Arkivë për etiketën 'jofitimprurës'

Të Marrësh Pjesë te Mozilla

Historia e Mozilla-s me pak fjalë

Një video që ilustron grafikisht dhe hijshëm historinë e derisotshme të Mozilla-s dhe misionit të saj:

Transkriptimi i videos, për nevoja të çfarëdoshme, vijon më poshtë:

Në fillimet e veta web-i qe i thjeshtë, i ndërlidhur, i hapët, i sigurt,  i konceptuar si një forcë e së mirës, por do të shndërrohej në diçka shumë më të madhe, një ekosistem i gjallë, që merr frymë në shërbim të njerëzimit, një burim publik për risi dhe mundësi. Një vend për të vënë në jetë ëndrrat tuaja.

Por në ato fillime, si për çdo ekosistem, web-i kish nevojë për mëkim. Ndërkohë që rritej, përdoruesit u ndeshën me sfida të reja. Flluska. Viruse. Mungesë zgjedhjesh. Ngastra përmbajtjeje pas muresh të lartë. Web-i filloi të të fuste frikën. U bë i ngadaltë, i ndërlikuar, i frikshëm. Përdoruesit zunë të pyesnin: pra, kaq e pati? Apo web-i mund të ishte diçka më e mirë?

Një grup i vogël personash, programuesa, grafistë, idealistë, besonin se mund të bëhej i tillë. Dhe patën një ide të guximshme:  një organizëm i vogël jofitimprurës dhe një bashkësi globale mund të krijonin diçka më të mirë dhe të fusnin në Web ide të reja dhe risi. E quajtën projekti Mozilla. Zunë fill duke krijuar një shfletues Web të një lloji të ri. Atë që sot e njohim si Firefox. Dhe e bënë jofitimprurëse, që njerëzit që përdornin Web-in të viheshin mbi gjithçka. Më shumë se sa një program, qe një platformë që gjithkush mund ta përdorte për të sendërtuar idetë e veta. Bezditë zunë të pakësoheshin. Filluan të shfaqen themelet e Web-it që njohim sot.
Sot Web-i është një vend ku mund të ngrini thuajse çfarëdo gjëje që ju vjen në mend. Mozilla dhe Firefox-i ekzistojnë për të ndihmuar njerëzit ta rrokin këtë mundësi kudo dhe të dalin në ballë të përdoruesve, në një botë ku mundësia e zgjedhjes dhe kontrolli janë të rrezikuara shumë shpesh.
Por, po sikur Firefox të qe vetëm fillimi? Po sikur të qe pjesë e diçkaje më të madhe? Nga privatësia e përdoruesit te Firefox Mobile, te zbatimet dhe identiteti, po i zgjerojmë  çdo ditë kufijtë e web-it Dhe po shkojmë më tej se sa software-et. Po ndihmojmë në formimin e një brezi ndërtuesish web. Besojmë se web-i është një vend ku cilido
mund të vijë të materializojë ëndrrat e veta. Ja pse e krijuam Firefox-in. Ja pse dhjetëra mijëra vullnetarë na ndihmojnë në krijimin e produkteve tona. Ja pse qindra milionë anembanë botës përdorin programet tona. Por më e rëndësishmja — ja pse gjithmonë ju vëmë juve mbi gjithçka, dhe përballemi me ata që nuk e bëjnë këtë.

Miliona vetë na dinë si Mozilla Firefox. Por jemi shumë më tepër se kaq. Jemi një organizëm jofitimprurës që lufton për mbrojtjen e web-it që të gjithë e duam. Bashkohuni me ne – na duhet përkrahja juaj. Bëni një dhurim.

Pesë-vjetori i Firefox-it

Një vështrim mbi Firefox-in në pesë-vjetorin e tij


Firefox-i Sipas Numrave

  • Firefox-in e përdorin më tepër se 330 milionë vetë anembanë botës

  • Firefox-i është software i lirë dhe me burim të hapur, me afërsisht 40% të kodit të tij shkruajtur nga vullnetarë

  • Përqindja e tregut për Firefox-in është 24.7%% (sipas Net Applications, Tetor 2009)

  • Përqindja e tregut për Firefox-in në Europë është 34.47% (sipas Net Applications, Tetor 2009)

  • Deri në Gusht të 2009-s, Firefox-i qe shkarkuar më shumë se 1 miliardë herë

Shfletuesi Global

  • Firefox-i mund të kihet në më shumë se 70 gjuhë (duke mbuluar kështu më shumë se 97% të popullsisë botërore online)

  • Firefox-i është në përdorim në çdo vend të botës
  • Gati çdo version jo në Anglisht i Firefox-it është përkthyer nga vullnetarë të bashkësisë

  • Më tepër se 50% e përdoruesve të Firefox-it në botë përdorin versione jo në Anglisht

Ecuria në Kohë*

  • 9 Nëntor, 2004: qarkullon Mozilla Firefox 1.0

    • Veçori të reja:

      • Bllokim Flluskash – ndaloni reklama të bezdisshme në trajtë flluskash

      • Shfletim me Skeda – shihni më shumë se një faqe në një dritare të vetme

      • Vetësi dhe Siguri – Firefox e ruan të pastër kompjuterin nga spyware-e dashakeqë

      • Kërkime Më të Mençura – kërkimi është vendosur drejt e te paneli

      • Faqerojtësa të Gjallë – integrim i prurjeve RSS

      • Shkarkim Pa Telashe – kartela të ruajtura vetvetiu në desktopin tuaj

      • Miku Më i Mirë për Zhvilluesit – Firefox-i vjen me një set standard mjetesh zhvilluesi
    • Numër versionesh të përkthyer: 29

    • Përqindje tregu atë muaj: 1.2% (sipas Net Applications, Nëntor 2004)

  • 29 Nëntor, 2005: qarkullon Mozilla Firefox 1.5

    • Veçori të Reja
      • Përditësim i Vetvetishëm

      • Rirenditje Skedash me Drag and Drop

      • Pastrim të Dhënash Vetjake
    • Numër versionesh të përkthyer: 32

    • Përqindje tregu atë muaj: 8.5% (sipas Net Applications, Nëntor 2005)

  • 24 Tetor, 2006: qarkullon Mozilla Firefox 2.0

    • Veçori të reja
      • Rifreskim i Anës Pamore – u përditësuan temat dhe ndërfaqja e përdoruesit

      • Personalizoni Shfletuesin Tuaj – mbi 1000 Shtesa nga të cilat të zgjidhet

      • Siguri: Mbrojte e brendshme nga karremëzimet

      • Rikthim Sesioni

      • Kontroll i Brendshëm Drejtshkrimi

    • Numër versionesh të përkthyer: 37
    • Përqindje tregu atë muaj: 12.9%

  • 17 Qershor, 2008: qarkullon Firefox 3 dhe vendos një Rekord Botëror Guinness me numrin më të madh të shkarkimeve të një software-i brenda 24 orësh
    • Veçori të reja

      • Shtyllë e Mençur Vendesh

      • Faqerojtësa me Një Klikim

      • Etiketa

      • Shfletuesi Web Më i Sigurt – masa strikte kundër karremëzimeve dhe malware-eve / ID site-i web të atypëratyshme

      • Prodhimtari – kontroll i brendshëm drejtshkrimi / rikthim sesionesh / full zoom /

      • Personalizim – më shumë se 5000 Shtesa që t’ju ndihin për personalizim

    • Numër versionesh të përkthyer: 48

    • Statistika shkarkimesh

    • Përqindje tregu atë muaj: 19% (sipas Net Applications, Qershor 2008)

  • 30 Qershor, 2009: qarkullon Firefox 3.5

    • Veçori të reja

      • Shfletim Vetjak

      • Mbulim për HTML5 – video të hapur dhe audio të hapur

      • Shfletues i Ndjeshëm ndaj Vendit

      • Skeda të Shqitshme

      • Shkronja të Shkarkueshme

    • Numër versionesh të përkthyer: 73

    • Përqindje tregu atë muaj: 22.43% (sipas Net Applications, Qershor 2009)

  • 31 Tetor , 2009, qarkullon Firefox 3.6 Beta 1

Fuqia e Personalizimive

  • Mbi 6000 Shtesa Firefox-i falas, të krijuara me kontributin e bashkësisë – më tepër se për cilindo shfletues tjetër

  • 7 milionë shkarkime për Personas me 20 mijë hartime Personas kontribut i 10 mijë artistëve (Gusht 2009)

Kalimi në Celular

  • Përpjekjet e Mozilla-s drejt celularit, me emrin e koduar Fennec, bazohet në besimin se, pavarësisht se me ç’pajisje hyni në të, ka vetëm një Web

  • I ngritur mbi të njëjtën teknologji si Firefox-i, Fennec-u ka plot nga veçoritë e fuqishme të versionit desktop

Pse Firefox?

  • Projekti Firefox fillimisht quhej Phoenix, u ripagëzua për shkak problemesh me shenja tregtare. Emri zëvendues, Firebird, nxiti shqetësime te Firebird,
    një projekt i lirë software-i bazash të dhënash. Ndaj, më 9 Shkurt, 2004, Mozilla Firebird u bë Mozilla Firefox.

Rreth Mozilla-s

  • Mozilla është një organizëm jofitimprurës, në dobi të publikut, me më pak se 250 nëpunës

  • Mbështetemi nga një bashkësi globale disa-mijëshe e përkushtuar të na ndihmojë të krijojmë një Internet më të mirë

  • Misioni ynë është ta mbajmë Internetin të hapur dhe të lirë, përmes mbështetjes së lirisë së zgjedhjes, risive dhe mundësive në botën online

  • Mësoni më tepër rreth Mozilla-s

Bashkësia Mozilla

  • Më tepër se 1000 vullnetarë kontribuojnë me kod te Firefox-i

  • 20 mijë vetë shkarkojnë dhe provojnë përditësimet e përditshme të Firefox-it, dhe gati 1 milionë vetë shkarkuan dhe provuan Firefox 3.5 beta

  • mijëra vetë kontribuojnë te Mozilla përmes sistemit tonë për ndjekjen e projektit Bugzilla

  • SUMO, site-i i Mozilla-s i mirëmbajtur nga bashkësia, ndihmon mesatarisht 10 mijë përdorues të Firefox-it në javë

  • Studentë nga më shumë se 600 institucione në 57 vende përhapin Firefox-in nën rolin e Përfaqësuesit të Mozilla Campus-it

  • Për hedhjen në qarkullim të Nëntorit të 2004, 15 mijë vetë dhuruan shuma parash për të blerë një reklamë mbi Firefox-in te New York Times

*Listë e plotë e shënimeve të versionit: http://www.mozilla.com/en-US/firefox/releases/

* Listë e plotë e versioneve të përkthyera: ftp://ftp.mozilla.org/pub/mozilla.org/firefox/releases/


© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.