Arkivë për etiketën 'Linux'

Teknologjia në shërbim të komunikimeve të drejtpërdrejta

Njëzet vjetët e parë të jetës dhe e ardhmja e Linux-it

Maddog, Moglen, dhe Frye, figura të shenjta të bashkësisë së Linux-it diskutojnë njëzet vitet e para të tij dhe të ardhmen që e pret

Ruth Suehle

Në fjalën e mbajtur pasditen e parë të LinuxCon-it, drejtori ekzekutiv i Linux Foundation-it, Jim Zemlin, zuri vend për të biseduar rreth njëzetvjetorit të Linux-it me Jon “Maddog” Hall-in, Eben Moglen-in, dhe Dan Frye-in, ose siç i quajti, Kumbari, Avokati, dhe Kostumi.

Këta janë nga ai lloj njerëzish që nuk kanë nevojë për prezantim në bashkësinë e Linux-it. Maddog-i ndihmoi Linus Torvalds-in për kalimin e tij të parë të Linux-it në një platformë të deriatëhershme, te ajo Alpha e Digital Equipment Corporation-it dhe shpesh i referohen si kumbari i bashkësisë. Ai në fakt është vërtet kumbar i dy fëmijëve të Torvalds-it. Moglen-i është drejtori këshillimor i Qendrës Ligjore të Software-it të Lirë dhe ka përfaqësuar software-in e lirë për shumë vjet. Frye është zëvendëspresident i Open Systems Development, IBM Systems & Technology Group, dhe përgjegjës për ekipin e zhvillimit të Linux-it në IBM. Ka qenë bashkautor i strategjive origjinale të IBM-së për korporata, lidhur me Linux-in dhe software-in me burim të hapur.

Më poshtë janë fjalët e tyre rreth njëzet viteve të shkuara të tij dhe se ç’presin ata nga njëzet vjetët e ardhshëm.

Kur ka qenë hera e parë që dëgjuat për Linux-in?

Maddog: Diku aty nga Nëntori i ’93-shit, kur pashë një numër të Dr. Dobbs Journal, dhe vura re që fliste për një kopje të plotë të sistemit operativ UNIX, $100, përfshi kodin burim. Thashë me vete, “O Zot, $100 për një sistem të plotë. Nuk rri dot pa e porositur!” Dhe ashtu bëra, por nuk kisha PC ku ta xhiroja. Më erdhi, dhe qe një libër i hollë dhe një CD, dhe ngaqë nuk e xhiroja dot, e montova CD -në dhe zura të shoh faqet man. Dukej si sistem i mirë, dhe e vendosa në raft. Mandej, në Maj të ’94-s, dikush më kërkoi që të sjell këtë person nga Europa për të folur për një gjë që u quajkërka Linux.

Moglen: Këto janë ato pikëpërputhjet në një bashkësi. Në vjeshtën e ’93-shit, po përpiqesha që të pengoja trajtimin e PGP-së si municion nga qeveria e SHBA-ve. Punoja në Virxhinia dhe porosita një CD, që përmbante versionin 0.92 të kernelit, të cilin m’u desh ta përpiloja vetë, të paktën kisha hardware, më të mirë a më të keq se sa ai i Maddog-ut nuk e di, por jo dhe aq të keq. Dhe mandej e vura në raft, deri sa kalova në Harvard Law School vitin tjetër, ku nuk qe e mundur të xhiroje sistemin operativ pronësor multitasking DOS që përdorja. Duhet të ketë qenë diku nga Marsi i ’94-s kur e instalova përfundimisht, dhe që atëherë nuk e kam kthyer kokën pas.

Frye: Ne qemë të vonuar në dasmë. Nuk para kishim dëgjuar për Linux-in para Majit të ’98-s. Qeshë në një praktikë me objekt punimin me performancë të lartë në kompjutera, duke u marrë me dizajn teorik sistemesh të rendit petaflop. Kish tre mbledhje: një grup pune për teknologjinë më pronësore nga gjithçka tjetër, një për sisteme diku në mes, dhe një grup për sisteme të hapur. Kur u përmend Linux-i, thashë: “Çfarë?” Shpjegimi i tyre, në shumicën e tij, qe i gabuar, për sa i përket bashkësisë, por edhe për ta ishte hera e parë.

Kur e kuptuat që bëhej fjalë për një gjë që do të ishte e madhe?

Frye: Pak më vonë qeshë pjesë e një grupi që filloi të ngjisë shkallët në strategjinë e korporatës relativisht herët, duke vendosur të hidhej në atë fushë në fund të ’98-s. Patëm tre raste për rritje të mundshme të Linux-it, dhe nga një prej tyre përftuam ca të dhëna që tejkalonin mjaft rritjen tonë eksplozive. Të gjithë zunë të thoshim, “Kjo është.” Na u desh një kalim nëpër hierarkinë e korporatës, dhe gjithkush, nga më i thjeshti deri te presidenti tha, “Po kjo duket, nuk ka nevojë për kallauz.”

Moglen: Ironia në rastin tim është që unë merresha me kernelin përpara se të filloja të punoja për Stallman-in. Riçardi erdhi te unë në vjeshtë të ’93-shit ngaqë kish lexuar diçka rreth se ç’po bëja unë me Zimmerman-in dhe PGP-në. Në kohën që ai dhe unë zumë të flisnim seriozisht lidhur me idenë e të punuarit tok, ajo që kish bërë Linusi tregonte qartë se si do të mund të përfundohej GNU-ja. Qe e qartë, që nga çasti kur filluam, se kjo qe rruga se si mund të funksiononte një sistem operativ i lirë, ngaqë ishte rruga sipas së cilës një sistem i lirë operativ po funksiononte realisht. Nuk mendoj se kishte ndonjë dyshim rreth faktit se ajo ç’po bëja qe në gjendje të lehtësonte këtë ndërthurje jo të zakonshme forcash.

Maddog: E ftuam Linusin në DECUS në New Orleans, që është një Disneyland për të rriturit. Mund të gjeni gjithçka doni, dhe plot gjëra që nuk i doni. Ai mbajti dy biseda për grupe me rreth 20-30 vetë secili. Unë e dëgjoja i ulur diku. Prej kohësh përdorja burim të hapur. Dikur, më 1973, kur zura të programoj, nuk kishte shumë programe në formë dyore, ngaqë nuk ia vlente. Pastaj kalova në mësimdhënie, ku përdornim software të krijuar prej kolegësh të trupës mësimdhënëse, mandej erdhi Bell Labs ku kishim kodin burim për UNIX-in. Mandej Digital-i, kështu pra, qeshë mësuar me të. Por shihja se njerëzit që përdornin software-e në trajtë dyore kishin probleme. I dëgjova këto biseda, dhe kur u ktheva, i gjeta Linusit një sistem Alpha që të bënte kalimin dhe u bëra një paraqitje përgjegjësve të mi. Tek diapozitivi i fundit thashë, “Linux është i paevitueshëm.” Thashë, “Askush nuk do të jetë në gjendje ta ndalë. Ka për të qenë një gjë shumë, shumë e madhe.”

Që prej përfshirjes suaj, ka pasur ndonjë problem, ndonjë thep, që ju ka bërë të mendoni se punët mund të shkonin për mirë ose për keq.

Frye: Jo. Jo. Jo. Jo. Pyetët nëse pati ndonjë çast që të kem dyshuar te Linux-i. Se a pati ndonjë rast që IBM-së iu desh të merrte vendime të vështira? Sigurisht. Tregje komplekse. Por ka qenë rrugë që të mbetet në mendje. Më ’98, ’99, 2000, të gjithë ne i kemi përsëritur vetes që edhe Linux-i do të pësonte atë dukuri që formalizohet me Kurbën Gartner. Që do t’i binte vrulli. Periudha kur nuk punon si duhet, ose kur njerëzit çorientohen, por këto nuk i pamë. Nuk ndodhi kurrë, dhe kjo këtu e 13 vjetë më parë.

Moglen: Hmmm, ka pasur çaste kur nuk dukej kaq mirë. Kur filluam të punonim për GPL 3, i rregullova Stallman-it një intervistë me New York Times-in dhe, i mbledhur kruspull diku pas, dëgjoja nga një palë kufje, me gishta të kryqëzuar, siç ndodh ndonjëherë. Ata e pyetën se a pat menduar ndonjëherë se do të bëhej kaq i mirë sa ç’ishte. U përgjigj “jo”, nga çasti që dëgjoi për patentat mbi software-et, pati menduar se kaq e pat kjo punë, por Ebeni qe më optimist. Në fillimet e rrëmujës me SCO-në, isha i shqetësuar, jo ngaqë mendoja se kishin fakte apo sepse mendova se miqtë tanë në industri do të na linin në baltë, shqetësohesha për klientët tanë. Kam harxhuar shumë kohë duke u shpjeguar kryejuristëve nervozë në korporata se pse drejtuesit e tyre nuk talleshin kur thoshin se donin ta mbanin në përdorim Linux-in. Në 2003-shin dhe 2004-n kam harxhuar mjaft kohë duke e trajtuar çështjen nëpër takime pune, dhe në to e ndjeje tensionin. Pati vërtet një përpjekje të menduar, si edhe sot, për t’u futur frikën njerëzve nga software-i i lirë, ku përfshihet edhe kerneli i Linux-it, e cila do t’u bënte dëm bizneseve të vegjël. Mbijetesa pas këtij rasti të parë qe një mësim i mirë mbi fuqinë e zotimeve tona sociale, në kontrast me software-in tonë. Tani do të vihemi prapë në provë lidhur me marrëdhëniet tona sociale.

Maddog: Në zhvillimin e sistemit Linux ka pasur një çast kur njerëzit zunë të mendonin rreth kompanive të ardhshme që do të fitonin para nga Linux-i. Këta thoshin, “Nuk dua të shkruaj software falas e pastaj ta përdorin të tjerët për të fituar para.” U thashë “jo”, nëse nuk i lejoni njerëzit të nxjerrin para prej tij, ka për të bërë përpara me shpejtësinë e një akullnaje. Po i latë të fitojnë para dhe të kontribuojnë në të, do të shkojë përpara me shpejtësi. Sinqerisht, kështu ndodhi me Microsoft-in, që tha, “do të bëjmë një sistem operativ dhe do t’u lejojmë njerëzve të zgjedhin hardware-in e tyre.” Fituan tregun. Shihni Apple-in, që tha, “do të lejojmë vetëm hardware nga Apple,” kanë vetëm 9% të tregut.

Si asnjë platformë tjetër, Linux-i është shtrirë nga një formë e punës me kopmpjuter te një tjetër. Si mendoni se do të përkufizoheshin 20 vjetët e ardhshëm të Linux-it?

Frye: E lezetshmja është se ajo çka kuptuam herët qe që Linux-i është i aftë të mundësojë risi. Si i tillë, shtrihet dhe shfaqet në vende jo të zakonshme. TiVo? E jo de, çne? Po pse jo? Superkompjutera, mainframes, shfaqet atje ku nuk e prisni.

Maddog: Mendoj se është një ndërthurje e shumë gjërave që ndodhin në të njëjtën kohë. Kur fillova me kompjuterat, një tranzistor i vetëm kushtonte $1.50. E faktit që sot hardware vërtet i fuqishëm kushton në mënyrë të pabesueshme pak, që mund të bëni gjëra të mrekullueshme me kompjutera të harruar diku në depo, por prapë, nëse nuk keni në dorë kodin burim, ju mbetet t’ia nisni nga fillimi. Dhe kjo është për të ardhur keq. Interneti na jep mjetet për të cilat kemi nevojë për bashkëpunim. Diku në një CampusParty, para ca javësh, takova një çilimi që kish filluar të merrej me shpërndarjen e tij Linux që në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Ai dhe i ati tani ofrojnë asistencë për të në shumë vende. Kam një listë njerëzish që kanë bërë gjëra të mahnitshme në moshë shumë të re, ngaqë nuk i ndali njeri duke u thënë se nuk mund t’i bënin dot. Askush nuk u tha gjë, veç “tregonani kodin.” Nuk jam kaq egoist sa të mendoj se Ainshtajni i ardhshëm do të shfaqet nga Shtetet e Bashkuara. Mund të vijë nga kudo qoftë. Me software-in e lirë kemi një gjysmë shansi t’i gjejmë, t’i shohim dhe t’i ushqejmë.

Moglen: Linux-i është njëzet vjeç. Web-i është më pak se 7000 ditësh. Çfarë do të shohim në fazën e ardhshme të asaj që zumë ta quajmë “interneti i gjërave,” pajisje të ndërlidhura me njëra-tjetrën, Linux-i po bëhet për këtë Internet të gjërave çeliku dhe qymyri i revolucionit industrial të shekullit të XXI. Ajo që do të shkaktojë në jetën tonë mund të përfytyrohet vetëm duke e shtruar pyetjen se çfarë do të jetë në gjendje të bëjë web-i kur të jetë 20 vjeç. As që mund ta përfytyrojmë shkallën e asaj që kjo teknologji madhështore do të jetë në gjendje të përmbushë. Tashmë e dimë që për ta ngritur sërish sipas rrugës me të cilën ngrihen tradicionalisht gjërat do të kushtonte miliarda dollarë–diku te 10-20 miliardë dollarë. Në tregun e patentave rreth çështjes së vazhdimit të ekzistencës ose jo të Linux-it janë shpenzuar diçka mes 10 dhe 20 miliardë dollarëve. Palë që kanë paranë, e cila do t’i nevojitej krijimit të Linux-it në rrugë tradicionale, po krijojnë armë për ta shkatërruar atë. Ne e kemi përgatitur veten që prej dy dhjetëvjeçarësh për këtë problem. Riçardi, brenda vetes, pranoi se na priste fundi. Unë qeshë optimist. Tani mund të shohim se kush kish të drejtë. Askush nuk ka për të na marrë atë që krijuam. Na përket krejt neve së bashku. Por përpjekjet për të na nxjerrë jashtë loje në ekonomi do të jenë shumë të ashpra, dhe do të na duhet të luftojmë tok. Na duhet të mbrojmë arritjet tona, njësoj sikur të mos kish asnjë përfaqësues të racës njerëzore që do të donte ta shihte të shkatërruar atë. Brenda tetë, ose nëntë, ose dhjetë vjetësh nga sot, kur lufta e patentave të jetë shuar dhe ne të mund të shohim se cilët janë të mbijetuarit, kemi për ta pasur pisk. Do të na duhet të paguajmë taksa, dhe do të na duhet t’i shpenzojmë ato me urtësi. Do të na duhet të shpërdorojmë sa më pak, ngaqë armatimi në anën tjetër të frontit do të rritet shumë. Më besoni, do të duhet më shumë se një avokat para se tërë kjo të ketë marrë fund. Nuk bëhet fjalë për risi, për teknologji apo për ndryshime të hijshme. Çështja është të sigurohet që ata që janë në fuqi sot të mos na pengojnë në kryerjen e gjërave të mëdha që mund të bëjmë tok. Bëhet fjalë për një histori të dhimbshme me, shpresoj, një fund të lumtur.

Përkthim i një artikulli të botuar në Opensource.com, shkruar nga Ruth Suehle .

Hidhet në treg tastierë (e vërtetë) për Shqipen

Objekti i këtij postimi nuk hyn në gjërat të cilat trajton blogu, por mu duk i rëndësishëm dhe afër tematikës së tij. Më në fund, në treg është hedhur një tastierë që shkronjat e Shqipes i ka të tëra, edhe ë-në, edhe ç-në. Lehtësitë që priten nga përdorimi i një tastiere të tillë janë të qarta, si për ata që përdornin shkurtore tastiere për shkrimin e këtyre dy shkronjave (Alt + abc), si për ata që përdorin zëvendësimin e w-së me ë në përfundim të shkrimit të një teksti. Gazetat tona, dhe krejt lënda e shkruajtur në Shqip në Internet ka rastin të përmirësohet dukshëm. Dhe vetëm me një investim fare modest.
Nga figura e reklamës shihet që për realizimin është përdorur skema e Microsoft-it për Shqipen. Jo më e mira, por prapëseprapë punën e bën. Nuk e di se sa e lehtë është ta ndryshosh këtë skemë nën Windows. Por në Linux kjo është punë minutash. Kështu në vend të zgjedhjes së Microsoft-it, ë-ja mund t’i përshoqërohet w-së në tastierë, shkronjë e huaj për abc-në e Shqipes, dhe ç-ja t’i përshoqërohet tastit me simbolin e Windows-it, të cilin ende nuk dihet se për çfarë mund të përdoret.

N.B. Nuk kam asnjë marrëdhënie me kompaninë që tregton produktin e mësipërm. Jam shumë i kënaqur me tastierën time të përshtatur, në nivel software, për Shqipen.

Stephen Fry i uron GNU-së 25 vjetorin

Stephen Fry i uron GNU-së 25 vjetorin (2008), në këtë video të shkurtër që e përkthyem në shqip:

Si të zgjidhet një shfletues Web

Çfarë është shfletuesi Web?

Shfletuesi është një program kompjuteri që shfaq faqe Web.  Shfletuesi juaj ndikon në rrugë të ndryshme mbi mënyrën se si e përdorni Web-in, përfshi këtu sa shpejt hapet një faqe, sa të sigurt jeni kur lundroni në Internet dhe ç’pjesë e të dhënave tuaja u jepen të tjerëve.

Shfletuesat Web nuk duhen ngatërruar me pjesë të tjera kyçe të punimit tuaj online, të tilla si sistemet operative (p.sh. Windows, Mac ose Linux) ose motorë kërkimi (fjala vjen, Google, Yahoo ose Bing).

Nëse s’e keni vrarë shumë mendjen për shfletuesit më parë, ja disa pika para se të vendosni:


A është shfletuesi juaj i lirë?

Sot, krejt shfletuesat më popullorë dhe të respektuar janë të lirë për përdoruesit.  Nëse hasni një site që ju kërkon pagesë përpara se të mund të shkarkoni një shfletues, bëni shumë kujdes, pse gjasat janë të jetë sajesë.

A do të xhirojë shfletuesi në kompjuterin tim?

Jo çdo shfletues xhiron në çdo sistem operativ kompjuterash, ndaj një nga hapat tuaj të parë do të ishte të siguroheni që i zgjedhuri juaj të mbulojë kompjuterin(at) që përdorni. Nëse ju duhet ndihmë për njohjen e kësaj, te www.opentochoice.org kemi postuar një përmbledhje të shfletuesave kryesorë dhe të sistemeve operativë në të cilët funksionojnë.

Nëse keni një kompjuter të vjetër, duhet të shihni edhe nëse sistemi juaj operativ mbulon shfletuesit e sotëm modernë.

A do t’i shfaqë shfletuesi si duhet të tërë site-et që doni të vizitoni?

Teorikisht, çfarëdo shfletuesi, do të duhej të funksiononte në çfarëdo pjese të Web-it, por në praktikë jo çdo shfletues punon me çdo site. Kur ndodh kjo, faqet Web nuk shfaqen si duhet, ose në to mungon tekst, ose mungojnë funksione.

Shfletuesit më popullorë përgjithësisht punojnë me pjesën më të madhe të site-ve, por për këtë nuk ka asnjëherë garanci. Nëse, pasi të keni bërë zgjedhjen tuaj të shfletuesit, shihni se disa site-e nuk punojnë si duhet, mund të provoni një shfletues tjetër dhe të krahasoni përfundimet.

A e respekton shfletuesi vetësinë tuaj?

Historiku i shfletimeve tuaja përmban një sasi shumë të madhe të dhënash personale mbi ju dhe mbi interesat tuaja. Prej vetë natyrës së Web-it, site-et ku hyni mbajnë një regjistër të vizitës suaj (përmes “vendndodhjes suaj IP”, një numër unik i cili identifikon kompjuterin tuaj në Internet), dhe këto të dhëna depozitohen gjithashtu edhe te shfletuesi juaj.

Shumë shfletuesa kanë mekanizma që ju lejojnë të shfletoni pa u bërë grumbullimi i këtyre të dhënave, ose t’i hiqni më pas, nëse e dëshironi këtë. Por, mundet edhe që prodhuesi i shfletuesit tuaj të ketë hyrje te krejt të dhënat që shfletuesi juaj grumbullon rreth jush. Nëse kjo ka rëndësi për ju, ju këshillojmë me forcë të lexoni rregullat e vetësisë të software-it që po merrni në shqyrtim.

A është shfletuesi juaj i sigurt?

Siguria juaj online është shumë e rëndësishme: sa më shumë që e përdorni Web-in, aq më shumë shtohen mundësitë e ekspozimit kundrejt virusesh, sajesash dhe rreziqesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse e përdorni Web-in për veprime bankare ose shitblerje online dhe jepni e merrni të dhëna personale të tilla si të dhëna kartash krediti.

Disa shfletuesa përmbajnë mekanizma sigurie, për t’ju ndihmuar në identifikimin e sajesave online (“karremëzimeve”), software-eve dashakeq (“malware”) ose të site-eve që janë kompromentuar. Duhet, pa mëdyshje, të familjarizoheni me mundësitë e ofruara nga shfletuesi që keni zgjedhur për sigurinë (zakonisht të paraqitura te site-i Web i shfletuesit).

Po ashtu, duhet të siguroheni përherë se po përdorni versionin më të përditësuar të shfletuesit tuaj, ngaqë prodhuesit e tyre shpesh hedhin në qarkullim versione të rinj, kur bëjnë ndreqje pas rreziqeve më të reja të shfaqura në Internet.

A jeni në gjendje të administroni kollaj të dhënat e shfletimeve tuaja?

Sa më tepër kohë të përdorim online, aq më tepër të dhëna rreth vetes krijojmë dhe shkëmbejmë: faqerojtësa (të quajtur edhe të parapëlqyerit), historik shfletimi, fjalëkalime e me radhë.

Mund të jetë e vështirë të mbahen mend krejt fjalëkalimet ose të rikujtohet vendi i një site-i që e vizituat javë më parë, kështu që mundësia për të administruar të dhëna të tilla dhe madje edhe kalimi i tyre nga një kompjuter në një tjetër është tejet e dobishme. Disa shfletuesa ju lejojnë ta bëni këtë, duke ju dhënë kështu hyrje “kurdo, kudo” në të dhënat tuaja.

A mund ta personalizoni shfletuesin sipas parapëlqimeve tuaja individuale?

Mjaft shfletuesa ofrojnë të paktën një farë shkalle personalizimi, e cila shtrihet nga ndryshimi i pamjes së butonave ose grafika e dritares, deri te mundësia për të ndryshuar më imtësisht mënyrën se si funksionon, për ta përputhur saktësisht me nevojat tuaja. Disa shfletuesa madje ju lejojnë edhe të bllokoni reklamat, ose ta bëni kompjuterin të mos lejojë asnjë site të xhirojë në të programe dashakeqe pa miratimin tuaj.

Nëse ju intereson personalizimi i shfletuesit tuaj, do të duhej të shihni se sa personalizime të tilla (të quajtura shpesh “shtesa” ose “zgjerime”) ka dhe se deri në çfarë pike mundet të personalizohet shfletuesi juaj.

Si del në punim shfletuesi?

Shpejtësia me të cilën ngarkohet një faqe Web është masë e rëndomtë e punimit të shfletuesit. Edhe pse ka mjaft faktorë që ndikojnë në kohën e ngarkimit të faqes, përfshi këtu shpejtësinë e lidhjes suaj Internet, kompjuterin tuaj dhe vetë faqen, shfletuesi juaj, po njësoj, mund të ketë ndikim të madh në të.

Por, punimi është më tepër se sa thjesht shpejtësia e ngarkimit të faqeve. Disa shfletuesa mund të duan më tepër kujtesë nga kompjuteri juaj se sa disa të tjerë (duke ngadalësuar funksione të tjera në punë e sipër), dhe disa mund të vithisen më shpesh se të tjerët.

Ka një numër rrugësh se si të provohet punimi i shfletuesve, por rruga më e mirë për vlerësimin është të vizitohet i njëjti site me shfletuesa të ndryshëm dhe të shihet cili ju duket më mirë.

A mund të kihet shfletuesi në gjuhën tuaj të parapëlqyer?

Nëse këtë po e lexoni në Shqip, përgjigja thuajse me siguri është “po”. Por, nëse parapëlqeni të shfletoni nga një gjuhë tjetër, duhet të shihnit mundësitë për këtë – numri i gjuhëve në të cilat mund të kihet çdo shfletues ndryshon jo pak.

A ka asistencë për të?

Si me çdo program, kohë pas kohë mund të dalin probleme. Ndaj, garancia se shfletuesi juaj ka asistencë falas, në rastet kur do t’ju duhet ndihmë, duhet marrë në shqyrtim.

Po njësoj, për mjaft programe ka bashkësi përdoruesish dhe programuesish që ofrojnë vullnetarisht kohë dhe dije për të ndihmuar të tjerët. Pjesëmarrja në një bashkësi përdoruesish mund të përmirësojë fort përvojën tuaj në shfletim!

Si ndërtohet shfletuesi?

Software-et krijohen sipas një larmie rrugësh. Disa shfletuesa njihen si “me burim të hapur” ose “software i lirë”, që do të thotë se ju jepet e drejta ta ndryshoni dhe përdorni programin si të doni.

Nga ana tjetër, shfletuesa të tjerë konsiderohen si “me burim të mbyllur” ose “jo të lirë.” Instalimi i programeve të tilla zakonisht do të thotë që jeni i kufizuar nga disa kushte, fjala vjen mosndryshimi i tij në një rrugë të caktuar (edhe pse xhiron në kompjuterin tuaj).

A ju pëlqen shfletimi me të?

Së fundi, ia vlen të përsiatet thjesht mbi faktin nëse ju kënaq a jo përdorimi i shfletuesit tuaj. Web-i mund të bëhet një vend i mrekullueshëm, me mundësi thuajse të pakufizuara për të nxënë, për t’u lidhur me të tjerët, për krijimtari, dhe një shfletues i mirë do të duhej ta thellonte mënyrën se si e përjetoni krejt këtë.

* Material i përgatitur nga Mozilla Foundation për fushatën www.opentochoice.org

Flash Player 9 edhe për Linux

Flash Player 9 mund të kihet edhe për Linux. Nga kjo faqe mund të shkarkohet versioni përkatës sipas sistemit operativ që përdor secili. Një provë e parë me versionin për Linux eci me sukses, të paktën për Firefox 2. Udhëzimet për instalimin gjenden brenda një kartele tekst. Vetë instalimi është thjesht kopjim i të ekzekutueshmit në vendin e duhur, dhe ndryshimi i lejeve mbi të në rastin e Linux-it.

Michael S. Malone: Linux-i dhe Firefox-i kanë mbërthyer përfytyrimin e botës sot, jo Windows-i dhe Explorer-i

Malone te kjo sheh humbjen e interesit ndaj Microsoft-it dhe shenjat e para që tregojnë, sipas tij, se MS është duke hyrë në fazën e rrënimit. Artikulli, ABC News: Silicon Insider: R.I.P. Microsoft?, tregon se si nuhatja nuk i ka dalë huq në disa raste të bujshëm.

Arsyet pse duhet zgjedhur Linux

Në këtë artikull, mes të tjerash thuhet:

For real change, there is only one answer – Linux. It’s open source, generally free to use and share and is not controlled by a single company. Its penguin mascot is cute too.

(Fjalia me shkronja të trasha theksuar nga unë.)

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.