Arkivë për etiketën 'Mozilla'

Merrjani Dorën Web-it – një seri përkujdesoresh të shkurtra mbi përdorimin e Internetit

E para i kushtohet sigurisë kibernetike dhe e gjeni këtu.

Firefox Hello

hello

Firefox Hello është një aplikacion i ri nga Mozilla, që ju jep mundësinë të bëni thirrje me video në internet edhe pa krijuar llogari diku, pra pa u dhënë hollësi mbi identitetin e personave të përfshirë në thirrje. I bazuar në teknologjinë WebRTC, Firefox Hello-ja përdor shfletuesin për të realizuar dhe zhvilluar thirrjen. Si i tillë do të funksionojë vetëm me shfletues që e mbulojnë WebRTC-në. Firefox-i, Google Chrome dhe Opera janë ata që e mbulojnë deri më sot.

Pra fare thjesht, nëse përdorni një prej shfletuesve të mësipërm, shkoni te faqja e Firefox Hello-së dhe provojeni.

Firefox Hello është tashmë i përkthyer në shqip.

Privatësi me katër hapa të thjeshtë sipas Mozilla-s

Një minisajt i Mozilla-s mbi privatësinë dhe mbrojtjen e saj.

Çlironi Android-in Tuaj!

Marrë prej FSFE-së

 

Android-i është një sistem operativ në masë dërrmuese i lirë, kryesisht i zhvilluar nga Google. Për fat të keq, përudhësit për shumicën e pajisjeve dhe shumica e zbatimeve të “tregut” nuk janë të lira (si te “fjala e lirë”, jo si te “birrë e lirë”). Ata shpesh funksionojnë kundër interesit të përdoruesve, i spiunojnë ata dhe në disa raste nuk mundet as edhe të hiqen prej andej.

Kjo fushatë mund t’ju ndihmojë të rifitoni kontrollin mbi pajisjen tuaj Android dhe mbi të dhënat tuaja. Përmes saj grumbullohen të dhëna mbi xhirimin e një sistemi Android sa më të lirë që mundet dhe përpiqemi të bashkërendojmë përpjekjet në këtë fushë.

Doni një pajisje celulare që është realisht e juaja kur e blini? Doni një pajisje celulare që nuk ju spiunon dhe që nuk ua jep të dhënat tuaja korporatave gjigande? Atëherë vazhdoni leximin!

 

Çlironi Pajisjen Tuaj

Mësoni si të çlironi pajisjen tuaj dhe të rifitoni kontrollin e të dhënave tuaja duke kaluar te një sistem operativ Android të lirë me zbatime të lira (si te liria). Kemi grumbulluar krejt informacionin e nevojshëm.

Pse Lypset Që Pajisja Juaj Celulare Të Jetë e Lirë

Pajisjet celulare janë kompjuter të vegjël që i kemi me vete gjithë kohën. Ato kanë dijeni mbi vendndodhjen tonë dhe përmbajnë foto vetjake. I përdorim për të komunikuar me miqtë tanë, familjen tonë dhe ndoshta me dashurinë tonë të fshehtë. Na lejojnë po ashtu të shfrytëzojmë internetin dhe kanë të trupëzuar kamera dhe mikrofon. Duke qenë mjete kaq të fuqishme, mund të sjellin rreziqe të mëdha për privatësinë, por në të njëjtën kohë mundemi të bëjmë gjëra të mëdha me to: varet se kush i kontrollon.

Liria dhe Kontrolli

Shumica e pajisjeve celulare nuk kontrollohen nga përdoruesit, por nga prodhuesi dhe operatori. Software-i që xhiron në to nuk është Software i Lirë. Madje edhe telefonat Android shiten me shtesa software-i jo të lirë dhe pronësor që nuk punojnë në interes të plotë të përdoruesit. Përditësimet e software-it janë të mundshme vetëm për sa kohë prodhuesi ende ka interes komercial për pajisjen tuaj. Zbatimet që mund të kihen nga tregu zyrtar në shumicën e tyre janë jo të lirë. Askujt nuk i lejohet të studiojë se si funksionojnë dhe se çfarë bëjnë pikërisht në telefonin tuaj. Ndonjëherë thjesht nuk punojnë saktësisht si prisnit, por ndonjëherë përmbajnë edhe mekanizma dashakeqë.

Xhirimi vetëm i Software-it të Lirë në pajisjen tuaj jua kalon juve kontrollin. Edhe pse ndoshta nuk i keni krejt aftësitë për ushtrim të drejtpërdrejtë të krejt lirisë suaj, do të përfitoni prej një bashkësie plot jetë që mund t’ia arrijë kësaj tok me ju.

 

Privatësia

Pajisjet tona celulare përmbajnë më tepër të dhëna personale se sa shumica e ditarëve privatë. Por sistemet pronësore, madje edhe shumica e telefonave Android, janë hartuar t’ua kalojnë këto të dhëna kompanive si Google ose Apple. Shumica e përdoruesve nuk nuk kanë kontroll të plotë mbi të dhënat personale në pajisjet e tyre. Rrugë të volitshme për njëkohësimin e pajisjeve të ndryshme dhe për kopjeruajtjen e të dhënave ndjellin gjithnjë e më shumë njerëz drejt depozitimit të krejt të dhënave të tyre në shërbyes të centralizuar të mbajtur në punë nga disa korporata që ekzistojnë për fitime. Këto zakonisht gjenden në ShBA dhe e kanë të detyruar t’ia kalojnë të dhënat tuaja qeverisë së ShBA-ve fill e pas një kërkese të thjeshtë. Cilido që ka informacione personale mbi ne është në gjendje të na manipulojë. Ndaj pajisjet jo të lira janë një kërcënim për demokracinë dhe shoqërinë tonë.

Privatësia është një nga arsyet më të rëndësishme për të përkrahur Software-in e Lirë. Shtesat pronësore të tilla si Carrier IQ spiunojnë përdoruesit e telefonave të mençur pa dijeni e tyre. Mjaft zbatime nga tregu përmbajnë anë dashakeqe. Ato lexojnë të dhëna private, të tilla si libri juaj i adresave dhe “phone home”, ose përdorin Google Analytics për të dërguar të dhëna te Google. Këta janë vetëm disa shembuj të zbuluar deri më sot. Mungesa e lirisë pengon këqyrjen e pavarur dhe mekanizmat e fshehtë të spiunimit dalin në dritë vetëm aksidentalisht.

Shumica e telefonave të mençur kërkojnë medoemos që të lidheni dhe të bëni identifikimin e vetes te një shërbyes i centralizuar përpara se të mundeni t’i përdorni ashtu si duhet. Përdoruesve u mbetet të besojnë shërbyesin pa ditur se çfarë të dhënash depozitohen në të dhe se si përpunohen ato ose si lidhen me të dhëna të tjera. Një telefon që xhiron vetëm Software të Lirë nuk ju kërkon të jepni të dhëna te një shoqëri që nuk i zihet besë ose që ju nguc të bëni kështu – më e pakta është që kjo të ketë shumë pak gjasa, ngaqë veprimet e software-it do të ishin të dukshme dhe bashkësia do të ishte në gjendje të ndërtonte një version alternativ. Leverditë e shërbimeve “value-added” që shpesh çiftohen me lidhje të tilla mund të ofrohen edhe nga përdorimi i Software-it të lirë. Kështu ruani kontrollin mbi të dhënat tuaja personale, ditari juaj mbetet pronë e juaja. Edhe mishi të piqet, edhe helli mos digjet.

 

Të tjera Nisma të Afërta

Edhe pse kjo fushatë merret me Android-in, ka nisma të tjera që e bëjnë të mundur përdorimin e kompjuterave të vegjël celularë me (në pjesën dërrmuese) Software të Lirë. Për shkak të gjendjes së përudhësve në hardware-in për celular, asnjë prej këtyre nismave nuk është në gjendje t’i bëjë këto makina të funksionojnë në liri. Për mjaft pajisje të tilla lypsen përudhës jo të lirë dhe firmware që të mund të funksionojnë në liri.

Nga fusha hardware kemi telefonin GTA04. Është vazhdimtari i Openmoko GTA02 dhe qe hartuar që të mos kërkojë përudhës pronësorë për funksionimin. Xhiron GNU/Linux, por lyp firmware jo të lirë që të mund të shfrytëzojë WiFi-n. Kaq pranë qëllimit, dhe prapëseprapë kaq larg.

Nismat Maemo/MeeGo ndërtuan sisteme për telefonë celularë të bazuara në GNU/Linux, me plot përbërës jo të lirë. Tani kanë kaluar te Mer dhe Tizen. Mer është një përpjekje bashkësie për të vazhduar punën mbi kodin bazë të MeeGo-s duke përdorur Qt-në, Tizen është nismë korporate që përdor vetëm disa pjesë të MeeGo-s plus Enlightenment dhe HTML5.

Mozilla po punon mbi sistemin operativ Firefox OS koncepti i të cilit është të furnizojë vetëm një shfletues që xhiron zbatime web. Këtu shfaqen problemet e zakonshme të temës Software-i si Shërbim, përmbi atë të përudhësve me gjasë jo të lirë. Për WebOS-in po ashtu pati njoftime se do të hidhej në qarkullim Software i Lirë. Mbetet të shihet nëse krejt pjesët e tij do të jenë të lira dhe nëse do të ketë pajisje të reja që hidhen në treg me WebOS-in.

 

 

Çlironi Pajisjen Tuaj!

Robot Android i Çliruar

Edhe pse në pjesën dërrmuese Android-i është Software i Lirë, pajisjet zakonisht vijnë me software pronësor dhe shërbime që i pengojnë njerëzit t’i përdorin në rrugë të pavarur dhe autonome. Çlirojeni pajisjen tuaj Android: mësoni si të rifitoni kontrollin mbi të dhënat tuaja, me një sistem operativ të lirë dhe me zbatime të lira!

Sisteme Operative

Një sistem operativ është një koleksion programesh që ju bëjnë të mundur përdorimin e telefonit tuaj dhe xhirimin e zbatimeve në të. Edhe pse Android në pjesën dërrmuese është i lirë, mjaft telefona shiten me përbërës pronësorë dhe shtesa. Disa telefona kanë gjithashtu ngarkues nisjeje të kyçur, çka ju pengon të instaloni dhe nisni sisteme të tjerë operativë. Nëse doni të blini një telefon Android, sigurohuni që ngarkuesi i nisjes të mund të shkyçet. Në disa pajisje mund të shkyçet vetëm me trike të mençura dhe prodhuesit priren ta deklarojnë të pavlefshme garancinë në rast se zhbllokoni ngarkuesin e nisjes te pajisjet e tyre. Por, sipas Direktivës Europiane 1999/44/CE, thjesht fakti se ndryshuat ose ndërruat software-in e pajisjes suaj, nuk është arsye e mjaftueshme për ta bërë të pavlefshme garancinë tuaj. Për më tepër informacion, shihni blogun e Karlo Pianës. Ka gjithashtu kompani që i shesin pajisjet e tyre me ngarkues të pabllokuar nisjeje ose që furnizojnë mjetet për ta zhbllokuar atë. Përtej kësaj, është ide e mirë të shihet nëse ka versione të lirë të Android-it që mbulojnë pajisjen.

Replicant OS

Replicant është një shpërndarje Android që është 100% Software i Lirë. Xhiron vetëm në numër shumë të kufizuar pajisjesh. Nëse keni një nga këto pajisje, atëherë këtë duhet të zgjidhni.

CyanogenMod

CyanogenMod

CyanogenMod është shpërndarja më popullore suplementare për Android. Xhiron në mjaft telefona dhe ofron veçori që nuk gjenden te firmware-et e bazuara në Android-in zyrtar. Ai ofrohet gjithashtu pa zbatimet Google dhe ju jep më tepër liri mbi pajisjen tuaj. CyanogenMod është Software i Lirë i krijuar nga një bashkësi aktive. Që të arrijë të xhirojë në kaq shumë pajisje, ai përdor përudhës pajisjesh dhe firmware jo të lirësillen me pajisjen dhe përfshihen në ROM.

Që të instaloni CyanogenMod-in, duhet zhbllokuar ngarkuesi i nisjeve te pajisja juaj. Kjo Wiki për CyanogenMod-in përmban udhëzime të hollësishme se si të instalohet.

Pas instalimit, telefoni juaj do të jetë i çliruar nga krejt ato zbatime pronësore të para-instaluara dhe nuk do të jetë më e nevojshme të lidhet telefoni juaj me një llogari Google. Hiq disa përudhës jo të lirë pajisjesh, telefoni juaj do të xhironte vetëm Software të Lirë. Nëse keni dijeni për zbatime software-i jo të lirë shtuar te CyanogenMod, ju lutemi, na e bëni të ditur!

Kemi grumbulluar ca të dhëna se si mund të ndihmoni për të siguruar që CyanogenMod të vazhdojë të jetë i lirë dhe se si të identifikohen dhe të hiqen pjesë jo të lira.

Zbatimet

Për shumicën e njerëzve, Google Play Store (i njohur më herët si tregu për Android) është burimi i vetëm ose kryesor për zbatime. Atje nuk as që nuk ju tregohet nëse një zbatim është Software i Lirë apo jo, lere pastaj mbi licencat e tij. Mjerisht, shumica e zbatimeve prej këtij tregu ose prej të tjerësh janë pronësorë. Edhe nëse instaloni një zbatim Software të Lirë, nuk ka arsye pse duhet besuar në dyorin e shkarkuar. Përdorimi i Google Market-it lyp gjithashtu një llogari Google. Është e këshillueshme që të mos përdoret fare ky treg.

F-Droid

F-Droid

Nisma F-Droid pat filluar që të ndryshohej gjendja e trishtë e zbatimeve Software i Lirë në botën e Android-it. Ajo shërben për të ndërtuar një depo Software-i të Lirë për Android që instalohet lehtë. Përmban një zbatim klienti Android që e bën të lehtë shfletimin për zbatime Software-i të Lirë, instalimin e tyre në pajisjen tuaj, dhe që ndjek përditësimet për to. Kur ka të tilla, përfshin të dhëna se si të dhurohen para për autorët e një zbatimit.

Depoja F-Droid përmban hollësi mbi versione të shumta të secilit zbatim. Mund të krijoni dhe të shtoni lehtësisht depot tuaja. Por meqë nisma është shumë aktive, me programim të decentralizuar dhe e hapur për bashkëveprim, krijimi i depove të tilla vetjake nuk është vërtet i domosdoshëm. Synimi i saj është të përfshihen krejt zbatimet e dobishme Android që janë Software i Lirë dhe të ndiqen përditësimet për to.

Kemi grumbulluar disa të dhëna se si mund të ndihmoni te F-Droid.

Njëkohësim i Të dhënave Tuaja

Kur xhironi vetëm Software të Lirë dhe nuk bazoheni te shërbime jo të lira rrjeti, të tilla si ato që ofron Google-i, mund të duket sikur humbët mundësinë e njëkohësimit të kontakteve tuaja, kalendarit dhe të tjera të dhënave prej pajisjesh tuaja të tjera. Për fat, ka plot Software-e të Lirë që e bëjnë këtë punë:

  • ACal njëkohëson librin e adresave dhe kalendarin tuaj Android me shërbyesa CalDAV/CardDAV, të tillë si ownCloud.
  • kolab-android njëkohëson librin e adresave dhe kalendarin tuaj Android me dosje Kolab/IMAP.
  • Klienti Funambol Sync përdor SyncML-in për njëkohësim të kalendarit dhe librit tuaj të adresave me zbatime të ndryshime.
  • SSH Daemon dropbear është i parainstaluar në CyanogenMod dhe mund të përdoret p.sh. për të xhiruar rsync-un.

 

Kontribuoni dhe Ndihmoni të Tjerët!

Robot Android i Çliruar

Ndihmonani të nxisim njerëzit të çlirojnë pajisjet e tyre dhe që të bindim zhvilluesit e zbatimeve t’i hedhin në qarkullim zbatimet e tyre si Software të Lirë. Nismat e ndryshme të Software-it të Lirë po ashtu lypin ndihmë dhe na duhet të sigurojmë që mbeten të lira si në liri. Nëse thjesht doni të përhapni lajmin mbi këtë fushatë, ka material promo për shkarkim, përkthim dhe porositje.

Sisteme Operativë

Nisma Replicant ka nevojë për ndihmë urgjente. Te faqja e saj hyrëse tregohen mjaft rrugë për të ndihmuar.

Edhe pse versione të tjera të Android-it janë tërësisht të bazuara në Software-in e Lirë, ka raste kur te këto ROM-e shtohen zbatime jo të lira. Nëse keni dijeni për software jo të lirë të shtuar te CyanogenMod ose versione të tjera të Android-it, ju lutemi, na e bëni të ditur! Informacionet e deritanishme i grumbullojmë te wiki.

Zbatime dhe F-Droid

Nisma F-Droid radhit mjaft mënyra se si të kontribuohet. Hidhini një sy! Ndoshta ka diçka që ju mund ta bëni lehtë.

Veç kësaj, mund të ndihmoni për ta bërë F-Droid-in të parainstaluar me CyanogenMod-in që kështu të mund të përfitojnë më tepër persona nga një treg i lirë. Të tjera propozime për të ndihmuar në përhapjen e lajmit rreth F-Droid-it mund të gjenden te forumi i F-Droid-it.

Si të Shtoni Zbatime

Ju nxisim të shtoni ju vetë zbatime te F-Droid. Për t’ju ndihmuar ka një doracak. Radha e zbatimeve në pritje për shtim është e gjatë. Shtimi i tyre funksionon në mënyrë të ngjashme me portat FreeBSD dhe gentoo ebuilds, duke plotësuar një kartelë të thjeshtë recete që kontrollon se si ndërtohet paketa prej burimit. Nëse doni që ta shtoni ju vetë një zbatim, do të duhej të lexonit se si funksionon F-Droid me git dhe se si t’i shkruani vetë këto të ashtuquajtura kartela tejtëdhënash.

Çlirim Zbatimesh Jo të Lira

Mjerisht, ka ende disa zbatime që nuk kanë alternativa të lira. Përdorimi i zbatimeve pronësore është ide e dëmshme; ju heq lirinë. Për më tepër, nëse filloni e përdorni një program jo të lirë, nuk do të ndjeni më nevojën që ai të jetë i lirë. Edhe pse nuk dini të programoni, mund të kontaktoni autorët e zbatimeve kryesores dhe t’u kërkoni me mirësjellje arsyet për mosbotimin e zbatimit të tyre si Software të Lirë. Mjaft zbatime janë të passhëm pa pagesë, kështu që paraja nuk është përherë arsyeja mbizotëruese. Ndonjëherë një email mund të ndryshojë gjërat dhe ka pasur deri më sot përpjekje të suksesshme: Chess Walk për shembull tani është i çliruar.

Zbatime Që Ende Kanë Nevojë të Çlirohen

Te wiki jonë kemi listën e zbatimeve që nuk kanë të njëvleftshëm të lirë, por që ka rëndësi të jenë në një sistem të lirë. Ju lutemi, shtoni këtu të tjera zbatime thelbësore. Njerëzit mund të lidhen me autorët e këtyre zbatimeve dhe t’i pyesin pse nuk janë Software i Lirë.

Përgjigje Ndaj Objeksioneve Që Kemi Dëgjuar Prej Programues Zbatimesh

Vetëm pasi të kuptojmë motivimin e programuesve që i mbajnë zbatimet e tyre pronësore, do të dimë se ç’duhet ndryshuar që ata të ndërrojnë mendje dhe si t’i bindim të çlirojnë zbatimet e veta. Ju lutemi, kontribuoni këtu me përvojën tuaj me programues zbatimesh jo të lira dhe ndani me të tjerët përgjigje të dobishme ndaj objeksioneve të tyre.

  • Objeksion: Nëse e publikoj zbatimin tim si Software të Lirë, nuk do të jem në gjendje të fitoj para prej tij.
    • Mundeni përsëri ta ofroni zbatimin tuaj në tregje të tjera dhe të kërkoni atje.
    • Ofroni mundësi që njerëzit të dhurojnë. Mund të përfshihen në tregje të lira si F-Droid, dhe përdoruesve të tij u pëlqen të shpërblejnë. Në varësi të rastit konkret, mundet që të fitoni më shumë para nga dhurimet se sa nga shitjet.
  • Objeksion: Por po qe zbatimi im Software i Lirë, mund të shpërndahet nga të tjerë njerëz dhe unë të mos fitoj gjë.
    • Kjo është e vërtetë, por mos harroni që njerëzit që nuk duan t’ju paguajnë për diçka, do ta gjejnë gjithmonë rrugën për të bërë kështu.
    • Nëse ua kërkoni njerëzve në mënyrë miqësore dhe jo forcërisht dhe u jepni atyre arsye të shëndosha, do t’ju japin para.
    • Nëse zbatimin tuaj e hidhni në qarkullim sipas një lejeje copyleft, të tillë si GNU GPL, atëherë keni garancinë që persona të tjerë nuk mund ta shpërndajnë pa dhënë edhe kodin burim po ashtu. Përndryshe përbën shkelje të të drejtave të kopjimit dhe mund të lidheni me operatorin e shitores së zbatimit që ta heqë prej andej.
    • Mund t’u tregoni njerëzve se, me qëllim që të njihet dhe përkrahet puna juaj, ata do të duhej të blinin zbatimin tuaj dhe jo kopje të tjera që mund të shpërndahen nga të tjerë persona.
  • Objeksion: Më vjen turp nga kodi im copa-copa dhe nuk dua që ta shohin të tjerët (prej Flattr4Android).
    • Kodi juaj është shumë i dobishëm dhe funksionon. Sigurisht që mund të ishte më i mirë, por cilësia e kodit vjen pas lirisë.
    • Kushdo, në një farë pike, shkrojti kod jo dhe aq të bukur. Ndarja e tij me të tjerët do t’u lejojë këtyre t’ju ndihmojnë ta përmirësoni.

Kontakt

Nëse doni të jini i informuar ose dëshironi të punoni me të tjerë lidhur me një sistem Android të Lirë, mund të pajtoheni te lista e postimeve. Gjithashtu mund të bëni pyetje ose të jepni këshilla apo përshtypje duke na shkruar te android@lists.fsfe.org. Për pyetje teknike rreth zbatimeve, një vend i përshtatshëm për to është kanali IRC për F-Droid-in. Për shkëmbime rreth shtresave të ulëta të Android-it, kanali IRC i Replicant-it dhe CyanogenMod-it janë më të përshtatshëm. Cilido në këtë bashkësi është mjaft miqësor dhe e ka për zemër të ndihmojë të tjerët, ndaj mos kini turp, por merrni pjesë!
Copyright © 2001-2012 Free Software Foundation Europe. Lejohet kopjimi fjalë për fjalë dhe shpërndarja e tërë këtij artikulli në çfarëdo media, me kusht që të ruhet ky shënim.

Gjeolokalizimi në Firefox ose Shfletim i Ndjeshëm ndaj Vendit

Firefox mund t’u tregojë site-ve web se ku gjendeni, që kështu të mund të gjeni të dhëna më me peshë dhe më të dobishme. Bëhet fjalë për ta bërë Web-in më të mençur – dhe kjo bëhet duke respektuar plotësisht privatësinë tuaj.

Pyetje të Bëra Shpesh

Çfarë Është Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit?

Site-et Web që përdorin shfletim të ndjeshëm ndaj vendit do t’ju pyesin se ku gjendeni, që të mund t’ju sjellin të dhëna më me peshë, ose për t’ju kursyer kohë gjatë kërkimeve. Le të themi që po kërkoni për një piceri në zonën tuaj. Site-i web do të jetë në gjendje t’ju pyesë të jepni vendin ku ndodheni, në mënyrë që thjesht kërkimi për “pica” do t’ju sjellë përgjigjen që ju duhet… pa qenë nevoja për të dhëna të tjera apo më tepër shkrim në tastierë.

Ose, në rast se po përpiqeni si të gjeni në hartë rrugën për diku, site-i web do e dijë se nga do filloni, e kështu e vetmja gjë që duhet t’i tregoni është ku doni të shkoni.

Ky shërbim është krejtësisht nën dëshirën tuaj – dhe Firefox-i, pa lejen tuaj, nuk e ndan me të tjerët vendin ku gjendeni – dhe e tëra kjo bëhet me respektin më të madh për privatësinë tuaj. Dhe, si tërë elementët e Firefox-it, është sendërtuar duke përdorur standarde të hapura, që të jetë e mundur birësimi nga programuesit Web.

Si funksionon?

Kur vizitoni një site web të ndjeshëm ndaj vendit, Firefox-i do t’ju pyesë nëse doni të jepni vendin ku gjendeni.

Nëse pranoni, Firefox-i grumbullon të dhëna rreth pikash të afërta me hyrje në Internet pa kabllo dhe rreth adresës IP të kompjuterit tuaj. Mandej Firefox-i i dërgon këto të dhëna te mundësuesi parazgjedhje i shërbimit të gjeolokalizimi, Google Location Services, për të pasur një vlerësim mbi vendin tuaj. Ky vlerësim vendi mandej i jepet site-it web që e kërkoi.

Po qe se thoni se nuk pranoni, Firefox-i nuk do të bëjë gjë.

Sa të sakta janë vendet?

Saktësia ndryshon fort nga vendi në vend. Në disa vende, mundësuesit e shërbimit tonë mund të jenë në gjendje të furnizojnë vendndodhje brenda pak metrash. Sidoqoftë, në zona të tjera mund të bëhet fjalë për më shumë se kaq. Të tëra vendet e dhëna si përgjigje nga mundësuesit e shërbimit tonë janë vetëm vlerësime dhe nuk garantojmë saktësinë e tyre. Ju lutemi, mos i përdorni këto të dhëna për urgjenca. Përdorni përherë arsyen.

Ç’të dhëna dërgohen, dhe kujt? Si mbrohet privatësia?

Privatësia juaj është tejet e rëndësishme për ne, dhe Firefox-i nuk i jep kurrë të dhënat tuaja pa leje nga ju. Kur vizitoni një faqe që kërkon të dhëna tuajat, do të pyeteni, përpara se çfarëdo e dhënë të jepet te site-i web që e kërkon dhe te mundësuesi palë e tretë i shërbimit.

Si parazgjedhje, Firefox-i përdor Google Location Services për përcaktimin e vendit tuaj përmes dërgimit të:

  • vendndodhjes IP të kompjuterit tuaj,
  • të dhëna rreth pikash të afërta të hyrjes në Internet pa kabllo, dhe
  • një identifikues të rastësishëm të klientit, i cili caktohet nga Google, që skadon çdo dy javë.

Për një përshkrim të plotë të të dhënave të mbledhura dhe përdorura nga Firefox-i, ju lutemi, shihni Rregulla Privatësie për Firefox-in (në Anglisht).

Google Location Services përgjigjet mandej me vendin tuaj sipas tyre (p.sh., gjerësi dhe gjatësi gjeografike). Për një përshkrim të plotë të të dhënave të mbledhura dhe përdorura nga Google, ju lutemi, shihni Google Geolocation Privacy Policy (në Anglisht).

Të dhënat shkëmbehen përmes një lidhjeje të koduar, për të mbrojtur privatësinë tuaj. Pasi të ketë vendin tuaj, Firefox-i ia kalon atë site-i web që e kërkoi. As emri apo vendi i site-it web që po vizitoni, as ndonjë cookie, nuk jepen kurrë te Google Location Services.

As Mozilla dhe as Google nuk kanë për të përdorur kurrë të dhëna të mbledhura nga Google Location Services për të zbuluar se kush jeni ose për t’ju spiunuar.

Për të dhëna rreth se çfarë bën site-i web që bëri kërkesën me të dhënat mbi vendin tuaj, ju lutemi, shihni rregullat e privatësisë të site-it web.

Për më tepër të dhëna rreth privatësisë suaj, do të duhej të lexonit po ashtu:

A më gjurmojnë ndërkohë që shfletoj në web?

Jo. Firefox-i kërkon për një vend vetëm kur bën kërkesë një site web, dhe e jep vendin tuaj vetëm kur përdoruesi e ka miratuar kërkesën. Firefox-i nuk e ndjek apo e ruan në kujtesë vendin tuaj ndërkohë që ju shfletoni.

Si të tërheq lejen që dhashë për një ?

Po qe se i keni dhënë Firefox-it leje që të japë përherë vendin tuaj te një site dhe më pas ndërroni mendje, mundeni lehtësisht të shfuqizoni atë leje. Ja se si:

  • Shkoni te site të cilit i keni dhënë leje
  • Shkoni te menuja Mjete, mandej përzgjidhni Të dhëna Faqeje
  • Përzgjidhni skedën Leje
  • Ndryshoni rregullimin për Lejo Tregim Vendi

Si ta pastroj “numrin identifikues të rastësishëm të klientit”?

  • Shkoni te menuja Mjete, mandej përzgjidhni Hiq Historikun Së fundmi
  • Klikoni te shigjeta Hollësi
  • Sigurohuni që Cookies janë të përzgjedhura
  • Klikoni te Pastroje Tani

Si ta çaktivizoj Shfletimin e Ndjeshëm ndaj Vendit përgjithmonë?

Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit është përherë me-zgjedhje te Firefox. Asnjë e dhënë vendi nuk jepet pa lejen tuaj. Nëse dëshironi ta çaktivizoni plotësisht këtë veçori, ju lutemi, ndiqni këtë grup hapash:

  • Te shtylla e URL-ve, shtypni about:config
  • Shtypni geo.enabled
  • Dyklikoni te parapëlqimet për geo.enabled
  • Shfletimi i Ndjeshëm ndaj Vendit tani është i çaktivizuar

Marrë nga Mozilla.org

Firefox Flicks – Konkurs mbarëbotëror videosh që rrëfejnë historinë e Firefox-it

Ju vjen ndoresh për krijim videosh? Mund ta shfrytëzoni pasionin tuaj duke marrë pjesë në këtë konkurs që organizon Mozilla dhe ku mund të fitoni edhe çmime. Thjesht duke marrë pjesë do të shpërbleheni me një paketë çmimi Firefox. Nëse jeni fatlumi që do të fitojë çmimin e madh, ju pret një çmim prej 5 mijë dollarësh dhënë si pajisje videosh ose një e drejtë studimi në një shkollë filmi. Videoja që parashtroni do të merret në shqyrtim nga mjeshtër të njohur të zanatit. Videoja juaj ka shansin, nëse përzgjidhet, të përdoret në ndonjë nga fushatat mbarëbotërore që organizon Mozilla. Pasja e emrit Mozilla në portofolin e projekteve tuaja është një plus.

Filmi juaj do të duhej t’i drejtohet përdoruesve të zakonshëm të Internetit të moshave 25 deri 55 vjeç e të na ndihmojë të shpjegojmë sfidat me të cilat përballet Web-i, me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme prej tyre, t’u përçojmë atyre faktin që Firefox-i është organizëm jofitimprurës e që përpiqet për të mirën e njerëzve kudo qofshin, faktin që Firefox-i si përparësi ka parimet dhe jo fitimet, vendosjen e tyre në kontroll të punës online, që synimi i Firefox-it është e mira publike.

Kategoritë ku mund të merret pjesë janë Reklama Më e Mirë 30-Sekondëshe, Animacioni Më i Mirë, Përdorimi Më i Mirë i Teknologjive të Reja, Njoftimi Më i Mirë i një Shërbimi Publik.

Për hollësi të mëtejshme mbi projektin vizitoni faqen zyrtare të tij, duke klikuar te figura e mësipërme.

Moxillianë

Moxillianë është një projekt anësor i Mozilla-s që synon krijimin e një liste, një burimi të dhënash, rreth personave që merren në nivele të ndryshme me veprimtari në kuadrin e projektit, cilët janë, çfarë bëjnë dhe se si mund të lidhet dikush me ta, që kështu bashkëpunimi të ishte më i lehtë.

Për më tepër, vizitoni site-in e projektit.

Përkrahës të Firefox-it – mini-projekt i Mozilla-s

Përhapës i Firefox-it

Përhapës i Firefox-it – një mini-projekt i Mozilla-s që do t’u lejojë gjithë dashamirësve të Firefox-it të shpalosin përkrahjen e tyre dhe ta shtrijnë atë në përdorues të tjerë. Site-i projektit është gati edhe për Shqipen. Klikoni mbi figurën për të shkuar te faqja e projektit.

Prej andej, duke u regjistruar do t’ju jepet mundësia të vendosni butona Përhapësi të Firefox-it – copëza kodi html që i vendosni në site-in tuaj web ose blogun tuaj për të nxitur vizitorët të shkarkojnë Firefox-in. Si ky këtu më poshtë:

Android

Sa herë që një vizitor te site-i juaj klikon mbi një buton dhe shkarkon Firefox-in, ju përfitoni pikë prej atij shkarkimi. Përhapësit që grumbullojnë më shumë shkarkime prej site-eve të tyre do të paraqiten te tabela jonë e nderit dhe do të kenë mundësi të fitojnë gjëra të lezetshme, të tilla si bluza Firefox.

Të Marrësh Pjesë te Mozilla

Çfarë është Mozilla?

Në vijim të disa videove të tjera lidhur me Mozilla-n, ja një tjetër që përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes së thjeshtë të shumëkujt:
Çfarë është Mozilla? Disa prej figurave kyçe të projekti, apo lëvizjes, përpiqen ta shpjegojnë në këtë video:

Faqja Pasuese »

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.