Arkivë për etiketën 'Tumblr'

SOPA dhe PIPA shpjeguar në gjuhë të thjeshtë

Interneti është një nga industritë më të fuqishme dhe më me rritje në Shtetet e Bashkuara Ai u lejon miliarda njerëzve komunikim të lirë dhe të hapur, dhe ka qenë frymëmarrja e protestave anembanë botës. Por një projekt-ligj i ri propozon që industrisë së dëfrimit t’i lihet dorë e lirë të censurojë Internetin. Mban emrin PROTECT IP, dhe ja se si do të funksiononte:

Korporata private duan të jenë të lira të mbyllin site-e të paautorizuar ku njerëzit shkarkojnë filma, shfaqje televizive dhe muzikë. Ngaqë shumica e këtyre site-eve ndodhen jashtë juridiksionit të SHBA-ve, PROTECT IP përdor ca taktika të tjera nga ato brenda kufijve të Amerikës. Së pari, i jep qeverisë fuqinë të detyrojë mundësuesit e Internetit në SHBA të bllokojnë hyrjen për te emra përkatësish të shkelësve. Po njësoj mund të padisin motorë kërkimi me bazë në SHBA, lista, madje edhe blogje dhe forume me synim heqjen prej tyre të lidhjeve për te këto site-e. Së dyti, PROTECT IP u jep korporatave dhe qeverisë aftësinë e ndërprerjes së financimeve për site-et web shkelëse përmes anulimit të llogarive të tyre te reklamues dhe shërbime pagesash me bazë SHBA-të. Përmbledhtas, kjo është ajo që PROTECT IP do të provojë të bëjë.

Por sipas të gjitha gjasave, bashkë me të do të bëjë edhe diç tjetër. Si për fillim, nuk ka për t’u vënë fre atyre që shkarkojnë. Prapë do të jeni në gjendje të hyni te një site i bllokuar, thjesht duke dhënë adresën e tij IP në vend të emrit. Ajo çka PROTECT IP do të bëjë është gjymtimi i sipërmarrjeve të reja ngaqë u lejon gjithashtu kompanive të padisin cilindo site që mendojnë se nuk po bën filtrim të kënaqshëm. Këto procese gjyqësore do të çonin kollaj në falimentim motorë të rinj kërkimi dhe site mediash shoqërore. Dhe teksti i PROTECT IP-së është aq i dykuptimtë saqë site-e të rëndësishëm mediash shoqërore mund të shndërrohen në objektiv goditjeje. Shumë site-e web novatore mund të duken si pirateri në sytë e gjykatësit jo të duhur: Tumblr, SoundCloud, dhe YouTube-i në fillimet e veta. Kudo që njerëzit shprehen, bëjnë art, transmetojnë lajme, ose organizojnë protesta ka të përziera shumë xhirime TV-je, copëza filmash, dhe muzikë nën të drejta autori. Dhe edhe sikur t’i besoni qeverisë së SHBA-ve se nuk do të abuzojë me fuqinë e re për censurim të Net-it, po vendet që do ndiqnin shembullin tonë dhe do të hartonin ligje të tilla? Njerëzit nëpër botë do të kishin kështu Internete shumë të ndryshëm, dhe qeveri të paskrupullta do të kishin mjete të fuqishme për të shtypur shprehjen e lirë.

Por ndoshta gjëja më e rrezikshme do të qe se PROTECT IP do të përziehej me funksionimin e brendshëm të Net-it. Ekspertët besojnë se duke futur hundët te regjistrat Web të emrave të përkatësive përfundimi do të ish më pak siguri dhe qëndrueshmëri. Shkurt, PROTECT IP nuk do ta ndalë piraterinë, por do të hapë rrugën për potenciale të mëdha censure dhe abuzimi, për ta bërë Web-in më pak të sigurt dhe të besueshëm.
Ky është Internet-i për të cilin flasim. Një mjet vital dhe plot gjallëri, dhe qeveria jonë po fut hundët në strukturën bazë të tij se ndoshta kështu njerëzit do të blejnë më tepër filma Hollivudi. Por me filmat e Hollivudit nuk zgjidhen kandidatë nga baza, nuk përmbysen regjime të korruptuar, dhe krejt industria e dëfrimit nuk kontribuon kushedi çë në ekonominë tonë. Këto të gjitha bëhen me Internet, këto e të tjera. Korporatat i kanë tashmë mjetet që të luftojnë piraterinë. E kanë mundësinë të ndalin qarkullim lënde të caktuar, të padisin për mbyllje kompanitë e software-it peer-to-peer, dhe të padisin gazetarë thjesht se kanë folur se si të kopjohet një DVD. Janë plot me bëma ushtrimi dhe abuzimi të fuqisë së tyre. Ato u përpoqën të hiqnin nga YouTube-i një video për një bebe, vetëm për muzikën që luhej në sfond. Dënimet që jepen për pirateri komerciale në shkallë të gjerë i kanë përdorur kundër familjesh dhe fëmijësh. Janë po këto që hapën padi për ndalimin e VCR-së dhe të pajisjeve të para MP3.

Ndaj pyetja është, deri ku do të shkojnë me këtë punë? Përgjigja në këtë pikë është e qartë. Deri atje ku do t’i lejojmë ne. Që kur krijuam këtë video, PROTECT IP është përkeqësuar dhe po përgatiten për miratim të shpejtë. Tani qeveria dhe korporatat mund të bllokojnë çfarëdo site-i, të brendshëm ose të jashtëm, thjesht për një lidhje që do të shkelte ligjin. Site-eve si YouTube, Twitter, dhe Facebook do t’u duhej të censuronin përdoruesit e vet ose të mbyllen, ngaqë bëhen përgjegjëse për gjithçka që përdoruesit e tyre postojnë. Përdoruesi i rëndomtë mund të përfundojë me burg 5 vjetë për postim të çfarëdo gjëje nën të drejta autori– madje edhe thjesht nga të kënduarit e një kënge.

Hidhet në qarkullim WordPress 3.3

Platforma e mirënjohur CMS WordPress qarkullon tani në versionin 3.3.

Ç’ka të Re në këtë version? Disa prej veçorive të reja të këtij versioni mund t’i shihni më poshtë:

Ngarkim më i kollajshëm i kartelave të ndryshme në një postim blogu

Tani lloji i kartelës zbulohet vetvetiu pasi e ngarkoni. Sipas llojit të kartelës do të shfaqen edhe fushat përkatëse ku mund të jepen të dhënat rreth saj.

Ngarkues Media Merr-dhe-Vër

Shtimi i fotove apo i kartelave të tjera te postimet dhe faqet është thjeshtuar edhe më. Kartelat që doni të ngarkoni mund t’i tërhiqni nga desktopi apo një dritare e tij dhe t’i lëshoni te ngarkuesi.Mundeni të shtoni një kartelë në herë, ose disa njëherësh.

Më Tepër Formate Kartelash

Te lista e llojeve të lejuar të kartelave për ngarkuesin janë shtuar formatet .rar dhe .7z.

Menu Hapmbyll

Pulti është bërë më i hajthshëm, përmes nënmenush të reja hapmbyll. Teksa kaloni kursorin sipër secilit zë të menusë, nënmenuja shfaqet vetvetiu, duke ju lejuar hyrje te cilado skenë e pultit thjesht me një klikim.

Konceptim i Rrjedhshëm

Disa skena të pultit janë përditësuar për t’u dukur më mirë nën madhësi të ndryshme, përfshi mbulim më të mirë për iPad/tablet.

Skeda Ndihme

Një operacion plastik për skedat e ndihmës që gjenden në cepin e sipërm të skenave të Pultit. Lënda në to është ndarë në pjesë më të vogla, për përdorim më të kollajtë, me lidhjet për te dokumentimi përkatës dhe forumet e asistencës përherë të dukshme.

Sinjalizuesa Veçorish të Reja

Kur shtohen veçori të reja, ndryshohet mënyra e lëvizjeve, apo çfarëdo gjëje tjetër që mund t’’ju kapë në befasi kur përditësoni site-in tuaj WordPress site, do t’ju bëhet e ditur me shpjegime veçorish të reja rreth ndryshimit.

Bashkë-përpunim Më i Mirë

Ju ka rastisur të përpunoni një postim pasi dikush tjetër pat mbaruar me të, dhe të shihni një njoftim që ju thotë se personi tjetër po e përpunon ende postimin? Tani e tutje, njoftim të tillë do të keni vetëm nëse personi tjetër gjendet te skena e përpunimeve — nuk ka më mospërputhje në kohë.

Importues Tumblr-i

Doni të importoni lëndë nga Tumblr në WordPress? Pa problem! Shkoni te Mjete → Import që të merrni Importuesin e ri për Tumblr, i cili i kalon postimet tuaja nga Tumblog në formate postimesh WordPress. Ndihmëz: Që të përfitoni maksimumin nga importuesi, zgjidhni një temë të hartuar që të shfaqë formate postimesh.

Përmirësime “Widget”-esh

Ndryshimi i temës shpesh lyp riformësim “widget”-esh me bazë numrin dhe pozicionin e tyre te panelet. Tani e tutje, nëse i riktheheni një teme të dikurshme, “widget”-et do të kthehen atje si i kishit sistemuar te ajo temë. Shënim: nëse keni shtuar “widget”-e që nga ndryshimi i fundit, do t’ju duhet t’i risillni prej zonës Widget-e Joaktive.

 

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.