nëse modeli i zhvillimit me burim të hapur ia del ta bëjë këtë software më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm për kufizimin tuaj, kjo do ta bënte edhe më të keq.

Frikë nga Liria

Motivacioni fillestar kryesor i atyre që e nxorën kampin e burimit të hapur më vete prej lëvizjes së software-it të lirë qe se idetë etike të “software-it të lirë” i vinin në siklet disa njerëz. Kjo është e vërtetë: ngritja e çështjeve etike si liria, përgjegjësive kundrejt volisë, do të thotë t’u kërkosh njerëzve të mendojnë për gjëra që ata mund të parapëlqejnë t’i shpërfillin, fjala vjen a është etike apo jo sjellja e tyre. Kjo mund të shkaktojë parehati, dhe disa njerëz thjesht mund ta mbyllin mendjen për gjëra të tilla. Por kjo nuk do të thotë që ne do të duhej të reshtnim së foluri për këto probleme.

E megjithatë kjo është ajo çka drejtuesit e burimit të hapur vendosën të bënin. U doli se duke heshtur rreth etikës dhe lirisë, dhe duke folur vetëm për përfitimet e menjëhershme praktike të disa software-eve të lira, mund të ishin në gjendje ta “shisnin” software-in më me efekt te disa përdorues, veçanërisht bizneset.

Kjo rrugë ka dalë me efektshmëri, brenda logjikës së vet. Retorika e burimit të hapur ka bindur mjaft biznese dhe individë të përdorin, madje edhe të zhvillojnë, software të lirë, çka e ka zgjeruar bashkësinë tonë – por vetëm në nivel sipërfaqësor, praktik. Filozofia e burimit të hapur, me vlerat e veta pastërtisht praktike, e pengon të kuptuarit e ideve më të thella të software-it të lirë; sjell mjaft vetë te bashkësia jonë, por nuk u mëson atyre si ta mbrojnë atë. Kjo është gjë e mirë, për aq sa bën, por nuk mjafton për ta bërë lirinë të sigurt. Tërheqja e përdoruesve drejt software-it të lirë është vetëm një pjesë e rrugës për t’i bërë mbrojtës të lirisë së tyre.

Herët a vonë këta përdorues do t’i ftojnë të rikthehen te software-i pronësor, për disa avantazhe praktike. Për të ofruar një tundim të tillë, punojnë kompani të panumërta, disa duke ofruar kopje gratis. Pse do të duhej që përdoruesit të mos i pranonin? Ah, vetëm po t’u kenë mësuar të çmojnë lirinë që u jep software-i i lirë, të çmojnë lirinë në vetvete, në vend se volitë teknike dhe praktike të një software-i të lirë specifik, atëherë po. Për përhapjen e kësaj ideje, na duhet të flasim për lirinë. Deri në një farë shkalle, rruga “mos fol” karshi biznesit mund të jetë e dobishëm për bashkësinë, por është e rrezikshme nëse bëhet aq e rëndomtë, sa dashuria për lirinë të vijë e të duket si diçka ekscentrike.

Kjo gjendje e rrezikshme është saktësisht ajo që kemi. Shumica e personave të përfshirë me software-in e lirë, veçanërisht shpërndarësit e tij, flasin pak për lirinë – zakonisht ngaqë kërkojnë të jenë “më të pranueshëm nga bizneset.” Thuajse krejt shpërndarjet e sistemit operativ GNU/Linux i shtojnë paketa pronësore sistemit bazë të lirë, dhe i ftojnë përdoruesit ta shohin këtë si një avantazh, në vend se një cen.

Software-et shtesë pronësorë dhe shpërndarjet GNU/Linux pjesërisht jo të lira gjejnë tokë pjellore ngaqë shumica e bashkësisë sonë nuk këmbëngul te liria në software-in e vet. Kjo nuk është rastësi. Shumica e përdoruesve të GNU/Linux-it u njohën fillimisht me sistemin përmes diskutimeve të “burimit të hapur”, në të cilin nuk përmendet se liria është një nga synimet. Praktikat që nuk përkrahin lirinë dhe fjalët që nuk thonë gjë për lirinë ecin paralel, duke nxitur njëra-tjetrën. Për ta kapërcyer këtë prirje, na duhet të flasim më tepër për lirinë, jo më pak.

Përfundim

Ndërkohë që mbrojtësit e burimit të hapur afrojnë përdorues të rinj te bashkësia jonë, ne veprimtarët e software-it të lirë duhet t’i vëmë supet barrës për tërheqjen e vëmendjes së tyre te çështja e lirisë. Na duhet të themi, “Është software i lirë dhe ju jep liri!” – më shpesh dhe më fort se kurrë. Çdo herë që thoni “software i lirë” në vend të “burim i hapur,” ndihmoni fushatën tonë.

Shënime:

Artikulli i Joe Barr-it, “Live and let license”, jep këndvështrimin e tij për këtë çështje.

Artikulli mbi motivimin e programuesve të software-it të lirë, nga Lakhan dhe Wolf thotë se një pjesë e konsiderueshme motivohen nga pikëpamja e tyre që software-i do të duhej të ishte i lirë. Kjo përkundër faktit që në vëzhgim u morën zhvillues nga SourceForge, një site që nuk e përkrah pikëpamjen se kjo është një çështje etike.

 

Ky është përkthim i një faqeje në Anglisht në origjinal.

Të drejta Kopjimi © 2007, 2010, 2012 Richard Stallman

Kjo faqe mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-NoDerivs 3.0 United States License.

Manifesti i Mozilla-s

Hyrje

Interneti po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e rëndësishme e jetës sonë.

Projekti Mozilla është një bashkësi mbarëbotërore njerëzish që besojnë se të qenët i hapur, risia, dhe dhënia e mundësive janë kyçet e shëndetit në vazhdimësi të Internetit. Punojmë së bashku që prej 1998, për të bërë të mundur që Interneti të zhvillohet i tillë që prej tij të përfitojnë të gjithë. Jemi më shumë të njohur për krijimin e shfletuesit Web Mozilla Firefox.

Për krijimin e programeve të cilësisë së parë dhe me burim të hapët, si dhe për zhvillimin e llojeve të reja të veprimtarive për bashkëpunim mes njerëzve, projekti Mozilla përdor metodën e punës në bashkësi. Krijojmë bashkësi personash të përfshirë në bërjen e Internetit më të mirë për të gjithë ne.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, kemi përftuar një grup parimesh të cilat besojmë se janë kritike që Interneti të vazhdojë të sjellë përfitime si për të mirën e përbashkët, ashtu edhe për anën komerciale të jetës. Këto parime po i ravijëzojmë më poshtë.

Qëllimet e Manifestit janë:

  1. t’i japë formë përfytyrimit që bashkëpunëtorët e Mozilla-s dëshirojnë të ndiqet nga Mozilla Foundation;
  2. t’u flitet si atyre që kanë, ashtu edhe atyre që nuk kanë njohje teknike;
  3. t’i bëjë pjesëmarrësit te Mozilla krenarë për çka bëjnë dhe t’i nxisë të vazhdojnë kështu; dhe
  4. të furnizojë një kuadër për të tjerë persona që do të shtyjnë më para këtë përfytyrim të Internetit.

Këto parime nuk lulëzojnë vetë. Lypsen njerëz që ta bëjnë Internetin të hapur dhe dashamirës – njerëz që punojnë më vete, që punojnë tok në grupe, dhe që udhëheqin të tjerët. Mozilla Foundation i është përkushtuar shpënies më tej të parimeve të ravijëzuara te Manifesti Mozilla. Ftojmë edhe të tjerët të bashkohen me ne për ta bërë Internetin një vend akoma më të mirë për të tërë.

Parimet

  1. Interneti është pjesë e pandarë e jetës moderne–përbërës kyç në edukim, komunikim, bashkëpunim, biznes, dëfrim dhe në shoqërinë në tërësi.
  2. Interneti është burim i përbashkët mbarëbotëror dhe duhet të mbesë i hapur dhe i shfrytëzueshëm.
  3. Interneti duhet të pasurojë jetën e qenieve njerëzore.
  4. Siguria e individit në Internet është themelore dhe nuk mund të trajtohet si opsionale.
  5. Individit duhet t’i jepet mundësia të ngjizë vetë përvojën e tij në Internet.
  6. Efektshmëria e Internetit si burim i përbashkët varet nga ndërveprimi (protokolle, formate të dhënash, përmbajtje), risia dhe pjesëmarrja e decentralizuar anembanë botës.
  7. Programet e lira dhe me burim të hapët nxisin zhvillimin e Internetit si burim i përbashkët.
  8. Punimi me bazë bashkësinë, dhe i tejdukshëm, nxit pjesëmarrjen, përgjegjshmërinë dhe besimin.
  9. Ndërhyrjet komerciale në zhvillimin e Internetit sjellin mjaft përfitime; një drejtpeshim midis synimeve komerciale dhe të mirës së përbashkët është kritik.
  10. Rritja e anëve të Internetit që lidhen me përfitimin e përbashkët është qëllim me rëndësi, për të ia vlen të harxhohet kohë, kujdes dhe përkushtim.

Shpënia më tej e Manifestit Mozilla

Ka plot rrugë të ndryshme për të shpënë më tej parimet e Manifestit Mozilla. Ne i shohim me sy të mirë një gamë të gjerë veprimtarish, dhe parashikojmë të njëjtën shkallë krijimtarie që bashkëpunëtorët e Mozilla-s kanë treguar edhe në fusha të tjera të projektit. Për persona të papërfshirë thellë në projektin Mozilla, një rrugë themelore dhe tepër e efektshme për të mbështetur Manifestin është të përdoren Mozilla Firefox-i dhe të tjerë produkte në të cilat mishërohen parimet e Manifestit.

Zotimi i Mozilla Foundation-it

Mozilla Foundation zotohet të mbështesë Manifestin e Mozilla-s përgjatë veprimtarive të tij. Në veçanti:

  • do të ndërtojë dhe bëjë të mundura teknologji me burim të hapur dhe bashkësi që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të krijojë dhe shpërndajë produkte të fuqishëm konsumatori, që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të përdorë burimet e Mozilla-s (pronësinë intelektuale, të tilla si të drejtat e autorit dhe shenjat tregtare, infrastrukturën, fondet dhe famën) për ta mbajtur Internetin platformë të hapur;
  • do të nxisë modele krijimi vlerash ekonomike për të mirën publike;
    dhe
  • do të nxisë përhapjen e parimeve të Manifestit Mozilla në diskursin publik dhe brenda vetë industrisë së Internetit.

Disa veprimtari të Mozilla Foundation-it–hëpërhë krijimi, qarkullimi dhe përhapja e produkteve të konsumatorit–drejtohen së pari nga nëndegë në pronësi të plotë të Mozilla Foundation-it, Mozilla Corporation.

Ftesë

Mozilla Foundation fton gjithë të tjerët që mbështesin parimet e Manifestit Mozilla të bashkohen me ne, dhe të gjejmë rrugë të reja për ta bërë realitet këtë përfytyrim të Internetit.

Moxillianë

Moxillianë është një projekt anësor i Mozilla-s që synon krijimin e një liste, një burimi të dhënash, rreth personave që merren në nivele të ndryshme me veprimtari në kuadrin e projektit, cilët janë, çfarë bëjnë dhe se si mund të lidhet dikush me ta, që kështu bashkëpunimi të ishte më i lehtë.

Për më tepër, vizitoni site-in e projektit.

Aktivizëm efektiv përmes Internetit

Aktivizmi përmes Internetit zakonisht të sjell në mend kërkesat nga shokë a miq për të përhapur një lajm apo një njoftim nëpërmjet email-it, ose në raste më të organizuara nënshkrimin e një peticioni diku, për diçka.

Prej disa vitesh, një nismë e re, me emrin Avaaz, po përpiqet që aktivizmi i këtij lloji të jetë më i efektshëm. Sipas Suddeutsche Zeitung-ut

Avaaz është një bashkësi mbikombëtare që është më demokratike, dhe mund të jetë më e efektshme, se sa Kombet e Bashkuara.

Avaaz përfshin deri sot 10.5 milionë të regjistruar, numër që rritet përditë me njerëz që aktivizimin po e shtrijnë tej nënshkrimit të peticioneve të ndryshme.Veprimtaria e tyre i ka kaluar caqet e tastierës, për t’u shtrirë në terren, me vendet e fshehta të ngritura për të mbrojtur lëvizje demokratike, me padi kundër korporatash, me informim aksionerësh të tyre rreth çështjesh ku vlera e aksioneve nuk mund të lërë në heshtje çështje etike, me dhurim milionash në pajisje të teknologjisë së fundit për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, me shpënien e zërit të individit drejt e te presidentë, miliarderë, ambasadorë dhe ministra.

Dy nga fushatat e shumta të aktivizmit të ndërmarra nga Avaaz duket se kanë qenë frutdhënëse. Ato kanë kontribuar në dy fitore të thjeshta, dhe ndoshta të përkohshme, por të rëndësishme, po të shihen si shembull. Që të dyja janë tregues i fuqisë së informacionit dhe Internetit kur përdoren për një kauzë që meriton vëmendje.

E para iu kundërvu një projektligji të cilin ish-kryeministri italian që sapo ka lënë postin e pat hartuar me qëllimin e mbytjes së demokracisë. Projektligji synonte t’i jepte qeverisë të drejtën e mbylljes sipas qejfit të saj të site-eve web. Anëtarët italianë të Avaaz-it dërguan 200 mijë email-e dhe përmbytën Facebook-un dhe Twitter me mesazhe në përkrahje të fushatës. Këto bashkë me demonstrimet publike dhe mbulimin nga mediat kryesore të gadishullit përballë bënë që projektligji të arkivohej përgjithmonë.

Fushata tjetër SHPËTONI INTERNETIN u organizua për nënshkrimin e një peticioni kundër projektligjit skandaloz që do t’i jepte qeverisë së ShBA-ve të drejtën të asgjësonte çfarëdo site-i web, përfshi site-e të tillë si WikiLeaks, YouTube, apo vetë Avaaz-in.
E nënshkruar brenda pak ditësh nga mbi 1 milion vetë, peticioni iu dorëzua zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, pas përgjigjes së ardhur nga ekipi i presidentit. Sipas njoftimit nga Avaaz, zëra të pakonfirmuar janë shprehur se ka gjasa që Obama ta kundërshtojë projektligjin. Projektligj për të cilin, po si pas Avaaz-it, kur filloi fushata, u ishte thënë se nuk kish ç’ta ndalte.

Ndoshta vërtet në anën tonë të botës ka pak interes për çka ndodh në kulisat e asaj ane të botës. Por këtë herë kjo nuk do të duhej të ndodhte. Mjafton të kujtohet që shumica e site-eve strehohen nga kompani në territorin e ShBA-ve për të kuptuar se sa urgjent është përkrahja e kundërshtimit të këtij projektligji dhe veprimi gjithkush që është i interesuar që Interneti të mbesë burim publik i lirë dhe të mos pësojë fatin e mediave të tjera si deri sot.

Firefox-i – Shfletuesi ndryshe

Çfarë e bën ndryshe nga të tjerët në llojin e vet shfletuesin pararojë të Mozilla-s?

Transkripti (për nevoja të çfarëdoshme):

Jemi jo pak të kënaqur që jemi shfletuesi i çuditshëm. Nuk kemi iniciale aksionesh për t’ia dhënë shtypit bashkë me emrin tonë. Nuk kemi fitime. Nuk kemi yje roku që i vëmë mbi të tjerët. Nuk bëjmë po ato pazare, nuk nënshkruajmë po ato kontrata, apo shtrëngojmë po ato duar, si gjithkush tjetër. Dhe ndjehemi mirë me tërë këtë. Jemi një grup njerëzish me frymëzim të pavarur, thellësisht jokonvencionalë që gjërat i bëjnë pakëz ndryshe. Atje ku një shoqëri tjetër do të çmonte fitimin ne çmojmë… vlerat. Kur konkurrenti vret mendjen se si ta bëjë diçka pronësore, ne luftojmë ta lëmë të lirë. Dhe teksa shumica e produkteve dhe teknologjive zhvillohen pas dyersh të mbyllura, tonat kultivohen nën qiell të hapur, mund t’i shohë gjithkush. Nuk na duhet të përgjigjemi para aksionerësh. Përgjigjemi vetëm para jush. Dhe nuk veprojmë kështu se na duket zbavitëse, edhe pse është tejet zbavitëse. Veprojmë në këtë mënyrë ngaqë besojmë se është gjëja e duhur për t’u bërë. Besojmë në parimet e jo te fitimet. Besojmë se ndershmëria fiton mbi sekretin, dhe bashkësia mbi interesat e korporatave. Besojmë se është më mirë të përkujdesesh për web-in se sa ta kesh pronë, ta shohësh si burim që do mbrojtur se sa si mall për shitje. Dhe besojmë fort në risitë që e vënë përdoruesin në ballë dhe në timon. Por më e rëndësishmja, besojmë te ju. Besojmë se shfletuesi më i mirë i botës u bë i mundur nga inxhinierë, programues, grafistë, dhe njerëz si ju, që japin kohë nga e tyrja, talent, energji dhe përkrahje për kauzën. Dhe besojmë se tok, me këtë kauzë në mendje, mund të vazhdojmë me risi në përfitim të individit, dhe përmirësimit të web-it. Që kështu, përherë e përgjithmonë, t’i shërbehet të mirës së përgjithshme. Jemi të tërë Mozilla Firefox. Nuk jemi thjesht një shfletues ndryshe. Jemi një shfletues që sjell ndryshim.

Faqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.