Arkivë për etiketën 'pronësi intelektuale'

Manifesti i Mozilla-s

Hyrje

Interneti po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e rëndësishme e jetës sonë.

Projekti Mozilla është një bashkësi mbarëbotërore njerëzish që besojnë se të qenët i hapur, risia, dhe dhënia e mundësive janë kyçet e shëndetit në vazhdimësi të Internetit. Punojmë së bashku që prej 1998, për të bërë të mundur që Interneti të zhvillohet i tillë që prej tij të përfitojnë të gjithë. Jemi më shumë të njohur për krijimin e shfletuesit Web Mozilla Firefox.

Për krijimin e programeve të cilësisë së parë dhe me burim të hapët, si dhe për zhvillimin e llojeve të reja të veprimtarive për bashkëpunim mes njerëzve, projekti Mozilla përdor metodën e punës në bashkësi. Krijojmë bashkësi personash të përfshirë në bërjen e Internetit më të mirë për të gjithë ne.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, kemi përftuar një grup parimesh të cilat besojmë se janë kritike që Interneti të vazhdojë të sjellë përfitime si për të mirën e përbashkët, ashtu edhe për anën komerciale të jetës. Këto parime po i ravijëzojmë më poshtë.

Qëllimet e Manifestit janë:

  1. t’i japë formë përfytyrimit që bashkëpunëtorët e Mozilla-s dëshirojnë të ndiqet nga Mozilla Foundation;
  2. t’u flitet si atyre që kanë, ashtu edhe atyre që nuk kanë njohje teknike;
  3. t’i bëjë pjesëmarrësit te Mozilla krenarë për çka bëjnë dhe t’i nxisë të vazhdojnë kështu; dhe
  4. të furnizojë një kuadër për të tjerë persona që do të shtyjnë më para këtë përfytyrim të Internetit.

Këto parime nuk lulëzojnë vetë. Lypsen njerëz që ta bëjnë Internetin të hapur dhe dashamirës – njerëz që punojnë më vete, që punojnë tok në grupe, dhe që udhëheqin të tjerët. Mozilla Foundation i është përkushtuar shpënies më tej të parimeve të ravijëzuara te Manifesti Mozilla. Ftojmë edhe të tjerët të bashkohen me ne për ta bërë Internetin një vend akoma më të mirë për të tërë.

Parimet

  1. Interneti është pjesë e pandarë e jetës moderne–përbërës kyç në edukim, komunikim, bashkëpunim, biznes, dëfrim dhe në shoqërinë në tërësi.
  2. Interneti është burim i përbashkët mbarëbotëror dhe duhet të mbesë i hapur dhe i shfrytëzueshëm.
  3. Interneti duhet të pasurojë jetën e qenieve njerëzore.
  4. Siguria e individit në Internet është themelore dhe nuk mund të trajtohet si opsionale.
  5. Individit duhet t’i jepet mundësia të ngjizë vetë përvojën e tij në Internet.
  6. Efektshmëria e Internetit si burim i përbashkët varet nga ndërveprimi (protokolle, formate të dhënash, përmbajtje), risia dhe pjesëmarrja e decentralizuar anembanë botës.
  7. Programet e lira dhe me burim të hapët nxisin zhvillimin e Internetit si burim i përbashkët.
  8. Punimi me bazë bashkësinë, dhe i tejdukshëm, nxit pjesëmarrjen, përgjegjshmërinë dhe besimin.
  9. Ndërhyrjet komerciale në zhvillimin e Internetit sjellin mjaft përfitime; një drejtpeshim midis synimeve komerciale dhe të mirës së përbashkët është kritik.
  10. Rritja e anëve të Internetit që lidhen me përfitimin e përbashkët është qëllim me rëndësi, për të ia vlen të harxhohet kohë, kujdes dhe përkushtim.

Shpënia më tej e Manifestit Mozilla

Ka plot rrugë të ndryshme për të shpënë më tej parimet e Manifestit Mozilla. Ne i shohim me sy të mirë një gamë të gjerë veprimtarish, dhe parashikojmë të njëjtën shkallë krijimtarie që bashkëpunëtorët e Mozilla-s kanë treguar edhe në fusha të tjera të projektit. Për persona të papërfshirë thellë në projektin Mozilla, një rrugë themelore dhe tepër e efektshme për të mbështetur Manifestin është të përdoren Mozilla Firefox-i dhe të tjerë produkte në të cilat mishërohen parimet e Manifestit.

Zotimi i Mozilla Foundation-it

Mozilla Foundation zotohet të mbështesë Manifestin e Mozilla-s përgjatë veprimtarive të tij. Në veçanti:

  • do të ndërtojë dhe bëjë të mundura teknologji me burim të hapur dhe bashkësi që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të krijojë dhe shpërndajë produkte të fuqishëm konsumatori, që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të përdorë burimet e Mozilla-s (pronësinë intelektuale, të tilla si të drejtat e autorit dhe shenjat tregtare, infrastrukturën, fondet dhe famën) për ta mbajtur Internetin platformë të hapur;
  • do të nxisë modele krijimi vlerash ekonomike për të mirën publike;
    dhe
  • do të nxisë përhapjen e parimeve të Manifestit Mozilla në diskursin publik dhe brenda vetë industrisë së Internetit.

Disa veprimtari të Mozilla Foundation-it–hëpërhë krijimi, qarkullimi dhe përhapja e produkteve të konsumatorit–drejtohen së pari nga nëndegë në pronësi të plotë të Mozilla Foundation-it, Mozilla Corporation.

Ftesë

Mozilla Foundation fton gjithë të tjerët që mbështesin parimet e Manifestit Mozilla të bashkohen me ne, dhe të gjejmë rrugë të reja për ta bërë realitet këtë përfytyrim të Internetit.

Kthetrat e Microsoft-it më së fundi në Shqipëri.

BBC-ja njofton se Qeveria e Shqipërisë dhe shoqëria amerikane Microsoft kanë arritur një marrëveshje për Partneritet Strategjik.
Nënshkrimi i marrëveshjes shihet si një nga përfundimet e nismës qeveritare të keqemërtuar, “Shqipëria në moshën e Internetit”, bërë e njohur ca muaj më parë.
Hollësi rreth marrëveshjes jepen pak. Le të shpresojmë që këto do të bëhen të ditura, ose të passhme për të interesuarit të paktën, prej kanaleve zyrtare të qeverisë shqiptare. Por nga ato pak që lihet të mësohen mund të hamendësohet shumë. Lajmi hapet me sheqerkat e zakonshme të mirënjohura të PR-it të Microsoft-it: 6 mijë kompjutera me çmim simbolik për shkollat dhe programet mësimore në Shqipëri. Ndërkohë që pasi të mbarojë sheqerka, ne do të kujtohemi që bazimi i partneritetit strategjik të qeverisë shqiptare mbi Microsoft-in dhe produktet e tij kanë koston e tyre reale të tanishme dhe një efekt prapaveprues akoma më të kushtueshëm.
Sipas lajmit të BBC-së thuhet se “qeveria shqiptare ka marrë përsipër të respektojë të drejtat e pronësisë intelektuale duke blerë programet e Microsoft-it që përdoren nga administrata publike”. Dhe se këto produkte do të përdoren nga sektori publik për një periudhë tre vjeçare. Kjo do të thotë që qeveria shqiptare, me dije apo me padije, e vë administratën shqiptare nën monopolin e Microsoft-it, ndërkohë që vende të tjera po kërkojnë me ngulm të çlirojnë veten nga ky monopol dhe kostot e papërligjura që rrjedhin prej tij dhe përballohen nga taksapaguesit. Periudha trevjeçare përfundon shpejt, mund të thuhet, dhe pastaj mund t’i kthehemi zgjedhjes për ta përmirësuar. Në fakt, nuk është kështu sepse kthimi i supozuar do të kishte koston e vet, që mund të shmangej nëse bëhej që në fillim zgjedhja e duhur. Pra qeveria shqiptare është dy herë e humbur në këtë rast, e bashkë me të paratë publike. Një herë sepse po blen produkte nga më të shtrenjtat në treg, ndërkohë që ka produkte cilësisht më të mira dhe me kosto shumë më të ulët ose pa kosto fare, (Free Software/Open Source Software). Herën e dytë ngaqë edhe nëse do të dojë ndonjëherë të ndreqë hapin shumë të kushtueshëm të tanishëm, kjo do të ketë kostot e veta.
Microsoft-i është kritikuar vazhdimisht për praktikat monopoliste të paskrupullta. Kompania u ndëshkua me një gjobë jo të vogël, së fundi nga Bashkimi Europian. Më 24 Mars të 2004 Komisioni Europian doli me përfundimin:

Komisioni Europian arriti në përfundimin, pas një hetimi pesëvjeçar, se Microsoft Corporation ka shkelur rregullat e Bashkimit Europian mbi konkurencën duke abuzuar me shkallëzimin e monopolit të vet thuajse të plotë në tregun e sistemeve operativë për PC drejt tregjeve për sisteme opreativë shërbyesash për grupe pune dhe për lojtësa mediash. Për shkak se sjellja e paligjshme vazhdon ende, Komisioni e urdhëroi Microsoft-in të hapë për konkurrentët e vet, brenda 120 ditësh, ndërfaqet e nevojshme për produktet e tyre, që këta të mund të ‘flasin’ me të kudondodhurin Windows OS. Microsoft-it i kërkohet gjithashtu, brenda 90 ditëve, të ofrojë për prodhuesit e PC-ve, (ose kur u shet drejtpërsëdrejti përdoruesave të thjeshtë) një version të Windows OS-it të vet pa Windows Media Player. Veç këtyre, Microsoft-i gjobitet me €497 milionë euro për abuzim me fuqinë e vet të tregut mbi BE-në.

Më 12 Korrik të 2006-s, për mospërmbushje të këtyre detyrimeve të vëna nga Komisioni, Microsoft-i gjobitet sërish me €280 milionë euro. Te lidhja e mësipërme do të gjeni edhe rëndime ditore që shkojnë €1.5 milionë, €2 milionë dhe €3 milionë euro për kushte të ndryshme.
Emri Microsoft-it është i thuajse i paprekshëm në Shqipëri, për arsye monopoliste dhe padije nga ana e publikut të thjeshtë. Kjo ka lehtësuar zgjedhjen e qeverisë për futjen e administratës shqiptare në rrugën më të kushtueshme të modernizimit të saj.

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.