Arkivë për etiketën 'vendore'

Këmbyes Gjuhe për Firefox

Brenda një muaji që nga hedhja në qarkullim, Firefox 4 është shkarkuar, deri në këtë çast, mbi 97 milionë herë në gjithë botën dhe në gjithë gjuhët që qarkullon. Sipas statistikave të Mozilla-s, në Shqipëri Firefox 4 është shkarkuar deri më sot mbi 69 mijë herë. Në shkarkimet brenda Shqipërisë përqindjen më të madhe e zë versioni në Anglisht. Pas tij vjen versioni në Shqip, ai në Italisht dhe në Greqisht.

Shumica e përdoruesve punojnë me të duke e pasur ndërfaqen në një gjuhë të vetme. Për t’u kujdesur për rastet kur një gjuhë e vetme nuk i plotëson nevojat, fjala vjen, nëse dëshironi që fëmija juaj të përdorë Firefox-in në Frëngjisht apo Esperanto, ka një shtesë të quajtur Quick Locale Switcher që zgjidh punë. Shtesa, e përkthyer në Shqip, mund të përdoret si për ndërrimin e ndërfaqes, ashtu edhe për ndërrim parametrash që lidhen me një gjuhë të caktuar. Si shembull për rastin e dytë, mund të sillet ndryshimi i fjalorit që përdoret për kontroll drejtshkrimi të tekstit të dhënë në fusha tekstesh që nga brenda Firefox-it. Nëse shkruani në një blog Shqip, ju duhet kontrolli për Shqipen. Nëse më pas merrni pjesë në një forum në Gjermanisht, të themi, keni nevojë për kontrollin e Gjermanishtes.


Qoftë ndërrimi i gjuhës së ndërfaqes, qoftë ai i parametrave të lidhur me një gjuhë të dhënë, lypin instalimin jo thjesht të QLS-së, por edhe të fjalorëve dhe paketave gjuhësore për një gjuhë të dhënë. Këtë mund ta bëni kollaj duke zgjedhur prej kësaj liste. Pas instalimit të shtesës, në cepin e poshtëm djathtas do të shihni një ikonë flamuri. Klikimi mbi të do të hapë një menu që ju lejon zgjedhjen e gjuhës që dëshironi, mes atyre që keni të instaluara.

Më tej, mundeni që të përcaktoni cilën gjuhë të përdorë programi kur jeni në një site të dhënë dhe kështu ndërrimi i gjuhës të bëhet vetvetiu pa ndërhyrjen tuaj:

Kombinimet gjuhë ndërfaqeje dhe parametra gjuhe mund të jetë nga më të ndryshmet. Një shembull mund ta shihni më poshtë:

Në një rast si ky më sipër mund të shtoni një koment në Italisht duke bërë kontrollin e tij, pa i ndërruar Firefox-it gjuhën e ndërfaqes që, siç shihet, është ajo Anglisht.

Prej patentave mbi software-e do të vuajnë qytetet europiane

Letër e Hapur e Free Software Foundation Europe për EUROCITIES

EUROCITIES është rrjeti i nja 100 qyteteve të mëdhenj të BE-së, Norvegjisë, Zvicrës, Europës Qendrore dhe Lindore dhe Shteteve të Rinj të Pavarur (NIS). Eurocities është themeluar më 1986, qytetarët e qyteteve anëtarë bëhen më tepër se 100 milionë. Catherine Parmentier është Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive për EUROCITIES

E dashur znj. Parmentier,

Këshilli Europian dhe Komisioni Europian duan të paraqesin një bazë ligjore për patentat mbi software-e në Europë. Çka do t’i linte qytetet europianë zbuluar përballë rreziqesh të pallogaritshme dhe të paparashikueshme kostosh procesesh gjyqësorë mbi patenta software-esh. Ndaj edhe shpresojmë që të bashkoheni me ne të luftojmë këta asgjësues punësimesh dhe risish.

Bashkive nëpër Europë u duhet të kapërcejnë të njëjtat vështirësi: numri i atyre që varen nga asistenca sociale është në rritje, arka është bosh dhe qytetarët presin nga shërbimi publik të ofrojë cilësi më të lartë se kurrë më parë. Këto synime, në dukje kundërthënëse, duhet të arrihen nga shndërrimi i punëve të mundimshme administrative të dikurshme në procedura dhe struktura të automatizuara elektronike — jo vetëm brenda një administrate të vetme, por edhe ndërmjet shërbimeve të ndryshme publike, mes administratës dhe qytetarëve, apo administratës dhe bizneseve.

Emërtimi i mirënjohur i krejt kësaj është eQeverisje.

Strukturat dhe procedurat e standardizuara, të cilat përkufizohen dhe vihen në jetë në formë software-esh që përdoren nëpër struktura dhe administrata vendore, ofrojnë një territor ideal për pretendime mosmarrëveshjesh mbi patenta software-esh: Pretendimet e mundshme shtrihen nga themelet e funksioneve bazë, si rrjetet, baza të dhënash dhe sisteme kartelash, deri mbi metoda abstrakte dhe protokolle që ofrojnë funksione të caktuar.

Ngaqë për patentat nuk kërkon kush vërtetim koncepti ose vënieje në jetë, ai që pretendon për patentë mund t’ia lejojë lehtë vetes të paraqesë metoda abstrakte dhe të vendosë arbitrarisht të japë ose mohojë leje për to.

Për tri shkaqe kryesore, kjo do të bëhet një faktor domethënës kostosh: Si zhvilluesve të software-it, ashtu edhe përdoruesve mund t’u kërkohet pothuajse çfarëdo shume parash që zgjedh mbajtësi i patentës. Mjaft zhvilluesa dhe shoqëri nuk do të jenë në gjendje të paguajnë kërkesa të tilla dhe do të dalin nga loja, duke kthyer kështu taksapagues në njerëz që lypin asistencë sociale. Dhe së fundi, çmimet e shoqërive të mbetura të software-eve do të rriten për shkak të nevojës për rifinancim të shpenzimeve për patenta software-esh dhe për shkak të zvogëlimit të konkurrencës.

Zyra e Shteteve të Bashkuara për Patenta dhe Shenja Tregtare ka regjistruar 1185 patenta software-sh [1] që merren me “shërbimin publik” dhe 19 që merren shprehimisht me “bashkitë” [2]. Nuk është e nevojshme të përdoren këta fjalëkyça kur parashtrohet një patentë software-esh, kështu që kjo është vetëm maja e akullmalit dhe parashikohet të rritet me shpejtësi nëse patentat mbi software-et bëhen një realitet.

Me futjen e patentave të software-eve, qytetet europiane do të duhej të hapnin sytë ndaj rritjes dramatike të kostove dhe një situate ligjore gjithnjë e më tepër të vështirë, me rreziqe të mëdha për administratën.

Këshillojmë të lidheni me z. Christian Ude, kryetar i bashkisë së Mynihut, i cili është bërë i ndërgjegjshëm për efektet dëmtuese që patentat mbi software-in kanë mbi shërbimet publike. Nëse keni pyetje të mëtejshme, ose ju nevojitet asistencë shtesë, ju lutemi mos ngurroni të lidheni me ne.

Me përshëndetje të përzemërta

[1]

[2]

© 2012-2025 Programe Shqip Creative Commons License
Lënda e këtushme mund të përdoret sipas një lejeje Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported License.