Arkivë për etiketën 'blog'

Çfarë është Asnjanësia në Rrjet?

 

Asnjanësi në rrjet do të thotë trajtim i barabartë i të gjitha të dhënave.  Ja, si këto pakete të dhënash.  Asnjanësia në rrjet do të thotë që përdoruesit si ne të vendosin se cilat pajisje, software, shërbime, dhe sajte web përdoren. Përdorimi i rrjetit duhet të jetë i hapët dhe pa palë të treta që të na thonë se çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Pse duhet t’ju hyjë në xhep?

Sepse është një gjë e mahnitshme prej së cilës përfitoni çdo ditë dhe ngaqë kjo gjë e mahnitshme është në rrezik.

Ose më saktë:

Një rrjet asnjanës nuk shfaq diskriminim kundrejt dërguesit, lëndës, ose marrësit të paketeve të dërguar të të dhënave. Nuk bën ndonjë dallim se sa paguan për shërbimin dërguesi apo marrësi, ç’lloj zbatimi, ose ç’protokoll e dërgon apo e merr paketin.

Ose me fjalë më të thjeshta…

Përfytyrojeni web-in si një rrugë në të cilën lëvizin paketet e të dhënave. Kjo rrugë lidh krejt kompjuterët që janë të lidhur në internet. Në kryqëzimet e këtyre rrugëve gjenden rrugëzuesit, të cilët drejtojnë paketet e të dhënave në rrugën e duhur për në vendmbërritje. Rrugëzuesve nuk u bëhet vonë se kush vjen. As pyesin se si duket, nga erdhi, ku do të vejë, apo se ç’lëndë kanë me vete.

Me këtë mënyrë unë mund të komunikoj drejtpërsëdrejti me miqtë e mi, edhe kur ata gjenden në një kontinent tjetër, paguajnë çmim të ndryshëm nga i imi, ose kanë tjetër ISP nga unë. Mund ta përdor internetin për të vizituar çfarëdo sajti web ose të luaj çfarëdo loje, pavarësisht se kush e ofron ose se ku gjenden shërbyesit që e bëjnë të mundur. Mund të shoh çfarëdo videoje apo të lexoj çfarëdo blogjesh nga e gjithë bota, dhe mund të marr pjesë në nisma dhe projekte me burim të hapur. Të gjitha këto mund t’i bëj pavarësisht se për t’u futur në internet përdor tablet, laptop, PC, ose pajisje celulare.

Për këtë është interneti. Kjo është mënyra se si presim që ai të funksionojë.
Prej këtyre rrjetesh asnjanëse komunikimi përfitojmë të gjithë ne, si bashkësi. Ata garantojnë hyrjen tonë në krejt lëndën e gatshme në web-in mbarëbotëror.

Prej kësaj, ofruesit e rrjeteve kanë fituar miliarda gjatë viteve të fundit. Asnjanësi në rrjet: një ide mahnitëse për të gjithë ne.

Ku fle lepuri?

Ofruesit e telekomunikacioneve tani pretendojnë se këto rrugë të përfytyruara të dhënash mund të jenë pre e mbingarkesës së trafikut. Ata duan ta shfuqizojnë konceptin e asnjanësisë në rrjet. Sigurisht që kjo nuk është e vërtetë, ngaqë rrjetet e të dhënave nuk janë rrugë të njëmendta. Siç e dimë nga prodhuesit e hardware-it të kësaj infrastrukture rrjeti, ka aftësi të pamata të pashfrytëzuara te rrjeti. Pa përmendur pastaj që operatorët e rrjeteve të shpërndarjes së lëndës na tregojnë se trafiku i të dhënave kushton në mënyrë të pabesueshme fare pak.

Atëherë pse i bëjnë këto pretendime kompanitë e telekomunikacionit?

Vite me radhë furnizuesit e lidhjeve kanë vërejtur me xhelozi qendrat e mëdha të fitimeve të IPS-ve: ofrues lënde, motorë kërkimesh, platforma videosh dhe rrjete sociale. Të tërë këta duan pjesën e tyre prej këtyre fitimeve, ndërkohë që epoka dixhitale zvogëlon burimet tradicionale të të ardhurave. Pra, ata duan jo vetëm të transportojnë, por gjithashtu të keni pushtet dhe kontroll mbi çfarëdo që transportohet.

Si duan ta kryejnë këtë?

Për t’ia arritur kësaj, shërbimet e telekomunikacionit kanë menduar t’i ndajnë të dhënat në kategori, ose më mirë të themi kasta. Kasta më e përulur e këtij sistemi do të ishte interneti i zakonshëm, që do të kihej vetëm për një sasi të kufizuar të dhënash, dhe që do t’i duhej të zinte karriget e fundit, pas kastave të larta, gjatë dërgimit të të dhënave nëpër rrjet. Kasta më e lartë përmban lëndë nga mundësuesit e hyrjes në internet, ndarazi nga vetë interneti, dhe do të gëzonte trajtim me hatër dhe përdorim të pakufishëm – kuptohet nëpërmjet tarifash ekstra. Mes këtyre dy skajeve, ka plot variacione të mundshme.

Për shembull, një kastë për të dhënat nga rrjetet sociale që shtojnë një haraç trafiku të dhënash për shërbimin e këtij rrjeti social. Kjo sigurisht do të thotë që përdoruesit të shërbimit do t’i duhet të paguajë një tarifë ekstra për pajtimin në të. Në të njëjtën mënyrë, mund të sendërtohet një shërbim ekstra që ofron lojëra për konsola ose lexim gazetash në linjë. Ata do të ishin ndaras nga interneti dhe mund të zbatohen pagesa si mbi shpërndarjen e shërbimit, ashtu edhe mbi klientët e tij. Ofertat konkurruese mund të kufizohen ose bllokohen fare.

E si bëhet kjo?

Le t’i kthehemi sërish përfytyrimit të rrjeteve të të dhënave si rrugë. Rrugëzuesi, i cili fillimisht drejtonte të dhënat në rrugën e duhur, do të përditësohej me një stacion kalimpagesash që skanon të dhënat dhe i ndan ato sipas kastash. Në varësi të kastës, ata mund të përdorin një rrugë speciale që është veçuar nga rruga kryesore, për ta përdorur këtë rrugë speciale për mbërritje më të shpejtë në destinacion. Nëse paguani kalimpagesë për kastë më të ulët, për to do përdoret rruga më e ngadaltë, e zakonshmja.

Nëse nga dërguesi nuk bëhet pagesë për të dhënat, atyre do t’u caktohet një kastë më e ulët dhe do t’u lejohet vetëm përdorimi i rrugës kur është e zbrazët dhe kur nuk ka shumë pakete të dhënash që kanë kaluar nëpër stacionin e pagesave. Në qofshin prej programesh, shërbimesh, lënde ose dërguesish që nuk pëlqehen nga furnizuesi i telekomunikacionit, mund të ngadalësohen tej mase, të përzgjidhen, dhe mundet edhe të asgjësohen.

Për më tepër, nëse nuk qe e qartë: ne si konsumatorë paguajmë përherë, pavarësisht se një shërbim, në pozicionin e dërguesit, paguan apo jo kalimpagesa. Për pasojë, trafiku ynë i të dhënave mund të kufizohet dhe neve të na duhet të paguajmë më tepër tarifa trafiku të dhënash.

Ç’do të thotë kjo?

Shërbimet jokomerciale dhe projektet nga bashkësi, të tilla si Wikipedia për shembull, mund të mos e arrijnë dot këtë pagesë kaste dhe pasja e tyre të kufizohet, ose të bëhet krejtësisht e pamundur.
Komunikimet e drejtpërdrejta me miq dhe të njohur të filtrohen, ose të bllokohen si rivale të modeleve të shërbimit dhe tregtisë që kanë zënë vend tashmë.
Pasi një infrastrukturë e tillë kontrolli dhe filtrimi të jetë ndërtuar dhe vënë në punë, filtrimi dhe hedhja tej e të dhënave të padëshiruara, të tilla si oferta dhe shërbime konkurruese, mund të bëhet kollaj. Më pas, filtrimi i opinioneve, informacioneve apo pikëpamjeve politike lyp vetëm një ndryshim të vogël në rregullimet e sistemit.

Dhe po i lanë të kryhen cenimet e asnjanësisë së rrjetit?

Një proces i tillë është shumë e vështirë të prapësohet, edhe sikur të qe e mundshme.
Do të humbnim larminë e internetit, shumëllojshmërinë e mundësive përmes të cilave i japin formë atij.
Do të humbnim shumë lëndë, ngaqë furnizuesit nuk do t’ia dalin dot më të paguajnë tarifat e ndërmarrjeve të telekomunikacionit.
Do të humbnim konkurrencën e lirë dhe me këtë shfaqjen e shërbimeve të reja nga kompani më të vogla apo nga projekte bashkësish.

Hyrja e lirë që gëzojmë sot në lëndë dhe informacione do të mbarojë.

Do të kishim një model interneti me dy, tre ose katër klase, ose madje jo thjesht një internet, por disa, dhe në rrjete të ndryshme, do të mund të kihet lëndë e ndryshme. Diçka e ngjashme me një grup kanalesh TV prej një pakete transmetimesh me pagesë, ku përveç programeve bazë, ka programe me pagesë çmimi i të cilave ndryshon në varësi të kanalit.

Do të mund të hynit vetëm atje ku ofruesit duan dhe presin që të jetë me fitim.
Regjimi i operatorëve të rrjetit do të kufizonte keqas lirinë e sotme të informacionit në internet. Dhe këtë humbje do të na duhet ta paguajmë edhe më shumë.

Megjithatë, ofruesit tanë thonë se nuk do ta bënin kurrë këtë; se është thjesht diçka si një rritje çmimi!
Ama, është vërtetuar se ofruesit e telekomunikacioneve na gënjejnë sy për sy lidhur me ligjshmërinë e argumenteve rreth goditjes së asnjanësisë së rrjetit. Për shembull, pretendimi i mospasjes së kapaciteteve, ose se vendet me ligje për asnjanësinë e rrjeti do të shpinin në lidhje më të ngadaltë interneti.
Kur kanë gënjyer deri këtu, çne të na tregonin të vërtetën, kur premtojnë se me paratë shtesë do të ndërtojnë një rrjet më të shpejtë, teksa pretendojnë se nuk do të sitin të dhënat tona, ndërkohë që kjo u duhet për ta vënë në punë sistemin e kastave?
Si mund ta ruajnë pasurinë e internetit dhe konkurrencën me një sistem të tillë?

Prandaj:

Protestoni tok me ne!
Kërkoni dispozita ligjore për asnjanësinë në rrjet në vendin tuaj dhe në BE!
Kërkoni trajtim të barabartë të të dhënave!
Kundërshtoni trajtimin me hatër të të dhënave me pagesë në shkëmbim të një trajtimi më të keq për të dhënat tuaja personale!
Kundërshtoni kyçjet e rrjeti dhe ngadalësimet artificiale!
Luftoni për një rrjet komunikimesh të hapur dhe të lirë, nga i cili përfitojmë të gjithë tok si bashkësi!
Kërkoni trafik të pamanipuluar të dhënash!
Mos pranoni diskriminim ose dhënie përparësish të të dhënave, pavarësisht se për ç’arsye!
Askush nuk ka të drejtë të zhbirojë në trafikun tonë. Asgjë nuk e përligj.
Të gjithë kemi të drejtën për asnjanësi rrjeti, madje edhe në rrjetet e celularëve!

Rrjet të njëmendtë, tani dhe në të ardhmen!

Shënim: Teksti është përkthimi i një videoje që mund ta shihni këtu

Jetpack për WordPress në Shqip

 

Për përdoruesit e blogjeve të strehuar në WordPress.com Jetpack-u është një paketë e njohur shtojcash që shtojnë veçori mjaft të dobishme si për administrimin e blogut, ashtu edhe për përdoruesit. Versioni 2.0.4 i shtojcës është versioni më i ri. Ky version përmban edhe një version Shqip të plotë.

Jetpack

Pas instalimit të tij në blogun tuaj, gjëja e parë që do t’ju kërkohet për ta bërë të mundur shfrytëzimin e Jetpack-ut është lidhja e blogut tuaj me llogarinë tuaj në WordPress.com. Nëse nuk keni një të tillë, do t’ju ofrohet mundësia për krijimin e një llogarie WordPress.com.Jetpack_thuajse_gati

Mekanizmat e ofruara nga Jetpack-u janë të shumta. Pasi të krijohet lidhja e blogut tuaj me llogarinë tuaj në WordPress.com, do t’ju paraqiten thjesht dhe bukur të gjitha, së bashku me lidhje për t’u njohur më thellë me secilën dhe për formësimin e secilës në përputhje me blogun tuaj dhe sipas funksioneve që dëshironi për secilën. Aktivizimi dhe aktivizimi i secilës bëhet në mënyrë individuale, po në atë skenë.pjesët

Më poshtë mund të shihni, sa për të ilustruar idenë, pjesën e Jetpack-ut që administron përdorimin e postimeve të blogut tuaj në rrjete shoqërore të njohur. Mund të zgjidhni rrjetin, ose rrjetet që dëshironi.

Publicize

Jetpack është kryesisht i menduar për ata që blogjet e tyre i kanë në WordPress.com. Por mund të përdoret edhe nga blogje që nuk ruhen në të, por që janë ndërtuar me WordPress. Për rastet që përfshihen në këtë kategori të dytë, përpara se të vendoset po ose jo, është mirë të merret në konsideratë fakti që blogu juaj, pra lënda dhe funksione të tjerë të tij do të lidhen për këtë me shërbyesit e një pale të tretë, WordPress.com. Kjo, si gjithmonë në raste të tilla, kërkon peshimin me kujdes të hapit: a preket privatësia e blogut tuaj prej një hapi të tillë? Dëshironi që palë të treta të njohin dhe administrojnë pjesë të lëndës së blogut tuaj? A kryhet prej këtyre palëve të treta vetëm sa thuhet, apo ka gjëra të tjera që nuk duken në pamje të parë.

Përtej këtyre gjërave që kërkojnë sqarim për secilin rast, Jetpack-u mbetet megjithatë një mjet i vyer për blogje WordPress.

 

 

Shpjegime elegante te postimet tuaja në një blog WordPress

Shpesh lind nevoja të shtohet në tekst një shpjegim për një term, një personazh historik, një datë, etj. Mënyra më e shkurtër është shtimi i një shënimi në fund të tekstit, ashtu siç bëhet në librat e shtypur në letër. HTML-ja pruri një risi në këtë drejtim, pasi lejon futje lidhjesh (linkTerm i bartur derr në thes nga Anglishtja për të treguar lidhje të klikueshme në një faqe Web) si kjo brenda një dokumenti. Vetëm se krijimi dhe vendosja e tyre në një tekst kërkon pak përpjekje, qoftë edhe për të imituar lidhje HTML që mund të kopjohen nga diku.

Kas Tooltip – një shtojcë për WordPress – e bën fare të lehtë pajisjen e një postimi blogu me shpjegime të tilla, që jo vetëm shtohen kollaj, por edhe janë shumë më funksionale dhe të hijshme për syrin, shumë më tepër se sa lidhjet që të hedhin poshtë e lartë nëpër një dokument. Për ta parë në veprim këtë metodë, nëse nuk e vutë re deri tani më sipër kalojini kursorin përsipër fjalës termKëtu, dhe kështu, do të shfaqet shpjegimi i termit ose shënimin juaj çfarëdo këtu. Elementi që duhet të vendosni te teksti i postimit tuaj për të realizuar këtë efekt mbi cilindo term apo shënim shpjegues duhet të jetë sipas kësaj forme:

[kastooltip msg=”term” tooltip=”shpjegim termi, ose çfarëdo shënimi tjetër”]

Futja duhet bërë nën mënyrën HTML të përpunuesit, jo nën atë pamore, dhe që të funksionojë duhet të instaloni dhe të aktivizoni te blogu juaj shtojcën Kas Tooltip.

Ja disa shembuj të shkëputur nga një projekt real:

Që nga rënia e Perandorisë Romake deri në përfundimin e RisorgimentoLëvizja për bashkimin e Italisë nën një shtet të vetëm-s, Italia nuk njohu kurrë një shtet ose një aristokraci për gjithë gadishullin, dhe pjesën dërrmuese të kohës qe subjekt i një vargu fuqish të huaja në luftë me njëra-tjetrën.

Nën nivelin e universiteteve, botuesve, studiove ose gazetave, te të cilat mouvanceFrëngj. Përkatësi, zonë influence, autoritet në një fushë-a e partisë qe kaq e përhapur, dhe e dallueshme prej fortesave të establishmentklasa sunduese ose grupi që ka autoritetin në një shoqëri; veçanërisht, autoritet i betonuar që i përkushtohet ruajtjes së status quo-së-it borgjez liberal në shtyp, gjithmonë pat lulëzuar një nënshtresë revistash apo shfaqjesh konformiste, qepur për shijet mesatare ose të rëndomta të votuesve të DC-së.

Përfundimi qe një hendek kaq i madh mes ndjeshmërive të arsimuara dhe atyre popullore, saqë vendi kish mbetur pak a shumë pa mbrojte kundër kundër-revolucionit kulturor të perandorisë televizive të Berlusconi-t, duke e ngopur përfytyrimin popullor me një përmbytje idiotësish dhe fantazish nga më të trashat – schlockFilma apo komedi horror pa shije, të konceptuara për shokimin e shikuesve kaq të ulët saqë vetë termi është shumë i përkorë për to.

Përgjatë dhjetëvjeçarit pasues, operaismoOperaizmi ose e majta operaiste është një rrymë marksiste, antiautoritare, mendimi dhe kërkimesh, e zhvilluar në Itali në fillim të viteve gjashtëdhjetë. u zhvillua në një forcë të ndryshueshme, duke pjellë disa gazeta seminaleMe shumë ndikim, veçanërisht përmes ndonjë rruge origjinale, dhe që ofron një bazë për zhvillime apo kërkime në të ardhmen, edhe pse jetëshkurtra – Fletoret e kuqe, Klasa punëtore, Daci i egër, Kundërplani – që eksploronin shndërrimin e punës dhe kapitalit industrial në Italinë bashkëkohore.

Karmen – Versioni më i ri i WordPress-it.

WordPress 2.9, oh so fine
I want to make you mine,
all the time…

Versioni 2.9 i WordPress-it sapo është hedhur në qarkullim. Çfarë është WordPress-i?
WordPress-i është një platformë publikimesh në Web, ose programi që lejon ndërtimin dhe mirëmbajtjen e blogjeve të tillë si:
Peizazhe të Fjalës
kolektiviza
Tirana Calling
akull-naja
bletëbzz
Pëshpërima
Baba Cjapi
lumbardhi
Funky Fish
Adri Nurellari
yummania
Informacione
Blogu për Televizion
Lajme News
midis nesh
Zëri i Aryes
KF Apolonia

sa për të përmendur disa prej tyre. Edhe blogu i këtushëm funksionon nën WordPress.

Versioni i ri, i pagëzuar “Karmen”, përmban një sërë të rejash interesante për përdoruesin:

1. Mekanizëm global ”zhbërjesh”, që ju lejon kthimin e një postimi apo komenti të fshirë gabimisht.
2. Përpunues pamjesh i trupëzuar që lejon qethje, përpunime, rrotullime dhe ripërmasime pamjesh. Kjo veçori është e para në një varg  përmirësimesh të lidhura me trajtim mediash në një blog.
3. Përditësim shtojcash dhe kontroll përputhshmërie të tyre në masë, edhe 10 shtojca njëherazi, e jo më një e nga një. Kjo duhet t’jua heqë frikën nga përditësimet.
4. Trupëzim videosh më i lehtë, thjesht hidhni URL-në e një videoje YouTube, Daily Motion, Blip.tv, Flickr, Hulu, Viddler, Qik, Revision3, Scribd, Google Video, Photobucket, PollDaddy, apo WordPress.tv dhe programi kujdeset për të tjerat.

Versionin Shqip për 2.9 do ta gjeni këtu

WordPress-i në Shqip

WordPress-i është një nga platformat më të njohura për krijim dhe mirëmbajtje blogjesh, i përdorur edhe nga shumë blogistë shqiptarë. Përkthimin e tij në Shqip e kam përfunduar, dhe shumë shpejt do të jetë i passhëm zyrtarisht site-i zyrtar. Deri atëherë, një ide mund ta krijoni nga këto foto ekrani:

Foto nga WordPress-i në Shqip

BlogThis! më i lehtë për t’u përdorur

BlogThis! është një shtojcë Firefox-i, e cila i lejon dikujt që ka një blog të vetin tek Blogger të komentojë tek blogu i vet faqen që është duke shfletuar me Firefox-in. Hyrja tek llogaria Blogger bëhet vetëm me një klik tek ikona përkatëse. Klikimi mbi këtë ikonë hap një faqe Blogger, pjesërisht të gatshme me titull titullin e faqes që po vizitohej, dhe vendndodhjen Internet të saj si lidhje për te ajo.
Ndryshimi me atë çka qenë deri tani është fakti që instalimi është vetëm tërheqja e lidhjes BlogThis! prej faqes BlogThis! tek paneli i lidhjeve vetjake në dritaren kryesore të Firefox-it.
Pas kësaj, kudo që të jeni duke vizituar, klikimi mbi ikonën BlogThis nis një zë të ri blogu.

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.