Arkivë për etiketën 'tastierë'

Foto ekrani nga Firefox OS Shqip në tablet

Firefox OS-i është një sistem i ri operativ për celular, i ndërtuar mbi JavaScript-in. Perspektivat e tij janë të shumta, duke qenë se ofron një alternativë të njëmendtë kundrejt platformash të tjera celulari, pronësore dhe kufizuese. Përfitimet e menjëhershme të prekshme do të ishin çmime më të lira për telefona të mençur. Përfitimet afatgjata lidhen me aspekte të konkurrencës ndaj platformave pronësore. Mozilla po përpiqet të bëjë me pajisjet celulare atë që bëri me Firefox-in vite më parë: të ofrojë alternativë të hapur dhe të suksesshme ndaj platformash pronësore.

Sistemi operativ i Mozilla-s për pajisje celulare, Firefox OS mund të përshtatet fare mirë për tablet. Te kjo galeri mund të shihni foto ekrani të bëra me Firefox OS-in në veprim, në shqip, në një tablet.

Veç gjërave të zakonshme që priten nga një sistem operativ për pajisje celulare dhe nga një përkthim në shqip, në disa prej fotove mund të shihet tastiera virtuale e shqipes. Çfarë e bën të dallueshme këtë tastierë është mungesa e dubëlvësë së panevojshme për shqipen, dhe prania e ë-së dhe ç-së, të dukshme dhe me pushtet të barabartë me shkronjat e tjera të alfabetit.

2015-02-28-04-50-12

Kjo është një kopje tjetër nga ajo e depozituar në projekt. Përpjekjet qenë për një tastierë si kjo më sipër. Por, me numërim të thjeshtë “votash” u vendos, nga persona që nuk e njohin shqipen dhe nevojat e saj, dhe në analogji me zgjidhje të tjera të papjekura, për një version tjetër.

Nëse dikush e sheh të arsyeshme sendërtimin e një tastiere si më sipër, i lutem të komentojë te Bugzilla. Po të arrihet një numër më i madh se i kundërshtarëve, mund të kërkohet përmbysja e rezultatit.

Një tjetër hollësi është përdorimi për galerinë e fotove i Mediagoblin-it, paltformës së lirë, të decentralizuar, për publikim figurash, video apo audio.

Hidhet në treg tastierë (e vërtetë) për Shqipen

Objekti i këtij postimi nuk hyn në gjërat të cilat trajton blogu, por mu duk i rëndësishëm dhe afër tematikës së tij. Më në fund, në treg është hedhur një tastierë që shkronjat e Shqipes i ka të tëra, edhe ë-në, edhe ç-në. Lehtësitë që priten nga përdorimi i një tastiere të tillë janë të qarta, si për ata që përdornin shkurtore tastiere për shkrimin e këtyre dy shkronjave (Alt + abc), si për ata që përdorin zëvendësimin e w-së me ë në përfundim të shkrimit të një teksti. Gazetat tona, dhe krejt lënda e shkruajtur në Shqip në Internet ka rastin të përmirësohet dukshëm. Dhe vetëm me një investim fare modest.
Nga figura e reklamës shihet që për realizimin është përdorur skema e Microsoft-it për Shqipen. Jo më e mira, por prapëseprapë punën e bën. Nuk e di se sa e lehtë është ta ndryshosh këtë skemë nën Windows. Por në Linux kjo është punë minutash. Kështu në vend të zgjedhjes së Microsoft-it, ë-ja mund t’i përshoqërohet w-së në tastierë, shkronjë e huaj për abc-në e Shqipes, dhe ç-ja t’i përshoqërohet tastit me simbolin e Windows-it, të cilin ende nuk dihet se për çfarë mund të përdoret.

N.B. Nuk kam asnjë marrëdhënie me kompaninë që tregton produktin e mësipërm. Jam shumë i kënaqur me tastierën time të përshtatur, në nivel software, për Shqipen.

Neese duket si travesti nuk kam csfaree tee bej: po beej njee prove me njee meenyree tee ree shkrimi tee Shqipes…

Meqë shumë nuk e dinë se mund të shkruhet fare mirë e pa mundime me ë dhe ç, pa problem për kompjuterat e tanishëm, shumica u bënë dembelë dhe nuk e vranë më mendjen për ta gjetur zgjidhjen atje ku ishte.
Dhe më në fund, për t’i vënë brirë budallalëkut, propozohet që Shqipja të birësojë ee në vend të ë-së dhe cs në vend të ç-së!

E vërteta është që ky problem në thelb nuk ekziston: standardi i shkrimit me ë dhe ç është zbatuar për një shekull, pa problem dhe me sukses; mundësia teknike për vazhdimin e respektimit të tij në kompjutera dhe të ngjashëm ekziston. Atëherë çfarë i mbetet problemit?
I mbetet vetëm grotesku.

Është interesante të vihet re që propozuesi i kësaj gjasmezgjidhjeje është një ish-deputet dhe me post të dikurshëm qeveritar. Pra shumë afër me tipin prej të cilëve duhej pritur një propozim që respekti i standardit ekzistues të mbështetet me ligje.
Një ligj që do të prekte mediat, sepse në gjuhën e folur asnjë nuk ngurron të përdorë ë dhe ç si më parë. Problemi është shumë i vonshëm dhe ka të bëjë vetëm me mediat. Atëherë pse të mos shihen rrugë ligjore që ta bëjnë median të mendohet përpara se të nxjerrë nga furra prodhime të tilla? Duke ulur në zero kufirin e tolerancës ndaj gabimeve që sot është në nivele alarmante; detyrimin ligjor që gazetat të kërkojnë publikisht falje në radhët e tyre dhe të bëjnë ndreqjen e çdo gabimi në drejtshkrim; ndëshkimin me gjoba për raste të përsëritura të shpërfilljes së drejtshkrimit në çdo prodhim të medias…

Propozimi konkret për zëvendësimin e ë-së me ee apo të ç-së me cs nuk i shërben zgjidhjes së problemit.
Arsyet që duhet të shërbejnë si mbështetje për propozimin nuk kanë bazë reale:

Është krejt e mundur nga ana teknike që, edhe nga një kompjuter me një tastierë jo Shqip, të shkruash Shqipe të pastër, pa u dashur të bëhen zëvendësime fjalësh pasi të kesh përfunduar një shkrim. Mjaftojnë disa rregullime të thjeshta për këdo, për të simuluar më shumë se një tastierë. Kalimi, sipas nevojave, nga njëra te tjetra lyp vetëm një klik. Pra gjendja mund të përmirësohet ndjeshëm që tani pa asnjë lloj shpenzimi shtesë.

Nga ana teknike, pasja e një tastiere Shqip është po aq e mundur sa edhe simulimi i një të tille. Çmimi i një tastiere është krejt i përballueshëm edhe për shqiptarët që blejnë një kompjuter e as është tastiera pjesa më e rëndë në pagesën për një kompjuter. Mospasja deri sot e një të tille është thjesht pasojë e indiferencës.

Shqipja nuk ka pse të imitojë artificialisht evolucione drejtshkrimi gjuhësh të tjera. Problemi nuk është i gjuhës në vetvete. Gjuha e folur është fare e qetë dhe e pakërcënuar nga probleme artificialë të tillë. Problemi është një problem i tregut. Ndaj edhe zgjidhja duhet kërkuar nga tregu, mundësisht edhe përshpejtuar me masa ligjore.
Asnjë prej vendeve që ka ndryshuar drejtshkrimin nuk e ka bërë këtë për shkak të pamundësisë teknike të mjeteve elektronike për të shkruajtur saktë në secilën prej tyre. Fakti që këto gjuhë kanë secila tastierën e tyre tregon më së miri që zgjidhja është teknikisht e mundur. Atëherë duhemi drejtuar nga kjo zgjidhje dhe jo gjasmezgjidhje që shpërfytyrojnë Shqipen.
Ë dhe ç u birësuan në shkrimin e Shqipes në një kohë me shumë më tepër vështirësi teknike se sa sot. Vetëm kaq duhet të mjaftonte për pak më tepër guxim drejt zgjidhjes reale që nuk ka të bëjë me standardet e drejtshkrimit të deritanishëm por me zbatimin e tij.

Ajo që mungon është respekti ndaj standarteve, profesionalizmit nga ana e mediave dhe pak guxim për të hedhur tej frikëra të kota nga ata që e dinë tashmë zgjidhjen.

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.