Arkivë për etiketën 'burim publik'

Historia e Mozilla-s me pak fjalë

Një video që ilustron grafikisht dhe hijshëm historinë e derisotshme të Mozilla-s dhe misionit të saj:

Transkriptimi i videos, për nevoja të çfarëdoshme, vijon më poshtë:

Në fillimet e veta web-i qe i thjeshtë, i ndërlidhur, i hapët, i sigurt,  i konceptuar si një forcë e së mirës, por do të shndërrohej në diçka shumë më të madhe, një ekosistem i gjallë, që merr frymë në shërbim të njerëzimit, një burim publik për risi dhe mundësi. Një vend për të vënë në jetë ëndrrat tuaja.

Por në ato fillime, si për çdo ekosistem, web-i kish nevojë për mëkim. Ndërkohë që rritej, përdoruesit u ndeshën me sfida të reja. Flluska. Viruse. Mungesë zgjedhjesh. Ngastra përmbajtjeje pas muresh të lartë. Web-i filloi të të fuste frikën. U bë i ngadaltë, i ndërlikuar, i frikshëm. Përdoruesit zunë të pyesnin: pra, kaq e pati? Apo web-i mund të ishte diçka më e mirë?

Një grup i vogël personash, programuesa, grafistë, idealistë, besonin se mund të bëhej i tillë. Dhe patën një ide të guximshme:  një organizëm i vogël jofitimprurës dhe një bashkësi globale mund të krijonin diçka më të mirë dhe të fusnin në Web ide të reja dhe risi. E quajtën projekti Mozilla. Zunë fill duke krijuar një shfletues Web të një lloji të ri. Atë që sot e njohim si Firefox. Dhe e bënë jofitimprurëse, që njerëzit që përdornin Web-in të viheshin mbi gjithçka. Më shumë se sa një program, qe një platformë që gjithkush mund ta përdorte për të sendërtuar idetë e veta. Bezditë zunë të pakësoheshin. Filluan të shfaqen themelet e Web-it që njohim sot.
Sot Web-i është një vend ku mund të ngrini thuajse çfarëdo gjëje që ju vjen në mend. Mozilla dhe Firefox-i ekzistojnë për të ndihmuar njerëzit ta rrokin këtë mundësi kudo dhe të dalin në ballë të përdoruesve, në një botë ku mundësia e zgjedhjes dhe kontrolli janë të rrezikuara shumë shpesh.
Por, po sikur Firefox të qe vetëm fillimi? Po sikur të qe pjesë e diçkaje më të madhe? Nga privatësia e përdoruesit te Firefox Mobile, te zbatimet dhe identiteti, po i zgjerojmë  çdo ditë kufijtë e web-it Dhe po shkojmë më tej se sa software-et. Po ndihmojmë në formimin e një brezi ndërtuesish web. Besojmë se web-i është një vend ku cilido
mund të vijë të materializojë ëndrrat e veta. Ja pse e krijuam Firefox-in. Ja pse dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë në krijimin e produkteve tona. Ja pse qindra milionë anembanë botës përdorin programet tona. Por më e rëndësishmja — ja pse gjithmonë ju vëmë juve mbi gjithçka, dhe përballemi me ata që nuk e bëjnë këtë.

Miliona vetë na dinë si Mozilla Firefox. Por jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një organizëm jofitimprurës që lufton për mbrojtjen e web-it që të gjithë e duam. Bashkohuni me ne – na duhet përkrahja juaj. Bëni një dhurim.

Shfaqni përkrahjen tuaj për një Web të hapur

Mozilla Firefox Mark Up është një projekt i Mozilla-s i konceptuar për t’u dhënë mundësi përdoruesve të Internetit të shprehin në mënyrë grafike përkrahjen e tyre për një Web të hapët.

Web-i është krijesë e jona. Dhe Mark Up është një ftesë e hapët për të treguar përkrahjen tuaj për mbajtjen e Web-it të hapët dhe të mundshëm për këdo. Lini dhe ju shenjën tuaj.

Markup-i në punë e sipër

Markup-i në punë e sipër

Bashkësia Mozilla beson në ndarjen me të tjerët të frymës krijuese. Beson se gjithçka në Web do të duhej të ishte e përdorshme nga njerëzit që kontribuojnë në të.

Ja si shprehet Lawrence Lessig, mbrojtësi i respektuar i Web-it të hapët:

Një Rrjet i hapët e përfshin kulturën e lirë. Kjo nuk do të thotë mosrespektim i të drejtave të kopjimit të të tjerëve. Përkundrazi, do të thotë krijimi i mundësive për të tjerët të shkëmbejnë dhe krijojnë vepra që të pëlqehen në Rrjet. Vini në jetë lirinë që prisni prej të tjerëve, duke dhënë leje mbi veprën tuaj aq lirisht sa mundeni.

Web-i është pjesë e pandarë e jetës moderne. Është një mësues, një përçues, një argëtues, një frymëzues, një bashkëpunim i krejt përpjekjeve tona krijuese. Ndez lëvizje dhe na lejon të shkëmbejmë idetë tona, mendimet tona, ëndrrat tona. Web-i është krijesë e jona. Të gjithë jemi pjesëmarrës, jemi ne ata që e përdorin Web-in çdo ditë. Krejt komentet dhe ngarkimet që bëjmë shtojnë diçka në një gjë më të madhe. Kjo është arsyeja pse besojmë që Web-i duhet të mbetet i hapët dhe i mundshëm për këdo. Mark Up është një kremtim i kësaj lirie. Shenja e çdo personi është shprehje individuale në një vijë të vazhduar që simbolizon solidaritetin. Është një deklarim dhe një shans që të shfaqni mbështetjen tuaj për Web-in e popullit.

Web-i na takon të gjithëve ne. Lini shenjën tuaj dhe shpalosni përkrahjen tuaj për burimin publik më të madh të botës.

Mark Up do të lejojë krijimin e një koleksioni shenjash individuale në Web, për të festuar ekzistencën e burimit më të madh publik në botë, duke i dalë zot pronësisë së Web-it.

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.